ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

PACEM IN TERRIS

 

LETRA ENCIKLIKE

E PAPA GJONIT XXIII

 

 

Mbi paqen mes të gjithë popujve

në të vërtetë, në drejtësi, në dashuri, në liri

 

 

Drejtuar Vëllezërve të nderuar Patriarkë, Primatë, Arqipeshkvij, Ipeshkvij dhe Ordinarë të tjerë që kanë paqe e bashkim me Selinë Apostolike, klerit dhe besimtarëve të të gjithë botës, si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë

 

 

Përktheu nga italishtja

 

ANGJELINA  GJEKA

 

Redaktorë

 

ATË  LELLO  LANZILLI SJ

MOTËR  LULË  MECAJ

 

 Faqosja dhe grafikat

 

LUIGJ MILA

 

© Copyright 2006

 

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE    

SHKODËR - PULT

 

Shtypur

SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”

Mars  2006

 

 

 

ARAQITJE

 

Lexues i dashur,

 

në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes të vitit 2003, Papa i ndjerë Gjon Pali II na kujtoi se në atë vit binte përvjetori i dyzetë i botimit të enciklikës “Pacem in terris” nga ana e Papës Gjoni XXIII. Duke u nxitur prej përmbajtjeve të thella dhe domethënëse të shprehura në këtë enciklikë, i ftoi të gjithë që të jenë ndërtues të një kulture të përnjëmendtë paqeje.

Me qëllim që ftesa e Gjon Palit II të na gjejë edhe ne si dëgjues të angazhuar, të cilët mbështeten në fjalët e qëndrueshme të “Pacem in terris”, Arqipeshkvia Shkodër  - Pult ka vendosur ta përkthejë këtë enciklikë, në kuadrin e “Konferencave mbi doktrinën shoqërore të Kishës katolike”, që tashmë mbahen prej disa vitesh në Dioqezë dhe në kuadrin e përkthimeve të enciklikave shoqërore, të filluara me “Rerum novarum”.

Të folurit për paqen është një temë gjithmonë aktuale. Duhet ta pranojmë se njerëzimi është në kërkim të një paqeje të qëndrueshme e të vazhdueshme, që mund të garantojë një ekzistencë të kthjellët për të gjithë dhe një bashkëjetesë harmonike mes kulturave dhe popujve të ndryshëm. Sa e madhe është edhe dëshira për paqe në ekzistencën tonë të përditshme, në familjet tona apo në shkollat ku studiojmë, në vendin e punës apo në jetën e qyteteve dhe fshatrave tona… “Pacem in terris” përfshihet në këtë dëshirë të thellë të njerëzimit, për të treguar rrugët që mund të na çojnë në një paqe të përnjëmendtë. Sidoqoftë, e bën këtë në një mënyrë krejtësisht të veçantë e të re, sigurisht për kohët në të cilat është botuar. Kjo risi, paraprirje e vërtetë e kohërave, bën që kjo enciklikë të mbetet thellësisht e vlefshme edhe sot. Ajo, në të vërtetë, nuk e kufizon argumentin e paqes vetëm në problemin e luftës. Madje, për luftë pothuajse nuk flitet në tekst, përveçse rrëshqitazi. “Pacem in terris” dëshiron të tërheqë vëmendjen e besimtarëve dhe të të gjithë njerëzve vullnetmirë mbi shkaqet e vërteta të mungesës së paqes. Këto shkaqe mund t’u japin zanafillë edhe konflikteve të armatosura. Por në vetvete përcaktojnë një bashkëjetesë jo paqësore. Për të gjetur një zgjidhje për problemet, duhet atëherë të shkojmë në themelet. Dhe themeli i paqes është rendi i dëshiruar prej Hyjit për njerëzimin. Më saktësisht, është vetë Hyji në plotësinë e jetës së Tij trinitare.

Enciklika vë në dukje qartë se paqja është e lidhur ngushtë me mënyrën e të jetuarit të marrëdhënieve njerëzore. Paqe nuk ka, sepse nuk ka marrëdhënie të drejta në katër nivele: mes njeriut dhe njeriut, mes njeriut dhe shtetit, mes shtetit dhe shtetit, mes shtetit dhe bashkësive të popujve. Me qëllim që këto marrëdhënie të mund t’i japin zanafillë një paqeje të përnjëmendtë, duhet që ato të ndërtohen duke u mbështetur në katër elemente, që janë përcaktuar si katër shtyllat e paqes: e vërteta, drejtësia, dashuria dhe liria.

Uroj që leximi dhe thellimi i Enciklikës “Pacem in terris” të na nxisë të gjithëve që ta dëshirojmë paqen prej thellësisë së zemrës dhe të angazhohemi ta jetojmë atë, duke filluar prej vendeve konkrete në të cilat jetojmë ekzistencën tonë të përditshme, në bashkësitë tona kishtare, në fshatra e në qytete. Gjithashtu, që të mund t’i zgjerojmë horizontet tona për t’i dhënë një ndihmesë gjithnjë e më të frytshme ndërtimit të një bote paqeje. Krishti, Princi i Paqes, shoqëroftë e mbështettë çdo veprim tonin, që të jetë i drejtuar nga pranimi i asaj paqeje që Ai dëshiron të na dhurojë dhe nga ndërtimi i saj.

 

Në Krishtin,

                                                                                 

 

Angelo Massafra

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

 

 

HYRJE

 

Rendi në gjithësi

 

1. Paqja në tokë, dëshirë e thellë e qenieve njerëzore të të gjitha kohëve, mund të vendoset dhe të përforcohet vetëm në respekt të plotë të rendit të vendosur prej Hyjit.

Përparimet e shkencave dhe shpikjet e teknikës vërtetojnë se si në qeniet dhe në forcat që përbëjnë gjithësinë, mbretëron një rend i mrekullueshëm; dhe vërtetojnë edhe madhështinë e njeriut, që e zbulon këtë rend dhe krijon mjetet e përshtatshme për t’i përvetësuar ato forca e për t’i kthyer në shërbimin e vet.

 

2. Por përparimet shkencore dhe shpikjet teknike shfaqin para së gjithash madhështinë e pafundme të Hyjit, i cili ka krijuar gjithësinë dhe njeriun. E ka krijuar gjithësinë, duke e mbushur atë me thesare dijeje dhe mirësie, siç brohorit Psalmisti: “O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!”. “Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe”2 dhe e ka krijuar njeriun të zgjuar e të lirë, në shëmbëlltyrë e përngjasim të vet 3 duke e bërë zotërues të gjithësisë: “… çka është atëherë njeriu që ta kujtosh… - brohorit Psalmisti - E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e shkëlqim, i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Gjithçka vure nën këmbët e tija”.4 

 

Rendi në qeniet njerëzore

 

3. Me rendin e mrekullueshëm të gjithësisë vazhdon të jetë në një kundërshtim të madh çrregullimi që mbretëron mes qenieve njerëzore dhe mes popujve; a thua se marrëdhëniet e tyre nuk mund të rregullohen ndryshe përveçse me anë të forcës.

Gjithashtu Krijuesi e ka gdhendur rendin edhe në qenien e njerëzve: rend të cilin ndërgjegjja e zbulon dhe urdhëron vendosmërisht për ta ndjekur: Ata “tregojnë se çka urdhëron Ligji është e shkruar në zemrat e tyre. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre”. Tek e fundit, si mund të jetë ndryshe? Çdo vepër e Hyjit është edhe një pasqyrim i dijes së tij të pafundme: pasqyrim aq më i ndritshëm sa më lart vepra të jetë në shkallën e përsosmërive.6

 

4. Një shmangie, në të cilën bihet shpesh, qëndron në faktin se mendohet se marrëdhëniet e bashkëjetesës mes qenieve njerëzore dhe bashkësive politike përkatëse mund të rregullohen me të njëjtat ligje që janë karakteristike të forcave dhe elementeve jo të arsyeshme që e përbëjnë gjithësinë; ndërsa ligjet me të cilat duhen rregulluar marrëdhëniet e lartpërmendura kanë natyrë të ndryshme, dhe duhen kërkuar aty ku Hyji i ka shkruar, domethënë në natyrën njerëzore.

Në të vërtetë, ato janë ligjet që tregojnë qartë se si njerëzit duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet e tyre të ndërsjella në bashkëjetesë; dhe se si duhen rregulluar marrëdhëniet mes shtetasve dhe autoriteteve publike brenda secilës bashkësi politike; ashtu si edhe marrëdhëniet mes vetë bashkësive politike; dhe ato mes individëve dhe bashkësive politike në njërën anë, dhe nga ana tjetër bashkësisë botërore, krijimi i së cilës sot kërkohet ngutshëm prej nevojave të së mirës së përbashkët të gjithmbarshme.

pjesa i

 

RENDI MES QENIEVE NJERËZORE

 

Çdo qenie njerëzore është person, subjekt të drejtash dhe detyrash

 

5. Në një bashkëjetesë të rregulluar e të frytshme duhet vënë si themel parimi se çdo qenie njerëzore është person, dmth. një natyrë e pajisur me inteligjencë e vullnet të lirë; pra është subjekt të drejtash dhe detyrash që burojnë drejtpërdrejt dhe njëkohësisht prej vetë natyrës së tij: të drejta e detyra që prandaj janë të gjithmbarshme, të pacenueshme, të patjetërsueshme.7

Pastaj, nëse e marrim parasysh dinjitetin e personit njerëzor në dritën e zbulimit hyjnor, atëherë ai do të shfaqet pakrahasueshmërisht më i madh, pasi njerëzit janë shpërblyer prej gjakut të Jezu Krishtit, dhe falë hirit janë bërë bijtë dhe miqtë e Hyjit dhe janë caktuar trashëgimtarë të lavdisë së amshuar.

 

A. TË DREJTAT

 

E drejta për ekzistencë dhe për një nivel të dinjitetshëm jetese

 

6. Çdo qenie njerëzore ka të drejtë për ekzistencën, për integritetin fizik, për mjetet e domosdoshme dhe të mjaftueshme për një nivel të dinjitetshëm jetese, sidomos për sa i përket të ushqyerit, të veshurit, banesës, pushimit, kurave mjekësore, shërbimeve shoqërore të nevojshme; prandaj ka të drejtë për siguri në rast sëmundjeje, invaliditeti, vejërie, pleqërie, papunësie, dhe në çdo rast tjetër humbjeje të mjeteve të jetesës prej rrethanave që nuk varen nga vullneti i tij.8

 

Të drejtat që u përkasin vlerave morale e kulturore

 

7. Çdo qenie njerëzore ka të drejtë për respektimin e personit të tij; për namin e mirë; për lirinë në kërkimin e së vërtetës, në shfaqjen e mendimit dhe në përhapjen e tij, në kultivimin e artit, brenda kufijve të lejuar prej rendit moral dhe prej të mirës së përbashkët; dhe ka të drejtë për objektivitet në informim.

Po ashtu prej natyrës njerëzore buron edhe e drejta për të marrë pjesë në të mirat e kulturës, prandaj edhe e drejta për një arsimim bazë dhe për një formim tekniko-profesional të përshtatshëm për shkallën e zhvillimit të bashkësisë politike së cilës personi i përket. Duhet të bëhen përpjekje që të plotësohet nevoja e ngjitjes në shkallët më të larta të arsimimit në bazë të meritës; kështu që qeniet njerëzore, në kufijtë e të mundshmes, në jetën shoqërore të mbulojnë vende dhe të marrin përgjegjësi që janë në përputhje me prirjet e tyre natyrore dhe me aftësitë e fituara të tyre.9

 

E drejta për të nderuar Hyjin sipas mësimit të ndërgjegjes së drejtë

 

8. Çdonjëri ka të drejtë ta nderojë Hyjin sipas mësimit të ndërgjegjes së drejtë; dhe prandaj edhe të drejtën për kultin e Hyjit, privat e publik. Në të vërtetë, ashtu siç pohon qartë Latanci: “Jemi krijuar me qëllimin që t’i japim Hyjit Krijues nderimin e duhur, të njohim dhe ta ndjekim vetëm atë. Kjo është lidhja e devocionit që na bashkon e na lidh me të, dhe prej së cilës buron vetë emri i fesë”*).10 Dhe paraardhësi ynë i paharrueshëm Leoni XIII shprehet kështu: “Kjo liri e vërtetë dhe e denjë për bijtë e Hyjit, që e mban lart dinjitetin e njeriut, është më e fortë se çfarëdo dhunimi e sharjeje, dhe Kisha e kërkoi dhe e pati përzemër gjithmonë. Këtë liri e kërkuan me qëndrueshmëri të guximshme apostujt, e miratuan me shkrime apologjistët, e shuguruan një numër i madh martirësh me gjakun e tyre”.11

 

E drejta për liri në zgjedhjen e gjendjes personale

 

9. Qeniet njerëzore kanë të drejtën për zgjedhjen e gjendjes së tyre; dhe prandaj, edhe të drejtën për të krijuar familje, në barazi të drejtash e detyrash mes burrit e gruas; si dhe të drejtën për të ndjekur thirrjen në meshtari apo në jetë rregulltare.12

Familja, e bazuar në martesën e lidhur lirisht, e vetme dhe e pazgjidhshme, është dhe duhet të konsiderohet si bërthama natyrore dhe thelbësore e shoqërisë. Ndaj saj duhet të drejtohen përkujdesjet me natyrë ekonomike, shoqërore, kulturore e morale që e përforcojnë qëndrueshmërinë e saj dhe e lehtësojnë përmbushjen e misionit të saj.

Prindërit zotërojnë një të drejtë parësie në mbajtjen e fëmijëve dhe në edukimin e tyre.13

 

Të drejta në lidhje me botën ekonomike

 

10. Qenieve njerëzore u përket e drejta e nismës së lirë në fushën ekonomike dhe e drejta për punë.14

Me këto të drejta ka lidhje të pandarë e drejta për kushte pune që nuk e dëmtojnë shëndetin fizik dhe moralin shoqëror, dhe nuk e pengojnë zhvillimin e tërësishëm të qenieve njerëzore në formim; dhe, për sa u përket grave, e drejta për kushte pune që pajtohen me nevojat e tyre dhe me detyrat e tyre si bashkëshorte e nëna.15

Prej dinjitetit të personit buron edhe e drejta për të zhvilluar veprimtaritë ekonomike me qëndrim përgjegjësie.16 Veç kësaj në mënyrë të veçantë duhet të vihet në dukje e drejta për një pagesë të punës, të përcaktuar sipas kritereve të drejtësisë, pra të mjaftueshme, në përpjesëtimet që i përgjigjen pasurisë së disponuar, për t’i lejuar punëtorit dhe familjes së tij një nivel jetese në përputhje me dinjitetin njerëzor. Në lidhje me këtë, paraardhësi ynë Piu XII shprehej kështu: “Detyrës personale të punës së imponuar prej natyrës i përgjigjet dhe  e realizon atë e drejta natyrore e secilit person për ta bërë punën e vet mjet për t’u kujdesur për jetën e vet dhe të bijve: kaq lart është e vendosur për ruajtjen e njeriut perandoria e natyrës”.17 Prej natyrës së njeriut buron edhe e drejta për pronë private mbi të mirat edhe prodhuese: “e drejtë që përbën një mjet të përshtatshëm për afirmimin e personit njerëzor dhe për ushtrimin e përgjegjësisë në të gjitha fushat, një element qëndrueshmërie dhe kthjelltësie për jetën familjare dhe zhvillimi paqësor e të rregullt në bashkëjetesë.18

Është e dobishme të kujtojmë se me të drejtën për pronë private është i lidhur një funksion shoqëror.19

 

E drejta për mbledhje dhe asociacionizëm

 

11. Prej socialitetit karakteristik të qenieve njerëzore buron e drejta për mbledhje e asociacionizëm; ashtu si edhe e drejta për t’u dhënë shoqatave strukturën që mendohet se është e përshtatshme për të arritur objektivat e tyre; dhe e drejta për të lëvizur brenda tyre me nismën personale dhe sipas përgjegjësisë personale për arritjen e objektivave të lartpërmendura.20

Në enciklikën Mater et magistra me të drejtë thuhet se krijimi i një game të pasur shoqatash apo trupash të ndërmjetëm për arritjen e objektivave që qeniet njerëzore nuk mund t’i arrijnë frytshëm përveçse duke u bashkuar në shoqatë, zbulohet si një element i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm që personit njerëzor t’i sigurohet një sferë e mjaftueshme lirie dhe përgjegjësie.21

 

E drejta për emigrim dhe imigrim

 

12. Çdo qenie njerëzore ka të drejtën për liri lëvizjeje dhe banimi brenda bashkësisë politike, shtetas i të cilës është; ka edhe të drejtën, kur interesat e ligjshme e këshillojnë, të imigrojë në bashkësi të tjera politike dhe të vendoset në to.22 Për faktin se një person është shtetas i një bashkësie të caktuar politike, nuk humb asgjë nga përmbajtja përkatësia e tij, në cilësi anëtari, në vetë familjen njerëzore; pra përkatësia, në cilësi shtetasi, në bashkësinë botërore.

 

Të drejta me përmbajtje politike

 

13. Prej dinjitetit të personit buron e drejta për të marrë pjesë aktive në jetën publike dhe për të dhënë një ndihmesë personale në zbatimin e të mirës së përbashkët. “Njeriu, si i tillë, larg të qenit objekt dhe element pasiv në jetën shoqërore, është dhe duhet të jetë e të mbetet subjekti, themeli dhe qëllimi i saj”.23

E drejtë themelore e personit është edhe tutelimi juridik i të drejtave të tij: tutelim i frytshëm, i paanshëm, i modeluar sipas kritereve objektive të drejtësisë.

“Prej rendit juridik, të dashur prej Hyjit, buron e drejta e patjetërsueshme e njeriut për siguri juridike, dhe prandaj edhe për një sferë konkrete të drejtash, të mbrojtur kundër çdo sulmi arbitrar”.24

 

 

 

B. DETYRAT

 

Marrëdhënia e pazgjidhshme mes të drejtave dhe detyrave në të njëjtin person

 

14. Të drejtat natyrore të sapopërmendura janë të bashkuara në mënyrë të pazgjidhshme, në vetë personin që është subjekt i tyre, me po aq detyra përkatëse; dhe në ligjin natyror, që i jep apo i imponon, të dyja palët kanë rrënjën e tyre, ushqimin e tyre, forcën e tyre të pashkatërrueshme.

Për shembull, e drejta e çdo qenieje njerëzore për ekzistencë është e lidhur me detyrën e saj që ta ruajë veten në jetë; e drejta për një nivel të dinjitetshëm jetese me detyrën për të jetuar në mënyrë të dinjitetshme; dhe e drejta për liri në kërkimin e së vërtetës është e lidhur me detyrën për ta kërkuar të vërtetën, drejt një njohjeje të saj gjithnjë e më të gjerë dhe më të thellë.

 

Ndërsjellshmëria e të drejtave dhe detyrave mes personave të ndryshëm

 

15. Në bashkëjetesën njerëzore çdo e drejtë natyrore në një person sjell me vete një detyrë përkatëse në të gjithë personat e tjerë: detyrën për ta njohur e për ta respektuar atë të drejtë. Në të vërtetë, çdo e drejtë themelore e personit e merr forcën e vet morale të pashtypshme prej ligjit natyror që e jep, dhe imponon një detyrë përkatëse. Prandaj, ata që, ndërsa kërkojnë të drejtat e tyre, harrojnë apo nuk vënë në dukje siç duhet detyrat përkatëse, rrezikojnë të ndërtojnë me njërën dorë dhe të shkatërrojnë me tjetrën.

 

Në bashkëpunimin e ndërsjellë

 

16. Qeniet njerëzore, duke qenë persona, janë shoqërore për natyrë. Pra, kanë lindur për të bashkëjetuar dhe vepruar për të mirën e njëri-tjetrit. Kjo kërkon që bashkëjetesa njerëzore të jetë e renditur, pra që të drejtat e detyrat e ndërsjella të njihen e të vihen në jetë; por kërkon edhe që çdonjëri të japë bujarisht ndihmesën e vet në krijimin e mjediseve njerëzore, në të cilat të drejtat dhe detyrat të kenë përmbajtje gjithnjë e më të pasura.

Për shembull, nuk mjafton të njohim e të respektojmë në çdo qenie njerëzore të drejtën për mjetet e jetesës: duhet edhe që të orvatemi, sipas forcave tona, që çdo qenie njerëzore të ketë mjetet e jetesës në masë të mjaftueshme.

Nevojitet edhe që bashkëjetesa mes qenieve njerëzore, përveçse e rregulluar, të jetë për ta e begatshme me të mirë. Kjo kërkon që ata t’i njohin e t’i respektojnë të drejtat e tyre të ndërsjella dhe të përmbushin detyrat e tyre përkatëse, por kërkon edhe që të bashkëpunojnë mes tyre në një mijë forma e shkallë që qytetërimi lejon, sugjeron, kërkon.

 

Në qëndrim përgjegjësie

 

17.  Dinjiteti si person, që i përket çdo qenieje njerëzore, kërkon që ajo të veprojë në mënyrë të vetëdijshme dhe lirisht. Prandaj në marrëdhëniet e bashkëjetesës, të drejtat duhen ushtruar, detyrat duhen përmbushur, një mijë format e bashkëpunimit duhen vënë në jetë sidomos me anë të vendimeve personale; pra, duhen marrë për bindje, me nismën personale, në qëndrim përgjegjësie, dhe jo për shkak të detyrimeve apo presioneve që vijnë sidomos nga jashtë.

Një bashkëjetesë e bazuar vetëm në marrëdhënie force nuk është njerëzore. Në të vërtetë, është e pashmangshme që në një rast të tillë personat të jenë të detyruar apo të shtypur, në vend që t’u lehtësohet dhe të nxiten që të zhvillojnë e të përsosin vetveten.

 

Bashkëjetesë në të vërtetën, në drejtësinë, në dashurinë, në lirinë

 

18. Bashkëjetesa mes qenieve njerëzore pra është e renditur, e begatshme dhe i përgjigjet dinjitetit të tyre si persona, kur themelohet në të vërtetën, në përputhje me thirrjen e Palit apostull: “Prandaj flakni rrenën dhe secili le t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrët e njëri-tjetrit”.25 Kjo kërkon që të njihen e të respektohen sinqerisht të drejtat dhe detyrat e ndërsjella. Veç kësaj, është edhe një bashkëjetesë që zbatohet sipas drejtësisë apo në respektin efektiv të atyre të drejtave dhe në përmbushjen e çiltër të detyrave përkatëse; që gjallërohet dhe integrohet prej dashurisë, qëndrim i shpirtit që bën t’i ndiejmë si tonat nevojat dhe kërkesat e të tjerëve, i bën të tjerët pjesëmarrës të të mirave tona dhe e bën gjithnjë e më të shkëlqyer bashkësinë (e njerëzve) në botën e vlerave shpirtërore; dhe aktualizohet në liri, pra, në mënyrën që i përshtatet dinjitetit të qenieve të nxitura prej vetë natyrës së tyre racionale për të marrë përsipër përgjegjësinë e të vepruarit të vet.

 

19. Bashkëjetesa njerëzore, të nderuar vëllezër dhe bij të dashur, duhet të konsiderohet para së gjithash si një fakt shpirtëror: si komunikim i njohjeve në dritën e së vërtetës; ushtrim i të drejtave dhe përmbushje e detyrave; nxitje dhe thirrje për të mirën morale; dhe si gëzim fisnik i përbashkët i të bukurës në të gjitha shprehjet e saj të ligjshme; gatishmëri e përhershme për të derdhur mbi të tjerët më të mirën e vetes sonë; dëshirë për një përvetësim të ndërsjellë e gjithnjë më të pasur të vlerave shpirtërore: vlera në të cilat gjejnë gjallërimin e tyre të përhershëm dhe orientimin e tyre bazë shprehjet kulturore, bota ekonomike, institucionet shoqërore, lëvizjet dhe regjimet politike, sistemet juridike dhe të gjitha elementet e tjera të jashtme, në të cilat ndahet dhe shprehet bashkëjetesa në zhvillimin e saj të pareshtur.

 

Rendi moral që ka si themel objektiv Hyjin e vërtetë

 

20. Rendi mes qenieve njerëzore në bashkëjetesë ka natyrë morale. Faktikisht, është një rend që themelohet në të vërtetën; që duhet vënë në jetë sipas drejtësisë; kërkon të gjallërohet e të integrohet prej dashurisë; ka nevojë të rivendoset në liri me ekuilibre gjithnjë të reja e më njerëzore.

Gjithashtu, rendi moral – i gjithmbarshëm, absolut dhe i pandryshueshëm në parimet e tij – e gjen themelin e vet objektiv në Hyjin e vërtetë, transhendent e personal. Ai është e Vërteta e parë dhe e Mira më e madhe; pra, burimi më i thellë, vetëm prej të cilit mund ta nxjerrë gjallërinë e natyrshme një bashkëjetesë mes qenieve njerëzore, e rregulluar, pjellore, që i përgjigjet dinjitetit të tyre si persona.26  Në lidhje me këtë, me qartësi shprehet shën Toma: “Arsyeja njerëzore është norma e vullnetit, të cilit ia mat edhe shkallën e mirësisë, për faktin se rrjedh prej ligjit të amshuar, që identifikohet me vetë arsyen hyjnore… Pra, është e qartë se mirësia e vullnetit njerëzor varet shumë më tepër nga ligji i amshuar se sa nga arsyeja njerëzore”.27

 

Shenjat e kohëve

 

21. Tri dukuri e karakterizojnë epokën moderne.

Para së gjithash ngjitja ekonomiko-shoqërore e klasave punëtore. Në fazat e para të lëvizjes së tyre të ngjitjes, punëtorët e përqendronin veprimin e tyre në kërkimin e të drejtave me përmbajtje sidomos ekonomiko-shoqërore; pastaj e shtrinin deri në të drejtat me natyrë politike; dhe së fundi në të drejtën për të marrë pjesë me forma dhe shkallë të përshtatshme në të mirat e kulturës. Dhe sot, në të gjitha bashkësitë kombëtare, te punëtorët vepron qartë kërkesa për t’u konsideruar e për t’u trajtuar jo si qenie pa inteligjencë e liri, në dorën e vullnetit të të tjerëve, por gjithmonë si subjekte apo persona në të gjithë sektorët e bashkëjetesës, pra në sektorët ekonomiko-shoqërorë, në ata të kulturës dhe në ata të jetës publike.

 

22. Në radhë të dytë vjen një fakt të cilin e njohin të gjithë, domethënë hyrja e gruas në jetën publike; në mënyrë më të theksuar, ndoshta, në popujt me qytetërim të krishterë; më ngadalë, por gjithmonë në një shkallë të gjerë, mes popujve të traditave apo qytetërimeve të tjera. Në të vërtetë, në gruan bëhet gjithnjë e më e qartë dhe vepruese vetëdija për dinjitetin e vet. E di që nuk mund të lejojë të konsiderohet e të trajtohet si vegël; kërkon të konsiderohet si person, si në rrethin e jetës shtëpiake ashtu edhe në atë të jetës publike.

 

23. Së fundi, familja njerëzore, në krahasim me një të kaluar të afërt, ka një paraqitje shoqëroro-politike thellësisht të shndërruar. Jo më popuj sundues dhe popuj të sunduar: të gjithë popujt janë organizuar apo janë duke u organizuar në bashkësi politike të pavarura.

 

24. Qeniet njerëzore, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kontinentet, ose janë shtetas të një shteti autonom e të pavarur, ose janë gati duke u bërë të tillë; askujt nuk i pëlqen të ndihet i nënshtruar pushteteve politike që vijnë nga jashtë bashkësisë së tij njerëzore apo grupit etnik. Në shumë qenie njerëzore është duke u shpërbërë kompleksi i inferioritetit i zgjatur në shekuj e mijëvjeçarë; ndërsa në të tjerët po zbutet dhe priret të zhduket kompleksi përkatës i epërsisë, që rrjedh prej privilegjit ekonomiko-shoqëror apo prej gjinisë apo prej pozitës politike.

Përkundrazi, është gjerësisht e përhapur bindja se të gjithë njerëzit janë të barabartë për nga dinjiteti natyror. Prandaj diskriminimet racore nuk gjejnë më asnjë përligjje, të paktën në planin e arsyes dhe të doktrinës; kjo përbën një etapë historike në rrugën që çon në vendosjen e një bashkëjetese njerëzore të modeluar prej parimeve të paraqitura më lart. Në të vërtetë, kur në qeniet njerëzore del në dritë vetëdija për të drejtat e tyre, në atë ndërgjegje nuk mund të mos lindë të vënit re i detyrave përkatëse: në subjektet që janë titullarë të tyre, i detyrës për t’i bërë të vlejnë të drejtat si kërkesë dhe shprehje e dinjitetit të tyre; dhe në të gjitha qeniet e tjera njerëzore, i detyrës për t’i njohur po ato të drejta e për t’i respektuar ato.

 

25. Dhe kur marrëdhëniet e bashkëjetesës vendosen në termat e të drejtave dhe të detyrave, qeniet njerëzore i hapen botës së vlerave shpirtërore, dhe kuptojnë se çfarë është e vërteta, drejtësia, dashuria, liria; dhe bëhen të vetëdijshëm se i përkasin asaj bote. Por janë edhe në rrugën që i bën ta njohin më mirë Hyjin e vërtetë, transhendent e personal; si dhe të marrin përsipër marrëdhënien mes vetes dhe Hyjit si themel të fortë dhe si kriter më të lartë të jetës së tyre: të asaj që jetojnë në brendësinë e vetvetes dhe të asaj që jetojnë në marrëdhënie me të tjerët.

 

 

pjesa ii

 

MARRËDHËNIET MES QENIEVE NJERËZORE DHE PUSHTETEVE PUBLIKE BRENDA SECILËS

BASHKËSI POLITIKE

 

Nevoja e autoritetit dhe zanafilla e tij hyjnore

 

26. Bashkëjetesa mes qenieve njerëzore nuk mund të jetë e renditur dhe e begatshme nëse në të nuk është i pranishëm një autoritet që siguron rendin dhe ndihmon në zbatimin e të mirës së përbashkët në një shkallë të mjaftueshme.

Ky autoritet, siç mëson shën Pali, rrjedh prej Hyjit: “nuk ka pushtet që nuk vjen prej Hyjit”.28  Ky tekst i Apostullit komentohet në termat që vijojnë prej shën Gjon Gojartit: “Çfarë thua? Mos ndoshta çdo drejtues është caktuar prej Hyjit? Jo, nuk po them këtë: në të vërtetë, këtu nuk bëhet fjalë për secilin drejtues, por për të drejtuarit në vetvete. Tani, fakti se ekziston autoriteti dhe se dikush urdhëron e dikush bindet, nuk vjen prej rastit, por prej një dispozite të Provanisë hyjnore”.29 Në të vërtetë, Hyji i ka krijuar qeniet njerëzore shoqërore për natyrë; dhe pasi nuk mund të ketë “shoqëri që mbahet, nëse nuk është dikush që kryeson të tjerët, duke lëvizur secili me frytshmëri dhe njësi mjetesh drejt një qëllimi të përbashkët, rrjedh se për bashkëjetesën civile është i domosdoshëm autoriteti në mënyrë që ajo të mbahet; pushtet i cili, si edhe vetë shoqëria, është prej natyrës, dhe prandaj vjen prej Hyjit”.30

 

27. Autoriteti nuk është një forcë e pakontrolluar; madje është mundësia për të komanduar sipas arsyes. Pra, e merr forcën për të detyruar, prej rendit moral: i cili themelohet në Hyjin, që është parimi i parë dhe qëllimi i fundit i tij. “Vetë rendi absolut i qenieve dhe i qëllimeve që e tregon njeriun si person autonom, domethënë subjekt të detyrave dhe të të drejtave të padhunueshme, rrënjë dhe kufi të jetës së vet shoqërore, përqafon edhe Shtetin si shoqëri të nevojshme, të mbajtur prej autoritetit, pa të cilin nuk do të mund as të ekzistonte, as të jetonte… Dhe meqenëse ai rend absolut, në dritën e arsyes së drejtë, dhe veçanërisht të fesë së krishterë, nuk mund të ketë zanafillë tjetër veçse në një Hyj personal, Krijuesin tonë, rrjedh se dinjiteti i autoritetit politik është dinjiteti i pjesëmarrjes së tij në autoritetin e Hyjit”.31

 

28. Autoriteti që bazohet vetëm ose kryesisht në kërcënimin apo në frikën e ndëshkimeve apo në premtimin dhe tërheqjen e përfitimeve, nuk i nxit frytshëm qeniet njerëzore për zbatimin e të mirës së përbashkët; dhe, nëse, për hipotezë, do t’i nxiste, kjo nuk do të ishte në përputhje me dinjitetin e tyre si persona, pra si qenie të arsyeshme e të lira. Autoriteti është, para së gjithash, një forcë morale; prandaj, në radhë të parë, duhet t’i bëjë thirrje ndërgjegjes, pra detyrës që çdonjëri ka për të dhënë me zell ndihmesën e vet në të mirën e të gjithëve. Gjithashtu qeniet njerëzore janë të gjitha të barabarta për nga dinjiteti natyror: askush prej tyre nuk mund t’i detyrojë të tjerët në brendësi. Vetëm Hyji mund ta bëjë këtë, sepse vetëm ai sheh e gjykon qëndrimet që mbahen në fshehtësinë e shpirtit të njeriut.

 

29. Prandaj autoriteti njerëzor mund të detyrojë moralisht vetëm nëse është në marrëdhënie të ngushtë me autoritetin e Hyjit, dhe është një pjesëmarrje në të.32

Në këtë mënyrë mbrohet edhe dinjiteti personal i shtetasve, meqë dëgjesa e tyre ndaj pushteteve publike nuk është nënshtrim i njeriut ndaj njeriut, por në domethënien e vet të vërtetë është një akt nderimi drejtuar Hyjit Krijues e parashikues, i cili ka caktuar që marrëdhëniet e bashkëjetesës të jenë të rregulluara sipas një rendi të vendosur prej tij; dhe duke i dhënë nderimin Hyjit, nuk përulemi, por lartësohemi e fisnikërohemi, meqë servire Deo regnare est – t’i shërbesh Hyjit do të thotë të mbretërosh.33

 

30. Autoriteti, siç u tha, kërkohet prej rendit moral dhe rrjedh prej Hyjit. Prandaj, nëse ligjet apo autorizimet e saj janë në kundërshtim me atë rend, duke qenë kështu edhe në kundërshtim me vullnesën e Hyjit, ato nuk kanë forcë për ta detyruar ndërgjegjen, pasi “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit”;34 madje, në këtë rast, autoriteti resht së qeni i tillë dhe degjeneron në mujshi. “Ligji njerëzor është i tillë për sa të jetë në përputhje me arsyen e drejtë dhe pra rrjedh prej ligjit të amshuar. Ndërsa kur një ligj është në kundërshtim me arsyen, ai emërtohet ligj i padrejtë; por në këtë rast resht së qeni ligj dhe bëhet një akt dhune”.35

 

31. Megjithatë, për faktin se autoriteti rrjedh prej Hyjit, kjo nuk do të thotë se qeniet njerëzore nuk kanë lirinë të zgjedhin personat e ngarkuar me detyrën për ta ushtruar atë; ashtu si edhe të përcaktojnë strukturat e pushteteve publike, fushat brenda të cilave dhe metodat sipas të cilave autoriteti duhet ushtruar. Prandaj doktrina e paraqitur më lart është plotësisht në pajtim me çdo lloj regjimi vërtet demokratik.36

 

Zbatimi i të mirës së përbashkët: arsyeja e të qenit të pushteteve publike

 

32. Të gjitha qeniet njerëzore dhe të gjithë trupat e ndërmjetëm e kanë për detyrë të japin ndihmën e tyre specifike në zbatimin e të mirës së përbashkët. Kjo bën që t’i ndjekin interesat e veta në harmoni me kërkesat e saj; dhe, me të njëjtin qëllim, të sjellin ndihmesën – në të mira e shërbime – që autoritetet e ligjshme vendosin, sipas kritereve të drejtësisë, në formën e duhur dhe në fushën e kompetencës së tyre; dhe pra me akte formalisht të përsosura dhe përmbajtjet e të cilëve janë moralisht të mira apo, të paktën, të renditshme ndaj së mirës.

Por zbatimi i të mirës së përbashkët përbën vetë arsyen e të qenit të pushteteve publike; të cilat e kanë për detyrë ta zbatojnë atë në njohjen dhe në respektimin e elementeve thelbësore të saj dhe sipas përmbajtjeve të kërkuara prej situatave historike.37

 

Aspektet themelore të të mirës së përbashkët

 

33. Me siguri duhen konsideruar si elemente të të mirës së përbashkët karakteristikat etnike që dallojnë grupet e ndryshme njerëzore.38  Por ato vlera dhe ato karakteristika nuk e sosin tërë përmbajtjen e të mirës së përbashkët. Kjo e fundit në aspektet e veta thelbësore e më të thella nuk mund të konceptohet në terma doktrinore dhe aq më pak të përcaktohet në përmbajtjet historike të saj përveçse duke pasur kujdes për njeriun, meqenëse ajo është një objekt thelbësisht i ndërlidhur me natyrën njerëzore.39

 

34. Në radhë të dytë e mira e përbashkët është një e mirë në të cilën kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë anëtarët e një bashkësie politike, edhe pse në shkallë të ndryshme sipas detyrave, meritave dhe kushteve të tyre. Pra, pushtetet publike e kanë për detyrë ta nxisin në dobi të të gjithëve pa anshmëri për disa shtetas apo për disa grupe të tyre, siç mëson paraardhësi ynë Leoni XIII. “Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që autoriteti civil t’i shërbejë interesit të njërit apo të pak njerëzve, meqenëse ai është caktuar në dobi të të gjithëve”.40 Por arsyet e drejtësisë dhe të paanshmërisë nganjëherë mund të kërkojnë që pushtetet publike të kenë kujdes të veçantë për anëtarët më të dobët të trupit shoqëror, pasi ata gjenden në kushte inferioriteti për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të realizuar interesat e tyre të ligjshme.41

 

35. Por këtu duhet të thërrasim vëmendjen mbi faktin se e mira e përbashkët ka të bëjë me krejt njeriun: si me nevojat e trupit të tij ashtu edhe me kërkesat e shpirtit të tij. Prandaj pushtetet publike duhet të punojnë për ta zbatuar në mënyrat dhe në shkallët që u përkasin trupit dhe shpirtit; por në mënyrë të tillë që të nxisë njëkohësisht, në njohjen dhe në respektimin e hierarkisë së vlerave, si begatinë materiale ashtu edhe të mirat shpirtërore.42

Parimet tregohen në harmoni të përsosur me atë që kemi parashtruar në Mater et magistra: “E mira e përbashkët qëndron në tërësinë e atyre kushteve shoqërore që lejojnë dhe ndihmojnë në qeniet njerëzore zhvillimin e tërësishëm të personit të tyre.43

Por qeniet njerëzore, të përbëra prej trupit e prej shpirtit të pavdekshëm, nuk e sosin gjithë ekzistencën e tyre as nuk e arrijnë lumturinë e tyre të përsosur në hapësirën e kohës. Prandaj e mira e përbashkët duhet zbatuar në mënyrë të tillë që jo vetëm të mos vihen pengesa, por edhe të shërbejë gjithashtu në arritjen e qëllimit të tyre përtejtokësor dhe të amshuar.44

 

 

 

Detyrat e pushteteve publike dhe të drejtat e detyrat e personit

 

36. Në epokën moderne zbatimi i të mirës së përbashkët e gjen udhëzimin e vet bazë në të drejtat dhe detyrat e personit. Prandaj detyrat kryesore të pushteteve publike qëndrojnë, mbi të gjitha, në njohjen, respektimin, hartimin, mbrojtjen dhe nxitjen e atyre të drejtave; dhe, si rrjedhojë, në ndihmesën për ta bërë më të lehtë përmbushjen e detyrave përkatëse. “Mbrojtja e fushës së pacenueshme të të drejtave të personit njerëzor dhe lehtësimi i tij në zbatimin e detyrave, duhet të jetë detyra thelbësore e çdo pushteti publik”.45

Prandaj çdo akt i pushteteve publike, që është apo nënkupton një mohim apo një shkelje të atyre të drejtave, është një akt në kundërshtim me vetë arsyen e tyre të të qenit dhe për këtë arsye mbetet pa asnjë vlerë juridike.46 

 

 

 

Përbërja harmonike dhe mbrojtja e frytshme e të drejtave dhe e detyrave të personit

 

37. Pra është detyrë themelore e pushteteve publike t’i disiplinojnë dhe t’i përbëjnë në mënyrë harmonike marrëdhëniet mes qenieve njerëzore në mënyrë që ushtrimi i të drejtave te disa, të mos përbëjë një pengesë apo një kërcënim për ushtrimin e të njëjtave të drejta te të tjerët, dhe t’i shoqërohet përmbushjes së detyrave përkatëse; dhe është gjithashtu detyrë e tyre të mbrojnë në mënyrë të frytshme apo të rivendosin ushtrimin e këtyre të drejtave.47

 

Detyra për të nxitur të drejtat e personit

 

38. Veç të tjerash, është një kërkesë e të mirës së përbashkët që pushtetet publike të ndihmojnë pozitivisht në krijimin e një mjedisi njerëzor në të cilin të gjithë anëtarëve të trupit shoqëror t’u bëhet i mundur dhe t’u lehtësohet ushtrimi efektiv i të drejtave të përmendura më lart, si dhe përmbushja e detyrave përkatëse. Në të vërtetë, përvoja vërteton se nëse mungon një veprim i përshtatshëm i pushteteve publike, çekuilibret ekonomike, shoqërore dhe kulturore mes qenieve njerëzore, sidomos në epokën tonë, priren të rriten; si rrjedhojë, të drejtat themelore të personit rrezikojnë të mbeten pa përmbajtje; dhe vihet në rrezik përmbushja e detyrave përkatëse.

 

39. Prandaj është e domosdoshme që pushtetet publike të punojnë që zhvillimit ekonomik t’i përshtatet përparimi shoqëror; dhe pra që, në përpjesëtim me frytshmërinë e sistemeve prodhuese, të zhvillohen shërbimet thelbësore, siç janë: sistemi rrugor, transportet, komunikimet, uji i pijshëm, vendbanimi, asistenca shëndetësore, arsimi, kushtet e përshtatshme për jetën fetare, mjetet zbavitëse. Dhe duhet edhe të kenë kujdes që t’u jepet jetë sistemeve siguruese në mënyrë që, me t’u verifikuar ngjarje negative apo ngjarje që sjellin me vete përgjegjësi më të mëdha familjare, asnjë qenieje njerëzore të mos i mungojnë mjetet e nevojshme për një nivel jetese të dinjitetshme; si dhe atyre që janë në gjendje të punojnë t’u jepet një punësim që u përgjigjet aftësive të tyre; pagesa e punës të përcaktohet sipas kritereve të drejtësisë dhe të paanshmërisë; punëtorëve, në komplekset prodhuese, t’u lejohet që t’i zhvillojnë veprimtaritë e veta në qëndrim përgjegjësie; të lehtësohet themelimi i trupave të ndërmjetëm që e bëjnë më të nyjëzuar dhe më të frytshme jetën shoqërore; të bëhet e mundshme për të gjithë, në mënyrat dhe shkallët e përshtatshme, pjesëmarrja në të mirat e kulturës.

 

Ekuilibri mes dy formave të ndërhyrjes së pushteteve publike

 

40. E mira e përbashkët kërkon që pushtetet publike, në lidhje me të drejtat e personit, të kryejnë një veprim të dyfishtë: njëri për të hartuar e mbrojtur ato të drejta, tjetri për t’i nxitur ato. Por, në lidhje me këtë duhet pasur kujdesi më i madh kështu që dy veprimet të përshtaten në mënyrë të urtë. Prandaj duhet shmangur që, nëpërmjet parapëlqimit të dhënë mbrojtjes së të drejtave të disa individëve apo grupeve shoqërore, të krijohen pozita privilegji; dhe duhet shmangur edhe që, me synimin që të nxiten të drejtat e lartpërmendura, të arrihet në rezultatin absurd që të zvogëlohet në mënyrë të tepruar apo të bëhet i pamundur ushtrimi i tyre i natyrshëm. “Duhet të pohohet gjithmonë parimi se prania e Shtetit në fushën ekonomike nuk duhet zbatuar për ta zvogëluar gjithnjë e më tepër sferën e lirisë së nismës personale të secilit shtetas, por për t’i garantuar asaj sfere gjerësinë më të madhe që është e mundur, në mbrojtjen efektive, për të gjithë e për secilin, të të drejtave thelbësore të personit.48

Në të njëjtin parim duhet të frymëzohen pushtetet publike në kryerjen e veprimit të tyre të shumëfishtë që synon të nxisë ushtrimin e të drejtave dhe ta bëjë më pak të vështirë përmbushjen e detyrave në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

 

Struktura dhe funksionimi i pushteteve publike

 

41. Nuk mund të caktohet një herë e përgjithmonë se cila është struktura më e mirë sipas së cilës duhet të organizohen pushtetet publike, ashtu si edhe mënyra më e përshtatshme sipas së cilës duhet t’i kryejnë funksionet e tyre specifike, pra funksionin legjislativ, administrativ, gjyqësor.

Meqenëse struktura dhe funksionimi i pushteteve publike nuk mund të mos jenë në marrëdhënie me situatat historike të bashkësive përkatëse politike: situata që ndryshojnë në hapësirë e ndërrojnë në kohë. Por mendojmë se i përgjigjet kërkesave të vetë natyrës së njerëzve organizimi juridiko-politik i bashkësisë njerëzore, i themeluar në një ndarje të përshtatshme pushtetesh në përkim me tri funksionet specifike të autoritetit publik. Në të, faktikisht, sfera e kompetencës dhe funksionimi i pushteteve publike janë të përcaktuar në terma juridike; dhe në terma juridike janë të disiplinuara edhe marrëdhëniet mes shtetasve të thjeshtë dhe funksionarëve. Kjo përbën një element garancie në dobi të shtetasve në ushtrimin e të drejtave të tyre dhe në përmbushjen e detyrave të tyre.

 

42. Por, me qëllim që ky organizim juridiko-politik i bashkësive njerëzore të sjellë dobitë e veta, është e domosdoshme që pushtetet publike t’u përshtaten në metoda dhe në mjete natyrës dhe kompleksitetit të problemeve që janë të thirrur të zgjidhin në mjedisin në të cilin veprojnë; dhe është e domosdoshme edhe që secili prej tyre ta kryejë funksionin e vet në mënyrë të drejtë. Kjo bën që pushteti legjislativ të lëvizë në fushën e rendit moral dhe të normës kushtetuese, dhe t’i interpretojë objektivisht kërkesat e të mirës së përbashkët në zhvillimin e pareshtur të situatave; që pushteti ekzekutiv t’i zbatojë ligjet me urti në njohjen e plotë të tyre dhe në një vlerësim të kthjellët të rasteve konkrete; që pushteti gjyqësor ta administrojë drejtësinë me paanshmëri njerëzore, i pathyeshëm përballë presioneve të çfarëdo interesi pale, dhe bën edhe që secili shtetas dhe trupat e ndërmjetëm, në ushtrimin e detyrave të tyre, të gëzojnë një mbrojtje juridike të efektshme si në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella ashtu edhe në lidhje me funksionarët publikë.49

 

Sistemi juridik dhe ndërgjegjja morale

 

43. Një sistem juridik në harmoni me rendin moral dhe që i përgjigjet shkallës së pjekurisë së bashkësisë politike, shprehje e së cilës është, nuk ka dyshim se përbën një element themelor për zbatimin e të mirës së përbashkët.

Por jeta shoqërore, në kohët tona, është kaq e ndryshme, e ndërlikuar e dinamike, sa sistemet juridike, edhe pse të përpunuara me kompetencë të madhe dhe kujdes largpamës, janë gjithmonë të papërshtatshme.

Veç kësaj, marrëdhëniet mes qenieve njerëzore; mes qenieve njerëzore dhe trupave të ndërmjetëm nga njëra anë, dhe pushteteve publike nga ana tjetër; si dhe marrëdhëniet mes vetë pushteteve publike brenda tërësisë shtetërore, paraqesin shpesh zona kaq delikate e nevralgjike, sa nuk mund të disiplinohen me skema juridike të përcaktuara mirë. Prandaj personat e ngarkuar me autoritet, për të qenë në të njëjtën kohë besnikë ndaj sistemeve juridike ekzistuese, të konsideruar në elementet e tyre dhe në frymëzimin e tyre bazë, dhe të hapur ndaj kërkesave që dalin prej jetës shoqërore; si dhe për t’ia përshtatur sistemet juridike zhvillimit të situatave dhe për të zgjidhur në mënyrën më të mirë problemet gjithnjë të reja, duhet të kenë ide të qarta mbi natyrën dhe mbi gjerësinë e detyrave të tyre; dhe duhet të jenë persona me një ekuilibër të madh e me ndershmëri të spikatur morale, të pajisur me intuitë praktike, për të interpretuar me shpejtësi dhe objektivisht rastet konkrete, dhe me vullnet të vendosur e të fuqishëm për të vepruar në kohën e duhur dhe me sukses. 50

 

Pjesëmarrja e shtetasve në jetën publike

 

44. Është një kërkesë e dinjitetit të tyre si persona që qeniet njerëzore të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën publike, edhe pse format me të cilat marrin pjesë në të, janë patjetër të lidhura me shkallën e pjekurisë njerëzore të arritur prej bashkësisë politike, anëtarë të së cilës janë dhe në të cilën veprojnë.

Nëpërmjet pjesëmarrjes në jetën publike, qenieve njerëzore u hapen fusha të reja e të gjera të së mirës, ndërsa kontaktet e shpeshta mes shtetasve dhe funksionarëve publikë ua bëjnë këtyre të fundit më pak të vështirë kuptimin e kërkesave objektive të së mirës së përbashkët; dhe ndërrimi i titullarëve në pushtetet publike e pengon lodhjen e tyre dhe siguron përtëritjen e tyre duke iu përshtatur zhvillimit shoqëror.51

 

Shenjat e kohëve

 

45. Në organizimin juridik të bashkësive politike në epokën moderne, vihet re para së gjithash karta e të drejtave themelore të qenieve njerëzore: kartë që, jo rrallë, futet në kushtetutat apo formon një pjesë integruese të tyre.

Në radhë të dytë bëhet përpjekje edhe të caktohen në terma juridike, nëpërmjet hartimit të një dokumenti të emërtuar kushtetutë, rrugët nëpërmjet të cilave formohen pushtetet publike; ashtu si edhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, sferat e kompetencës së tyre, mënyrat dhe metodat sipas të cilave janë të detyruar të veprojnë kur vënë në jetë aktet e tyre.

Pra, përcaktohen në terma të drejtash dhe detyrash marrëdhëniet mes shtetasve dhe pushteteve publike; dhe u jepet pushteteve publike detyra themelore për të njohur, respektuar, përbërë në mënyrë harmonike, mbrojtur e nxitur të drejtat dhe detyrat e shtetasve.

Sigurisht që nuk mund të pranohet si i vërtetë pozicioni doktrinor i atyre që e lartësojnë vullnetin e qenieve njerëzore, të marrë individualisht apo sidoqoftë të grupuar, në burim të parë dhe të vetëm nga ku burojnë të drejtat e detyrat, nga ku rrjedh si detyrueshmëria e kushtetutave ashtu edhe autoriteti i pushteteve publike.52 

 

46. Por prirjet, të cilat u përmendën, janë edhe një shenjë e padyshimtë se qeniet njerëzore, në epokën moderne, kanë fituar një vetëdije më të gjallë për dinjitetin e tyre: vetëdije që, ndërsa i shtyn të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën publike, kërkon edhe që të drejtat e personit – të drejta të patjetërsueshme e të pacenueshme – të vendosen qartë në sistemet juridike pozitive; dhe kërkon edhe që pushtetet publike të formohen me procedura të caktuara prej normave kushtetuese, dhe të ushtrojnë funksionet e tyre specifike në rrethin e skemave juridike.

 

pjesa iii

 

MARRËDHËNIET MES BASHKËSIVE POLITIKE

 

Subjektet e  të drejtave dhe të detyrave

 

47. Po e përsërisim edhe ne atë që vazhdimisht kanë mësuar paraardhësit tanë: bashkësitë politike, secila në mënyrë të pavarur nga të tjerat, janë subjekte të drejtash dhe detyrash; prandaj edhe marrëdhëniet e tyre duhen rregulluar në të vërtetën, në drejtësinë, në solidaritetin veprues, në lirinë. Vetë ligji moral, që rregullon marrëdhëniet mes qenieve njerëzore, rregullon edhe marrëdhëniet mes bashkësive përkatëse politike.

Këtë nuk është e vështirë ta kuptojmë kur mendojmë se personat që përfaqësojnë bashkësitë politike, ndërsa veprojnë në emër dhe për interesin e bashkësive të tyre, nuk mund t’i bien ndesh dinjitetit të vet; pra nuk mund ta shkelin ligjin e natyrës së tyre, që është ligji moral.

Tek e fundit, do të ishte absurde edhe të mendojmë se njerëzit, për faktin se vihen në drejtim të punëve të shtetit, mund të jenë të detyruar të heqin dorë prej njerëzores së tyre; kur në të vërtetë janë zgjedhur për atë detyrë të lartë sepse konsiderohen si gjymtyrët më të pasura me cilësi njerëzore dhe ndër më të mirat e trupit shoqëror.

Veç kësaj, autoriteti është një kërkesë e rendit moral në shoqërinë njerëzore; pra nuk mund të përdoret kundër tij, dhe po të ishte kështu, po në atë çast do të reshtte së qeni i tillë; prandaj Zoti paralajmëron: “Prirni veshët, ju që u urdhëroni turmave e që mburreni për shumicën e popujve tuaj! Sepse është Zoti ai që jua dha pushtetin, i Tejetlarti jua lëshoi në dorë sundimin: Ai do t’i vlerësojë veprat tuaja, Ai do t’i shqyrtojë mendimet tuaja!”.53

 

48. Së fundi, duhet kujtuar edhe se në rregullimin e marrëdhënieve mes bashkësive politike, autoriteti duhet ushtruar për të zbatuar të mirën e përbashkët, që përbën arsyen e tij të të qenit. Por element themelor i të mirës së përbashkët është njohja dhe respektimi i rendit moral. “Rendi mes bashkësive politike duhet ndërtuar mbi shkëmbin e pamposhtur dhe të pandryshueshëm të ligjit moral, të shfaqur prej vetë Krijuesit nëpërmjet rendit natyror dhe të gdhendur prej tij në zemrat e njerëzve me germa të pashlyeshme… Si fener i ndritshëm, me rrezet e parimeve të veta, ai duhet të udhëheqë rrjedhën e veprimtarisë së njerëzve dhe të Shteteve, të cilët duhet të ndjekin sinjalizimet e tij paralajmëruese, të shëndosha e të dobishme, nëse nuk duan ta dënojnë me stuhi dhe mbytje çdo punë e përpjekje për të vendosur një sistem të ri”.54

 

Në të vërtetën

 

49. Marrëdhëniet mes bashkësive politike duhet të rregullohen në të vërtetën. Kjo e fundit kërkon para së gjithash që prej atyre marrëdhënieve të zhduket çdo gjurmë racizmi; dhe pra të njihet parimi se të gjitha bashkësitë politike janë të barabarta sepse kanë të njëjtin dinjitet sipas natyrës; prandaj secila prej tyre ka të drejtën për ekzistencë, për zhvillimin e vet, për mjetet e përshtatshme për ta realizuar atë, për të qenë përgjegjësja e parë në zbatimin e tij; si dhe ka të drejtën për namin e mirë dhe nderimet e duhura.

Mes qenieve njerëzore shumë shpesh ekzistojnë ndryshime, edhe të dukshme, në dije, në virtyt, në aftësitë shpikëse, në zotërimin e të mirave materiale. Por kjo nuk mund ta përligjë kurrë planin e disave për të bërë që epërsia e tyre të rëndojë mbi të tjerët; madje përbën një burim përgjegjësie më të madhe në ndihmën që secili dhe të gjithë duhet t’i japin ngritjes së ndërsjellë.

Kështu bashkësitë politike mund të ndryshojnë mes tyre në shkallën e kulturës e të qytetërimit apo të zhvillimit ekonomik; por kjo nuk mund ta përligjë kurrë përpjekjen e disave për ta shfrytëzuar padrejtësisht epërsinë e vet mbi të tjerat; madje mund të përbëjë një arsye që të ndihen më të angazhuara në veprën për ngjitjen e përbashkët.

 

50. Nuk ka qenie njerëzore të epërme për nga natyra dhe qenie njerëzore inferiore për nga natyra; por të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta për nga dinjiteti natyror. Si pasojë nuk ka as bashkësi politike të epërme për nga natyra dhe bashkësi politike inferiore për nga natyra: të gjitha bashkësitë politike janë të barabarta për nga dinjiteti natyror, pasi ato janë trupa, gjymtyrët e të cilëve janë vetë qeniet njerëzore. Prandaj nuk duhet harruar as që popujt, me të drejtë, janë shumë të ndjeshëm në lidhje me dinjitetin dhe me nderin.

Veç këtyre, e vërteta kërkon që në nismat e shumta të bëra të mundura prej përparimeve moderne në mjetet shprehëse – nisma nëpërmjet të cilave përhapet njohja e ndërsjellë mes popujve – të frymëzohemi prej objektivitetit të kthjellët: gjë që nuk përjashton faktin se është i ligjshëm në popujt një parapëlqim për t’i bërë të njohur aspektet pozitive të jetës së tyre. Por nuk duhen pranuar metodat e informimit me të cilat, duke mos i qëndruar së vërtetës, cenohet padrejtësisht nami i këtij apo i atij populli.55

 

Sipas drejtësisë

 

51. Marrëdhëniet mes bashkësive politike duhen rregulluar edhe sipas drejtësisë: gjë që bashkëmbart, përveç njohjes së të drejtave të ndërsjella, edhe përmbushjen e detyrave përkatëse.

Bashkësitë politike kanë të drejtën për ekzistencë, për zhvillimin e vet, për mjetet e përshtatshme për ta zbatuar atë, madje për të qenë autoret e para në zbatimin e tij; kanë edhe të drejtën për namin e mirë dhe për nderimet e duhura: si rrjedhojë dhe njëkohësisht po këto bashkësi politike kanë edhe detyrën të respektojnë secilën prej atyre të drejtave; dhe të shmangin pra veprimet që përbëjnë një shkelje të tyre. Sikurse në marrëdhëniet mes qenieve individuale njerëzore, njërës palë nuk i lejohet të ndjekë interesat e veta në dëm të palës tjetër, po ashtu edhe në marrëdhëniet mes bashkësive politike, njërës palë nuk i lejohet të zhvillojë vetveten duke rënduar apo duke shtypur tjetrën. Këtu është me vend thënia e shën Agostinit: “Nëse braktiset drejtësia, në çfarë bien mbretëritë, përveçse në vjedhje të mëdha?”.56

Sigurisht, edhe mes bashkësive politike mund të lindin dhe faktikisht lindin konflikte interesash; por konfliktet duhen kapërcyer dhe mosmarrëveshjet përkatëse duhen zgjidhur, jo me përdorimin e forcës, me mashtrimin apo dredhinë, por, siç u përket qenieve njerëzore, me mirëkuptimin e ndërsjellë, nëpërmjet vlerësimeve kthjelltësisht objektive dhe ujdisë së drejtë.

 

Trajtimi i pakicave

 

52. Që prej shekullit XIX, një prirje bazë mjaft e përhapur në zhvillimin historik është që bashkësitë politike t’u përshtaten atyre kombëtare. Por, për një tërësi shkaqesh, jo gjithmonë arrihet që kufijtë gjeografikë të përputhen me ata etnikë: kjo i jep zanafillë dukurisë së pakicave dhe problemeve përkatëse të ndërlikuara.

Duhet pohuar në mënyrën më të qartë se një veprim i drejtpërdrejtë për të rënduar dhe për të mbytur fluksin jetësor të pakicave është shkelje e rëndë e drejtësisë; dhe është një shkelje e rëndë aq më tepër kur ky veprim kryhet për t’i bërë ato të zhduken.

Por i përgjigjet një kërkese të drejtësisë që pushtetet publike të japin ndihmesën e tyre për të nxitur zhvillimin njerëzor të pakicave, me masa të efektshme në dobi të gjuhës së tyre, të kulturës së tyre, të zakoneve të tyre, të burimeve dhe të nismave të tyre ekonomike.57

 

53. Por këtu duhet vënë në dukje se anëtarët e pakicave, si rrjedhojë e një reagimi ndaj gjendjes së tyre aktuale apo për shkak të ndeshtrashave të tyre historike, jo rrallë mund të jenë të prirur ta theksojnë rëndësinë e elementeve etnike, prej të cilave janë të karakterizuar, deri në atë pikë sa t’i vënë mbi vlerat njerëzore; sikur ajo që është karakteristike e njerëzimit të ishte në funksion të asaj që është tamam e kombit. Kurse urtia do të donte që të dinin edhe të vlerësonin aspektet pozitive të një gjendjeje që u lejon atyre pasurimin e vetes me përvetësimin gradual dhe të vazhduar të vlerave të traditave apo qytetërimeve të ndryshme nga ato të cilave u përkasin. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ata do të dinë të jenë si një urë që lehtëson qarkullimin e jetës në shprehjet e saj të ndryshme mes traditave apo qytetërimeve të ndryshme, dhe jo një zonë ndeshjeje që sjell dëme të panumërta dhe përcakton amulli dhe prapavajtje.

 

Solidariteti veprues

 

54. Marrëdhëniet mes bashkësive politike duhen rregulluar në të vërtetën dhe sipas drejtësisë; por ato marrëdhënie edhe duhen gjallëruar prej solidaritetit veprues nëpërmjet mijëra forma të bashkëpunimit ekonomik, shoqëror, politik, kulturor, shëndetësor, sportiv: forma të mundshme dhe të frytshme në epokën e tashme historike. Në këtë argument duhet gjithmonë të kemi parasysh se arsyeja e të qenit të pushteteve publike nuk është që qeniet njerëzore të mbyllen e të shtrëngohen në rrethin e bashkësive përkatëse politike; por është ajo e zbatimit të së mirës së përbashkët të vetë bashkësive politike; por kjo e mirë e përbashkët duhet të konceptohet e të nxitet si një përbërës i të mirës së përbashkët të të gjithë familjes njerëzore.

Kjo bën jo vetëm që bashkësitë politike të ndjekin interesat e veta pa dëmtuar njëra-tjetrën, por edhe që ta bëjnë të përbashkët veprën e tyre kur kjo është e domosdoshme për arritjen e objektivave që ndryshe nuk mund të arrihen: por, në raste të tilla duhet patur çdo kujdes në mënyrë që, ajo që shkon në dobi të një grupi bashkësish politike të mos i dëmtojë të tjerat, por të ketë edhe mbi to ndikime pozitive.

E mira e përbashkët e gjithmbarshme, përveç këtyre, kërkon që bashkësitë politike të favorizojnë shkëmbimet, në çdo sektor, mes shtetasve përkatës dhe trupave të ndërmjetëm përkatës.

 

55. Në tokë ekziston një numër i konsiderueshëm grupesh etnike, të ndryshme, në mënyrë më pak a më shumë të theksuar nga njëri-tjetri. Por elementet që karakterizojnë një grup etnik nuk duhet të shndërrohen në ndarje të padepërtueshme, në të cilat disa qenie njerëzore pengohen për të komunikuar me qeniet njerëzore që u përkasin grupeve etnike të ndryshme prej tyre: kjo do të ishte në një kundërshtim të dukshëm me një epokë si tonën, në të cilën largësitë mes popujve gati janë zhdukur. Nuk duhet harruar as që, nëse falë veçorive të veta etnike, qeniet njerëzore dallohen prej njëra-tjetrës, gjithsesi kanë elemente thelbësore të përbashkëta, dhe për nga natyra janë të prirura të takohen në botën e vlerave shpirtërore, përvetësimi progresiv i të cilave u hap atyre mundësi përsosjeje të pakufishme. Prandaj atyre duhet t’u njihet e drejta dhe detyra për të jetuar në bashkësi me njëra-tjetrën.

 

Ekuilibri mes popullsisë, tokës dhe kapitaleve

 

56. Siç dihet, në tokë ka vende që janë të begatshme me terrene të punueshme dhe të mangëta në njerëz; kurse në vende të tjera nuk ka përpjesëtim mes pasurive natyrore dhe kapitaleve në dispozicion. Edhe kjo kërkon që popujt të vendosin marrëdhënie bashkëpunimi të ndërsjellë, duke lehtësuar mes tyre qarkullimin e kapitaleve, të të mirave, të njerëzve.58

Këtu e shohim të arsyeshme të vëmë në dukje që, sa herë që është e mundur, duket se duhet të jetë kapitali ai që kërkon punën dhe jo anasjelltas.

Në këtë mënyrë shumë personave u jepen mundësi konkrete për të krijuar për veten një të ardhme më të mirë pa qenë të detyruar të zhvendosen prej mjedisit të tyre në një tjetër; gjë që është gati e pamundur që të ndodhë pa përplasje të dhimbshme, dhe pa periudha të vështira riorganizimi njerëzor apo integrimi shoqëror.

 

 

Problemi i të arratisurve politikë

 

57. Ndjenja e atësisë së gjithmbarshme që Zoti ka ndezur në shpirtin tonë, na bën të ndiejmë një hidhërim të thellë kur konsiderojmë dukurinë e të arratisurve politikë: dukuri që ka marrë përpjesëtime të mëdha dhe që fsheh gjithmonë vuajtje të panumërta dhe shumë të mprehta.

Mjerisht ajo tregon se ekzistojnë regjime politike që nuk u sigurojnë individëve një sferë të mjaftueshme lirie, brenda së cilës shpirtit të tyre t’i lejohet të marrë frymë me ritëm njerëzor; përkundrazi në ato regjime vihet në diskutim apo biles mohohet edhe ligjshmëria e vetë ekzistencës së asaj sfere. Pa dyshim që kjo përfaqëson një përmbysje rrënjësore të rendit të bashkëjetesës, mbasi arsyeja e ekzistencës së pushteteve publike është ajo e zbatimit të së mirës së përbashkët, element themelor i të cilit është të njohë atë sferë lirie dhe të sigurojë paprekshmërinë e saj.

Nuk është e tepërt të kujtojmë se të arratisurit politikë janë persona; dhe se atyre u duhen njohur të gjitha të drejtat që i përkasin personit: të drejta që nuk humben kur ata privohen prej shtetësisë në bashkësitë politike ku ishin anëtarë.

Mes të drejtave që i përkasin personit është edhe ajo për t’u përfshirë në bashkësinë politike në të cilën personi mendon se mund të krijojë një të ardhme për veten dhe për familjen e vet; si rrjedhojë ajo bashkësi politike, brenda kufijve të lejuar prej të mirës së përbashkët të kuptuar drejt, ka detyrën ta lejojë atë përfshirje, si dhe të favorizojë integrimin në vetvete të gjymtyrëve të reja.

 

58. Na vjen mirë të shfrytëzojmë rastin për të shprehur vlerësimin tonë të sinqertë për të gjitha nismat e lindura e të nxitura prej solidaritetit njerëzor dhe prej dashurisë së krishterë me qëllim që ta bëjnë më pak të dhimbshme zhvendosjen e personave nga një trup shoqëror në një tjetër.

Dhe të na lejohet edhe t’ia komunikojmë vëmendjes dhe mirënjohjes së çdo shpirti të drejtë veprën shumëformëshe që në një fushë kaq delikate zhvillojnë institucionet ndërkombëtare të specializuara.

 

 

Çarmatimi

 

59. Është po ashtu e dhimbshme për ne të vëmë re se si në bashkësitë politike ekonomikisht më të zhvilluara janë krijuar dhe vazhdojnë të krijohen armatime gjigande; se si për këtë qëllim thithet një përqindje shumë e lartë e energjive shpirtërore dhe e burimeve ekonomike; se vetë shtetasit e atyre bashkësive politike janë të nënshtruar sakrificave jo të lehta; ndërsa bashkësive të tjera politike, si rrjedhojë, u hiqet bashkëpunimi i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe për përparimin e tyre shoqëror.

Armatimet, siç dihet, është zakon të përligjen duke thënë se, nëse sot është e mundur një paqe, nuk mund të jetë tjetër veçse paqja e bazuar në ekuilibrin e forcave. Pra nëse një bashkësi politike armatoset, bashkësitë e tjera politike duhet të rrinë në një hap dhe të armatosen edhe ato. Dhe nëse një bashkësi politike prodhon armë atomike, edhe të tjerat duhet të prodhojnë armë atomike me fuqi shkatërrimtare të barabartë.

 

60. Si rrjedhojë qeniet njerëzore jetojnë me makthin e një uragani që mund të shpërthejë në çdo çast me një fuqi të papërfytyrueshme. Meqenëse armët janë, dhe nëse është e vështirë të bindemi se ka persona të aftë të marrin përsipër përgjegjësinë e shkatërrimeve dhe të dhimbjeve që një luftë do të shkaktonte, nuk përjashtohet që një fakt i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm mund të ndezë shkëndijën që vë në lëvizje aparatin luftarak. Veç kësaj, duhet patur parasysh edhe se, nëse një luftë e thellë, falë efektshmërisë kërcënuese të vetë armëve, nuk do të ndodhë, është e arsyeshme frika se fakti edhe vetëm i vazhdimit të eksperimenteve bërthamore me qëllime luftarake, mund të ketë rrjedhoja fatale për jetën në tokë.

Prandaj drejtësia, urtia dhe njerëzia kërkojnë që të ndalet rendja te armatimet, të pakësohen njëkohësisht dhe ndërsjellshmërisht armatimet ekzistuese; të ndalohen armët bërthamore; dhe të arrihet më në fund në çarmatimin e integruar prej kontrolleve të efektshme. “Nuk duhet të lejohet – pohon Piu XII – që fatkeqësia e një lufte botërore me rrënimet e saj ekonomike e shoqërore si dhe me degjenerimet e turbullimet e saj morale të bjerë për herë të tretë mbi njerëzimin”59.

 

61. Por duhet të pranojmë se ndalimi i armatimeve me qëllime luftarake, pakësimi i tyre efektiv, dhe, aq më tepër, zhdukja e tyre janë të pamundura ose gati të tilla, nëse në të njëjtën kohë nuk fillon një çarmatim i plotë; pra, nëse nuk çarmatosen edhe shpirtrat, duke punuar sinqerisht për ta shpërbërë, në ta, psikozën e luftës: gjë që, nga ana e vet, bën që kriterin e paqes që mbahet në ekuilibrin e armatimeve, ta zëvendësojë parimi se paqja e vërtetë mund të ndërtohet vetëm në besimin e ndërsjellë. Ne mendojmë se bëhet fjalë për një objektiv që mund të arrihet. Meqenëse ai kërkohet prej arsyes së drejtë, është shumë i dëshirueshëm dhe me dobinë më të madhe.

 

62. Është një objektiv i kërkuar prej arsyes. Është e dukshme, ose të paktën do të duhej të ishte i tillë për të gjithë, se marrëdhëniet mes bashkësive politike, si edhe ato mes qenieve njerëzore, duhen rregulluar jo duke përdorur forcën e armëve, por në dritën e arsyes; dhe pra në të vërtetën, në drejtësinë, në solidaritetin veprues.

Është një objektiv shumë i dëshirueshëm. Dhe në të vërtetë, kush nuk e dëshiron me zjarr që rreziku i luftës të zhduket dhe paqja të mbrohet e të forcohet?

Është një objektiv me dobinë më të madhe. Prej paqes përfitojnë të gjithë: individët, familjet, popujt, e tërë familja njerëzore. Ende edhe sot jehojnë rreptësisht paralajmëruese fjalët e Piut XII:  “Asgjë nuk humbitet me paqen. Gjithçka mund të humbitet me luftën”.60

 

63. Prandaj si vikar i Jezu Krishtit, Shëlbuesit të botës dhe autorit të paqes, dhe si interpretues i dëshirës më të thellë të të gjithë familjes njerëzore, duke ndjekur shtytjen e shpirtit tonë, të shqetësuar prej brengosjes për të mirën e të gjithëve, ndiejmë se e kemi për detyrë t’u përgjërohemi njerëzve, sidomos atyre që janë të pajisur me përgjegjësi publike, që të mos i kursejnë mundimet për t’u dhënë gjërave një drejtim të arsyeshëm dhe njerëzor.

Në asambletë më të larta e të cilësuara ta konsiderojnë thellësisht problemin e rivendosjes paqësore të marrëdhënieve mes bashkësive politike në planin botëror: rivendosje e bazuar në besimin e ndërsjellë, në sinqeritetin ndër bisedime, në besnikërinë ndaj angazhimeve të marra përsipër. Ta shqyrtojnë problemin derisa të gjejnë pikën nga ku është e mundur nisja drejt marrëveshjeve të çiltëra, të qëndrueshme, të frytshme.

Nga ana jonë nuk do të reshtim së kërkuari bekimet e Hyjit mbi përpjekjet e tyre, me qëllim që të sjellin rezultate pozitive.

 

Në liri

 

64. Marrëdhëniet mes bashkësive politike duhen rregulluar në liri. Gjë që do të thotë se asnjëra prej tyre nuk ka të drejtën të ushtrojë një veprim shtypës mbi të tjerat apo ndërhyrjeje të padrejtë. Përkundrazi të gjitha duhet të kenë për qëllim të ndihmojnë që në secilën të zhvillohet ndjenja e përgjegjësisë, fryma e nismës dhe angazhimi për të qenë protagonistja e parë në realizimin e ngjitjes së vet në të gjitha fushat.

 

Ngjitja e bashkësive politike që janë në fazë zhvillimi ekonomik

 

65. Një bashkëpjesëmarrje zanafille, shpërblimi, fati të lartë i lidh të gjitha qeniet njerëzore dhe i thërret që të formojnë një familje të vetme të krishterë. Për këtë arsye në enciklikën Mater et magistra i kemi nxitur bashkësitë politike ekonomikisht të zhvilluara që të vendosin marrëdhënie bashkëpunimi të shumëfishtë me bashkësitë politike në rrugë zhvillimi ekonomik.61

Tani mund të vërejmë me kënaqësi se thirrja jonë ka pasur një mirëpritje të gjerë; dhe kemi shpresë se edhe më shumë në të ardhmen ajo do të ndihmojë që vendet të cilat kanë më pak të mira, në një kohë sa më të shkurtër, të arrijnë në një shkallë zhvillimi ekonomik që t’i lejojë çdo shtetasi të jetojë në kushte që i përgjigjen dinjitetit të tij si person.

 

66. Por nuk është kurrë mjaft e përsëritur se bashkëpunimi, të cilin e përmendëm, duhet zbatuar në respektin më të madh për lirinë e bashkësive politike në fazë zhvillimi. Bashkësi të tilla është e nevojshme të jenë dhe të ndihen përgjegjëset e para dhe autoret kryesore në zbatimin e zhvillimit të tyre ekonomik dhe të përparimit të tyre shoqëror.

Edhe paraardhësi ynë Piu XII pohonte se “në fushën e një sistemi të ri të bazuar në parimet morale nuk ka vend për cenimet e lirisë, të integritetit dhe të sigurisë së kombeve të tjera, cilado qoftë shtrirja e tyre territoriale apo aftësia e tyre për t’u mbrojtur. Nëse është e pashmangshme që Shtetet e mëdha, për mundësitë e tyre më të mëdha dhe për fuqinë e tyre, të përvijojnë rrugën për formimin e grupeve ekonomike mes tyre dhe kombeve më të vogla e më të dobëta, është po aq e pakundërshtueshme – si për të gjithë, në fushën e interesit të përgjithshëm – e drejta e këtyre të fundit për respektimin e lirisë së tyre në fushën politike, për ruajtjen e frytshme të atij neutraliteti në kundërshtimet mes Shteteve, që u takon atyre sipas të drejtës natyrore dhe të popujve, për mbrojtjen e zhvillimit të tyre ekonomik, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund ta arrijnë siç duhet të mirën e përbashkët, mirëqenien materiale e shpirtërore të popullit të tyre”.62 Prandaj bashkësitë politike ekonomikisht të zhvilluara, në dhënien e veprës së tyre të shumëfishtë, janë të detyruara t’i njohin e t’i respektojnë vlerat morale dhe veçoritë etnike të bashkësive në fazë zhvillimi ekonomik; si dhe të veprojnë pa qëllim mbizotërimi politik; në këtë mënyrë i sjellin “një ndihmesë të çmuar formimit të një bashkësie botërore në të cilën të gjithë anëtarët të jenë subjekte të vetëdijshme për detyrat dhe të drejtat e tyre, veprues në marrëdhënie barazie në zbatim të së mirës së përbashkët të gjithmbarshme”.63

 

Shenjat e kohëve

 

67. Mes qenieve njerëzore po përhapet gjithnjë e më tepër bindja se kundërshtimet e mundshme mes popujve nuk duhet të zgjidhen me përdorimin e armëve; por nëpërmjet bisedimeve.

Është e vërtetë se në terrenin historik ajo bindje është mbi të gjitha në lidhje me forcën tmerrësisht shkatërruese të armëve moderne; dhe ushqehet prej llahtarisë që ngjall në shpirt edhe vetëm mendimi i shkatërrimeve të pamasa dhe i dhimbjeve të mëdha që përdorimi i atyre armëve do t’i sillte familjes njerëzore; prandaj është gati e pamundur të mendojmë se në epokën atomike lufta mund të përdoret si mjet drejtësie.

Por, mjerisht, mes popujve shpesh mbretëron ende ligji i frikës. Kjo i shtyn të bëjnë shpenzime përrallore për armatimet: si dhe pohohet – as nuk ka arsye për të mos i besuar – jo për të sulmuar, por për t’i prapësuar të tjerët prej sulmit.

Megjithatë, është e lejueshme të shpresojmë se njerëzit, duke u takuar e duke biseduar, do të zbulojnë më mirë lidhjet që i bashkojnë, që rrjedhin prej njerëzisë së tyre të përbashkët, si dhe do të zbulojnë se njëra prej kërkesave më të thella të njerëzisë së tyre të përbashkët është që mes tyre dhe mes popujve përkatës të mbretërojë jo frika, por dashuria: e cila priret të shprehet në bashkëpunimin e çiltër, shumëformësh, që sjell shumë të mira.

 

 

 

pjesa iv

 

MARRËDHËNIET E QENIEVE NJERËZORE DHE TË BASHKËSIVE POLITIKE ME BASHKËSINË BOTËRORE

 

Ndërvarësia mes bashkësive politike

 

68. Përparimet e fundit të shkencave dhe të teknikave ndikojnë thellësisht në qeniet njerëzore, duke i nxitur të bashkëpunojnë mes tyre dhe duke i orientuar drejt një bashkëjetese të njësishme me rreze botërore. Në të vërtetë, është theksuar dendur qarkullimi i ideve, i njerëzve, i gjërave. Prandaj janë shtuar pa masë dhe janë dendësuar marrëdhëniet mes shtetasve, familjeve, trupave të ndërmjetëm që u përkasin bashkësive të ndryshme politike; si dhe mes pushteteve publike të tyre. Gjithashtu thellohet ndërvarësia mes ekonomive kombëtare: ato hyjnë shkallë-shkallë në të tjerat derisa bëhen secila gati pjesë përbërëse e një ekonomie të vetme botërore; dhe përparimi shoqëror, rendi, siguria dhe paqja brenda secilës bashkësi politike është në lidhje jetësore me përparimin shoqëror, rendin, sigurinë, paqen e të gjitha bashkësive të tjera politike.

Asnjë bashkësi politike sot nuk është në gjendje t’i arrijë interesat e veta dhe të zhvillohet duke u mbyllur në vetvete; pasi shkalla e begatisë së saj dhe e zhvillimit të saj janë edhe pasqyrim dhe përbërës i shkallës së begatisë dhe zhvillimit të të gjitha bashkësive të tjera politike.

 

Pamjaftueshmëria e organizimit aktual të autoritetit publik në lidhje me të mirën e përbashkët të gjithmbarshme

 

69. Njësia e familjes njerëzore ka ekzistuar në çdo kohë, pasi ajo ka si anëtarë qeniet njerëzore që janë të gjitha të barabarta për nga dinjiteti natyror. Si rrjedhojë, do të ekzistojë gjithmonë kërkesa objektive për zbatimin, në një shkallë të mjaftueshme, e të mirës së përbashkët të gjithmbarshme, pra e të mirës së përbashkët të mbarë familjes njerëzore.

Në kohët e kaluara, me të drejtë mund të mendohej se pushtetet publike të bashkësive të ndryshme politike mund të ishin në gjendje ta zbatonin të mirën e përbashkët të gjithmbarshme; ose nëpërmjet rrugëve normale diplomatike ose me takime të nivelit më të lartë, duke përdorur mjetet juridike, si për shembull, konventat dhe traktatet: mjete juridike të sugjeruara prej të drejtës natyrore, dhe të përcaktuara prej të drejtës së popujve dhe prej të drejtës ndërkombëtare.

 

70. Pas shndërrimeve të thella që kanë ndodhur në marrëdhëniet e bashkëjetesës njerëzore, nga njëra anë e mira e përbashkët e gjithmbarshme ngre probleme komplekse, shumë të rënda, skajshmërisht të ngutshme, sidomos për sa i përket sigurisë dhe paqes botërore; nga ana tjetër pushtetet publike të secilës bashkësi politike, të vendosura siç janë në barazi juridike mes tyre, sado t’i shumojnë takimet e tyre dhe ta mprehin mendjen e tyre në përpunimin e mjeteve të reja juridike, nuk janë më në gjendje të përballojnë e të zgjidhin siç duhet problemet e lartpërmendura: dhe kjo jo aq për mungesë të vullnetit të mirë apo të nismës, por për shkak të një mangësie të tyre strukturore.

Pra, mund të pohohet se në terrenin historik ka humbur përkimi mes organizimit aktual dhe funksionimit përkatës të parimit autoritar veprues në planin botëror dhe kërkesave objektive të të mirës së përbashkët të gjithmbarshme.

 

Marrëdhënia mes përmbajtjeve historike të të mirës së përbashkët dhe struktura e funksionimi i pushteteve publike

 

71. Ekziston një marrëdhënie e brendshme mes përmbajtjeve historike të të mirës së përbashkët nga njëra anë dhe strukturës e funksionimit të pushteteve publike nga ana tjetër. Pra, rendi moral, ashtu siç ka nevojë për autoritetin publik në bashkëjetesë për të zbatuar të mirën e përbashkët, si rrjedhojë, ka nevojë edhe që autoriteti për këtë qëllim të jetë i efektshëm. Kjo kërkon që organet në të cilat autoriteti merr formë, bëhet veprues dhe synon qëllimin e vet, të jenë strukturore dhe të veprojnë në mënyrë të tillë që të jenë të afta t’i kthejnë në realitet përmbajtjet e reja që e mira e përbashkët merr në zhvillimin historik të bashkëjetesës.

E mira e përbashkët e gjithmbarshme shtron tani probleme në përmasa botërore që nuk mund të përballen siç duhet dhe nuk mund të zgjidhen veçse me anë të pushteteve publike që kanë gjerësi, struktura dhe mjete të të njëjtave përpjesëtime; pra, të pushteteve publike që të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të efektshme në plan botëror. Prandaj, vetë rendi moral kërkon që këto pushtete të themelohen.

 

Pushtetet publike të themeluara me marrëveshje të përbashkët dhe jo të imponuara me forcë

 

72. Pushtetet publike, që kanë autoritet në plan botëror dhe janë të pajisura me mjetet e përshtatshme për të synuar frytshëm objektivat që përbëjnë përmbajtjet konkrete të të mirës së përbashkët të gjithmbarshme, duhen themeluar me marrëveshje të përbashkët dhe jo të imponohen me forcë. Arsyeja është se këto pushtete duhet të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë të efektshme; por, në të njëjtën kohë, veprimi i tyre duhet të jetë i modeluar prej paanshmërisë së sinqertë e të njëmendtë; pra duhet të jetë një veprim që synon të plotësojë kërkesat objektive të të mirës së përbashkët të gjithmbarshme. Me siguri duhet të druajmë që pushtetet publike mbikombëtare apo botërore të imponuara me forcë prej bashkësive politike më të fuqishme të jenë apo të bëhen mjete të interesave të veçanta; edhe nëse kjo nuk verifikohet, është shumë e vështirë që në punën e tyre të dalin të paprekur prej çdo dyshimi për anshmëri: gjë që do të dëmtonte efektshmërinë e veprimit të tyre.

Bashkësitë politike, edhe pse mes tyre ka ndryshime të theksuara në shkallën e zhvillimit ekonomik dhe në fuqinë ushtarake, janë të gjitha shumë të ndjeshme për sa i përket barazisë juridike dhe dinjitetit të tyre moral. Prandaj, me të drejtë, nuk u bindën kollaj pushteteve të imponuara me forcë; ose pushteteve në krijimin e të cilave nuk kanë ndihmuar; ose të cilave nuk kanë vendosur ato vetë t’u nënshtrohen me zgjedhje të vetëdijshme e të lira

 

E mira e përbashkët e gjithmbarshme dhe të drejtat e personit

 

73. Sikurse e mira e përbashkët e bashkësive të veçanta politike, ashtu edhe e mira e përbashkët e gjithmbarshme nuk mund të përcaktohet përveçse duke pasur parasysh personin njerëzor. Prandaj edhe pushtetet publike të bashkësisë botërore duhet t’i vënë vetes si objektiv themelor njohjen, respektimin, mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të personit: me një veprim të drejtpërdrejtë, kur rasti e do; ose duke krijuar një mjedis me rreze botërore në të cilin të bëhet më e lehtë për pushtetet publike të secilës bashkësi politike që të kryejë funksionet e veta specifike.

 

Parimi i subsidiaritetit*)

 

74. Sikurse marrëdhëniet mes individëve, familjeve, trupave të ndërmjetëm, dhe pushteteve publike të bashkësive përkatëse politike, brenda tyre, duhen rregulluar sipas parimit të subsidiaritetit, po ashtu, në dritën e të njëjtit parim duhet të rregullohen edhe marrëdhëniet mes pushteteve publike të bashkësive politike dhe pushteteve publike të bashkësisë botërore. Kjo do të thotë se pushtetet publike të bashkësisë botërore duhet të përballin e të zgjidhin problemet me përmbajtje ekonomike, shoqërore, politike, kulturore që shtron e mira e përbashkët e gjithmbarshme; por këto do të jenë probleme që për gjerësinë, kompleksitetin dhe ngutshmërinë e tyre pushtetet publike të  secilës bashkësi politike nuk janë në gjendje t’i përballin me perspektivën e zgjidhjeve pozitive.

Pushtetet publike të bashkësisë botërore nuk kanë për qëllim t’ua kufizojnë sferën e veprimit pushteteve publike të secilës bashkësi politike dhe aq më pak t’i zëvendësojnë ato; përkundrazi, kanë për qëllim të ndihmojnë në krijimin e një një mjedisi, në planin botëror, në të cilin pushtetet publike të bashkësive politike, shtetasit përkatës dhe trupat e ndërmjetëm të mund të kryejnë detyrat e tyre, të plotësojnë detyrimet e tyre, të ushtrojnë të drejtat e tyre me një siguri më të madhe.64

 

Shenjat e kohëve

 

75. Siç dihet, më 26 qershor 1945 u formua Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB); me të cilën, më pas, u lidhën institutet ndërqeveritare që kishin detyra të gjera ndërkombëtare në fushën ekonomike, shoqërore, kulturore, edukative, shëndetësore. Kombet e Bashkuara i vunë vetes si qëllim thelbësor mbajtjen dhe përforcimin e paqes mes popujve, duke zhvilluar mes tyre marrëdhëniet miqësore, të bazuara në parimet e barazisë, të respektit të ndërsjellë, të bashkëpunimit të shumëfishtë në të gjithë sektorët e bashkëjetesës.

Një akt me rëndësinë më të lartë i bërë prej Kombeve të Bashkuara është Deklarata e gjithmbarshme e të drejtave të njeriut e miratuar në asamblenë e përgjithshme më 10 dhjetor 1948. Në hyrjen e kësaj deklarate shpallet si një ideal që duhet synuar prej të gjithë popujve dhe prej të gjitha kombeve njohja efektive dhe respektimi i atyre të drejtave dhe i lirive përkatëse.

Mbi ndonjë pikë të veçantë të deklaratës janë ngritur kundërshtime dhe janë mbajtur rezerva. Por nuk ka dyshim se dokumenti shënon një hap të rëndësishëm në ecjen drejt organizimit juridiko-politik të bashkësisë botërore. Në të, faktikisht, të gjitha qenieve njerëzore u njihet në formën më solemne, dinjiteti si person; dhe si rrjedhojë shpallet si e drejtë e tyre themelore ajo e lëvizjes lirisht në kërkim të së vërtetës, në zbatimin e të mirës morale e të drejtësisë; dhe e drejta për një jetë të dinjitetshme; si dhe shpallen edhe të drejta të tjera të lidhura me ato të lartpërmendura.

Prandaj urojmë që Organizata e Kombeve të Bashkuara – në strukturat e në mjetet e saj – t’i përshtatet gjithnjë e më tepër gjerësisë dhe fisnikërisë së detyrave të veta; dhe që të arrijë dita në të cilën qeniet e përveçme njerëzore të gjejnë në të një mbrojtëse të efektshme për sa u përket të drejtave që burojnë drejtpërdrejt prej dinjitetit të tyre si persona; dhe që prandaj janë të drejta të gjithmbarshme, të padhunueshme, të patjetërsueshme. Aq më tepër që qeniet e përveçme njerëzore, ndërsa marrin pjesë gjithnjë e më aktivisht në jetën publike të bashkësive të tyre politike, shfaqin një interesim në rritje për ndeshtrashat e të gjithë popujve, dhe ndiejnë me një vetëdije më të madhe se janë gjymtyrë të gjalla të një bashkësie botërore.

 

V – THIRRJE BARITORE

 

Detyra për të marrë pjesë në jetën publike

 

76. Edhe një herë ia lejojmë vetes t’i thërrasim bijtë tanë në detyrën që kanë për të marrë pjesë aktivisht në jetën publike dhe për të ndihmuar në zbatimin e të mirës së përbashkët të familjes njerëzore dhe të bashkësisë së tyre politike; dhe të orvaten, pra, në dritën e fesë dhe me forcën e dashurisë, që institucionet me qëllime ekonomike, shoqërore, kulturore e politike, të jenë të tilla që të mos krijojnë pengesa, por t’ua lehtësojnë e t’ua bëjnë më pak të vështirë personave përsosjen e tyre: si në rendin natyror ashtu edhe në atë mbinatyror.

 

Kompetenca shkencore, aftësia teknike, përvoja profesionale

 

77. Nuk mjafton të jemi të ndriçuar prej fesë dhe të ndezur prej dëshirës për të mirën që ta mbushim me parime të shëndosha një qytetërim dhe ta gjallërojmë atë në frymën e Ungjillit. Për këtë qëllim është e nevojshme të hyjmë në institucionet e tij dhe të veprojmë në mënyrë të vlefshme nga brendësia e tyre. Por qytetërimi ynë dallohet sidomos për përmbajtjet e veta shkencoro-teknike.

Prandaj nuk mund të hyhet në institucionet e tij dhe nuk punohet me efektshmëri nga brendësia e tyre nëse nuk jemi shkencërisht kompetentë, teknikisht të aftë, profesionalisht ekspertë.

 

Veprimi si sintezë e elementeve shkencoro-teknike profesionale dhe e vlerave shpirtërore

 

78. Dëshirojmë gjithashtu të tërheqim vëmendjen se kompetenca shkencore, aftësia teknike, përvoja profesionale, nëse janë të nevojshme, sidoqoftë nuk janë të mjaftueshme për të ndrequr marrëdhëniet e bashkëjetesës në një rend të pastër njerëzor; dhe pra në një rend, themel i të cilit është e vërteta, masë dhe objekt drejtësia, forcë shtytëse dashuria, metodë e zbatimit liria.

Për këtë qëllim kërkohet me siguri që qeniet njerëzore t’i kryejnë veprimtaritë me përmbajtje tokësore, duke iu bindur ligjeve që burojnë nga ato, dhe duke ndjekur metoda që i përgjigjen natyrës së tyre; por, në të njëjtën kohë, kërkohet edhe që t’i kryejnë ato veprimtari në fushën e rendit moral; dhe prandaj si ushtrim apo kërkim i një të drejte, si përmbushje e një detyre dhe dhënie e një shërbimi; si përgjigje pozitive ndaj planit provanor të Hyjit që synon shpëtimin tonë; pra kërkohet që qeniet njerëzore, në brendësinë e vetes së tyre, ta jetojnë veprën e tyre me përmbajtje tokësore si një sintezë mes elementeve shkencoro-tekniko-profesionale dhe vlerave shpirtërore.

 

Ripërbërja e njësishme në besimtarët mes besimit fetar dhe veprimtarisë me përmbajtje tokësore

 

79. Në bashkësitë kombëtare me traditë të krishterë, institucionet e rendit tokësor, në epokën moderne, ndërsa tregojnë shpesh një shkallë të lartë përsosmërie shkencoro-teknike dhe efektshmërie në rendin e qëllimeve specifike përkatëse, në të njëjtën kohë karakterizohen jo rrallë prej varfërisë së tharmeve dhe përmbajtjeve të krishtera.

Megjithatë, është e sigurtë se në krijimin e atyre institucioneve kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë shumë njerëz që mbaheshin dhe e mbajnë veten të krishterë; dhe nuk ka dyshim se, të paktën pjesërisht, ishin dhe janë të tillë. Si shpjegohet? Mendojmë se shpjegimi gjendet në një ndarje në shpirtin e tyre mes besimit fetar dhe veprimit me përmbajtje tokësore. Pra është e nevojshme që në ta të ripërbëhet njësia e brendshme; dhe në veprimtaritë e tyre tokësore të jenë të  pranishme edhe besimi si fener që ndriçon dhe dashuria si forcë që gjallëron.

 

Zhvillimi i tërësishëm i qenieve njerëzore në formim

 

80. Por mendojmë edhe se kjo ndarje në besimtarët mes besimit fetar dhe veprimit me përmbajtje tokësore, në pjesën më të madhe nëse jo tërësisht, është rezultat i një të mete të formimit të qëndrueshëm të krishterë. Ndodh, faktikisht, tepër shpesh dhe në shumë mjedise, që të mos ketë përpjesëtim mes arsimit shkencor dhe arsimit fetar: arsimi shkencor vazhdon të shtrihet derisa arrin shkallët më të larta, ndërsa arsimi fetar mbetet në shkallën elementare. Prandaj është e domosdoshme që në qeniet njerëzore në formim, edukimi të jetë i tërësishëm dhe i pandërprerë; pra që në ta kulti i vlerave fetare dhe përsosja e ndërgjegjes morale të ecin në hap të njëjtë me përvetësimin e vazhdueshëm dhe gjithnjë e më të pasur të elementeve shkencoro-teknike; dhe është gjithashtu e domosdoshme që të edukohen mbi metodën e përshtatshme sipas së cilës t’i kryejnë konkretisht detyrat e tyre.65

 

Angazhimi i vazhdueshëm

 

81. Mendojmë se është mirë të përmendim se sa e vështirë është ta kuptojmë siç duhet marrëdhënien mes kërkesave objektive të drejtësisë dhe situatave konkrete; të përcaktojmë pra shkallët dhe format sipas të cilave parimet dhe udhëzimet doktrinore duhet të bëhen realitet. Dhe përcaktimi i atyre shkallëve dhe i atyre formave është aq më i vështirë në epokën tonë, të karakterizuar nga një dinamizëm i theksuar. Pra, problemi i përshtatjes së realitetit shoqëror kërkesave objektive të drejtësisë është problem që nuk pranon kurrë një zgjidhje përfundimtare. Prandaj bijtë tanë duhet të jenë syçelur që të mos rehatohen të kënaqur në objektiva tashmë të arritura.

Madje për të gjitha qeniet njerëzore është pothuajse një detyrë të mendojnë se ajo që është realizuar është gjithmonë pak në krahasim me atë që ende duhet bërë për t’ua përshtatur organizmat prodhues, shoqatat sindikaliste, organizatat profesionale, sistemet siguruese, sistemet juridike, regjimet politike, institucionet me qëllime kulturore, shëndetësore, argëtuese dhe sportive tamam dimensioneve të epokës së atomit dhe të arritjeve hapësinore: epokë në të cilën familja njerëzore tashmë ka hyrë dhe ka filluar ecjen e saj të re me perspektiva pafundësisht të gjera.

 

Marrëdhëniet mes katolikëve dhe jo katolikëve në fushën ekonomiko-shoqëroro-politike

 

82. Vijat doktrinore të përvijuara në këtë dokument burojnë ose sugjerohen prej kërkesave të brendshme të natyrës njerëzore, dhe për më tepër, hyjnë në sferën e të drejtës natyrore. Pra u ofrojnë katolikëve një fushë të gjerë takimesh dhe marrëveshjesh si me të krishterët e ndarë prej kësaj Selie apostolike ashtu edhe me qeniet njerëzore jo të ndriçuara prej fesë në Jezu Krishtin, por në të cilat është e pranishme drita e arsyes dhe është e pranishme dhe vepruese edhe ndershmëria natyrore. “Në këto marrëdhënie bijtë tanë duhet të jenë syçelur për të qenë gjithmonë koherentë me vetveten, për të mos bërë kurrë kompromise në lidhje me fenë e me moralin. Por në të njëjtën kohë le të jenë dhe të tregohen të frymëzuar prej frymës së kuptimit, të paanshëm dhe të gatshëm për të vepruar çiltërsisht në zbatimin e objekteve që të jenë për nga natyra e tyre të mirë apo që të çojnë te e mira”.66

 

83. Por nuk duhet të ngatërrohet kurrë gabimi me gabuesin, edhe kur bëhet fjalë për gabim apo njohje të papërshtatshme të së vërtetës në fushën morale fetare. Gabuesi është gjithmonë dhe para së gjithash një qenie njerëzore dhe, në çdo rast, ruan dinjitetin e vet të personit; dhe duhet konsideruar e trajtuar gjithmonë siç i takon këtij dinjiteti. Veç kësaj, në asnjë qenie njerëzore nuk shuhet kurrë nevoja, tamam e natyrës së saj, që t’i thyejë skemat e gabimit për t’iu hapur njohjes së të vërtetës. Dhe vepra e Hyjit në të nuk mungon kurrë. Prandaj ai që në një moment të veçantë të jetës së tij nuk e ka qartësinë e fesë, ose bashkohet me mendime të gabuara, nesër mund të ndriçohet dhe t’i besojë të vërtetës. Takimet dhe marrëveshjet, në sektorët e ndryshëm të rendit tokësor, mes besimtarëve dhe atyre që nuk besojnë, ose besojnë në mënyrë jo të përshtatshme, sepse bashkohen me gabimet, mund të jenë rast për ta zbuluar të vërtetën dhe për ta nderuar atë.

 

84. Po ashtu, duhet mbajtur parasysh se as nuk mund të indentifikohen doktrinat e rreme filozofike mbi natyrën, origjinën dhe fatin e gjithësisë e të njeriut, me lëvizjet historike që kanë qëllime ekonomike, shoqërore, kulturore e politike, edhe nëse këto lëvizje e kanë pasur zanafillën prej atyre doktrinave dhe prej tyre e kanë marrë dhe e marrin ende frymëzimin. Pasi doktrinat, kur përpunohen e përcaktohen, mbeten gjithmonë të njëjtat; kurse lëvizjet e përmendura më lart, duke vepruar në situatat historike që zhvillohen pareshtur, nuk mund të mos pësojnë ndikimet e tyre dhe prandaj nuk mund të mos u nënshtrohen ndryshimeve edhe të thella. Veç kësaj, kush mund ta mohojë se në ato lëvizje, në masën në të cilën ato janë në përputhje me normat e arsyes së drejtë dhe bëhen interpretuese të aspiratave të drejta të personit njerëzor, ka elemente pozitive dhe që meritojnë miratim?

 

85. Prandaj, mund të verifikohet që një afrim ose një takim i rendit praktik, që dje mbahej si i pavend apo jo i frytshëm, sot të jetë apo nesër të mund të bëhet i tillë. Të vendosësh nëse ky moment ka ardhur, si dhe të caktosh mënyrat dhe shkallët e përputhjes së mundshme të veprimtarive që zhvillohen dhe arritjes së qëllimeve ekonomike, shoqërore, kulturore, politike, të ndershme dhe të dobishme për të mirën e vërtetë të bashkësisë, janë probleme që mund të zgjidhen vetëm me virtytin e maturisë, që është udhërrëfyesja e virtyteve të cilat e rregullojnë jetën morale, si individuale ashtu edhe shoqërore. Prandaj, nga ana e katolikëve ky vendim u përket në radhë të parë atyre që jetojnë e veprojnë në sektorët specifikë të bashkëjetesës, në të cilët ato probleme shtrohen, megjithatë gjithmonë në përkim me parimet e të drejtës natyrore, me doktrinën shoqërore të Kishës dhe me udhëzimet e autoritetit kishtar. Në të vërtetë, nuk duhet të harrojmë se i takon Kishës e drejta dhe detyra jo vetëm të mbrojë parimet e rendit etik e fetar, por edhe të ndërhyjë me autoritet pranë bijve të vet në sferën e rendit tokësor, kur bëhet fjalë për të gjykuar mbi zbatimin e atyre parimeve në rastet konkrete.67

 

Gradualiteti

 

86. Nuk mungojnë shpirtra veçanërisht të mbushur me bujari, që, duke u gjendur përballë situatave në të cilat kërkesat e drejtësisë nuk plotësohen apo nuk plotësohen në shkallë të mjaftueshme, ndihen të ndezur prej dëshirës për të përtëritur, duke kapërcyer me një kërcim të vetëm të gjitha etapat; sikur të duan të përdorin diçka që mund t’i përngjasojë revolucionit.

Të mos harrojmë se gradualiteti është ligji i jetës në të gjitha shprehjet e saj; prandaj edhe në institucionet njerëzore nuk është e mundur të përtërihet për mirë përveçse duke vepruar nga brenda tyre gradualisht.

 

“Jo në revolucion – thotë Piu XII – por në një evolucion të bashkërenduar qëndron shpëtimi dhe drejtësia. Dhuna kurrë nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shembur, jo lartësuar; i ka ndezur pasionet, nuk i ka qetësuar; grumbulluar urrejtjen e rrënimet, jo vëllazëruar kundërshtarët; dhe i ka hedhur njerëzit dhe partitë në nevojën e vështirë për të rindërtuar dalngadalë, pas provash të dhimbshme, mbi gërmadhat e përçarjes”.68

 

Një detyrë shumë e madhe

 

87. Të gjithë njerëzve vullnetmirë u takon një detyrë shumë e madhe: detyra për t’i rivendosur marrëdhëniet e bashkëjetesës në të vërtetën, në drejtësinë, në dashurinë, në lirinë: marrëdhëniet e bashkëjetesës mes qenieve njerëzore; mes shtetasve dhe bashkësive përkatëse politike; mes vetë bashkësive politike, mes individëve, familjeve, trupave të ndërmjetëm dhe bashkësive politike nga njëra anë dhe bashkësisë botërore nga ana tjetër. Detyrë shumë fisnike siç është ajo e realizimit të paqes së vërtetë në rendin e vendosur prej Hyjit.

 

88. Sigurisht, ata që punojnë në rivendosjen e marrëdhënieve të jetës shoqërore sipas kritereve të lartpërmendura nuk janë të shumtë; atyre u shkon vlerësimi ynë atëror, ftesa jonë nxitëse për të qenë të qëndrueshëm në veprën e tyre me hov gjithnjë të përtërirë. Dhe na ngushëllon shpresa që numri i tyre të shtohet, sidomos mes besimtarëve. Është një kërkesë e detyrës; është një kërkesë e dashurisë. Çdo besimtar, në këtë botën tonë, duhet të jetë një shkëndijë drite, një qendër dashurie, një tharm gjallërues në brumin: dhe sa më shumë që të jetë i tillë, aq më shumë, në brendësinë e vetvetes, jeton në bashkësi me Hyjin.

Në të vërtetë, nuk ka paqe mes njerëzve nëse nuk ka paqe në secilin prej tyre, pra nëse çdonjëri nuk vendos në vetvete rendin e kërkuar prej Hyjit. “A dëshiron shpirti yt – pyet shën Agostini – t’i mposhtë pasionet e tua? T’i nënshtrohet atij që është lart dhe do ta mposhtë atë që është poshtë. E në ty do të ketë paqe: të vërtetë, të sigurt, shumë të rregullt. Cili është rendi i kësaj paqeje? Hyji i urdhëron shpirtit, shpirti trupit; s’ka gjë më të rregullt”.69

 

Princi i paqes

 

89. Këto fjalë tonat, që kemi dashur t’ua kushtojmë problemeve që e shqetësojnë më shumë familjen njerëzore, në këtë moment, dhe prej zgjidhjes së drejtë të të cilave varet përparimi i rregullt i shoqërisë, janë të diktuara prej një aspirate të thellë, që e dimë se është e përbashkët për të gjithë njerëzit vullnetmirë: përforcimi i paqes në botë.

Si vikar – megjithëse shumë i përvuajtur dhe i padenjë – i Atij që shpallja profetike e quan “Princi i paqes”,70 kemi detyrën t’i shpenzojmë të gjitha energjitë tona për përforcimin e kësaj të mire. Por paqja mbetet vetëm tingull fjalësh, nëse nuk është e themeluar në atë rend që ky dokument ka përvijuar me një shpresë plot besim: rend i themeluar në të vërtetën, i ndërtuar sipas drejtësisë, i gjallëruar dhe i integruar prej dashurisë dhe i zbatuar në liri.

 

90. Kjo është një sipërmarrje aq fisnike dhe e lartë sa forcat njerëzore, edhe pse të frymëzuara nga çdo vullnet i mirë e i lavdërueshëm, nuk munden ta realizojnë  vetëm. Me qëllim që shoqëria njerëzore të jetë një pasqyrim sa më besnik i mbretërisë së Hyjit, është e nevojshme ndihma nga lart. Prandaj lutja jonë këto ditë të shenjta lartësohet më e zjarrtë drejt Atij që e ka mposhtur në mundimet e tij të dhimbshme dhe në vdekje mëkatin, element përçarës dhe bartës të zive e çekuilibreve, si dhe e ka pajtuar njerëzimin me Atin qiellor në gjakun e vet: “Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një… erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat”.71

Dhe në liturgjinë e këtyre ditëve jehon shpallja: «Jezusi, Zoti ynë i ngjallur, duke qëndruar në mes të nxënësve të tij, tha: “Paqja me ju, aleluja”; meqë kishin parë Zotin, nxënësit u gëzuan».72 Ai lë paqen, ai sjell paqen: «Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota».73  Kjo është paqja që i kërkojmë Atij me dëshirën e zjarrtë të lutjes sonë.

 

91. E largoftë Ai prej zemrës së njerëzve atë që mund ta vërë në rrezik; dhe i shndërroftë në dëshmitarë të së vërtetës, të drejtësisë, të dashurisë vëllazërore. I ndriçoftë përgjegjësit e popujve, me qëllim që pranë përkujdesjeve për mirëqenien e duhur të shtetasve të tyre të garantojnë e të mbrojnë dhuratën e madhe të paqes; e ndeztë vullnetin e të gjithëve për t’i kapërcyer pengesat që ndajnë, për të shtuar lidhjet e dashurisë së ndërsjellë, për t’i kuptuar të tjerët, për të falur ata që kanë fyer; në saje të veprimit të tij, u vëllazërofshin të gjithë popujt e tokës dhe lulëzoftë në ta e mbretëroftë gjithmonë shumë e dëshirueshmja paqe.

Në peng të kësaj paqeje dhe me dëshirën që ajo të rrezatojë në bashkësitë e krishtera të besuara juve, veçanërisht në dobi të më të përvuajturve e më nevojtarëve për ndihmë e mbrojtje, jemi të lumtur t’ju japim juve, vëllezër të nderuar, dhe meshtarëve të klerit shekullar e rregulltar, rregulltarëve e rregulltareve dhe besimtarëve të dioqezave tuaja, veçanërisht atyre që do të kushtojnë çdo angazhim për të vënë në jetë nxitjet tona, bekimin apostolik, që tërheq të mirat qiellore.

Së fundi, për të gjithë njerëzit vullnetmirë,   të cilëve u drejtohet edhe kjo letër e jona enciklike, i kërkojmë Hyjit të Tejetlartë shëndet e mbarësi.

 

Dhënë në Romë, pranë Sh. Pjetrit, më 11 prill 1963.

 

Papa Gjoni XXIII

 

 

 

 

Bibliografi

 

1. (Ps 8, 1).

2  (Ps 104, 24).

(Krh. Zan 1, 26).

4  (Ps 8, 5-6).

5  (Rom 2, 15).

6  Krh. Ps 18, 8-11.

7  Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

8  Krh. Enc. Divini Redemptoris e Piut XI.

9  Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

10 Divinae institutionis, lib. IV, c.28, 2 PL,  6, 535.

11 Enc. Libertas Praestantissimum e Leonit XIII.

12 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

13 Krh. Enc. Casti Connubii e Piut XI.

14 Krh. Radiomesazhi i Rrëshajëve i Piut XII, 1941.

15 Krh. Enc. Rerum Novarum e Leonit XIII.

16 Krh. Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

17 Krh. Radiomesazhi i Rrëshajëve i Piut XII.

18 Krh. Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

19 Krh. po aty, p. t.  430.

20 Krh. Enc. Rerum Novarum e Leonit XIII.

21 Krh. Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

22 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1952.

23 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1944.

24 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

25 Ef. 4, 25.

26 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

27 Summa Theol., I-II, q. 19, a. 4; krh. a.9.

28 Rom 13, 1-6.

29 Në Letrën drejtuar Romakëve,13, rr. 1-2, homil XXIII:

     PG 60, 61.

30 Enc. Immortale Dei e Leonit XIII.

31 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1944.

32 Krh. Enc. Diuturnum illud e Leonit XIII.

33  Krh. po aty, fq. 278; dhe Enc. Immoratle Dei e Leonit

    XIII.

34 Vap 5, 29.

35 Summa Theol., I-II, q. 93, a. 3 ad 2.

36 Krh. Enc. Diturnum illud e Leonit XIII.

37 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

38 Krh. Enc. Summi Pontificatus e Piut XII.

39 Krh. Enc. Mit brennender Sorge e Piut XI.

40 Enc. Immortale Dei e Leonit XIII, Acta Leonis.

41 Krh. Enc. Rerum Novarum e Leonit XIII.

42 Krh. Enc. Summi Pontificatus e Piut XII.

43 Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

44 Krh. Enc. Quadragesimo anno e Piut XI.

45  Krh. Piu XII, Radiomesazhi, 1 qershor 1941.

46 Krh. Enc. Mit brennender Sorge e Piut XI.

47 Krh. Enc. Divini Redemptoris e Piut XI.

48 Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

49 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

50 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1944.

51 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1942.

52 Krh. Let. Apost. Annum ingressi e Leonit XIII.

53 Urt 6, 2-4.

54 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1941.

55 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1940.

56 De Civitate Dei, lib. IV, c. 4; PL, 41, 115; krh.

     Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1939.

57 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1941.

58 Krh. Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

59 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1941.

60 Krh. Radiomesazhi  i Piut XII, 24 gusht 1939.

61 Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

62 Krh. Radiomesazhi i Krishtlindjes i Piut XII, 1941.

63 Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

64 Krh. Fjalimi drejtuar të rinjve të V. K. I. nga Piu XII, 12.

65 Krh. Enc. Mater et Magistra e Gjonit XXIII.

66 Po aty, fq. 456.

67 Po aty, 456; krh. Enc. Immortale Dei e Leonit XII; Enc,

     Ubi Arcano e Piut XI, 1922.

68 Krh. Fjalimi drejtuar punëtorëve italianë i Piut XII.

69 Miscellanea Augustinianae.

70 Krh. Is 9, 6.

71 Ef. 3, 14-17.

72 Resp ad Mat., in feria Vi infra oct. Paschae.

73 Gjn 14, 27.  

 

 

titujt kryesore

 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster