ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

 Dita Boterore e Paqes 1 Janar 2012

 

 

 

MESAZHI I SHENJTËRISË SË TIJ BENEDIKTI XVI PËR KREMTIMIN

E DITËS BOTËRORE TË PAQES

 1 JANAR 2012

QYTETI I VATIKANIT

 

 

 

BOTOHET NËN KUJDESIN E

ARQIPESHKVISË METROPOLITANE

SHKODËR - PULT

 

 

Përktheu

Loreta Tomaj

 

Lektoroi

dhe korrektoi

Atë Raffaele Lanzilli s.j.

Teola Shkodra

 

Faqosi

Luigj Mila

 

 

© Copyright

 

Arqipeshkvia Shkodër-Pult

e Komisioni Drejtësi dhe Paqe

 

Shkodër 2011

 

 

 

T’I EDUKOSH TË RINJTË PËR DREJTËSI DHE PËR PAQE

 

1. Fillimi i Vitit të Ri, dhuratë që Hyji i bën njerëzimit, më fton t’ju drejtoj të gjithëve ju, me besim dhe afekt të madh, një urim të veçantë për këtë kohë, që kemi përpara, me qëllim që konkretisht të shënohet prej drejtësisë dhe prej paqes.

Me çfarë qëndrimi duhet ta shikojmë vitin e ri?

Në psalmin 130 gjejmë një figurë shumë të bukur. Psalmisti thotë se njeriu besimtar e pret Zotin “më shumë se rojtari agimin” (rr. 6), e pret me shpresë të gjallë, sepse e di se do të sjellë dritë, zemërdhembshuri, shpëtim. Kjo pritje lind prej përvojës së popullit të zgjedhur, i cili e pranon se është edukuar prej Hyjit për ta shikuar botën në të vërtetën e saj dhe që të mos e lërë veten të ligështohet prej vuajtjeve. Ju ftoj që ta shikoni vitin 2012 me këtë qëndrim plot besim. Është e vërtetë se në vitin që po përfundon është rritur ndjenja e frustrimit për krizën që është duke munduar shoqërinë, botën e punës dhe ekonominë; një krizë rrënjët e të cilës janë sidomos kulturore dhe antropologjike. Duket gati sikur një mbulesë e zezë ka mbështjellë kohën tonë dhe nuk na mundëson ta shohim me qartësi dritën e diellit.

Në këtë errësisë zemra e njeriut megjithatë nuk resht së prituri agimin për të cilin flet Psalmisti. Kjo pritje është veçanërisht e gjallë dhe e ndjeshme te të rinjtë, dhe është për këtë që mendimi im u drejtohet atyre duke marrë parasysh kontributin që mund dhe duhet t’i japin shoqërisë. Pra, do të doja ta paraqisja Mesazhin për Ditën XLV Botërore të Paqes në një perspektivë edukative “T’i edukosh të rinjtë për drejtësi dhe për paqe”, i bindur se ata, me entuziazmin e tyre dhe me shtytjen e tyre drejt idealeve, mund t’i ofrojnë një shpresë të re botës. Mesazhi im u drejtohet edhe prindërve, familjeve, të gjithë elementeve edukativë e formativë, si edhe përgjegjësve të fushave të ndryshme të jetës rregulltare, shoqërore, politike, ekonomike, kulturore dhe të komunikimit. Të jesh i vëmendshëm ndaj botës rinore, ta dish ta dëgjosh dhe ta vlerësosh atë, nuk është vetëm një mundësi, por një detyrë parësore e krejt shoqërisë, për ndërtimin e një të ardhmeje drejtësie dhe paqeje. Bëhet fjalë që t’u komunikojmë të rinjve çmuarjen e vlerës pozitive të jetës, duke nxitur në ta dëshirën për ta shpenzuar atë në shërbim të së Mirës. Një detyrë kjo në të cilën të gjithë jemi të angazhuar në vetën e parë.

Shqetësimet e shfaqura prej shumë të rinjve kohët e fundit, në Vende të ndryshme të botës, shprehin dëshirën që të mund ta shohin të ardhmen me një shpresë të sigurt. Në momentin e tanishëm ata jetojnë me shqetësim shumë aspekte, si: dëshira për të marrë informacion, që i përgatit ata në mënyrë më të thellë për t’i bërë ballë realitetit, vështirësia për të formuar një familje dhe për të gjetur një vend të qëndrueshëm pune, aftësia efektive për të kontribuar në botën e politikës, të kulturës dhe të ekonomisë për ndërtimin e një shoqërie me një fytyrë më njerëzore dhe më solidare.

Është e rëndësishme që këto tharme dhe shtytja e tyre drejt idealeve të gjejnë vëmendjen e duhur në të gjithë përbërësit e shoqërisë. Kisha i shikon të rinjtë me shpresë, ka besim në ta dhe i nxit që ta kërkojnë të vërtetën, të mbrojnë të mirën e përbashkët, dhe të kenë perspektiva të hapura mbi botën dhe sy të hapur për të parë gjëra të reja (krh. Is 42,9; 48,6)!

 

Përgjegjësit e edukimit

 

2. Edukimi është aventura më tërheqëse dhe më e vështirë e jetës. Të edukosh – prej latinishtes educare – do të thotë ta nxjerrësh jashtë vetvetes dhe ta futësh në realitet, drejt një plotësie që e bën personin të rritet. Ky proces ushqehet prej takimit të dy lirive, asaj të të rriturit dhe asaj të të riut. Ai kërkon përgjegjësinë e nxënësit, i cili duhet të jetë i hapur dhe ta lërë veten të drejtohet në njohjen e realitetit, dhe atë të edukatorit, i cili duhet të jetë i gatshëm të dhurojë vetveten. Për këtë arsye janë më shumë se kurrë të nevojshëm dëshmitarë të përnjëmendtë, dhe jo thjesht shpërndarës rregullash dhe informacionesh; dëshmitarë që dinë të shohin më larg se të tjerët, sepse jeta e tyre përqafon hapësira më të gjera. Dëshmitar është ai që jeton në vetën e parë ecjen që propozon. Cilat janë vendet ku piqet një edukim i vërtetë për paqe dhe për drejtësi? Para së gjithash në familje, meqë prindërit janë edukatorët e parë. Familja është qeliza e parë e shoqërisë. “Në familje fëmijët mësojnë vlerat njerëzore dhe të krishtera, që mundësojnë një bashkëjetesë ndërtuese dhe paqësore. Në familje ata mësojnë solidaritetin mes brezave, respektimin e rregullave, faljen dhe mirëpritjen e tjetrit”[1]. Ajo është shkolla e parë ku edukohemi për drejtësi dhe për paqe.

Jetojmë në një botë ku familja, si edhe vetë jeta, vazhdimisht janë të kërcënuara dhe, jo rrallëherë, të copëzuara. Kushte pune shpesh pak të harmonizueshme me përgjegjësitë familjare, shqetësime për të ardhmen, ritme frenetike jete, migrim në kërkim të një jetese më të mirë, madje me raste edhe të një mbijetese, e bëjnë të vështirë mundësinë për t’u siguruar fëmijëve një të mirë më të çmueshme: praninë e prindërve; prani që mundëson një bashkëndarje gjithnjë e më të thellë të ecjes, që të mund të përçohet ajo përvojë dhe ato siguri të fituara me kalimin e viteve, që vetëm gjatë kohës së kaluar së bashku mund të komunikohen. Prindërve dëshiroj t’ju them që të mos i lëshojë zemra! Me shembullin e jetës së tyre duhet t’i nxisin fëmijët që ta vënë shpresën sidomos në Hyjin, pasi vetëm prej tij burojnë drejtësia dhe paqja e vërtetë.

Do të doja t’u drejtohesha edhe përgjegjësve të institucioneve që kanë detyra edukative: duhet të vigjëlojnë me një ndjenjë të madhe përgjegjësie me qëllim që dinjiteti i çdo personi të respektohet dhe të vlerësohet në çdo rrethanë. Duhet të kujdesen që çdo i ri të mund të zbulojë thirrjen e vet, duke e shoqëruar atë me qëllim që t’i fusë në punë dhuratat që Zoti i ka dhënë dhe kështu të sjellin fryt. Duhet t’i sigurojnë familjet që fëmijët e tyre mund të kenë një ecje formuese jo në kontrast me ndërgjegjen dhe me parimet e tyre fetare.

Uroj që çdo mjedis edukativ të jetë një vend i hapur ndaj transhendentes dhe të tjerëve; vend dialogu, kohezioni dhe dëgjimi, në të cilin i riu duhet të ndihet i vlerësuar në potencialitetet e veta dhe në pasuritë e brendshme, si dhe duhet të mësojë t’i vlerësojë vëllezërit. Duhet të mësojë ta shijojë gëzimin që buron prej të jetuarit ditë pas dite dashurinë dhe dhembshurinë ndaj të afërmit dhe prej marrjes pjesë në mënyrë aktive në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore.

Po u drejtohem më pas përgjegjësve politikë, duke u kërkuar që t’i ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucionet edukative për të ushtruar të drejtën-detyrë të tyre për të edukuar. Kurrë nuk duhet të mungojë një mbështetje e përshtatshme ndaj amësisë dhe ndaj atësisë. Duhet të veprojnë në atë mënyrë që askujt të mos i mohohet mundësia për t’u arsimuar dhe që familjet të mund të zgjedhin lirisht strukturat edukative që u duken më të përshtatshme për të mirën e fëmijëve të tyre. Duhet të angazhohen për të favorizuar bashkimin e atyre familjeve që janë të ndara prej nevojës për të gjetur mjete për jetesën e tyre. Duhet t’u ofrojnë të rinjve një imazh të pastër të politikës, si një shërbim i vërtetë për të mirën e të gjithëve.

Po ashtu, nuk mund të mos i drejtohem botës së mediave me qëllim që të japin kontributin e tyre edukativ. Në shoqërinë e sotme, mjetet e komunikimit në masë kanë një rol të rëndësishëm: jo vetëm informojnë, por edhe formojnë shpirtin e spektatorëve dhe për këtë arsye mund të japin një ndihmë me vlerë në edukimin e të rinjve. Është e rëndësishme të kihet parasysh që lidhja mes edukimit dhe komunikimit është shumë e ngushtë: edukimi ndodh në fakt përmes komunikimit, që ndikon, pozitivisht apo negativisht, në formimin e personit. Edhe të rinjtë duhet të kenë guximin për të jetuar para së gjithash ata vetë atë që u kërkojnë atyre që i rrethojnë. Është një përgjegjësi e madhe ajo që u takon: duhet të kenë forcën për ta përdorur mirë dhe me vetëdije lirinë. Edhe ata janë përgjegjës të edukimit të tyre dhe të formimit për drejtësi dhe për paqe!

  

Të edukosh për të vërtetën dhe për lirinë

 

3. Shën Agustini pyet: “Quid enim fortius desiderat anima quam veritatem? – Çfarë kërkon njeriu më fort, sesa të vërtetën?”[2]. Fytyra njerëzore e një shoqërie varet shumë prej kontributit të edukimit për ta mbajtur gjallë një pyetje të tillë të domosdoshme. Edukimi, në fakt, ka të bëjë me formimin tërësor të personit, përfshi përmasën morale dhe shpirtërore të qenies, në parapamje të qëllimit të tij të fundit dhe të së mirës së shoqërisë, anëtar i së cilës ai është. Për këtë arsye, për të edukuar për të vërtetën duhet para së gjithash të dish se kush është personi njerëzor, të njohësh natyrën e tij. Duke soditur realitetin që e rrethon, Psalmisti reflekton: “Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?” (Ps 8,4-5). Kjo është pyetja themelore që duhet të bëjmë: kush është njeriu? Njeriu është një qenie që mbart në zemër një etje për amshimin, një etje për të vërtetën – jo të pjesshme, por të aftë për të shpjeguar kuptimin dhe domethënien e jetës – sepse është krijuar në përngjasim dhe në ngjashmëri me Hyjin. Atëherë me mirënjohje e pranon jetën si një dhuratë të paçmueshme, arrin të zbulojë dinjitetin e tij të thellë dhe padhunueshmërinë e çdo personi. Për këtë arsye, edukimi i parë ka të bëjë me faktin se duhet të mësojmë të njohim te njeriu përngjasimin me Krijuesin dhe, si rrjedhojë, të kemi një respekt të thellë për çdo qenie njerëzore dhe t’i ndihmojmë të tjerët që të realizojnë një jetë sipas këtij dinjiteti shumë të lartë.

Nuk duhet të harrojmë kurrë që “zhvillimi i përnjëmendtë i njeriut i përket në mënyrë njësiore tërësisë së personit në çdo përmasë të tij”,[3] përfshi atë transhendente, dhe se nuk mund të sakrifikohet personi për të arritur një të mirë të veçantë, qoftë ajo ekonomike apo sociale, individuale apo kolektive.

Vetëm në marrëdhënie me Hyjin njeriu kupton edhe domethënien e lirisë së vet. Detyrë e edukimit është të formojë në një liri të përnjëmendtë. Kjo nuk është mungesa e lidhjeve apo mbizotërimi i arbitrit të lirë, nuk është absolutizmi i unit.

Njeriu që beson se është absolut, se nuk varet prej asgjëje dhe prej askujt, se mund të bëjë çfarë të dojë, përfundon që t’i kundërvihet të vërtetës së qenies së vet dhe të humbasë lirinë e vet. Njeriu, përkundrazi, është një qenie marrëdhënore, që jeton në marrëdhënie me të tjerët dhe, sidomos, me Hyjin. Liria e përnjëmendtë nuk mund të arrihet kurrë në largimin prej Tij.

Liria është një vlerë e çmueshme, por delikate; mund të keqkuptohet dhe të keqpërdoret. “Sot një pengesë veçanërisht tinëzare në veprën edukative përbëhet prej pranisë në masë të madhe, në shoqërinë dhe në kulturën tonë, të atij relativizmi që, duke mos njohur asgjë si përfundimtare, lë si masë të fundit vetëm unin e vet me tekat e veta, dhe nën dukën e lirisë bëhet për secilin një burg, sepse ndan njërin prej tjetrit, duke bërë që secili të gjendet i mbyllur brenda “unit” të vet. Brenda një horizonti të tillë relativistik nuk është i mundur, pra, një edukim i vërtetë: pa dritën e së vërtetës herët a vonë çdo person është në fakt i dënuar të dyshojë në mirësinë e vetë jetës dhe të marrëdhënieve, që e përbëjnë atë, të vlefshmërisë së angazhimit të tij për të ndërtuar me të tjerët diçka të përbashkët”.[4]

Për të ushtruar lirinë e vet, njeriu pra, duhet të tejkalojë horizontin relativistik dhe duhet të njohë të vërtetën mbi veten e vet dhe të vërtetën rreth të mirës dhe të keqes. Në thellësinë e ndërgjegjes njeriu zbulon një ligj që nuk e vendos ai, por të cilit duhet t’i bindet dhe zëri i të cilit e thërret për të dashur dhe për të bërë të mirën dhe për t’iu shmangur së keqes, për të marrë përsipër përgjegjësinë e të mirës së përmbushur dhe të keqes së bërë.[5] Për këtë arsye, ushtrimi i lirisë është ngushtësisht i lidhur me ligjin moral natyror, që ka karakter universal, shpreh dinjitetin e çdo personi, vë bazën e të drejtave dhe të detyrave të tij themelore, dhe pra, në fund, të bashkëjetesës së drejtë dhe paqësore mes personave. Pra, përdorimi i drejtë i lirisë është qendror për nxitjen e drejtësisë dhe të paqes, që kërkojnë respektimin e vetvetes dhe të tjetrit, edhe pse larg prej mënyrës vetjake të të qenit dhe të të jetuarit. Prej një qëndrimi të tillë lindin elementet pa të cilët paqja dhe drejtësia mbesin fjalë pa kuptim: besimi i ndërsjellë, aftësia për të ndërthurur një dialog konstruktiv, mundësia e faljes, që shumë herë do të duhej të arrihej, por që është e vështirë të jepet, dashuria e ndërsjellë, zemërdhembshuria ndaj më të dobtëve, si edhe gatishmëria për të sakrifikuar.

 

Të edukosh për të vërtetën

 

4. Në botën tonë, në të cilën vlera e personit, e dinjitetit të tij dhe e të drejtave të tij, përtej asaj që thuhet, është seriozisht e kërcënuar prej prirjes së përhapur për të përdorur ekskluzivisht kritere dobishmërie, përfitimi dhe të pasuri, është e rëndësishme të mos ndahet koncepti i drejtësisë prej rrënjëve të saj transhendente. Drejtësia, në fakt, nuk është thjesht një konvencion njerëzor, sepse ajo që është e drejtë nuk përcaktohet zanafillisht prej ligjit pozitiv, por prej identitetit të thellë të qenies njerëzore. Është vizioni integral i njeriut që mundëson që të mos biem në një konceptim kontraktualist të drejtësisë dhe që të hapim edhe për të horizontin e solidaritetit dhe të dashurisë.[6]

Nuk mund të shpërfillim që disa rryma të kulturës moderne, të mbështetura nga parime ekonomike racionalistike dhe individualiste, e kanë shkëputur konceptin e drejtësisë prej rrënjëve të saj transhendente, duke e ndarë prej dashurisë dhe prej solidaritetit: «“Qyteti i njeriut” nuk nxitet vetëm nga marrëdhëniet e të drejtave dhe detyrave, por edhe më shumë dhe në rend të parë prej marrëdhënieve të dhurimit falas, të zemërdhembshurisë dhe të bashkësisë. Dashuria e shfaq gjithmonë edhe në marrëdhëniet njerëzore dashurinë e Hyjit, ajo i jep vlerë teologale dhe shpëtimtare çdo angazhimi të drejtësisë në botë».[7]

“Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!” (Mt 5,6). Do të ngihen, sepse kanë uri dhe etje marrëdhëniesh të drejta me Hyjin, me veten e tyre, me vëllezërit dhe motrat e tyre, dhe me krejt krijimin.

 

Të edukosh për paqen

 

5. “Paqja nuk është thjesht mungesë lufte apo nuk mund zvogëlohet në vendosjen e ekuilibrit mes forcave të kundërta. Paqja në tokë nuk mund të arrihet pa mbrojtjen e të mirave të personit, pa lirinë e komunikimit mes personave njerëzorë, pa respektimin e dinjitetit të personave dhe të popujve, pa praktikimin e pareshtur të vëllazërisë”.[8] Paqja është fryt i drejtësisë dhe efekt i dashurisë. Paqja është para së gjithash dhuratë e Hyjit. Ne të krishterët besojmë se Krishti është paqja jonë e vërtetë: në Të, në Kryqin e tij, Hyji e ka pajtuar botën me Veten e Vet dhe ka përmbysur murin që na ndante prej njëri-tjetrit (krh. Ef 2,14-18); në Të ka vetëm një familje të vetme të pajtuar në dashuri.

Por paqja nuk është vetëm dhuratë që duhet marrë, por edhe vepër për t’u ndërtuar. Për të qenë me të vërtetë punëtorë të paqes, duhet të edukohemi në zemërdhembshuri, solidaritet, bashkëpunim, vëllazëri, të jemi aktivë brenda bashkësisë dhe vigjilentë në zgjimin e ndërgjegjeve mbi çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe mbi rëndësinë për të kërkuar mënyra të përshtatshme për shpërndarjen e pasurisë, për nxitjen e rritjes, për bashkëveprimin e zhvillimit dhe për zgjidhjen e konflikteve. “Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit”, thotë Jezusi në Mësimin në Mal (Mt 5,9).

Paqja për të gjithë lind prej drejtësisë së secilit dhe askush nuk mund t’i bëjë bisht angazhimit thelbësor për të nxitur drejtësinë, sipas kompetencave dhe përgjegjësive të veta. Ftoj në mënyrë të veçantë të rinjtë, që e kanë gjithnjë të gjallë tensionin drejt idealeve, që kanë durimin dhe këmbënguljen për të kërkuar drejtësinë dhe paqen, për të kultivuar shijen për atë që është e drejtë dhe e mirë, edhe kur ajo mund të kërkojë sakrifica apo të shkohet kundër rrymës.

  

Sytë e mi i çoj drejt Hyjit

 

6. Përpara sfidës së vështirë për të përshkuar udhët e drejtësisë dhe të paqes mund të jemi të tunduar të pyesim, si Psalmisti: “Sytë e mi i çoj drejt maleve: prej nga do të më vijë mua ndihma?” (Ps 121,1).

Të gjithëve, në veçanti të rinjve, dua t’u them me forcë: “Nuk janë ideologjitë që e shpëtojnë botën, por vetëm të drejtuarit Hyjit të gjallë, që është krijuesi ynë, dorëzani i lirisë sonë, dorëzani i asaj që është me të vërtetë e mirë dhe e vërtetë... të drejtuarit pa rezerva Hyjit që është masa e asaj që është e drejtë dhe në të njëjtën kohë është dashuria e amshuar. Vallë, çfarë do të na shpëtonte përveç dashurisë?”.[9] Dashuria kënaqet në të vërtetën, është forca që na bën të aftë për t’u angazhuar për të vërtetën, për drejtësinë, për paqen, sepse arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka (krh. 1 Kor 13,1-13).

 Fort të dashur të rinj, ju jeni një dhuratë e çmueshme për shoqërinë.

Mos e lini veten të kapeni prej shkurajimit përballë vështirësive dhe mos e lini veten të bini pre e zgjedhjeve të lehta, që shpesh ju paraqiten si rruga më e lehtë për të zgjidhur problemet. Mos kini frikë për t’u angazhuar, për t’i bërë ballë lodhjes dhe sakrificës, për të zgjedhur rrugët që kërkojnë besnikëri dhe qëndresë, përvujtëri dhe përkushtim. Jetojeni me besim rininë tuaj dhe ato dëshira të thella lumturie, të vërtete, bukurie dhe dashurie të vërtetë! Jetojeni intensivisht këtë stinë të jetës kaq të pasur dhe plot me entuziazëm.

Jini të ndërgjegjshëm se ju vetë jeni shembull dhe stimul për të rriturit, dhe do të jeni sa më shumë që të përpiqeni të tejkaloni padrejtësitë dhe korrupsionin, sa më shumë që të dëshironi një të ardhme më të mirë dhe të angazhoheni për ta ndërtuar atë. Jini të vetëdijshëm për potencialitetet tuaja dhe mos u mbyllni në vetvete, por mësoni të punoni për një të ardhme më të shndritshme për të gjithë.

Nuk jeni kurrë vetëm. Kisha ka besim te ju, ju ndjek, ju jep zemër dhe dëshiron t’ju ofrojë atë që ka më të çmueshme: mundësinë për t’i çuar sytë drejt Hyjit, për të takuar Jezu Krishtin, Ai që është drejtësia dhe paqja.

 Ju të gjithëve, burra dhe gra që e keni përzemër çështjen e paqes! Paqja nuk është një e mirë që e kemi arritur tashmë, por një qëllim drejt të cilit të gjithë aspirojmë të shkojmë. Ta shikojmë me më shumë shpresë të ardhmen, t’i japim zemër njëri-tjetrit në ecjen tonë, të punojmë për t’i dhënë botës sonë një fytyrë më njerëzore dhe më vëllazërore, dhe të ndihemi të bashkuar në përgjegjësinë ndaj breznive të reja të tanishme dhe të ardhme, në veçanti në edukimin e tyre për të qenë paqësorë dhe punëtorë të paqes. Në bazë të kësaj vetëdijeje ju dërgoj këto reflektime dhe ju drejtoj apelin tim: t’i bashkojmë forcat tona, shpirtërore, morale dhe materiale “për t’i edukuar të rinjtë për drejtësinë dhe për paqen”.

  

Prej Vatikanit, 8 dhjetor 2011

 

 


[1] BENEDIKTI XVI, Discorso agli Amministratori della Regione Lazio, del Comune e della Provincia di Roma [Fjalim drejtuar Administratës së Krahinës së Lacios, Bashkisë dhe Provincës së Romës] (14 janar 2011): L’Osservatore Romano,15 janar 2011, fq. 7.

[2] Komenti i Ungjillit të Shën Gjonit, 26,5.

[3] BENEDIKTI XVI, Letra enciklike Caritas in veritate [Dashuria në të vërtetën] (29 qershor 2009), 11:AAS 101 (2009), 648; krh. PALI VI, Letra enciklike Populorum progressio (26 mars 1967), 14: AAS 59 (1967), 264.

[4] BENEDIKTI XVI, Discorso in occasione dell’apertura del Convegno ecclesiale diocesano nella Basilica di san Giovanni in Laterano [Fjalim me rastin e hapjes së Kuvendit kishtar dioqezan në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran] (6 qershor 2005): AAS 97 (2005), 816.

[5] Krh. KONCILI II i VATIKANIT, Kushtetuta Gëzimi dhe shpresa, 16.

[6] Krh. BENEDIKTI XVI, Discorso al Bundestag [Fjalim Bundestagut] (Berlin, 22 shtator 2011): L’Osservatore Romano, 24 shtator 2011, fq. 6-7.

[7] Po ai, Letra enciklike Caritas in veritate [Dashuria në të vërtetën] (29 qershor 2009), 6: AAS 101 (2009), 644-645.

[8] Catechismo della Chiesa Cattolica [Katekizmi i Kishës Katolike], 2304.

[9] BENEDIKTI XVI, Veglia con i Giovani [Vigjilja me të Rinjtë] (Këln, 20 gusht 2005): AAS 97 (2005), 885-886.

 

 

titujt kryesorë

 
 
>  Kisha Katolike Shkoder <

webmaster