|
|
Sheshi i Grazhdit -
Betlehem
E mërkurë, 13 maj 2009
Të dashur vëllezër e
motra në Krishtin,
falënderoj Hyjin e Gjithëpushtetshëm që më ka dhënë hirin për të ardhur
në Betlehem, jo vetëm për të nderuar vendin ku Krishti ka lindur, por
edhe për të qenë afër jush, vëllezër e motra në besim, në këto Territore
Palestineze. I jam mirënjohës Patriarkut Fauad Twal për ndjenjat që ka
shprehur në emrin tuaj, dhe përshëndes me ngrohtësi bashkëvëllezërit
Ipeshkvij dhe të gjithë priftërinjtë, rregulltarët dhe besimtarët laik
që lodhen çdo ditë për të konfirmuar këtë
Kishë lokale në besim, në shpresë dhe në dashuri. Zemra ime i drejtohet
në mënyrë të veçantë shtegtarëve që vijnë nga Gaza për shkak të luftës:
ju kërkoj t’ua dërgoni familjeve dhe bashkësive tuaja përqafimin tim të
ngrohtë, ngushllimet e mia për humbjet, për fatkeqësitë dhe për
vuajtjet që ju është dashur të duroni. Të jeni të sigurt për
solidaritetin tim me ju në veprën e madhe të ndërtimit që tani ju
qëndron përpara dhe për lutjet e mia që embargoja të hiqet shpejt.
“Mos kini frikë! Ja
unë po ju sjell një lajm të mirë... sot në qytet të Davidit ju lindi
Shëlbuesi” (Lk 2,10-11). Mesazhi i ardhjes së Krishtit, i ardhur
nga qielli nëpërmjet zërit të engjëjve, “gëzim të madh për tërë popullin”
(Lk 2,10). Ky mesazh gëzimi shpall se Mesia, Biri i Hyjit dhe
biri i Davidit, ka lindur “për ju”, për ty e për mua, dhe për të gjithë
burrat e gratë të çdo kohe dhe vendi. Në planin e Hyjit, Betlehemi, “i
vogël ndër qytetet princërore e Judës” (Mik 5,1) është bërë një
vend gëzimi të pavdekshëm: vendi ku, në përmbushjen e kohëve, Hyji ka
zgjedhur për t’u bërë njeri, për të mbyllur mbretërinë e gjatë të
mëkatit dhe të vdekjes dhe për t’i sjellë jetë të re dhe të pasur një
bote që ishtë bërë e vjetër, e lodhur dhe e dëshpëruar.
Për burrat dhe gratë e
çdo vendi, Betlehemi është i lidhur me mesazhin e gëzueshëm të lindjes,
të përtëritjes, të dritës dhe të lirisë. Dhe megjithatë këtu, në mesin
tonë, sa larg nga përmbushja na duket ky premtim! Sa i largët duket ajo
Mbretëri e gjerë e paqes, e sigurisë, e drejtësisë dhe e integritetit,
që Isaia profet kishte shpallur, sipas asaj që kemi dëgjuar në leximin e
parë (krh. Is 9,7) dhe që e shpallim si të themeluar në mënyrë
përfundimtare me ardhjen e Jezu Krishtit, Mesi dhe Mbret!
Nga dita e lindjes së
Tij, Jezusi ka qenë “shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë” (Lk
2,34) dhe vazhdon të jetë i tillë edhe sot. Zoti i ushtrive, “zanafilla
e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit” (Mik 5,2),
donte të inaguronte Mbretërinë e tij duke lindur në këtë qytet të vogël,
duke hyrë në botën tonë në heshtje dhe në përvujtëri në një shpellë,
duke qëndruar i shtrirë, si një fëmijë në nevojë për çdo gjë, në një
grazhd. Këtu në Betlehem, në mes të çdo lloj kontradite, gurët vazhdojnë
të thërrasin këtë “lajm të mirë”, mesazhin e shëlbimit që ky qytet, mbi
çdo tjetër, është thirrur t’ia shpallë gjithë botës. Këtu në fakt, në
një mënyrë që tejkalon të gjitha shpresat dhe pritshmëritë njerëzore,
Hyji është treguar besnik ndaj premtimet e tija. Në lindjen e Birit të
tij, ai ka shfaqur ardhjen e një mbretërie dashurie: një dashuri hyjnore
që përkulet për të sjellë shërim dhe për të na lartësuar; një dashuri që
shpallet në përultësi dhe në dobësinë e kryqit, por triumfon në
ngjalljen në një jetë të re. Krishti ka sjell një mbretëri që nuk është
e kësaj bote, por është një mbretëri e aftë ta ndryshojë këtë botë,
sepse ka fuqi t’i ndryshojë zemrat, t’i ndriçojë mendjet dhe t’i forcojë
vullnetet. Në marrjen e mishit tonë, me të gjitha dobësitë e tij, dhe
shpërfytyrimin me fuqinë e Shpirtit të tij, Jezusi na ka thirrur të jemi
dëshmitarë të fitores së tij mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. Dhe kjo është
ajo që mesazhi i Betlehemit na thërret të jemi: dëshmitarë të triumfit
të dashurisë së Hyjit mbi urrejtjen, mbi egoizmin, mbi frikën dhe mbi
inatin që paralizon marrëdhëniet njerëzore dhe krijon ndarje mes
vëllezërve që duhet të jetojnë së bashku, shkatërrime aty ku njerëzit
duhet të ndërtojnë, dëshpërim aty ku shpresa duhet të lulëzojë!
“Kemi qenë shëlbuar,
por në shpresë” thotë Pali apostull (Rom 8,24). Dhe pohon me
realizëm të madh se krijimi vazhdon të ofshajë në dhimbje, edhe pse ne,
që kemi marrë frytet e para të Shpirtit, presim me durim përmbushjen e
shpengimit (krh. Rom 8,22-24). Në leximin e dytë të sotëm, Pali
sjell nga Mishërimi një mësim që mund t’i aplikohet në mënyrë të veçantë
vuajtjeve që ju, të zgjedhurit e Hyjit në Betlehem, jeni duke provuar:
“vërtet u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai
na mëson t’i biem mohit pabesimit dhe dëshirave të shekullit për të
jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke
pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe
Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit” (Tit 2, 11-13)
A nuk janë ndoshta
këto virtytet që u kërkohen burrave dhe grave që jetojnë në shpresë? Në
radhë të parë, shndërrimi i vazhdueshëm në Krishtin që pasqyrohet jo
vetëm në veprimet tona, por edhe në mënyrën tonë të arsyetimit: guximi
për të braktisur linja mendimesh, veprimesh dhe reagimesh të pafrytshme
dhe sterile. Kultura e një mënyre të menduarit paqësor e bazuar mbi
drejtësinë, respektin e të drejtave dhe detyrave të gjithëve, dhe
angazhimi për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët. Dhe pastaj
këmbëngulja, këmbëngulje në të mirë dhe në refuzimin e të keqes. Këtu në
Betlehem u kërkohet apostujve të Krishtit një këmbëngulje e veçantë:
këmbëngulja për të dëshmuar besnikërisht hirin e Hyjit të shfaqur këtu
në lindjen e Birit të tij, lajmi i mirë i paqes së tij që zbriti nga
qielli për të jetuar në tokë.
“Mos
kini frikë!”. Ky është mesazhi që pasardhësi i Shën Pjetrit dëshiron
t’jua jap sot, duke i bërë jehonë mesazhit të engjëjve dhe dorëzimit që
i dashuri Papa Gjon Pali II ju ka lënë në vitin e Jubileut të Madh të
lindjes së Krishtit. Mbështetuni në lutjen dhe në solidaritetin e
vëllezërve dhe motrave tuaja të Kishës universale, dhe përpiquni me
nisma konkrete të konsolidoni praninë tuaj dhe të ofroni mundësi të reja
atyre që janë të tunduar të ikin. Jini një urë dialogu dhe bashkëpunimi
ndërtues në ndërtimin e një kulture paqeje që të kalojë ngecjen aktuale
të frikës, të agresionit dhe të frustrimit.
Ndërtoni Kishat tuaja lokale duke i bërë ato laboratore
dialogu, tolerance dhe shprese, ashtu si edhe solidariteti dhe dashurie
paqësore.
Mbi çdo gjë, jini dëshmitarë të fuqisë së
jetës, të jetës së re të dhuruar nga Krishti i ngjallur, të asaj jete që
mund të ndriçojë dhe të transformojë edhe situatat njerëzore më të
errëta dhe më të dëshpëruara. Toka juaj nuk ka nevojë vetëm për
struktura të reja ekonomike dhe politike, por në mënyrë më të
rëndësishme-mund të themi-ka nevojë për një infrastrukturë të re “shpirtërore”,
të aftë të nxisë energjitë e të gjithë burrave dhe grave vullnetmirë në
shërbim të edukimit, të zhvillimit dhe të nxitjes së të mirës së
përbashkët. Keni burimet njerëzore për të ndërtuar kulturën e paqes dhe
të respektit të ndërsjellë që mund të garantojnë një të ardhme më të
mirë për fëmijët tuaj. Kjo ndërmarrje fisnike ju pret. Mos kini frikë!
Bazilika
e lashtë e Lindjes së Krishtit, e provuar nga erërat e historisë dhe nga
pesha e shekujve, qëndron përpara nesh si dëshmitar i besimit që qëndron
dhe triumfon mbi botën (krh. 1 Gjn 5,4). Asnjë vizitor i
Betlehemit nuk mund të mos vërë re që gjatë shekujve dera e madhe që na
çon në shtëpinë e Hyjit është bërë gjithmonë e më e vogël. Të lutemi sot
me qëllim që, me hirin e Hyjit dhe me angazhimin tonë, dera që na çon në
misterin e banesës së Hyjit mes njerëzve, tempullin e bashkimit tonë në
dashurinë e tij, dhe hershimi i një bote me paqe dhe gëzim të përjetshëm,
të hapet gjithmonë e më shumë për të pritur çdo zemër njerëzore dhe ta
përtërijë e ta shndërrojë atë. Në këtë mënyrë, Betlehemi do të vazhdojë
t’i bëjë jehonë mesazhit të besuar barinjve, ne, dhe njerëzimit: “Lavdi
Hyjit në lartësinë e qiellit dhe paqë njerëzve në tokë, që ai do!”
Amen.
titujt kryesorë |
|