|
|
Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion – Tel
Aviv,
E premte, 15 maj 2009
Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,
ndërsa po përgatitem të
kthehem në Romë, dëshiroj të bashkëndaj me ju disa përshtypje të forta
që ky shtegtim në Tokën e Shenjtë ka ngjallur në mua. Kam pasur bisedime
të frytshme me autoritetet civile qoftë në Izrael qoftë në Territoret
Palestineze, dhe kam asistuar në përpjekjet e mëdha që të dy qeveritë
bëjnë për të garantuar mirëqenien e popullit. Kam takuar përgjegjës të
Kishës katolike në Tokën e Shenjtë dhe kam ndier gëzim duke parë mënyrën
me të cilën veprojnë së bashku për t'u kujdesur për grigjën e Zotit. Kam
pasur edhe mundësinë të takoj përgjegjës të Kishave të ndryshme të
krishtera, të bashkësive kishtare dhe të besimeve të tjera në Tokën e
Shenjtë. Kjo tokë faktikisht është një terren pjellor për ekumenizmin
dhe për dialogun ndërfetar. Lutem që larmia e pasur e dëshmive fetare të
pranishme në këtë zonë të sjellë fryte të një kuptimi dhe të një
respekti të ndërsjellë gjithnjë në rritje.
Zotëri President, ju dhe unë kemi mbjellë
një pemë ulliri pranë banesës suaj ditën e arritjes sime në Izrael.
Sikurse e dini, pema e ullirit është një shëmbëlltyrë që shën Pali
përdor për të përshkruar marrëdhënien shumë të ngushtë mes të
krishterëve dhe hebrenjve. Në Letrën drejtuar Romakëve, Pali përshkruan
mënyrën me të cilën Kisha e paganëve është si një ulli i egër i shartuar
në një ulli të kultivuar që është Populli i Besëlidhjes (krh. 11,
17-24). Na ushqejnë të njëjtat rrënjë shpirtërore. Takohemi si vëllezër,
që, nganjëherë, gjatë historisë sonë, kanë pasur një marrëdhënie të
tendosur, por që tani janë vendosmërisht të angazhuar për të ndërtuar
ura miqësie të qëndrueshme.
Ceremoninë
pranë Pallatit Presidencial e ka pasuar njëri ndër momentet më solemne
të qëndrimit tim në Izrael, vizita ime në Memorialin e Holokaustit “Yad
Vashem”, ku kam takuar disa të mbijetuar që kanë vuajtur prej të
këqijave të Shoah-ut. Ato takime thellësisht prekës më kanë kujtuar
vizitën e tri vjetëve më parë në kampin e përqendrimit të Aushvicit, ku
aq shumë hebrenj, nëna, baballarë, bashkëshortë, bashkëshorte, vëllezër,
motra, miq, qenë vrarë në mënyrë brutale nën një regjim pa Zot që
përhapte një ideologji antisemitizmi dhe urrejtjeje.
Ai kapitull i llahtarshëm i historisë
nuk duhet harruar apo mohuar kurrë. Përkundrazi, ato kujtime të
trishtuara do të duhej ta përforconin vendosmërinë tonë për t'u afruar
me njëri-tjetrin si degë të të njëjtës pemë ulliri, të ushqyera prej të
njëjtave rrënjë dhe të bashkuar prej dashurisë vëllazërore.
Zoti
President, ju falënderoj për ngrohtësinë e mikpritjes suaj, shumë të
çmuar, dhe dëshiroj të kujtoj se kam ardhur ta vizitoj këtë Vend si mik
i izraelianëve dhe si mik i popullit palestinez. Miqve u pëlqen të
kalojnë kohë në shoqëri të njëri-tjetrit dhe ndiejnë një turbullim të
thellë kur shohin vuajtjen e ndërsjellë. Asnjë mik i izraelianëve dhe i
palestinezëve nuk mund të mos vërejë me trishtim tensionin e vazhdueshëm
mes popujve tuaj. Asnjë mik nuk mund të mos qajë për vuajtjen dhe
humbjen e jetëve që të dy popujt kanë pësuar në gjashtë dhjetëvjeçarët e
fundit. Më lejoni t'ia bëj këtë thirrje të gjithë njerëzve të këtyre
tokave: Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më luftime! Kurrë më terrorizëm!
Kurrë më luftëra! Përkundrazi, të mundohemi ta prishim rrethin vicioz të
dhunës! Le të bëjmë që të ketë një paqe të qëndrueshme të bazuar në
drejësinë, që të ketë pajtim dhe shërim të përnjëmendtë! Që të njihet
universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtën të ekzistojë dhe të
gëzojë paqen e sigurinë brenda kufijve të njohur në nivel ndërkombëtar!
Të pranohet po ashtu se populli palestinez ka të drejtën për një atdhe
të pavarur e sovran, të jetojë me dinjitet dhe të udhëtojë lirisht! Bëni
që zgjidhja e dy-shteteve të bëhet realitet, të mos mbetet një ëndërr!
Le të bëjmë që paqja të përhapet në këto toka! Që ato të jenë “drita e
kombeve” (Is 42,6), kështu që t'u sjellin shpresë edhe shumë zonave të
tjera të goditura prej konfliktit!
Gjatë
vizitës sime në këto toka, njëra prej shëmbëlltyrave më të trishtuara
për mua ka qenë ajo e murit. Duke kaluar pranë tij, jam lutur për një të
ardhme në të cilën popujt e Tokës së Shenjtë të mund të jetojnë së
bashku në paqe e në harmoni pa nevojën për këto mjete sigurie e ndarjeje,
por duke e respektuar njëri-tjetrin, duke pasur besim në njëri-tjetrin
dhe duke hequr dorë prej të gjitha formave të dhunës e të agresionit.
Zoti President, e di se sa e vështirë do të
jetë të arrihet ky objektiv. E di se sa e vështirë është detyra juaj dhe
ajo e Autoritetit Palestinez. Megjithatë, ju siguroj se lutjet e mia dhe
ato të katolikëve në të gjithë botën janë me ju ndërsa i vazhdoni
përpjekjet tuaja për të ndërtuar një paqe të drejtë e të qëndrueshme në
këtë zonë.
Më
mbetet vetëm t'u shpreh falënderimin tim të sinqertë të gjithë atyre që
kanë ndihmuar në shumë mënyra për zhvillimin e qetë të vizitës sime.
Qeverisë, organizatorëve, vullnetarëve, mediave dhe të gjithë atyre që
më kanë dhënë mikpritje mua dhe atyre që më shoqërojnë, jam thellësisht
mirënjohës. Të jeni të sigurtë se do të kujtoheni me dashuri në lutjet e
mia. Juve të gjithëve ju them:
Faleminderit, dhe Zoti qoftë me ju. Shalom!
titujt kryesorë |
|