ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

PROCESIONI “AUX FLAMBEAUX”

 

HOMELIA E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI

 

Lurd, Sheshi i Rruzares, e shtunë 13 shtator 2008

 

 

I dashur Imzot Perrier, Ipeshkëv i Tarbes dhe i Lurdit,

Të dashur Vëllezër në Ipeshkvni dhe në Meshtari,

Të dashur shtegtarë, të dashur vëllezër e motra!

 

Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, më 11 shkurt 1858, në këtë vend i quajtur Shpella e Masabjelës, në rrethinë, një vajzë e thjeshtë e Lurdit, Berdadette Soubirous, pa një dritë dhe, brenda kësaj drite, një grua të re “të bukur, të bukur, mbi çdo gjë”. Kjo Zonjë iu drejtua asaj më mirësi dhe ëmbëlsi, me respekt dhe besim. “Ajo më drejtohej me ju” (tregonte ajo) . A mund të më bëni nderin të vini këtu gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të ardhshme? (e pyeti Zonja) . Ajo më shihte si një njeri që i flet një njeriu tjetër”. Dhe në këtë bashkëbisedim, në këtë dialog plot mirësjellje, Zonja e ngarkon të përcjellë disa mesazhe shumë të thjeshta mbi lutjen, pendesën dhe kthimin. Nuk mrekullohet prej faktit se Maria është e bukur, meqë, në shfaqjen e datës 25 mars 1858, ajo e shpall kështu emrin e saj: “Unë jam Zoja e Papërlyer”.

 

Ta shikojmë këtë “Grua të veshur me diell” (Zb 12, 1), që na përshkruan Shkrimi i Shenjtë. Shenjtja Mari, Gruaja e lavdishme e Zbulesës, mban në kokë një kurorë me 12 yje, që përfaqësojnë 12 fiset e Izraelit, gjithë popullin e Hyjit, gjithë bashkësinë e shenjtërve, dhe në të njëjtën kohë, në këmbët e saj, hënën, imazh i vdekjes dhe i vdekshmërisë. Maria e ka lënë vdekjen pas vetes; është veshur krejtësisht me jetë, me jetën e të Birit, të Krishtit të ngjallur. Ajo është kështu shenja e fitores së dashurisë, të së mirës së Hyjit, që i dhuron botës sonë shpresën për të cilën ajo ka nevojë. Sonte ta drejtojmë shikimin tonë drejt Marisë, kaq të lavdishme dhe kaq njerëzore, dhe ta lëmë atë të na drejtojë drejt Hyjit, që është fituesi.

 

Shumë persona kanë dëshmuar: takimi me fytyrën e shndritshme të Bernardetës ta trondiste zemrën dhe shikimin. Si gjatë shfaqjeve, ashtu edhe kur tregonte, fytyra e saj rrezatonte. Tashmë brenda Bernardetës banonte drita e Masabjelës. Jeta e përditshme e familjes Soubirous, gjithsesi ishte e veshur me mjerim dhe trishtim, me sëmundje dhe moskuptime, refuzim dhe varfëri. Edhe pse nuk mungonin dashuria dhe ngrohtësia në marrëdhëniet familjare, ishte e vështirë të jetohej në “cachot” (“burg”). Por hijet e tokës nuk e kanë ndaluar shkëlqimin e dritës së qiellit: “Drita shndriti në errësirë.” (Gjn 1, 5).

 

Lurdi është njëri nga ato vende që Hyji ka zgjedhur për të bërë të shndrijë një rreze e veçantë e bukurisë së Tij; prej këtu rrjedh rëndësia që merr simboli i dritës këtu. Duke nisur nga shfaqja e katërt Bernardeta, kur mbërrinte tek shpella, ndizte çdo ditë një qiri të bekuar dhe e mbante në dorën e majtë, derisa i shfaqej Virgjëra. Shumë shpejt, pati njerëz që i besonin Bernardetës një qiri që ta ngulte në tokë në fund të shpellës. Brenda një kohe të shkurtër njerëz të tjerë vendosën qirinj në atë vend drite dhe paqeje. Vetë Nëna e Hyjit bëri të ditur se i pëlqente dhurata prekëse e atyre mijëra qirinjve, që prej asaj kohe shndritnin pa ndërprerje, për t’i dhënë lavdi asaj, masën e ngurtë të shfaqjes. Që nga ajo ditë, para shpellës, ditë e natë, si verës, ashtu edhe dimrit, shkëlqen një vend kaçube e ndezur nga lutjet e shtegtarëve dhe të të sëmurëve, që shprehin shqetësimet dhe nevojat e tyre, por mbi të gjitha shprehin besimin dhe shpresën e tyre.

 

Duke ardhur në shtegtim këtu, në Lurd, ne duam të hyjmë, në gjurmët e Bernardetës, në atë vazhdimësi të mrekullueshme mes qiellit dhe tokës, që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që nuk mbaron së përforcuari. Gjatë shfaqjeve duhet thënë se Bernardeta thoshte Rruzaren përpara Marisë, që bashkohet me të në momentin e doksologjisë. Ky fakt konfirmon karakterin thellësisht teocentrik të lutjes së Rruzares. Kur themi Rruzaren, Maria na dhuron zemrën dhe shikimin e saj për të soditur jetën e Birit të saj, Krishtit Jezus. Paraardhësi im i nderuar Gjon Pali i II ka ardhur dy herë këtu, në Lurd. Ne e dimë se sa, në jetën dhe në shërbesën e tij, lutja mbështetej në ndërmjetësinë e Virgjërës Mari. Si shumë paraardhës së tij në Selinë e Pjetrit, edhe ai inkurajoi gjallërisht lutjen e Rruzares; e bëri, mes të tjerash, në një mënyrë krejt të veçantë, duke pasuruar Rruzaren me meditimin e Mistereve të Dritës. Këto janë paraqitur, ndër të tjera, në fasadën e Bazilikës në mozaikët e rinj, të inauguruar vitin e kaluar. Si për të gjitha ndodhitë e jetës së Krishtit, që ajo “i shoshiste në zemrën e vet” (Lk 2, 19), Maria na bën të kuptojmë të gjitha etapat e shërbesës publike si pjesë integruese e zbulimit të Lavdisë së Hyjit. Lurdi, toka e dritës, vazhdoftë të jetë një shkollë për të mësuar thënien e Rruzares, që i fut nxënësit e Jezusit, në sytë e Nënës së Tij, në një dialog autentik dhe të përzemërt me Mësuesin e tij!

 

Nëpërmjet gojës së Bernardetës ne dëgjojmë Virgjërën Mari që na kërkon të vimë këtu në procesion për t’u lutur me thjeshtësi dhe afsh. Procesioni “aux flambeaux” ia përkthen syve tanë prej mishi misterin e lutjes: në bashkësinë e Kishës, që bashkon të zgjedhurit e qiellit dhe shtegtarët e tokës, drita buron nga dialogu mes njeriut dhe Zotit të tij dhe një rrugë e shndritshme hapet në historinë e njerëzve, përfshi edhe momentet më të errëta. Ky Procesion është një moment gëzimi të madh kishtar, por edhe një kohë reflektimi të thjeshtë: qëllimet që kemi brenda nesh theksojnë bashkësinë tonë të thellë me të gjithë ata që vuajnë. Le të mendojmë për viktimat e pafajshme që pësojnë dhunën, luftën, terrorizmin, urinë ose që vuajnë pasojat e padrejtësive, të fshikullimeve dhe të fatkeqësive natyrore, të urrejtjes dhe të shtypjes, të atentateve drejt identitetit të tyre njerëzore dhe të drejtave të tyre themelore, lirisë së tyre të veprimit dhe të mendimit.

Të mendojmë edhe për ata që përjetojnë probleme familjare ose që vuajnë si pasojë e papunësisë, të sëmundjes, të vetmisë, të situatës së tyre si emigrantë. Gjithashtu nuk dua të harroj edhe ata që vuajnë për shkakt të emrit të Krishtit dhe që vdesin për Të.

 

Maria na mëson të lutemi dhe ta bëjmë lutjen tonë një akt dashurie për Hyjin dhe për vëllezërit. Duke u lutur me Marinë, zemra jonë mirëpret ata që vuajnë. Si rrjedhojë, si është e mundur që jeta jonë të mos shndërrohet? Pse vetja jonë dhe krejt jeta jonë nuk duhet të bëhen vende mikpritjeje për të afërmin tonë? Lurdi është një vend drite, sepse është një vend bashkimi, shprese dhe kthimi.

 

Tani që bie nata Jezusi na thotë: “Mbani llambat tuaja të ndezura” (krh. Lk 12, 35): llamba e fesë, llamba e lutjes, llamba e shpresës dhe e dashurisë! Kjo e ecur natën, duke mbajtur dritën, na flet me forcë brenda nesh, na prek zemrën tonë dhe na thotë shumë më tepër se çdo fjalë tjetër e thënë ose e nënkuptuar. Ky gjest përmbledh në vetvete gjendjen tonë të krishterë në ecje: kemi nevojë për dritë dhe, në të njëjtën kohë, jemi të thirrur të bëhemi dritë. Mëkati na bën të verbër, na pengon të bëhemi udhërrëfyes për vëllezërit tanë, dhe na shtyn të mos i besojmë atyre dhe të mos lejojmë të na drejtojnë. Kemi nevojë të jemi të ndriçuar dhe të përsërisim lutjen e Bartimeut të verbër: “Mësues, bëj që unë të shoh!” (Mk 10, 51). Bëj që unë të shoh mëkatin tim që më pengon, por mbi të gjitha: O Zot, bëj që unë të shoh lavdinë tënde! E dimë: lutja jonë është plotësuar dhe ne thurim lavdi, sepse, siç thotë Shën Pali në Letrën drejtuar Efesianëve: “Krishti do të të shndrisë” (Ef 5, 14), dhe shën Pjetri shton: “Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pjt 2, 9).

 

Neve që nuk jemi drita, Krishti mund të na thotë tashmë: “Ju jeni drita e botës” (Mt 5, 14), duke na besuar kujdesin për të bërë të shndrisë drita e mëshirës. Siç shkruan Shën Gjoni apostull: “Kush e do vëllanë e vet, ai është vazhdimisht në dritë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë” (1 Gjn 2, 10). Të jetosh dashurinë e krishterë është të bësh të hyjë drita e Hyjit në botë dhe, në të njëjtën kohë, t’i tregohet burimi i vërtetë. Shën Luani i Madh shkruan: “Kushdo, në fakt, jeton plotësisht dhe dëlirësisht në Kishë, kush mendon për gjërat atje lart, jo të atyre të tokës (krh. Kol 3, 2), është në njëfarë mënyre i ngjashëm me dritën qiellore; ndërkohë që realizon ai vetë shkëlqimin e një jete të shenjtë, i tregon shumë vetave, si një yll, rrugën që të drejton nga Hyji” (Serm. III, 5).

 

Në këtë shenjtërore të Lurdit, drejt të cilës të krishterët e botës e drejtojnë shikimin që kur Virgjëra Mari ju ka bërë të shkëlqejë shpresa dhe dashuria, duke i dhuruar të sëmurëve, të varfërve dhe të vegjëlve vendin e parë, jemi të ftuar të zbulojmë thjeshtësinë e thirrjes sonë: në të vërtetë, mjafton të duash.

 

Nesër kremtimi i Lartësimit të Kryqit të Shenjtë do të na bëjë të hymë pikërisht në zemrën e këtij misteri. Në këtë lutje, shikimi ynë drejtohet drejt shenjës së Besëlidhjes së re drejt të cilës e gjithë jeta e Jezusit konvergon. Kryqi përbën aktin suprem dhe të përsorur të dashurisë së Jezusit, që dhuron jetën për miqtë e Tij. “Ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojnë në të ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 14-15).

 

E lajmëruar në Këngët e Shërbëtorit të Hyjit, vdekja e Jezusit është një vdekje që bëhet dritë për të gjithë popujt; është një vdekje që, në lidhje me liturgjinë e shlyerjes, sjell pajtimin, një vdekje që shënon fundin e vdekjes. Që atëherë Kryqi është shenjë shprese, flamur i fitores së Jezusit, sepse “Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 16). Nëpërmjet Kryqit krejt jeta jonë merr dritë, forcë e shpresë. Me të është shfaqur gjithë thellësia e dashurisë e përmbajtur në projektin zanafillor të Krijuesit; me të, gjithçka është shëruar dhe përmbushur. Për këtë arsye jeta në Krishtin e vdekur dhe të ngjallur bëhet dritë.

 

Shfaqjet ishin të rrethuara me dritë dhe Hyji ka dashur të ndezë në shikimin e Bernardetës një flakë që ka kthyer shumë zemra. Sa persona vijnë këtu për të parë, duke shpresuar ndoshta në mënyrë të fshehtë të marrin ndonjë mrekulli; pastaj, mbi rrugën e kthimit, pasi kanë bërë një përvojë shpirtërore jete autentike kishtare, ndryshojnë shikimin e tyre mbi Hyjin, mbi të tjerët dhe mbi veten e vet. Një flakë e vogël e quajtur shpresë, dhembshuri, ngrohtësi jeton në ta. Takimi me Bernardetën dhe me Virgjërën Mari mund ta ndryshojë një jetë, sepse ato janë të pranishme, në këtë vend të Masabjelës, për të na çuar tek Krishti, i cili është jeta jonë, forca jonë, drita jonë. Virgjëra Mari dhe shenjtja Bernardetë ju ndihmofshin të jetoni si bij të dritës për të dëshmuar, çdo ditë të jetës suaj, që Krishti është drita jonë, shpresa jonë, jeta jona!

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster