|
|
||
|
|
MESAZHI I SHENJTËRISË SË TIJ BENEDIKTI XVI PËR KREMTIMIN E DITËS BOTËRORE TË PAQES 1 JANAR 2009 TË LUFTOJMË VARFËRINË, TË NDËRTOJMË PAQEN
1. Edhe në fillim të këtij viti të ri dëshiroj t’ju dërgoj të gjithëve urimin tim të paqes dhe t’ju ftoj, me anë të këtij Mesazhi, që të reflektoni mbi temën: Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen. Edhe paraardhësi im i nderuar Gjon Pali II, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes të vitit 1993, kishte theksuar pasojat negative që situata e varfërisë së popullsive të tëra arrin të ketë mbi paqen. Faktikisht, varfëria rezulton shpesh ndër faktorët që favorizojnë apo rëndojnë konfliktet, edhe të armatosura. Nga ana e tyre, këta të fundit ushqejnë situata tragjike varfërie. «Po përhapet... dhe po bëhet gjithnjë e më i rëndë në botë – shkruante Gjon Pali II – një tjetër kërcënim për paqen: shumë persona, madje, popullsi të tëra jetojnë sot në kushte varfërie të skajshme. Pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve është bërë më e dukshme, edhe në kombet ekonomikisht më të zhvilluara. Bëhet fjalë për një problem që i shtrohet ndërgjegjes së njerëzimit, meqenëse kushtet në të cilat gjendet një numër i madh personash janë të tilla që e cenojnë dinjitetin natyror dhe, si pasojë, rrezikojnë përparimin e njëmendtë dhe harmonik të bashkësisë botërore»[1]. 2. Në këtë kontekst, të luftuarit e varfërisë kërkon një shqyrtim të vëmendshëm të dukurisë komplekse të globalizimit. Ky shqyrtim është i rëndësishëm edhe nga këndvështrimi metodologjik, sepse na sugjeron ta përdorim frytin e kërkimeve të bëra prej ekonomistëve dhe sociologëve mbi shumë aspekte të varfërisë. Por, thirrja për globalizim do të duhej të marrë edhe një domethënie shpirtërore e morale, duke bërë nxitje që t’i shohim të varfrit në perspektivën e vetëdijshme se jemi të gjithë pjesë e një plani të vetëm hyjnor, ai i thirrjes për të ndërtuar një familje të vetme në të cilën të gjithë – individët, popujt e kombet – i rregullojnë sjelljet e tyre duke u mbështetur në parimet e vëllazërisë dhe të përgjegjësisë. Në këtë perspektivë, duhet të kemi një vizion të gjerë dhe të qartë të varfërisë. Sikur varfëria të ishte vetëm materiale, shkencat shoqërore që na ndihmojnë t’i masim dukuritë në bazë të të dhënave të tipit sidomos sasior, do të ishin të mjaftueshme për t’i ndriçuar karakteristikat e saj kryesore. Por, e dimë se ekzistojnë varfëri jomateriale, që nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë dhe automatike e mangësive materiale. Për shembull, në shoqëritë e pasura e të përparuara ekzistojnë dukuri të mënjanimit, të varfërisë marrëdhënore, morale e shpirtërore: bëhet fjalë për persona të çorientuar përbrenda, që jetojnë forma të ndryshme ngushtice pavarësisht prej mirëqenies ekonomike. Mendoj, nga njëra anë, për atë që quhet “nënzhvillimi moral”[2] dhe, nga ana tjetër, për pasojat negative të “superzhvillimit”[3]. Nuk harroj pastaj që, në shoqëritë e ashtuquajtura “të varfra”, rritja ekonomike shpesh frenohet prej pengesave kulturore, që nuk mundësojnë një përdorim të përshtatshëm të burimeve. Megjithatë është e vërtetë që çdo formë e diktuar varfërie ka në rrënjët e veta mungesën e respektimit të dinjitetit transhendent të personit njerëzor. Kur njeriu nuk vlerësohet në tërësinë e thirrjes së tij dhe nuk respektohen kërkesat e një “ekologjie njerëzore”[4] të vërtetë, shpërthejnë edhe dinamikat e mbrapshta të varfërisë, siç është e dukshme në disa fusha mbi të cilat do ta përqendroj për pak çaste vëmendjen time.
Varfëria dhe ndërlikimet morale 3. Varfëria shpesh lidhet, si ta kishte shkak të vetin, me zhvillimin demografik. Si pasojë e kësaj, janë në veprim fushatat e pakësimit të lindjeve, të cilat bëhet në nivel ndërkombëtar, edhe me metoda që nuk respektojnë as dinjitetin e gruas as të drejtën e bashkëshortëve për të zgjedhur në mënyrë të përgjegjshme numrin e bijve[5] dhe shpesh, gjë edhe më e rëndë, që nuk respektojnë as të drejtën për jetë. Shfarosja e miliona fëmijëve të palindur, në emër të luftës ndaj varfërisë, përbën në realitet zhdukjen e më të varfërve ndër qeniet njerëzore. Përballë kësaj mbetet fakti se, në vitin 1981, rreth 40% e popullsisë botërore ishte nën vijën e varfërisë absolute, ndërsa sot, kjo përqindje në thelb është përgjysmuar, dhe kanë dalë prej varfërisë popullsi të karakterizuara, ndër të tjera, prej një shtimi të ndjeshëm demografik. E dhëna e lartpërmendur vë në dukje se burimet për të zgjidhur problemin e varfërisë ekzistojnë, edhe në prani të një rritjeje të popullsisë. As nuk duhet harruar se, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore deri sot, popullsia e tokës është rritur me katër miliardë dhe, në një masë të gjerë, ky fenomen u përket vendeve që kohët e fundit janë shfaqur në skenën ndërkombëtare si fuqi të reja ekonomike dhe kanë njohur një zhvillim të shpejtë të vetin falë numrit të lartë të banorëve të tyre. Veç kësaj, ndër Kombet më të zhvilluara ato që kanë treguesit më të mëdhenj të lindshmërisë gëzojnë potencialitetet më të mira të zhvillimit. Me fjalë të tjera, popullsia është duke u paraqitur si një pasuri dhe jo si një faktor varfërie. 4. Një fushë tjetër shqetësuese janë sëmundjet pandemike si për shembull, malarja, tuberkulozi dhe SIDA, që, në masën me të cilën godasin sektorët prodhues të popullsisë, ndikojnë së tepërmi në përkeqësimin e kushteve të përgjithshme të Vendit. Përpjekjet për t’i frenuar pasojat e këtyre sëmundjeve mbi popullsinë jo gjithmonë arrijnë rezultate domethënëse. Veç kësaj, ndodh që Vendet viktima të disa prej këtyre pandemive, për t’u bërë ballë atyre, u duhet të pësojnë shantazhet e atyre që kushtëzojnë ndihmat ekonomike me zbatimin e politikave kundër jetës. Është sidomos e vështirë të luftohet SIDA, shkak dramatik varfërie, nëse nuk trajtohen problematikat morale me të cilat është e lidhur përhapja e virusit. Para së gjithash duhet të marrim përsipër fushata që edukojnë veçanërisht të rinjtë për një seksualitet që i përgjigjet plotësisht dinjitetit të personit; nismat e bëra në këtë drejtim tashmë kanë dhënë fryte domethënëse, duke bërë që të pakësohet përhapja e SIDA-s. Pastaj duhet të vihen në dispozicion edhe të popujve të varfër ilaçet dhe kurat e nevojshme; kjo supozon një nxitje të vendosur të kërkimit mjekësor dhe të risive terapeutike si dhe, kur është e nevojshme, një zbatim të arsyeshëm të rregullave ndërkombëtare të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, që t’u garantojë të gjithëve kurat shëndetësore bazë. 5. Një fushë e tretë, objekt i vëmendjes së programeve të luftës kundër varfërisë dhe që tregon përmasën e saj të brendshme morale, është varfëria e fëmijëve. Kur varfëria godet familjen, fëmijët janë viktimat më të ndjeshme: gati gjysma e atyre që sot jetojnë në varfëri absolute janë fëmijë. Shqyrtimi i varfërisë duke u vënë nga ana e fëmijëve na bën t’i mbajmë si parësore ato objektiva që kanë të bëjnë me ta më drejtpërdrejt, si për shembull, kujdesi për nënat, angazhimi edukativ, mundësia e vaksinimeve, e kurave mjekësore dhe e ujit të pijshëm, mbrojtja e mjedisit dhe, sidomos, angazhimi në mbrojtje të familjes dhe të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve brenda saj. Kur familja dobësohet dëmet bien në mënyrë të pashmangshme mbi fëmijët. Aty ku nuk mbrohet dinjiteti i gruas dhe i nënës, ata që e pësojnë janë përsëri kryesisht bijtë. 6. Një fushë e katërt që, nga këndvështrimi moral, meriton një vëmendje të veçantë është marrëdhënia që ekziston mes çarmatosjes dhe zhvillimit. Ngjall shqetësim niveli aktual global i shpenzimeve ushtarake. Siç kam pasur rastin të theksoj edhe më parë, ndodh që «burimet e pamasa materiale dhe njerëzore që përdoren për shpenzimet ushtarake dhe për armatimet hiqen faktikisht prej projekteve të zhvillimit të popujve, veçanërisht të atyre më të varfër dhe që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Dhe kjo shkon kundër asaj që pohon vetë Karta e Kombeve të Bashkuara, që e angazhon bashkësinë ndërkombëtare, dhe shtetet në veçanti, “për të nxitur vendosjen dhe ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare me harxhimin minimal të burimeve njerëzore e ekonomike botërore për armatimet” (neni 26)»[6]. Kjo gjendje nuk e lehtëson, madje e pengon seriozisht arritjen e objektivave të mëdha të zhvillimit të bashkësisë ndërkombëtare. Veç kësaj, një rritje e tepruar e shpenzimeve ushtarake rrezikon të përshpejtojë garën e armatimeve që shkakton nënzhvillim dhe dëshpërim, duke u shndërruar kështu në mënyrë paradoksale në faktor paqëndrueshmërie, tensioni dhe konfliktesh. Siç ka pohuar me mençuri Paraardhësi im i nderuar Pali VI, «zhvillimi është emri i ri i paqes»[7]. Prandaj, Shtetet janë të thirrur për një reflektim serioz mbi arsyet e thella të konflikteve, shpesh të ndezura prej padrejtësisë, dhe për të marrë masa me një autokritikë të guximshme. Nëse do të arrihet në një përmirësim të marrëdhënieve, kjo do të duhej të lejonte një pakësim të shpenzimeve për armatimet. Burimet e kursyera mund të adresohen për projekte zhvillimi të personave dhe të popujve më të varfër e në nevojë: angazhimi bujar në këtë drejtim është një angazhim për paqen brenda familjes njerëzore. 7. Një fushë e pestë në luftën ndaj varfërisë materiale është kriza aktuale ushqimore, që rrezikon plotësimin e nevojave bazë. Kjo krizë karakterizohet jo aq prej pamjaftueshmërisë së ushqimit, sa prej vështirësisë për ta arritur atë dhe prej dukurive spekulative dhe pra, prej mungesës së një sistemi institucionesh politike e ekonomike në gjendje për të përballuar nevojat dhe ngutshmëritë. Të kequshqyerit mund t’u shkaktojë popullsive edhe dëme të rënda psikofizike, duke privuar shumë persona prej energjive të nevojshme për të dalë, pa ndihma të veçanta, prej situatës së tyre të varfërisë. Dhe kjo ndihmon për ta zgjeruar gërshërën e pabarazive, duke shkaktuar reagime që rrezikojnë të bëhen të dhunshme. Të gjitha të dhënat mbi ecurinë e varfërisë në dhjetëvjeçarët e fundit tregojnë një shtim të dallimit mes të pasurve dhe të varfërve. Shkaqet kryesore të kësaj dukurie janë pa dyshim, nga njëra anë, ndryshimi teknologjik, dobitë e të cilit përqendrohen në zonën më të lartë të shpërndarjes së të ardhurave dhe, nga ana tjetër, dinamika e çmimeve të prodhimeve industriale, që rriten shumë më shpejt se çmimet e prodhimeve bujqësore dhe të lëndëve të para që zotërojnë vendet më të varfra. Kështu, pjesa më e madhe e popullsisë së vendeve më të varfra vuan prej një mënjanimi të dyfishtë, qoftë në të ardhura më të ulta, qoftë në çmime më të larta. Lufta ndaj varfërisë dhe solidariteti global 8. Njëra prej rrugëve kryesore për ndërtimin e paqes është globalizimi që ka për qëllim interesat e familjes së madhe njerëzore[8]. Por, për ta qeverisur globalizimin nevojitet një solidaritet global[9] i fortë mes Vendeve të pasura dhe Vendeve të varfra, si dhe brenda secilit Vend, edhe pse i pasur. Është i nevojshëm një «kod etik i përbashkët»[10], normat e të cilit nuk kanë vetëm një karakter konvencional, por janë të rrënjosura në ligjin natyror të vendosur prej Krijuesit në ndërgjegjen e çdo qenieje njerëzore (krh. Rom 2, 14-15). A nuk e ndien secili prej nesh në thellësinë e ndërgjegjes thirrjen që të japë ndihmesën e vet për të mirën e përbashkët dhe për paqen shoqërore? Globalizimi zhduk disa pengesa, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndërtojë disa pengesa të reja; i afron popujt, por afërsia hapësinore dhe kohore nuk krijon në vetvete kushtet për një bashkim të vërtetë dhe një paqe të përnjëmendtë. Mënjanimi i të varfërve të planetit mund të gjejë mjete të vlefshme shpërblimi në globalizim vetëm nëse çdo njeri do të ndihet personalisht i plagosur prej padrejtësive që ekzistojnë në botë dhe prej shkeljeve të të drejtave njerëzore të lidhura me to. Kisha, që është «shenjë dhe mjet i bashkimit intim me Hyjin dhe i njësisë së mbarë gjinisë njerëzore»[11], do të vazhdojë ta japë ndihmesën e vet me qëllim që të kapërcehen padrejtësitë e moskuptimet dhe që të ndërtohet një botë më paqësore dhe solidare. 9. Në fushën e tregtisë ndërkombëtare dhe të ujdive financiare, sot janë në veprim procese që mundësojnë integrimin pozitiv të ekonomive, duke ndihmuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme; por ka edhe procese në drejtimin e kundërt, që i ndajnë dhe i mënjanojnë popujt, duke krijuar një kusht të rrezikshme paraprak për luftra dhe konflikte. Në dhjetëvjeçarët pas Luftës së Dytë Botërore, tregtia ndërkombëtare e të mirave dhe e shërbimeve është rritur në mënyrë jashtëzakonisht të shpejtë, me një dinamizëm të pashoq në histori. Një pjesë e madhe e tregtisë botërore u përket Vendeve me industrializim të hershëm, duke u shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe shumë Vende të reja, që janë bërë të rëndësishëm. Por ka Vende të tjera me të ardhura të ulta, që rezultojnë ende shumë të mënjanuar në lidhje me flukset tregtare. Rritja e tyre është ndikuar negativisht prej rënies së shpejtë, regjistruar në dhjetëvjeçarët e fundit, të çmimeve të prodhimeve parësore, që përbëjnë pothuajse tërësinë e eksportimeve të tyre. Në këto Vende, pjesa më e madhe afrikane, varësia prej eksportimeve të prodhimeve parësore vazhdon të përbëjë një faktor të fuqishëm rreziku. Do të doja të përsëris këtu një thirrje që të gjitha Vendet të kenë të njëjtat mundësi në tregun botëror, duke shmangur përjashtimet dhe mënjanimet. 10. Një reflektim i ngjashëm mund të bëhet për financën, që përbën njërit prej aspekteve parësorë të dukurisë së globalizimit, falë zhvillimit të elektronikës dhe politikave të liberalizimit të flukseve të parave mes Vendeve të ndryshme. Funksioni objektivisht më i rëndësishëm i financës, pra ai i mbështetjes afatgjatë të mundësisë së investimeve dhe prandaj edhe të zhvillimit, sot shfaqet shumë i brishtë: ai pëson kundërgoditjet negative të një sistemi këmbimesh financiare – në nivel kombëtar dhe global – të bazuar në një logjikë afatshkurtër, që ndjek rritjen e vlerës së veprimtarive financiare dhe përqendrohet në mbarështimin teknik të formave të ndryshme të rrezikut. Edhe kriza e kohëve të fundit tregon se si veprimtaria financiare nganjëherë udhëhiqet prej logjikave thjesht vetë-referenciale dhe që nuk e marrin parasysh, në mënyrë afatgjatë, të mirën e përbashkët. Rrafshimi i objektivave të vepruesve financiarë globalë në afat shumë të shkurtër, e kufizon aftësinë e financës për të kryer funksionin e vet si urë mes të tashmes dhe të ardhmes, në mbështetje të krijimit të mundësive të reja të prodhimit dhe të punës në periudhë të gjatë. Një financë e rrafshuar në afat të shkurtër dhe shumë të shkurtër bëhet e rrezikshme për të gjithë, edhe për ata që arrijnë të përfitojnë prej saj gjatë fazave të euforisë financiare[12]. 11. Nga e gjithë kjo del se lufta ndaj varfërisë kërkon një bashkëpunim qoftë në planin ekonomik qoftë në atë juridik, që i mundëson bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht Vendeve të varfra që të individualizojnë dhe të vënë në jetë zgjidhje të koordinuara për të përballuar problemet e lartpërmendura duke realizuar një kuadër efikas juridik për ekonominë. Veç kësaj, kërkon ndihmë për krijimin e institucioneve të efektshme dhe të bashkëndara, sikurse edhe mbështetje për të luftuar kundër kriminalitetit dhe për të nxitur një kulturë të ligjshmërisë. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se politikat vendosmërisht asistencialiste janë në zanafillën e shumë dështimeve në ndihmën ndaj Vendeve të varfra. Të investosh në formimin e personave dhe të zhvillosh në mënyrë të integruar një kulturë specifike nismeje duket aktualisht projekti i vërtetë afatmesëm dhe afatgjatë. Nëse veprimtaritë ekonomike kanë nevojë, për t’u zhvilluar, për një kontekst të favorshëm, kjo nuk do të thotë se vëmendja duhet të hiqet prej problemeve të të ardhurave. Edhe pse është theksuar siç duhet se shtimi i të ardhurave për kokë nuk mund të përbëjë absolutisht qëllimin e veprimit politiko-ekonomik, por nuk duhet të harrohet se ai përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të arritur objektivin e luftës ndaj urisë dhe ndaj varfërisë absolute. Prej këtij këndvështrimi duhet që të lirohemi prej iluzionit se një politikë thjesht e rishpërndarjes së pasurisë ekzistuese mund ta zgjidhë problemin në mënyrë përfundimtare. Në të vërtetë, në një ekonomi moderne, vlera e pasurisë varet në masë përcaktuese prej aftësisë për të krijuar të ardhurat e tashme dhe të ardhme. Prandaj del se krijimi i vlerës është një lidhje e pashmangshme, të cilën duhet ta kemi parasysh nëse duam të luftojmë kundër varfërisë materiale në mënyrë të efektshme dhe të qëndrueshme. 12. Së fundi, t’i vësh të varfrit në vendin e parë do të thotë t’i krijosh një hapësirë të përshtatshme një logjike korrekte ekonomike nga ana e aktorëve të tregut ndërkombëtar, një logjike korrekte politike nga ana e aktorëve institucionalë dhe një logjike korrekte pjesëmarrëse të aftë që ta vlerësojë shoqërinë civile lokale dhe ndërkombëtare. Vetë organizmat ndërkombëtarë i pranojnë sot vlerën dhe dobinë e nismave ekonomike të shoqërisë civile apo të administratave lokale për promovimin e shpërblimit dhe të përfshirjes në shoqëri të atyre pjesëve të popullsisë që shpesh gjenden nën pragun e varfërisë së skajshme dhe në të njëjtën kohë vështirë arrihen prej ndihmave zyrtare. Historia e zhvillimit ekonomik të shekullit XX na mëson se shumë politika të zhvillimit i besohen përgjegjësisë së njerëzve dhe krijimit të sinergjive pozitive mes tregjeve, shoqërive civile dhe shteteve. Veçanërisht, shoqëria civile merr një rol kyç në çdo proces zhvillimi, pasi zhvillimi në thelb është një dukuri kulturore dhe kultura lind e zhvillohet në vendet e qytetëruara[13]. 13. Siç ka pohuar Paraardhësi im i nderuar Gjon Pali II, globalizimi «paraqitet me një karakteristikë e spikatur dyvlershmërie»[14] dhe prandaj duhet qeverisuar me një urti të matur. Në këtë formë urtie hyn mbajtja parasysh në mënyrë parësore e nevojave të të varfërve të tokës, duke kapërcyer shkandullin e shpërpjesëtimit që ekziston mes problemeve të varfërisë dhe mjeteve që njerëzit përdorin për t’u bërë ballë atyre. Shpërpjesëtimi është qoftë i rendit kulturor e politik qoftë i atij shpirtëror dhe moral. Në të vërtetë, ndalemi shpesh në shkaqet sipërfaqësore dhe instrumentale të varfërisë, pa arritur ato që gjenden në zemrën njerëzore, sikurse lakmia dhe ngushtësia e horizonteve. Problemet e zhvillimit, të ndihmave dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar nganjëherë trajtohen pa një përfshirje të vërtetë të personave, por si çështje teknike, që kufizohen në parapërgatitjen e strukturave, në zbatimin e marrëveshjeve tarifore, në dhënien e financimeve anonime. Ndërsa lufta ndaj varfërisë ka nevojë për burra e gra që e jetojnë në thellësi vëllazërinë dhe që janë të aftë t’i shoqërojnë personat, familjet dhe bashkësitë në rrugët e zhvillimit të përnjëmendtë njerëzor. Përfundim 14. Në Enciklikën Centesimus annus, Gjon Pali II paralajmëronte rreth nevojës «për ta braktisur mendësinë që i quan të varfrit – persona dhe popuj – si peshë dhe bezdi, që pretendojnë të konsumojnë atë që të tjerët kanë prodhuar». «Të varfrit – shkruante ai – kërkojnë të drejtën për të marrë pjesë në gëzimin e të mirave materiale dhe për të shfrytëzuar aftësinë e tyre për punë, duke krijuar kështu një botë më të drejtë dhe më të begatë për të gjithë»[15]. Në botën aktuale globale është gjithnjë e më e dukshme se paqja ndërtohet vetëm nëse të gjithëve u sigurohet mundësia e një rritjeje të arsyeshme: shtrembërimet e sistemeve të padrejta, në të vërtetë, herët a vonë, bien mbi të gjithë. Pra, vetëm marrëzia mund të na bëjë të ndërtojmë një shtëpi të praruar, por me shkretëtirën apo degradimin përreth. Globalizimi i vetëm është i paaftë ta ndërtojë paqen dhe, në shumë raste, madje, krijon ndarje dhe konflikte. Ai paraqet para së gjithash një nevojë: atë që të orientohet drejt një objektivi solidariteti të thellë, që synon të mirën e secilit dhe të të gjithëve. Në këtë kuptim, globalizimi duhet parë si një rast i volitshëm për të realizuar diçka të rëndësishme në luftën ndaj varfërisë dhe për të vënë në dispozicion të drejtësisë e të paqes burime deri tani të pamendueshme. 15. Gjithmonë Doktrina Shoqërore e Kishës është interesuar për të varfrit. Në kohët e Enciklikës Rerum novarum ato përbëheshin sidomos prej punëtorëve të shoqërisë së re industriale; në magjisterin shoqëror të Piut XI, të Piut XII, të Gjonit XXIII, të Palit VI dhe të Gjon Palit II janë vënë në dukje varfëri të reja ndërkohë që horizonti i çështjes shoqërore po zgjerohej, deri në marrjen e përmasave botërore[16]. Ky zgjerim i çështjes shoqërore në globalitet duhet e parë në kuptimin jo vetëm të një shtrirjeje sasiore, por edhe të një thellimi cilësor mbi njeriun dhe mbi nevojat e familjes njerëzore. Prandaj Kisha, ndërsa i ndjek me vëmendje dukuritë aktuale të globalizimit dhe ndikimin e tyre mbi varfëritë njerëzore, tregon aspektet e reja të çështjes shoqërore, jo vetëm në shtrirje, por edhe në thellësi, pasi kanë të bëjnë me identitetin e njeriut dhe me marrëdhënien e tij me Hyjin. Janë parime të Doktrinës Shoqërore që priren t’i sqarojnë lidhjet mes varfërisë e globalizimit dhe ta orientojnë veprimin nga ndërtimi i paqes. Mes këtyre parimeve është rasti të kujtojmë këtu, në mënyrë të veçantë, «dashurinë parapëlqyese për të varfrit»[17], në dritën e parësisë së dashurisë, dëshmuar prej krejt traditës së krishterë, duke filluar prej asaj të Kishës së parë (krh. Vap 4, 32-36; 1 Kor 16, 1; 2 Kor 8-9; Gal 2, 10). «Secili le të bëjë pjesën që i takon dhe të mos ngurrojë» shkrunte në vitin 1891 Luani XIII, duke shtuar: «Për sa i përket Kishës ajo nuk do të lërë pa e bërë kurrë dhe në asnjë mënyrë veprën e vet”[18]. Kjo vetëdije shoqëron edhe sot veprimin e Kishës ndaj të varfërve, në të cilët sheh Krishtin[19], duke dëgjuar të jehojë vazhdimisht në zemrën e vet mandatin e Princit të paqes drejtuar Apostujve: «Vos date illis manducare – Jepuni ju të hanë» (Lk 9, 13). Prandaj, besnike ndaj kësaj ftese të Zotit të vet, Bashkësia e krishterë nuk do të lërë pa i siguruar mbarë familjes njerëzore mbështetjen e vet në hovet e solidaritetit krijues jo vetëm për të dhënë tepricën, por sidomos «për të ndryshuar stilet e jetës, modelet e prodhimit dhe të konsumit, strukturat e konsoliduara të pushtetit që sot mbajnë shoqëritë»[20]. Çdo nxënësi të Krishtit, sikurse edhe çdo personi vullnetmirë, ia drejtoj në fillim të një viti të ri ftesën e ngrohtë për ta zgjeruar zemrën para nevojave të të varfërve dhe për të bërë atë që është konkretisht e mundur për t’u ardhur atyre në ndihmë. Në fakt, mbetet e vërtetë në mënyrë të pakundërshtueshme aksioma sipas së cilës «të luftosh varfërinë do të thotë të ndërtosh paqen». Prej Vatikanit, më 8 dhjetor 2008
BENEDICTUS PP. XVI
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder 2009< | ||