ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Mesha e Shenjte me rastin e botimit te Instrumentum Laboris

te Asamblese se Posaçme per Lindjen e Mesme te Sinodit te Ipeshkvijves

 

 

 Pallati i Sportit Elefteria – Nikozi, e diel, 6 qershor 2010

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 Të dashur vëllezër e motra në Krishtin,

 përshëndes me gëzim Patriarkët dhe Ipeshkvijtë e bashkësive të ndryshme kishtare të Lindjes së Mesme që kanë ardhur në Qipro për këtë rast dhe falënderoj veçanërisht Shumë të Nderuarin Youssef Soueif, Arqipeshkëv Maronit i Qipros, për fjalët që më drejtoi në fillim të Meshës. Një përshëndetje të ngrohtë i drejtoj edhe Lumturisë së Tij Krizostomit II.

 Më lejoni të them se sa i lumtur jam që kam këtë mundësi të kremtoj Eukaristinë së bashku me kaq shumë besimtarë të Qipros, një tokë e bekuar prej punës apostolike të Shën Palit dhe Shën Barnabës. Ju përshëndes të gjithëve ju me dashuri të madhe dhe ju falënderoj për mikpritjen zemërgjerë që më keni rezervuar. U drejtoj një përshëndetje të veçantë emigrantëve filipinas dhe atyre të Sri Lankës si dhe bashkësive të tjera të emigrantëve që formojnë një grup domethënës në popullsinë katolike të këtij ishulli. Lutem që prania juaj këtu të mund ta pasurojë veprimtarinë dhe kultin e famullive të cilave u përkisni dhe që ju vetë të mund të keni mbështetje shpirtërore prej trashëgimisë së lashtë të krishterë të tokës që keni zgjedhur si shtëpinë tuaj.

 Sot kremtojmë Solemnitetin e Korpit dhe Gjakut të Krishtit. Corpus Christi, emri që i është dhënë kësaj feste në Perëndim, përdoret në traditën e Kishës për të treguar tre realitete të dalluara: trupin fizik të Jezusit, të lindur prej Virgjërës Mari, trupin e tij eukaristik, bukën qe qiellit që na ushqen në këtë sakrament të madh, dhe trupin e tij kishtar, Kishën. Duke reflektuar mbi këto aspekte të ndryshme të Corpus Christi-t, arrijmë në një kuptim më të thellë të misterit të bashkimit që i lidh të gjithë ata që i përkasin Kishës. Të gjithë ata që ushqehen me trupin e gjakun e Krishtit në Eukaristi janë të bashkuar prej Shpirtit Shenjt në një trup të vetëm (krh. Lutja Eukaristike II) për të formuar të vetmin popull të shenjtë të Hyjit. Ashtu sikurse Shpirti Shenjt ka zbritur mbi Apostujt në Çenakull në Jeruzalem, i njëjti Shpirt Shenjt vepron në çdo kremtim të Meshës për një qëllim të dyfishtë: të shenjtërojë dhuratat e bukës e të verës që të bëhen trupi e gjaku i Krishtit dhe të mbushë ata që ushqehen prej këtyre dhuratave të shenjta që të mund të bëhen një trup i vetëm e një shpirt i vetëm në Krishtin.

 Shën Agustini e shpjegon në mënyrë të mrekullueshme këtë proces (krh. Sermone 272). Ai na kujton se buka nuk përgatitet nga një kokërr e vetme por nga shumë kokrra gruri. Para se këta kokrra të bëhen bukë duhet të bluhen. Ai këtu aludon për ekzorcizmin të cilit katekumenët duhej t’i nënshtroheshin para pagëzimit të tyre. Secili prej nesh që i përkasim Kishës ka nevojë të dalë prej botës së mbyllur të individualitetit të vet dhe të pranojë shoqërinë e atyre që bashkëndajnë bukën me të. Nuk duhet të mendoj më duke nisur nga “vetvetja” por nga “ne”. Prandaj çdo ditë ne lusim Atin “tonë” për bukën “tonë” të përditshme. Zhdukja e barrierave mes nesh dhe të afërmve tanë është premisa e parë për të hyrë në jetën hyjnore në të cilën jemi të thirrur. Kemi nevojë të lirohemi nga gjithçka që na bllokon dhe na izolon: frika dhe mosbesimi nga njëri-tjetri, grykësia dhe egoizmi, mungesa e vullnetit për të pranuar rrezikun e brishtësisë që përballim kur i hapemi dashurisë.

 Kokrrat e grurit, pasi shtypen, përzihen në brumë e piqen. Këtu shën Agustini i referohet zhytjes në ujërat pagëzimore të ndjekur prej dhuratës sakramentale të Shpirtit Shenjt që e ndez zemrën e besimtarëve me zjarrin e dashurisë së Hyjit. Ky proces që i bashkon dhe i shndërron kokrrat e izoluara në një bukë të vetme na paraqet një shëmbëlltyrë sugjestive të veprimit njësues të Shpirtit Shenjt mbi anëtarët e Kishës, të realizuar në mënyrë të shkëlqyer nëpërmjet kremtimit të Eukaristisë. Ata që marrin pjesë në këtë sakrament të madh bëhen Trupi kishtar i Krishtit kur ushqehen me Trupin e tij eukaristik. “Ji ajo që ti mund të shohësh – thtoë shën Agustini duke i nxitur – dhe merr atë që ti je”.

 Këto fjalë të forta na ftojnë t’i përgjigjemi me bujari ftesës për “të qenë Krishti” për ata që na rrethojnë. Ne jemi trupi i tij tani në tokë. Për të parafrazuar një frazë të njohur që i atribuohet shenjtes Terezë të Avilës, ne jemi sytë me të cilët dhembshuria e tij vështron ata që janë në nevojë, jemi duart që ai shtrin për të bekuar e për të shëruar, jemi këmbët të cilat ai i përdor për të shkuar e për të bërë mirë, dhe jemi buzët me të cilat Ungjilli i tij kumtohet. Pra, është e rëndësishme të dimë se kur marrim pjesë kështu në veprën e tij të shëlbimit, nuk përkujtojmë një hero të vdekur duke e zgjatur atë që ai ka bërë: përkundrazi, Krishti është i gjallë në ne, trupin e tij, Kishën, popullin e tij meshtarak. Duke u ushqyer me Të në Eukaristi dhe duke pranuar Shpirtin Shenjt në zemrat tona, bëhemi me të vërtetë trupi i Krishtit që kemi marrë, jemi me të vërtetë në bashkim me të dhe me njëri-tjetrin,, dhe bëhemi përnjëmend mjetet e tij, duke e dëshmuar atë para botës.

 “Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë” (Vap 4,32). Në bashkësinë e parë të krishterë, të ushqyer në sofrën e Zotërisë, ne shohim efektet e veprimit njësues të Shpirtit Shenjt. Duke bashkëndarë pasuritë e tyre, duke u shkëputur nga çdo e mirë materiale për dashuri të vëllezërve. Kanë gjetur zgjidhje të drejta për ndryshimet e tyre sikurse shohim, për shembull, në zgjidhjen e diskutimit mes helenistëve dhe hebrenjve mbi shërbimin e prëditshëm (krh. Vap 6,1-6). Sikurse më vonë ka thënë një komentues: “Shiko se si këta të krishterë e duan njëri-tjetrin dhe se si janë të gatshëm të vdesin për njëri-tjetrin” (Tertuliani, Apologia, 39). Por dashuria e tyre nuk ishte aspak e kufizuar vetëm në miqtë e tyre besimtarë. Kurrë nuk e kanë konsideruar veten si ekskluzivë, të dobimarrës të privilegjuar të mbështetjes hyjnore, por si lajmëtarë të dërguar për ta përhapur lajmin e mirë të shëlbimit në Krishtin deri në skajet e botës. Dhe kështu mesazhi që Zotëria i Ngjallur u besoi Apostujve u përhap në të gjithë Lindjen e Mesme dhe prej këtu në të gjithë botën.

 Aγαπητοί εν Xριστώ αδελφοί και αγαπητές αδελφές, σήμερα είμαστε καλεσμένοι σαν σωμα και μιά ψυχή να εζετάσουμε σε βάθος την κοινωνία μας με τον Κυριον και με τον πλησίον και να τον μαρτυρήσουμε μπροστά σε ολο τον κόσμο. [Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, sot jemi të thirrur, sikurse ata, të jemi në përkim të plotë, duke e thelluar bashkimin tonë me Zotërinë dhe mes nesh, dhe të jemi dëshmitarët e tij para botës].

 Jemi të thirrur t’i kapërcejmë ndryshimet tona, duke sjellë paqen e pajtimin aty ku ka konflikte, t’i japim botës një mesazh shprese. Jemi të thirrur ta shtrijmë vëmendjen tonë te nevojtarët, duke i ndarë bujarisht të mirat tona tokësore me ata që janë më pak fatlumë se ne. Dhe jemi të thirrur të shpallim pareshtur vdekjen e ngjalljen e Zotit, deri sa ai të vijë. Nëpër të, me të dhe në të, në njësinë që Shpirti Shenjt i dhuron Kishës, t’i japim nder e lavd Hyjit Atit tonë qiellor së bashku me të gjithë engjëjt e shenjtërit që këndojnë lavdet e tij përgjithmonë. Amen.

   

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster