|
|
||
|
Mesha e Shenjte me Meshtaret, Rregulltaret, Rregulltaret, Diakonet, Katekistet dhe Eksponentet e Levizjeve Kishtare te Qipros |
||
|
|
Kisha famullitare latine e Kryqit të Shenjtë – Nikozi, e shtunë, 5 qershor 2010
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, Biri i Njeriut duhet të lartësohet, që kushdo të besojë në të të ketë jetën e amshuar (krh. Gjn 3,14-15). Në këtë Meshë votive adhurojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse me Kryqin e tij të Shenjtë shëlboi botën mbarë. Me vdekjen e ngjalljen e tij i ka hapur dyert e Qiellit dhe na ka përgatitur një vend, me qëllim që ne, ndjekësit e tij, të mund të marrim pjesë në lavdinë e tij. Në gëzimin e fitores shëlbimprurëse të Krishtit, ju përshëndes të gjithëve ju të bashkuar në kishën e Kryqit të Shenjtë dhe ju falënderoj për praninë tuaj. E çmoj shumë ngrohtësinë me të cilën më keni mikpritur. I jam veçanërisht mirënjohës Lumturisë së Tij Patriarkut latin të Jerusalemit për fjalët e tij të mirëseardhjes në fillim të Meshës, dhe për praninë e Atit Rojtar të Tokës së Shenjtë. Këtu në Qipro, toka që qe porti i parë i mbërritjes së udhëtimeve misionare të shën Palit nëpërmjet Mesdheut, arrij sot mes jush, në gjurmët e atij Apostulli të madh, për t’ju përforcuar në fenë tuaj të krishterë dhe për të predikuar Ungjillin që i jep botës jetë e shpresë. Qendra e kremtimit të sotëm është Kryqi i Krishtit. Shumë njerëz mund të jenë të tunduar të pyesin se përse ne të krishterët kremtojmë një mjet torture, një shenjë vuajtjeje, mposhtjeje dhe dështimi. Është e vërtetë se kryqi i shpreh gjithë këto domethënie. E megjithatë për shkak të atij që është lartësuar mbi kryq për shëlbimin tonë, përfaqëson edhe triumfin përfundimtar të dashurisë së Hyjit mbi të gjitha të këqijat e botës. Ekziston një traditë e hershme se druri i kryqit është marrë nga një pemë e mbjellë prej Setit, birit të Adamit, në vendin ku Adami qe varrosur. Në po atë vend, të njohur si Golgota, vendi i kafkës, Seti mbolli një farë prej pemës së dijes së të mirës dhe të të keqes, pemën që gjendej në mes të kopshtit të Edenit. Nëpërmjet provanisë së Hyjit, vepra e të Keqit është mposhtur duke i kthyer armët e tij kundër tij. I mashtruar prej gjarprit, Adami e ka braktisur besimin bijësor në Hyjin dhe ka mëkatuar duke ngrënë frytet e të vetmet pemë të kopshtit që i ishte ndaluar. Si pasojë e atij mëkati hynë në botë vuajtja dhe vdekja. Efektet tragjike të mëkatit, pra vuajtja dhe vdekja, u bënë krejtësisht të dukshme në historinë e pasardhësve të Adamit. E shohim këtë prej leximit të parë të sotëm, që i bën jehonë rënies dhe hershon shëlbimin e Krishtit. Si ndëshkim i mëkateve të tij, populli i Izraelit, ndërsa dergjej nëpër shkretëtirë, u kafshua prej gjarpërinjve dhe mund të shpëtonte prej vdekjes vetëm duke e drejtuar shikimin nga simboli që Moisiu kishte lartësuar, duke paraqitur kryqin që do t’i jepte fund mëkatit dhe vdekjes një herë e përgjithmonë. Shohim qartë se njeriu nuk mund ta shpëtojë vetveten prej pasojave të mëkatit të vet. Nuk mund ta shpëtojë veten prej vdekjes. Vetëm Hyji mund ta lirojë prej skllavërisë së tij morale e fizike. Dhe meqenëse Hyji e ka dashur aq shumë botën, ka dërguar Birin e vet të njëlindur jo për ta dënuar botën – siç do të kishte kërkuar drejtësia – por që nëpërmjet Tij bota të mund të shëlbohej. I njëlinduri Biri i Hyjit duhej të lartësohej sikurse Moisiu lartësoi gjarpërin në shkretëtirë, kështu që ata që do ta drejtonin shikimin drejt tij me fe të mund të kishin jetën. Druri i kryqit u bë mjet për shëlbimin tonë, pikërisht sikurse pema prej të cilës ishte marrë i kishte dhënë fill rënies së prindërve tanë të parë. Vuajtja dhe vdekja, që ishin pasoja të mëkatit, u bënë vetë mjeti nëpërmjet të cilit mëkati u mposht. Qengji i pafajshëm u flijua mbi altarin e kryqit, dhe megjithatë prej flijimit të viktimës buroi një jetë e re: pushteti i të keqit u shkatërrua prej fuqisë së dashurisë që flijon vetveten. Prandaj, kryqi është diçka më e madhe dhe e mistershme se sa mund të duket në shikim të parë. Padyshim, është një mjet torture, vuajtjeje dhe mposhtjeje, por në të njëjtën kohë shpreh shndërrimin e plotë, fitoren përfundimtare mbi këto të këqija, dhe kjo e bën atë simbolin më shprehës të shpresës që bota ka parë ndonjëherë. U flet të gjithë atyre që vuajnë – të shtypurit, të sëmurët, të varfrit, të mënjanuarit, viktimat e dhunës – dhe u jep atyre shpresën se Hyji mund ta shndërrojë vuajtjen e tyre në gëzim, izolimin e tyre në bashkim, vdekjen e tyre në jetë. I jep shpresë pa kufi botës sonë të prishur. Ja përse bota ka nevojë për kryqin. Ai nuk është thjesht një simbol privat devotshmërie nuk është një distinktiv përkatësie në ndonjë grup brenda shoqërisë, dhe domethënia e tij më e thellë nuk ka aspak të bëjë me imponimin e detyruar të një besojme apo të një filozofie. Flet për shpresë, flet për dashuri, flet për fitoren e jo dhunës mbi shtypjen, flet për Hyjin që i lartëson të përvuajturit, u jep forcë të dobtëve, bën që të kapërcehen ndarjet, dhe të mposhtet urrejtja me anë të dashurisë. Një botë pa kryqin do të ishte një botë pa shpresë, një botë në të cilën tortura dhe brutaliteti do të mbeteshin të shfrenuar, i dobëti do të ishte i shfrytëzuar dhe grykësia do të kishte fjalën e fundit. Panjerëzimi i njeriut përballë njeriut do të shfaqej në mënyra edhe më të llahtarshme, dhe nuk do të ekzistonte fjala fund në rrethin e mallkuar të dhunës. Vetëm kryqi i jep fund. Ndërsa asnjë pushtet tokësor nuk mund të na shpëtojë prej pasojave të mëkatit tonë, dhe asnjë fuqi tokësore nuk mund ta mposhtë padrejtësinë që prej burimit të saj, megjithatë, ndërhyrja shëlbimprurëse e Hyjit tonë të mëshirshëm e ka shndërruar realitetin e mëkatit dhe të vdekjes në të kundërtën e vet. Kjo është ajo që kremtojmë kur i japim lavdi kryqit të Shëlbuesit. Me të drejtë shën Andreu i Kretës e përshkruan kryqin si “gjëja më fisnike dhe e çmuar mbi tokë [...], sepse në të, nëpërmjet tij dhe për të e gjithë pasuria e shëlbimit tonë është grumbulluar dhe na është kthyer ne” (Oratio X, PG 97, 1018-1019). Të dashur vëllezër meshtarë, të dashur rregulltarë, të dashur katekistë, porosia e kryqit na është besuar ne, kështu që të mund t’i japim shpresë botës. Kur shpallim Krishtin e kryqëzuar, nuk shpallim vetveten, por atë. Nuk i ofrojmë botës dijen tonë, nuk flasim për meritat tona, por shërbejmë si kanale të dijes së tij, të dashurisë së tij, të meritave të tij shëlbimprurëse. E dimë se jemi thjesht enë të bëra prej balte dhe, megjithatë, në mënyrë befasuese jemi zgjedhur për të qenë flamurtarë të të vërtetës shëlbuese që bota ka nevojë ta dëgjojë. Të mos lodhemi kurrë së mahnituri përballë hirit të jashtëzakonshëm që na është dhënë, të mos reshtim kurrë së pranuari padenjësinë tonë, por në të njëjtën kohë të përpiqemi gjithmonë që të bëhemi më pak të padenjë për thirrjen tonë fisnike, në mënyrë që nëpërmjet gabimeve tona dhe rënieve tona të mos e dobësojmë besueshmërinë e dëshmisë sonë. Në këtë Vit Meshtarak më lejoni t’u drejtoj një fjalë të veçantë meshtarëve që janë sot këtu të pranishëm dhe atyre që përgatiten për shugurimin meshtarak. Reflektoni mbi fjalët e thëna meshtarit të ri prej Ipeshkvit, ndërsa i paraqet kelkun dhe patenën: “Kupto atë që do të bësh, imito atë që do të kremtosh, bëje të ngjashme jetën tënde me misterin e kryqit të Krishtit”. Ndërsa shpallim kryqin e Krishtit, le të mundohemi gjithmonë të imitojmë dashurinë e painteres të atij që dha vetveten për ne në altarin e kryqit, të atij që është në të njëjtën kohë meshtar dhe fli, të atij në personin e të cilit flasim dhe veprojmë kur ushtrojmë shërbesën që kemi marrë. Kur reflektojmë mbi mangësitë tona, qoftë individualisht qoftë kolektivisht, le ta pranojmë me përvujtëri se kemi merituar ndëshkimin që ai, Qengji i pafajshëm, ka pësuar në vendin tonë. Dhe nëse, në përputhje me atë që kemi merituar, do të kemi ndonjë pjesë në vuajtjet e Krishtit, le të gëzohemi, sepse do të kemi një lumturi shumë më të madhe kur të zbulohet lavdia e tij. Në mendimet dhe në lutjet e mia kujtohem në mënyrë të veçantë për meshtarët dhe rregulltarët e shumtë të Lindjes së Mesme që janë duke përjetuar në këto momente një thirrje të veçantë për t’i përputhur jetët e tyre me misterin e kryqit të Zotit. Aty ku të krishterët janë në pakicë, aty ku vuajnë privime për shkak të tensioneve etnike dhe fetare, shumë familje marrin vendimin të largohen, si dhe barinjtë janë të tunduar të bëjnë të njëjtën gjë. Në situata si këto, megjithatë, një meshtar, një bashkësi rregulltare, një famulli që mbetet e patundur dhe vazhdon të dëshmojë Krishtin është një shenjë e jashtëzakonshme shprese jo vetëm për të krishterët, por edhe për ata që jetojnë në Krahinë. Edhe vetëm prania e tyre është shprehje domethënëse e Ungjillit të paqes, e vendimit të Bariut të Mirë për t’u kujdesur për të gjitha delet, e angazhimit të qëndrueshëm të Kishës për dialog, për pajtim dhe për pranim të tjetrit në dashuri. Duke përqafuar kryqin që u ofrohet atyre, meshtarët dhe rregulltarët e Lindjes së Mesme munden realisht të rrezatojnë shpresën që gjendet në zemrën e misterit që kremtojmë në liturgjinë e sotme. Le të nxitemi me fjalët e leximit të dytë të sotëm, që flet aq mirë për triumfin e rezervuar Krishtit pas vdekjes në kryq, një triumf që jemi të ftuar të bashkëndajmë. “Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë” (Fil 2,9-10). Nαι αγαπητές εν Xριστώ αδελφές και αγαπητοί αδελφοί, εμάς δε μή γένοιτο καυχάσθαι ει μή εν τώ σταυρώ του Κυρίου ημών Iησού Χριστού (krh. Gal 6,14). Aυτος ειναι η σωτηρία, η ζωή και η ανάστασις. Δια μέσου αυτου εσωθήκαμε και ελευθερωθήκαμε. [Po, të dashur vëllezër e motra, mos e thashtë Zoti të mburremi me tjetër gjë, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit (krh. Gal 6,14). Ai është jeta jonë, shëlbimi ynë dhe ngjallja jonë. Nëpër të jemi shëlbuar dhe jemi bërë të lirë.]
|
|
| > Kisha Katolike Shkoder < | ||