ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Kremtimi i mbremesores me meshtaret, rregulltaret,

seminaristet dhe Levizjet  Kishtare

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI

 

 

Katedralja Greko-Melkite e Shën Gjergjit - Aman

E shtunë, 9 maj 2009

 

 

Të dashur Vëllezër e Motra,

     është një gëzim i madh për mua ta kremtoj Mbrëmësoren me ju sonte në Katedralen Greko-Melkite të Shën Gjergjit. Përshëndes përzemërsisht Hirësinë e Tij Gregorios III Laham, Patriarkun Greko-Melkit që ka ardhur nga Damasku, Arqipeshkvin Emerit Georges El-Murr dhe Shkëlqesinë e Tij Yaser Ayyach, Aqipeshkëv i Petrës dhe i Filadelfias, që falënderoj për fjalët e tij të ngrohta të mirëseardhjes të cilave u përgjigjem me ndjenja respekti. Përshëndes edhe kryetarët e Kishave të tjera Katolike të pranishme në Maronitën Lindore, Siri, Armeni, Kalde dhe Latinë. Të gjithëve ju, ashtu si edhe Meshtarëve, Rregulltarëve dhe Rregulltareve, Seminaristëve dhe besimtarëve laikë të pranishëm këtu sonte, ju shpreh falënderimin tim të sinqertë që më dhatë mundësinë të lutem me ju dhe të shijoj diçka nga pasuria e traditave tona liturgjike.

 Vetë Kisha është një popull shtegtar; si i tillë, gjatë shekujve, është shënuar nga ngjarje historike vendimtare dhe nga ndeshtrasha të shumta kulturore. Për fat të keq disa prej tyre kanë përfshirë periudha debati teologjik ose shtypjeje. Megjithatë ka pasur momente pajtimi, që kanë forcuar mrekullisht bashkësinë e Kishës, dhe kohë të një rimëkëmbjeje të pasur kulturore në të cilat Krishterët Lindorë kanë kontribuar gjerësisht. Kishat e veçanta brenda Kishës universale dëshmojnë dinamizmin e ecjes së tyre tokësore dhe u paraqesin të gjithë besimtarëve thesarin e traditës shpirtërore, liturgjike dhe kishtare që tregojnë mirësinë universale të Hyjit dhe vullnesën e tij, të shfaqur përgjatë gjithë historisë, për t’i tërhequr të gjithë brenda jetës së Vet hyjnore.

 Thesari i lashtë dhe i gjallë i traditave të Kishave Lindore e pasuron Kishën universale dhe kurrë nuk duhet të kuptohet vetëm si objekt që duhet të ruhet në mënyrë pasive. Të gjithë të Krishterët janë të thirrur t’i përgjigjen aktivisht mandatit të Hyjit, ashtu si Shën Gjergji e ka bërë në mënyrë dramatike sipas tregimeve popullore, me qëllim që të tjerët ta njohin dhe ta duan Atë. Në të vërtetë ndeshtrashet e historisë i kanë bindur pjesëtarët e Kishave të veçanta ta përqafojnë këtë detyrë me energji dhe të angazhohen vendosshmërisht në realitetet baritore të sotme. Shumica prej jush keni lidhje të vjetra me Patriarkatin e Antiokisë, dhe në këtë mënyrë bashkësitë tuaja janë të rrënjosura mirë këtu në Lindjen e Afërt. Është tamam si dy mijë vjet më parë kur në Antioki nxënësit u thirrën për herë të parë të Krishterë, kështu edhe sot, si pakica të vogla në bashkësi të shpërndara në këto toka, edhe ju jeni të njohur si ndjekës së Zotit. Shfaqja publike e besimit tuaj të krishterë nuk kufizohet vetëm në zellin shpirtëror që keni për njëri-tjetrin dhe për njerëzit tuaj, sado thelbësore të ejtë ajo. Por nismat tuaja të shumta të dashurisë universale u shtrihen të gjithë jordanezëve, myslimanë dhe të religjioneve të tjera, dhe numrit të madhe të refugjatëve që kjo mbretëri pret aq bujarisht.

 Të dashur vëllezër e motra, Psalmi i parë (Ps 103) me të cilin jemi lutur sonte na shfaq imazhe të lavdishme të Hyjit, Krijues bujar, i pranishëm aktivisht në krijimin e Vet, që mbështet jetën me mirësi të madhe dhe urti të mençur, gjithmonë gati ta përtërijë fytyrën e dheut. Pjesa e letrës, që sapo dëgjuam, na paraqet një tablo të ndryshme. Na paralajmëron, jo në mënyrë kërcënuese, por reale, për nevojën për të qenë të syçelët, për të qenë të vetëdijshëm për forcat e të keqes që janë në veprim për të krijuar errësirë në botën tonë (krh. Ef 6,10-20). Disa mund të jenë të tunduar të mendojnë se ka një kontradiktë; por duke reflektuar mbi përvojën tonë të zakonshme njerëzore njohim luftën shpirtërore, ndiejmë nevojën e përditshme për të hyrë në dritën e Krishtit, për të zgjedhur jetën, për të kërkuar të vërtetën. Në fakt, ky ritëm, t’i shmangemi të keqes dhe të rrethohemi me forcën e Hyjit, është ajo që kremtojmë në çdo Pagëzim, hyrja në jetën e krishterë, hapi i parë gjatë rrugës së nxënësve të Zotit. Duke kujtuar pagëzimin që Krishti ka marrë nga Gjoni në ujërat e Jordanit, bashkësia lutet që ai i cili është duke marrë pagëzimin të lirohet nga mbretëria e errësirës dhe të çohet në shkëlqimin e mbretërisë së dritës së Hyjit, e kështu të marrë dhuratën e jetës së re. 

Kjo lëvizje dinamike nga vdekja drejt jetës së re, nga errësira drejt dritës, nga dëshpërimi drejt shpresës, që provojmë në mënyrë kaq dramatike gjatë Treditëshit dhe që kremtohet me gëzim të madh gjatë periudhës së Pashkës, na siguron se vetë Kisha mbetet e re. Ajo jeton sepse Krishti është gjallë, është ngjallur me të vërtetë. E gjallëruar nga prania e Shpirtit, ajo përparon çdo ditë duke udhëhequr burra e gra drejt Hyjit të gjallë. Të dashur Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, të dashur laikë, rolet tona përkatëse të shërbimit dhe të misionit brenda Kishës janë përgjigjja e palodhur e një populli shtegtar. Liturgjitë tuaja, disiplina kishtare dhe pasuria shpirtërore janë një dëshmi e gjallë e traditës suaj që shpaloset. Ju amplifikoni jehonën e shpalljes së parë të Ungjillit, rigjallëroni kujtimet e lashta të veprave të Hyjit, i bëni të pranishme hiret e Tij të shpëtimit dhe përhapni përsëri rrezen e parë të dritës së Pashkës dhe vezullimin e flakëve të Rrëshajës.

 Në këtë mënyrë, duke imituar Krishtin, patriarkët dhe profetët e Besëlidhjes së Vjetër, ne nisemi për ta udhëhequr popullin nga shkretëtira drejt vendit të jetës, drejt Hyjit që na jep jetë me bollëk. Kjo i karakterizon të gjitha veprat tuaja apostolike, llojshmëria dhe cilësia e të cilave vlerësohen shumë. Nga çerdhet deri tek arsimi i lartë, nga jetimoret deri tek shtëpitë e të moshuarve, nga puna me refugjatët deri tek akademia e muzikës, klinikat mjekësore dhe spitalet, dialogu ndër-religjioz dhe nismat kulturore, prania juaj në këtë shoqëri është një shenjë e mrekullueshme e shpresës që na cilëson si të krishterë.

 Një shpresë e tillë shkon përtej kufijve të bashkësisë sonë të krishterë. Kështu shpesh ju zbuloni se familjet e religjioneve të tjera, për të cilat ju punoni dhe ofroni shërbimin tuaj të dashurisë universale, kanë shqetësime dhe vështirësi që i tejkalojnë kufijtë kulturorë dhe religjiozë. Një gjë e tillë ndihet sidomos tek shpresat dhe aspiratat që prindërit kanë për fëmijët e tyre. Cili prind apo person vullnetmirë nuk do të ndihej i shqetësuar përpara ndikimeve negative kaq të përhapura në botën tonë të globalizuar, përfshirë elementet shkatërrues të industrisë të argëtimit, që me shumë pandjeshmëri shfrytëzojnë pafajësinë dhe brishtësinë e personave të pambrojtur dhe të të rinjve? Megjithatë, me sytë tuaj të fiksuar mbi Krishtin, drita që zhduk çdo të keqe, rikthen pafajësinë e humbur, dhe poshtëron krenarinë tokësore, do t’u çoni një vizion të mrekullueshëm shprese të gjithë atyre që takoni dhe shërbeni.

 Dëshiroj ta mbyll me një fjalë inkurajimi për të pranishmit që janë në formim për meshtari dhe për jetën rregulltare. Të udhëhequr nga drita e Zotit të Ngjallur, të ndezur nga shpresa e Tij dhe të veshur me të vërtetën dhe dashurinë e Tij, dëshmia juaj do t’u sjellë bekime të bollshme atyre që do të takoni gjatë rrugës. Në fakt, e njëjta gjë vlen për të gjithë të rinjtë e krishterë jordanezë: mos kini frikë të jepni kontributin tuaj të mençur, të matur dhe të respektuar në jetën publike të mbretërisë. Zëri autentik i besimit do të sjellë gjithmonë integritet, drejtësi, dhembshuri dhe paqe!

 Të dashur miq, me ndjenja të thella respekti për të gjithë ju të bashkuar me mua sonte në lutje, ju falënderoj përsëri për lutjet tuaja për misionin tim si Pasardhës i Pjetrit dhe do të lutem për ju dhe të gjithë ata që u janë besuar përkujdesit tuaj baritor çdo ditë.

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster