ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Kremtimi i mbremesores me Ipeshkvij, Prifterinj, Rregulltare

PREDIKIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

  

Kremtimi i Mbremesores me Ipeshkvij, Prifterinj, Rregulltare dhe Rregulltare, Levizje Kishtare dhe

Operatore Baritore te Galilese

 

Bazilika e Sipërme e Lajmërimit — Nazaret

E enjte, 14 maj 2009

 

 

 

Vëllezër Ipeshkvij,

Atë Gardian,

të dashur vëllezër dhe motra në Krisahtin!

    Është për mua burim i thellë emocioni të jem i pranishëm me ju sot pikërisht në vendin ku Fjala e Hyjit u bë mish dhe ka ardhur të banojë ndër ne. Është e rastit të gjendemi këtu të bashkuar për të kënduar Lutjen e Mbrëmjesores, duke i dhënë lavdi dhe hire Hyjit për mrekullitë që ai ka bërë për ne! Falënderoj Arqipeshkvin Sayah për fjalët e mirëseardhjes, dhe, nëpërmjet tij, përshëndes të gjithë pjestarët e bashkësisë Maronite këtu në Tokën e Shenjtë. Përshëndes priftërinjtë, rregulltarët, anëtarët e lëvizjeve kishtare dhe operatorët baritorë të ardhur nga mbarë Galilea. Edhe një herë i bëj nderimet e mia kujdesit të treguar nga Fretërit e Ruajtjes, gjatë shumë shekujve, që janë kujdesur për vendet e shenjta si ky. Përshëndes Patriarkun Latin emerit, Hirësinë e Tij Michel Sabbah, që për më shumë se dhjetë vjet ka udhëhequr grigjën e tij në këto toka. Përshëndes besimtarët e Patriarkut Latin dhe Patriarkun e tyre aktual, Hirësinë e Tij Fouad Twal, ashtu si edhe anëtarët e bashkësisë Greko-Melkite, e përfaqësuar këtu nga Arqipeshkvi Elias Chacour. Në këtë vend ku vetë Jezusi u rrit deri në pjekuri dhe mësoi gjuhën hebraike, përshëndes të krishterët që flasin hebraisht, që janë për ne një thirrje në rrënjët hebraike të besimit tonë.

 Ajo që ndodhi këtu në Nazaret, larg syve të botës, ka qenë një veprim madhor i Hyjit, një ndërhyrje e fuqishme në histori nëpërmjet të cilës një fëmijë u ngjiz për t’i sjellur shpëtimin krejt botës. Mrekullia e Mishërimit vazhdon të na sfidojë për t’ia hapur inteligjencën tonë mundësive të pafund të fuqisë shndërruese të Hyjit, të dashurisë së tij për ne, të dëshirës së tij për të qenë në bashkim me ne. Këtu Biri i përjetshëm i Hyjit u bë njëri, dhe e bëri të mundur për ne, vëllezërit dhe motrat e tij, të bashkëndante birësimin e tij hyjnor. Ai veprim i uljes së një dashurie që është zbrazur nga vetja ka bërë të mundur lëvizjen e kundërt të përforcimit në të cilin edhe ne jemi të lartësuar të bashkëndajmë vetë jetën e Hyjit (krh. Fil 2,6-11).

 Shpirti që “zbriti mbi Marinë” (krh. Lk 1,35) është i njëjti Shpirt që lëvizi mbi ujërat në agim të Krijimit (krh. Gjn 1,2). Kjo na kujton që Mishërimi ka qenë një veprim tjetër krijues. Kur Zoti ynë Jezu Krishti u ngjiz nga vepra e Shpirtit Shenjt në kraharorin e Virgjërës Mari, Hyji u bashkua me krijimin e njerëzimit tonë, duke hyrë në një marrëdhënie të re të qëndrueshme me ne dhe duke inauguruar një Krijim të ri. Tregimi i Lajmërimit ilustron mirësinë e jashtëzakonshme të Hyjit (krh. Nënë Julian nga Norëich, Zbulesa 77-79). Ai nuk e imponon veten e tij, nuk e përcakton thjeshtë pjesën që Maria do të ketë në planin e tij për shpëtimin tonë, ai kërkon para se të gjithash pëlqimin e vet. Në Krijimin fillestar natyrisht nuk ishte çështja që Hyji të kërkonte lejen nga krijesat e tij, por në këtë Krijim të ri ai e kërkoi. Maria qëndron në vend të gjithë njerëzimit. Ajo flet për të gjithë ne kur i përgjigjet ftesës së engjëllit. Shën Bernardi përshkruan se si e gjithë ushtria qiellore ishte duke pritur me padurim fjalën e saj të pranimit falë të cilës të përbushej bashkimi martesor mes Hyjit dhe njerëzimit. Vëmendja e të gjithë korit të engjëjve ishte përqëndruar në këtë moment, ku u zhvillua një dialog që do t’i jepte nismën një kapitulli të ri dhe përfundimtar të historisë së botës. Maria tha: “U bëftë në mua si është fjala jote”. Dhe Fjala e Hyjit u bë mish.

 Të reflektuarit mbi këtë mister të gëzueshëm na jep shpresë, shpresën e sigurt që Hyji do të vazhdojë ta udhëheqë historinë tonë, të veprojë me fuqi krijuese për të realizuar objektivat që sipas llogaritjes njerëzore duken të pamundura. Kjo na sfidon t’i hapemi ndaj veprimit transformues të Shpirtit Krijues që na bën të rinj, na bën një gjë të vetme me Atë dhe na mbush me jetën e tij. Na fton, me mirësjellje të hollë, të pranojmë që ai të jetojë në ne, të pranojmë Fjalën e Hyjit në zemrat tona, duke na bërë të aftë t’i përgjigjemi Atij me dashuri dhe të shkojmë me dashuri njëri kundrejt tjetrit.

 Në shtetin e Izraelit dhe në Territoret Palestineze të krishterët formojnë një pakicë të popullsisë. Ndoshta nganjëherë ju duket se zëri juaj nuk dëgjohet shumë. Shumë nga miqtë tuaj të krishterë kanë emigruar, me shpresën për të gjetur diku tjetër siguri më të madhe dhe perspektiva më të mira. Situata juaj na kujton atë të Virgjërës Mari, që bëri një jetë të fshehur në Nazaret, me krejt pak për të përditshmen e saj sa për pasuri dhe ndikim mondan. Për të cituar fjalët e Marisë në himnin e saj të lavdisë, Magnificat-in, Hyji ka parë shërbëtoren e saj në përvujtërinë e saj, e ka mbushur me të mira të uriturin. Të marrim forcë nga kënga e Marisë, që do të këndojmë pas pak në bashkim me mabrë Kishën në të gjithë botën! Kini guximin të jeni besimtarë në Krishtin dhe të qëndroni këtu në tokën që Ai ka bekuar me vetë praninë e tij! Si Maria, ju keni një rol për të luajtur në planin hyjnor të shpëtimit, duke sjellë Krishtin në botë, duke i bërë Atij dëshmi dhe duke përhapur mesazhin e tij të paqes dhe të bashkimit. Për këtë është themelore që të jeni të bashkuar mes jush, kështu që Kisha në Tokën e Shenjtë të jetë qartësisht e njohur si “një shenjë dhe një vegël e bashkimit me Hyjin, dhe të bashkimit të çdo race njerëzore” (Lumen gentium, 1). Bashkimi juaj në besim, në shpresë dhe në dashuri është një fryt i Shpirtit Shenjt që banon në ju dhe ju bën të aftë të jeni vegla efektive të paqes së Hyjit, duke ju ndihmuar të ndërtoni një pajtim të vërtetë mes popujve të ndryshëm që njohin Abrahamin si atin e tyre në fe. Sepse, ashtu si Maria ka shpallur me gëzim në Magnificat-in e saj, Hyji është gjithmonë i ndërgjegjshëm “për mëshirën-si ua pati premtuar etërve tanë-më të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim” (Lk 1,54-55).

 Të dashur Miq në Krishtin, të jeni të sigurt që unë vazhdimisht ju kujtoj në lutjen time, dhe ju kërkoj të bëni të njëjtën gjë për mua. Të drejtohemi tani nga Ati qiellor, që në këtë vend ka parë përvujtësinë e shërbëtores së tij, dhe të këndojmë lavditë e tij në bashkim me të Lumen Virgjërën Mari, me të gjithë koret e engjëjve dhe të shenjtërve dhe me të gjithë Kishën në çdo kënd të botës.

           

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster