|
|
QYTET I VATIKANIT
BOTOHET NËN KUJDESIN E
ARQIPESHKVISË METROPOLITANE
SHKODËR – PULT
NËSE
DËSHIRON TË KULTIVOSH PAQEN, MBRO KRIJESËN
1. Me rastin e fillimit të Vitit të Ri,
dëshiroj t’u drejtoj urimet më të ngrohta për paqe të gjitha bashkësive
të krishtera, përgjegjësve të Kombeve, burrave e grave vullnetmirë të të
gjithë botës. Për këtë Ditë XLIII Botërore të Paqes kam zgjedhur temën:
Nëse dëshiron të kultivosh paqen, mbro krijesën. Respektimi i
krijesës merr një rëndësi të madhe, edhe sepse «krijimi është fillimi
dhe themeli i të gjitha veprave të Hyjit»1 dhe mbrojtja e tij
sot bëhet thelbësore për bashkëjetesën paqësore të njerëzimit. Në të
vërtetë, nëse për shkak të mizorisë së njeriut mbi njeriun, janë të
shumta kërcënimet që i bëhen paqes dhe zhvillimit të përnjëmendtë e të
tërësishëm njerëzor – luftërat, konfliktet ndërkombëtare e rajonale,
veprat terroriste dhe cenimet e të drejtave njerëzore –, jo më pak
shqetësuese janë kërcënimet e shkaktuara prej pakujdesit – nëse jo prej
abuzimit – në lidhje me tokën dhe të mirat natyrore që Hyji ka dhënë.
Për këtë arsye është e domosdoshme që njerëzimi ta përtërijë dhe ta
përforcojë «atë besëlidhje mes qenies njerëzore dhe mjedisit, që duhet
të jetë pasqyrë e dashurisë krijuese të Hyjit, prej të cilit vijmë e
drejt të cilit jemi në ecje».2
2. Në
Enciklikën Caritas in veritate kam vënë në dukje se krejt
zhvillimi njerëzor është i lidhur ngushtë me detyrat që burojnë nga
marrëdhënia e njeriut me mjedisin natyror, të konsideruar si një
dhuratë e Hyjit për të gjithë, përdorimi i të cilit sjell një
përgjegjësi të përbashkët ndaj tërë njerëzimit, veçanërisht ndaj të
varfërve dhe brezave të ardhshëm. Veç tjerash, kam vënë në dukje se kur
natyra dhe, në rend të parë, qenia njerëzore, konsiderohen thjesht si
fryt i rastit apo i determinizmit evolutiv, rrezikon që në ndërgjegjet
të zbehet vetëdija e përgjegjësisë.3 Ndërsa, ta konsiderosh
krijesën si dhuratë të Hyjit ndaj njerëzimit na ndihmon të kuptojmë
thirrjen dhe vlerën e njeriut. Në të vërtetë, bashkë me Psalmistin, mund
të kumtojmë, plot me mahnitje: «Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave
të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çfarë është atëherë njeriu që ta
kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?» (Ps 8,4-5). Të
sodisesh bukurinë e krijesës është nxitje që të njohim dashurinë e
Krijuesit, atë Dashuri që «lëviz diellin dhe yjet e tjera».4
3.
Para njëzet vjetësh, Papa Gjon Pali II, duke ia kushtuar Mesazhin e
Ditës Botërore të Paqes temës Paqe me Hyjin krijues, paqe me gjithë
krijimin, e thërhiqte vëmendjen mbi marrëdhënien që kemi ne, si
krijesa të Hyjit, me gjithësinë që na rrethon. «Në ditët tona –
shkruante – ndihet rritja e vetëdijes se paqja botërore është e
kërcënuar... edhe prej mungesës së respektit të duhur për natyrën». Dhe
shtonte se ndërgjegjja ekologjike «nuk duhet të shtypet por
përkundrazi duhet të favorizohet, në mënyrë që të zhvillohet e të piqet,
duke gjetur shprehjen e përshtatshme në programe dhe nisma konkrete».5
Edhe Paraardhës të tjerë të mi i referoheshin marrëdhënies ekzistuese
mes njeriut dhe mjedisit. Për shembull, në vitin 1971, me rastin e
tetëdhjetë vjetorit të Enciklikës Rerum Novarum të Leonit XIII,
Pali VI theksoi se «nëpërmjet një shfrytëzimi pa kriter të natyrës,
(njeriu) rrezikon ta shkatërrojë dhe njëkohësisht të jetë, viktimë e
këtij degradimi». Dhe shtoi se në një rast të tillë «jo vetëm që mjedisi
natyror bëhet një kërcënim i vazhdueshëm: ndotjet dhe mbeturinat,
sëmundjet e reja, pushteti shkatërrimtar i plotë; por është konteksti
njerëzor ai të cilin njeriu nuk e sundon më, duke krijuar kështu vetës
një mjedis që do të mund të jetë i padurueshëm për të nesërmen: problem
shoqëror i përmasave të mëdha që ka të bëjë me tërë familjen njerëzore».6
4.
Edhe pse duke e shmangur ndërhyrjen në zgjidhjet specifike teknike,
Kisha, «eksperte në njerëzim», ka kujdes të thërrasë me forcë vëmendjen
mbi marrëdhënien mes Krijuesit, qenies njerëzore dhe krijmit. Në vitin
1990, Gjon Pali II fliste për «krizë ekologjike» dhe, duke vënë në dukje
se si kjo kishte një karakter kryesisht etik, tregonte «nevojën e
ngutshme morale të një solidariteti të ri».7
Kjo thirrje bëhet edhe më shtytëse sot, përballë shfaqjeve në rritje të
një krize që do të ishte gjë e papërgjegjshme të mos e merrnim në
konsideratë. Si mund të rrimë mospërfillës përballë problematikave që
rrjedhin prej dukurive sikurse ndryshimet klimatike, shkretimi,
degradimi dhe humbja e prodhimtarisë së zonave të mëdha bujqësore,
ndotja e lumenjve dhe e ujërave të nëndheshme, humbja e
biondryshueshmërisë, shtimi i ngjarjeve natyrore të skajshme,
shpyllëzimi i zonave ekuatoriale dhe tropikale? Si ta lëmë pas dore
dukurinë në rritje të të ashtuquajturve «refugjatë mjedisorë»: persona
që, për shkak të degradimit të mjedisit në të cilin jetojnë, duhet ta
lënë atë – shpesh së bashku me pasuritë e tyre – për të përballuar
rreziqet dhe të panjohurat e një zhvendosjeje të detyruar? Si të mos
reagojmë përballë konflikteve në akt dhe atyre potencialë të lidhur me
përdorimin e burimeve natyrore? Të gjitha këto janë çështje që kanë një
ndikim të thellë në ushtrimin e të drejtave njerëzore, si për shembull e
drejta për jetë, për ushqim, për shëndet, për zhvillim.
5.
Megjithatë, duhet konsideruar se kriza ekologjike nuk mund të vlerësohet
ndarazi prej çështjeve të lidhura me të, pasi është fort e lidhur me
vetë konceptin e zhvillimit dhe me vizionin e njeriut e të marrëdhënieve
të tij me të ngjashmit e vet dhe me krijesën. Prandaj është gjë e urtë
të bëjmë një rishikim të thellë dhe largpamës të modelit të
zhvillimit, si edhe të reflektojmë mbi kuptimin e ekonomisë dhe të
qëllimeve të saj, për t’i ndrequr keqfunksionimet dhe shtrembërimet e
saj. Këtë e kërkon gjendja e shëndetit ekologjik të planetit; e kërkon
mbi të gjitha edhe kriza kulturore e morale e njeriut, simptomat e të
cilës janë prej kohësh të dukshme në çdo anë të botës.8
Njerëzimi ka nevojë për një përtëritje të thellë kulturore; ka
nevojë për të rizbuluar ato vlera që përbëjnë themelin e qëndrueshëm
mbi të cilin mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të
gjithë. Këto situata krize, që aktualisht është duke kaluar – qofshin
ato të karakterit ekonomik, ushqimor, mjedisor apo shoqëror, - janë, në
fund të fundit, edhe kriza morale të lidhura mes tyre. Ato të detyrojnë
të riprojektosh ecjen e përbashkët të njerëzve. Të detyrojnë, në
veçanti, për një mënyrë të jetuari të karakterizuar prej vetëpërmbajtjes
dhe solidaritetit, me rregulla e forma të reja angazhimi, duke u
mbështetur me besim e guxim në përvojat e bëra pozitive dhe duke i
përzënë vendosmërisht ato negative. Vetëm kështu kjo krizë aktuale bëhet
rast shoshitjejes dhe i projektualitetit të ri.
6. A
nuk është e vërtetë se në origjinën e asaj që, në kuptimin kozmik, e
quajmë «natyrë», gjendet «një plan dashurie dhe të vërtete»? Bota «nuk
është prodhimi i një nevoje çfarëdo, i një fati të verbër apo i
rastit... Bota e merr zanafillën e vet prej vullnetit të lirë të Hyjit,
i cili ka dashur që krijesat të marrin pjesë në qenien e tij, në urtinë
e tij dhe në mirësinë e tij».9
Libri i Zanafillës, në faqet e veta të para, na kthen në
projektin e ditur të kozmosit, fryt i mendimit të Hyjit, në kulmin e të
cilit vendosen burri e gruaja, të krijuar në shëmbëllim e përngjasim të
Krijuesit për «ta mbushur tokën» dhe «për ta sunduar atë» si
«mbarështues» të vetë Hyjit (krh. Zan 1,28). Harmonia mes
Krijuesit, njerëzimit dhe krijimit, që Shkrimi i Shenjtë përshkruan,
është prishur prej mëkatit të Adamit dhe Evës, të burrit e të gruas, që
kanë dëshiruar të zënë vendin e Hyjit, duke mos pranuar ta njohin veten
si krijesa të tij. Pasoja është se është shtrembëruar edhe detyra për
«ta sunduar» tokën, për «ta kultivuar e ruajtur atë» dhe mes tyre e
pjesës tjetër të krijimit ka lindur një konflikt (krh. Zan
3,17-19). Qenia njerëzore e ka lënë veten të sundohet prej egoizmit,
duke e humbur kuptimin e mandatit të Hyjit, dhe në marrëdhënie me
krijesën, është sjellur si shfrytëzues, duke dashur të ushtrojë mbi të
një sundim absolut. Por domethënia e vërtetë e urdhrit fillestar të
Hyjit, e vënë mirë në dukje në Librin e Zanafillës, nuk qëndronte
thjesht në një dhënie autoriteti, por në një thirrje në përgjegjësi. Në
fund të fundit, urtia e të parëve e pranonte se natyra është në
gatishmërinë tonë jo si «një grumbull mbeturinash të shpërndara
rastësisht»,10 ndërsa Zbulimi biblik na ka bërë të kuptojmë
se natyra është dhuratë e Krijuesit, i cili ka planifikuar sistemet e
saj karakteristike, që njeriu të mund të nxjerrë prej aty orientimet e
duhura për «ta ruajtur e punuar atë» (krh. Zan 2,15).11
Gjithçka që ekziston i përket Hyjit, i cili ia ka besuar njerëzve, por
jo që ta përdorin atë në mënyrë arbitrare. Dhe kur njeriu, në vend që të
kryejë rolin e vet si bashkëpunëtor i Hyjit, zë vendin e Hyjit, arrin të
shkaktojë kryengritjen e natyrës, «që më shumë është e tiranizuar se sa
e drejtuar prej tij».12 Pra, njeriu ka detyrën të ushtrojë
një drejtim të përgjegjshëm të krijimit, duke e ruajtur dhe kultivuar
atë.13
7. Mjerisht, duhet të konstatohet se një shumicë njerëzish, në Vende e
krahina të ndryshme të planetit, përjeton vështirësi në rritje për shkak
të neglizhencës apo refuzimit, nga ana e shumë vetëve, që të ushtrojnë
një drejtim të përgjegjshëm mbi mjedisin. Koncili II Ekumenik i
Vatikanit e ka kujtuar se «Hyji e ka paracaktuar tokën dhe gjithçka që
ajo përmban për përdorimin e të gjithë njerëzve dhe të të gjithë
popujve».14 Pra, trashëgimia e krijesës i përket tërë
njerëzimit. Ndërsa, ritmi aktual i shfrytëzimit e vë seriozisht në
rrezik disponibilitetin e disa burimeve natyrore jo vetëm për brezin e
tashëm, por sidomos për ata të ardhshëm.15 Kështu, nuk është
e vështirë të konstatojmë se degradimi mjedisor është shpesh rezultat i
mungesës së projekteve politike largpamëse apo i ndjekjes së interesave
miope ekonomike, që, mjerisht, shndërrohen në një kërcënim serioz për
krijesën.
Për t’i kundërshtuar një dukurie të tillë, në bazë të faktit se «çdo
vendim ekonomik ka një pasojë me karakter moral»,16 është
e nevojshme edhe që veprimtaria ekonomike ta respektojë më shumë
mjedisin. Kur përdorim burimet natyrore, duhet të shqetësohemi për
mbrojtjen e tyre, duke paraparë edhe kostot – në terme mjedisore e
shoqërore –, për t’i vlerësuar si një zë thelbësor i vetë kostove të
veprimtarisë ekonomike. I përket bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverive
kombëtare të japin sinjalet e duhura për të kundërshtuar në mënyrë
efikase ato modalitete përdorimi të mjedisit që shfaqen si të dëmshme.
Për ta mbrojtur mjedisin, për t’i ruajtur burimet dhe klimën, duhet që,
nga njëra anë, të veprojmë në respekt ndaj normave të mirë përcaktuara
edhe nga këndvështrimi juridik e ekonomik, dhe, nga ana tjetër, të
mbajmë parasysh solidaritetin që u detyrohemi atyre që banojnë në
rajonet më të varfëra të tokës dhe brezave të ardhshëm.
8.
Në të vërtetë, shfaqet si i ngutshëm rifitimi i një solidariteti të
çiltër ndër-breznor. Kostot që rrjedhin prej përdorimit të burimeve
mjedisore të përbashkëta nuk mund të jenë në ngarkim të brezave të
ardhshëm: «Trashëgimtarë të brezave të kaluar dhe dobimarrës të punës së
bashkëkohësve tanë, ne kemi disa detyrime ndaj të gjithëve dhe nuk mund
të mos interesohemi për ata që do të vijnë pas nesh për ta zmadhuar
rrethin e familjes njerëzore. Solidariteti universal, që është një fakt
dhe për ne një dobi, është po ashtu edhe një detyrë. Bëhet fjalë për
një detyrë që brezat e tashëm kanë në lidhje me ata të ardhshmit,
një përgjegjësi që u përket edhe Shteteve të veçanta dhe Bashkësive
ndërkombëtare».17 Përdorimi i burimeve natyrore duhet të jetë
i tillë që dobitë e menjëhershme të mos sjellin pasoja negative për
qeniet e gjalla, njerëzore dhe jo njerëzore, të tashme dhe të ardhshme;
që tutelimi i pronës private të mos e pengojë destinacionin universal të
të mirave;18 që ndërhyrja e njeriut të mos e dëmtojë
frytshmërinë e tokës, për të mirën e sotme dhe për të mirën e nesërme.
Përveç një solidariteti të çiltër ndër-breznor, duhet theksuar nevoja e
ngutshme morale për një solidaritet brenda-breznor të përtërirë,
sidomos në marrëdhëniet mes Vendeve në rrugë zhvillimi dhe atyre shumë
të industrializuar: «bashkësia ndërkombëtare ka detyrën e pashmangshme
që të gjejë rrugët institucionale për të disiplinuar shfrytëzimin e
burimeve të papërtëritshme, me pjesëmarrjen edhe të Vendeve të varfëra,
në mënyrë që ta planifikojnë së bashku të ardhmen».19
Kriza ekologjike tregon nevojën e ngutshme për një solidaritet që
projektohet në hapësirë dhe në kohë. Së fundi, është e rëndësishme
që, mes shkaqeve të krizës aktuale ekologjike, të njohim përgjegjësinë
historike të Vendeve të industrializuara. Megjithatë, vendet më pak të
zhvilluara dhe, në veçanti, ato në rritje, nuk duhet të lirohen prej
përgjegjësisë së tyre në lidhje me krijesën, sepse detyra për të
përdorur gradualisht masa dhe politika mjedisore efikase u përket të
gjithëve.
Kjo do të mund të realizohej më lehtë po të kishte llogaritje më pa
interes në asistencë, në transferimin e njohjeve dhe të teknologjive më
të pastra.
9. Padyshim që njëra prej nyjave kryesore që duhet përballuar, nga ana e
bashkësisë ndërkombëtare, është ajo e burimeve energjetike, duke gjetur
strategji të bashkëndara dhe të ndjeshme për të plotësuar nevojat për
energji të brezit të tashëm dhe të atij të ardhshëm. Për këtë qëllim,
është e nevojshme që shoqëritë teknologjikisht të përparuara të jenë të
gatshme të favorizojnë sjellje të karakterizuara prej përmbajtjes, duke
i zvogëluar nevojat e tyre për energji dhe duke i përmirësuar kushtet e
përdorimit të saj. Në të njëjtën kohë, duhet të nxitet kërkimi dhe
zbatimi i energjive me ndikim më të vogël mjedisor si dhe «rishpërndarja
planetare e burimeve energjetike, në mënyrë që edhe Vendet që janë pa to
të mund t’i përdorin».20 Pra, kriza ekologjike jep një
mundësi historike për të përpunuar një përgjigje kolektive që synon ta
kthejë modelin e zhvillimit global në një drejtim më të respektueshëm
ndaj krijesës dhe të një zhvillimi të tërësishëm njerëzor, të frymëzuar
prej vlerave të dashurisë në të vërtetë. Prandaj, uroj zbatimin e një
modeli zhvillimi të bazuar në qendërsinë e qenies njerëzore, në nxitjen
dhe bashkëndarjen e të mirës së përbashkët, në përgjegjësi, në vetëdije
të ndryshimit të nevojshëm të stileve të jetës dhe në maturi, virtyt që
tregon veprat që duhen kryer sot, në parashikim të asaj që mund të
ndodhë nesër.21
10. Për ta udhëhequr njerëzimin drejt një administrimi kompleksivisht të
mundshëm të mjedisit dhe të burimeve të planetit, njeriu është i thirrur
të përdorë inteligjencën e vet në fushën e kërkimit shkencor e
teknologjik dhe në përdorjen e zbulimeve që rrjedhin prej tij.
«Solidariteti i ri», që Gjon Pali II ka propozuar në Mesazhin për
Ditën Botërore të Paqes të vitit 1990,22 dhe
«solidariteti global», që unë vetë kam përmendur në Mesazhin për
Ditën Botërore të Paqes të vitit 2009,23 shfaqen
të jenë qëndrimet thelbësore për ta orientuar angazhimin për mbrojtjen e
krijesës, nëpërmjet një sistemi administrimi të burimeve të tokës së
koordinuar më mirë në nivel ndërkombëtar, sidomos në momentin në të
cilin, në mënyrë gjithnjë e më të dukshme, është duke u shfaqur
ndërmarrëdhënia e fortë që ekziston mes luftës ndaj degradimit mjedisor
dhe nxitjes së zhvillimit të tërësishëm njerëzor. Bëhet fjalë për një
dinamikë të pashmangshme, pasi «zhvillimi i tërësishëm i njeriut nuk
mund të ndodhë pa zhvillimin solidar të njerëzimit».24 Sot
janë të shumta mundësitë shkencore dhe rrugët potenciale inovative, falë
të cilave është e mundshme t’i jepet zgjidhje e kënaqshme dhe e
harmonishme marrëdhënies mes njeriut dhe mjedisit. Për shembull, duhen
nxitur kërkimet që synojnë të gjejnë modalitetet më të përshtatshme për
të shfrytëzuar potencialitetin e madh të energjisë diellore. Po aq
vëmendje pastaj duhet t’i kushtohet çështjes tashmë planetare të ujit
dhe sistemit hidrogjeologjik global, cikli i të cilit ka një rëndësi
parësore për jetën në tokë qëndrueshmëria e të cilit rrezikon të
kërcënohet fort prej ndryshimeve klimatike. Po ashtu duhet të
eksplorohen strategjitë e përshtatshme të zhvillimit rural të bazuara në
kultivuesit e vegjël dhe në familjet e tyre, si dhe duhet të përgatiten
politika të përshtatshme për administrimin e pyjeve, për shpërbërjen e
mbeturivane, për përmirësimin e sinergjive ekzistuese mes kontrastit
drejt ndryshimeve klimatike dhe luftës ndaj varfërisë. Nevojiten
politika kombëtare ambicioze, të kompletuara nga një angazhim i
nevojshëm ndërkombëtar që do t’u sjellë dobi të rëndësishme sidomos me
afat të mesëm e të gjatë. Pra, është e nevojshme të dalim prej logjikës
së konsumit të thjeshtë për të nxitur forma të prodhimit bujqësor e
industrial që e respektojnë rendin e krijimit dhe plotësojnë nevojat
parësore të të gjithëve. Çështja ekologjike nuk duhet përballur vetëm
për perspektivat e frikshme që degradimi mjedisor përvijon në horizont;
ai që e motivon duhet të jetë sidomos kërkimi e një solidariteti të
përnjëmendtë me përmasa botërore, i frymëzuar prej vlerave të dashurisë,
të drejtësisë dhe të së mirës së përbashkët. Nga ana tjetër, sikurse kam
pasur rast të kujtoj, «teknika nuk është kurrë vetëm teknikë. Ajo shfaq
njeriun dhe aspiratat e tij për zhvillim; shpreh tërheqjen e shpirtit
njerëzor nga kapërcimi gradual i disa kushtëzimeve materiale. Prandaj,
teknika përfshihet në mandatin për «ta punuar dhe ruajtur tokën»
(krh. Zan 2,15), që Hyji i ka besuar njeriut, dhe duhet
orientuar për nga përforcimi i asaj besëlidhjeje mes qenies njerëzore e
mjedisit që duhet të jetë pasqyrë e dashuriesë krijuese të Hyjit».25
11.
Duket gjithnjë e më qartë se tema e degradimit mjedisor thërret në
çështje sjelljet e secilit prej nesh, stilet e jetës dhe modelet e
konsumit e të prodhimit që mbizotërojnë aktualisht, shpesh të
padurueshëm nga këndvështrimi shoqëror, mjedisor si dhe ekonomik. Tashmë
bëhet i domosdoshëm një ndryshim efektiv i mendësisë që i shtyn të
gjithë që të marrin përsipër stile të reja jete «në të cilët
kërkimi i të vërtetës, i të bukurës, i të mirës dhe bashkimi me njerëzit
e tjerë për një rritje të përbashkët të jenë elementët që përcaktojnë
zgjedhjet e konsumeve, të kursimeve dhe të investimeve».26
Gjithnjë e më shumë duhet të edukohemi që ta ndërtojmë paqen duke
filluar prej zgjedhjeve me rreze të gjerë në nivel personal, familjar,
bashkësior dhe politik. Të gjithë jemi përgjegjës për mbrojtjen dhe
kujdesin ndaj krijesës. Kjo përgjegjësi nuk njeh kufij. Sipas
parimit të subsidiaritetit, është e rëndësishme që secili të
angazhohet në nivelin që i përgjigjet, duke vepruar në mënyrë të tillë
që të kapërcehet mbizotërimi i interesave të veçanta.
Një rol sensibilizimi dhe formimi u takon në veçanti subjekteve të
ndryshme të shoqërisë civile dhe Organizatave jo-qeveritare, që punojnë
me vendosmëri dhe zemërgjerësi për përhapjen e një përgjegjësie
ekologjike, që do të duhej të ishte gjithnjë e më e mbështetur në
respektimin e «ekologjisë njerëzore». Veç kësaj, duhet t’i bëjmë thirrje
përgjegjësisë së media-ve në këtë fushë, duke propozuar modele
pozitive prej të cilave duhet të frymëzohemi. Pra, të marrurit me
mjedisin kërkon një vizion të gjerë e global të botës; një përpjekje të
përbashkët dhe të përgjegjshme për të kaluar nga një logjikë e
përqëndruar në interesin egoist nacionalistik në një vizion që i
përqafon gjithnjë e më tepër nevojat e të gjithë popujve. Nuk mund të
mbetemi mospërfillës ndaj asaj që ndodh përreth nesh, sepse dëmtimi i
çfarëdo pjese të planetit do të rëndonte mbi të gjithë. Marrëdhëniet mes
personave, grupeve shoqërore e Shteteve, sikurse edhe ato mes njeriut e
mjedisit, janë të thirrura të marrin stilin e respektit dhe të
«dashurisë në të vërtetën». Në këtë kontekst të gjerë, është më se e
dëshirueshme që të gjejnë efikasitet dhe përgjigje përpjekjet e
bashkësisë ndërkombëtare që synojnë të arrijnë një çarmatosje progresive
dhe një botë pa armë bërthamore, vetëm prania e të cilave e kërcënon
jetën e planetit dhe procesin e zhvillimit të tërësishëm të njerëzimit
të tashëm dhe atij të ardhshëm.
12.
Kisha ka një përgjegjësi për krijesën dhe ndien se duhet ta
ushtrojë atë, edhe në fushën publike, për të mbrojtur tokën, ujin dhe
ajrin, dhurata të Hyjit Krijues për të gjithë, dhe, para së gjithash,
për ta mbrojtur njeriun kundër rrezikut të shkatërrimit të vetvetes. Në
të vërtetë, degradimi i natyrës është i lidhur ngushtë me kulturën që
modelon bashkëjetesën njerëzore, prandaj «kur “ekologjia njerëzore”
respektohet brenda shoqërisë, edhe ekologjia mjedisore ka dobi prej
kësaj».27 Nuk mund t’u kërkohet të rinjve që ta
respektojnë mjedisin, nëse nuk ndihmohen në familje dhe në shoqëri që të
respektojnë vetveten: libri i natyrës është i vetëm, si në drejtim të
mjedisit ashtu edhe në atë të etikës personale, familjare dhe shoqërore.28
Detyrat ndaj mjedisit rrjedhin prej atyre ndaj personit të konsideruar
në vetvete dhe në marrëdhënie me të tjerët. Prandaj, me gjithë qejf nxis
edukimin për një përgjegjësi ekologjike, që, sikurse kam thënë në
Enciklikën Caritas in veritate, të mbrojë një «ekologji
njerëzore» të përnjëmendtë dhe, pra, ta pohojë me një bindje të
përtërirë pacenueshmërinë e jetës njerëzore në çdo fazë të saj dhe në
çdo gjendje të saj, dinjitetin e personit dhe misionin e
pazëvendësueshëm të familjes, në të cilën njeriu edukohet në dashurinë
për të afërmin dhe në respektin për natyrën.29 Duhet ta
ruajmë pasurinë njerëzore të shoqërisë. Kjo pasuri vlerash e ka
zanafillën e vet dhe është e shkruar në ligjin moral natyror, që është
themeli i respektit të personit njerëzor dhe të krijesës.
13.
Së fundi, nuk duhet harruar një fakti tepër tregues, se shumë njerëz
gjejnë qetësi dhe paqe, ndihen të përtërirë e të rifuqizuar kur janë në
lidhje të ngushtë me bukurinë dhe harmoninë e natyrës. Prandaj ka një
farë ndërsjellshmërie: duke u kujdesur për krijesën, ne konstatojmë se
Hyji, nëpërmjet krijesës, kujdeset për ne. Nga ana tjetër, një konceptim
i saktë i marrëdhënies së njeriut me mjedisin nuk na bën ta
absolutizojmë natyrën dhe as që ta quajmë atë më të rëndësishme se sa
vetë personi. Nëse Magjisteri i Kishës shpreh ngurrim para një
konceptimi të mjedisit të frymëzuar prej ekocentrizmit dhe
biocentrizmit, e bën këtë sepse ky konceptim e zhduk ndryshimin
ontologjik dhe asiologjike mes personit njerëzor dhe qenieve të tjera të
gjalla. Në këtë mënyrë, faktikisht zhduket identiteti dhe roli i epërm i
njeriut, duke favorizuar një vizion që e barazon «dinjitetin» e të
gjitha qenieve të gjalla. Kështu i hapet udhë një panteizmi të ri me
thekse neopagane sipas të cilave shëlbimi për njeriun vjen vetëm prej
natyrës, e marrë kjo vetëm në kuptimin natyralistik. Ndërsa Kisha na
fton ta shtrojmë çështjen në mënyrë të ekuilibruar, në respekt ndaj
«gramatikës» që Krijuesi ka vënë brenda veprës së tij, duke i besuar
njeriut rolin e rojtarit dhe të administratorit të përgjegjshëm të
krijesës, rol me të cilin sigurisht që nuk duhet të abuzojë, por prej të
cilit edhe nuk mund të heqë dorë. Në të vërtetë, edhe pozicioni i
kundërt i absolutizimit të teknikës dhe të pushtetit njerëzor, arrin të
jetë një atentat i rëndë jo vetëm ndaj natyrës, por edhe ndaj vetë
dinjitetit njerëzor.30
14.
Nëse dëshiron të kultivosh paqen, mbro krijesën. Kërkimi i paqes
nga ana e të gjithë njerëzve vullnetmirë patjetër që do të lehtësohet
prej njohjes së përbashkët të marrëdhënies së pandashme që ekziston mes
Hyjit, qenieve njerëzore dhe tërë krijimit. Të ndriçuar prej Zbulesës
hyjnore dhe duke ndjekur Traditën e Kishës, të krishterët japin
ndihmesën e tyre. Ata e konsiderojnë kozmosin dhe mrekullitë e tij në
dritën e veprës krijuese të Atit dhe shëlbuese të Krishtit, që, me
vdekjen dhe ngjalljen e vet, i ka pajtuar me Hyjin «gjithçka qoftë në
tokë qoftë në qiell» (Kol 1,20). Krishti, i kryqëzuar dhe i
ngjallur, i ka dhuruar njerëzimit Shpirtin e vet shenjtërues, që e
udhëheq ecjen e historisë, në pritje të ditës në të cilën, me kthimin e
lavdishëm të Zotërisë, do të përurohen «qielli i ri dhe toka e re» (2
Pjt 3,13), në të cilët do të banojnë gjithmonë drejtësia dhe paqja.
Ta mbrosh mjedisin natyror për të ndërtuar një botë paqeje është detyrë
e çdo personi. Ja një sfidë e ngutshme që duhet përballuar me angazhim
të përtërirë e koral; ja një mundësi provanore për t’u dorëzuar brezave
të rinj perspektivën e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Le
të jenë të vetëdijshëm për këtë përgjegjësit e kombeve dhe ata që, në
çdo nivel, i kanë përzemër fatet e njerëzimit: ruajtja e krijesës dhe
realizimi i paqes janë realitete të lidhura ngushtë mes tyre! Prandaj i
ftoj të gjithë besimtarët që ta lartësojnë lutjen e tyre të zjarrtë te
Hyji, Krijuesi i gjithëpushtetshëm dhe Ati i mëshirshëm, që në zemrën e
çdo burri dhe të çdo gruaje të jehojë, të pranohet e të jetohet kjo
thirrje: Nëse dëshiron të kultivosh paqen, mbro krijesën.
Nga Vatikani, 8 dhjetor 2009
BIBLIOGRAFI
1. Katekizmi i Kishës Katolike, 198.
2. Benedikti XVI, Mesazhi
për Ditën Botërore të Paqes 2008, 7.
3. Krh. nr. 48.
4. Dante Alighieri, Komedia
Hyjnore, Parajsa, XXXIII, 145.
5. Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 1990, 1.
6. Let. ap. Octogesima adveniens, 21.
7. Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes, 10.
8.
Krh. Benedikti XVI, Let.
enc.
Caritas
in veritate, 32.
9. Katekizmi i Kishës Katolike, 295.
10. Herakliti
i Efezit
(rreth 535 para.Kr. – rreth 475 para Kr.), Fragment 22B124, në H.
Diels-W Kranz, Die Fragmente der Vorsokratiker, Widmann, Berlin 19526.
11.
Krh. Benedikti XVI, Let.
enc.
Caritas
in veritate, 48.
12. Gjon
Pali
II, Let. enc.
Centesimus annus, 37.
13. Krh.
Benedikti XVI, Let. enc.
Caritas in veritate, 50.
14. Kusht.
Barit.
Gaudium
et spes, 69.
15.
Krh. Gjon Pali II, Let.
enc.
Sollicitudo rei socialis, 34.
16. Benedikti
XVI, Let. enc. Caritas in veritate, 37.
17. Këshilli
Papnor i drejtësisë dhe i Paqes,
Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, 467; krh.
Pali VI, Let. enc. Populorum progressio, 17.
18. Krh. Giovanni Paolo II,
Lett. enc. Centesimus annus, 30-31.43.
19. Benedikti
XVI, Let. enc. Caritas in veritate, 49.
20. Ibid.
21.
Krh. Shën Toma i Akuinit,
S. Th., II-II, q. 49, 5.
22. Krh. nr. 9.
23. Krh. nr. 8.
24.
Pali
VI,
Let. enc. Populorum progressio, 43.
25. Let. enc. Caritas in veritate, 69.
26. GJon
Pali
II, Let. enc.
Centesimus annus, 36.
27. Benedikti XVI, Let.
enc. Caritas in veritate, 51.
28. Krh. ibid., 15.51.
29. Krh. ibid., 28.51.61; Gjon
Pali II, Let. enc. Centesimus annus, 38.39.
30. Krh. Benedikti XVI,
Let. enc. Caritas in veritate, 70.
titujt kryesorë |
|