|
KRISHTI VËRTET ËSHTË NGJALLUR
22 mars 2008
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, ju
uroj të gjithëve Për shumë vjet Pashkët dhe uroj që të sjellin
në shtëpitë tuaja harenë.
Pashkët janë qendra e jetës së të krishterit.
Në këtë urim desha të ndalesha tek dy mendime
që besoj janë thelbësorë për ta përjetuar sa më mirë Ngjalljen e
Krishtit.
Së pari fakti se Krishti është vërtetë i
ngjallur. Mund të duket si e panevojshme një fjalë e tillë, një
këmbëngulje e tillë, por e them ngaqë më vijnë në mendje shumë
terme që qarkullojnë shpesh mes ne të krishterëve me anë të të
cilëve ne e “mbyllim” Pashkën në sferën e sentimentalizmit, të
emocionit, si për shembull “Krishti është ngjallur në zemrën
time”, apo - kur na e zënë frymën fatkeqësitë, turbullimet dhe
errësirat e ndryshme të shpirtit - themi të shkurajuar “për mua
Krishti nuk është ngjallur”. A nuk është kjo një mënyrë për të
qenë ne qendra e vetes sonë, qofshim të gëzuar apo të trishtuar?
Por Krishti është ngjallur përnjëmend,
pavarësisht nga ndjenjat tona për këtë “ngjarje kozmike të re” -
siç e quan Papa Benedikti XVI në një homeli të tijën.
Krishti është ngjallur së vdekuri. Përnjëmend
është ngjallur.
Së dyti dëshiroj t’ju ftoj ta ngulim shikimin
tonë tek Plagët që Jezusi i Ngjallur mbart në trupin e Tij të
lavdishëm. Si ka mundësi që në këtë trup të lavdishëm, vazhdojnë
të jenë shenjat e mundimeve dhe të vdekjes së tij? Mos vallë ato
janë treguesi i përhershëm i egoizmit njerëzor që arriti deri në
vrasjen e Zotit të vet? Mos vallë sa herë që t’i shohim ato
plagë qenkemi të dënuar për shkurajim, për trishtim, duke qenë
se na kujtojnë mëkatin tonë?
Jo, nuk është ashtu. Duke i parë ato plagë ne
mund të kujtohemi gjithnjë për dashurinë e Hyjit ndaj nesh. Aty
tregohet më së miri se “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 16). Ato
plagë nuk janë burim trishtimi, shkurajimi apo përvujtërimi, por
përkundrazi janë burimi i pashtershëm i fuqive më të thella të
shpirtit njerëzor i cili është i aftë të bëjë gjëra vërtet të
mëdha kur zbulon se Hyji e do. Kjo gjë i jep hov jetës së
njeriut dhe e nxit atë që ta duajë Hyjin e madje të duajë si
Hyji. Është e mundur një dashuri e tillë.
E unë uroj që kjo dashuri e thellë të mund të
shprehet në vendin tonë sidomos ndaj personave që vuajtën e po
vuajnë pasojat e tragjedisë së Gërdecit, të cilëve u shpreh edhe
ngushëllimet e mia për humbjen e familjarëve të tyre, si edhe
solidaritet për tejkalimin e vështirësive.
Duket si e pakuptimtë që të shpallet ngjallja
e Krishtit në një kohë kur duket se bota është e mbushur me
fatkeqësi si ajo e Gërdecit, e aksidenteve të shumta rrugore, e
vrasjeve të kohërave të fundit në zonën e Shkodrës, e luftës në
Palestinë, e luftrave në kombet e Afrikës, në Tibet, në Irak, ku
u gjet i vdekur para pak ditesh Ipeshkëvi i Mosulit, Imzot
Paulos Faraj Rahho, mbasi e kishte rrëmbyer një grup i
armatosur.
Por të mos trembemi: Jezusi prej Nazaretit
nuk është këtu. U ngjall.
Ai jep edhe shenja konkrete të ngjalljes se
Tij, siç është edhe pajtimi i ndodhur në Gur të Zi, më 3 mars,
ku, në emër të Krishtit një familje katolike i fali gjakun një
familjeje myslimane. Dy fise janë ringjallur: kanë rifituar
qetësinë, gëzimin dhe lirinë.
Vëllezër e motra të dashur,
lejoni pra që ngjallja e Krishtit të ngjallur ta përshkojë
vazhdimisht jetën tuaj.
Prindër të dashur, i kuptoj problemet tuaj
për familjen, për shtëpinë, për punën, për t’ardhmen e fëmijëve,
për problemet ekonomike dhe shëndetësore, për rritjen e çmimeve,
për shkollimin e fëmijëve, por mos lejoni që ndonjë nga këto
shqetësime ta mposhtë fenë tuaj në Krishtin e ngjallur së
vdekuri. Besojani atij jetën tuaj dhe përballojini vështirësitë
porsi njerëz shprese.
Për të gjithë ju besimtarë të dashur, në
veçanti për ju të sëmurë, uroj që Jezusi i ngjallur të jetë
forca, shpresa dhe hareja e përhershme e jetës.
Urime të gjithë katolikëve dhe të Krishtërëve
që festojnë Pashkët, brenda dhe jashtë Shqipërisë! Krishti u
ngjall! Gëzuar Pashkët!
† Angelo Massafra
titujt
kryesore
|