|
|
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
Sheshi në Rrugën e
Melnikut në Starà Boleslavo
E hënë, 28 shtator 2009
Zotërinj Kardinalë,
Të nderuar Vëllezër në
Episkopat dhe në Meshtari,
të dashur vëllezër e
motra,
të dashur të rinj,
me gëzim të madh ju takoj në këtë mëngjes,
ndërsa po përfundon udhëtimi im apostolik në Republikën e dashur Çeke.
Të gjithëve ju drejtoj përshëndetjen time të përzemërt, në mënyrë të
veçantë Kardinalit Arqipeshkëv, të cilit i jam mirënjohës për fjalët që
më ka drejtuar në emrin tuaj, në fillim të kremtimit eukaristik.
Përshëndetja ime u shkon të gjithë Kardinalëve, Ipeshkvinjve, meshtarëve
dhe personave të kushtuar Zotit, përfaqësuesve të lëvizjeve e të
shoqatave laikale dhe sidomos të rinjve. Përshëndes me respekt Zotin
President të Republikës, të cilit i paraqes një urim të përzemërt me
rastin e ditës së tij të emrit; urim që më pëlqen t’u drejtoj atyre që
mbajnë emrin e Vençeslaut, si dhe tërë popullit çek në ditën e festës së
tij kombëtare.
Këtë mëngjes na bashkon përreth altarit
kujtimi i lavdishëm i martirit shën Vençeslau, reliken e të cilit kam
mundur ta nderoj, para Meshës së Shenjtë, në Bazilikën kushtuar atij. Ai
ka derdhur gjakun e vet në tokën tuaj dhe shqipja e tij e zgjedhur prej
jush si stemë e vizitës së sotme – këtë e kujtoi pak më parë Kardinali
Arqipeshkëv i juaji – përbën emblemën historike të kombit fisnik çek. Ky
Shenjt i madh, që juve ju pëlqen ta quani Princi “i amshuar” i Çekëve,
na fton ta ndjekim gjithmonë dhe benikërisht Krishtin, na fton të jemi
shenjtër. Ai vetë është model shenjtërie për të gjithë, sidomos për ata
që udhëheqin fatet e bashkësive dhe të popujve. Por pyesim veten: a
është shenjtëria aktuale ende edhe në ditët e sotme? Apo është një temë
jo fort tërheqëse dhe e rëndësishme? A nuk kërkohen sot më shumë suksesi
dhe lavdia e njerëzve? Por, sa vazhdon dhe sa vlen suksesi tokësor?
Shekulli i kaluar – dhe kjo tokë e juaj
është dëshmitare për këtë – ka parë të bien jo pak të fuqishëm, që
dukeshin se kishin arritur lartësi të paarritshme. Papritmas janë gjetur
pa pushtetin e tyre. Ata që e kanë mohuar e vazhdojnë ta mohojnë Hyjin
dhe, si pasojë, nuk e respektojnë njeriun, duket se kanë një jetë të
lehtë dhe arrijnë një sukses material. Por mjafton të zbulojmë
sipërfaqen për të vënë re se, në këta persona, ka trishtim dhe
pakënaqësi. Vetëm ata që ruajnë në zemër “frikën e shenjtë të Hyjit”
kanë besim edhe në njeriun dhe e shpenzojnë ekzistencën e tyre për të
ndërtuar një botë më të drejtë e vëllazërore. Sot ka nevojë për persona
që janë “besimtarë” dhe “të besueshëm”, të gatshëm të përhapin në çdo
mjedis të shoqërisë ato parime dhe ideale të krishtera prej të cilave
frymëzohet veprimi i tyre. Kjo është shenjtëria, thirrja e
gjithëmbarshme e të gjithë të pagëzuarve, që i nxit ta kryejnë detyrën e
tyre me besnikëri e guxim, duke shikuar jo interesin e tyre egoist, por
të mirën e përbashkët, dhe duke kërkuar në çdo moment vullnetin hyjnor.
Në faqen ungjillore, në lidhje me këtë
dëgjuam fjalë shumë të qarta: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë
botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e
vet?” (Mt 16,26). Kështu na nxit të konsiderojmë se vlera e përnjëmendtë
e ekzistencës njerëzore nuk matet vetëm me të mirat tokësore dhe
interesat kalimtare, sepse nuk janë realitetet materiale ato që e
shuajnë etjen e thellë për kuptim e lumturi që gjendet në zemrën e çdo
personi. Prandaj jezusi nuk ngurron t’u propozojë nxënësve të vet rrugën
“e ngushtë” të shenjtërisë: “Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë,
kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë” (rr. 25). Dhe me
vendosmëri na përsërit sot në mëngjes: “Nëse ndokush dëshiron të vijë
pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë
pas meje” (rr. 24). Sigurisht është një gjuhë e fortë, e vështirë për
t’u pranuar e për t’u vënë në jetë, por dëshmia e Shenjtërve dhe e
Shenjtëreshave na siguron se është e mundur për të gjithë, nëse i
besohemi Krishtit. Shembulli i tyre i nxit ata që e quajnë veten të
krishterë për të qenë të besueshëm, pra koherentë me parimet dhe fenë që
dëshmon. Në të vërtetë, nuk mjafton të dukemi të mirë e të ndershëm;
duhet që të jemi të tillë realisht. Dhe i mirë e i ndershëm është ai që
nuk e mbulon me unin e vet dritën e Hyjit, nuk vë përpara vetveten, por
lë që të tejduket Hyji.
Ky është mësimi i jetës i shën
Vençeslaut, që pati guximin ta vinte mbretërinë e qiellit para tërheqjes
së pushtetit tokësor. Vështrimi i tij nuk u shkëput kurrë prej Jezu
Krishtit, i cili pësoi për ne, duke lënë një shembull, që të ndjekim
gjurmët e tij, sikurse shkruan shën Pjetri në leximin e dytë të bërë pak
më parë. Si nxënës i dëgjueshëm i Zotit, sovrani i ri Vençeslau u
qëndroi besnik mësimeve ungjillore që ia kishte dhënë gjyshja e tij e
shenjtë, martirja Ludmilla. Duke i ndjekur ato, ende para se të
angazhohej për të ndërtuar një bashkëjetesë paqësore brenda atdheut dhe
me vendet fqinje, punoi për të përhapur fenë e krishterë, duke thirrur
meshtarë e duke ndërtuar kisha. Në “tregimin” e parë paleosllav lexohet
se “ndihmonte shërbestarët e Hyjit dhe zbukuronte edhe shumë kisha” dhe
se “ndihmonte të varfërit, vishte të zhveshurit, u jepte për të ngrënë
të uriturve, mikpriste shtegtarët, pikërisht sikurse kërkon Ungjilli.
Nuk duronte që t’u bëhej padrejtësi vejushave, i donte të gjithë
njerëzit, të varfër apo të pasur”. Mësoi prej Zotit që të ishte “i
mëshirshëm dhe i devotshëm” (Psalmi resp.) dhe i frymëzuar prej shpirtit
ungjillor arriti të falte edhe të vëllain, që i kishte bërë atentat
jetës së tij. Prandaj, me të drejtë e quani si “Trashëgimtar” të Kombit
tuaj, dhe, në një këngë që ju e njihni mirë, i kërkoni që ky komb të mos
mbarojë kurrë.
Vençeslau
ka vdekur martir për Krishtin. Është interesante të vëmë në dukje se i
vëllai Boleslau, duke e vrarë, arriti të përvetësonte fronin e Pragës,
por kurora që më pas vinin në kokë pasardhësit e tij nuk mbante emrin e
tij. Ajo në fakt mban emrin e Vençeslaut, si dëshmi se “froni i mbretit
që i gjykon të varfërit në të vërtetën do të mbetet i patundur në
amshim” (krh. Ufici i leximeve të sotme). Ky fakt gjykohet si një
ndërhyrje e mrekullueshme e Hyjit, që nuk i braktis besnikët e vet: “i
pafajshmi i mposhtur fitoi mbi fitimtarin mizor njësoj sikurse Krishti
mbi kryq” (krh. Legjenda e shën Vençeslaut), dhe gjaku i martirit nuk
thirri urrejtje e hakmarrje, por falje e paqe.
Të dashur vëllezër e motra, ta
falënderojmë së bashku Zotin, në këtë Eukaristi, sepse i ka dhuruar
Atdheut tuaj dhe Kishës këtë Shenjt sovran. Në të njëjtën kohë, të
lutemi që, sikurse ai, të ecim me hap të shpejtë drejt shenjtërisë.
Sigurisht që është e vështirë, sepse feja gjithmonë gjendet para sfidash
të shumta, por kur e lëmë veten të tërhiqemi prej Hyjit që është e
Vërteta, ecja bëhet e vendosur, sepse përjetojmë forcën e dashurisë së
tij. Ndërmjetësimi i shën Vençeslaut dhe e Shenjtërve të tjerë pajtorë
të Tokave Çeke e fitoftë për ne këtë hir. Na mbroftë e na ndihmoftë
gjithmonë Maria, Mbretëresha e paqes dhe Nëna e Dashurisë. Amen!
titujt kryesorë
|
|