|
|
Fjalim i
Benediktit XVI në FAO
“Nuk
është e mundur të vazhdojmë që ta pranojmë luksin dhe shpërdorimin”
Papa Benedikti XVI duke vizituar, të hënë
më 16 nëntor 2009, selinë e FAO-s në Romë në rastin e hapjes së Takimit
Bitëror mbi sigurimin ushqimor (Romë, 16-18 nëntor 2009), bërë fjalimin
që vijon:
Zotëri President, Zonja dhe
Zotërinj!
1. E pranova me kënaqësi të
madhe ftesën e Zotëri Jacques Diouf, Drejtor i Përgjithshëm i FAO-s, për
të marrë fjalën në seksionin e hapjes së këtij Takimi të nivelit të
lartë Botëror mbi Sigurinë Ushqimore. E përshëndes përzemërsisht dhe e
falënderoj për fjalët e tij të sjellshme të mikpritjes. Përshëndes
Autoritetet e larta të pranishme dhe të gjithë pjesëmarrësit. Dëshiroj
të përsëris – në vazhdimësi me Paraardhësit e mi të nderuar Pali VI dhe
Gjon Pali II – vlerësimin për veprimin e FAO-s, të cilin Kisha Katolike
dhe Selia e Shenjtë e shikojnë me vëmendje e interes për shërbimin e
përditshëm të atyre që punojnë në të. Falë veprës suaj bujare, të
përmbledhur në moton Fiat Panis, zhvillimi i bujqësisë dhe siguria
ushqimore mbeten objektivat parësorë të veprimit politik ndërkombëtar.
Dhe jam i sigurtë se ky shpirt do t’i orientojë vendimet e këtij Takimi,
ashtu si edhe ato që do të merren me qëllimin e përbashkët për ta fituar
sa më shpejt luftën ndaj urisë dhe ndaj të kequshqyerit në botë.
2. Bashkësia ndërkombëtare në
këta vjet është duke përballuar një krizë të rëndë ekonomiko-financiare.
Statistikat dëshmojnë për një rritje dramatike të numrit të atyre që
vuajnë prej urisë dhe në këtë ndihmojnë ngritja e çmimeve të prodhimeve
ushqimore, pakësimi i mundësive ekonomike të popullsive më të varfëra,
mundësia e kufizuar për të përdorur tregun dhe ushqimet. E gjithë kjo
ndërsa përforcohet e dhëna se toka mund t’i ushqejë në mënyrë të
mjaftueshme të gjithë banorët e saj. Në të vërtetë, megjithëse në disa
rajone vazhdojnë nivelet e ulta të prodhimit bujqësor edhe për shkak të
ndryshimeve klimatike, globalisht ky prodhim është i mjaftueshëm për të
plotësuar si kërkesën aktuale, ashtu edhe atë të parashikueshme në të
ardhmen. Këto të dhëna tregojnë mungesën e një marrëdhënieje
shkak-pasojë mes rritjes së popullsisë dhe urisë, dhe kjo provohet edhe
më tej prej shkatërrimit të turpshëm të prodhimeve ushqimore në funksion
të fitimit ekonomik. Në Enciklikën Caritas in veritate kam vënë në dukje
se “uria nuk varet aq prej mangësisë materiale, por prej mangësisë së
burimeve shoqrore, më e rëndësishmja ndër të cilat ka natyrë
institucionale. Pra, mungon një sistem institucionesh ekonomike në
gjendje qoftë për të garantuar mundësinë e ushqimit dhe të ujit të
rregullt e të përshtatshme..., qoftë për të përballuar kërkesat e
lidhura me nevojat parësore dhe me emergjencat e krizave të vërteta
ushqimore...”. Dhe kam shtuar: “Problemi i pasigurisë ushqimore duhet
përballuar në një perspektivë afatgjatë, duke i shmangur shkaqet
strukturale që e shkaktojnë dhe duke nxitur zhvillimin bujqësor të
vendeve më të varfëra nëpërmjet investimeve në infrastruktura rurale, në
sisteme ujitjeje, në transporte, në organizime të tregjeve, në formim e
përhapje të teknikave bujqësore të përshtatshme, pra të afta t’i
përballojnë sa më mirë burimet njerëzore, natyrore e socio-ekonomike më
të mundshme në nivel lokal, në mënyrë që të garantojnë një ruajtje të
tyre edhe afatgjatë” (nr. 27). Në këtë kontekst, është e nevojshme t’u
kundërvihemi edhe përdorimit të disa formave të subvencionit që e
çrregullojnë rëndë sektorin bujqësor, vazhdimit të modeleve ushqimore të
orientuar vetëm nga konsumi dhe pa një perspektivë me rreze të gjerë, e
sidomos egoizmit, që i lejon spekullimit të hyjë madje edhe në tregjet e
drithrave, prandaj ushqimi konsiderohet njësoj me të gjitha mallrat e
tjera.
3. Dobësia e mekanizmave aktuale
të sigurisë ushqimore dhe nevoja e një rimendimi të tyre dëshmohen, në
një farë mënyre, prej vetë thirrjes së këtij Takimi. Në të vërtetë,
pavarësisht se vendet më të varfëra janë të integruar në ekonominë
botërore më gjerësisht se në të kaluarën, ecuria e tregjeve
ndërkombëtare i bën më të ndjeshëm dhe i detyron të përdorin ndihmën e
Institucioneve ndërqeveritare, që pa dyshim kryejnë një vepër të
çmueshme dhe të domosdoshme. Por, koncepti i bashkëveprimit duhet të
jetë koherent me parimin e subsidiaritetit: është e nevojshme të
përfshihen “bashkësitë lokale në zgjedhjet dhe në vendimet në lidhje me
përdorimin e tokës së punueshme” (ibid.), sepse zhvillimi njerëzor i
tërësishëm kërkon zgjedhje të përgjegjshme nga ana e të gjithëve dhe lyp
një qëndrim solidar që nuk e konsideron ndihmën apo emergjencën si diçka
në funksion të atyre që vënë në dispozicion burimet apo të grupeve
elitare të pranishme mes dobimarrësve. Përballë vendeve që shfaqin
nevojën e ndihmave të jashtme, Bashkësia ndërkombëtare ka nevojën të
marrë pjesë me mjetet e bashkëveprimit, duke u ndier e
bashkëpërgjegjëshme për zhvillimin e tyre, “nëpërmjet solidaritetit të
pranisë, të shoqërimit, të formimit dhe të respektit (ibid., 47)...
4. Në situatën e sotme ekziston
ende një nivel zhvillimi i pabarabartë mes Kombeve dhe në Kombet, që, në
shumë zona të planetit, përcakton kushte të përkohshmërisë, duke
theksuar kundërvënien mes varfërisë dhe pasurisë........
5. Megjithatë, edhe pse
solidariteti i animuar prej dashurisë e tejkalon drejtësinë, sepse të
duam do të thotë të dhurojmë, t’i japim tjetrit diçka prej vetes, ai nuk
ekziston kurrë pa drejtësinë, e cila na bën t’i japim tjetrit atë që
është “e tija” dhe që i përket për arsye të të qenit të tij dhe të të
vepruarit të tij. Në të vërtetë, nuk mund “t’i dhuroj” tjetrit diçka
prej “times”, pa i dhënë në rend të parë atë që i përket sipas
drejtësisë (krh. ibid., 6). Nëse synohet zhdukja e urisë, veprimi
ndërkombëtar është i thirrur jo vetëm të favorizojë rritjen ekonomike të
ekuilibruar e të mundshme dhe qëndrueshmërinë politike, por edhe të
kërkojë parametra të reja – patjetër etike dhe pastaj juridike e
ekonomike – që janë në gjendje ta frymëzojnë veprimtarinë e
bashkëveprimit për të ndërtuar një marrëdhënie të barabartë mes vendeve
që gjenden në një shkallë të ndryshme zhvillimi...
6. Zotëri President, Zonja dhe
Zotërinj, për të luftuar urinë duke nxitur një zhvillim njerëzor të
tërësishëm nevojitet edhe të kuptojmë nevojat e botës rurale, ashtu si
edhe të mos lejojmë që pakësimi tendencial i ndihmës së dhuruesve të
krijojë pasiguri në financimin e veprimtarive të bashkëveprimit: duhet
shmangur rreziku që bota rurale të konsiderohet, në mënyrë miope, si një
realitet dytësor. Në të njëjtën kohë, duhet favorizuar hyrja në tregun
ndërkombëtar e prodhimeve që vijnë prej zonave më të varfëra, sot shpesh
të ngujuar në hapësira të kufizuara. Për të arritur këta objektiva është
e nevojshme t’i shkëpusim rregullat e tregtisë ndërkombëtare prej
logjikës së përfitimit si qëllim në vetvete, duke i orientuar në dobi të
nismës ekonomike të vendeve më nevojtarë për zhvillim, që, duke pasur
hyrje më të mëdha, të mund të vazhdojnë drejt asaj vetëmjaftueshmërie që
është prelud i sigurisë ushqimore.
7. Pastaj nuk duhen harruar të
drejtat themelore të personin ndër të cilët dallohet e drejta për një
ushqim të mjaftueshëm, të shëndetshëm e ushqyes, si edhe për ujë; ato
kanë një rol të rëndësishëm për arritjen e të drejtave të tjera, duke
filluar nga ajo parësore, e drejta për jetë. Prandaj është e nevojshme
të piqet “një vetëdije solidare, që i konsideron ushqimin dhe ujin si të
drejta të gjithëmbarshme të të gjitha qenieve njerëzore, pa dallime dhe
diskriminime” (Caritas in veritate, 27). Ajo që me durim është
realizuar këto vite prej FAO-s, nëse nga njëra anë ka favorizuar
zgjerimin e atyre objektivave të kësaj të drejte në krahasim me
garancinë e vetme për të plotësuar nevojat parësore, nga ana tjetër ka
vënë në dukje nevojën për një planifikim të përshtatshëm.
8. Metodat e prodhimit ushqimor
kërkojnë po ashtu edhe një analizë të kujdesshme të marrëdhënies mes
zhvillimit dhe tutelimit mjedisor. Dëshira për të pasur e për të
përdorur në mënyrë të tepruar e të çrregullt burimet e planetit është
shkaku i parë i çdo degradimi të mjedisit. Tutelimi mjedisor pra
shtrohet si një sfidë aktuale për të garantuar një zhvillim harmonik, që
respekton planin e krijimit të Hyjit dhe prandaj është edhe në gjendje
që të ruajë planetin (krh. ibid., 48-51).
9. Është e rëndësishme të
kujtojmë – kam vënë në dukje gjithnjë në Enciklikën Caritas in
Veritate – se «degradimi i natyrës është... i lidhur ngushtë me
kulturën që modelon bashkëjetesën njerëzore: kur “ekologjia
njerëzore” respektohet brenda shoqërisë, edhe ekologjia mjedisore ka
dobi prej saj»...
10. Uria është shenja më mizore
dhe konkrete e varfërisë. Nuk mund të vazhdojmë ta pranojmë luksin dhe
shpërdorimin, kur drama e urisë merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Zotëri President, Zonja dhe Zotërinj, nga ana e Kishës katolike do të
ketë gjithmonë vëmendje ndaj përpjekjeve për ta mposhtur urinë; do të
ketë angazhim për të mbështetur, me fjalë e me vepra, veprimin solidar –
të programuar, të përgjegjshëm e të renduar – që të gjithë përbërësit e
Bashkësisë ndërkombëtare do të jenë të thirrur të ndërmarrin. Kisha nuk
pretendon të ndërhyjë në zgjedhjet politike; ajo, me respekt ndaj dijes
dhe ndaj rezultateve të shkencës, sikurse edhe ndaj zgjedhjeve të
përcaktuara prej arsyes kur janë me përgjegjësi të ndriçuara prej
vlerave vërtet njerëzore, bashkohet me përpjekjen për ta zhdukur
urinë...
(Nga ZENIT.0rg)
titujt kryesorë |
|