|
|
||
|
Mesha e Shenjte ne International Stadium - Aman |
||
|
|
PREDIKIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI
International Stadium - Aman E dielë, 10 maj 2009
Të dashur Vëllezër e Motra në Krishtin, jam i kënaqur që mund ta kremtoj këtë Eukaristi së bashku me ju në fillim të udhëtimit tim në Tokën e Shenjtë. Dje nga lartësitë e Malit Nebo, duke qëndruar në këmbë, jam ndalur dhe e kam shikuar këtë tokë të madhe, tokën e Moisiut, të Elisë dhe të Gjon Pagëzuesit, tokë në të cilën premtimet e Hyjit u përmbushën me ardhjen e Mesisë, Jezusit Zotit tonë. Kjo tokë është dëshmitare e predikimeve dhe e mrekullive të Tij, të vdekjes dhe të ngjalljes së Tij, si edhe e zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Kishën, sakramenti i njerëzimit të pajtuar dhe të përtërirë. Duke medituar mbi misterin e besnikërisë së Hyjit, jam lutur që Kisha në këto toka të mund të përforcohet në shpresë dhe të forcohet në dëshminë e saj për Krishtin e Ngjallur, Shpëtimtarin e njerëzimit. Me të vërtetë, ashtu si Shën Pjetri na thotë sot në leximin e parë, “për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi” (Vp 4,12). Kremtimi i gëzueshëm i sotëm i Flisë eukaristike shpreh ndryshueshmërinë e pasur të Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë. Ju përshëndes të gjithëve ju, me dashuri, në Zotin. Falënderoj Hirësinë e Tij Fouad Twal, Patriarku Latin i Jerusalemit, për fjalët e tij të ngrohta të mirëseardhjes. Përshendetja ime shkon edhe për të rinjtë e shumtë të shkollave katolike që sot sjellin entuziazmin e tyre në këtë Kremtim eukaristik. Në Ungjillin që sapo dëgjuam Jezusi shpall: “Unë jam Bariu i mirë... që jep jetën e vet për dele” (Gjn 10,11). Si pasardhës i Shën Pjetrit të cilit Zoti i ka besuar kujdesin e grigjës së Tij (krh. Gjn 21,15-17), prej kohësh e kam pritur këtë mundësi që të rri para jush si dëshmitar i Shpëtimtarit të ngjallur, dhe që t’ju inkurajoj për të vazhduar në besim, shpresë dhe dashuri, në besnikëri të traditave të vjetra dhe të historisë së vetme të dëshmisë së krishterë që ju lidh me kohën e Apostujve. Kjo bashkësi katolike është thellësisht e prekur nga vështirësi dhe paqartësi që i përkasin të gjithë banorëve të Lindjes së Mesme; mos e harroni kurrë dinjitetin e madh që rrjedh nga trashëgimia juaj e krishterë, dhe mos harroni kurrë ta perceptoni solidaritetin dashamirës të gjithë vëllezërve dhe motrave tuaja të Kishës në mbarë botën! “Unë jam bariu i mirë”, na thotë Zoti, “i njoh të miat dhe ato më njohin mua” (Gjn 10,14). Sot në Jordani kemi kremtuar Ditën Botërore të Lutjes për Thirrjet. Duke medituar mbi Ungjillin e Bariut të Mirë, le t’i kërkojmë Zotit që të na i hapë gjithnjë e më shumë zemrat dhe mendjet tona me qëllim që ta dëgjojmë thirrjen e Tij. Me të vërtetë, Jezusi na “njeh”, shumë më shumë sesa ne e njohim veten tonë dhe ka një plan për secilin prej nesh. E dimë edhe se kudo që Ai të na thërrasë, do të gjejmë lumturi dhe shpërblim; në fakt, do të gjejmë veten tonë (krh. Mt 10,39). Sot ftoj të rinjtë e shumtë të pranishëm këtu të marrin parasysh se si Zoti është duke i thirrur për ta ndjekur dhe për të ndërtuar Kishën e Tij. Si në shërbesën meshtarake apo në jetën e kushtuar, ashtu edhe në sakramentin e martesës, Jezusi ka nevojë për ju me qëllim që të tjerët ta ndiejnë zërin e Tij dhe për të punuar për rritjen e Mbretërisë së Tij. Në leximin e dytë të sotëm, Shën Gjoni na fton të “mendojmë për dashurinë e madhe me të cilën Ati na ka dashur” duke u bërë bijtë e tij të birësuar në Krishtin. Dëgjimi i këtyre fjalëve duhet të na bëjë mirënjohës për përvojën e dashurisë së Atit që e kemi pasur në familjet tona, nëpërmjet dashurisë së etërve dhe të nënave tona, të gjyshërve, të vëllezërve dhe të motrave. Gjatë kremtimit të Vitit të Familjes, Kisha në mbarë Tokën e Shenjtë e ka menduar familjen si një mister dashurie që dhuron jetën, mister i mbyllur në planin e Hyjit me një thirrje dhe me një mision të vetin: të rrezatojë dashurinë hyjnore që është burimi dhe përmbushja e çdo dashurie tjetër. Që çdo familje e krishterë të mund të rritet në besnikërinë e kësaj thirrjeje fisnike për të qenë një shkollë e vërtetë lutjeje, ku të rinjtë mësojnë dashurinë e sinqertë të Hyjit, ku pjeken në vetëdisiplinimin dhe në përkujdesin ndaj nevojave të të tjerëve, dhe ku, të modeluar nga urtia që vjen prej besimit, kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie gjithnjë e më të drejtë dhe më vëllazërore. Familjet tona të krishtera të këtyre tokave janë një trashëgimi e madhe që brezat e mëparshëm na kanë përçuar. Që familjet e sotme të mund të jenë besnike ndaj kësaj trashëgimie të madhe dhe që të mos mungojë asnjëherë mbështetja materiale e morale për të cilat kanë nevojë për realizimin e rolit të tyre të pazëvendësueshëm në shërbim të shoqërisë. Një aspekt i rëndësishëm i reflektimit tonë në këtë Vit të Familjes, ka qenë dinjiteti, thirrja dhe misioni i veçantë i grave në planin e Hyjit. Sa shumë i detyrohet Kisha në këto toka dëshmisë së besimit dhe të dashurisë të nënave të panumërta të krishtera, Motrave, mësueseve dhe infermiereve, të gjitha atyre grave që në mënyra të ndryshme ia kanë kushtuar jetën e tyre ndërtimit të paqes dhe nxitjes së dashurisë! Që në faqet e para të Biblës, shohim se si burri dhe gruaja të krijuar në shëmbëlltyrën e Hyjit, janë të thirrur të plotësojnë njëri-tjetrin si mbarështues së dhuratave të Hyjit dhe bashkëpunëtorë të Tij për t’ia komunikuar dhuratat e jetës, si fizike ashtu edhe shpirtërore, botës sonë. Për fat të keq, ky dinjitet dhe ky mision që Hyji u ka dhuruar grave nuk është kuptuar dhe vlerësuar gjithmonë aq sa duhet. Kisha, dhe shoqëria në tërësinë e vet, e kanë kuptuar se sa urgjentisht kemi nevojë për atë që paraardhësi im Papa Gjon Pali II quante “karizma profetike” e grave (krh. Mulieris dignitatem, 29) si mbartëse të dashurisë, mësuese të zemërdhembshurisë dhe ndërtuese të paqes, përcjellëse të ngrohtësisë dhe të njerëzores, që shumë shpesh e gjykon vlerën e personit me kritere të ftohta shfrytëzimi dhe përfitimi. Me dëshminë publike për respektin e saj ndaj grave dhe mbrojtjen e saj të dinjitetit të lindur të çdo personi njerëzor, Kisha në Tokën e Shenjtë mund të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e një kulture të vërtetë njerëzore dhe në ndërtimin e një qytetërimi të dashurisë. Të dashur Miq, le t’u kthehemi fjalëve të Jezusit në Ungjillin e sotëm. Besoj se ato mbartin një mesazh të veçantë për ju, grigja e Tij besnike, në këto toka ku Ai dikur jetoi. “Bariu i mirë”, thotë Ai, “e jep jetën e vet për delet e Veta”. Në fillim të Meshës i kemi kërkuar Atit të “na jap forcën e guximin e Krishtit bariut tonë”, i cili qëndroi i palëkundur në besnikërinë e Tij ndaj vullnesës së Atit (krh. Colletta, e Meshës së të dielës së katërt të Pashkës). Guximi i Krishtit bariut tonë ju frymëzoftë dhe ju mbështettë përditë në përpjekjet tuaja për të dëshmuar besimin e krishterë dhe për të ruajtur praninë e Kishës në ndryshimin e indit shoqëror të këtyre tokave të lashta. Besnikëria ndaj rrënjëve tuaja të krishtera, besnikëria ndaj misionit të Kishës në Tokën e Shenjtë, ju kërkojnë një tip të veçantë guximi: guximin e një bindjeje të lindur nga një besim personal, jo thjeshtë nga një bindje shoqërore ose nga një traditë familjare; guximin që të angazhoheni në dialog dhe të punoni krah për krah me të krishterë të tjerë në shërbim të Ungjillit dhe në solidaritet me të varfrin, të larguarit dhe viktimat e tragjedive të mëdha njerëzore; guximin për të ndërtuar ura të reja me qëllim që të bëhet i mundur një takim frytdhënës mes personave me religjione dhe kultura të ndryshme dhe kështu të pasurohet indi i shoqërisë. Kjo do të thotë edhe të dëshmojmë dashurinë që na frymëzon ta “flijojmë” jetën tonë në shërbim të tjerëve dhe kështu t’ju kundërvihemi mënyrave të menduarit që justifikojnë “shtypjen” e jetëve të pafajshme. “Unë jam bariu i mirë, i njoh të miat dhe ato më njohin mua” (Gjn 10,14). Gëzohuni sepse Zoti ju ka bërë pjesëtarë të grigjës së Vet dhe e njeh secilin prej jush me emër! Ndiqeni me gëzim dhe udhëhiquni nga Ai në të gjitha rrugët tuaja! Jezusi e di se sa sfida keni përpara, sa prova duhet të duroni dhe e njeh të mirën që ju bëni në emër të Tij. Kini besim tek Ai, në dashurinë e përhershme që Ai ka për pjesëtarët e grigjës së Vet dhe ngulmoni në dëshminë tuaj në fitoren e dashurisë së Tij. Shën Gjon Pagëzuesi, mbrojtësi i Jordanisë, dhe Maria, Virgjër dhe Nënë, ju mbështetshin me shembullin dhe lutjen e tyre dhe ju drejtofshin në plotësinë e gëzimit në kullotat e përjetshme, ku do të përjetojmë përgjithmonë praninë e Bariut të Mirë dhe do të njohim përgjithmonë thellësinë e dashurisë së Tij. Amen.
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder 2009 < | ||