|
|
E vërteta, kumtimi dhe përnjëmendësia e
jetës në epokën digjitale
5
qershor 2011
Të dashur vëllezër e motra,
me rastin e Ditës XLV Botërore të
Komunikimeve Shoqërore, dëshiroj të bashkëndaj disa reflektime, të
motivuara nga një dukuri karakteristike e kohës sonë: përhapja e
komunikimit nëpërmjet rrjetit internet. Është gjithnjë e më e
përhapur bindja se, sikurse revolucioni industral ka prodhuar një
ndryshim të thellë në shoqëri nëpërmjet risive të sjella në ciklin
prodhues e në jetën e punëtorëve, ashtu edhe sot shndërrimi i thellë që
po ndodh në fushën e komunikimeve udhëheq fluksin e ndryshimeve të mëdha
kulturore e shoqërore. Teknologjitë e reja nuk janë duke ndryshuar vetëm
mënyrën e të komunikuarit, por edhe komunikimin në vetvete, prandaj mund
të pohohet se gjendemi përballë një shndërrimi të gjerë kulturor. Me
këtë mënyrë të përhapjes së informacioneve dhe njohjeve, është duke
lindur një mënyrë e re e të mësuarit dhe e të menduarit, me mundësi të
pazakonshmem për të vendosur marrëdhënie e për të ndërtuar bashkim.
Paraqiten pikësynime që deri pak kohë më
parë ishin të pamendueshme, që ngjallin mahnitje për mundësitë e ofruara
prej mjeteve të reja dhe, në të njëjtën kohë, imponojnë në mënyrë
gjithnjë e më nxitëse një reflektim serioz mbi kuptimin e komunikimit në
epokën digjitale. Kjo është veçanërisht e dukshme kur përballemi me
potencialitetet e jashtëzakonshme të rrjetit internet dhe me
kompleksitetin e aplikimeve të tij. Si çdo fryt tjetër i gjenisë
njerëzore, teknologjitë e reja të komunikimit kërkojnë që të vihen në
shërbim të të mirës së tërësishme të personit dhe të krejt njerëzimit.
Nëse përdoren me urti, ato mund të ndihmojnë për të plotësuar dëshirën
për kuptim, të vërtetë dhe njësi që mbetet aspirata më e thellë e qenies
njerëzore.
Në botën digjitale, të transmetosh
informacione do të thotë gjithnjë e më shpesh t’i vësh ato në një rrjet
shoqëror, ku njohja bashkëndahet në mjedisin e shkëmbimeve personale.
Dallimi i qartë mes prodhuesit e konumatorit të informacionit
relativizohet dhe komunikimi do të donte të ishte jo vetëm një shkëmbim
të dhënash, por gjithnjë e më shumë edhe bashkëndarje. Kjo dinamikë i ka
sjellë ndihmesën e vet një vlerësimi të përtërirë të komunikimit, të
konsideruar para së gjithash si dialog, shkëmbim, solidaritet dhe krijim
i marrëdhënieve pozitive. Nga ana tjetër, kjo ndeshet me disa kufij
tipikë të komunikimit digjital: njëanshmërinë e ndërveprimit, prirjen
për të komunikuar vetëm disa pjesë të botës sonë të brendshme, rrezikun
për të rënë në njëfarë ndërtimi të imazhit të vetvetes, që mund të çojë
në vetëkënaqësi.
Sidomos të rinjtë janë duke e jetuar këtë
ndryshim të komunikimit, me të gjitha ankthet, kundërshtitë dhe
krijimtarinë karakteristike të atyre që u hapen me entuziazëm dhe
kureshtje përvojave të reja të jetës. Përfshirja gjithnjë e më e madhe
në arenën publike digjitale, ajo e krijuar prej të ashtuquajturve
social net§ork, bën që të caktohen forma të reja marrëdhëniesh
ndërpersonale, ndikon në perceptimin e vetvetes dhe prandaj, në mënyrë
të pashmangshme, shtron çështjen jo vetëm të korrektësisë së të
vepruarit tonë, por edhe të përnjëmendësisë së të qenit tonë. Prania në
këto hapësira virtuale mund të jetë shenjë e një kërkimi të përnjëmendtë
të takimit personal me tjetrin nëse bëhet kujdes që të shmangen rreziqet,
sikurse strehimi në njëfarë bote paralele, apo ekspozimi i tepruar ndaj
botës virtuale. Në kërkimin e bashkëndarjes, të “miqësive”, gjendemi
përballë sfidës së të qenit të përnjëmendtë, besnikë ndaj vetvetes, pa i
hapur udhë iluzionit për ta ndërtuar në mënyrë artificiale “profilin”
tonë publik.
Teknologjitë e reja i lejojnë personat të
takohen përtej kufijve të hapësirës dhe të vetë kulturave, duke përuruar
kështu krejt një botë të re miqësish të mundshme. Kjo është një mundësi
e madhe, por kërkon edhe një vëmendje më të madhe dhe një ndërgjegjësim
ndaj rreziqeve të mundshme. Kush është “i afërmi” im në këtë botë të re?
A ekziston rreziku që të jemi më pak të pranishëm ndaj atyre që takojmë
në jetën tonë të përditshme të zakonshme? A ekziston rreziku që të jemi
më të habitur, sepse vëmendja jonë është fragmentare dhe e zhytur në një
botë “të ndryshme” në krahasim me atë në të cilën jetojmë? A kemi kohë
për të reflektuar në mënyrë kritike mbi zgjedhjet tona dhe për të
ushqyer marrëdhënie njerëzore që janë vërtet të thella e që zgjasin në
kohë? Është e rëndësishme të kujtojmë gjithmonë se kontakti virtual nuk
mund dhe nuk duhet ta zëvendësojë kontaktin njerëzor të drejtpërdrejtë
me personat në të gjitha nivelet e jetës sonë.
Edhe në epokën digjitale, secili është i
vënë përballë nevojës për të qenë person i përnjëmendtë dhe reflektiv.
Në fund të fundit, dinamikat e social net§ork-eve tregojnë se një
person është gjithmonë i përfshirë në atë që komunikon. Kur personat
shkëmbejnë informacione, janë duke bashkëndarë vetveten, vizionin e tyre
mbi botën, shpresat e tyre, idealet e tyre. Prej kësaj del se ekziston
një stil i krishterë i pranisë edhe në botën digjitale: ai konkretizohet
në një formë komunikimi të ndershëm e të hapur, të përgjegjshëm e
respektues ndaj tjetrit. Të komunikosh Ungjillin nëpërmjet mediave
të reja do të thotë jo vetëm të shtiesh përmbajtje haptazi fetare në
platformat e mjeteve të ndryshme, por edhe të dëshmosh me koherencë, në
profilin tënd digjital dhe në mënyrën e të komunikuarit, zgjedhje,
parapëlqime, gjykime që janë thellësisht koherente me Ungjillin, edhe
kur për të nuk flitet në formë të drejtpërdrejtë. Në fund të fundit,
edhe në botën digjitale nuk mund të ketë kumtim të një mesazhi pa një
dëshmi koherente nga ana e atij që kumton. Në kontekstet e reja dhe me
format e reja të shprehjes, i krishteri është edhe një herë i thirrur
t’i japë përgjigje secilit që kërkon arsyen e shpresës që është në të
(krh. 1 Pjt 3,15).
Angazhimi për një dëshmi ndaj Ungjillit në
epokën digjitale u kërkon të gjithëve që të jenë veçanërisht të
vëmendshëm ndaj aspekteve të këtij mesazhi që mund të sfidojnë disa
logjika tipike të §eb-it. Para së gjithash duhet të jemi të
vetëdijshëm se e vërteta që kërkojmë të bashkëndajmë nuk e merr vlerën e
vet nga “popullariteti” i vet apo nga sasia e vëmendjes që merr. Duhet
ta bëjmë të njohur në tërësinë e saj, në vend që të mundohemi ta bëjmë
të pranueshme, ndoshta “duke e zbutur”. Duhet të bëhet ushqim i
përditshëm dhe jo tërheqje e një momenti. E vërteta e Ungjillit nuk
është diçka që mund të jetë objekt konsumi, apo i përdorimit
sipërfaqësor, por është dhuratë që kërkon një përgjigje të lirë. Ajo,
megjithëse e shpallur në hapësirën virtuale të rrjetit, kërkon gjithmonë
që të mishërohet në botën reale dhe në marrëdhënie me fytyrat konkrete
të vëllezërve e të motrave me të cilët bashkëndajmë jetën e përditshme.
Prandaj mbeten themelore marrëdhëniet njerëzore të drejtpërdrejta në
përçimin e fesë!
Sidoqoftë, do të doja t’i ftoja të
krishterët të bashkohen me besim dhe me vetëdije e krijimtari të
përgjegjshme në rrjetin e marrëdhënieve që epoka digjitale ka bërë të
mundur. Jo thjesht për të kënaqur dëshirën që të jenë të pranishëm, por
sepse ky rrjet është pjesë përbërëse e jetës njerëzore. °eb-i
është duke ndihmuar në zhvillimin e formave të reja dhe më komplekse të
ndërgjegjes intelektuale e shpirtërore, të vetëdijes së bashkëndarë.
Edhe në këtë fushë jemi të thirrur të kumtojmë fenë tonë se Krishti
është Hyj, Shëlbuesi i njeriut dhe i historisë. Ai në të cilin të gjitha
gjërat arrijnë plotësinë e tyre (krh. Ef 1,10). Shpallja e
Ungjillit kërkon një formë respektuese dhe të matur të komunikimit, që
nxit zemrën dhe lëviz ndërgjegjen; një formë që kujton stilin e Jezusit
të ngjallur kur u bë shok në udhëtimin e nxënësve të Emausit (krh. Lk
24,13-35), të cilët u çuan gradualisht në kuptimin e misterit nëpërmjet
afrimit të tij, dialogimit të tij me ta, nxjerrjes në pah me delikatesë
të asaj që gjendej në zemrën e tyre.
E vërteta që është Krishti, në fund të
fundit, është përgjigjja e plotë dhe e përnjëmendtë ndaj asaj dëshire
njerëzore për marrëdhënie, për kkomunikim dhe për kuptim që del edhe në
pjesëmarrjen e madhe në social net§ork-ët e ndryshëm. Besimtarët,
duke dëshmuar bindjet e tyre më të thella, japin një ndihmesë të
çmueshme që §eb-i të mos bëhet një mjet që i kthen personat në
kategori, që kërkon t’i manipulojë ata emotivisht apo që u lejon atyre
që janë të fuqishëm të monopolizojnë opinionet e të tjerëve. Përkundrazi,
besimtarët i nxisin të gjithë që t’i mbajnë të gjalla pyetjet e amshuara
të njeriut, që dëshmojnë dëshirën e tij për transhendencë dhe mallin për
format e jetës së përnjëmendtë, të denjë për t’u jetuar. Pikërisht ky
tension shpirtëror karakteristik njerëzor gjendet pas etjes sonë për të
vërtetën e për bashkimin dhe na nxit të komunikojmë me integritet e
ndershmëri.
I ftoj sidomos të rinjtë ta përdorin mirë
praninë e tyre në arenën digjitale. Përsëris takimin tim në Ditën e
ardhshme Botërore të Rinisë në Madrid, përgatitja e të cilës i detyrohet
shumë mbështetjes së teknologjive të reja. Për vepruesit e komunikimit
kërkoj prej Hyjit, me ndërmjetësinë e Pajtorit shën Françeskut të
Salezit, aftësinë që ta kryejnë gjithmonë punën e tyre me ndërgjegje të
madhe dhe me profesionalitet ndershëm, ndërsa të gjithëve ju dërgoj
Bekimin tim Apostolik.
Prej Vatikanit, 24 janar 2011, Festa e
shën Françeskut të Salezit
BENEDIKTUS
PP. XVI
tituj kryesorë |
|