ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

NË KONFERENCËN IPESHKVNORE FRANCEZE

 

FJALIMI I ATIT TE SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

 

Hemicycle Sainte- Bernardette

Lurd, e dielë 14 shtator 2008

 

Zotërinj Kardinalë

Të dashur vëllezër në Ipeshkvni!

 

Është hera e parë që nga fillimi i Pontifikatit tim që kam gëzimin t’ju takoj të gjithëve bashkë. Përshëndes me gjithë zemër Presidentin tuaj, Kardinalin Andre Vingt-Trois, dhe e falënderoj për fjalët e plot mirësjellje dhe të thella që m’i ka drejtuar në emrin tuaj. Një përshëndetje ia drejtoj edhe Zëvendës-Presidentëve, si edhe Sekretarit të Përgjithshëm dhe bashkëpunëtorëve të tij. Një përshëndetje të ngrohtë ia drejtoj edhe secilit prej jush, Vëllezër të mi në Ipeshkvni, që keni ardhur nga katër anët e Francës dhe përtej detit. Kujtoj edhe Imzot François Garnier, Arqipeshkëv i Kambre, që sot kremton në Valenkene përvjetorin e njëmijtë të “ Notre- Dame du Saint-Cordon”.

 

Gëzohem që jam sonte mes jush në këtë gjysmërreth të quajtur “Sainte Bernardet”, që është vendi i zakonshëm i lutjeve dhe i takimet tuaja, vend në të cilin paraqitni shqetësimet dhe shpresat tuaja, vend edhe i diskutimeve dhe i reflektimeve tuaja. Kjo sallë ndodhet në një pikë të priviligjuar pranë shpellës dhe bazilikave mariane. Sigurisht, vizitat “ad limina” ju mundësojnë të takoni rregullisht Pasardhësin e Pjetrit në Romë, por momenti që ne tani jetojmë na është dhënë si një hir për të përforcuar lidhjet e ngushta që na bashkojnë në pjesëmarrjen në të njëjtën meshtari të prejardhur drejtpërdrejt nga Krishti shëlbues. Ju inkurajoj të vazhdoni të punoni në njësi dhe besim, në bashkësi të plotë me Pjetrin që ka ardhur për të përforcuar besimin tuaj. Ju, Hirësi, keni thënë se të shumta janë shqetësimet aktuale të tua dhe të tonat! E di që keni ndërmend të angazhoheni me entuziazëm për të punuar brenda kuadrit të ri sipas riorganizimit të ri të provincave kishtare dhe për këtë gëzohem me gjithë shpirt. Do të doja të përfitoja prej këtij rasti për të reflektuar me ju mbi ndonjë temë që e di që është në qendër të kujdesit tuaj.

 

Kisha-Një, e Shenjtë, Katolike dhe Apostolike- ju ka nxjerrë në dritë (lindur) përmes Pagëzimit. Ajo ju ka thirrur në shërbim të saj; ju i keni dhuruar asaj jetën tuaj, në fillim si diakonë e meshtarë, pastaj si Ipeshkvij. Ju shpreh të gjithë mirënjohjen time për këtë dhuratë të personave tuaj: me gjithë detyrën e gjerë, që nënvizon nderin - honor, onus!- ju përmbushni me besnikëri dhe përultësi detyrën tuaj të trefishtë, ndaj grigjës që ju është besuar, për të mësuar, administruar, shenjtëruar, në dritën e Kushtetutës Lumen gentium (nr. 25-28) dhe të Dekretit Christus Dominus. Pasardhës të Apostujve, ju përfaqësoni Krishtin në krye të dioqezave që ju janë besuar, dhe sforcoheni të realizoni në ta imazhin e Ipeshkvit të caktuar nga Pali; duhet të rriteni pa pushim në këtë rrugë, me pikësynimin që të jeni gjithmonë e më “mikpritës, që e do të mirën, i urtë, i drejtë, i shenjtë, zotërues i vetvetes, i thelluar në fjalën e vërtetë të mësimit” (krh. Tit 1, 8-9). Populli i krishterë duhet t’ju shohë me dashuri dhe respekt. Që nga fillimi tradita e krishterë ka ngulur këmbë në këtë pikë: “Të gjithë ata që janë për Hyjin e për Jezu Krishtin, janë me Ipeshkvin” shkruante Shën Injaci i Antiokisë (Ai Filad., 3, 2), i cili shtonte edhe: “ai që i zoti i shtëpisë dërgon për të administruar shtëpinë e tij, ne duhet ta presim ashtu siç do të presim atë që e ka dërguar” (Agli Efes. 6, 1). Misioni juaj, mbi të gjitha ai shpirtëror, pra, qëndron në krijimin e kushteve të përshtatshme që besnimtarët, citojnë përsëri Shën Injacin, “të mund t’ia këndojnë njëzëri një himn Atit, përmes Krishtit” (Ibid. 4,2) dhe në këtë mënyrë t’ia ofrojnë jetën e tyre Hyjit.

 

Ju jeni me të drejtë të bindur se për të rritur në çdo të pagëzuar shijen e Hyjit është mirëkuptimi i domethënies së jetës, katekizmi përmban një rëndësi themelore. Këta dy instrumente që keni, Katekizmi i Kishës Katolike dhe Katekizmi i Ipeshkvijve të Francës, janë mjete të vlefshme. Ofrojnë, në fakt, një sintezë harmonike të fesë katolike dhe mundësojnë kumtimin e Ungjillit me besnikëri reale në pasurinë e tij. Katekizmi nuk është para së gjithash një çështje metode, por përmbajtjeje, siç tregon vetë emri i tij: bëhet fjalë për një asimilim organik (kat-echein) të tërësisë së zbulimit të krishterë, i aftë që të vërë në dispozicion të diturive dhe të zemrave Fjalën e Atij që ka dhënë jetën e vet për ne. Në këtë mënyrë, katekeza bën të jehojë në zemrën e çdo qenieje njerëzore një apel të vetëm që ripërtërihet pa pushim: “më ndiq” (Mt 9, 9). Një përgatitje e kujdesshme e katekistëve do të mundësojë përçimin e plotë të fesë, sipas shembullit të Shën Palit, katekisti më i madh i të gjithë kohëve, të cilin e shikojmë me një admirim të veçantë në këtë dymijëvjeçar të lindjes së tij. Në mes të kujdesjeve apostolike ai thonte kështu: “Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Tim 4, 3-4).të vetëdijshëm për realizmin e madh të parashikimeve të tij, me përulësi dhe ngulmim ju sforcoheni të plotësoni porositë e tij: “predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! (2 Tim 4, 2).

 

Për të realizuar me efikasitet këtë detyrë, ju keni nevojë për bashkëpunëtorë. Për këtë arsye thirrjet meshtarake dhe rregulltare meritojnë më shumë se kurrë të inkurajohen. Jam informuar për nismat që me besim merren në këtë sektor dhe dua t’ia jap gjithë mbështetjen time atyre që nuk kanë frikë, siç ka bërë Krishti, për t’i ftuar të rinjtë edhe më të rinjtë që të vihen në shërbim të Mësuesit që është këtu dhe thërret (krh. Gjn 11, 28). Do të doja t’i falënderoja përzemërsisht dhe t’i inkurajoj të gjitha familjet, të gjitha famullitë, të gjitha bashkësitë e krishtera dhe të gjitha Lëvizjet e Kishës, që janë toka pjellore e aftë për të dhënë frytet e mira (krh. Mt 13, 8) të thirrjeve. Në këtë kontekst, nuk mund të lë pa shprehur mirënjohjen time për lutjet e panumërta të nxënësve të vërtetë të Jezusit dhe të Kishës së Tij. Mes tyre ka meshtarë, rregulltarë e rregulltare, të moshuar apo të sëmurë, edhe të burgosur, që për dekada ia kanë lartësuar Hyjit kërkesat e tyre për t’i përmbushur urdhërimet e Jezusit “Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta” (Mt 9, 38). Ipeshkvi dhe bashkësia e besimtarëve duhet, për atë që i takon, të favorizojnë dhe të pranojnë thirrjet meshtarake dhe rregulltare, duke u mbështetur mbi hirin që jep Shpirti Shenjt me synim për të vendosur në veprim shoshitjen e nevojshme. Po, të dashur Vëllezër në Ipeshkvni, vazhdoni të bëni thirrje për meshtari dhe rregulltari, ashtu siç hodhi Pjetri rrjetat për të vënë në jetë urdhrin e Mësuesit, edhe pse kishin kaluar natën duke peshkuar pa kapur asgjë (krh. Lk 5,5).

 

Nuk do të përsëritet kurrë mjaftueshëm që meshtaria është e nevojshme për Kishën, në interes të vetë laikatit. Meshtarët janë një dhuratë e Hyjit për Kishën. Meshtarët nuk mund t’ia delegojnë funksionet e tyre besimtarëve në atë që ka të bëjë pikërisht me detyrat e tyre. Të dashur Vëllezër në Ipeshkvni, ju ftoj të vazhdoni, me çdo përkujdesje, që t’i ndihmoni meshtarët tuaj për t’u bashkuar në mënyrë intime me Krishtin. Jeta e tyre shpirtërore është themeli i jetës së tyre apostolike. Do t’i ftoni me ëmbëlsi për lutjen e përditshme dhe për kremtimin e denjë të Sakramenteve, mbi të gjitha të Eukaristisë dhe të Pajtimit, siç bënte shën Franqesku i Salezit me priftërinjtë e tij. Çdo meshtar duhet të ndihet i lumtur se i shërben Kishës. Në shkollën e Cutato D’Ars-it, bir i Tokës suaj dhe pajtor i të gjithë famullitarëve të botës, mos pushoni së rithëni se një njeri nuk mund të bëjë asgjë më të madhe se t’u japë besimtarëve Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe të falë mëkatet. Mundohuni të jeni të kujdesshëm ndaj formimit e tyre njerëzor, intelektual dhe shpirtëror, ashtu edhe për mjetet e tyre të jetesës. Sforcohuni, pavarësisht ngarkesës së angazhimeve tuaja të rënda, t’i takoni rregullisht dhe të dini t’i prisni si vëllezër e miq (krh. LG 28, CD 16). Meshtarët kanë nevojë për dashurinë tuaj, për inkurajimin tuaj dhe për nxitjen tuaj. Rrini pranë tyre dhe kini një kujdes të veçantë për ata që janë në vështirësi, të sëmurë dhe të moshuar (krh. CD 16). Mos harroni se ata janë, siç thotë Koncili II i Vatikanit duke rimarrë shprehjen e mrekullueshme të përdorur nga Shën Injaci i Antikisë në letrën për të krishterët e Manjezisë, “kurora shpirtërore e Ipeshkvit” (krh. LG 41).

 

Kulti liturgjik është shprehja më e lartë e jetës meshtarake dhe ipeshkvnore, si edhe i mësimit katekistik. Detyra juaj e shenjtërimit të besimtarëve, të dashur Vëllezër, është e domosdoshme për rritjen e Kishës. Në “Motu proprio” Summorum Pontificum kam theksuar kushtet e ushtrimit të një detyre të tillë, me atë që ka lidhje me mundësinë e përdorimit të Mesharit të të Lumit Gjoni XXIII (1962), si edhe atë të Papa Palit VI (1970). Disa fryte të këtyre dispozitave të reja janë parë tashmë, dhe unë shpresoj se domosdoshmëria e paqtimit të shpirtërave të jetë, prej hirit të Hyjit, duke u realizuar. I njoh vështirësitë që ju keni, por nuk kam dyshim se mund të arrini, në kohë të arsyeshme, në një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë, kështu që manteli i Krishtit mos të shqyhet edhe më shumë. Askush nuk është i tepërt në Kishë. Gjithkush, pa përjashtim, në të duhet të ndihet “në shtëpi”, dhe kurrë i refuzuar. Hyji, që i do të gjithë njerëzit e nuk do që askush të humbasë, na e beson këtë mision duke na bërë Barinjtë e deleve të veta. Nuk mundemi veçse t’i jemi mirënjohës për nderin dhe besimin që ai ka për ne. Të përpiqemi, ndërkohë, që të jemi gjithmonë shërbëtorë të njësisë!

 

Cilat janë fushat e tjera që kërkojnë një kujdes më të madh? Përgjigjet mund të ndryshojnë nga një dioqezë në tjetrën, por është një problem që duket gjithkund i një urgjence të veçantë: është situata e familjes. E dimë se sot, çifti dhe familja, përballojnë stuhi vërtet të mëdha. Fjalët e ungjilltarit për varkën në shtrëngatë në mes të liqenit mund t’i vishen familjes: “Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë” (Mk 4, 37). Faktorët që kanë krijuar këtë krizë janë të njohura nga të gjithë, e për këtë arsye nuk do të ndalem t’i radhis ata. Prej disa dekadash ligjet kanë relativizuar në shumë vende natyrën e saj si qelizë e parë e shoqërisë. Shpesh ligjet kërkojnë t’i përshtaten më shumë zakoneve dhe kërkesave për disa njerëz ose grupe të veçanta, dhe jo të nxisin të mirën e përbashkët të shoqërisë. Bashkimi i qëndrueshëm i një burri dhe një gruaje, e renditur për ndërtimin e një të mire tokësore, falë lindjes së fëmijëve të dhuruar nga Hyji, nuk është më, në mendjen e disave, modeli të cilin angazhimi martesor synon. Mirëpo përvoja na mëson se familja është baza e qëndrueshme mbi të cilën mbështetet mbarë shoqëria. Edhe më shumë, i krishteri e di se familja është qeliza e gjallë e Kishës. Sa më shumë familja të jetë e mbushur me Shpirtin Shenjt dhe me vlerat e Ungjillit, aq më shumë vetë Kisha do të jetë e pasur dhe do t’i përgjigjet më mirë thirrjes së saj. Njoh, gjithashtu, dhe inkurajoj sforcimin që bëni për t’i dhënë mbështetjen tuaj shoqatave të ndryshme që operojnë për t’i ndihmuar familjet. Keni të drejtë që t’i mbështetni me vendosmëri, edhe në qoftë se ju kushton të shkoni kundër rrymës, të parimeve që përbëjnë forcën dhe madhështinë e Sakramentit të martesës. Kisha do t’i qëndrojë në mënyrë të parreshtur besnike mandatit që i ka besuar Themeluesi i saj, Mësuesi dhe Zoti ynë Jezu Krishti. Ajo nuk rresht së përsërituri me Të: “Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!” (Mt 19, 6). Kisha nuk ia ka dhënë vetes këtë mision: E ka marrë. Sigurisht, askush nuk mund ta mohojë më mungesën e provave, nganjëherë shumë të dhimbshme, që disa vatra familjare kalojnë. Do të jetë e nevojshme t’i shoqërojmë familjet në vështirësi, t’i ndihmojmë të kuptojnë madhështinë e martesës e t’i inkurajojmë që të mos relativizojnë vullnetin e Hyjit dhe ligjet e jetës që Ai na ka dhënë. Një çështje veçanërisht e dhimbshme, siç e dimë, është ajo e të divorcuarve të rimartuar. Kisha, që nuk mund t’i dalë kundër vullnetit të Krishtit, ruan me besnikëri parimin e pazgjidhshmërisë së martesës, duke i rrethuar me dashurinë më të madhe burrat dhe gratë që, për arsye të ndryshme, nuk arrijnë ta respektojnë. Për këtë arsye, nuk mund të pranohen nismat që kanë si qëllim të bekojnë lidhjet jo të ligjshme. Nxitja apostolike Familiaris consortio ka treguar rrugën e hapur nga një mendim i respektuar i të vërtetës dhe i faljes.

 

Të rinjtë, e di mirë të dashur Vëllezër, janë në qendër të shqetësimeve tuaja. Ju i kushtoni atyre shumë kohë dhe keni të drejtë. Siç keni pasur mundësinë të vëreni sapo kam kontaktuar një turmë të madhe në Sidnei, gjatë Ditës Botërore të Rinisë. Kam mundur të vlerësoj entuziazmin dhe aftësinë për t’iu kushtuar lutjes. Edhe pse jetojnë në një botë që i josh dhe ngadalëson instinktet e tyre bazë, e duke mbartur edhe peshën e rëndë të trashëgimive të vështira për t’u asimiluar, të rinjtë ruajnë një freski shpirtërore që ka ngjallur admirimin tim. I kam bërë apel ndjenjës së tyre të përgjegjësisë, duke i ftuar të mbështeten në thirrjen që Hyji u ka dhënë atyre ditën e Pagëzimit. ”Forca jonë qëndron në atë që Krishti do nga ne”, thoshte kardinal Jean–Marie Lustiger. Përgjatë udhëtimit të tij të parë në Francë paraardhësi im i nderuar u drejtoi të rinjve të vendit tuaj një fjalë që nuk e ka humbur aktualitetin e saj dhe që u prit me një ngrohtësi të paharrueshme. “Lejimet morale nuk e bëjnë njeriun të lumtur”, tha në Parkun e Princëve i shoqëruar nga një mori duartrokitjesh. Gjykimi që frymëzonte reaksionin e shëndoshë të auditorit të tij nuk ka vdekur. Lus Shpirtin Shenjt që të dojë t’i flasë zemrës së të gjithë besimtarëve dhe, në përgjithësi, të gjithë bashkë-patriotëve tuaj, për t’i dhënë atyre – ose për t’i kthyer atyre - shijen e një jete të udhëhequr sipas kritereve të një lumturie të vërtetë.

 

Në Elise ditë më parë kam kujtuar origjinalitetin e situatës franceze, që Selia e Shenjtë dëshiron të respektojë. Jam i bindur, faktikisht, që Kombet nuk duhet të pranojnë kurrë që ta lënë të zhduket atë që përbën identitetin e tyre specifik. Në një familje, fakti që anëtarët e ndryshëm kanë të njëjtin baba e të njëjtën nënë nuk sjell që ata të jenë subjekte të padiferencuar mes tyre: janë në realitet persona me një individualitet të tyrin. E njëjta gjë ndodh me vendet, që duhet t’i mbajnë sytë hapur për të ruajtur dhe për të zhvilluar kulturën e tyre specifike, pa e lënë veten të thithen nga të tjerat ose shfaqet në një uniformë të fikur. “Kombi është, në fakt, për të rimarrë fjalët e Papa Gjon Palit II, bashkësia e madhe e njerëzve të bashkuar mes tyre nga lidhje të ndryshme, por mbi të gjitha pikërisht nga kultura. Kombi ekziston ‘nëpërmjet’ kulturës dhe ‘për’ kulturën, dhe ajo është për këtë arsye edukatorja e madhe e njerëzve sepse, në bashkësi, mund të jenë akoma më shumë” (Fjalim në UNESCO, 2 korrik 1980, nr. 14). Në këtë perspektivë, vënia në dukje e rrënjëve të krishtera të Francës do t’i lejojë çdo banori të këtij vendi të kuptojë më mirë se nga vjen dhe se ku po shkon ai. Si pasojë në kuadrin aktual institucional dhe në respektim të plotë të ligjeve në fuqi, na del si detyrë të gjejmë një rrugë të re për të interpretuar e për të jetuar në të përditshmen vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar identiteti i kombit. Presidenti juaj na ka kujtuar mundësinë. Supozimet socialo-politike të mosbesimit të vjetër ose madje edhe vetë armiqësitë zhduken pak nga pak. Kisha nuk kërkon për veten e vet vendin e shtetit. Ajo nuk do t’i zërë vendin. Është në fakt një shoqëri e bazuar në bindje, që ndihet e përgjegjshme për të tërën dhe nuk mund të kufizohet tek vetvetja. Ajo flet me lirshmëri dhe dialogon me po aq lirshmëri me dëshirën që të arrijë në ndërtimin e lirisë së përbashkët. Falë një bashkëpunimi të shëndoshë mes bashkësisë politike dhe Kishës, të realizuar në vetëdijen dhe respektimin e pavarësisë dhe të autonomisë së secilës në fushën e vet, i bën njeriut një shërbim që synon zhvillimin e tij të plotë personal e social. Pikë të shumta, rezultatet e të tjerëve që do t’i shtohen sipas nevojave, janë shqyrtuar e zgjidhur tashmë në gjirin e “instancën e dialogut në mes Kishës dhe Shtetit”. Në këtë bën pjesë natyrisht, në virtyt të misionit të saj e në emër të Selisë së Shenjtë, Nunci Apostolik, që është thirrur të ndjekë aktivisht jetën e Kishës dhe situatën e saj në shoqëri.

 

Siç e dini, Paraardhësit e mi, i Lumi Gjoni XXIII, Nunc në Paris, dhe Papa Pali VI kanë krijuar Sekretariate që janë kthyer, në vitin 1988, në Këshill Pontifikal për nxitjen e njësisë së të krishterëve dhe në Këshill Pontifikal për dialogun ndërfetar. Iu bashkuan shumë shpejt edhe Komisioni për marrëdhëniet fetare me Hebraizmin dhe Komisioni për marrëdhëniet fetare me Myslimanët. Këto struktura janë në njëfarë mënyre pranimi institucional dhe konciliar i nismave të panumërta dhe i realizimeve të mëparshme. Komisione dhe Këshille të ngjashme gjenden gjithashtu edhe në Konferencën tuaj Ipeshkvnore e në Dioqezat tuaja. Ekzistenca dhe funksionimi i tyre tregojnë vullnetin e Kishës për të shkuar përpara duke zhvilluar dialogun e dyanshëm. Asambleja e kaluar plenare e Koncilit Papnor për dialogun ndërfetar ka theksuar se dialogu autentik kërkon, si kushte themelore, një formim të mirë për ata që e nxisin dhe një shoshitje të ndriçuar për të avancuar pak nga pak në zbulimin e të vërtetës. Objektivi i dialogjeve ekumenike e ndërfetare, të ndryshëm natyrisht në natyrën e tyre dhe në qëllimet përkatëse, është kërkimi dhe thellimi i të vërtetës. Bëhet fjalë për një detyrë fisnike e të detyrueshme për çdo njeri besimtar, sepse vetë Krishti është e Vërteta. Ndërtimi i urave mes traditave të mëdha kishtare të krishtera dhe dialogu me tradita të tjera fetare kanë nevojë për një angazhim real për të njohje të ndërsjellë, sepse mosdija shkatërron më shumë, sesa ndërton. Nga ana tjetër, nuk është veçse e Vërteta që na lejon të jetojmë në mënyrë autentike urdhërimin e dyfishtë të dashurisë, që na ka lënë Shpëtimtari ynë. Sigurisht është e nevojshme që të ndjekim me kujdes nismat e ndryshme të ndërmarra e të shoshisim ato që favorizojnë njohjen dhe respektin e ndërsjellë, kështu si nxitja e dialogut dhe shmangia e atyre që të çojnë në rrugë qorre. Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton. Jam i bindur se na leverdis të fillojmë me dëgjimin, për të kaluar pastaj në diskutimin teologjik dhe duke mbërritur në fund në dëshminë e në shpalljen e vetë fesë (krh. Nota dottrinale su certi aspetti dell’evangelizzazione Nr. 12: 3 dhjetor 2007). Shpirti Shenjt ju dhaftë aftësinë shoshitëse që duhet të karakterizojë çdo Bari. Shën Pali na porosit: “Çdo gjë shqyrtojini me kujdes: mbani të mirën!” (1 Sel 5, 21). Shoqëria e globalizuar, shumë kulturore dhe shumë fetare në të cilën jetojmë, është një mundësi të cilën Zoti na e ofron për të shpallut të vërtetën dhe për të ushtruar dashurinë, me qëllim që të arrijmë çdo qenie njerëzore pa asnjë dallim, edhe përtej kufizimeve të Kishës së dukshme.

 

Në vitin që ka paraprirë zgjedhjen time në Selinë e Pjetrit, pata gëzimin të vij në vendin tuaj për të udhëhequr ceremonitë përkujtimore të gjashtëmbëdhjetëvjetorit të zbarkimit në Normandi. Rrallëherë si atëherë kam paralajmëruar lidhjen e bijve e bijave të Francës me tokën e paraardhësve të tyre. Franca kremtonte në atë kohë lirinë e saj të përkohshme, në përfundimin e një lufte të pamëshirshme që kishte shkaktuar viktima të panumërta. Tani, është mbi të gjitha për një liri të vërtetë shpirtërore që ne duhet të punojmë. Njeriu ka gjithmonë nevojë të lirohet nga frikat dhe nga mëkatet e tij. Njeriu pa pushim duhet të mësojë ose të ri-mësojë se Zoti nuk është armiku i tij, por krijuesi i tij i mbushur me mirësi. Njeriu ka nevojë të dijë se jeta e tij ka një kuptim dhe se ai është i pritur, në përfundim të qëndrimit të tij mbi tokë, të marrë pjesë pafundësisht në lavdinë e Krishtit në qiej. Misioni juaj është ta çoni këtë pjesë të popullit të Hyjit besuar përkujdesjeve tuaja që të njohin këtë qëllim të lavdishëm. Doni të mirëprisni këtu shprehjen e admirimit dhe të mirënjohjes sime për gjithçka për një gjë të tillë. Jini të sigurt për lutjen time të përditshme për secilin prej jush. Më besoni se nuk pushoj së kërkuari Hyjit tonë dhe Nënën e Tij që t’ju shoqërojë në rrugën tuaj.

 

Me gëzim e emocion ju besoj, të dashur vëllezër në Arqipeshkvi, Zojës sonë të Lurdit dhe Shenjtes Bernardetë. Fuqia e Hyjit është shfaqur gjithmonë në dobësi. Shpirti Shenjt gjithmonë e ka larë atë që ka qenë e ndyrë, ka ujitur atë që ishte e thatë, ka drejtuar atë që ishte e përkulur. Krishti Shpëtimtar, që ka dashur të na bëjë mjete të komunikimit të dashurisë së Tij për njerëzit, nuk do të rreshtë kurrë që t’ju rrisë në besim, në shpresë, në dashuri, për t’ju dhënë gëzimin që të çoni tek Ai një numër gjithnjë e më të madh burrash e grash të kohës sonë. Duke ju besuar juve forcës së Tij si Shëlbues, ju jap të gjithëve ju, nga thellësia e zemrës sime, një Bekim të përzemërt Apostolik.

 

  

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster