ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

MESAZHI DREJTUAR TË RINJVE

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

Sheshi mbi Rrugën e Melnikut në Starà Boleslavo

E hënë, 28 shtator 2009

 

 

Të dashur të rinj!

Në përfundim të këtij kremtimi, po ju drejtohem juve dhe para së gjithash ju përshëndes me dashuri. Keni ardhur në një numër të madh prej gjithë vendit si dhe prej vendeve fqinje; keni “kampuar” këtu mbrëmë dhe keni fjetur nëpër çadra, duke bërë së bashku një përvojë feje e vëllazërie. Faleminderit për praninë tuaj që më bën të ndiej entuziazmin dhe zemërgjerësinë të cilat janë karakteristikë e rinisë. Me ju dhe Papa ndihet i ri! Një falënderim të veçantë i drejtoj përfaqësuesit tuaj për fjalët e tij dhe për dhuratën e mrekullueshme.

Të dashur miq, nuk është e vështirë të vëmë re se në çdo të ri ka një aspiratë për lumturi, nganjëherë të përzier me një ndjenjë shqetësimi; një aspiratë që, megjithatë, shpesh shoqëria aktuale e konsumeve e shfrytëzon në mënyrë të rremë dhe tjetërsuese. Ndërsa duhet ta vlerësojmë seriozisht dëshirën për lumturi që kërkon një përgjigje të vërtetë e të plotë. Në të vërtetë, në moshën tuaj bëhen zgjedhjet e para të mëdha, të afta që ta orientojnë jetën drejt të mirës apo drejt të keqes. Mjerisht, nuk janë të pakët bashkëmoshatarët tuaj që e lënë veten të tërhiqen prej mirazheve zhgënjyese të parajsave artificiale për t’u gjendur pastaj në një vetmi të trishtuar. Por ka edhe shumë djem e vajza që, sikurse ka thënë zëdhënësi juaj, duan ta shndërrojnë doktrinën në veprim për t’i dhënë një kuptim të plotë jetës së tyre. Ju ftoj të gjithëve që të shikoni përvojën e shën Agustinit, i cili thoshte se zemra e çdo njeriu është e paqetë deri kur të gjejë atë që kërkon me të vërtetë. Ai zbuloi se vetëm Jezu Krishti ishte përgjigjja që e plotësonte dëshirën, e tij dhe të çdo njeriu, për një jetë të lumtur, plot me domethënie e me vlerë (krh. Rrëfimet, I,1,1).

Ashtu sikurse ka bërë me të, Zoti i del përpara secilit prej jush. Troket në derën e lirisë suaj dhe kërkon që ta pranoni si mik. Dëshiron t’ju bëjë të lumtur, t’ju mbushë me humanitet e me dinjitet. Feja e krishterë është kjo: takimi me Krishtin, Personin e gjallë që i jep jetës një horizont të ri dhe me këtë drejtimin vendimtar. Dhe kur zemra e një të riu u hapet planeve të tij hyjnore, nuk e ka të vështirë ta njohë e ta ndjekë zërin e tij. në të vërtetë, Zoti e thërret secilin për emër dhe secilit dëshiron t’i besojë një mision specifik në Kishë dhe në shoqëri. Të dashur të rinj, ndërgjegjësohuni për faktin se Pagëzimi ju ka bërë bij të Hyjit dhe anëtarë të Trupit të tij që është Kisha. Jezusi jua përtërin vazhdimisht ftesën për të qenë nxënës e dëshmitarë të tij. Shumë prej jush i thërret në martesë dhe përgatitja për këtë Sakrament përbën një ecje të vërtetë thirrore. Prandaj shqyrtojeni seriozisht thirrjen hyjnore për të ndërtuar një familje të krishterë dhe rinia juaj le të jetë koha në të cilën ndërtoni me ndjenjë përgjegjësie të ardhmen tuaj. Shoqëria ka nevojë për familje të krishtera, për familje të shenjta!

Pastaj, nëse Zoti ju thërret ta ndiqni në meshtarinë shërbestare apo në jetën e kushtuar, mos ngurroni t’i përgjigjeni ftesës së tij. Në veçanti, në këtë Vit Meshtarak, ju bëj thirrje ju, të rinj: të jeni të vëmendshëm e të gatshëm ndaj thirrjes së Jezusit për ta dhuruar jetën në shërbim të Hyjit e të popullit të tij. Kisha, edhe në këtë vend, ka nevojë për meshtarë të shumtë e të shenjtë dhe për persona krejtësisht të kushtuar në shërbim të Krishtit, Shpresës së botës.

Shpresa! Kjo fjalë, te e cila kthehem shpesh, lidhet pikërisht me rininë. Ju, të dashur të rinj, jeni shpresa e Kishës! Ajo pret që ju të bëheni lajmëtarë të shpresës, sikurse ka ndodhur vitin e kaluar, në Australi, për Ditën Botërore të Rinisë, manifestim i madh i fesë rinore, që kam mundur ta jetoj personalisht dhe në të cilën disa prej jush kanë marrë pjesë. Shumë më tepër mund të vini në Madrid, në gusht të vitit 2010. Ju ftoj që tani në këtë tubim të madh të të rinjve me Krishtin në Kishë.

Të dashur miq, përsëri faleminderit për praninë tuaj dhe faleminderit për dhuratën tuaj: libri me fotografitë që tregojnë jetën e të rinjve në dioqezat tuaja. Faleminderit edhe për shenjën e solidaritetit tuaj ndaj të rinjve të afrikës, që keni dashur të ma dorëzoni. Papa ju kërkon ta jetoni me gëzim e entuziazëm fenë tuaj; të rriteni në njësi mes jush dhe me Krishtin; të luteni e të jeni të zellshëm në praktikën e Sakramenteve, në veçanti të Eukaristisë e të Rrëfimit; të kujdeseni për formimin tuaj të krishterë duke mbetur gjithmonë të dëgjueshëm ndaj mësimeve të Barinjve tuaj. Në këtë ecje ju priftë shën Venceslau me shembullin e tij dhe me ndërmjetësimin e tij, dhe gjithmonë ju ruajtë Virgjëra Mari, Nëna e Jezusit dhe Nëna jonë. Ju bekoj të gjithëve me dashuri!

    

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster