|
|
Këshillit Papnor “Cor Unum”
Zotërinj Kardinalë,
të nderuar Vëllezër në
Episkopat e në Meshtari,
të dashur vëllezër e
motra,
jam i lumtur ta
përshëndes secilin prej jush, Anëtarë, Këshilltarë dhe Zyrtarë të
Këshillit Papnor “Cor Unum”, të mbledhur këtu për Asamblenë Plenare,
gjatë të cilës rrahet tema “Ecjet formuese për veprimtarët e
bamirësisë”. Përshëndes Kardinal Paul Josef Cordes, President i
Dikasterit, dhe e falënderoj për fjalët e sjellshme që më drejtoi në
emrin tuaj. Të gjithëve ju shpreh mirënjohjen time për shërbimin e vyer
që i jepni veprimtarisë bamirëse të Kishës. Mendimi im, në mënyrë të
veçantë, u drejtohet besimtarëve të shumtë që, me role të ndryshme dhe
në çdo anë të botës, me zemërgjerësi e përkushtim, dhurojnëkohën e tyre
dhe energjitë e tyre për të dëshmuar dashurinë e Krishtit, Samaritanit
të Mirë, që përkulet mbi nevojat e trupit e të shpirtit. Meqenëse,
sikurse kam theksuar në Enciklikën Deus caritas est, “natyra e
brendshme e Kishës shprehet në një detyrë të trefishtë: kumtimi i Fjalës
së Hyjit (kerygma-martyria), kremtimi i Sakramenteve (leiturgia),
shërbimi i bamirësisë (diakonia)” (krh. nr. 25), bamirësia i përket vetë
natyrës së Kishës.
Duke vepruar në këtë
fushë të jetës kishtare, ju kryeni një mision që vendoset në një tension
të vazhdueshëm mes dy polesh: kumtimi i Ungjillit dhe vëmendja ndaj
zemrës së njeriut e ndaj mjedisit në të cilin ai jeton. Këtë vit dy
ngjarje të veçanta kishtare e kanë vënë në pah këtë aspekt: botimi i
Enciklikës Caritas in veritate dhe kremtimi i Asamblesë së
Veçantë për Afrikën e Sinodit të Ipeshkvinjve mbi pajtimin, drejtësinë
dhe paqen. Në perspektiva të ndryshme por konverguese, ato kanë vënë në
dukje se si Kisha, në kumtimin e vet shëlbues, nuk mund të mos marrë
parasysh kushtet konkrete të jetës së njerëzve, te të cilët është e
dërguar. Veprimi për t’i përmirësuar ato, i përket vetë jetës së saj dhe
misionit të saj, pasi shëlbimi i Krishtit është i tërësishëm dhe i
përket njeriut në të gjitha përmasat e tij: fizike, shpirtërore,
shoqërore e kulturore, tokësore e qiellore. Pikërisht prej kësaj
vetëdijeje kanë lindur, gjatë shekujve, shumë vepra dhe struktura
kishtare me qëllim nxitjen e personave dhe të popujve, që kanë dhënë dhe
vazhdojnë të japin një ndihmesë të pazëvendësueshme për rritjen,
zhvillimin harmonik e të tërësishëm të qenies njerëzore. Sikurse kam
theksuar në Enciklikën Caritas in veritate, “dëshmia e dashurisë
së Krishtit nëpërmjet veprave të drejtësisë, paqes e zhvillimit bën
pjesë në ungjillëzim, sepse Jezu Krishti, që na do, ka përzemër gjithë
njeriun” (nr. 15).
Në këtë optikë duhet
konsideruar angazhimi i Kishës për zhvillimin e një shoqërie më të
drejtë, në të cilën të njihen e të respektohen të gjitha të drejtat e
individëve dhe të popujve (krh. ibid., 6). Shumë besimtarë laikë kryejnë
një veprim të frytshëm në fushën ekonomike, shoqërore, legjislative dhe
kulturore, dhe nxisin të mirën e përbashkët. Ata dëshmojnë Ungjillin,
duke ndihmuar që të ndërtohet një rend i drejtë në shoqëri dhe duke
marrë pjesë personalisht në jetën publike (krh. Deus caritas est,
28). Sigurisht, nuk i përket Kishës që të ndërhyjë drejtpërdrejtë në
politikën e shteteve apo në ndërtimin e strukturave politike të
përshtatshme (krh. nr. 9). Kisha me kumtimin e Ungjillit hap zemrën për
Hyjin e për të afërmin si dhe zgjon ndërgjegjet. Me forcën e kumtimit të
saj mbron të drejtat njerëzore dhe angazhohet për drejtësinë. Feja është
një forcë shpirtërore që pastron arsyen në kërkimin e një rendi të
drejtë, duke e liruar atë prej rrezikut gjithnjë të pranishëm që të
“verbohet” prej egoizmit, prej interesit dhe prej pushtetit. Në të
vërtetë, sikurse tregon përvoja, edhe në shoqëritë më të përparuara nga
këndvështrimi shoqëror, caritas-i mbetet i nevojshëm: shërbimi i
dashurisë nuk bëhet kurrë i panevojshëm, jo vetëm sepse shpirti njerëzor
ka gjithmonë nevojë, përveçse për gjëra materiale, edhe për dashuri, por
edhe sepse vazhdojnë situatat e vuajtjes, të vetmisë, të nevojës, që
kërkojnë përkushtim personal dhe ndihma konkrete. Kur i kushton njeriut
vëmendje plot dashuri, Kisha ndien që pulson në vetvete plotësia e
dashurisë e ngjallur prej Shpirtit Shenjt, i cili, ndërsa e ndihmon
njeriun që të lirohet prej shtypjeve materiale, i siguron ngushëllim e
mbështetje edhe shpirtit, duke e liruar atë prej të këqijave që e
mundojnë. Burim i kësaj dashurie është vetë Hyji, mëshira e pafundme dhe
dashuria e amshuar. Prandaj, kushdo që ofron shërbimin e vet brenda
organizmave kishtare që zbatojnë nisma dhe vepra bamirësie, nuk mund të
ketë tjetër veçse këtë objektiv: ta bëjë të njohur dhe të përjetojë
Fytyrën e mëshirshme të Atit qiellor, sepse në zemrën e Hyjit Dashuri
gjendet përgjigjja e vërtetë ndaj pritjeve më intime të çdo zemre
njerëzore.
Sa e nevojshme është për
të krishterët që ta mbajnë vështrimin të ngulitur në Fytyrën e Krishtit!
Vetëm në Të, plotësisht Hyj dhe plotësisht njeri, mund të sodisim Atin
(krh. Gjn 14,9) dhe të përjetojmë mëshirën e pafundme! Të krishterët e
dinë se janë të thirrur t’i shërbejnë dhe ta duan botën, pa qenë “të
botës” (krh. Gjn 15,19); të sjellin një Fjalë shëlbimi të tërësishëm të
njeriut, që nuk mund të kufizohet në horizontin tokësorë; të mbeten –
sikurse Krishti – krejtësisht besnikë ndaj vullnetit të Atit deri në
dhurimin suprem të vetvetes, për ta ndier më lehtë atë nevojë për
dashuri të vërtetë që gjendet në çdo zemër. Ja, pra, ecja që duhet të
bëjë, nëse dëshiron të ndjekë logjikën e Ungjillit, kushdo që dëshiron
të dëshmojë dashurinë e Krishtit.
Të dashur miq, është e
rëndësishme që Kisha, e përfshirë në ngjarjet e historisë dhe të jetës
së njerëzve, të bëhet kanal i mirësisë dhe i dashurisë së Hyjit. Kështu
le të jetë për ju dhe për ata që veprojnë në fushën e gjerë me të cilën
merret Këshilli juaj Papnor! Me këtë urim thërras ndërmjetësimin amnor
të Marisë mbi punimet tuaja dhe, ndërsa përsëris falënderimin tim për
praninë tuaj dhe për veprën që kryeni, me gjithë zemër ju jap secilit
prej jush dhe familjeve tuaja Bekimin tim Apostolik.
titujt kryesorë |
|