|
|
Josafat Valley —
Jerusalem
E martë, 12 maj 2009
Të dashur Vëllezër e Motra ne
Zotin,
“Krishti është
ngjallur, alleluia!”. Me këto fjalë ju përshëndes me dashuri të madhe.
Falënderoj Patriarkun Fouad Twal për fjalët e tij të mirëseardhjes në
emrin tuaj, dhe para se të gjithash shpreh edhe gëzimin tim që jam këtu
me ju për të kremtuar këtë Eukaristi, Kisha në Jerusalem. Jemi mbledhur
këtu nën malin e Ullinjve, ku Zoti jonë u lut dhe vuajti, ku qau për
dashuri të këtij qyteti dhe për dëshirën që ai të mund të njihte “rrugën
e paqes” (krh. Lk 19,42), këtu ku ai u kthye tek Ati, duke dhënë bekimin
e tij të fundit në tokë apostujve të tij dhe ne. Ta pranojmë sot këtë
bekim. Ai ia dhuron ju në mënyrë të veçantë, të dashur vëllezër e motra,
që jeni të lidhur në një linjë të pandërprerë me apostujt e parë që
takuan Zotin e Ngjallur në ndarjen e bukës, që provuan ardhjen e
Shpirtit Shenjt në “dhomën në katin e sipërm”, që u shndërruan nga
predikimi i Shën Pjetrit dhe i apostujve të tjerë. Përshëndetjet e mia i
shkojnë edhe të gjithë të pranishmëve dhe në mënyrë të veçantë atyre
besimtarëve të Tokës së Shenjtë që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur
të jenë sot me ne.
Si pasardhës i Shën Pjetrit, kam
përshkuar hapat e tij për të shpallur Zotin e Ngjallur në mesin tuaj,
për t’ju konfirmuar në besimin e etërve tuaj dhe të thërras mbi ju
ngushëllimin që është dhurata e Shpirtit Shenjt Ngushëllues. Duke u
gjendur këtu para jush sot, dua të njoh vështirësitë, frustrimin,
dhimbjen dhe vuajtjen që shumë nga ju i kanë pësuar si rezultat i
konflikteve që kanë rrënuar këto toka, edhe përvojat e hidhura të
ndryshimit që shumë nga familjet tuaja kanë njohur dhe - Hyji mos e
lejoftë - munden akoma t’i njohin. Shpresoj se prania ime këtu të jetë
një shenjë që ju nuk jeni harruar, që prania dhe dëshmia juaj ngulmuese
janë në fakt të çmuara në sytë e Hyjit dhe janë pjesë përbërëse e të
ardhmes së këtyre tokave. Pikërisht për shkak të rrënjëve tuaja të
thella në këto vende, kultura juaj e krishterë e vjetër dhe e fortë, dhe
besimi juaj i vazhdueshëm në premtimet e Hyjit, ju të Krishterët e Tokës
së Shenjtë, jeni të thirrur të shërbeni jo vetëm si një farë besimi për
Kishën Universale, por edhe si farë harmonie, urtësie dhe ekuilibri në
jetën e një shoqërie që tradicionalisht ka qenë, dhe vazhdon të jetë,
pluraliste, shumëetnike dhe shumëfetarë.
Në leximin e dytë të sotëm, Apostulli
Pal u thotë Kolosianëve: “kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti
ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit” (Kol 3,1). Këto fjalë
tingëllojnë me një forcë të veçantë këtu, nën Oborrin e Gjetsemanit, ku
Jezusi ka pranuar kelkun e vuajtjes në bindje të plotë të vullnesës së
Atit dhe ku, sipas traditës, ka ndenjur në të djathtë të Atit për të
ndërhyrë vazhdimisht për ne, gjymtyrë të trupit të tij. Shën Pali,
kumtuesi i madh i shpresës së krishterë, ka njohur vlerën e kësaj
shprese, kostoja e tij në vuajtje dhe përndjekje për dashuri të
Ungjillit, dhe asnjëherë e lëkundur në bindjen e tij që ngjallja e
Krishtit ishte fillimi i krijimit të ri. Ashtu si ai na thotë ne: “Kur
të duket Krishti-Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni
plot lavdi” (Kol 3,4)!
Thirrja
e Palit “kërkoni çka është lart” duhet të vazhdojë të tingëllojë në
zemrat tona. Fjalët e tij na tregojnë përmbushjen e vizionit të besimit
në atë Jerusalem qiellor ku, sipas profecisë së lashtë, Hyji do të
fshijë lotët nga çdo sy dhe do të përgatisë një banket shpëtimi për të
gjithë popujt (krh. Is 25,6-8; Vap 21,2-4).
Kjo është shpresa, ky është vizioni që i
shtyn të gjithë ato që duan ta shohin këtë Jerusalem tokësor si një
profeci dhe një premtim të atij pajtimi dhe paqeje universale që Hyji e
dëshiron për krejt familjen njerëzore. Për fat të keq, nën muret e vetë
këtij Qyteti, ne jemi të thirrur të konsiderojmë se sa larg është bota
jonë nga përmbushja e profecive dhe premtimeve. Në këtë Qytet të Shenjtë
ku jeta ka mundur vdekjen, ku Shpirti është futur si fryti i parë i
krijimit të ri, shpresa vazhdon të luftojë dëshpërimin, frustrimi dhe
cinizmin, ndërkohë që paqja, që është dhuratë dhe thirrje e Hyjit,
vazhdon të jetë e kërcënuar nga egoizmi, konflikti, nga ndarja dhe nga
pesha e ofendimeve të kaluara. Për këtë arsye, bashkësia e krishterë në
këtë Qytet që ka parë ngjalljen e Krishtit dhe përhapjen e Shpirtit
duhet të bëjë të pamundurën për të ruajtur shpresën e dhuruar nga
Ungjilli, duke mbajtur para sysh dëshminë e fitores përfundimtare të
Krishtit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, duke dëshmuar forcën e faljes dhe
duke manifestuar natyrën më të thellë të Kishës si shenjë e sakramentit
të një njerëzimi të pajtuar, të përtërirë dhe të bërë një në Krishtin,
Adami i ri.
Të
bashkuar nën muret e këtij qyteti, i shenjtë për ndjekësit e tre
besimeve të mëdha, si mund të mos i drejtojmë mendimet tona ndaj
thirrjes universale të Jerusalemit? E shpallur nga profetët, kjo thirrje
shfaqet si një fakt i padiskutueshem, një realitet i pakthyeshëm i
bazuar në historinë e ndërlikuar të këtij qyteti dhe të popullit të tij.
Hebrenjtë, Myslimanët dhe të Krishterët përshkruajnë së bashku këtë
qytet si atëdheun e tyre shpirtëror. Sa duhet akoma të bëjmë për ta
kthyer me të vërtetë në “qytetin e paqes” për të gjithë popujt, ku të
gjithë mund të vijnë në shtegtim në kërkim të Hyjit, dhe për t’i dëgjuar
zërin, “një zë që flet për paqen” (krh. Sir 85,8)!
Jerusalemi në të vërtetë ka qenë
gjithmonë qyteti ku në rrugë tingëllojnë gjuhë të ndryshme, ku gurët
janë shkelur nga popuj të çdo race dhe gjuhe, ku muret janë simbol i
kujdesit të Hyjit për të gjithë familjen njerëzore. Si një mikrokozmos i
botës sonë të globalizuar, ky Qytet, duhet të jetojë thirrjen e tij
universale, duhet të jetë një vend që mëson universalitetin, respektin
për të tjerët, dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë; një vend ku
paragjykimi, injoranca dhe frika që i ushqen, të kalohen nga ndershmëria,
integriteti dhe kërkimi i paqes. Nuk duhet të ketë vend mes këtyre
mureve për mbyllje, diskriminim, dhunë dhe padrejtësi. Besimtarët në një
Hyj të vetëm të mëshirshëm-ndahen ato në Hebrenj, të Krishterë ose
Myslimanë-duhet të jenë të parët që nxisin këtë kulturë të pajtimit dhe
të paqes, sado i ngadaltë të jetë procesi dhe sado e rëndë të jetë pesha
e kujtimeve të kaluara.
Do
të doja këtu te përmendja drejtpërdrejtë realitetin e hidhur-që nuk
ndalon kurrë së qeni burim shqetësimesh për të gjithë ato që e duan këtë
Qytet dhe këtë tokë-të largimit në vitet e fundit të kaq shumë anëtarëve
të bashkësisë së krishterë. Edhe pse shumë arsye të kuptueshme
çojnë shumë, sidomos te rinjtë,
të emigrojnë, ky vendim sjell me vete si pasojë një varfëri të madhe
kulturore dhe shpirtërore të qytetit. Dua të përsëris sot atë që kam
thënë në raste të tjera: në Tokën e Shenjtë ka vend për të gjithë!
Ndërsa i kërkoj autoriteteve të respektojnë dhe të mbështesin praninë e
krishterë këtu, dua njëkohësisht t’ju siguroj për solidaritetin,
dashurinë dhe mbështetjen e krejt Kishës dhe të Selisë së Shenjtë.
Të
dashur miq, në Ungjillin që sapo kemi dëgjuar, Shën Pjetri dhe Shën
Gjoni vrapojnë tek varri bosh, dhe Gjoni, na ka thënë “pa e besoi” (Gjn
20,8), këtu në Tokën e Shenjtë, me sytë e besimit, ju së bashku me
udhëtarët nga çdo
anë e botës që mbushin kishat dhe shenjtëtoret, jeni të lumtur të shihni
vendet e shenjtëruara nga prania e Krishtit, misionit të tij tokësor,
mundimeve vdekjes dhe ngjalljes së tij dhe dhuratën e Shpirtit Shenjt.
Këtu, ashtu si Shën Tomës apostull, ju është dhënë mundësia “për të
prekur” realitetet historike që janë në themel të dëshmimit tonë të
besimit në Birin e Hyjit. Lutja ime për ju sot është që të vazhdoni,
ditë pas dite, “të shihni e të besoni” në shenjat e provanisë së Hyjit
dhe të mëshirës së Tij të pashtershme, “të dëgjoni” me besim dhe shpresë
të ripërtrirë fjalët ngushëlluese të predikimit apostolik dhe “të
prekni” burimet e hirit në sakramentet dhe të mishëroni për të tjerët
dëshminë e tyre për fillimet e reja, lirinë e lindur nga falja, dritën e
brendshme dhe paqen që mund të sjellin shpëtim dhe shpresë edhe në
realitetet më të errëta njerëzore.
Në
Kishën e Varrit të Shenjtë, udhëtarët e
çdo shekulli kanë nderuar gurin
që tradita na thotë se ishte në hyrje të varrit të boshatisur. Ta
ripërtërijmë aty besimin tonë mbi fitoren e jetës dhe të lutemi derisa
çdo “gur i rëndë” i vënë në dyert e zemrave tona, që të bllokojë
dorëzimin tonë të plotë në besim, në shpresë dhe në dashurinë për Zotin,
të mund të hiqet nga forca e dritës dhe e jetës që nga ai mëngjes i parë
i Pashkës shkëlqejnë nga Jerusalemi mbi të gjithë botën.
Krishti u ngjall, alleluia! Ai vërtet u
ngjall, alleluia!
titujt kryesorë |
|