|
|
Zona
arkeologjike e Kishës së Agia Kiriaki Chrysopolitissa – Paphos
E
premte, 4 qershor 2010
Shumë të dashur Vëllezër e Motra
në Krishtin,
“Η χάρις και
η ειρήνη ας είναι πλούσια μαζί σας” (1 Pjt 1,2). Mε μεγάλη μου χαρά
χαιρετώ εσάς που αντιπροσωπεύετε τις διάφορες χριστιανικές κοινότητες
παροόσες στην Κύπρο. [“Paçi hir dhe paqe me begati” (1 Pjt 1,2). Me
gëzim të madh ju përshëndes ju që përfaqësoni bashkësitë e krishtera të
pranishme në Qipro].
Falënderoj
Lumturinë e Tij Krizostomi II për fjalët e sjellshme të mirëseardhjes,
Hirësinë e Tij Xhorxhin, Metropolit i Pafosit, që na mikpret, dhe ata që
janë angazhuar për ta bërë të mundur këtë takim. Veç kësaj, dëshiroj të
përshëndes përzemërsisht të krishterët e konfesioneve të tjera këtu të
pranishëm, përfshirë edhe ata që u përkasin bashkësive armene, luterane
dhe anglikane.
Në të
vërtetë, është një hir i jashtëzakonshëm për ne të jemi të bashkuar në
lutje në këtë kishë të Agia Kiriaki Chrysopolitissa [kisha e Zojës së
Shenjtë të Mbuluar me Ar]. Sapo dëgjuam leximin e Veprave të Apostujve,
që na kujtoi se si Qiproja qe etapa e parë e udhëtimeve misionare të
Palit Apostull (krh. Vap 13,1-4). Të ruajtur për vete prej Shpirtit
Shenjt, Pali, së bashku me Barnabën, me prejardhje nga Qiproja, si dhe
me Markun, ungjilltarin e ardhshëm, fillimisht arritën në Salaminë, ku
filluan të shpallnin fjalën e Hyjit në sinagoga. Duke përshkuar
ishullin, arritën në Pafos, ku, pikërisht pranë këtij liqeni, predikuan
në prani të prokonsullit romak Serxh Palit. Pastaj nga ky vend mesazhi i
Ungjillit filloi të përhapej në të gjithë perandorinë dhe Kisha, e
bazuar në predikimin apostolik, qe e aftë të hidhte rrënjë në të gjithë
botën që njihej në atë kohë.
Kisha në
Qipro me të drejtë mund të jetë krenare për lidhjen e vet të
drejtpërdrejtë me predikimin e Palit, Barnabës e Markut dhe për
bashkësinë e fesë apostolike, që e lidh me të gjitha ato Kisha që ruajnë
të njëjtën rregull të fesë. Kjo është bashkësia, reale, megjithëse e
papërsosur, që tashmë na bashkon, dhe që na nxit t’i kapërcejmë ndarjet
tona dhe të luftojmë për ta rifituar atë bashkim të plotë e të dukshëm,
që dëshirohet prej Zotit për të gjithë ndjekësit e tij. Pasi, në fjalët
e Palit, ka “veç një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse
edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka
veçse një Zot, një fe, një pagëzim” (Ef 4,4-5).
Bashkësia
kishtare në fenë apostolike është qoftë dhuratë, qoftë thirrje në
mision. Në pjesën e Veprave të Apostujve që dëgjuam, shohim një
shëmbëlltyrë të njësisë së Kishës në lutje, në hapjen ndaj shtytjeve të
Shpirtit Shenjt për mision. Sikurse Pali dhe Barnaba, çdo i krishterë,
nëpërmjet pagëzimit, është “i rezervuar” që t’i bëjë dëshmi profetike
Zotit të ngjallur dhe ungjillin e tij të pajtimit, të mëshirës dhe të
paqes. Në këtë kontekst, Asambleja e Posaçme për Lindjen e Mesme e
Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mblidhet në Romë tetorin e ardhshëm, do
të reflektojë mbi rolin jetësor të të krishterëve në këtë krahinë, do
t’i nxisë në dëshminë e tyre të Ungjillit dhe do t’i nxihmojë që të
nxisin një dialog më të madh dhe bashkëpunimin mes të krishterëve në të
gjithë krahinën. Në mënyrë domethënëse, punimet e Sinodit do të
pasurohen prej pranisë së delegatëve vëllazëror të Kishave dhe
Bashkësive të tjera të krishtera të zonës, si shenjë e angazhimit të
përbashkët në shërbim të fjalës së Hyjit dhe të hapjes sonë ndaj fuqisë
së Hirit të tij që pajton.
Njësia e të
gjithë të nxënësve të Krishtit është një dhuratë që duhet kërkuar prej
Atit, me shpresën që ai ta forcojë dëshminë e Ungjillit në botën e
sotme. Zoti është lutur për shenjtërinë dhe njësinë e nxënësve të tij
pikërisht që bota të besojë (krh. Gjn 17,21). Pikërisht njëqind vjet më
parë, në Konferencën Misionare të Edimburgut, vetëdija e mprehtë se
ndarjet mes të krishterëve ishin një pengesë për përhapjen e Ungjillit i
dha fillesë lëvizjes ekumenike moderne. Sot duhet t’i jemi mirënjohës
Zotit, i cili, nëpërmjet Shpirtit të tij, na ka bërë – sidomos në
dhjetëvjeçarët e fundit – që të rizbulojmë trashëgiminë e pasur
apostolike të bashkënarë prej Lindjes dhe Perëndimit, dhe, nëpërmjet një
dialogu të durueshëm e të sinqertë, që të gjejmë rrugët për t’u afruar
me njëri-tjetrin, duke i kapërcyer mosmarrëveshjet e të kaluarës dhe
duke vështruar drejt një të ardhmeje më të mirë.
Kisha në
Qipro, që tregon se është si një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, ka
ndihmuar shumë në këtë proces pajtimi. Rruga që çon në objektivin e
bashkimit të plotë me siguri nuk do të jetë pa vështirësi, por Kisha
Katolike dhe Kisha Ortodokse në Qipro janë të angazhuara për të
përparuar në ecjen e dialogut dhe të bashkëpunimit vëllazëror. Shpirti
Shenjt i ndriçoftë mendjet tona dhe e forcoftë vendosmërinë tonë, kështu
që së bashku të mund t’ua çojmë mesazhin e shëlbimit burrave dhe grave
të kohës sonë, të cilët janë të etur për atë të vërtetë që sjell liri të
përnjëmendtë dhe shëlbim (krh. Gjn 8,32), të vërtetën, emri i të cilës
është Jezu Krisht!
Të dashur
motra e vëllezër, nuk mund të përfundoj pa kujtuar Shenjtërit që e kanë
zbukuruar Kishën në Qipro, në veçanti shën Epifanin, ipeshkvin e
Salaminës. Shenjtëria është shenjë e plotësisë së jetës së krishterë, e
një dëgjese të thellë të brendshme ndaj Shpirtit Shenjt që na thërret në
një kthim dhe në një përtëritje të vazhdueshme, ndërsa përpiqemi të jemi
gjithnjë e më të ngjashëm me Krishtin, Shëlbuesin tonë. Kthimi dhe
shenjtëria janë edhe mjetet e privilegjuara nëpërmjet të cilëve ia hapim
mendjet dhe zemrat vullnetit të Zotit për njësinë e Kishës së tij.
Ndërsa falënderojmë për takimin e sotëm dhe për dashurinë vëllazërore që
na bashkon, le t’u kërkojmë shenjtërve Barbara dhe Epifan, shenjtërve
Pjetër e Pal, dhe të gjithë Shenjtërve të Hyjit, që t’i bekojnë
bashkësitë tona, të na ruajnë në fenë e Apostujve, dhe t’i udhëheqin
hapat tanë në rrugën e njësisë, të dashurisë dhe të paqes.
titujt kryesorë
|
|