|
|
Sheshi i Hambareve -
Floriana, e diel, 18 prill 2010
Të dashur Vëllezër e Motra në Jezu
Krishtin,
“Maħbubin uliedi [Bijtë dhe bijat e mi të
dashur!],
Jam shumë i kënaqur që sot jam këtu me ju
të gjithë, para kishës së bukur të Shën Publit për të kremtuar misterin
e madh të dashurisë së Hyjit, që shprehet në Eukaristinë e Shenjtë. Në
këtë kohë, gëzimi i periudhës së Pashkës i mbush zemrat tona, sepse jemi
duke kremtuar fitoren e Krishtit, fitoren e jetës mbi mëkatin dhe mbi
vdekjen. Është një gëzim që i shndërron jetët tona dhe na mbush me
shpresë në plotësimin e premtimeve të Hyjit. Krishti u ngjall, aleluja!
Përshëndes Presidentin e Republikës dhe
Zonjën Abela, Autoritetet civile të këtij Kombi të dashur dhe gjithë
popullin e Maltës e të Gozos. Falënderoj Arqipeshkvin Cremona për fjalët
e përzemërta dhe përshëndes edhe Ipeshkvin Grech dhe Ipeshkvin
Depasquale, Arqipeshkvin Mercieca, Ipeshkvin Cauchi dhe Ipeshkvijtë e
tjerë e meshtarët e pranishëm, ashtu sikurse besimtarët e krishterë të
Kishës që është në Maltë e në Gozo. Që prej mbërritjes sime mbrëmë
ndjeva të njëjtën mikpritje të ngrohtë që paraardhësit tuaj i kanë bërë
Palit apostull në vitin 60.
Shumë udhëtarë kanë zbarkuar këtu gjatë
historisë suaj. Pasuria dhe larmia e kulturës malteze është një shenjë
se populli juaj ka përfituar shumë prej shkëmbimit të dhuratave dhe
mikpritjes së udhëtarëve të ardhur prej detit. Dhe është domethënës
fakti që ju keni ditur da dalloni të mirës në atë që ata ju kanë thënë.
Ju nxis që të vazhdoni të bëni kështu. Jo
gjithçka që bota sot propozon meriton të pranohet prej maltezëve. Shumë
zëra mundohen të na bindin që ta lëmë mënjanë besimin tonë në Hyjin e në
Kishën e tij dhe t’i zgjedhim vetë vlerat dhe besimet të cilat duam t’i
vëmë në jetë. Na thonë se nuk kemi nevojë për Hyjin dhe për Kishën. Nëse
jemi të tunduar t’u besojmë atyre, duhet të kujtojmë episodin e
Ungjillit të sotëm, kur nxënësit, të gjithë peshkatarë ekspertë, u
lodhën gjithë natën, por nuk zunë asnjë peshk. Pastaj, kur Jezusi u
shfaq në breg, u tregoi atyre se ku duhej të peshkonin dhe kështu zunë
aq shumë peshq, sa mezi arritën t’i tërhiqnin rrjetat. Kur ishin vetëm
përpjekjet e tyre ishin të pafrytshme; kur Jezusi u qëndroi pranë, zunë
një sasi të madhe peshqish. Vëllezërit e motrat e mia të dashura, nëse e
vëmë besimin tonë në Zotin dhe ndjekim mësimet e tij, gjithmonë do të
kemi fryte të shumta.
Leximi i parë i Meshës së sotme është
një lexim që e di se ju pëlqen ta dëgjoni: tregimi i anijethyerjes së
Palit në bregun e Maltës dhe mikpritja e ngrohtë që i bën atij popullsia
e këtyre ishujve. Ekuipazhi, për të mbijetuar, u detyruan ta hidhte
ngarkesën në det: pajisjet e barkës dhe grurin që ishte mjeti i tyre i
vetëm i jetesës. Pali i nxiti që ta mbështesnin besimin e tyre vetëm në
Hyjin, ndërsa barka tundej prej dallgëve. Edhe ne duhet ta mbështesim
besimin tonë vetëm në Të. Jemi të tunduar të mendojmë se teknologjia e
sotme e përparuar mund t’i përgjigjet çdo dëshire tonë dhe të na
shpëtojë prej rreziqeve që na sulmojnë. Por nuk është kështu. Në çdo
moment të jetës sonë varemi krejtësisht prej Hyjit, në të cilin jetojmë
e veprojmë. Vetëm ai mund të na mbrojë prej së keqes, vetëm ai mund të
na udhëheqë mes stuhive të jetës dhe vetëm ai mund të na çojë në një
port të sigurt, sikurse ka bërë me Palin dhe me shokët e tij, në brigjet
e Maltës. Ata bënë atë që Pali i nxiti të bënin dhe kështu “të gjithë
dolën në tokë shëndoshë e mirë” (Vap 27,44).
Më shumë se çdo ngarkesë që mund të
bartim me vete – në kuptimin e realizimeve tona njerëzore, të pronësive
tona, të teknologjisë sonë – është marrëdhënia jonë me Zotin ajo që na e
jep çelësin e lumturisë sonë dhe të realizimit tonë njerëzor. Ai na
thërret në një realizim dashurie. Kushtojini vëmendje pyetjes që për tri
herë ai i drejton Pjetrit në breg të liqenit: “Simon, biri i Gjonit, a
më do ti mua?”. Në bazë të përgjigjes pohuese të Pjetrit, Jezusi i beson
një detyrë, detyrën për të peshkuar grigjën e tij. Këtu shohim themelin
e çdo shërbese baritore në Kishë. Është dashuria jonë për Zotin që duhet
të plazmojë çdo aspekt të predikimit dhe të mësimit tonë, të kremtimit
të sakramenteve dhe të kujdesit tonë për Popullin e Zotit. Është
dashuria jonë për Zotin që na nxit t’i duam ata që Ai i do, dhe ta
pranojmë me gjithë qejf detyrën për t’ua komunikuar dashurinë e tij
atyre të cilëve u shërbejmë. Gjatë mundimeve të Zotit, Pjetri e ka
mohuar atë tri herë. Tani, pas Ngjalljes, Jezusi e fton tri herë që ta
deklarojë dashurinë e tij, duke ofruar në këtë mënyrë shpëtimin e
faljen, dhe në të njëjtën kohë duke i besuar misionin e vet. Peshkimi i
mrekullueshëm kishte theksuar varësinë e apostujve prej Hyjit për
suksesin e projekteve të tyre tokësore. Dialogu mes Pjetrit dhe Jezusit
ka theksuar nevojën e zemërdhembshurisë hyjnore për të shëruar plagët e
tyre shpirtërore, plagët e mëkatit. Në çdo fushë të jetës sonë kemi
nevojë për ndihmën e hirit të Hyjit. Me të mund të bëjmë çdo gjë: pa të
nuk mund të bëjmë asgjë.
I njohim prej Ungjillit të Shën Markut
shenjat që i shoqërojnë ata që e kanë vënë besimin e tyre në Jezusin: do
të marrin në duar gjarpërinj dhe kjo gjë nuk do t’i dëmtojë; do të
shtrijnë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen (krh. Mk 16,18).
Këta shenja i kanë njohur edhe paraardhësit tuaj, kur Pali erdhi mes
tyre. Një gjarpër u ngjit në dorën e tij, por ai thjeshtë e shkundi dhe
e hodhi në zjarr dhe nuk i ndodhi asnjë e keqe. Palin e çuan të shihte
të atin e Publit, “kryetari” i ishullit, dhe pasi u lut dhe i shtriu
duart mbi të, e shëroi prej etheve. Ndër të gjitha dhuratat që kishin
mbërritur në këto brigje gjatë historisë së popullit tuaj, ajo e Palit
ka qenë më e madhja ndër të gjitha, dhe është meritë e juaja që ajo
është pranuar menjëherë dhe është ruajtur. Għożżu l-fidi u l-valuri li
takom l’Appostlu Missierkom San Pavl [Qëndroni në fenë dhe në vlerat që
ju janë përçuar prej atit tuaj, Shën Palit apostull]. Vazhdoni ta
eksploroni pasurinë dhe thellësinë e dhuratës së Palit dhe kujdesuni që
t’ua dorëzoni jo vetëm bijve tuaj, por edhe të gjithë atyre që takoni
sot. Çdo vizitor i Maltës do të duhej të prekej prej devotshmërisë së
popullit të saj, prej fesë drithëruese që shfaqet në kremtimet e ditëve
të festave, prej bukurisë së kishave dhe të shenjtëroreve të saj. Por
ajo dhuratë ka nevojë që të bashkëndahet me të tjerët, ka nevojë që të
shprehet. Sikurse i mësoi Moisiu popullit të Izraelit, urdhërimet e
Zotit “mbaji gjithmonë në zemër. Ua përsërit fëmijëve të tu! Fol për to
kur të jesh në shtëpi e kur të jesh duke udhëtuar; kur të biesh në
shtrojë e kur të ngrihesh nga shtroja” (Lp 6,6-7). Kjo është kuptuar
mirë prej shenjtit të parë të Maltës, Dun Ġorģ Preca. Vepra e tij e
palodhur e katekezës, duke i frymëzuar të rinjtë dhe të moshuarit me një
dashuri për doktrinën e krishterë dhe një devotshmëri të thellë ndaj
Fjalës së mishëruar, është bërë një shembull që ju nxis ta ruani. Mos
harroni se shkëmbimi i të mirave mes këtyre ishujve dhe pjesës tjetër të
botës është një proces me dy rrugë. Atë që merrni, vlerësojeni me
kujdes, dhe atë vlerë që keni të dini ta bashkëndani me të tjerët.
Dëshiroj t’u drejtoj një fjalë të
veçantë meshtarëve këtu të pranishëm në këtë vit kushtuar kremtimit të
dhuratës së madhe të meshtarisë. Dun Ġorģ Preca ishte një prift me një
përvujtëri, mirësi, butësi dhe zemërgjerësi të jashtëzakonshme, i cili
thellësisht i ishte kushtuar lutjes dhe plot pasion kumtonte të vërtetat
e ungjillit. Merreni atë si model dhe frymëzim për ju, ndërsa përmbushni
misionin që keni marrë për të kullotur grigjën e Zotit. Kujtojeni edhe
pyetjen që Zoti i Ngjallur i ka drejtuar tri herë Pjetrit: “A më do ti
mua?”. Kjo është pyetja që ai ia drejton secilit prej jush. A e doni? A
dëshironi t’i shërbeni duke ia dhuruar Atij jetën tuaj? A dëshironi t’i
bëni të tjerët që ta njohin e ta duan Atë? Së bashku me Pjetrin le të
keni guximin të përgjigjeni: “Po, Zotëri, ti e di se të dua” dhe
pranojeni me zemër mirënjohëse detyrën e shkëlqyer që Ai ju ka dorëzuar.
Misioni besuar meshtarëve është vërtet një shërbim ndaj gëzimit, ndaj
lavdisë së Hyjit që dëshiron të hyjë në botë (krh. Homelia, 24 prill
2005).
Duke vështruar tani përreth meje
turmën e madhe të mbledhur këtu në Floriana për kremtimin e eukaristisë,
më vjen në mendje skena e përshkruar në leximin e dytë të sotëm, në të
cilin mijëra e mijëra vetë i bashkuan zërat e tyre në një himn të madh
lavdie: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në
shekuj të shekujve” (Zb 5,13).
Vazhdoni ta këndoni këtë himn, në lavd të
Zotit të ngjallur dhe si falënderim për dhuratat e tij të shumta. Me
fjalët e Shën Palit, Apostullit të Maltës, po e përfundoj nxitjen time
drejtuar sot juve: “L-imħabba tiegħi tkun magħkom ilkoll fi Kristu Ġesù”
[“Ju dua të gjithëve në Jezu Krishtin”] (1 Kor 16,24).
Ikun imfaħħar Ġesù Kristu! [Qoftë lëvduar
Jezu Krishti!].
titujt kryesorë
|
|