ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Mesha e Shenjte

PREDIKIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

  

Mali i Humnerës - Nazaret

E enjte, 14 maj 2009

 

Të dashur vëllezër dhe motra!

     “Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja-në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm.” (Kol 3,15). Me këto fjalë të Palit apostull, ju përshëndes të gjithëve ju me dashuri në Zotin. Gëzohem që kam ardhur në Nazaret, vend i bekuar nga misteri i Lajmërimit, vendi që ka parë vitet e fshehura të rritjes së Krishtit në dituri, në moshë dhe në hir (krh. Lk 2,52). Falënderoj Arqipeshkvin Elia Chacour për fjalët e sjellshme të mirëseardhjes dhe përqafoj në shenjën e paqes bashkëvëllezërit e mi Ipeshkvij, priftërinjtë, rregulltarët dhe besimtarët e Galilesë, që, në llojshmërinë e riteve dhe të traditave, shprehin universalitetin e Kishës së Krishtit. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ato që e kanë bërë të mundur këtë kremtim, veçanërisht ato që janë përfshirë në projektimin dhe në ndërtimin e këtij teatri me panoramën e tij të mrekullueshme.

 Këtu në qytetin e Jezusit, të Marisë dhe të Jozefit, jemi të mbledhur për të shënuar mbylljen e Vitit të Familjes kremtuar nga Kisha në Tokën e Shenjtë. Si shenjë e qëndrueshme për të ardhmen, do të bekoj gurin e parë të një Qëndre ndërkombëtare për Familjen, që do të ndërtohet në Nazaret. Të lutemi me qëllim që kjo të nxisë një jetë familjare të fortë në këtë rajon, t’u ofrojë mbështetje dhe ndihmë familjeve, dhe t’i inkurajojë ato në misionin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri.

 Është shpresa ime që kjo fazë e udhëtimit tim të tërheqë vëmendjen e mbarë Kishës drejt këtij qyteti të Nazaretit. Të gjithë kemi nevojë, siç tha këtu Papa Pali VI, të kthehemi në Nazaret, për të soditur gjithmonë heshtjen dhe dashurinë e Familjes së Shenjtë, model i çdo jete familjare të Krishterë. Këtu, nën shembullin e Marisë, Jozefit dhe Jezusit, mund të vlerësojmë akoma më shumë shenjtërinë e familjes, që, në planin e Hyjit, bazohet në besnikërinë për të gjithë jetën të një burri e të një gruaje, të bekuar nga pakti martesor dhe e hapur ndaj dhuratave të Hyjit për jetë të reja. Sa shumë nevojë kanë burrat dhe gratë e kohës sonë që ta përvetësojnë këtë të vërtetë themelore, që qëndron në themelet e shoqërisë, dhe se sa e rëndësishme është dëshmia e çifteve të martuara sipas formimit të ndërgjegjeve të pjekura dhe në ndërtim të dashurisë së qytetëruar!

 Në leximin e parë të sotëm, të marrë nga Siracidi, fjala e Hyjit e paraqet familjen si shkollën e parë të dijes, një shkollë që edukon pjesëtarët e saj në praktikën e atyre virtyteve që çojnë në lumturinë e vërtetë dhe në një përmbushje të qëndrueshme. Në planin hyjnor për familjen, dashuria e burrit për gruan sjell fryte jete të re, dhe sjell një shprehje në përpjekjet e përditshme të panumërta të prindërve për të siguruar një formim njerëzor dhe shpirtëror të plotë për fëmijët e tyre. Në familje çdo person, si nëse bëhet fjalë për fëmijën më të vogël ashtu edhe për prindin më të moshuar, është parë për atë që është në të vërtetë dhe jo thjeshtë si një mjet për qëllime të tjera. Këtu fillojmë të shohim diçka nga roli themelor i familjes si guri i parë i ndërtimit të një shoqërie të rregulluar mirë dhe mikpritëse. Mund të vazhdojmë të vlerësojmë, brenda shoqërisë më të gjerë, rolin e Shtetit të thirrur për të mbështetur familjet në misionin e tyre edukativ, për të mbrojtur institucionin e familjes dhe të drejtat e tyre amtare, dhe për të siguruar që të gjitha familjet të jetojnë dhe të lulëzojnë në kushtet e dinjitetit.

 Duke u shkruar Kolosianëve, Pali apostull flet instinktivisht për familjen kur kërkon të tregojë virtytet që ndërtojnë “trupin e vetëm” që është Kisha. Si të “zgjedhurit e Hyjit, shenjtër dhe të dashur”, jemi të thirrur të jetojmë në harmoni dhe në paqe njëri me tjetrin, duke treguar para se të gjithash shpirtmadhësi dhe falje, me dashurinë si lidhjen më të lartë të përkryerjes (krh. Kol 3,12-14). Si në paktin martesor, dashuria e burrit dhe e gruas lartësohet nga hiri derisa bëhet bashkëndarje dhe shprehje e dashurisë së Krishtit dhe të Kishës (krh. Ef 5,32), kështu që edhe familja e themeluar në dashuri thirret të jetë një “Kishë shërbëtore”, vend besimi, lutjeje dhe shqetësimi të dashur për të mirën e vërtetë dhe të qëndrueshme të secilit nga pjesëtarët e saj.

 Ndërsa reflektojmë për realitete të tilla në këtë që është qyteti i Lajmërimit, mendimi ynë i drejtohet natyrisht Marisë, “plot hire”, Nëna e Familjes së Shenjtë dhe Nëna jonë. Nazareti na kujton detyrën për të njohur dhe për të respektuar dinjitetin dhe misionin e dhënë nga Hyji grave, si edhe dhuratat dhe talentet e tyre të veçanta. Si nëna familjesh, si një prani jetësore në fuqinë punëtore dhe në institucionet e shoqërisë, si në thirrjen e veçantë për të ndjekur Zotin nëpërmjet këshillave ungjillore të pastërtisë, varfërisë dhe bindjes, gratë kanë një rol jetik për të krijuar atë “ekologji njerëzore” (krh. Centesimus annus, 39) për të cilën bota, edhe kjo tokë, kanë kaq shumë nevojë: një ambjent ku fëmijët të mësojnë të duan dhe të vlerësojnë të tjerët, të jenë të ndershëm dhe të respektueshëm drejt të gjithëve, të praktikojnë virtytet e mëshirës dhe të faljes.

Këtu të mendojmë edhe për shën Jozefin, njeriun e drejtë që Hyji vuri në krye të shtëpisë së tij. Nga shembulli i fortë dhe atëror i Jozefit, Jezusi mësoi virtytet e mëshirës burrërore, të besnikërisë për fjalën e dhënë, të integritetit dhe të punës së madhe. Në marangozin e Nazaretit arriti të shihte se si autoriteti i vënë në shërbim të dashurisë është pafundësisht më pjellor, sesa pushteti që kërkon të dominojë. Sa shumë nevojë ka bota jonë për shembullin, për udhëheqjen dhe për forcën e qetë të njerëzve si Jozefi!

 Në fund, duke soditur Familjen e Nazaretit, le ta kthejmë shikimin tonë nga fëmija Jezus, që në shtëpinë e Marisë dhe të Jozefit u rrit në dituri, deri në ditën kur filloi misionin shoqëror. Këtu dua t’i lë një mendim të veçantë të rinjve të pranishëm. Koncili II i Vatikanit na mëson se fëmijët kanë një rol të veçantë për t’i rritur prindërit e tyre në shenjtëri (krh. Gaudium et spes, 48). Ju lutem të reflektoni mbi këtë dhe të lini që shembulli i Jezusit t’ju drejtojë jo vetëm për të treguar respekt për prindërit tuaj, por edhe për t’i ndihmuar për të zbuluar plotësisht dashurinë që i jep jetës sonë kuptim më të plotë. Në Familjen e Shenjtë të Nazaretit ishte Jezusi që i mësoi Marisë dhe Jozefit diçka nga madhësia e dashurisë së Hyjit, mbi Atin qiellor, burimi i vetëm i çdo dashurie, Ati nga i cili çdo familje në qiell dhe në tokë merr emër (krh. Ef 3,14-15).

 Të dashur miq, në mbledhjen e Meshës së sotme i kemi kërkuar Atit të na “ndihmojë të jetojmë si Familja e Shenjtë, e bashkuar në respekt dhe dashuri”. Të përtërijmë këtu angazhimin tonë që të jemi fara e respektit dhe dashurisë në botën që na rrethon. Ky Mal i Humnerës na kujton, ashtu siç ka bërë me brezat e udhëtarëve, që mesazhi i Zotit është burim kundërshtimi dhe konflikti me vetë dëgjuesat. Për fat të keq, ashtu si edhe bota e di, Nazareti ka provuar tensione në kohët e fundit që kanë dëmtuar marrëdhëniet mes bashkësive të krishtera dhe atyre myslimane. Ftoj personat vullnetmirë të dy bashkësive të ndreqin dëmin e bërë, dhe në besnikërin e përbashkët të besimit në një Hyj të vetëm, Atit të familjes njerëzore, të punojnë për të ndërtuar ura dhe për të gjetur mënyra për një bashkëjetesë paqësore. Secili të kundërshtojë fuqinë shkatërruese të urrejtjes dhe të paragjykimit, që vrasin shpirtin njerëzor përpara trupit!

 Më lejoni të përfundoj me një fjalë mirënjohjeje dhe vlerësimi për ato që kërkojnë të sjellin dashurinë e Hyjit fëmijëve të këtij qyteti dhe për të edukuar brezat e ardhshëm në rrugën e paqes. Mendoj në mënyrë të veçantë për përpjekjet e Kishave lokale, veçanërish në shkollat e tyre dhe në institucionet e bamirësisë, për të shembur muret dhe për të qenë një terren pjellor takimi, dialogu, pajtimi dhe solodariteti. Inkurajoj priftërinjtë, rregulltarët, katekistat dhe mësuesat që janë të angazhuar, së bashku me prindërit dhe të gjithë ato që i dedikohen të mirës së fëmijëve tanë, të vazhdojnë të japin dëshmi ndaj Ungjillit, të kenë besim në fitoren e të mirës dhe të vërtetës dhe të besojnë që Hyji do të rrisë çdo nismë që ka për qëllim përhapjen e Mbretërisë së tij të shenjtërimit, solidaritetit, drejtësisë dhe paqes. Në të njëjtën kohë pranoj me mirënjohje solidaritetin që shumë vëllezër dhe motra në mbarë botën tregojnë drejt besimtarëve të Tokës së Shenjtë, duke mbështetur programet dhe aktivitetet e denja të Catholic Near East Welfare Association.

 “Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38). Virgjëra e Lajmërimit, që me guxim ia hapi zemrën planit misterioz të Hyjit, dhe u bë Nënë e të gjithë besimtarëve, na udhëheqtë dhe na mbështet me lutjen e saj. Të marrë për ne dhe për familjet tona hirin për të hapur veshët ndaj asaj fjale të Zotit që ka fuqinë të na ndërtojë (krh. Vap 20,32), të na frymëzojë vendime guximtare dhe të shohë hapat tonë në rrugën e paqes!

         

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster