|
|
“Të varrosur bashkë me
Krishtin në Pagëzim,
bashkë me Të edhe u
ngjallët” (krh. 2 Kol 2,12)
Të dashur vëllezër e motra,
Kreshmët, që na çojnë drejt kremtimit të
Pashkëve të Shenjta, janë për Kishën një kohë liturgjike shumë e
çmueshme dhe e rëndësishme, në pritje të të cilave jam i lumtur të
drejtoj një fjalë të veçantë që të jetohen me angazhimin e duhur. Ndërsa
shikon drejt takimit përfundimtar me Dhëndrin e vet në Pashkët e
amshuara, Bashkësia kishtare, e zellshme në lutje dhe në dashurinë
vepruese, e përshpejton ecjen e vet të pastrimit në shpirt, për ta marrë
me më shumë begati prej Misterit të shëlbimit jetën e re në Krishtin Zot
(krh. Prefacioni I i Kreshmëve).
1. Kjo jetë na është përçuar ditën e
Pagëzimit tonë, kur, “të bërë pjesëmarrës në vdekjen e ngjalljen e
Krishtit”, ka filluar për ne “aventura e gëzueshme dhe ngazëllyese e
nxënësit” (Homelia në Festën e Pagëzimit të Zotit, 10 janar
2010). Shën Pali, në Letrat e veta, këmbëngul vazhdimisht në bashkimin e
veçantë me Birin e Hyjit të realizuar në këtë larje. Fakti se në
shumicën e rasteve Pagëzimi merret prej fëmijëve, vë në dukje se bëhet
fjalë për një dhuratë të Hyjit: askush nuk e meriton jetën e amshuar me
forcat e veta. Mëshira e Hyjit, që e shlyen mëkatin dhe na lejon të
jetojmë në ekzistencën tonë “po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus”
(Fil 2,5), i komunikohet njeriut falas.
2. Apostulli i popujve, në Letrën
drejtuar Filipianëve, shpreh kuptimin e shndërrimit që aktualizohet
me pjesëmarrjen në vdekjen e ngjalljen e Krishtit, duke treguar qëllimin
e tij: që “ta njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij me pjesëmarrjen në
vuajtjet e tij, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e tij, që në
ndonjë mënyrë të mund ta arrij ngjalljen e të vdekurve” (Fil
3,10-11). Pra, Pagëzimi nuk është një rit i të kaluarës, por takimi me
Krishtin që ndikon në gjithë ekzistencën e të pagëzuarit, i dhuron atij
jetën hyjnore dhe e thërret në një thirrje të sinqertë, të nisur e të
mbështetur prej Hirit, që e bën të arrijë lartësinë e pjekur të
Krishtit.
Ekziston një lidhje e veçantë mes
Pagëzimit dhe Kreshmëve si moment i favorshëm për të përjetuar Hirin që
shëlbon. Etërit e Koncilit II të Vatikanit u kanë bërë thirrje të gjithë
Barinjve të Kishës që të përdorin “më shumë elementët pagëzimorë të
liturgjisë kreshmore” (Kusht. Sacrosanctum Concilium, 109). Në të
vërtetë, gjithmonë Kisha e bashkon Vigjiljen e Pashkëve me kremtimin e
Pagëzimit: në këtë Sakrament realizohet ai mister i madh për të cilin
njeriu vdes për nga mëkati, bëhet pjesëmarrës i jetës së re në Krishtin
e Ngjallur dhe merr të njëjtin Shpirt të Hyjit që ka ngjallur Jezusin
prej të vdekurve (krh. Rom 8,11). Kjo dhuratë falas duhet të
gjallërohet gjithmonë në secilin prej nesh dhe Kreshmët na japin një
itinerar të ngjashëm me katekumenatin, që për të krishterët e Kishës së
hershme, ashtu si edhe për katekumenët e sotëm, është një shkollë e
pazëvendësueshme feje dhe jete të krishterë: me të vërtetë ata e jetojnë
Pagëzimin si një akt vendimtar për gjithë ekzistencën e tyre.
2. Për ta ndërmarrë seriozisht ecjen
drejt Pashkëve dhe për t’u përgatitur që të kremtojmë Ngjalljen e
Zotërisë – festa më e gëzueshme dhe solemne e gjithë Vitit liturgjik –
çfarë mund të ketë më të përshtatshme se sa ta lëmë veten të drejtohemi
prej Fjalës së Hyjit? Prandaj Kisha, në tekstet ungjillore të të dielave
të Kreshmëve, na prin në një takim veçanërisht të dendur me Zotërinë,
duke na bërë të përshkojmë etapat e ecjes së fillimit të krishterë: për
katekumenët, në perspektivën e marrjes së Sakramentit të rilindjes, për
ata që janë të pagëzuar, në pritje të hapave të reja e vendimtare në
ndjekjen e Krishtit dhe në dhurimin më të plotë Atij.
E diela e parë e itinerarit kreshmor vë
në dukje gjendjen tonë si njerëz mbi këtë tokë. Beteja fitimtare kundër
tundimeve, që i jep fillesë misionit të Krishtit, është një ftesë për
t’u vetëdijësuar për brishtësinë tonë që ta pranojmë Hirin i cili liron
prej mëkatit dhe jep një forcë të re në Krishtin, udhë, të vërtetën dhe
jetën (krh. Ordo Initiationis Christianae Adultorum, nr. 25).
Është një thirrje e vendosur për të kujtuar se feja e krishterë, sipas
shembullit të Krishtit dhe në bashkim me Të, bart në vetvete një luftë
“kundër sulmuesve të kësaj bote të errët” (Ef 6,12), në të cilën
djalli është në veprim dhe nuk lodhet, as sot, duke e tunduar njeriun i
cili dëshiron t’i afrohet Zotit: Krishti del prej saj fitimtar, për ta
hapur edhe zemrën tonë ndaj shpresës dhe për të na udhëhequr në fitoren
kundër tundimeve të të keqes.
Ungjilli i Shndërrimit të Zotit vë para
syve tanë lavdinë e Krishtit, që hershon ngjalljen dhe që lajmëron
hyjnizimin e njeriut. Bashkësia e krishterë ndërgjegjësohet se, sikurse
apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon, çohet “në vetmi në një mal të lartë” (Mk
17,1), për ta pranuar përsëri në Krishtin, si bij në Birin, dhuratën e
Hirit të Hyjit: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër.
Atë dëgjojeni!” (rr. 5). Është ftesa për t’u larguar prej zhurmës së
përditshme që të zhytemi në praninë e Hyjit: Ai dëshiron të na përçojë,
çdo ditë, një Fjalë që depërton në thellësitë e shpirtit tonë, ku dallon
të mirën dhe të keqen (krh. Heb 4,12) dhe forcon vullnetin për të
ndjekur Zotin.
Kërkesa e Jezusit drejtuar Samaritanes:
“Më jep të pi!” (Gjn 4,7), që propozohet në liturgjinë e të
dielës së tretë, shpreh pasionin e Hyjit për çdo njeri dhe dëshiron të
ngjallë në zemrën tonë dëshirën e dhuratës së “burimit në rrjedhën e
jetës së pasosur” (rr. 14): është dhurata e Shpirtit Shenjt, që i bën të
krishterët “adhurues të vërtetë” në gjendje që t’i luten Atit “në shpirt
dhe në të vërtetë” (rr. 23). Vetëm ky ujë mund ta shuajë etjen tonë për
të mirën, të vërtetën dhe bukurinë! Vetëm ky ujë, që na është dhuruar
prej Hyjit, ujit shkretëtirat e shpirtit të paqetë e të pakënaqur,
“derisa të mos pushojë në Hyjin”, sipas fjalëve të njohura të shën
Agustinit.
“E diela e të verbrit të lindur i verbër”
paraqet Krishtin si dritë të botës. Ungjilli i bën thirrje secilit prej
nesh: “A beson ti në Birin e njeriut?”. “Besoj, o Zot!” (Gjn
9,35.38), pohon me besim i verbri i lindur i verbër, duke u bërë zëri i
çdo besimtari. Mrekullia e shërimit është shenja se Krishti, së bashku
me dritën e syve, dëshiron të hapë vështrimin tonë të brendshëm, që feja
jonë të bëhet gjithnjë e më e thellë dhe të mund të njohë në Të të
vetmin Shëlbues tonin. Ai i ndriçon të gjitha errësirat e jetës dhe e
bën njeriun të jetojë si “bir i dritës”.
Kur, të dielën e pestë, na shpallet
ngjallja e Lazrit, vihemi përballë misterit të fundit të ekzistencës
sonë: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta... A e beson ti këtë?” (Gjn
11,25-26). Për bashkësinë e krishterë është momenti që, së bashku me
Martën, me sinqeritet ta vënë shpresën e tyre në Jezusin e Nazaretit:
“Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të
vijë në botë!” (rr. 27). Bashkimi me Krishtin në këtë jetë na përgatit
të kapërcejmë kufirin e vdekjes, për të jetuar pa fund në Të. Feja në
ngjalljen e të vdekurve dhe shpresa e jetës së pasosur e hapin
vështrimin tonë mbi kuptimin e fundit të ekzistencës sonë: Hyji e ka
krijuar njeriun për ngjalljen dhe për jetën, dhe kjo e vërtetë i jep
përmasën e përnjëmendtë dhe përfundimtare historisë së njerëzve,
ekzistencës së tyre personale dhe jetës së tyre shoqërore, kulturës,
politikës, ekonomisë. Pa dritën e fesë e tërë gjithësia përfundon e
mbyllur brenda një varri pa të ardhme, pa shpresë.
Itinerari kreshmor e gjen plotësinë e vet
në Treditëshin e Pashkëve, veçanërisht në Vigjiljen e Madhe Natën e
Shenjtë: duke përtërirë premtimet pagëzimore, dëshmojmë se Krishti është
Zoti i jetës sonë, i asaj jete që Hyji na ka komunikuar kur kemi
rilindur “prej ujit dhe prej Shpirtit Shenjt”, dhe ripohojmë angazhimin
tonë të patundur për t’iu përgjigjur veprimit të Hirit që të jemi nxënës
të tij.
3. Zhytja jonë në vdekjen dhe ngjalljen e
Krishtit nëpërmjet Sakramentit të Pagëzimit na nxit çdo ditë ta lirojmë
zemrën tonë prej peshës së gjërave materiale, prej një lidhjeje egoiste
me “tokën”, që na varfëron dhe na pengon të jemi të gatshëm e të hapur
ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit. Në Krishtin, Hyji është zbuluar si
Dashuri (krh. 1Gjn 4,7-10). Kryqi i Krishtit, “fjala e Kryqit”
shfaq fuqinë shëlbuese të Hyjit (krh. 1Kor 1,18), që dhurohet për
ta ringritur njeriun dhe për t’i sjellë atij shëlbimin: dashuri në
formën e vet më rrënjësore (krh. Enc. Deus caritas est, 12).
Nëpërmjet praktikave tradicionale të agjërimit, të lëmoshës dhe të
lutjes, shprehje të angazhimit për kthim, Kreshmët na edukojnë ta
jetojmë në mënyrë gjithnjë e më rrënjësore dashurinë e Krishtit.
Agjërimi, që mund të ketë motivime të ndryshme, merr për të
krishterin një domethënie thellësisht fetare: duke e bërë më të varfër
sofrën tonë mësojmë ta kapërcejmë egoizmin për të jetuar në logjikën e
dhurimit e të dashurisë; duke duruar privimin nga ndonjë gjë – dhe jo
vetëm nga gjërat e tepërta – mësojmë ta heqim vështrimin prej “unit”
tonë, për të zbuluar Dikë pranë nesh dhe për të njohur Hyjin në fytyrat
e shumë vëllezërve tanë. Për të krishterin agjërimi nuk është një
mbyllje në vetvete, por e hap atë më shumë ndaj Hyjit e ndaj nevojave të
njerëzve, dhe bën që dashuria për Hyjin të jetë edhe dashuri për të
afërmin (krh. Mk 12,31).
Në ecjen tonë gjendemi edhe përballë
tundimit të pasjes, të lakmisë për para, që rrezikon parësinë e Hyjit në
jetën tonë. Lakmia për të pasur shkakton dhunë, arrogancë e vdekje; për
këtë arsye Kisha, veçanërisht në kohën e Kreshmëve, bën thirrje për
praktikimin e lëmoshës, pra, për aftësinë e bashkëndarjes. Ndërsa
idhujtaria e pasurive, jo vetëm që e largon prej tjetrit, por edhe e
zhvesh njeriun, e bën të palumtur, e mashtron, e gënjen pa e realizuar
atë që premton, sepse i vë gjërat materiale në vendin e Hyjit, të vetmit
burim të jetës. Si mund ta kuptojmë mirësinë atërore të Hyjit nëse zemra
është plot me veten tonë dhe me planet tona, me të cilat mendojmë se
mund të sigurojmë të ardhmen? Tundimi është që të mendojmë sikurse i
pasuri i shëmbëlltyrës: “Shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë
vjet...”. Njohim gjykimin e Zotit: “I marrë! Pikërisht sonte, në këtë
natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje...” (Lk 12,19-20).
Praktikimi i lëmoshës është një thirrje në parësinë e Hyjit dhe në
vëmendjen ndaj tjetrit, për ta rizbuluar Atin tonë dhe për të marrë
mëshirën e tij.
Në gjithë periudhën kreshmore, Kisha na e
ofron me begati të veçantë Fjalën e Hyjit. Duke e medituar dhe duke e
përvetësuar atë që ta jetojmë përditë, mësojmë një formë të çmueshme dhe
të pazëvendësueshme të lutjes, sepse dëgjimi i vëmendshëm i
Hyjit, që vazhdon t’i flasë zemrës sonë, e ushqen ecjen e fesë që kemi
filluar ditën e Pagëzimit. Lutja na lejon edhe të fitojmë një konceptim
të ri të kohës: në të vërtetë, pa perspektivën e amshimit dhe të
transhendencës, ajo thjesht i ndan hapat tanë drejt një horizonti që nuk
ka të ardhme. Kurse në lutje gjejmë kohë për Hyjin, për të mësuar se
“fjalët e tij nuk do të kalojnë” (krh. Mk 13,31), për të hyrë në
atë bashkim intim me Të “që askush nuk do të mund të na e heqë” (krh.
Gjn 16,22) dhe që na hap ndaj shpresës që nuk gënjen, ndaj jetës së
amshuar.
Si përmbledhje, itinerari kreshmor, në të
cilin jemi të ftuar të sodisim Misterin e Kryqit, do të thotë “të bëhem
i ngjashëm me Të në vdekjen e tij” (Fil 3,10), për të aktualizuar
një kthim të thellë të jetës sonë: ta lëmë veten të shndërrohemi
prej veprimit të Shpirtit Shenjt, sikurse shën Pali në rrugën e
Damaskut; ta orientojmë me vendosmëri ekzistencën tonë sipas vullnetit
të Hyjit; të lirohemi prej egoizmit tonë, duke e kapërcyer instinktin e
sundimit mbi të tjerët dhe duke iu hapur dashurisë së Krishtit. Periudha
kreshmore është një moment i favorshëm për ta pranuar dobësinë tonë, për
ta pranuar, me një rishikim të sinqertë të jetës, Hirin përtëritës të
Sakramentit të Pendesës dhe për të ecur me vendosmëri drejt Krishtit.
Të dashur vëllezër e motra, nëpërmjet
takimit personal me Shëlbuesin tonë dhe nëpërmjet agjërimit, lëmoshës e
lutjes, ecja e kthimit drejt Pashkëve na bën të rizbulojmë Pagëzimin
tonë. Le ta përtërijmë në këto Kreshme pranimin e Hirit që Hyji na ka
dhuruar në atë moment, që t’i ndriçojë e t’i udhëheqë të gjitha veprimet
tona. Atë që Sakramenti tregon dhe realizon, jemi të thirrur ta jetojmë
çdo ditë në një ndjekje të Krishtit gjithnjë e më zemërgjerë e të
përnjëmendtë. Në këtë itinerar tonin, i besohemi Virgjërës Mari, që ka
lindur Fjalën e Hyjit në fe e në trup, për t’u zhytur sikurse Ajo në
vdekjen e ngjalljen e Birit të saj Jezusit e për të pasur jetën e
pasosur.
Prej Vatikanit, 4 nëntor 2010
titujt kryesorë
|
|