|
|
HOMELIA E ATIT TË
SHENJTË
Aeroporti Turany i
Bernos
E diel, 27 shtator 2009
Të dashur vëllezër e motra!
“Ejani te unë të gjithë ju që jeni të
lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh” (Mt 11,28). Jezusi e
fton çdo nxënës të vetin të rrijë me Të, të gjejë ngushëllim, mbështetje
e çlodhje në Të. Ftesën ia drejton në veçanti Asamblesë sonë
liturgjike, që sheh të mbledhur në mënyrë ideale, bashkë me Pasardhësin
e Pjetrit, tërë Bashkësinë tuaj kishtare. Të gjithëve dhe secilit i
drejtohet përshëndetja ime: në radhë të parë Ipeshkvit të Bernos – të
cilit i jam mirënjohës edhe për fjalët e përzemërta që më drejtoi në
fillim të Meshës – Zotërinjve Kardinalë dhe Ipeshkvinjve të tjerë të
pranishëm. Përshëndes meshtarët, diakonët, seminaristët, rregulltarët e
rregulltaret, katekistët dhe vepruesit baritorë, të rinjtë dhe familjet
e shumta. U drejtoj një mendim plot respekt Autoriteteve civile dhe
ushtarake, në mënyrë të veçantë Presidentit të Republikës e
bashkëshortes së tij të nderuar, Kryetarit të Bashkisë së qytetit të
Bernos dhe Presidentit të Krahinës së Moravisë së Jugut, tokë e pasur me
histori, veprimtari kulturore, industri e tregti. Gjithashtu, dua të
përshëndes përzemërsisht shtegtarët që vijnë nga e gjithë krahina e
Moravisë dhe nga dioqezat e Sllovakisë, Polonisë, Austrisë dhe
Gjermanisë.
Të dashur miq, për karakterin që ka
Asambleja e sotme liturgjike, e kam bashkëndarë me gjithë qejf
zgjedhjen, të cilën e përmendi Ipeshkvi juaj, për të intonuar leximet
biblike të Meshës së Shenjtë sipas temës së shpresës: e kam bashkëndarë
atë duke menduar qoftë për popullin e këtij vendi të dashur, qoftë për
Europën dhe tërë njerëzimin, që është i etur për diçka në të cilën ta
mbështesë fort të ardhmen e vet. Në Enciklikën time të dytë – Spe salvi
–, kam theksuar se e vetmja shpresë “e sigurtë” dhe “e besueshme” (krh.
nr. 1) bazohet në Hyjin. Përvoja e historisë tregon se në çfarë
absurditetesh mbërrin njeriu kur e përjashton Hyjin prej horizontit të
zgjedhjeve e veprimeve të tij, dhe se si nuk është e lehtë të ndërtohet
një shoqëri e frymëzuar prej vlerave të të mirës, të drejtësisë dhe të
vëllazërisë, sepse qenia njerëzore është e lirë dhe liria e tij mbetet e
brishtë. Kështu, liria duhet të rifitohet vazhdimisht për t ëmirën dhe
kërkimi aspak i lehtë i “sistemeve të drejta për gjërat njerëzore” është
një detyrë që u takon të gjitha brezave (krh. ibid., 24-25). Ja se
përse, të dashur miq, jemi këtu para së gjithash në dëgjim, në dëgjim të
një fjale që na tregon rrugën që çon në shpresë; madje, jemi në dëgjim
të Fjalës që është e vetmja që mund të na japë një shpresë të
qëndrueshme, sepse është Fjalë e Zotit.
Në Leximin e parë (Is 61,1-3a), Profeti
paraqitet i pajisur me misionin për t’u shpallur të gjithë të vuajturve
e të varfërve lirimin, ngushëllimin, gëzimin. Këtë tekst Jezusi e ka
marrë dhe e ka bërë të vetin në predikimin e vet. Madje, ka thënë
shprehimisht se premtimi i profetit është plotësuar në Të (krh. Lk
4,16-21). Është realizuar plotësisht kur, duke vdekur në kryq e duke u
ngjallur prej të vdekurve, na ka liruar prej skllavërisë së egoizmit e
të të keqes, të mëkatit e të vdekjes. Dhe kjo është shpallja e
shëlbimit, e hershme dhe gjithmonë e re, që Kisha e kumton brez pas
brezi: Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur, Shpresa e njerëzimit!
Kjo fjalë e shëlbimit jehon me forcë
edhe sot, në Asamblenë tonë liturgjike. Jezusi ju drejtohet me dashuri
juve, bij e bija të kësaj toke të bekuar, në të cilën prej më se një
mijë vjetësh është përhapur fara e Ungjillit. Vendi juaj, sikurse kombe
të tjera, është duke jetuar një gjendje kulturore që shpesh përfaqëson
një sfidë rrënjësore për fenë dhe, prandaj, edhe për shpresën. Në të
vërtetë, qoftë feja, qoftë shpresa, në epokën moderne, kanë pësuar një
“zhvendosje”, sepse janë vendosur në planin privat e ultratokësor,
ndërsa në jetën konkrete e publike është afirmuar besimi në përparimin
shkencor e ekonomik (krh. Spe salvi, 17). E dimë të gjithë se ky
përparim është i dyshimtë: hap mundësi të të mirës si dhe perspektiva
negative. Zhvillimet teknike dhe përmirësimet e strukturave shoqërore
janë të rëndësishme e sigurisht të nevojshme, por nuk mjaftojnë të
garantohet mirëqenia morale e shoqërisë (krh. ibid., 24). Njeriu ka
nevojë të lirohet prej shtypjeve materiale, por duhet të shpëtojë, edhe
më thellësisht, prej të këqijave që e mundojnë shpirtin. E kush mund ta
shpëtojë atë nëse jo Hyji, që është Dashuri dhe e ka zbuluar fytyrën e
vet si Atë i gjithëpushtetshëm e i mëshirshëm në Jezu Krishtin? Shpresa
jonë e patundur, pra, është Krishti: në Të, Hyji na ka dashur deri në
fund dhe na ka dhënë jetën në begati (krh. Gjn 10,10), atë jetë që çdo
person, nganjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, dëshiron që ta ketë.
“Ejani te unë të gjithë ju që jeni të
lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Këto fjalë të Jezusit,
të shkruara me shkronja të mëdha mbi derën e Katedrales suaj të Bernos,
Ai ia drejton tani secilit prej nesh dhe shton: “Pranoni t’ju mësoj unë
që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat
tuaj” (Mt 11,29-30). A mund të rrimë mospërfillës para dashurisë së tij?
Këtu, sikurse edhe gjetiu, në shekujt e kaluar shumë njerëz kanë vuajtur
për t’i qëndruar besnikë Ungjillit dhe nuk e kanë humbur shpresën; shumë
janë flijuar për t’i ridhënë dinjitetin njeriut dhe lirinë popujve, duke
gjetur në bashkimin bujar me Krishtin forcën për të ndërtuar një
njerëzim të ri. E megjithatë, në shoqërinë aktuale, ku shumë forma të
varfërisë lindin prej izolimit, prej të mos qenit të dashur, prej
mospranimit të Hyjit dhe prej një mbylljeje zanafillore tragjike të
njeriut që mendon se mund t’i mjaftojë vetvetes, ose se është vetëm një
fakt pa domethënie e kalimtar; në këtë botë tonën që është e tjetërsuar
“kur u besohet projekteve vetëm njerëzore” (krh. Caritas in veritate,
53), vetëm krishti mund të jetë shpresa jonë e sigurtë. Kjo është
shpallja që ne të krishterët jemi të thirrur ta përhapim çdo ditë, me
dëshminë tonë.
Shpalleni ju, të dashur meshtarë, duke
mbetur të lidhur ngushtë me Jezusin dhe duke ushtruar me entuziazëm
shërbesën tuaj, të sigurtë se asgjë nuk mund t’u mungojë atyre që i
besohen Atij. Dëshmojeni Krishtin ju, të dashur rregulltarë e
rregulltare, me praktikimin e gëzueshëm dhe koherent të këshillave
ungjillore, duke treguar se cili është atdheu ynë i vërtetë: Qielli. Dhe
ju, të dashur besimtarë laikë të rinj e të rritur, ju, të dashura
familje, mbështetini mbi fenë në Krishtin projektet tuaja familjare, të
punës, të shkollës, dhe veprimtaritë e çdo fushe të shoqërisë. Jezusi
nuk i braktis kurrë miqtë e vet. Ai siguron ndihmën e vet, sepse asgjë
nuk është e mundur të bëjmë pa Të, por, në të njëjtën kohë, i kërkon
secilit që të angazhohet personalisht për ta përhapur mesazhin e vet
unviersal të dashurisë dhe të paqes. Le t’ju nxisë shembulli i
shenjtërve Ciril e Metod, Pajtorë kryesorë të Moravisë, që kanë
ungjillëzuar popujt sllavë, dhe shembulli i shenjtërve Pjetër e Pal, të
cilëve u është kushtuar Katedralja juaj. Shikojeni dëshminë e ndritshme
të shenjtes Zdislava, nënë familjeje, e pasur me vepra feje e mëshire;
atë të shën Gjon Sarkanderit, meshtar e martir; atë të shën Klement
Maria Hofbauer, meshtar e rregulltar, i lindur në këtë Dioqezë, dhe i
kanonizuar 100 vjet më parë, si dhe atë të të lumes Restitutta Kafkova,
rregulltare e lindur në Berno dhe e vrarë prej nazistëve në Vjenë. Ju
shoqëroftë e ju ruajtë Zoja e Bekuar, Nëna e Krishtit, Shpresës sonë.
Amen!
titujt kryesorë
|
|