ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

 World Conference on Dialogue Amang Religions and Civilizations:

“The contribution of religion and culture to peace, mutual respekt and cohabitation”

(october 26-28, 2007, Ohrid, Republic of Macedonia)

 

 

  

NUK KA PAQE TË VËRTETE MES VENDEVE

DERISA TË MOS KETË PAQE TË VËRTETE MES BESIMEVE

------------------------------------------------------------------------------------------------

 

 

Dëshiroj të falënderoj për ftesën dhe u drejtoj një përshëndetje të përzemërt nismëtarëve dhe organizatorëve të kësaj Konference: Kryeministrit Shkël. Nikola Gruevski.

 

Të gjithëve juve ju drejtoj një përshëndetje të përzemërt e miqësore. Kjo nismë e Qeverisë së Maqedonisë shfaqet shumë e përshtatshme në kontekstin aktual historik. Njohja e ndërsjellë është në fakt hapi i parë dhe i nevojshëm për të siguruar një zhvillim harmonik të dialogut dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm e të dobishëm.

 

Këtë ka pohuar me qartësi Ati i Shenjtë Benedikti XVI në takimin me përfaqësuesit e disa bashkësive muslimane në Këln më 20 gusht 2005. “Dialogu fetar dhe ndërkulturor – ka thënë ai – mes të krishterëve dhe muslimanëve nuk mund të kthehet në një zgjedhje sezonale. Ai është një nevojë jetësore, prej së cilës varet në një pjesë të madhe e ardhmja jonë”.

 

A. “Dialogu për paqen, një sfidë për kohën tonë” është tema e Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes së vitit 1983.

 

Në të Papa i nderuar Gjon Pali II shprehej thellësisht i bindur se dialogu – dialogu i vërtetë – është kusht thelbësor për paqen dhe vinte në dukje: “Po, ky dialog është i nevojshëm; nuk është vetëm i leverdisshëm; është i vështirë, por është i mundur, pavarësisht prej pengesave që realizmi duhet të na bëjë t’i kemi parasysh. Pra, ai përbën një sfidë të vërtetë, që unë ju ftoj ta pranoni” (Mësimet Gj.P.II, 1982/III, fq. 1542). Dhe shtonte se një dialog i vërtetë “supozon kërkimin e asaj që është e vërtetë, e mirë dhe e drejtë për çdo njeri, për çdo grup dhe çdo shoqëri” (Vep. cit., fq. 1545).

            Dialogu mban në vetvete respektin. Dhe respekti është më shumë se toleranca. Toleranca është një virtyt pasiv që njeh vetëm një bashkëbisedues me opinionet e veta. Respekti është një virtyt aktiv... tolerancë konstruktive...

Prandaj dialogu kërkon:

1-     një hapje dhe pranim real,

2-     respektin

3-     mirëkuptimin e ndryshimit dhe specificitetit të tjetrit,

4-     pranimin e tjetrit dhe të ndryshimit.

 

Dialogu, në të njëjtën kohë, është kërkim i asaj që është, dhe mbetet e përbashkët për njerëzit, edhe në mes të tensioneve, kundërshtive dhe konflikteve. Pra, dialogu i vërtetë është kërkim i të mirës me mjete paqësore; është një njohje e dinjitetit të pacenueshëm të njerëzve dhe mbështetet në respektimin e jetës njerëzore.

 

B. “Dialogu mes kulturave për një qytetërim të dashurisë e të paqes” është tema e Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes të vitit 2001.

 

Që kuptimi i përkatësisë kulturore të mos shndërrohet në mbyllje, një ilaç efikas është njohja e kthjellët, jo e kushtëzuar prej paragjykimeve negative, të kulturave të tjera (krh. nr. 7) (Mësimet Gj.P.II, 2000/II, fq. 1066-1067).

 

Kulturat e ndryshme e interpretojnë ndryshe realitetin. Sigurisht, ato vetë lidhen së bashku, në thellësi, në përvojën themelore të gjendjes njerëzore, rreth pyetjeve mbi lindjen e mbi vdekjen, mbi punën, sëmundjen, padrejtësinë shoqërore, mbikëqyrjen e planetit tonë.

 

Në këtë çelës, dialogu mes kulturave shfaqet si një kërkesë karakteristike e vetë natyrës së njeriut dhe e kulturës; ai na bën ta njohim pasurinë e ndryshueshmërisë duke i përgatitur shpirtrat për pranimin e ndërsjellë, në perspektivën e një bashkëpunimi të përnjëmendtë, që i përgjigjet thirrjes zanafillore për bashkim të krejt familjes njerëzore. Si i tillë, dialogu është mjet i shkëlqyeshëm për të realizuar qytetërimin e dashurisë e të paqes që Papa Pali VI tregonte si idealin prej të cilit duhej të frymëzohej jeta kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike e kohës sonë.

  

C. Besimtarët të bashkuar në ndërtimin e paqes.

 

Në Librat e Shenjtë të besimeve të ndryshme, referimi tek paqja zë një vend të rëndësishëm në kuadrin e jetës së njeriut dhe të vetë marrëdhënieve të tij me Hyjin. Në lidhje me këtë Papa Wojtyla vë në dukje: “një jetë fetare, nëse jetohet në mënyrë të përnjëmendtë, nuk mund të mos prodhojë fryte paqeje e vëllazërimi” (vep. cit. nr. 2, fq. 1333). Atëherë kuptohet lehtë rëndësia e lutjes për paqen.

 

Por të sjellim ndër mend për një çast Asizin, atë 27 tetor 1986, kur Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II vuri theksin mbi vlerën e lutjes në ndërtimin e paqes, sepse “në rend të parë paqja duhet ndërtuar në zemra. Zemra e njeriut është vendi i ndërhyrjeve të Hyjit”.

Në një klimë interesi të madh u kërkoi të gjithëve një lutje të njëmendtë, të shoqëruar prej agjërimit dhe të shprehur në shtegtimin, simbolin e ecjes drejt takimit me Hyjin, duke shpjeguar se “lutja kërkon nga ana jonë kthimin e zemrës” (Mësimet Gj.P.II, 1986/II, fq. 1253).

 

 D. Nxitja dhe Respektimi i të Drejtave Njerëzore

 

Paqja faktikisht lind dhe përforcohet pikërisht kur të drejtat njerëzore zbatohen e respektohen tërësisht. Nxitja e dinjitetit të personit përbën parimin-udhërrëfyes prej të cilit frymëzohemi, kur kërkimi i të mirës së përbashkët përfaqëson angazhimin mbizotërues.

 

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut” ka si premisë bazë pohimin sipas së cilit njohja e dinjitetit natyror të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, sikurse edhe e barazisë dhe e pacenueshmërisë së të drejtave të tyre, është themeli i lirisë, i drejtësisë dhe i paqes në botë. Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti, që ka për temë “Personi njerëzor, zemra e paqes”, ka theksuar se mbrojtja e universalitetit dhe e pandashmërisë së të drejtave njerëzore është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie paqësore dhe për zhvillimin e tërësishëm të individëve, popujve e kombeve. Mes këtyre të drejtave do të doja t’u referohesha dy prej tyre: bëhet fjalë për të drejtën për jetë dhe për të drejtën për liri fetare.

 

Pranë të drejtës për jetë, Kisha ka po ashtu për zemër atë të lirisë fetare. Në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të vitit 1999 Gjon Pali II shkruan se “Liria fetare, përbën vetë zemrën e të drejtave njerëzore. Ajo është aq e pacenueshme sa kërkon që personit t’i njihet madje edhe liria të ndryshojë besim, nëse ndërgjegjja e tij e kërkon këtë.

 

Në të vërtetë, cilido e ka për detyrë të ndjekë ndërgjegjen e vet në çdo rrethanë dhe nuk mund të detyrohet të veprojë në kundërshtim me të. Pikërisht për këtë, askush nuk mund të jetë i detyruar të pranojë me forcë një besim të caktuar, cilatdo qofshin rrethanat apo motivimet” (Mësimet Gj.P.II, 1998/II, fq. 1218).

 

 

Përfundim

 

Në bazën e bashkëjetesës dhe të çdo dialogu mes personave duhet të jenë dëgjimi dhe njohja e ndërsjellë.

 

Le të jetë e mundur që edhe kjo konferencë të ndihmojë në njohjen dhe vlerësimin e ndërsjellë mes të gjithë pjesëmarrësve. Sidomos, le të na ndihmojë të bëhemi endësit e palodhur të paqes në një botë ku Hyji të mos shihet si i huaj, apo edhe më keq, si armik i lumturisë së njeriut, por si mik i vërtetë i njerëzimit që e mbledh nën mbrojtjen e vet. Nën përqafimin atëror të Hyjit familja e njerëzve nuk mund të mos rritet më e lirë, më e begatë dhe më e lumtur.

 

Po përfundoj duke i falënderuar të gjithë për vëmendjen dhe duke cituar shembullin e të Lumes Nënë Tereza e Kalkutës që i ka jetuar marrëdhëniet ndërfetare me fakte, duke i shërbyer njeriut dhe çdo njeriu pa dallim: sepse çdo njeri është shëmbëlltyrë e Hyjit.

Nënë Tereza ka thënë: “Unë do të isha e kënaqur nëse një budist është budist i mirë, një hindu është hindu i mirë, një i krishterë është i krishterë i mirë, një musliman është musliman i mirë”.

            E mira na bashkoftë gjithmonë; mund të kemi marrëdhënie më të mira dhe kur takohemi rrugës ta shikojmë njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si vëllezër edhe pse me fe të ndryshme.

            Zoti na bekoftë të gjithë.

 

Shkodër, më 20 tetor 2007

 

Imzot Angelo Massafra, OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit

 

 

 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster