|
|
Çenakulli i Jerusalemit
E martë, 12 maj 2009
Të dashur Vëllezër
Ipeshkvij,
I dashur Atë
Guardian,
ju
përshëndes me gëzim të madh, Rregulltarë të Tokës së Shenjtë, në këtë
Çenakull ku, sipas traditës, Hyji i hapi zemrën e tij apostujve të
zgjedhur nga Ai dhe kremtoi Misterin e Pahkës, dhe ku Shpirti Shenjt
ditën e Rrëshajës frymëzoi apostujt e parë të dilnin dhe të predikonin
Lajmin e Mirë. Falënderoj Atë Pizzaballa për fjalët e ngrohta të
mirëseardhjes që më ka drejtuar në emrin tuaj. Ju përfaqësoni bashkësitë
katolike të Tokës së Shenjtë që, në besimin dhe devotshmërinë tuaj, janë
si qirinj të ndezur që ndriçojnë vendet e shenjta të krishtera, të
nderuar në një kohë nga prania e Jezusit, Hyji ynë i gjallë. Ky
privilegj i veçantë ju jep ju dhe popullit tuaj një vend të veçantë në
ngrohtësinë e zemrës sime si Pasardhës i Pjetrit.
“Jezusi,
duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi deshi
të vetët-ata që ishin në botë-i deshi deri në pikën e fundit” (Gjn
13,1). Çenakulli kujton Darkën e Fundit të Zotit tonë me Pjetrin dhe me
Apostujt e tjerë dhe fton Kishën në lutjen soditëse. Me këtë gjendje
shpirtërore ndodhemi së bashku, Pasardhësi i Pjetrit me Pasardhësit e
Apostujve, në të njëjtin vend ku Jezusi zbulon në trupin dhe gjakun e
tij thellësitë e reja të aleancës për dashuri të vendosur mes Hyjit dhe
popullit të tij. Në Çenakull misteri i hirit dhe i shpëtimit, për të
cilët jemi caktuar edhe lajmëtarë dhe shërbyes, mund të shprehet vetëm
në termat e dashurisë. Pastaj Ai na
ka dashur i pari dhe vazhdon të na dojë, ne mund t’i përgjigjemi me
dashuri (krh. Deus caritas est, 2). Jeta jonë si të krishterë nuk është
vetëm një sforcim njerëzorë për të jetuar kërkesat e Ungjillit të vëna
si detyra. Në Eukaristi ne jemi të tërhequr brenda misterit të dashurisë
hyjnore. Jetët tona bëhen një pranim falas, i gatshëm dhe aktiv i fuqisë
së një dashurie që na dhurohet. Kjo dashuri shndërruese, që është hir
dhe e vërtetë (krh. Gjn 1, 17), na thërret, si individ dhe si bashkësi,
të kalojmë tundimin për t’u tërhequr në vetvete në egoizëm ose në
plogështi, në izolim, në paragjykim ose në frikë, dhe t’i dhurohemi
bujarisht Zotit dhe të tjerëve. Na takon si bashkësi e krishterë të jemi
besnik misionit tonë me ndershmëri dhe guxim (krh. Vap 4,13). Në Bariun
e mirë që dhuron jetën e tij për grigjën e tij, në Mësuesin që i lan
këmbët apostujve të tij, ju, të dashur Vëllezërit e mi, gjeni modelin e
vetë misionit tuaj në shërbim të Hyjit tonë që nxit dashuri dhe
vëllazëri.
Ftesa në bashkimin e mendjes dhe të
zemrës, e lidhur kaq ngushts me urdhërimin e dashurisë dhe me rolin
qëndrorë bashkues të Eukaristisë në jetët tona, është e një rëndësie të
veçantë në Tokën e Shenjtë. Kishat e ndryshme të krishtera që ndodhen
këtu duke përfaqësuar një trashëgimi shpirtërore të pasur dhe të
ndryshëm dhe janë një shenjë i formave të shumta të bashkëveprimit mes
Ungjillit dhe kulturave të ndryshme. Ato na kujtojnë edhe se misioni i
Kishës është të predikojë dashurinë universale të Hyjit dhe të bashkojë
nga larg dhe nga afër të gjithë ato që janë të thirrur nga Ai, në mënyrë
që, me traditat dhe talentet e tyre, të formojnë familjen e vetme të
Hyjit. Një impuls i ri shpirtëror drejt bashkimit në llojshmërinë në
Kishën Katolike dhe një vetëdije e re ekumenike kanë shënuar kohën tonë,
veçanërisht duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit. Shpirti udhëheq
butësisht zemrat tona drejtë bashkimit dhe paqes, drejtë pranimit
reciprok, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Ky urdhër i brendshëm i
bashkimit nën impulsin e Shpirtit Shenjt është vendimtar, me qëllim që
të krishterët të realizojnë misionin e tyre në botë (krh. Gjn 17,21).
Në
masën në të cilën dhurata e dashurisë është e pranuar dhe rritet në
Kishë, prania e krishterë në Tokën e Shenjtë dhe në rajonet fqinje do të
jetë e gjallë. Kjo prani është e një rëndësie jetësore për të mirën e
shoqërisë në tërësinë e saj. Fjalët e qarta të Jezusit në lidhjen intime
mes dashurisë së Hyjit dhe dashurisë për tjetrin, mbi mëshirën dhe
dhemshurinë, mbi mirësinë, paqen dhe faljen janë një farë e aftë t’i
shndërrojë zemrat dhe të nxisë veprimet. Të Krishterët në Lindjen e
Mesme, së bashku me persona të tjerë vullnetmirë, janë duke kontribuar,
si qytetarë të ndershëm dhe besnikë, pavarësisht vështirësive dhe
kufizimeve, nxitjes dhe konsolidimit të një klime paqeje në diversitet.
Më pëlqen t’i përsëris atyre atë që i kam pohuar në Mesazhin e
Krishtlindjes së vitit 2006 katolikëve në Lindjen e Mesme: “Shpreh me
dashuri afrimin tim personal në këtë situatë të pasigurisë njerëzore, të
vuajtjeve të përditshme, të frikës dhe të shpresës që jeni duke jetuar.
I përsëris bashkësisë suaj fjalët e Jezu Krishtit ‘Mos druaj, o grigjë e
vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë’” (Lk 12,32).
(Mesazhi me rastin e Krishtlindjes i
Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti XVI për katolikët që jetojnë në
Rajonin e Lindjes së Mesme, 21 dhjetor 2006).
Të dashur vëllezër Ipeshkvij, mbështetuni
në përkrahjen dhe inkurajimin tim për të bërë të gjithë atë që është në
dorën tuaj për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona të Krishterë të
qëndrojnë dhe të afirmohen këtu në tokën e paraardhësve të tyre dhe të
jenë mesazher dhe nxitës paqeje. Vlerësoj përpjekjet tuaja t’i ofroni
atyre, si qytetarë të pjekur dhe të përgjegjshëm, kujdes shpirtëror,
vlera dhe principe që i ndihmojnë të zhvillojnë rolin e tyre në shoqëri.
Nëpërmjet mësimit, përgatitjes profesionale dhe nismave të tjera
shoqërore dhe ekonomike gjendja e tyre mund të mbështetet dhe të
përmirësohet. Nga ana ime, i përtërij apelin tim vëllezërve dhe motrave
të gjithë botës të mbështesin dhe të kujtojnë në lutjet e tyre
bashkësitë e krishtera të Tokës së Shenjtë dhe të Lindjes së Mesme. Në
këtë kontekst dua të shpreh vlerësimin tim për shërbimin e ofruar shumë
shtegtarëve dhe vizitorëve që vijnë në Tokën e Shenjtë në kërkim të
frymëzimit dhe të përtëritjes në gjurmët e Jezusit. Historia e Ungjillit,
e përmbajtur në ambjentin e tij historik dhe gjeografik, bëhet e gjallë
dhe e pasur me ngjyra, dhe merret një kuptim më i qartë i domethënies së
fjalëve dhe veprave të Zotit. Shumë përvoja të paharrueshme të
shtegtarëve të Tokës së Shenjtë kanë qenë të mundura falë mikpritjes dhe
udhëheqjes vëllazërore të ofruar nga ju, veçanërisht nga Etërit
Françeskanë të Ruajtjes. Për këtë shërbim, dua t’ju siguroj vlerësimin
dhe mirënjohjen e Kishës Universale dhe shpreh dëshirën që, në të
ardhmen, të vijnë këtu për vizitë shtegtarë në një numër akoma më të
madh.
Të dashur Vëllezër, duke i drejtuar
lutjen tonë të përbashkët të gëzueshme Marisë, Mbretëreshë të Qiellit,
të vëmë me besim në duart e saj mirëqënien dhe përtëritjen shpirtërore
të gjithë të Krishterëve në Tokën e Shenjtë, kështu që, nën udhëheqjen e
Barinjve të tyre, të mund të rriten në fe, në shpresë dhe në dashuri,
dhe të ruajnë në misionin e tyre si nxitës të bashkimit dhe të paqes.
titujt kryesorë |
|