|
|
PROCESIONI EUKARISTIK NË PRERE
MEDITIMI I
ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI
Lourd, E diel 14
shtator 2008
Zot Jezus, Ti je këtu!
Dhe ju, vëllezërit e mi,
motrat e mia, miqtë e mi, edhe ju gjithashtu jeni këtu, me mua, përpara
Atij!
O Zot, kanë kaluar
dy mijë vjet. Ti ke pranuar të vihesh në kryqin e poshtërimit për t’u
ngjallur dhe për të qëndruar gjithmonë me ne, vëllezërit e Tu, motrat e
Tua. E ju, vëllezërit e mi, motrat e mia, miqtë e mi, ju pranoni ta lini
veten të kapeni prej Tij. Ne e sodisim atë. Ne e adhurojmë atë. Ne e
duam atë. E përpiqemi ta duam gjithnjë e më shumë. Ne e sodisim atë që,
gjatë darkës së Pashkëve, ia ka dhuruar trupin dhe gjakun e Tij
nxënësve, për të qenë me ta “unë
jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”
(Mt 28, 20).
Ne adhurojmë Atë që është
fillimi dhe fundi i fesë sonë, Atë pa të cilin ne nuk do të ishim këtu
sonte. Atë pa të cilin ne nuk do të ishim aspak. Atë pa të cilin asgjë
nuk do të ishte, asgjë, absolutisht asgjë! Ai përmes të cilit “u bë çdo
gjë” (Gjn 1, 3), Ai në të cilin ne jemi krijuar, për amshim, Ai që na ka
dhënë Trupin e Gjakun e Tij, Ai është këtu, sonte, përpara nesh, që ne
të mund ta shohim.
Ne duam - dhe
kërkojmë ta duam më shumë - Atë që është këtu, përpara nesh,
që ne të mund ta shohim,
për pyetjet tona, ndoshta, për dashurinë tonë.
Si në qoftë se ecim, ashtu
edhe nëse jemi të gozhduar në një shtrat dhimbjesh - si në qoftë se ecim
në gëzim ose jemi në shkretëtirën e shpirtit (krh. Num 21, 5), o Zot, na
merr të gjithëve në Dashurinë Tënde: në dashurinë e pafundme, që është
përjetësisht ajo e Atit për të Birin dhe e të Birit për Atin, ajo e Atit
dhe e Birit për Shpirtin Shenjt dhe e ajo e Shpirtit Shenjt për Atin dhe
për Birin.
Ostja e shenjtë, të cilën
ne e shihim me sytë tonë, e shpreh këtë fuqi të pafund të Dashurisë së
shfaqur në Kryqin e lavdishëm. Ostja e shenjtë na tregon përultësinë e
pabesueshme të Atij që është bërë i varfër për të na bërë të pasur me
Të, të Atij që ka pranuar të humbasë çdo gjë për të na fituar për të
Atin e Tij. Ostja e shenjtë është Sakramenti i gjallë dhe i efektshëm i
pranisë së amshueshme të Shpëtimtarit të njerëzve në Kishën e Tij.
Vëllezërit e mi,
motrat e mia, miqtë e mi, le të pranojmë, pranoni t’i ofroheni Atij që
na ka dhënë gjithçka, që ka ardhur jo për ta gjykuar botën, por për ta
shpëtuar atë (krh. Gjn 3, 17), pranoni ta njihni në jetët tuaja praninë
vepruese të Atij që është këtu i pranishëm,
që ne të mund ta shohim.
Pranoni t’i ofroni Atij jetët tuaja!
Maria, Virgjëra e Shenjtë,
Maria, Ngjizja e Papërlyer, ka besuar, dy mijë vjet më parë, për të
dhuruar gjithçka, për ta ofruar trupin e saj me qëllim që të mikpriste
Trupin e Krijuesit. Gjithçka ka ardhur nga Krishti, edhe Maria; gjithçka
ka ardhur përmes Marisë, edhe vetë Krishti.
Maria, Virgjëra e Shenjtë,
është me ne sonte, përpara trupit të Djalit të saj, njëqind e pesëdhjetë
vjet pasi i është shfaqur Bernardetës së vogël.
Virgjër e shenjtë, na
ndihmo ta sodisim, na ndihmo ta adhurojmë, na ndihmo ta dashurojmë dhe
ta duam më shumë Atë që na ka dashur aq shumë, për të jetuar
përjetësisht me Të.
Një turmë e madhe me
dëshmitarë është e pranishme në mënyrë të padukshme përkrah nesh, afër
kësaj shpelle të bekuar dhe përpara kësaj kishe të dashur nga Virgjëra
Mari; turma e të gjithë burrave e të gjitha grave që kanë soditur,
nderuar, adhuruar praninë reale të Atij që na është dhuruar neve deri në
pikën e fundit të gjakut; turma e burrave dhe e grave që kanë kaluar orë
të tëra duke e adhuruar në të Shenjtërueshmin Sakrament të altarit.
Sonte, ne nuk i shohim,
por i dëgjojmë duke i thënë çdonjërit e çdonjërës prej nesh: «Eja, lëre
veten të tërhiqesh nga Mësuesi! Ai është këtu dhe të thërret! (krh. Gjn
11, 28 ). Ai dëshiron ta marrë jetën tënde dhe ta bashkojë me jetën e
Tij. Lëre veten të tërhiqesh nga Ai! Mos shiko më plagët e tua, shiko
plagët e Tij. Mos shiko atë që të ndan ende nga Ai dhe nga të tjerët;
shiko largësinë e pafund që Ai ka fshirë duke marrë mishin tënd, duke u
ngjitur në Kryqin që i kanë përgatitur njerëzit e duke e lënë veten të
vdesë për të të treguar dashurinë e Tij. Në plagët e Tij Ai të mirëpret;
në plagët e Tij Ai të fsheh ty. Pranoje dashurisë së Tij!».
Turma e madhe e
dëshmitarëve që e ka lënë veten të mbërthehet nga dashuria e Tij është
turma e shenjtërve të qiellit që nuk reshtin së ndërmjetësuari për ne.
Ishin mëkatarë dhe e dinin, por kanë pranuar të mos shikojnë plagët e
tyre, të mos shikojnë plagët e Zotit të tyre, për të zbuluar lavdinë e
Kryqit, për të zbuluar aty fitoren e jetës mbi vdekjen. Shën
Pier-Giuliano Eymard na thotë gjithçka, kur thërret: “Eukaristia e
Shenjtë është Jezu Krishti i kaluar, i tashëm dhe i ardhshëm. (Prediche
e istruzioni parrocchiali dopo il 1856, 4 - 2, 1. Sulla Meditazione).
Jezu Krishti i kaluar, në
të vërtetën historike të darkës së fundit, ku na çon çdo kremtim i
Meshës së shenjtë.
Jezu Krishti i
pranishëm, sepse Ai na thotë: ”Merrni e hani, ky është trupi im, ky
është gjaku im”. ”Ky është”, i pranishëm, këtu e tani, si në të gjitha
“këtu dhe tani”-të e historisë njerëzore. Prani reale, prani që i
tejkalon buzët tona të mjera, zemrat tona të shkreta, mendimet tona të
varfra. Prani që ne të
mund ta shohim si këtu,
sonte, përreth kësaj shpelle ku Maria është shfaqur si Ngjizja e
Papërlyer.
Eukaristia është edhe Jezu
Krishti i ardhshëm, Jezu Krishti që do të vijë. Kur sodisim Osten e
Shenjtë, Trupi i Tij i lavdishëm i shndërruar dhe i ngjallur sodisim atë
që sodisim në amshim, duke zbuluar atyrë botën mbarë të mbështetuar nga
krijuesi i saj në çdo moment të historisë së vet. Çdo herë që ne
ushqehemi me Të, por edhe çdo herë që ne e sodisim, ne e shpallim deri
kur Ai të kthehet: “donec veniat”. Për këtë arsye ne e marrim me respekt
të pafund.
Disa mes nesh nuk mund ose
ende nuk mund ta marrin në Sakrament, por mund ta sodisin me besim e
dashuri, dhe të shprehin dëshirën që më në fund të mund të bashkohen me
Të. Është një dëshirë që ka vlerë të madhe përpara Hyjit: ata presin me
shumë zjarr rikthimin e Tij; presin Jezu Krishtin që duhet të vijë.
Kur një mike i Benardetës,
të nesërmen e kungimit të saj të parë, e pyeti: “për çfarë ke qenë më e
lumtur: për kungimin e parë apo për shfaqjet?”, Bernardeta iu
përgjigjet: janë dy gjëra që shkojnë bashkë, por nuk mund të vihen
përballë njëra-tjetrës. Kam qenë e lumtur në të dy rastet” (Emanuelite
estrade, 4 qershor 1958). Famullitari i saj dëshmoi tek Ipeshkvi i
Tarbës rreth kungimit të saj të parë. Bernardeta ishte shumë e
përqendruar, tejet e kujdesshme. Paraqitej thellësisht e vetëdijshme për
veprimin e shenjtë që po bënte. Çdo gjë ndodhi në të në mënyrë të
mrekullueshme.
Me Pierre - Julien Eymard
e me Bernardetën, ne kërkojmë dëshminë e shumë e shumë shenjtërve e
shenjtëreshave që kanë ushqyer dashurinë më të madhe për Eukaristinë.
Nikolas Kabasilas na thotë neve, sonte: «Në qoftë se Krishti banon në
ne, për çfarë kemi më nevojë? Çfarë na mungon? Në qoftë se rrimë me
Krishtin, çfarë mund të dëshirojmë më shumë? Ai është i ftuari ynë dhe
vendbanimi ynë. Të lumët ne që jemi banesa e Tij. Çfarë gëzimi të jemi
pikërisht ne banesa e një banori të tillë!» (la vie en Jesus Christ,
IV, 6).
I Lumi Sharl dë Fuko lindi
në vitin 1858, në të njëjtin vit me shfaqjet e Lurdit. Jo larg nga trupi
i tij i ngrirë nga vdekja u gjend, si korrka e grurit e hedhur në tokë,
hënëza që mbante të Shenjtërueshmin Sakrament, që vëlla Sharli adhuronte
çdo ditë për orë të tëra. Sharl de Fuko na beson lutjen që i buron nga
intimiteti i zemrës së vet, një lutje që i drejtohet Atit qiellor, por
që, me Jezusin, mundemi ta bëjmë tonën përpara Ostes së Shejtë:
«‘Ati im,
shpirtin tim po ua besoj duarve të Tua’.
Është lutja e fundit e Mësuesit tonë, i të Zgjedhurit tonë..
Shpresoj që të bëhet edhe
lutja jonë dhe mos qoftë vetëm lutja e çasteve të fundit, por lutja e të
gjithë çasteve tona:
“Ati im, po e lë veten në
duart e Tua; Ati im, po ju besohem Juve; Ati im, bëni me mua atë që t’ju
pëlqejë; çdo gjë që të bëni me mua, ju falënderoj: faleminderit për çdo
gjë; jam gati për çdo gjë, pranoj çdo gjë; ju falënderoj për çdo gjë.
Pranoj që vullneti yt të përmbushet në mua, o Zoti im, pranoj që
vullneti yt të përmbushet në të gjitha krijesat e Tua, në të gjithë
bijtë e Tu, në të gjithë ata që zemra Jote do, nuk dëshiroj asgjë
tjetër, o Zoti im; shpirtin tim e vë në duart e Tua; jua dhuroj, o Zoti
im, me gjithë dashurinë e zemrës sime, sepse ju dua dhe është një nevojë
e zemrës sime t’ju dhurohem, të vendosem në duart e Tua, pa masë, me
besim të pafund, sepse ju jeni Ati im».
Të dashur vëllezër e
motra, shtegtarë për një ditë dhe banorë të këtyre anëve, vëllezër
Ipeshkvij, meshtarë, diakonë, besimtarë e besimtare, ju të gjithë që
shikoni përpara syve tuaj përuljen e pafund të Birit të Hyjit dhe
lavdinë e pafund të ngjalljes, qëndroni në heshtje dhe adhuroni Zotin
tuaj, Mësuesin tonë dhe Zotin Jezu Krisht. Rrini në heshtje, pastaj
flisni dhe thoni botës: nuk mund të rrimë më të heshtur për atë që dimë.
Shkoni dhe thoni mbarë botës mrekullitë e Zotit, i pranishëm në çdo
moment të jetëve tona, në çdo vend të tokës. Zoti na bekoftë e na
mbroftë, na udhëheqnë në rrugën e jetës së amshueshme, Ai që është jeta,
për shekuj të shekujve. Amen.
titujt kryesorë
|
|