|
|
LUTJA E
MBRËMËSORES ME MESHTARËT, RREGULLTARËT, RREGULLTARET, SEMINARISTËT DHE
DIAKONËT
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI
Katedralja
e Notre-Dame
Paris, e
premte 12 shtator 2008
Të
dashur Vëllezër Kardinalë dhe Ipeshkvij,
Zotërinj
Kanonikë të Kapitullit,
Zotërinj
Kapelanë të Notre-Dame,
Të
dashur meshtarë dhe diakonë,
Të
dashur miq të Kishës dhe të bashkësive kishtare jo katolike,
Të
dashur vëllezër e motra,
Qoftë
bekuar Hyji që na mundëson të gjendemi në një vend kaq të përzemërt për
banorët e Parisit, por edhe për të gjithë Francezët! Bekuar qoftë Hyji,
që na jep hirin t’i ofrojmë Atij dhuratën e Mbrëmësores, për t’i
lartësuar lavditë që Ai meriton me fjalët që liturgjia e Kishës ka
trashëguar nga liturgjia e sinagogës, e praktikuar nga Krishti dhe nga
nxënësit e tij të parë! Po, qoftë bekuar Hyji që vjen në ndihmën tonë –
in adiutorium nostrum – për të na ndihmuar të ngrejmë drejt Tij dhuratën
e flisë së buzëve tonë!
Ja ku
jemi në kishën-nënë të Dioqezës së Parisit, në katedralen e Notre-Dame,
që ngrihet në zemër të qytetit si shenjë e gjallë e pranisë së Hyjit në
mes të njerëzve. Paraardhësi im, Aleksandri III, vendosi gurin e parë,
Papët Piu VII dhe Gjon Pali II e nderuan me vizitën e tyre, dhe unë vetë
jam i gëzuar që jam ndjekësi i tyre, pasi kam ardhur një çerek shekulli
më parë për të mbajtur një konferencë mbi katekizmin. Është e vështirë
të mos i bëjmë hire Atij që ka krijuar si lëndën, ashtu edhe shpirtin,
për bukurinë e ndërtesës që na bashkon. Të krishterët e Lutecies kishin
ndërtuar një katedrale kushtuar shën Shtjefnit, martir i parë, por ajo u
bë pastaj shumë e vogël dhe u zëvendësua progresivisht, mes shekullit
XII dhe XIV, me atë që admirojmë në ditët tona. Besimi e Mesjetës ka
bërë katedralet, dhe paraardhësit tuaj kanë ardhur këtu për të adhuruar
Hyjin, për t’i besuar shpresat e tyre dhe për t’i treguar dashurinë e
tyre. Ngjarje të mëdha fetare dhe civile kanë ndodhur në këtë shenjtore,
ku arkitektët, piktorët, skulptorët dhe muzikantët kanë dhënë më të
mirën e tyre. Mjafton të kujtojmë, mes shumë të tjerësh, emrat e
arkitektit Jean de Chelles, piktorit Charles Le Brun, skulptorit Nicolas
Coustou dhe të organistëve Louis Vierne dhe Pierre Cochereau. Arti, ecje
drejt Hyjit, dhe lutja në kor, lavdi i Kishës për Krijuesin, e kanë
ndihmuar Paul Claudel, i cili kishte ardhur këtu për të marrë pjesë në
Mbrëmësoren e ditës së Krishtëlindjeve të vitit 1886, për të gjetur
rrugën drejt një përvoje personale me Hyjin. Është domethënëse që Hyji
ka ndriçuar shpirtin e tij pikërisht gjatë këngës Magnificat, në të
cilën Kisha dëgjon këngën e Virgjërës Mari, Pajtores së Shenjtë të
këtyre vendeve, që i kujton botës se i Gjithëpushtetshmi i ka lartësuar
njerëzit (krh. Lk 1, 52). Teatër kthimesh më pak të njohura, por
gjithsesi jo më pak të vërteta, amvonë ku predikuesit e Ungjillit, si
Etërit Lacordaire, Monsabré dhe Samson, kanë ditur t’ia përçojnë flakën
e pasionit të tyre asambleve të shumta e të larmishme, Katedralja e
Notre-Dame mbetet me të drejtë një nga monumentet më të shquara të
trashëgimisë së Vendit tuaj. Reliket e Kryqit të vërtetë dhe të Kurorës
me gjemba, që sapo nderova si është bërë zakon duke filluar nga Shën
Luigji e këtej, kanë gjetur sot një peshtaf të denjë, që përbën dhuratën
shpirtërore që njerëzit i bëjnë Dashurisë krijuese.
Nën qemerin e kësaj Katedraljeje historike, dëshmitare e shkëmbimit
të pareshtur që Hyji ka dashur të vendosë mes njerëzve dhe vetes së vet,
Fjala sapo ka tingëlluar për të qenë lënda e flisë sonë të mbrëmjes,
theksuar nga dhurimi i kemit që e bën të dukshëm lavdin tonë ndaj Hyjit.
Në mënyrë provanore, fjalët e Psalmistit përshkruajnë emocionin e
shpirtit tonë me një saktësi që nuk do të kishim mundur ta imagjinojmë:
«Seç u gëzova kur më thanë: “Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”» (Ps
121, 1). Laetatus sum in his quae dicta sunt mihi: gëzimi i Psalmistit,
shprehur në fjalët e Psalmit, u përhaptë në zemrat tona dhe aty ngjalltë
një jehonë të thellë. Gëzimi ynë është të shkojmë në shtëpinë e Zotit,
sepse, siç na kanë mësuar Etërit, kjo shtëpi nuk është gjë tjetër veçse
simboli konkret i Jerusalemit nga lart, ai që zbret drejt nesh (krh. Zb
21, 1) për të na dhuruar banesën më të bukur. “Nëse ne banojmë aty –
shkruan Shën Ilari i Pojtjerit – jemi bashkëqytetarë të shenjtërve dhe
anëtarë të familjes së Hyjit, meqënëse është shtëpia e Hyjit” (Marrë nga
Ps 121, 2). Dhe shën Agustini shton: “Ky Psalm aspiron për Jerusalemin
qiellor. Është një këngë shkalle, që nuk është bërë për njerëz që
zbresin, por që ngjiten. Në mërgimin tonë dëshirojmë me gjithë zemër, në
atdheun tonë do të galdojmë; por ndërkohë gjatë mërgimit takojmë shokë
që kanë parë tashmë qytetin e shenjtë dhe na ftojnë të vrapojmë drejt
tij” (Marrë nga Ps 121, 2). Miq të dashur, gjatë kësaj Mbrëmësoreje ne
bashkohemi, me mendime dhe me lutje, me zërat e panumërt të atyre, burra
e gra, që e kanë kënduar këtë Psalm pikërisht këtu, para nesh, gjatë
shekujve. Bashkohemi me shtegtarët që ngjiteshin drejt Jerusalemit dhe
në shkallët e Tempullit të tij, bashkohemi me mijëra burra e gra që kanë
kuptuar se shtegtimi i tyre mbi tokë do të kishte si pikëmbërritje
qiellin, në Jerusalemin e amshuar, e që i kanë besuar Krishtit se do të
mund ta arrijnë atë. Çfarë gëzimi, në realitet, të dish se je i rrethuar
në mënyrë të padukshme nga një turmë e tillë dëshmitarësh!
Ecja
jonë drejt qytetit të shenjtë nuk do të ishte e mundur, nëse nuk do të
bëhej në Kishë, filiz dhe shëmbëllim i Jerusalemit nga lart. “Nëse Zoti
nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë” (Ps 126, 1).
Kush tjetër është ky Zot, nëse jo Zoti jonë Jezu Krishti? Është Ai që ka
themeluar Kishën, që e ka ndërtuar mbi shkëmb, mbi besimin e Pjetrit
apostull. Siç thotë përsëri Shën Augustini, “është vetë Jezu Krishti,
Zoti ynë, që ndërton shtëpinë e tij. Shumë lodhen për ta ndërtuar, por
nëse nuk ndërhyn Ai për ta ndërtuar, kot mundohen ata që e ndërtojnë”
(Marrë nga Ps 126, 2). Tani, miq të dashur, Augustini shtron pyetjen se
kush janë këto punëtorë; dhe vetë ai e jep përgjigjen: “Ata që në Kishë
predikojnë Fjalën e Hyjit, të gjithë shërbestarët e Sakramenteve
hyjnore. Të gjithë vrapojmë, të gjithë punojmë, të gjithë ndërtojmë”;
por është vetëm Hyji, që në ne, “ndërton, që fton dhe që kall droje, që
të hap intelektin dhe e drejton kah feja të dëgjuarin tuaj” (Po aty).
Çfarë mrekullie e vesh veprimin tonë në shërbim të Fjalës së shenjtë!
Jemi veglat e Shpirtit; Hyji ka përvujtërinë të kalojë përmes nesh për
të përhapur Fjalën e Tij. Ne bëhemi zëri i tij, pasi t’ia kemi afruar
veshin gojës së Tij. Ta vëmë Fjalën e Tij mbi buzët tona për t’ia dhënë
botës. Oferta e lutjes sonë është e pëlqyer nga Ai dhe i shërben Atij
për t’iu komunikuar atyre që takojmë. Në të vërtetë, siç u thotë Pali
Efesianëve: “Na ka bekuar me çdo bekim shpirtëror në qiell nëpër
Krishtin” (Ef 1,3), meqë na ka zgjedhur për të qenë dëshmitarët e Tij
deri në fund të botës dhe na ka zgjedhur para ngjizjes sonë nëpërmjet
dhuratës së mistershme të hirit të Tij.
Fjala e
Tij, Fjala, që gjithmonë ishte pranë Tij (krh. Gjn 1, 1), ka lindur nga
një Grua, i nënshtruar Ligjit, “që t’i shpërblente të nënshtruarit e
Ligjit, që ne ta fitonim bijësinë në shpirt” (Gal 5, 4-5). Biri i Hyjit
është bërë mish në kraharorin e një Gruaje, të një Virgjëre. Katedralja
jonë është një himn i gjallë prej guri dhe drite në lavd të këtij akti
unik të historisë së njerëzimit: Fjala e amshuar e Hyjit që hyn në
historinë e njerëzimit në plotësinë e kohëve për t’i shpërblyer
nëpërmjet dhurimit të vetvetes në flinë e Kryqit. Liturgjitë tonë në
tokë, tërësisht të drejtuara për të kremtuar këtë akt unik të historisë,
nuk do të mund ta shprehin kurrë krejtësisht dendësinë e pafund të tij.
Bukuria e riteve nuk do të jetë kurrë aq e kërkuar, aq e përkujdesur, aq
e përpunuar, pasi asgjë nuk është tepër e bukur për Hyjin, që është
Bukuria e pafund. Liturgjitë tona tokësore nuk mund të jenë vetëm një
pasqyrim i zbehtë i liturgjisë, që kremtohet në Jerusalemin e qiellit,
pika e mbërritjes së shtegtimit tonë mbi tokë. Megjithatë shtegtimet
tona iu afrofshin asaj sa më shumë dhe na bëfshin që ta parashijojmë
atë!
Deri
tani, Fjala e Hyjit na është dhuruar për të qenë shpirti i apostullimit
tonë, shpirti i jetës sonë si meshtarë. Çdo mëngjes Fjala na rizgjon.
Çdo mëngjes vetë Hyji na i “hap veshët” (Is 50, 5) me psalmet e Uficit
të leximeve dhe të Lavdeve. Gjatë harkut të ditës, Fjala e Hyjit bëhet
lëndë lutjeje për mbarë Kishën, e cila do të dëshmojë kështu besnikërinë
e saj ndaj Krishtit. Sipas formulës së njohur së Shën Jeronimit, që do
të rimerret gjatë Asamblesë XII të Sinodit të Ipeshkvijve të muajit
tetor: “Të injorosh Shkrimet do të thotë të injorosh Krishtin” (Prologu
i Komentit të Isaisë). Të dashur vëllezër meshtarë, mos kini frikë t’i
kushtoni një pjesë të konsiderueshme të kohës suaj leximeve, meditimit
të Shkrimeve dhe lutjes së Uficit Hyjnor! Gati pa dijeninë tuaj Fjala e
lexuar dhe e ndërmjetësuar në Kishë vepron mbi ju dhe ju shndërron. Si
shfaqje e Urtisë së Hyjit, nëse ajo bëhet “shoqja” e jetës suaj, do të
jetë “këshilltarja juaj për veprime të mira”, “ngushëllimi juaj në
shqetësime e në dhimbje” (Urt 8, 9). “Fjala e Hyjit është e gjallë,
është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehësh”, siç shkruan autori i Letrës
drejtuar Hebrejve (Heb 4, 12). Ju, të dashur seminaristë, që përgatiteni
për të marrë sakramentin e Urdhrit të Shenjtë, me qëllim që të merrni
pjesë në detyrën e trefishtë për të mësuar, për të mbajtur dhe për të
shenjtëruar, kjo Fjalë ju dorëzohet si një e mirë e çmuar. Falë saj, që
ju meditoni përditë, hyni në vetë jetën e Krishtit që do të jeni të
thirrur ta përhapni rreth jush. Nëpërmjet fjalës së tij, Zoti Jezus ka
themeluar Sakramentin e shenjtë të Trupit të tij dhe të Gjakut të Tij;
me fjalën e Tij, ka shëruar të sëmurët, ka larguar djallin, ka falur
mëkatet; nëpërmjet fjalës së Tij u ka zbuluar njerëzve misteret e
fshehura të Mbretërisë. Ju jeni të adresuar të bëheni ruajtës të kësaj
Fjale të efektshme, që bën atë që thotë. Mbani gjithmonë brenda vetes
shijen e Fjalës së Hyjit! Mësoni, falë saj, t’i doni të gjithë ata që do
të gjenden gjatë rrugës suaj. Askush nuk është i tepërt në Kishë,
askush! Të gjithë mund dhe duhet të gjejnë vendin e vet.
Dhe ju, të
dashur diakonë, që jeni bashkëpunëtorë të efektshëm të Ipeshkvijve dhe
të meshtarëve, vazhdoni ta doni Fjalën e Hyjit: ju e shpallni Ungjillin
në mes të kremimit eukaristik; ia komentoni shumë herë në katekizëm
vëllezërve dhe motrave tuaja: vendoseeni në qendër të jetës suaj, në
shërbim të të afërmit, të krejt diakonisë suaj. Pa kërkuar të merrni
vendin e meshtarëve, por duke i ndihmuar me miqësi dhe efektshmëri, dini
të jeni dëshmitarë të gjallë të fuqisë së pafund të Fjalës hyjnore!
Me
titull të veçantë, rregulltarët, rregulltaret dhe të gjithë personat e
kushtuar jetojnë nga Urtia e Hyjit, e shprehur nëpërmjet Fjalës së Tij.
Shpallja e këshillave ungjillore ju ka bërë të ngjashëm, të dashur të
kushtuar, me Atë që, për ne, është bërë i varfër, i bindur dhe i dëlirë.
Pasuria juaj e vetme – e vetmja, të themi të drejtën, që do të tejkalojë
shekujt dhe vellon e vdekjes – është pikërisht Fjala e Zotit. Ai vetë ka
thënë: “Qielli e toka do të zhduken, por fjalët e mia nuk do të bien
poshtë” (Mt 24, 35). Bindja juaj është, etimologjikisht, një dëgjim,
meqë fjala “bindje” vjen nga latinishtja ob-audire, që do të thotë ta
drejtosh veshin drejt diçkaje ose dikujt. Duke u bindur, ju e drejtoni
shpirtin drejt Atij që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta (krh. Gjn 14, 6)
dhe që ju thotë, ashtu si Shën Benedikti u mësonte murgjve të tij:
“Dëgjoji, o bir, mësimet e mësuesit dhe vërja veshin zemrës sate”
(Prolog i Rregullës). Në fund, lëreni veten të pastroheni çdo ditë nga
Ai që na ka thënë: “Çdo shermend në mua, që jep fryt, Ai e pret, që të
jap më shumë fryt” (Gjn 15, 2). Dëlirësia e Fjalës së Hyjit është modeli
i vetë pastërtisë suaj; garanton pjellorinë shpirtërore të saj.
Me besim
e pareshtur në fuqinë e Hyjit që na ka shpëtuar “në shpresë” (krh. Rom
8, 24) dhe që dëshiron të na bëjë një grigjë të vetme nën udhëheqjen e
një bariu të vetëm, Krishtit Jezus, lutem për njësinë e Kishës.
Përshëndes përsëri me respekt dhe ngrohtësi përfaqësuesit e Kishës së
krishterë dhe të Komuniteteve kishtare, të cilët kanë ardhur për të
thënë së bashku me ne, në këtë katedrale, lutjen e Mbrëmësores. Fuqia e
Fjalës së Hyjit është e tillë që të gjithë mund t’i besohemi asaj, siç
bëri Shën Pali, ndërmjetësi ynë i privilegjuar këtë vit. Duke marrë
leje, në Milet, nga pleqtë e Efesit, nuk ngurronte t’ia besonte
ata“Hyjit dhe mesazhit të Tij të hirit” (Vap 20, 32), duke i vënë në
dijeni ndaj çdo forme ndarjeje. Është kuptimi i kësaj njësie të Fjalës
së Hyjit, shenjë, peng dhe garanci e njësisë së Kishës, që i kërkoj me
zjarr Zotit që ta rrisë brenda nesh: nuk ka dashuri në Kishë pa pasur
dashuri për Fjalën, nuk ka Kishë pa pasur një njësi rreth Krishtit
Shpërblyes, nuk ka fryte shpërblimi pa dashuri ndaj Hyjit dhe të
tjerëve, sipas dy urdhërimeve që përmbledhin të gjithë Shkrimin e
Shenjtë!
Të
dashur vëllezër e motra, në Shenjten Mari ne kemi shembullin më të bukur
të besnikërisë ndaj Fjalës hyjnore. Kjo besnikëri ishte e tillë sa të
kryhej në Mishërim: “Unë jam shërbëtorja e Zotit; më ndodhtë siç the
ti!” (Lk 1, 38), tha Ajo me besim të plotë. Lutja jonë e mbrëmjes rimerr
Magnificat-in e Asaj që të gjithë brezat do ta quajnë të bekuar, meqë ka
besuar në zbatimin e fjalëve që ishin thënë nga Zoti (krh. Lk 1, 45);
Ajo ka shpresuar kundër çdo shprese në ngjalljen e Birit të saj; e ka
dashur njerëzimin deri në atë pikë sa i është dhënë atij si Nënë (krh.
Gjn 19, 27). Maria “në Fjalën e Hyjit është me të vërtetë në shtëpinë e
saj, del dhe hyn me natyrshmëri. Ajo flet dhe mendon me Fjalën e Hyjit;
Fjala e Hyjit bëhet fjalë e saj, dhe fjala e saj lind nga Fjala e Hyjit”
(Deus caritas est, 41). Mund t’i themi me qetësi: “Shenjtja Mari, Nëna e
Hyjit, Nëna jonë, na mëso të besojmë, të shpresojmë dhe të dashurojmë me
ty. Na e trego rrugën drejt mbretërisë së Tij!” (Spe salvi, 50). Amen.
titujt kryesorë
|
|