|
|
MESHA E
SHENJTË ME TË SËMURËT
FJALIMI I
ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI
Oborri i Bazilikës
Notre-Dame të Rruzares
Lurds, E hënë 15
shtator 2008
Të dashur Vëllezër në
Ipeshkvi e Meshtari,
Të dashur të sëmurë, të
dashur shoqërues dhe infermierë,
të dashur vëllezër e
motra!
Dje kemi kremtuar Kryqin e
Krishtit, mjet i shpëtimit tonë, që na zbulon në plotësi mëshirën e
Hyjit tonë. Kryqi është, në fakt, vendi në të cilin shfaqet në mënyrë të
përsosur dhembshuria e Hyjit për botën tonë. Sot, duke kremtuar kujtimin
e të Lumes Virgjërës së Dhimbshme, sodisim Marinë që ndan dhembshurinë e
të Birit për mëkatarët. Siç pohonte Shën Bernardi, Nëna e Krishtit ka
hyrë në mundimet e të Birit përmes dhembshurisë së saj (krh. Omelia
per la domenica nell’ottava dell’Assunsione). Në këmbët e Kryqit
realizohet profecia e Simonit: zemra e saj si nënë është shporuar (krh.
Lk 2, 35), nga lutja e pafund e të pafajshmit, lindur nga mishi i saj.
Siç ka qarë Jezusi (krh. Gjn 11, 35), kështu edhe Maria sigurisht që ka
qarë përpara trupit të torturuar të të Birit. Vetëpërmbajtja e saj
gjithashtu na pengon të masim thellësinë e dhimbjes së saj; thellësia e
këtij vuajtjeje na është sugjeruar vetëm nga simboli tradicional i
shtatë shpatave. Ashtu si për Birin e saj Jezusin; është e mundur të
pohojmë se kjo dhimbje e ka çuar edhe atë drejt përsosmërisë (krh. Heb
2, 10), që ta bëjë të aftë të mirëpresë misionin e ri shpirtëror që i
Biri i beson asaj përpara se të “japë shpirt” (krh. Gjn 19, 30): që të
bëhet Nëna e Krishtit në gjymtyrët e Tij. Nëpërmjet figurës së nxënësit
të dashur, Jezusi ia paraqet secilin prej nxënësve Nënës së Tij duke i
thënë asaj: “Ja, yt biri” (krh. Gjn 19, 26-27).
Sot, Maria ndodhet në
gëzimin dhe në lavdinë e Ngjalljes. Lotët e derdhur në këmbët e Kryqit
janë shndërruar në një buzëqeshje që asgjë tashmë nuk mund ta shuajë,
edhe pse qëndeon e paprekur dhembshuria e saj amërore drejt nesh.
Ndërhyrja ndihmëtare e Virgjërës Mari përgjatë historisë e dëshmon atë e
nuk resht së ngjallur për të, në Popullin e Hyjit, një besim të
patundur: lutja e Memorare-s
(“Kujtohu”) e shpreh shumë mirë këtë ndjenjë. Maria e do
çdonjërin prej fëmijëve të vet, duke e përqendruar në veçanti vëmendjen
e saj mbi ata që, si i Biri i saj në orën e Mundimeve, janë në kthetrat
e vuajtjes; i do thjeshtë sepse janë femijët e saj, sipas vullnetit të
Krishtit në Kryq.
Psalmisti, duke parë
nga larg këtë lidhje amnore që bashkon Nënën e Krishtit dhe popullin që
beson, profetizon rreth Virgjërës Mari: “përkrahjen
(buzëqeshjen) tënde e dëshirojnë princat e popullit”
(Ps 44, 13). Kështu të përkëdhelur nga fjala e frymëzuar nga Shkrimi i
shenjtë, të krishterët gjithmonë kanë kërkuar buzëqeshjen e Zojës sonë,
atë buzëqeshje që artistët, në Mesjetë, kanë ditur ta paraqesin dhe ta
vlersojnë kaq mrekullisht. Kjo buzëqeshje e Marisë është për të gjithë:
ajo gjithashtu i adresohet në mënyrë të veçantë atyre që vuajnë, me
qëllim që në të të mund të gjejnë mbështetje e lehtësim. Të kërkosh
buzëqeshjen e Marisë nuk është çështje sentimentalizmi të devotshëm ose
të vjetëruar; është shprehja e duhur e lidhjes së gjallë dhe thellësisht
njerëzore, që na lidh me atë që Krishti na ka dhënë si Nënë.
Të dëshirosh ta
soditësh këtë buzëqeshje të Virgjërës nuk është aspak ta lësh veten të
zotërohesh nga një imagjinatë e pakontrolluar. Vetë Shkrimi i shenjtë na
e zbulon një buzëqeshje të tillë në buzët e Marisë kur ajo këndon lutjen
Magnificat: “Shpirti
im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim”
(Lk 1, 46-47). Kur Virgjëra Mari i thur lavde Zotit, na bën dëshmitarë
të një gjëje të tillë. Maria bashkëndan, si për paradhënie, me bijtë e
ardhshëm që jemi ne gëzimi që banon në zemrën e saj, me qëllim që i
gjithë ky gëzim të bëhet edhe gëzimi ynë. Çdo shpallje e lutjes
Magnificat na bën dëshmitarë të buzëqeshjes së saj. Këtu në Lurd,
gjatë shfaqjes së datës 3 mars 1858 Bernardeta soditi në mënyrë krejt të
veçantë këtë buzëqeshje të Marisë. Kjo ishte përgjigjja e parë që “Zonja
e Bukur” i dha vajzës së re që donte të njihte identitetin e saj.
Përpara se t’i paraqitej asaj, disa ditë më pas, si “Unë jam Zoja e
Papërlyer” Maria i bëri të njohur para së gjithash buzëqeshjen e
saj, gati sikur kjo të ishte dera hyrëse më e përshtatshme për zbulimin
e misterit të saj.
Në buzëqeshjen e
qenies më të lartësuar mes të gjitha krijesave, drejtuar neve,
pasqyrohet dinjiteti ynë si bij të Hyjit, një dinjitet që nuk e braktis
kurrë atë që është i sëmurë. Ajo buzëqeshje, pasqyrim i vërtetë i
ëmbëlsisë së Hyjit, është burimi i një shprese të pathyeshme. Për fat të
keq e dimë se dhimbja e tejzgjatur i prish ekuilibrat e konsoliduar të
një jete, trondit edhe bindjet më të qëndrueshme të besimit dhe arrin
nganjëherë të na bëjë gati të dëshpërohemi për domethënien dhe vlerat e
jetës. Ekzistojnë luftra që njeriu nuk mund t’i përballojë i vetëm, pa
ndihmën e hirit hyjnor. Kur fjala nuk di më të gjejë shprehje të sakta,
përforcohet nevoja e një pranie dashamirëse: atëherë kërkojmë afrimitet
jo vetëm me ata që kemi të njëjtin gjak me ne ose që janë të lidhur me
lidhjet e miqësisë, por edhe afërsinë e atyre që janë të lidhur ngushtë
me ne për shkak të fesë. Kush mund të jetë më i lidhur ngushtë se
Krishti dhe Nëna e Tij e Shenjtë, e Papërlyera? Më shumë se çdo kush
tjetër, ata janë të aftë të na kuptojnë dhe të kuptojnë forcën e luftës
së ndërmarrë kundër të keqes e vuajtjes. Letra drejtuar Hebrenjve
thekson, për sa i takon Krishtit, që Ai nuk është i paaftë “të
ketë dhimbje për dobësitë tona, pasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha si
ne” (Heb 4, 15). Do të
doja t’u them, përulësisht, atyre që vuajnë, atyre që luftojnë dhe që
janë të tunduar t’ia kthejnë shpinën jetës: drejtohuni kah Maria! Në
buzëqeshjen e Virgjërës gjendet në mënyrë të mistershme e fshehur forca
për ta vazhduar luftën kundër sëmundjes dhe në favor të jetës. Pranë saj
gjendet po ashtu edhe hiri për ta pranuar pa frikë dhe pa hidhërim
ndarjen nga kjo botë, në kohën e caktuar nga Hyji.
Sa e drejtë ishte
intutita e kësaj figure të bukur shpirtërore franceze, që ishte Dom
Jean- Baptiste Chautard, i cili në librin Shpirti i çdo apostullimi
i propozonte të krishterit të zjarrtë “shkëmbime të shpeshta
shikimesh me Virgjërën Mari!”. Po, të kërkosh buzëqeshjen e
Virgjërës Mari nuk është një infantilizëm i përshpirtshëm; është
frymëzimi, thotë Psalmi 44, i atyre që janë “princat
e popullit” (rr. 13). “Princat”, e ka
fjalën, sipas radhës së fesë, për ata që kanë pjekjen shpirtërore më të
lartësuar dhe për këtë arsye dinë t’i njohin dobësinë e tyre dhe
varfërinë e tyre përpara Hyjit. Në atë shfaqje shumë të thjeshtë butësie
që është buzëqeshja, perceptojmë që pasuria jonë e vetme është dashuria
që Hyji ka për ne dhe që kalon nëpërmjet zemrës së asaj që është bërë
Nëna jonë. Ta kërkosh këtë buzëqeshje do të thotë mbi të gjitha të
kuptosh dhe të kapësh të qenit falas të dashurisë; do të thotë
gjithashtu të dish ta ngjallësh këtë buzëqeshje me angazhimin tonë të të
jetuarit sipas fjalës së Djalit të saj të përzgjedhur, ashtu si fëmija
kërkon të ngjallë buzëqeshjen e nënës së tij duke bërë atë që asaj i
pëlqen. Dhe ne e dimë atë që i pëlqen Marisë falë fjalëve që ajo vetë ua
drejton shërbëtorëve të Kanës: “Bëni gjithçka
t’ju thotë!” (krh. Gjn 2,
5).
Buzëqeshja e Marisë
është një burim uji të gjallë. “Le
të pijë kush beson në mua, ka thënë Jezusi,
lumenj uji të gjallë do të rrjedhin prej barkut të tij!”
(Gjn 7, 38). Maria është ajo që ka besuar dhe, nga kraharori i saj, kanë
buruar lumenj uji të gjallë që vijnë për të ujitur historinë e njerëzve.
Burimi i treguar këtu në Lurd, nga Maria Bernardetës është shenja e
përvuajtë e këtij realiteti shpirtëror. Nga zemra e saj si besimtare dhe
si nënë rrjedh një ujë i gjallë që pastron e shëron. Duke u zhytur në
pishinat e Lurdit, sa janë ata që kanë zbuluar dhe provuar amësinë e
ëmbël të Virgjërës Mari, duke iu afruar asaj për t’iu afruar më mirë
Zotit! Në sekuencën Liturgjike të festës së të Lumes Virgjër të
Dhimbshme, Maria është nderuar me titullin “Font amoris”, “Burim
dashurie”. Nga zemra e Marisë buron, në fakt, një dashuri falas, që
ngjall një përgjigje birnore, e thirrur për të përsosur pa pushim. Si
çdo nënë, dhe më mirë se çdo nënë, Maria është edukatorja e dashurisë.
Për këtë arsye që shumë të sëmurë vijnë këtu, në Lurd, për ta shuar
etjen e tyre në këtë “burim dashurie” dhe për ta lënë veten që të
udhëhiqen për në burim e vetëm të shpëtimit, që është Djali i saj,
Jezusi Shpëtimtar.
Krishti e shpërndan
shpëtimin e Vet përmes Sakramenteve dhe, në mënyrë speciale, për
personat që vuajnë nga sëmundje ose që janë persona me aftësi të
kufizuar, përmes hirit të bashkimit të të sëmurëve për secilin vuajtja
gjithmonë është e huaj. Prania e saj është kurrë nuk mund të zbutet. Për
këtë arsye është e vështirë ta durojmë atë, edhe më e vështirë - siç
kanë bërë disa dëshmitarë të mëdhenj të shenjtërisë së Krishtit - duke e
pranuar si pjesë përbërëse të thirrjes së tyre, ose ta pranojnë, sipas
shprehjes së Bernardetës, “gjithçka të vuajë në heshtje për t’i
pëlqyer Jezusit” që të mund ta themi këtë gjë është e nevojshme të
kemi përshkuar një rrugë të gjatë në bashkim me Jezusin. Si konpensim
është e mundur që menjëherë të vihemi në duart e mëshirës së Hyjit ashtu
si ajo shfaqet përmes hirit të Sakramentit të të sëmurëve. Vetë
Bernardeta, gjatë ekzistencës së vet shpesh të shënuar nga sëmundja, e
mori këtë Sakrament katër herë. Hiri specifik i këtij Sakramenti ka të
bëjë në pranimin e Krishtit mjek. Megjithatë Krishti nuk është mjek
sipas mënyrës së botës. Për të na shëruar, ai nuk qëndron jashtë
dhimbjes që përjetohet; e lehtëson duke ardhur për të banuar në atë që
është goditur nga sëmundja, për ta duruar dhe për ta jetuar me të.
Prania e Krishtit vjen për të pridhur izolimin që dhimbja shkakton.
Njeriu nuk e mban më i vetëm provën e tij, por, duke qenë gjymtyrë
vuajtëse e Krishtit, bëhet sipas Atij që i dhurohet Atit, dhe në Të merr
pjesë në lindjen e krijimit të ri.
Pa ndihmën e Zotit,
zgjedha e sëmundjes dhe e vuajtjes është tejet e rëndë. Në marrjen e
Sakramentit të të sëmurëve, ne nuk dëshirojmë të mbajmë një zgjedhë
tjetër përveç asaj të Krishtit, të fortë nga premtimi që Ai na ka bërë,
domethënë që “zgjedha
ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”
(Mt 11, 30). Ftoj personat
që do të marrin vajimin e të sëmurëve gjatë kësaj Meshe që të hyjnë në
këtë lloj shprese.
Koncili II i Vatikanit e
ka paraqitur Marinë si figurën në të cilën është përmbledhur krejt
misteri i Kishës (krh. LG, 63-65). Ngjarjet e saj personale shfaqin
profilin e Kishës, e cila është ftuar të jetë e kujdesshme sa ajo për
personat që vuajnë. I drejtoj një përshëndetje të përzemërt pjesëtarëve
të shërbimit sanitar dhe infermieristik, ashtu edhe të gjithë personave
që, me role dhe detyra të ndryshëm, në spitale e në institucione të
tjera, kontribuojnë në përkujdesjen e të sëmurëve me kompetencë dhe
bujari. Në mënyrë të ngjashme, personelit të mikpritjes, atyre që mbajnë
barrelat dhe atyre që i shoqërojnë të sëmurët, të cilët, kanë ardhur nga
të gjitha Dioqezat e Francës dhe nga më larg, punojnë gjatë gjithë vitit
afër të sëmurëve që vijnë në shtegtim në Lurdë, desha t’u them se sa i
rëndësishëm është shërbimi i tyre. Ata janë krahët e Kishës, shërbëtore
e përulur. Desha të inkurajoj në fund atë që, në emër të fesë së tyre,
mirëpresin dhe vizitojnë të sëmurët, në veçanti në kapelat të spitaleve,
në famulli ose, si këtu, në shenjtërore. Që të mund ta ndieni gjithmonë
në këtë mision delikat e të rëndësishëm mbështetjen efikase dhe
vëllazërore të bashkësive tuaja! Me këtë rast, përshëndes dhe falënderoj
në mënyrë të veçantë vëllezërit e mi në Ipeshkvni, Ipeshkvijtë francez,
Ipeshkvijtë e huaj dhe të gjithë meshtarët që shoqërojnë të sëmurët dhe
njerëzit e prekur nga dhimbja në botë. Faleminderit për shërbimin tuaj
ndaj Zotit që vuan.
Shëbimi i bamirësisë që ju
bëni është një shërbim marian. Maria ju beson juve buzëqeshjen e saj, me
qëllim të bëheni edhe ju vetë, në besnikërinë ndaj Birit të saj, burim
uji të gjallë. Atë që ju bëni e bëni në emër të Kishës, imazhi më i
pastër i të cilës është Maria. Lutem që ju të mund t’ia çoni buzëqeshjen
e saj të gjithë njerëzve!
Duke përfunduar, dëshiroj
t’i bashkohem lutjes së shtegtarëve dhe të sëmurëve dhe të rimarr së
bashku me ju një pjesë të lutjes së Marisë për kremtimin e këtij
Jubileu:
Meqë ti je buzëqeshja e
Hyjit, pasqyrimi i dritës së Krishtit, banesa i Shpirtit Shenjt, meqë ti
ke zgjedhur Bernardetën në varfërinë e saj, ti që je ylli i mëngjesit,
dera e qiellit dhe krijesa e parë e ngjallur, Zoja jonë e Lurdit, me
vëllezërit dhe motrat tona zemrat dhe trupat e të cilëve po vuajnë ne po
të lutemi!
Zoti Kryeministër,
të dashur Vëllezër
Kardinalë e Ipeshkvij
Autoritete civile dhe
politike të pranishëm
Zonja dhe Zotërinj!
Në momentin që po lë - jo
pa keqardhje - tokën e Francës, jua di shumë për nder që keni ardhur të
më përshëndetni, duke më ofruar kështu mundësinë të shpreh edhe një herë
se sa ky udhëtim në vendin tuaj ka mbushur me gëzim zemrën time. Përmes
jush, Zoti Kryeministër, përshëndes Zotin President të Republikës dhe të
gjithë anëtarët e Qeverisë, ashtu si edhe Autoritetet civile dhe
ushtarake, që nuk kanë kursyer përpjekjet për të kontribuar në
mbarëvajtjen e këtyre ditëve hiri. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time
më të sinqertë Vëllezërve të mi në Ipeshkvni, Kardinalit Vingt- Trois
dhe të Imzot Perrier në veçanti, ashtu si edhe të gjithë anëtarëve dhe
personelit të Konferencës së Ipeshkvijve në Francë. Është gjë e bukur të
gjendesh mes vëllezërish. Falënderoj përzemërsisht edhe Kryetarët e
Bashkive edhe Këshillat komunalë të Parisit dhe të Lurdit. Nuk mund të
harroj këtu Forcat e Rendit dhe Vullnetarët e panumërt që kanë vënë në
dispozicion kohën e tyre dhe aftësitë e tyre. Të gjithë kanë punuar me
përkushtim dhe me zell që këto katër ditë qëndrimi në vendin tuaj të
kalojnë sa më mirë. Ju falënderoj përzemërsisht.
Udhëtimi im ka qenë si një
diptik, paneli i parë i të cilit ka qenë Parisi, qytet që unë e njoj
mjaft mirë dhe vend i takimeve të shumëfishta të rëndësishme. Kam pasur
mundësinë të kremtoj Eukaristinë në kontekstin prestigjoz të Sheshit të
invalidëve. Aty kam takuar një popull të gjallë besimtarësh, krenarë dhe
të fortë në fenë e tyre, që kanë ardhur të inkurajojnë me qëllim që të
vazhdojnë të vendosur t’i jetojnë mësimet e Krishtit dhe të Kishës së
Tij. Kam mundur edhe të kremtoj mbrëmjesoret me meshtarët, me
rregulltarët dhe rregulltaret dhe me seminaristët. Kam dashur t’i
përforcoj në devotshmërinë e tyre në shërbim të Hyjit dhe të të afërmit.
Kam kaluar gjithashtu një moment, shumë të shkurtër, por me të vërtetë
të dendur, me të rinjtë në oborrin e kishës së Notre-Dame-it. Entuziasmi
dhe dashuria e tyre më ngushëllojnë. Si të mos e kujtoj edhe takimin
prestigjoz me botën e kulturës pranë Institutit të Francës dhe
Bernardinsët? Siç e dini, unë ngul këmbë se kultura dhe interpretuesit e
saj janë një ndërmjetës i priviligjuar në dialogun mes fesë dhe arsyes,
mes Hyjit dhe njeriut.
Paneli i dytë i diptikut
ka qenë nje vend emblematik, që tërheq dhe lë pa mend çdo besimtar:
Lurdi është si një dritë në errësinën e kërkimit tonë të Zotit. Maria ju
ka hapur një derë drejt “asaj që është përtej”, që na merr në pyetje dhe
na ngadhënjen. Maria, porta caeli! Jam futur në shkollën e saj
gjatë këtyre tri ditëve. Papa kishte detyrën të vinte në Lurdë për të
kremtuar aty 150-vjetorin e Shfaqjeve. Përpara shpellës së Masabjelës
jam lutur për të gjithë ju. Jam lutur për Kishën. Jam lutur për Francën
dhe për botën. Dy Eukaristitë e kremtuar në Lurd më kanë lejuar të
bashkohem me shtegtarët besimtarë. Duke u bërë njëri prej tyre, kam
ndjekur tërësinë e katër etapave të ecjes jubilare, duke vizituar kishën
famullitare, pastaj cachot-in dhe shpellën, dhe në fund kapelën e
Strehës. Jam lutur me dhe për të sëmurët që vijnë të kërkojnë lehtësim
fizik dhe shpresë shpirtërore. Hyji nuk i harron, gjithashtu edhe Kisha.
Si çdo besimtar në shtegtim kam dashur të marr pjesë në procesionin “aux
flambeaux” dhe në procesionin eukaristik. Ata bëjnë që të ngjiten drejt
Hyjit lutje dhe lavde. Lurdi është edhe vendi ku takohen rregullisht
Ipeshkvijtë e Francës për t’u lutur së bashku dhe për të kremtuar
Eukaristinë, të reflektojnë dhe të shkëmbejnë ide mbi misionet e tyre si
barinj. Kam dashur të ndaj me ta bindjen time se kohët janë të favorshme
për një rikthim tek Hyji.
Zoti Kryeministër,
vëllezër Ipeshkvij dhe miq të dashur, Zoti e bekoftë Francën! Që mbi
dheun e saj të mbretërojë harmonia dhe përparimi njerëzor dhe që Kisha
të jetë si tharmi në brum për të treguar me dituri dhe pa frikë, sipas
detyrës së saj, kush është Hyji! Ka ardhur çasti t’ju lë! Do të kem
mundësi të kthehem përsëri në vendin tuaj. Kam dëshirë, një dëshirë që
ia besoj Hyjit. Nga Roma do t’ju qëndroj afër dhe kur të jem përpara
riprodhimit të Shpellës së Lurdit, që ka më shumë se një shekull që
ndodhet në Oborret e Vatikanit, do të mendoj për ju. Zoti ju bekoftë!
titujt kryesorë
|
|