|
Koment i mbledhjes së
Komisionit të Bashkuar në Qipro
Romë, e enjte, 29 tetor 2009 (ZENIT.org).
– Mbledhja XI e Komisionit të Bashkuar Ndërkombëtar për dialogun
teologjik mes Kishës katolike dhe Kishës ortodokse, e zhvilluar në
Paphos (Qipro) nga data 16 deri më 23 tetor mbi temën “Roli i ipeshkvit
të Romës në bashkësinë e Kishës në mijëvjeçarin e parë”, ka lejuar të
bëhen “hapa të vegjël përpara në drejtimin e duhur”.
E ka pohuar këtë Kardinal Ëalter Kasper,
President i Këshillit Papnor për Promovimin e Njësisë së të Krishterëve
dhe bashkëpresident i Komisionit, në Radio Vatikan, duke theksuar se
“hapat janë të vegjël e të ngadaltë” pikërisht sepse argumenti i
diskutimit është “një çështje shumë, shumë komplekse, një temë që ka një
peshë emotive prej shumë shekujsh”.
“Por, ajo që është e rëndësishme
pavarësisht prej manifestimeve kundërshtare që janë bërë nga ana e disa
eksponentëve, sidomos të Kishës së Greqisë – është se të gjithë
përfaqësuesit ortodoksë kanë qenë të vendosur dhe të përcaktuar në
vazhdimin e dialogut”, ka vërejtur ai.
“Marrëdhëniet mes anëtarëve katolikë dhe
ortodoksë të Komisionit kanë qenë shumë të mira, miqësore, të
kthjellëta”, ka shtuar, duke lajmëruar me kënaqësi se organizmi do të
takohet vitin e ardhshëm në Vjenë për të vazhduar dialogun.
Nga ana e vet, metropoliti i Pergamos
Ioannis Zizioulas, bashkëpresident i Komisionit nga ana ortodokse, ka
deklaruar se “çështja e parësisë është një problem ekleziologjik”, dhe
meqenëse ekleziologjia bën pjesë në dogmatikë është “çështje feje”.
“Përvoja të tjera tonat të dialogut
teologjik, me parakalcedonezët dhe vetero-katolikët për shembull, na
tregojnë se një marrëveshje mbi çështje të tjera dogmatike nuk duhet
asgjë nëse nuk ka një mirëkuptim mbi themelet e ekleziologjisë”, ka
shpjeguar në një intervistë dhënë agjencisë së shtypit athinas dhe
maqedonas Apa-Apm marrë edhe nga “L’Osservatore Romano”.
Në marrëdhëniet mes ortodoksëve dhe
katolikëve, çështja e parësisë “ka luajtur rolin më tragjik” dhe “ka
krijuar probleme më të mëdha (kryqëzatat, uniatizmi)”, ka pranuar ai,
duke thënë se “pajtueshmëria është një kusht paraprak i parësisë”.
Përballë akuzave të bëra nga disa mjedise
ortodokse për “lëshim peri” përballë Kishës katolike thjesht për faktin
e çuarjes përpara të një dialogu konstruktiv, metropoliti ka vërejtur se
është “e padrejtë dhe e gabuar” të hidhemi kundër Patriarkatit ekumenik,
sepse “dialogu bëhet me vendimin e njëzëshëm të të gjitha Kishave
ortodokse”.
Dialogu teologjik mes Kishës ortodokse
dhe asaj katolike, ka kujtuar ai, është më i rëndësishmi ndër të gjithë
ata që janë ndërmarrë zyrtarisht prej Kishës ortodokse me heterodoksët
“por, në të njëjtën kohë, për disa situata, edhe më i munduari”.
Ioannis Zizioulas pra ka nxitur që “të
punohet pa lëshuar pe në drejtim të fesë që na është përçuar për të bërë
lutjen e përditshme ‘për bashkimin e të gjithë neve’”, duke vërejtur se
nëse “nuk e bëjmë këtë apo nëse e bëjmë në dëm të fesë së Etërve tanë,
jemi borxhlinj para Hyjit”.
Kanë marrë pjesë në takimin e Paphos-it
20 delegatë për palën katolike – me disa mungesa për shkak të
angazhimeve në Sinodin e Ipeshkvinjve për Afrikën apo për arsye shëndeti
– dhe 24 delegatë si përfaqësues të të gjitha Kishave ortodokse përveç
Patriarkatit të Bullgarisë.
Seksioni i vitit 2010 në Vjenë do të
zhvillohet nga data 20 deri më 27 shtator dhe do të mikpritet nga
Kardinali Christoph Schonborn, Arqipeshkëv i qytetit.
titujt kryesorë |