ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

MESHA E SHENJTË PËR 150-VJETORIN E SHFAQJEVE

 

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

Prairie, Lurd

E diel, 14 shtator 2008

 

Zotërinj Kardinalë, i dashur Imzot Perrier,

Të dashur Vëllezër në Ipeshkvni dhe në Meshtari,

Të dashur shtegtarë, vëllezër dhe motra,

 

“Thuani meshtarëve të vijnë këtu në procesion dhe të ndërtojnë një kapelë”. Është mesazhi që Bernardeta mori nga “Zonja e bukur” në shfaqjen e datës 2 mars 1858. Që prej 150 vjetësh shtegtarët nuk kanë ndaluar kurrë së ardhuri në shpellën e Masabjelës për të dëgjuar mesazhin e kthimit dhe të shpresës, që u është drejtuar atyre. Edhe ne, ja ku jemi këtu këtë mëngjes në këmbët e Marisë, Virgjërës së Papërlyer, për t’u vënë në shkollën e saj me Bernardetën e vogël.

 

Falënderoj në mënyrë të veçantë Imzot Jacques Perrier, Ipeshkëv të Tarbes dhe të Lurdit, për mikpritjen e ngrohtë që më ka bërë dhe për fjalët e sjellshme që më ka drejtuar. Përshëndes Kardinalët, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe rregulltaret, ashtu si edhe të gjithë ju, të dashur shtegtarë të Lurdit, në mënyrë të veçantë të sëmurët. Keni ardhur shumë për të bërë këtë shtegtim jubilar me mua dhe për t’i besuar familjet tuaja, të afërmit dhe miqtë tuaj, dhe të gjitha qëllimet tuaja Zojës Sonë. Mirënjohja ime i shkon edhe Autoriteteve civile dhe ushtarake, që kanë dashur të jenë të pranishëm në këtë Kremtim eukaristik.

 

“Çfarë gjëje e mrekullueshme është të mbash Kryqin! Kush e mban, mban një thesar! (Shën Andrea i Kretës, Omelia X per l’Esaltazione della Croce: PG 97, 1020). Në këtë ditë ku liturgjia e Kishës kremton festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, Ungjilli që sapo keni dëgjuar na kujton domethënien e këtij misteri të madh: Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që njerëzit të shpëtoheshin (krh. Gjn 3, 16). Biri i Hyjit është bërë i prekshëm, duke marrë rolin e shërbëtorit, duke u bindur deri në vdekje dhe në vdekjen në kryq (krh. Fil 2, 8). Është për Kryqin e tij që ne kemi shpëtuar. Mjeti i mundimit që, të Premten e Madhe, kishte shfaqur gjykimin e Hyjit mbi botë, dhe u bë burim jete, faljeje, dhembshurie, shenjë pajtimi dhe paqeje. “për t’u shëruar nga mëkati le të shohim Krishtin e kryqëzuar!” thoshte Shën Augustini (Tract. në Johan., XII, 11). Duke ngritur sytë drejt të Kryqëzuarit, adhurojmë Atë që ka ardhur për të marrë mbi vete mëkatin e botës dhe për të na dhuruar jetën e pasosur. Kisha na fton ta ngrejmë me krenari këtë Kryq të lavdishëm me qëllim që bota të mund ta shohë se deri ku ka arritur dashuria e të Kryqëzuarit për njerëzit, për të gjithë njerëzit. Ajo na fton t’i thurim lavdi Hyjit, sepse nga një pemë që kishte sjellë vdekjen ka buruar përsëri jeta. Është mbi këtë dru që Jezusi na zbulon madhërinë e tij të lartë, na zbulon se Ai është lartësuar në lavdi. Po, “Ejani, ta adhurojmë!”. Mes nesh gjendet Ai që na ka dashur deri në atë pikë sa ka dhuruar jetën e tij për ne, Ai që fton çdo njëri t’i afrohet Atij me besim.

 

Është ky mister i madh që Maria na beson edhe këtë mëngjes, duke na ftuar të drejtohemi kah Biri i saj. Në fakt, është domethënëse që, në momentin e shfaqjes së parë bërë Bernardetës, Maria e nis takimin e saj me shenjën e Kryqit. Më shumë se thjesht një shenjë, është një hyrje në misteret e fesë që Bernardeta merr nga Maria. Shenja e Kryqit është në njëfarë mënyre sinteza e fesë sonë, sepse na thotë se sa Hyji na ka dashur; na thotë se në botë ekziston një dashuri që është më e fortë se vdekja, më e fortë se dobësitë dhe mëkatet tona. Fuqia e dashurisë është më e fortë se e keqja që na kanoset. Është ky mister i universalitetit të dashurisë së Hyjit për njerëzit që Maria ka ardhur të na zbulojë këtu, në Lurd. Ajo i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë, të gjithë ata që vuajnë në zemër apo në trup, që t’i ngrejnë sytë drejt Kryqit të Jezusit për të gjetur aty burimin e jetës, burimin e shpëtimit.

 

Kisha ka marrë misionin që t’u tregojë të gjithëve këtë fytyrë të Hyjit që do, të shfaqur në Jezu Krishtin. A do të dimë ne ta kuptojmë se në të Kryqëzuarin e Golgotës gjendet dinjiteti ynë si bij të Hyjit, errësuar nga mëkati, që na është dorëzuar? Le t’i drejtojmë shikimet tona drejt Krishtit. Është Ai që do të na bëjë të lirë për të dashur si Ai na do dhe për të ndërtuar një botë të pajtuar. Sepse, mbi këtë Kryq, Jezusi ka marrë mbi vete peshën e gjitha vuajtjeve dhe të padrejtësive të njerëzimit tonë. Ai ka marrë poshtërimet dhe diskriminimet, torturat e pësuara në shumë vende të botës nga vëllezërit dhe motrat tona të panumërta për dashuri të Krishtit. Ne ia besojmë Marisë, Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë, të pranishme në këmbët e Kryqit.

 

Për të pritur në jetët tona këtë Kryq të lavdishëm, kremtimi i Jubileut të shfaqjeve të Zonjës Sonë në Lurd na bën të hyjmë në një rrugë besimi dhe kthimi. Sot Maria vjen drejt nesh për të na treguar rrugët për ripërtëritjen e jetës së bashkësive tona dhe të secilit prej nesh. Duke mirëpritur Birin e saj, që Ajo na paraqet, jemi zhytur në një burim të gjallë në të cilën feja mund të gjejë një fuqi të re, në të cilën Kisha mund të forcohet për të shpallur me guxim gjithmonë e më të madh misterin e Krishtit. Jezusi, i lindur nga Maria, është Biri i Hyjit, shpëtimtari i vetëm i të gjithë njerëzve, që jeton e vepron në Kishën e tij dhe në botë. Kisha është e dërguar në mbarë botë për të shpallur këtë mesazh të vetëm dhe për t’i ftuar njerëzit që ta mirëpresin nëpërmjet një kthimi autentik të zemrës. Ky mision që i është besuar nxënësve nga Jezusi, merr këtu, me rastin e këtij Jubileu, një frymë të re. Nën gjurmët e ungjillëzuesve të mëdhenj të Vendit tuaj, shpirti misionar, që ka gjallëruar shumë burra e gra të Francës gjatë shekujve, qoftë akoma krenaria dhe angazhimi juaj!

 

Duke ndjekur itinerarin jubilar nën gjurmët e Bernardetës, na është kujtuar thelbi i mesazhit të Lurdit. Bernardeta është fëmija i madh i një familjeje të varfër, dhe nuk ka as dituri dhe as pushtet, është e ligshtë. Maria e zgjedh për të përçuar mesazhin e saj të kthimit, të lutjes dhe të pendimit, në sintoni të plotë me fjalën e Jezusit: “I fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtit, e ua zbulove të vegjëlve” (Mt 11, 25). Në ecjen e tyre shpirtërore të krishterët janë të thirrur edhe ata të bëjnë që hiri i Pagëzimit të tyre të sjellë fryt, të ushqehen me Eukaristi, të marrin forcë për të dëshmuar dhe të jenë solidarë me të gjithë vëllezërit e tyre në lutje (krh. Homazh i Virgjërës Mari, Sheshi i Spanjës, 8 dhjetor 2007). Pra, është një katekezë e vërtetë që na propozohet nën shikimin e Marisë. Le ta lëmë që Virgjëra të na mësojë edhe ne dhe të na drejtojë në rrugën që na çon në Mbretërinë e Birit të saj!

 

Duke vazhduar në katekezën e saj “Zoja e bukur” ia zbulon emrin e saj Bernardetës: “Unë jam Ngjizja e Papërlyer”. Maria i zbulon kështu hirin e jashtëzakonshëm që ka marrë nga Hyji, atë që të jetë ngjizur pa mëkat, “sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur” (Lk 1, 48). Maria është kjo grua e tokës sonë që është lëshuar tërësisht në duart e Hyjit dhe ka marrë nga Ai privilegjin që t’ia japë jetën njerëzore Birit të saj të përjetshëm. “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1, 38). Ajo është bukuria e shndërruar, imazhi i njerëzimit të ri. Duke u paraqitur kështu në një varësi totale nga Hyji, Maria shpreh në realitet një qëndrim lirie të plotë, të bazuara mbi njohjen e plotë të dinjitetit të saj të vërtetë. Ky privilegj ka të bëjë edhe me ne, sepse na zbulon dinjitetin tonë si burra dhe gra, të shënuar sigurisht nga mëkati, por të shpëtuar në shpresë, një shpresë që na lejon ta përballojmë jetën tonë të përditshme. Është rruga që Maria ia hap edhe njeriut. Duke u lëshuar krejtësisht në duart e Hyjit do të thotë të gjesh rrugën e lirisë së vërtetë. Sepse duke iu drejtuar Hyjit, njeriu bëhet vetvetja. Rigjen thirrjen e vet zanafillore si një person i krijuar në përngjasim dhe shëmbëlltyrë të tij.

 

Të dashur vëllezër e motra, thirrja e parë e Shenjtërores së Lurdit është që të jetë një vend takimesh me Hyjin në lutje, dhe një vend shërbimi për vëllezërit, mbi të gjitha për pritjen e të sëmurëve, të të varfërve dhe të gjithë personave që vuajnë. Në këtë vend Maria na vjen ne si Nëna, gjithmonë e gatshme për nevojat e bijve të saj. Përmes ditës që përhap nga fytyra e saj, është mëshira e Hyjit që shfaqet. Ta lëmë veten të prekemi nga shikimi i saj: ai na thotë se të gjithë jemi të dashur nga Hyji, por të braktisur nga Ai! Maria vjen të na kujtojë se lutja, intensive dhe e përulur, me besim dhe e vazhdueshme, duhet të ketë një vend kryesor në jetën tonë të krishterë. Lutja është e nevojshme për të mirëpritur forcën e Krishtit. “Kush lutet nuk e çon dëm kohën e vet, edhe pse situata i ka të gjitha karakteristikat e emergjencës dhe duket sikur na shtyn vetëm në sulm” (Deus caritas est, nr. 36). Nëse e lëmë veten të thithemi nga aktivitetet rrezikojmë që lutjes t’i humbasë specificiteti i saj i krishterë dhe efikasiteti i saj i vërtetë. Lutja e Rruzares, aq e dashur për Bernardetën dhe për shtegtarët e Lurdit, përqendron në vetvete thellësinë e mesazhit ungjillor. Na fut në soditjen e fytyrës së Krishtit. Në këtë lutje të të përvuajturve ne mund të marrim hire të shumta.

 

Prania e të rinjve në Lurd është edhe një realitet i rëndësishëm. Të dashur miq, të pranishëm këtë mëngjes rreth Kryqit të Ditës Botërore të Rinisë, kur Marisë i erdhi në vizitë Engjëlli, ishte një vajzë e re nga Nazareti që bënte jetën e thjeshtë dhe të guximshme të grave të fshatit të saj. Edhe pse shikimi i Hyjit u ndal mbi të mënyrë të veçantë mbi të, duke pasur besim në të, Maria do të na thojë edhe një herë se askush nga ju të mos jetë mospërfillës ndaj Hyjit. Ai hedh shikimin e tij të dashur mbi çdo njërin nga ju dhe ju thërret për një jetë të lumtur dhe të mbushur me kuptim. Mos e lejoni veten të ligështoheni përpara vështirësive! Maria u trazua nga lajmi i Engjëllit që erdhi për t’i thënë se do të bëhej Nëna e Shpëtimtarit. Ajo e ndiente se sa e dobët ishte përpara plotfuqishmërisë së Hyjit. Megjithatë tha “po”, pa hezituar. Falë “po-së” së saj shpëtimi hyri në botë, duke ndërruar kështu historinë e njerëzimit. Kur t’ju vijë radha, të dashur të rinj, mos kini frikë t’i thoni “po” thirrjeve të Zotit, kur ai Ju fton ta ndiqni. Përgjigjjuni me bujari Zotit! Ai vetëm mund t’i plotësojë aspiratat më të thella të zemrës suaj. Jeni të shumtë që vini në Lurd për një shërbim të kujdesshëm dhe bujar përbri të sëmurëve dhe shtegtarëve të tjerë, duke u vënë kështu në gjurmët e Krishtit shërbëtor. Shërbimi që i bëni vëllezërve dhe motrave ju hap zemrën dhe ju bën të gatshëm. Në heshtjen e lutjes, Maria qoftë njeriu juaj i besuar, ajo që ka ditur t’i flasë Bernardetës duke e respektuar dhe duke i besuar asaj. Maria i ndihmoftë ata që janë të thirrur në martesë për të zbuluar bukurinë e një dashurie të vërtetë e të thellë, të jetuar si dhuratë të ndërsjellë dhe besnike. Atyre që mes jush Ai i thërret për ta ndjekur në thirrjen meshtarake ose rregulltare, do të doja t’ia rithoja të gjithë gëzimin që ndodhet në dhurimin total të jetës në shërbim të Hyjit dhe të njerëzve. Familjet dhe bashkësitë e krishtera qofshin vende në të cilat mund të lindin e të rriten thirrje të qëndrueshme në shërbim të Kishës dhe të Botës!

Mesazhi i Marisë është një mesazh shprese për të gjithë burrat dhe për të gjitha gratë e kohës sonë, të çfarëdo vendi qofshin. Dëshiroj ta thërras Marinë me termin “Ylli i shpresës” (Spe salvi, nr. 50). Mbi rrugët e jetëve tona, kaq shpesh të errëta, ajo është një dritë shprese që na ndriçon dhe na orienton në rrugën tonë. Përmes “po”-së së saj, përmes dhuratës bujare të vetes së saj, ia ka hapur Hyjit dyert e botës sonë dhe të historisë tonë. Dhe na fton ta jetojmë si ajo në një shpresë të pathyeshme, duke refuzuar të dëgjojmë ata që pretendojnë që ne jemi të burgosur të këtij fakti. Ajo na shoqëron me praninë e saj amënore në mes të ngjarjeve të jetës së njerëzve, të familjeve dhe të kombeve. Të lumët burrat dhe gratë që e vënë besimin e tyre në Atë që, në momentin që po jepte jetën e vet për shpëtimin tonë, na ka dhënë Nënën e vet që të ishte Nëna jonë!

 

Të dashur vëllezër e motra, në këtë tokë të Francës, Nëna e Zotit nderohet në shumë shenjtërore, që tregojnë kështu besimin e përçuar nga njëri brez në tjetrin. E kremtuar në të Ngjiturin e saj në Qiell, ajo është Zoja e dashur e vendit tuaj. Qoftë gjithmonë e nderuar me ngrohtësi në të gjitha familjet tuaja, në bashkësitë e rregulltarëve dhe në famullitë e juaja! Maria qëndroftë zgjuar mbi të gjithë banorët e vendit tuaj të bukur dhe mbi shtegtarët e shumtë të ardhur nga vende të tjera për të kremtuar këtë Jubile! Qoftë për të gjithë Nëna që rrethon me kujdes fëmijët e saj në gëzime, ashtu edhe në sprova! Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit dhe Nëna jonë, na mëso të besojmë, të shpresojmë e të duam me ty. Na mëso rrugën për në mbretërinë e Birit tënd Jezus! Ylli i detit, shdrit mbi ne dhe na udhëhiq në rrugën tonë! (krh. Spe salvi, nr. 50). Amen.

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster