ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

KREMTIMI I MBRËMËSORES ME MESHTARËT, RREGULLTARËT, RREGULLTARET,

SEMINARISTËT DHE LËVIZJET LAIKALE

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

Katedralja e Shenjtërve Vito, Vençeslau dhe Adalbert – Pragë

E shtunë, 26 shtator 2009

 

Të dashur vëllezër e motra! 

Ju drejtoj të gjithëve ju përshëndetjen e shën Palit të cilën e dëgjuam në leximin e shkurtër: Qoftë me ju hiri dhe paqja e Hyjit, Atit tonë! Ia drejtoj në radhë të parë Kardinalit Arqipeshkëv, të cilin e falënderoj për fjalët e tij të përzemërta. Përshëndetjen time e shtrij edhe te Kardinalët dhe Ipeshkvinjtë e tjerë të pranishëm, te meshtarët dhe diakonët, te seminaristët, te rregulltarët e rregulltaret, te katekistët dhe te vepruesit baritorë, te të rinjtë dhe familjet, te shoqatat dhe lëvizjet kishtare.

 Gjendemi të bashkuar sonte në këtë vend të dashur për ju, që është shenjë e dukshme e asaj se sa i fuqishëm është hiri hyjnor që vepron në zemrën e besimtarëve. Bukuria e këtij tempulli mijëvjeçar në të vërtetë është dëshmi e gjallë e historisë së pasur të fesë dhe të traditës së krishterë të popullit tuaj; një histori e ndriçuar, në veçanti, prej besnikërisë së atyre që e kanë vulosur bashkimin e tyre me Krishtin dhe me Kishën me anë të martirizimit. Mendoj për figurat e shenjtërve Vençeslau, Adalbert dhe Gjon Nepomuceni, gurë këndi të ecjes së Kishës suaj, të cilëve u shtohen shembujt e të riut shën Vito, i cili parapëlqeu martirizimin për të mos tradhtuar Krishtin, të shën Prokopit e të shenjtes Ludmilla. Mendoj për ngjarjet e dy Arqipeshkvinjve të kësaj Kishe lokale, në shekullin e kaluar, Kardinalët Josef Beran dhe František Tomášek, dhe të shenjtërve Ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë, që i kanë bërë ballë me vendosmëri heroike përndjekjes komuniste, duke arritur deri në flijimin e jetës. Prej ku e kanë marrë forcën këta miq të guximshëm të Krishtit nëse jo prej Ungjillit? Po! Ata janë mahnitur prej Jezusit i cili ka thënë: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje” (Mt 16,24). Në orën e vështirësisë kanë dëgjuar të jehojë në zemrën e tyre kjo fjalë e tij: “Nëse mua më salvuan edhe ju do t’ju salvojnë” (Gjn 15,20).

 Heroizmi i dëshmitarëve të fesë na kujton se vetëm prej njohjes personale dhe prej lidhjes së thellë me Krishtin është e mundur të marrim energjinë shpirtërore për ta realizuar plotësisht thirrjen e krishterë. Vetëm dashuria e Krishtit e bën veprimin apostolik efikas, sidomos në momentet e vështirësisë dhe të provës. Dashuria ndaj Krishtit dhe ndaj vëllezërve duhet të jetë karakteristika e çdo të pagëzuari dhe e çdo bashkësie. në Veprat e Apostujve lexojmë se “në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë” (Vap 4,32). Dhe Tertuliani, një autor i shekujve të parë, shkruante se paganëve u bënte përshtypje dashuria që i lidhte të krishterët mes tyre (krh. Apologeticum XXXIX). Të dashur vëlelzër e motra, imitojeni Mësuesin hyjnor që “nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk 10,45). Dashuria shkëlqeftë në çdo famulli e bashkësi tuajën, në shoqatat e lëvizjet e ndryshme. Kisha juaj, sipas shëmbëlltyrës së shën Palit, qoftë një trup i strukturuar mirë që ka Krishtin si Krye, dhe në të cilin çdo gjymtyrë vepron në harmoni me tërësinë. Ushqejeni dashurinë e Krishtit me lutjen dhe me dëgjimin e fjalës së tij; ushqehuni me Të në Eukaristi, dhe jini, me hirin e tij, autorë të bashkimit e të paqes në çdo mjedis.

 Bashkësitë tuaja të krishtera, pas dimrit të gjatë të diktaturës komuniste, 20 vjet më parë kanë filluar përsëri të shprehen lirisht kur populli juaj, me ngjarjet që nisën me manifestimin studentor të 17 nëntorit 1989, rifitoi lirinë e vet. Por ju e ndieni se ende edhe sot nuk është e lehtë ta jetoni e ta dëshmoni Ungjillin. Shoqëria mban ende plagët e shkaktuara prej ideologjisë ateiste dhe shpesh është e joshur prej mendësisë moderne të konsumizmit hedonist, me një krizë të rrezikshme të vlerave njerëzore e fetare si dhe rrjedhën e një relativizmi sundues etik e kulturor. Në këtë kontekst bëhet i ngutshëm një angazhim i përtërirë nga ana e të gjithë përbërësve kishtarë për të përforcuar vlerat shpirtërore e morale në jetën e shoqërisë së sotme. E di se bashkësitë tuaja janë të angazhuara në shumë fronte, veçanërisht në fushën bamirëse me anë të Caritas-it. Veprimtaria juaj baritore le ta përqafojë me zell të veçantë fushën e edukimit të brezave të rinj. Shkollat katolike le të nxisin respektimin e njeriut; t’i kushtohet vëmendje baritores rinore edhe jashtë mjedisit shkollor, pa lënë pas dore kategoritë e tjera të besimtarëve. Krishti është për të gjithë! Uroj me gjithë zemër një mirëkuptim gjithnjë në rritje me institucionet e tjera qoftë publike qoftë private. Kisha –është gjithmonë mirë ta përsërisim – nuk kërkon privilegje, por vetëm që të mund të veprojë lirisht në shërbim të të gjithëve dhe me shpirt ungjillor.

 Të dashur vëllezër e motra, Zoti dhashtë që të jeni si kripa për të cilën flet Ungjilli, ajo që i jep shije jetës, për të qenë punëtorë besnikë në vreshtën e Zotit. Ju takon, në radhë të parë, ju, të dashur Ipeshkvinje e meshtarë, të punoni palodhur për të mirën e atyre që i janë besuar kujdesit tuaj. Frymëzohuni gjithmonë prej shëmbëlltyrës ungjillore të Bariut të Mirë, që i njeh delet e veta, i thërret në emër, u prin në vende të sigurta, dhe është i gatshëm të japë jetën për to (krh. Gjn 10,1-19). Të dashur persona të kushtuar Zotit, me dëshmimin e këshillave ungjillore ju kujtoni parësinë që Hyji duhet të ketë në jetën e çdo qenieje njerëzore, dhe, duke jetuar në vëllazëri, dëshmoni se sa pasurues është praktikimi i urdhrit të dashurisë (krh. Gjn 13,34). Besnikë ndaj kësaj thirrjeje, do t’i ndihmoni burrat e gratë e kohës sonë që ta lënë veten të mahniten prej Hyjit e prej Ungjillit të Birit të tij (krh. Jeta e shuguruar, 104). Dhe ju, të dashur të rinj, që jeni në Seminare apo në Shtëpitë e formimit, kujdesuni që të merrni një përgatitje të fortë kulturore, shpirtërore e baritore. në këtë Vit Meshtarak, që kam shpallur për të përkujtuar 150-vjetorin e vdekjes së Famullitarit të Shenjtë të Arsit, qoftë për ju shembull figura e këtij Bariu të kushtuar plotësisht Hyjit dhe shpirtrave, plotësisht i vetëdijshëm se pikërisht shërbesa e tij, e frymëzuar prej lutjes, ishte ecja e tij e shenjtërisë.

 Të dashur vëllezër e motra, këtë vit, me shpirt mirënjohës ndaj Hyjit, kujtojmë përvjetore të ndryshme: 280-vjetorin e shenjtërimit të shën Gjon Nepomucenit, 80-vjetorin e kushtimit të kësaj Katedraleje të kushtuar shën Vitos dhe 20-vjetorin e shenjtërimit të shenjtes Anjeze të Pragës, ngjarje që ka shpallur çlirimin e vendit tuaj prej shtypjes ateiste. Shumë arsye për ta vazhduar ecjen kishtare me gëzim e entuziazëm, duke pasur besim në ndërmjetësimin amnor të Marisë, Nënës së Hyjit, dhe të të gjithë Shenjtërve Pajtorë tuaj. Amen!

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster