|
|
“Me plagët e të cilit jeni shëruar”
(1 Pjt 2,24)
Të dashur vëllezër e motra!
Çdo vit, me rastin e përkujtimit të
Virgjërës së Lume të Lurdit, që kremtohet më 11 shkurt, Kisha propozon
Ditën Botërore të të Sëmurëve. Kjo rrethanë, sikurse ka dëshiruar i
nderuari Gjon Pali II, bëhet rasti i volitshëm për të reflektuar mbi
misterin e vuajtjes dhe, sidomos, për t’i bërë më të ndjeshme bashkësitë
tona dhe shoqërinë civile ndaj vëllezërve e motrave të sëmura. Nëse çdo
njeri është vëllai ynë, aq më shumë i dobti, i vuajturi dhe ai që ka
nevojë për kujdes, duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë, që askush
prej nesh të mos ndihet i harruar apo i mënjanuar; në të vërtetë, “masa
e njerëzimit përcaktohet thelbësisht në marrëdhënie me vuajtjen dhe me
të vuajturin. Kjo vlen për individin ashtu si edhe për shoqërinë. Një
shoqëri që nuk arrin t’i pranojë të vuajturit dhe nuk është e aftë të
ndihmojë nëpërmjet dhembshurisë në mënyrë që vuajtja të
bashkëndahet dhe të bartet edhe përbrenda, është një shoqëri mizore dhe
çnjerëzore” (Let. enc. Spe salvi, 38). Nismat që do të nxiten
prej Dioqezave të veçanta me rastin e kësaj Dite, le të jenë shtytje për
ta bërë gjithnjë e më efikas kujdesin ndaj të vuajturve, edhe në
perspektivën e kremtimit në mënyrë solemne, që do të bëhet, në vitin
2013, në Shenjtëroren mariane të Altëtingut, në Gjermani.
1. E mbaj ende në zemër momentin në të
cilin, gjatë vizitës baritore në Torino, munda të ndalesha në reflektim
e lutje para Sindonës së Shenjtë, para asaj fytyre të vuajtur, që na
fton të meditojmë mbi Atë që ka bartur mbi vete mundimet e njeriut të
çdo kohe dhe të çdo vendi, edhe vuajtjet tona, vështirësitë tona,
mëkatet tona. Sa shumë besimtarë, gjatë historisë, kanë kaluar para asaj
pëlhure, që ka mbështjellë trupin e një njeriu të kryqëzuar, që në
gjithçka i përgjigjet asaj që Ungjijtë na përçojnë mbi mundimet dhe
vdekjen e Jezusit! Soditja e saj është një ftesë për të reflektuar mbi
atë që shkruan shën Pjetri: “Me plagët e të cilit jeni shëruar” (1
Pjt 2,24). Biri i Hyjit ka vuajtur, ka vdekur, por është ngjallur,
dhe pikërisht për këtë arsye ato plagë bëhen shenja e shëlbimit tonë, e
faljes dhe e pajtimit me Atin; por, bëhen edhe një provë për fenë e
nxënësve dhe për fenë tonë: sa herë që Zoti flet për mundimet e vdekjen
e vet, ata nuk kuptojnë, nuk pranojnë, kundërvihen. Për ta, ashtu si
edhe për ne, vuajtja mbetet gjithmonë plot me mister, e vështirë për t’u
pranuar dhe për t’u bartur. Dy nxënësit e Emausit ecin të trishtuar për
ngjarjet që kanë ndodhur ato ditë në Jerusalem, dhe vetëm kur i
Ngjalluri përshkon rrugën me ta, i hapen një vizioni të ri (krh. Lk
24,13-31). Edhe Toma apostull shfaq vështirësi për t’i besuar udhës së
mundimeve shëlbuese: “Pa e parë në duart e tij vrimën e gozhdave e pa e
vënë gishtin tim në vendin e gozhdave, pa e vënë dorën time në
kraharorin e tij, kurrë nuk besoj” (Gjn 20,25). Por përballë
Krishtit që i tregon plagët e veta, përgjigjja e tij shndërrohet në një
dëshmi prekëse feje: “Zotëria im dhe Hyji im” (Gjn 20,28). Ajo që
më parë ishte një pengesë e pakapërcyeshme, sepse ishte shenjë e
dështimit në dukje të Jezusit, në takimin me të Ngjallurin bëhet prova e
një dashurie fitimtare: “Vetëm një Hyj që na do deri në atë pikë sa të
marrë mbi vete plagët tona dhe dhimbjen tonë, sidomos atë të pafajshme,
është i denjë për fe” (Mesazhi Urbi et Orbi, Pashkët 2007).
2. Të dashur të sëmurë dhe të vuajtur,
pikërisht nëpërmjet plagëve të Krishtit ne mund të shohim, me sytë e
shpresës, të gjitha të këqijat që e mundojnë njerëzimin. Duke u
ngjallur, Zoti nuk i ka hequr vuajtjen dhe të keqen prej botës, por i ka
mposhtur ato në rrënjë. Mujsharisë së të Keqes i ka kundërvënë
gjithëpushtetësinë e Dashurisë së tij. Atëherë na ka treguar se rruga e
paqes dhe e gëzimit është Dashuria: “Sikurse unë ju desha ju, duajeni
edhe ju njëri-tjetrin” (Gjn 13,34). Krishti, fitimtar mbi
vdekjen, është i gjallë në mesin tonë. Dhe ndërsa së bashku me shën
Tomën themi edhe ne: “Zotëria im dhe Hyji im!”, ndjekim Mësuesin tonë me
gatishmërinë për ta shpenzuar jetën për vëllezërit tanë (krh. 1 Gjn
3,16), duke u bërë lajmëtarë të një gëzimi që nuk e druan dhimbjen,
gëzimit të Ngjalljes.
Shën Bernardi pohon: “Hyji nuk mund të
ketë dhimbje, por mund të ketë dhembshuri”. Hyji, vetë e Vërteta dhe
Dashuria, ka dashur të vuajë për ne dhe me ne; është bërë njeri që të
mund të ketë dhembshuri për njeriun, në mënyrë reale, në mish e gjak.
Kështu, në çdo vuajtje njerëzore, ka hyrë Një që e bashkëndan vuajtjen
dhe pësimin; në çdo vuajtje përhapet con-solatio, ngushëllimi i
dashurisë pjesëmarrëse të Hyjit për të bërë që të lindë ylli i shpresës
(krh. Let. enc. Spe salvi, 39).
Juve, të dashur vëllezër e motra, jua
përsëris këtë mesazh, që të jeni dëshmitarë të tij nëpërmjet vuajtjes
suaj, jetës suaj dhe fesë suaj.
3. Duke shikuar drejt takimit të Madridit,
në gushtin e ardhshëm 2011, për Ditën Botërore të Rinisë, do të doja t’u
drejtoja edhe një mendim të veçantë të rinjve, sidomos atyre që jetojnë
përvojën e sëmundjes. Shpesh Mundimet, Kryqi i Jezusit, të ngjallin
frikë, sepse duket se janë mohimi i jetës. Në të vërtetë, është tamam e
kundërta! Kryqi është “po”-ja e Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e lartë
dhe më e fortë e dashurisë së tij dhe burimi prej të cilit gurgullon
jeta e amshuar. Prej zemrës së shporuar të Jezusit ka buruar kjo jetë
hyjnore. Vetëm Ai është i aftë ta lirojë botën prej të keqes dhe të bëjë
që të rritet Mbretëria e tij e drejtësisë, e paqes dhe e dashurisë të
cilën të gjithë e dëshirojmë (krh. Mesazhi për Ditën Botërore të
Rinisë 2011, 3). Të dashur të rinj, mësoni “ta shikoni” dhe “ta
takoni” Jezusin në Eukaristi, ku është i pranishëm në mënyrë reale për
ne, deri sa të bëhet ushqim për ecjen, por le të dini ta njihni dhe t’i
shërbeni edhe në të varfrit, në të sëmurët, në vëllezërit e vuajtur dhe
në vështirësi, që kanë nevojë për ndihmën tuaj (krh. ibid., 4).
Të gjithëve ju të rinj, të sëmurë e në shëndet, ju përsëris ftesën për
të krijuar ura dashurie dhe solidariteti, që askush të mos ndihet vetëm,
por afër Hyjit dhe pjesë e familjes së madhe të bijve të tij (krh.
Audienca e përgjithshme, 15 nëntor 2006).
4. Duke soditur plagët e Jezusit,
vështrimi ynë i drejtohet Zemrës së tij tejet të shenjtë, në të cilën
shfaqet shkalla më e lartë e dashurisë së Hyjit. Zemra e Shenjtë është
Krishti i kryqëzuar, me kraharorin të shporuar prej heshtës dhe prej të
cilit rrjedhin gjak e ujë (krh. Gjn 19,34), “simboli i
sakramenteve të Kishës, që të gjithë njerëzit, të tërhequr prej Zemrës
së Shëlbuesit, të marrin me gëzim prej burimit të amshuar të shëlbimit”
(Meshari Romak, Prefacioni i Solemnitetit të Zemrës tejet të Shenjtë
të Krishtit). Veçanërisht ju, të dashur të sëmurë, e ndieni afërsinë
e kësaj Zemre të mbushur me dashuri dhe merrni me fe e me gëzim prej
këtij burimi, duke u lutur: “Uji i kraharorit të Krishtit, më laj.
Mundimet e Krishtit, më përforconi. O Jezus i mirë, dëgjoje lutjen time.
Në plagët e tua, më fshih” (Lutja e Sh. Injacit të Loyolës).
5. Në përfundim të këtij Mesazhit tim për
Ditën e ardhshme Botërore të të Sëmurëve, dëshiroj t’u shpreh dashurinë
time të gjithëve dhe secilit, duke u ndier pjesëmarrës në vuajtjet dhe
në shpresat që jetoni përditë në bashkim me Krishtin e kryqëzuar e të
ngjallur, që t’ju dhurojë paqen e shërimin e zemrës. Së bashku me Të
qëndroftë pranë jush Virgjëra Mari, të cilën e thërrasim me besim
Shëndeti i të sëmurëve dhe Ngushëlluese e të vuajturve. Poshtë
Kryqit realizohet për të profecia e Simeonit: zemra e saj prej Nëne
është e shporuar (krh. Lk 2,35). Prej humnerës së dhimbjes së saj,
pjesëmarrje në atë të Birit, Maria është bërë e aftë të pranojë misionin
e ri: të bëhet Nëna e Krishtit në gjymtyrët e tij. Në orën e Kryqit,
Jezusi i paraqet secilin prej nxënësve të vet duke i thënë: “Qe, yt bir”
(krh. Gjn 19,26-27). Dhembshuria amënore ndaj Birit, bëhet
dhembshuri amënore ndaj secilit prej nesh në vuajtjet tona të përditshme
(krh. Homelia në Lurdë, 15 shtator 2008).
Të dashur vëllezër e motra, në këtë Ditë
Borërore të të sëmurëve, i ftoj edhe Autoritetet që të investojnë
gjithnjë e më shumë energji në struktura shëndetësore të cilat i
ndihmojnë dhe i mbështesin të vuajturit, sidomos më të varfrit e më
nevojtarët, dhe, duke ua drejtuar mendimin tim të gjitha Dioqezave, u
dërgoj një përshëndetje të përzemërt Ipeshkvinjve, meshtarëve, personave
të kushtuar Zotit, seminaristëve, vepruesve shëndetësorë, vullnetarëve
dhe të gjithë atyre që kushtohen me dashuri për të kuruar e lehtësuar
plagët e çdo vëllai apo të çdo motre të sëmurë, në spitalet apo Shtëpitë
e Kurave, në familjet: në fytyrat e të sëmurëve le të dini të shihni
gjithmonë Fytyrën e fytyrave: atë të Krishtit.
Të gjithëve ju siguroj kujtimin tim në
lutje, ndërsa i jap secilit një Bekim Apostolik të veçantë.
Prej Vatikanit, 21 Nëntor 2010, Festa e
Krishtit Mbret të Gjithësisë.
tituj kryesorë |
|