|
|
Sa përkujtime në këtë vizitë të Benediktit
XVI në Republikën Çeke, vizita e katërt e një Pape në kombin ku të
krishterët janë një pakicë dhe ku 66% e popullsisë e shpall veten si
ateiste apo, ndoshta, agnostike. Është një udhëtim që bëhet në prag të
kremtimeve për 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, të ribashkimit
të dy “Gjermanive”, të ardhjes së demokracisë në këto kombe një herë e
një kohë nën ndikimin e Moskës; është një udhëtim që përkujton 20
vjetorin e vizitës së parë të një Pape, Gjon Palit II, në Republikën
Çeko-sllovake, ende të bashkuar. Kjo vizitë na kujton se kanë kaluar 10
vjet pas Sinodit të dytë të Evropës – tetor 1999 – që vijonte
reflektimet e nisura qysh prej vitit 1991 të kumtuara nga papa Vojtila
në Velehrad në prill të vitit 1990, pas rënies së Murit të Berlinit.
Dhe është pikërisht përkujtimi, që shërben
si sfond i vizitës që Benedikti XVI e vë nën shenjën e shpresës.
Përkujtim i atyre rrënjëve të krishtera të Evropës që nuk mund të
harrohen: në një kontinent që vazhdon t’i nënshtrohet shumë ndryshimeve,
edhe në Vende si Republika Çeke ku ekziston “një tranzicion i vështirë,
por prodhues, drejt strukturave politike më pjesëmarrëse”, sot janë duke
u bërë, nën forma të ndryshme, “përpjekje që kanë prirje ta mënjanojnë
ndikimin e krishterimit në jetën publike”, ndonjëherë duke pohuar se
“mësimet e saj janë të dëmshme për të mirën e shoqërisë”.
Nëse Papa Vojtila fliste për një Evropë të
bashkuar nga Atlantiku deri në Urale, e aftë për të marrë frymë me dy
mushkëri – Kishat Perëndimore dhe Lindore – dhe për ta ndërtuar të
ardhmen e saj mbi rrënjë të përbashkëta të krishtera, papa Benedikti XVI
jo vetëm i bën të vetat këto pohime, por shkon përtej duke thënë se nuk
është aspak e vërtetë se rrënjët e krishtera “janë fishkur prej kohësh:
përkundrazi, ato vazhdojnë, në mënyrë të dobët, por në të njëjtën kohë
pjellore, për t’i dhënë Kontinentit mbështetjen shpirtërore dhe morale
që mundëson krijimin e një dialogu domethënës me persona të kulturave
dhe të religjioneve të ndryshme”.
Kur Evropa vihet në dëgjim të historisë së
Krishterimit, pohon përsëri Papa, “dëgjon vetë historinë e saj: nocionet
e saj të drejtësisë, të lirisë dhe të përgjegjësisë sociale, së bashku
me institucionet kulturore dhe juridike të caktuara për t’i mbrojtur
këto ide dhe për t’ua përçuar brezave të ardhshëm, janë të plazmuara nga
trashëgimia e saj e krishterë”. Një përkujtim i të kaluarës, që
“gjallëron aspiratat e saj për të ardhmen”.
Për këtë thotë Papa, në Meshën e kremtuar
në Brno në sheshin përpara aeroportit, kur njerëzit e largojnë Hyjin nga
horizonti i tyre, nga zgjedhjet dhe nga veprimet e tyre, mund të arrijnë
deri tek ato “absurditete” që “përvoja e historisë tregon”. Janë të
pranishëm rreth 40 kardinalë e ipeshkij, është edhe arqipeshkvi i Vjenës,
Schönborn, i Krakovisë, Dzieisz, ipeshkvijtë e Kishave të ritit lindor,
rreth një mijë meshtarë në kremtimet që u bënë në kryeqytetin e Moravisë.
Papa u kujton se “nuk është e lehtë të ndërtosh një shoqëri të frymëzuar
nga vlerat e të mirës, të drejtësisë dhe të vëllazërisë, sepse qenia
njerëzore është e lirë dhe liria e tij mbetet e brishtë. Atëherë liria
duhet të fitohet vazhdimisht për të mirën dhe për kërkimin jo të lehtë
të sistemeve të drejta për gjërat njerëzore është një detyrë që i përket
të gjitha breznive”.
Janë të pranishëm të rinj dhe të rritur,
shumë prej të cilëve të veshur me kostume popullore; Mesha kremtohet
përpara një turme të madhe, me persona të ardhur nga Polonia, Austria,
Gjermania, Sllovakia. Papa u prit me tingullin e këmbanave të
Kështjellës gotike të Spilbergut, atë të “Burgjet e mia” të Silvio
Pellico-s; në kujtim të tij mbi altar është vënë statuja e çmueshme e
Virgjërës Mari të Turanit, që, sipas traditës, është sjellë në Moravinë
e Madhe nga Cirili e Metodi apostuj, ungjillëzues të popujve sllavë.
Përkujtim dhe shpresë. Republika Çeke
pohon Papa, është duke jetuar “një gjendje kulturore që paraqes shpesh
një sfidë rrënjësore për fenë dhe, pra, edhe për shpresën. Në fakt si
feja ashtu edhe shpresa, në epokën moderne, kanë pësuar një si
zhvendosje, sepse janë kyçur në planin privat dhe ultraterren, ndërsa në
jetën konkrete dhe publike është përhapur besimi në përparimin shkencor
dhe ekonomik”. por ky përparim, kujton Papa Benedikti, është “i
dyvlershëm”, hap “mundësi të mire së bashku me perspektiva negative”.
Njeriu “ka nevojë të lirohet nga mungesat materiale, por duhet të
shpëtohet, dhe më thellë, nga të këqijat që mundojnë shpirtin”. Dhe ja
ku është shpresa, “shpresa e qëndrueshme”: Krishti. “Këtu, ashtu si edhe
tjetërkund, në shekujt e kaluar shumë vetë kanë vuajtur për t’i qëndruar
besnikë Ungjillit dhe nuk e kanë humbur shpresën; shumë vetë janë
flijuar për t’i ridhënë dinjitet njeriut dhe liri popujve, duke gjetur
në bashkëngjitjen bujare me Krishtin forcën për të ndërtuar një njerëzim
të ri. E megjithatë në shoqërinë e sotme, ku shumë forma varfërie lindin
nga izolimi, nga të gjenit jo të dashur, nga mospranimi i Hyjit dhe nga
një mbyllje zanafillore tragjike e njeriut që mendon se mund t’i
mjaftojë vetvetes, ose që është thjeshtë një fakt pa kuptim dhe kalimtar;
në këtë botën tonë, që tjetërsohet kur i besohet projekteve vetëm
njerëzore, pasi vetëm Krishti mund të jetë shpresa jonë e sigurt”.
Përkujtim dhe shpresë. Është e vështirë të
besosh se kanë kaluar vetëm 20 vjet nga rënia e regjimeve të mëparshme.
Shumë shpresa kishin filluar të lindnin. Liria e rifituar dukej një tokë
pjellore mbi të cilën mund të rriteshin breznitë e reja në një klimë
pjesëmarrjeje më të madhe. Në këtë periudhë, “të krishterët janë
bashkuar me njerëz të tjerë vullnetmirë për të ndihmuar në krijimin e
një rendi politik të drejtë dhe për t’u angazhuar sërish në dialogun për
të hapur udhë të reja drejt mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit
për të arritur paqen dhe përparimit të së mirës të përbashkët”.
Pas rënies së totalitarizmit politik, sot,
Papa kështu i drejtohet botës së kulturës, “ushtrimi i arsyes dhe
kërkimi akademik a janë të shtrënguar – në mënyrë të hollë dhe
ndonjëherë edhe jo aq të hollë – për t’u përkulur përpara presionit të
grupeve të interesit ideologjik dhe ndaj thirrjeve me objektiva
utilitaristike afatshkurtra apo vetëm pragmatike? Çfarë do të mund të
ndodhte nëse kultura jonë do të duhej ta ndërtonte veten e vet vetëm mbi
argumente të modës, me referime të pakta ndaj një kulture tradicionale
intelektuale historike të vërtetë apo mbi bindje që nxiten duke bërë
shumë zhurmë dhe që financohen tejet shumë? Çfarë do të mund të ndodhte
nëse, në ankthin e ruajtjes së një shekullarizimi rrënjësor, të arrinte
të ndahej nga rrënjët që i japin jetë? Shoqëritë tona nuk do të bëhen më
të arsyeshme apo më tolerante apo më të buta, por do të jenë më të
brishta dhe më pak përfshirëse dhe do të mundohen e lodhen gjithnjë e më
shumë për të njohur atë që është e vërtetë, e fisshme dhe e mirë”.
Fabio Zavattaro
titujt kryesorë
|
|