ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
Njoftime per çeshtjen e Dom Marjan Ukajt

 

 

 

 

KOMUNIKATË PËR SHTYP

 

 

Pasi kemi pritur me qetësi dhe pasi i kemi dëgjuar me durim të gjitha fjalët, shumë shpesh të pasakta, që janë thënë rreth çështjes së ngritur prej refuzimit të Dom Marjan Ukajt, ish famullitar i Velipojës, për t’iu bindur një urdhri të Arqipeshkvit ka ardhur momenti që të dëgjohet publikisht zëri i Arkidioqezës edhe nëpërmjet mediave vizive dhe të shkruara.

Prandaj është mirë të sqarohet çka vijon:

 

             1-      Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit nuk ka asnjë çështje personale me Dom Marjan Ukajn dhe nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmen e gjyqësorit për të zgjedhur çeshtjet e brendshme të Kishës, pasi ajo rregullohet me anë të ligjit të saj kanonik, por ka bërë vetëm një kallzim pranë organit të Prokurorisë për zaptimin e ambientëve të famullisë, që Dom Marjan Ukaj ka bërë pas lirimit të tij nga detyra. Pronat e Kishës u përkasin brezave të bashkësisë së besimtarëve dhe jo priftërinjëve kalimtarë.  Gjyqi  u vendos dhe u hap nga Prokuroria dhe jo nga Arqipeshkvi.

 

            2-      Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit ka kërkuar gjithmonë, qoftë Dom Marjanit personalisht qoftë në denuncimin e tij, vetëm lirimin e strukturave që janë pronë e famullisë, të cilat Dom Marjan Ukaj i mban ende peng kundër ligjeve të Kishës dhe duke penguar kështu veprimtaritë normale të jetës famullitare. I bëjmë me dije opinionit publik, se vetëm pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe Policisë Dom Marjan Ukaj dorëzoj vetëm çelësat e 5 kishave. Kjo sjellje e Dom Marjanit shkakton dukshëm një dëm të rëndë në jetën fetare e shpirtërore të të gjithë besimtarëve katolikë të Velipojës.

 

             3-      Kësaj komunikate i bashkangjesim edhe dy letra: e para më 2 prill 2008 (prot. nr. 42/2008) dhe e dyta më 21 prill 2008 (prot. nr. 57/2008), të cilat sqarojnë në mënyrë të pagabueshme mendimin, qëndrimet dhe shpirtin që Arqipeshkvi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pasur gjatë zhvillimit të tërë ngjarjes, që prej fillimit të saj. Autorizohet edhe botimi i tyre.

 

            4-      Po ua bëjmë të njohur të gjithëve disa fraza të përgjigjes së 8 janarit 2008 që Kongregata për Klerin nga Vatikani i ka dhënë apelimit të Dom Marjan Ukajt: “... kjo Kongregatë konstaton që – siç shfaqet nga dokumentacioni i ardhur këtu, aq sa nga ana Juaj (letra-fax e 9 dhjetorit të vitit të kaluar), ashtu edhe nga ana e Arqipeshkvit – Zotëria Juaj nuk ka ndryshuar sjelljet që kundërshtojnë bindjen dhe respektin kundrejtë Arqipeshkvit, duke provokuar për më tepër shkanduj të tjerë. Prandaj, ky Dikaster përsërit ftesën të drejtuar Juve me letrën e 30 gushtit 2007, duke shprehur mosaprovimin tonë rreth sjelljes që Ju keni mbajtur, që sigurisht nuk frymëzohet nga shpirti ungjillor dhe totalisht në kundërshtim me premtimet që Ju keni bërë ditën e shugurimit meshtarak. Me shpresën që në të ardhmen Ju do të dini t’i përmbaheni asaj që këtu Ju urdhërojmë...”.

 

Shpresojmë që të gjithë të kenë mundur ta kuptojnë këtë çështje në termet e njëmendta dhe të jetë sqaruar ky problem i cili i shkakton një dhimbje të thellë Arqipeshkvit dhe gjithë Dioqezës.

 

 

Prej Kuries Arqipeshkvore

 

 

Titujt kryesore per ceshtjen e Dom Marjan Ukajt 

 

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster