ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

RERUM NOVARUM

 

 

LETRA ENCIKLIKE MBI ÇËSHTJEN PUNËTORE

E PAPA LEONIT XIII

 

 

Përktheu nga italishtja

ANGJELINA GJEKA

 

Redaktorë

 ATË LELLO LANZILLI SJ

MOTËR DILA SHTJEFNI

 

Faqosja dhe grafika

 LUIGJ MILA

 

 © Copyright 2005

 

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE    

SHKODËR - PULT

 

Shtypur

SHTYPSHKRONJA “VOLAJ” 2005

  

 

 

Paraqitje

 

Lexues i dashur,

 Prej disa vitesh Arqidioqeza jonë, nëpërmjet Caritas-it dioqezan dhe Komisionit Drejtësi e Paqe, është duke mbajtur konferenca që kanë për qëllim të paraqesin mendimin e Kishës në marrëdhënie me jetën shoqërore dhe me tematikat themelore që i përkasin bashkëjetesës njerëzore. Ka ardhur momenti ta bëjmë të njohur në mënyrë të plotë edhe në Shqipëri pasurinë e doktrinës shoqërore të Kishës dhe evolucionin e saj duke nisur nga Enciklika e Papës Leoni XIII “Rerum Novarum” e vitit 1891, “dokumenti i pavdekshëm” siç e ka përkufizuar Papa Piu XI në enciklikën e tij “Quadragesimus Annus”. Dhe “linfa e pasur, që ngjitet prej asaj rrënje, nuk ka shterrur me kalimin e viteve, por është bërë më e frytshme” siç thotë Papa Gjon Pali II. Rerum Novarum është enciklika e parë, të cilën e kanë ndjekur edhe të tjera, që ka ndihmuar për të ndërtuar atë që sot e quajmë “doktrina shoqërore”, “mësimi shoqëror” apo edhe “magjisteri shoqëror” i Kishës.

Gjatë historisë së vet, dhe veçanërisht në njëqind vjetët e fundit, Kisha nuk ka hequr dorë kurrë - sipas fjalëve të Papa Leonit XIII - së thëni “fjalën që i takon” mbi çështjet e jetës shoqërore.

Besoj se njohja nga ana e katolikëve dhe e njerëzve vullnetmirë e parimeve themelore të doktrinës shoqërore të Kishës mund të jetë shumë e dobishme në vendin tonë. Ata do të mund ta orientojnë, në një mënyrë të përshtatshme e të drejtë, angazhimin e të gjithëve në ndërtimin e së mirës, sidomos në këto vite ristrukturimi të jetës shoqërore pas kolektivizimit dhe shtetëzimit të pronës prej diktaturës komuniste dhe me problemet e shumta të lidhura me dinjitetin e punës njerëzore, me urbanizimin, me mungesën e punës dhe me emigrimin e jashtëm e të brendshëm, me problemet e kthimit të pronës pronarëve të ligjshëm, etj.

Duke lexuar Rerum Novarum lexuesi do të zbulojë pasurinë e parimeve themelore të shprehura nga Leoni XIII për zgjidhjen e çështjes punëtore të atëhershme, dhe që janë të vlefshme edhe sot, edhe për shoqërinë tonë shqiptare.

Uroj që përkthimin dhe shtypjen e Rerum Novarum të mund ta ndjekin edhe enciklika të tjera shoqërore, ashtu sikurse edhe botimi i vëllimit “Përmbledhje e doktrinës shoqërore të Kishës” e Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, që ndodhi më 2 prill 2004.

 

 

+ Angelo Massafra

Arqipeshkëv  Metropolit

 Shkodër-Pult

 

HYRJE

 

Arsyeja e enciklikës: Çështja Punëtore*)

 

1. Dëshira e zjarrtë për risi, e cila prej kohësh ka filluar t’i trazojë popujt, natyrisht që prej rendit politik duhej të kalonte në rendin analog të ekonomisë shoqërore. Dhe faktikisht, përparimet e mrekullueshme të arteve dhe metodat e reja të industrisë; marrëdhëniet e ndryshuara mes pronarëve dhe punëtorëve; grumbullimi i pasurisë në pak duar dhe shtrirja e gjerë e varfërisë; vetëdija më e gjallë e klasave punëtore për forcën e tyre dhe bashkimi më i ngushtë mes tyre: kjo tërësi gjërash të cilave u shtohen edhe zakonet e përkeqësuara, kanë bërë që konflikti të shpërthejë. Ai ka një peshë të tillë kaq të madhe sa i mban pezull shpirtrat në një pritje të shqetësuar, dhe mundon mençurinë e të diturve, kongreset e të zgjuarve, asambletë popullore, vendimet e ligjvënësve, këshillat e Princërve: në një mënyrë të tillë sa sot nuk ka çështje tjetër që i intereson botës më shumë. – Prandaj, Të nderuar Vëllezër, herë të tjera, atë që bëmë në të mirë të Kishës dhe për shëlbimin e përgjithshëm, me Letrat Tona Enciklike mbi pushtetet publike, lirinë njerëzore, përbërjen e krishterë të Shteteve dhe argumente të tjera të ngjashme, që na u dukën të përshtatshëm për t’i zhdukur gabimet tragjike, të njëjtën gjë mendojmë se duhet të bëjmë për të njëjtat arsye tani mbi çështjen punëtore. Më se një herë e kemi prekur edhe më parë këtë lëndë, kur na ka ardhur rasti: por vetëdija e Mbarështimit Tonë Apostolik na nxit ta trajtojmë tani me qëllim e plotësisht, që të vëmë në dukje parimet, me të cilat, sipas drejtësisë e paanësisë, duhet të zgjidhet kjo çështje, e cila është e vështirë dhe e rrezikshme. E vështirë, sepse nuk është gjë e lehtë të caktohen kufijtë e saktë në marrëdhëniet mes pronarëve e proletarëve, mes kapitalit e punës. E rrezikshme, sepse njerëz trazues dhe dinakë mendojnë kudo t’i tjetërsojnë gjykimet dhe ta kthejnë vetë çështjen në turbullim të popujve.

 

2. Sidoqoftë, është e qartë, dhe për këtë janë të gjithë të një mendjeje, se është tejet e nevojshme që, pa ngurruar dhe me masat e përshtatshme, t’u dilet në ndihmë proletarëve, që në pjesën më të madhe të tyre gjenden në kushte mjaft të mjera. Në të vërtetë, pasi në shekullin e kaluar janë mbyllur korporatat e arteve dhe zanateve, pa i zëvendësuar me asgjë tjetër, në të njëjtën kohë që institucionet dhe ligjet po largoheshin prej shpirtit të krishterë, ndodhi që pak nga pak punëtorët të mbeteshin vetëm dhe të pambrojtur prej lakmisë së pronarëve dhe të një konkurrence pa fre. Të keqen e shtoi një fajde përpirëse, që, megjithëse është dënuar shumë herë prej Kishës, vazhdon njëlloj, me një ngjyrë tjetër, nëpërmjet spekulluesve të pangopshëm. Shtohet edhe monopoli i prodhimit dhe i tregtisë, aq sa një numër shumë i vogël të stërpasurish i ka imponuar një shumice të pafund proletarësh një zgjedhë pothuajse prej skllevërish.

 

PJESA E PARË

 

SOCIALIZMI, ZGJIDHJE E RREMË

 

Zgjidhja socialiste e papranueshme për punëtorët

 

3. Për t’i shëruar këto çrregullime, socialistët, duke ndezur në të varfërit urrejtjen ndaj të pasurve, pretendojnë se duhet të shfuqizohet prona, dhe të gjitha pasuritë e veçanta të bëhen një pasuri e përbashkët, që duhet të administrohet me anë të bashkisë apo të Shtetit. Me këtë shndërrim të pronës nga personale në kolektive, dhe me shpërndarjen e barabartë të fitimeve dhe të rehative mes shtetasve, mendojnë se e keqja do të ndreqet rrënjësisht. Por kjo rrugë, në vend që ta zgjidhë çështjen, nuk bën gjë tjetër veçse i dëmton vetë punëtorët; dhe për më tepër, është e padrejtë për shumë arsye, pasi shkel të drejtat e pronarëve të ligjshëm, tjetërson kompetencat dhe detyrat e Shtetit dhe trazon tërë rendin shoqëror.

 

4. Në të vërtetë, nuk është e vështirë të kuptohet se qëllimi i punës, pikësynimi i afërt që ka artizani, është prona private. Në të vërtetë, nëse ai i përdor forcat e veta dhe veprimtarinë e tij, në dobi të të tjerëve, këtë e bën për të fituar gjërat e nevojshme për jetën: por me punën e tij fiton një të drejtë të vërtetë e të përsosur jo vetëm për ta kërkuar por edhe për ta investuar ashtu si dëshiron shpërblimin e duhur. Pra, nëse me ekonominë e tij arriti të bënte kursime dhe, për t’i siguruar ato më mirë, i investoi në një terren, ky terren nuk është gjë tjetër ashtu si ishte vetë rroga e tij me formë të ndryshuar, dhe si pasojë pronë e tij, as më pak as më shumë veçse rroga e tij. Pra, siç e di çdokush, pikërisht në këtë qëndron prona, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme. Prandaj me grumbullimin e çdo prone të veçantë, socialistët, duke ia hequr punëtorit lirinë për të riinvestuar rrogën e tij, i grabisin të drejtën dhe shpresën për të nxjerrë fitim nga pasuritë shtëpiake dhe për të përmirësuar gjendjen e vet, prandaj e bëjnë më të mjerë gjendjen e tij.

 

5. Më e keqja është se zgjidhja e propozuar prej tyre është një padrejtësi e qartë, meqenëse prona private është një e drejtë prej natyrës. Pasi edhe në këtë gjendet ndryshimi i madh mes njeriut dhe shtazës. Shtaza nuk e drejton vetveten, por dy instinkte e mbajnë dhe e drejtojnë, të cilët nga njëra anë ia mbajnë zgjuar veprimtarinë dhe ia zhvillojnë forcat, nga ana tjetër përcaktojnë e kufizojnë çdo lëvizje të saj; domethënë instinkti i vetëmbrojtjes, dhe instinkti i ruajtjes së llojit të vet. Për t’i arritur këta dy qëllime atij i mjafton përdorimi i atyre mjeteve të caktuara, që gjen rreth vetes; nuk do të mund të synonte më larg, sepse është i nxitur prej shqisës dhe prej veçorisë shqisore. Shumë e ndryshme është natyra e njeriut. Meqenëse ai e ka jetën ndjesore në plotësinë e saj, nga ky drejtim edhe atij i është dhuruar, të paktën po aq sa frymorëve të tjerë, të përdorë të mirat e natyrës lëndore. Por shtazëria, në të gjithë shtrirjen e vet, jo vetëm nuk e përcakton natyrën njerëzore, por është shumë më e ulët se ajo, dhe është bërë për të qenë e nënshtruar prej saj. Privilegji i madh i njeriut, ajo që e bën të tillë dhe e dallon thelbësisht prej shtazës, është inteligjenca, apo arsyeja. Dhe pikërisht sepse ka arsye, mbi të mirat e tokës njeriut i është dhënë diçka më shumë se përdorimi i thjeshtë, që e ka të përbashkët me frymorët e tjerë: dhe kjo nuk mund të jetë tjetër veçse e drejta e pronës së qëndrueshme; jo vetëm pronësia e atyre gjërave që konsumohen duke i përdorur, por edhe e atyre të cilat përdorimi nuk i konsumon.

 

Prona private është me të drejtë natyrore

 

6. Kjo gjë bëhet më e dukshme kur depërtojmë më thellë në natyrën njerëzore. Prej gjerësisë së pafund të njohjes së tij që përqafon, përveç të tashmes edhe të ardhmen, dhe prej lirisë së tij, njeriu, nën ligjin e amshuar dhe provaninë e gjithmbarshme të Hyjit, është provani për vetveten. Pra ai duhet të mund t’i zgjedhë mjetet që i gjykon si më të përshtatshme për mirëmbajtjen e jetës së vet, jo vetëm për momentin që kalon, por edhe për kohën e ardhshme. Kjo vlen sa për të thënë se përveç zotërimit të fryteve që jep toka, njeriut i përket prona e vetë tokës, prej gjirit të frytshëm të së cilës sheh se i jepen gjërat e nevojshme për nevojat e tij të ardhshme. E theksojmë këtë sepse nevojat e njeriut, mund të themi, kanë një njëpasnjëshmëri rikthimesh të përhershme, kështu që, pasi plotësohen sot, rilindin nesër. Prandaj, natyra duhet t’i ketë dhënë njeriut të drejtën për të mira të qëndrueshme e të përhershme, në përpjesëtim me përhershmërinë e ndihmës për të cilën ai ka nevojë; të mira që mund t’ia japë vetëm toka me frytshmërinë e saj të pashtershme. Nuk ka arsye të kërkojë përkujdesjen e Shtetit, sepse njeriu ka lindur para Shtetit: kështu që para se të formohej shoqëria civile, atij iu desh të merrte prej natyrës të drejtën për t’u kujdesur për veten.

 

7. Pastaj, e vërteta, sipas së cilës Hyji e ka dhuruar tokën që ta përdorë e ta gëzojë e gjithë gjinia njerëzore, nuk i kundërvihet të drejtës për pronë private, pasi atë dhuratë ua bëri të gjithëve, jo sepse secili njeri duhet të ketë një zotërim të përbashkët e të përzier mbi të; por sepse nuk ia caktoi asnjë pjesë të dheut saktësisht dikujt, duke ia lënë këtë veprimtarisë së njerëzve dhe të drejtës së veçantë të popujve. Përveç kësaj, toka, megjithëse e ndarë mes privatëve, mbetet patjetër në shërbim e dobi të të gjithëve, duke mos pasur njeri në botë që nuk merr ushqim prej saj. Ai që nuk ka pasuri të vetat, i zëvendëson ato me punën; aq sa mund të pohohet me të vërtetë se mjeti i gjithmbarshëm për t’u kujdesur për jetën është puna nën një pronar ose në kultivimin e një terreni personal, ose në ushtrimin e një arti, shpërblimi i së cilës nxirret prej fryteve të shumta të tokës dhe në to shndërrohet. Dhe kjo është një provë tjetër se prona private është në përputhje me natyrën. Atë që nevojitet për mbajtjen dhe përsosjen e jetës njerëzore, toka na e jep me begati, por na e ndan me këtë kusht, që njeriu ta kultivojë dhe të kujdeset shumë për të. Tani, meqë për të marrë të mirat e natyrës njeriu duhet të përdorë veprimtarinë e mendjes dhe forcat e trupit, po me këto ai e mbledh në vetvete atë pjesë të natyrës trupore që e ka shndërruar në kulturë, dhe në të cilën ka lënë sikur të ishte e shtypur një gjurmë të personalitetit të vet: kështu që me të drejtë ai mund ta mbajë për vete dhe t’i detyrojë të tjerët ta respektojnë.

 

Prona private e sanksionuar prej ligjeve njerëzore e hyjnore

 

8. Këto arsyetime janë kaq të qarta, sa nuk dihet se si kanë mundur të kundërshtohen prej disave të cilët, duke ripërtërirë utopi të vjetra, i lejojnë njeriut përdorimin e tokës dhe të fryteve të ndryshme të fushave, por ia mohojnë pronësinë e tokës ku ai ka ndërtuar apo të fushës që ka kultivuar. Ata nuk e kuptojnë se në këtë mënyrë i vjedhin njeriut efektet e punës së tij. Kështu ara, e punuar prej dorës dhe prej artit të kultivuesit, nuk është më ajo e para: nga tokë e egër është bërë e frytshme, nga tokë shterpë është bërë pjellore. Këto përmirësime bëhen një me atë terren nga i cili pjesa më e madhe e tyre janë të pandashme. Çfarë drejtësie do të ishte kjo, që një tjetër, i cili nuk e ka punuar, të gëzonte frytet e saj? Ashtu sikurse pasoja i përket shkakut të vet, po ashtu edhe fryti i punës duhet t’i përkasë atij që punon. Prandaj me të drejtë gjinia njerëzore, pa ua vënë veshin aspak kundërshtarëve të pakët, dhe me sytë e drejtuar nga ligji i natyrës, gjen në po këtë ligj themelin e ndarjes së të mirave; dhe, duke pranuar se prona private është shumë e përshtatshme për natyrën e njeriut dhe për bashkëjetesën sociale paqësore, e ka sanksionuar solemnisht nëpërmjet praktikës së të gjithë shekujve. Dhe ligjet civile, që, kur janë të drejta, e marrin autoritetin dhe frytshmërinë e vet prej vetë ligjit natyror (1), e pohojnë këtë të drejtë dhe e sigurojnë atë me forcë publike. As nuk mungon vula e ligjit hyjnor, i cili ndalon me rreptësi madje edhe dëshirën për gjënë e tjetrit: «Mos i lakmo për të keq gruas së të afrmit tënd. Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd, as arës, as shërbëtorit, as shërbëtores, as kaut, as gomarit dhe asnjë sendi që i përket atij» (2).

 

Liria e njeriut

 

9. Vlera e kësaj të drejte individuale rritet nëse e konsiderojmë në lidhje me shoqërinë familjare. Njeriu është i lirë të zgjedhë gjendjen e vet: ai sipas dëshirës së vet mundet ose të ndjekë këshillën ungjillore të virgjërisë, ose të vërë kurorë. E drejta për të vënë kurorë është natyrore e primitive dhe asnjë ligj njerëzor nuk mund ta shfuqizojë, as nuk mund ta kufizojë, sido që të jetë, qëllimin për të cilin Hyji e ka caktuar kur tha: «Shtohuni e shumohuni» (3). Ja pra, familja, domethënë shoqëria familjare, shoqëri e vogël por e vërtetë dhe pararendëse e çdo shoqërie civile; prandaj me të drejta dhe detyra të pavarura prej Shtetit. Tani, ajo që thamë në lidhje me të drejtën për pronësi që i përket individit duhet t’i mvishet burrit si kryetar i familjes: madje, kjo e drejtë te ai është aq më e fortë sa më i shtrirë dhe i plotë të jetë në shoqërinë familjare personaliteti i tij.

 

Familja dhe Shteti

 

10. Prej ligjit të padhunueshëm të natyrës, babait i takon të mbajë bijtë: dhe prej nxitjes së vetë natyrës, që e bën të dallojë në bijtë e vet një shëmbëlltyrë të vetvetes dhe gati një shtrirje e një vazhdim të personit të tij, ai është i shtyrë të kujdeset për ta në mënyrë që në rrjedhën e vështirë të jetës të mund t’u bëjnë ballë ndershmërisht nevojave të veta: gjë e pamundur të arrihet nëse jo nëpërmjet fitimit të të mirave frytdhënëse, që ai pastaj u përçon atyre në trashëgimi. Si bashkëjetesa civile e të gjithë anëtarëve të shoqërisë ashtu edhe familja, sipas asaj që thamë, është një shoqëri e mbështetur nga pushteti i vet, që është ai atëror. Brenda kufijve të përcaktuar prej qëllimit të saj, familja pra, në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve të nevojshme për ruajtjen dhe për pavarësinë e saj të ligjshme, ka të drejta të paktën të barabarta me ato të shoqërisë civile. Po themi “të paktën të barabarta”, sepse, meqenëse shoqëria familjare, në mënyrë logjike e historikisht është pararendëse e shoqërisë civile, gjithashtu pararendëse dhe më natyrore duhet të jenë të drejtat e detyrat e saj. Nëse njeriu, nëse familja, duke hyrë për të marrë pjesë në shoqërinë civile, do të gjenin në Shtetin jo ndihmë por fyerje, jo mbrojtje por pakësim të të drejtave të veta, bashkëjetesën civile do të duhej ta shmangnim e jo ta dëshironim.

 

Shteti dhe ndërhyrja e tij në familje

 

11. Prandaj është një gabim i madh dhe i dëmshëm të kërkojmë që Shteti të mund të ndërhyjë sipas dëshirës së vet në shenjtëroren e familjes. Sigurisht, nëse ndonjë familje rastësisht ndodhet në ngushtica aq të mëdha sa nuk e ka aspak të mundur të dalë vetë prej tyre, është e drejtë në këto raste ndërhyrja e pushteteve publike, meqenëse secila familje është pjesë e trupit shoqëror. Njësoj në rastin e mosmarrëveshjeve të rënda në marrëdhëniet e ndërsjella mes anëtarëve të një familjeje, duhet të ndërhyjë Shteti dhe t’i japë secilit atë që i takon, pasi kjo nuk do të thotë të uzurpojë të drejtat e shtetasve, por t’i sigurojë dhe t’i mbrojë ato sipas drejtësisë. Por duhet që Shteti të ndalet këtu; natyra nuk i lejon të shkojë më tej. Shteti nuk mund ta asgjësojë e as ta marrë pushtetin atëror, pasi lind prej vetë burimit të jetës njerëzore. Bijtë janë diçka prej të atit, një shtrirje, mund të themi, e personalitetit të tij dhe, veçanërisht, ata hyjnë të bëjnë pjesë në shoqërinë civile jo vetë, por nëpërmjet familjes në të cilën kanë lindur. Pikërisht për këtë arsye, «duke qenë bijtë në mënyrë të natyrshme diçka prej të atit … para përdorimit të arsyes janë nën kujdesin e prindërve» (4). Tani, socialistët, duke e zëvendësuar kujdesin e prindërve me atë të Shtetit, shkojnë kundër drejtësisë natyrore dhe e shpërbëjnë strukturën e familjeve.

 

Zgjidhja socialiste është e dëmshme për vetë shoqërinë

 

12. Përveç padrejtësisë, tepër qartë shihet se sa konfuzion e ngatërresë do të dilte nga kjo në të gjitha shtresat e shoqërisë, si dhe sa e vështirë dhe e urryeshme do të ishte skllavëria e shtetasve. Do t’u hapej rrugë armiqësive, ankesave, mosmarrëveshjeve: vetë burimet e pasurisë do të shterreshin, do t’i hiqej çdo nxitje angazhimit dhe nismës individuale: dhe barazia e ëndërruar faktikisht nuk do të ishte gjë tjetër veçse një gjendje e gjithmbarshme poshtërimi dhe mjerimi. Të gjitha këto arsye na japin të drejtë të dalim në përfundimin se përbashkësia e të mirave e propozuar nga socializmi duhet të kundërshtohet krejtësisht, sepse i dëmton pikërisht ata të cilëve u duhet dhënë ndihmë, shkel të drejtat natyrore të secilit, tjetërson detyrat e Shtetit dhe trazon paqen e përbashkët. Pra, të jemi të sigurt se në angazhimin për ta përmirësuar gjendjen e klasave punëtore duhet të vihet si themel i padiskutueshëm e drejta për pronë private. Duke qenë kjo baza për çdo arsyetim tjetër, do të paraqesim se ku mund të gjendet zgjidhja për këtë.

 

PJESA E DYTË

 

ILAÇI I VËRTETË:

BASHKIMI I SHOQATAVE

 

A) Vepra e Kishës

 

13. Hyjmë plot besim në këtë argument dhe me të drejtën tonë të plotë; pasi bëhet fjalë për një çështje për të cilën nuk është e mundur të gjendet një zgjidhje e vlefshme pa iu drejtuar fesë dhe Kishës. Dhe meqenëse kujdesi i fesë dhe ndarja e mjeteve që janë në pushtetin e Kishës na janë besuar kryesisht neve, po të heshtnim do të na dukej se nuk jemi duke iu përgjigjur detyrës sonë. Sigurisht që zgjidhja e një problemi kaq të vështirë kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e frytshëm edhe të të tjerëve: duam të themi të qeveritarëve, të pronarëve dhe të të pasurve, ashtu si edhe të vetë proletarëve që janë drejtpërdrejt të interesuar: por pa asnjë ngurrim pohojmë se, nëse e lëmë mënjanë veprimin e Kishës, të gjitha përpjekjet do të jenë të kota. Në të vërtetë, Kisha është ajo që merr prej Ungjillit doktrina të afta të rregullojnë konfliktin, ose me siguri që ta bëjnë atë shumë më pak të ashpër: me mësimet e saj ajo kërkon jo vetëm të ndriçojë mendjen, por edhe të formojë jetën e zakonet e secilit; me një numër të madh institucionesh mirëbërëse i përmirëson vetë kushtet e proletarit; dëshiron dhe uron që këshillat e forcat e të gjitha klasave shoqërore të ndërlidhen e të bashkohen me qëllim që të merren masa sa më të mira për interesat e punëtorëve; dhe beson se, me masa të përshtatshme, edhe vetë ligjet dhe autoriteti i Shtetit duhet të priren nga ky qëllim. 

 

1- Nevojat e pabarazive shoqërore dhe të punës së mundimshme

 

14. Pra, të caktohet në rend të parë ky parim, se duhet të mbështetet gjendja e njerëzimit: të hiqen prej botës pabarazitë shoqërore është një gjë e pamundur. Është e vërtetë se për këtë përpiqen socialistët, por çdo përpjekje kundër natyrës së gjërave është e kotë. Pasi mes njerëzve për nga natyra ekziston larmia më e madhe: jo të gjithë kanë të njëjtën zgjuarsi, të njëjtin zell, të njëjtin shëndet, të njëjtat forca; dhe prej këtyre ndryshimeve të pashmangshme lind patjetër ndryshimi i kushteve shoqërore. Dhe kjo shkon në dobi qoftë të privatëve qoftë të shoqërisë civile, sepse jeta shoqërore ka nevojë për prirje të ndryshme e për detyra të ndryshme, dhe shtytja kryesore, që i bën njerëzit t’i ushtrojnë këto detyra, është pabarazia e gjendjes së tyre të jetës. Për sa i përket punës, njeriu edhe në gjendjen e pafajsisë nuk do të kishte mbetur joveprues: por, atë që atëherë vullneti do ta kishte bërë lirisht si zbavitje të shpirtit, e imponoi më pas nevoja në shpërblim të mëkatit, jo pa mundim e lodhje, sipas asaj profecie hyjnore: «Për shkak tëndin qoftë mallkuar toka! Prej saj me mund do ta nxjerrësh kafshatën për çdo ditë të jetës sate» (5). Po ashtu edhe dhimbja nuk do të mungojë kurrë në tokë; sepse janë të ashpra, të rënda, të vështira për t’u duruar pasojat e fajshme të mëkatit, të cilat, duam apo nuk duam ne, e shoqërojnë njeriun deri në varr. Pra, të vuajturit dhe të duruarit është trashëgimi e njeriut; dhe çfarëdo të bëjmë apo të përpiqemi të bëjmë, nuk ka forcë as art që mund t’i zhdukë krejtësisht vuajtjet prej botës. Ata që thonë se mund ta bëjnë dhe u premtojnë njerëzve të mjerë një jetë të paprekshme prej dhimbjes e prej vuajtjeve, krejt në paqe e kënaqësi, e mashtrojnë popullin dhe e tërheqin zvarrë nëpër një rrugë që çon në dhimbje më të mëdha se këto aktualet. Gjëja më e mirë është t’i shohim realitetet njerëzore ashtu si janë dhe në të njëjtën kohë ta kërkojmë gjetiu, siç thamë, ilaçin për të këqijat.

 

2 - Nevoja për njëzëshmëri

 

15. Në këtë çështje, skandali më i madh është ky: të mendohet se një klasë sociale është natyrisht armike e tjetrës; a thua se natyra i ka bërë të pasurit dhe proletarët për të luftuar mes tyre një duel të ashpër; një gjë kjo që është aq në kundërshtim me arsyen dhe me të vërtetën. Ndërsa është shumë e vërtetë se, sikurse në trupin njerëzor gjymtyrët e ndryshme përkojnë me njëra-tjetrën dhe formojnë atë temperament harmonik që quhet simetri, po ashtu edhe natyra ka dashur që në shoqërinë civile të harmonizoheshin mes tyre ato dy klasa dhe të vendosej baraspesha. Njëra ka nevojë absolute për tjetrën: as kapitali nuk mund të qëndrojë pa punën, as puna pa kapitalin. Njëzëshmëria përbën bukurinë dhe rendin e gjërave, ndërsa konflikti i përhershëm nuk mund të krijojë gjë tjetër veçse ngatërresë dhe mizori. Për ta shuar konfliktin, madje për t’ia shkulur atij edhe rrënjët, krishterimi ka një pasuri force të mrekullueshme.

 

3 - Marrëdhëniet mes klasave shoqërore

 

a) drejtësia

 

16. Para së gjithash, mësimi i krishterë, interpretuese dhe rojtare e të cilit është Kisha, është shumë i fuqishëm për të pajtuar dhe për të vënë në harmoni mes tyre të pasurit dhe proletarët, duke i kujtuar njërës palë dhe tjetrës detyrat e ndërsjella, duke filluar prej asaj që drejtësia imponon. Për sa i përket proletarit dhe punëtorit, detyrime drejtësie janë këto: të zhvillojë tërësisht dhe besnikërisht veprimtarinë për të cilën lirisht dhe sipas drejtësisë ka rënë në ujdi; të mos i bëjë dëm sendeve të pronarit, as të mos e fyejë personin e tij; duke i mbrojtur të drejtat e veta të mos bëjë akte të dhunshme, as të mos e shndërrojë atë kurrë në kryengritje; të mos përzihet me njerëz të mbrapshtë, që premtojnë gjëra të mëdha, pa nxjerrë fryt tjetër përveç atij të pendimit të kotë dhe humbjeve shkatërrimtare. Dhe këto janë detyrat e kapitalistëve e të pronarëve: të mos i mbajnë punëtorët sikur të ishin skllevër; të respektojnë në ta dinjitetin e personit njerëzor, të fisnikëruar prej vulosjes që e bën të krishterë. Për arsyen dhe fenë puna nuk e degradon njeriun, por përkundrazi e fisnikëron atë duke e bërë që të jetë në gjendje të jetojë ndershmërisht me punën e vet. Ajo që me të vërtetë është e padenjë për njeriun është të abuzohet me të sikur të ishte një gjë për qëllim fitimi dhe të mos vlerësohet ai më shumë nga sa vlejnë nervat dhe forcat e tij. Njësoj u urdhërohet pronarëve që të respektojnë proletarët përsa i përket fesë dhe të mirave shpirtërore. Prandaj është detyrë e pronarëve t’i lënë punëtorit mundësinë dhe kohën e duhur për të kryer detyrat fetare; të mos e vënë para joshjeve shkatërruese dhe rreziqeve të skandalit; të mos e largojnë prej shpirtit të familjes dhe prej dashurisë për kursim; të mos i caktojnë punë që nuk janë në përpjesëtim me forcat që ka apo që nuk janë të përshtatshme për moshën dhe për gjininë.

 

17. Pastaj, më kryesorja ndër detyrat është t’i japin secilit rrogën e drejtë. Përcaktimi i saj sipas drejtësisë varet prej shumë gjërave që duhen marrë parasysh: por në përgjithësi kapitalistët dhe pronarët duhet të mos harrojnë se ligjet njerëzore nuk lejojnë që për dobinë tonë të shtypen nevojtarët dhe të mjerët dhe të përfitohet prej mjerimit të të afërmit. Pastaj mashtrimi me rrogën e duhur është një faj kaq i madh sa thërret hakmarrje para Hyjit. «Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive!» (6). Së fundi, është detyrë e të pasurve të mos i dëmtojnë kursimet e vogla të punëtorit as me dhunë as me mashtrime mbi rrogën as me fajde të dukshme apo të fshehta; kjo detyrë është më e rreptë sa më i dobët e i pambrojtur të jetë punëtori dhe më e shenjtë pasuria e tij e vogël. A nuk do të mjaftonte edhe vetëm zbatimi i këtyre rregullave për ta zbutur ashpërsinë dhe për të bërë që të reshtin shkaqet e konfliktit?

 

b) dashuria

 

18. Por Kisha, e udhëhequr prej mësimeve dhe prej shembullit të Krishtit, synon më lart, domethënë të afrojë sa më shumë që të jetë e mundur dy klasat dhe t’i bëjë ato mike. Gjërat e kohës nuk është e mundur t’i kuptojmë dhe t’i vlerësojmë siç duhet, nëse shpirti nuk lartësohet në një jetë tjetër, pra në jetën e amshuar, pa të cilën nocioni i vërtetë i të mirës morale patjetër zhduket, madje krejt krijimi bëhet një mister i pashpjegueshëm. Prandaj ajo që vetë natyra na dikton, në krishterim është një dogmë mbi të cilën, si në themelin kryesor, mbështetet e gjithë ndërtesa e fesë: domethënë që jeta e vërtetë e njeriut është ajo e botës së ardhshme. Meqenëse Hyji nuk na ka krijuar për këto të mira të brishta e të kalueshme, por për ato qiellore e të amshuara; dhe toka na është dhënë prej Tij si vend mërgimi, jo si atdhe. Nëse ti ke me begati pasuri e të mira të tjera tokësore apo nëse je pa to, kjo nuk ka aspak rëndësi për lumturinë e amshuar; por përdorimi i mirë apo i keq i atyre të mirave, kjo është gjëja me rëndësinë më të madhe. Jezu Krishti, i cili na ka shpërblyer me shpërblim të begatë, nuk i ka hequr mundimet e ndryshme me të cilat është e përbërë jeta këtu në tokë; i ka kthyer në nxitje virtyti dhe në një mënyrë për të fituar merita, aq sa asnjë bir i Adamit nuk mund të arrijë në qiell nëse nuk ndjek gjurmët e tij të shënuara prej gjakut. «Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë» (7). Duke pranuar vullnetarisht mbi vete travajet e dhimbjet, ai e ka zbutur ashpërsinë e tyre në mënyrë të mrekullueshme, dhe jo vetëm me shembull por edhe me hirin e Tij dhe me shpresën e shpërblimit të premtuar, na e ka bërë më të lehtë të vuajturit. «Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim, më të madhe» (8). Pra fatlumët e shekullit janë paralajmëruar se pasuritë nuk i lirojnë prej dhimbjes dhe se ato për lumturinë e ardhshme, në vend që të vlejnë, dëmtojnë (9); se të pasurit duhet të dridhen, duke menduar për kërcënimet jashtëzakonisht të rrepta të Jezu Krishtit (10); se për përdorimin e të mirave të tyre një ditë duhet të japin rreptësisht llogari para Hyjit gjykatës.

 

c) dobia e vërtetë e pasurive

 

19. Në lidhje me përdorimin e pasurive, e shkëlqyer dhe shumë e rëndësishme është doktrina që, megjithëse qe dalluar që më parë prej filozofisë, përsosmërisht u mësua prej Kishës; e cila gjithashtu siguron që të mos mbetet një spekullim i thjeshtë, por të kthehet në praktikë dhe t’i japë formë jetës. Themeli i kësaj doktrine qëndron në këtë: se në pasurinë është zakon të dallohet posedimi i ligjshëm prej përdorimit të ligjshëm. Siç e pamë, prona private e të mirave është një e drejtë natyrore e njeriut dhe ushtrimi i kësaj të drejte, veçanërisht në jetën sociale, është jo vetëm i ligjshëm por edhe absolutisht i nevojshëm. Shën Toma thotë: «është e ligjshme, madje është e nevojshme për jetën njerëzore që njeriu të ketë pronësinë e të mirave» (11). Por nëse bëhet gjithashtu pyetja se cili duhet të jetë përdorimi i këtyre të mirave, Kisha, me fjalët e Doktorit të shenjtë, nuk ngurron për t’u përgjigjur se «në lidhje me këtë, njeriu nuk duhet t’i mbajë të mirat e jashtme si të vetat, por si të përbashkëta, në mënyrë që lehtë t’ia japë tjetrit që ka nevojë. Prandaj apostulli thotë: U urdhëron të pasurve të këtij shekulli të japin e të falin lehtësisht të vetën» (12). Sigurisht, askush nuk është i detyruar t’i ndihmojë të tjerët me gjërat e nevojshme për veten dhe për njerëzit e vet, madje as me atë që është e nevojshme për bashkëjetesën dhe hijshmërinë e gjendjes së vet, «sepse askush nuk duhet të jetojë në mënyrë jo të përshtatshme» (13). Por, pasi të ketë plotësuar nevojat dhe përshtatshmërinë e vet, e ka për detyrë t’i ndihmojë nevojtarët me tepricën: «Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës» (14). Përveç rastit të një nevoje të skajshme, është e vërtetë se këto nuk janë detyrime drejtësie por dashurie të krishterë, përmbushja e të cilave nuk mund të kërkohet patjetër nga ana juridike; por mbi ligjet dhe gjykimet e njerëzve qëndron ligji dhe gjykimi i Krishtit, i cili nxit në shumë mënyra praktikimin e dhurimit zemërgjerë dhe mëson: «Më i lumë është ai që jep se ai që merr» (15) dhe do ta mbajë si të dhuruar ose të mohuar atij bamirësinë e dhuruar ose të mohuar nevojtarëve: «Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua» (16). Në përfundim, kushdo që ka marrë prej zemërgjerësisë së Hyjit një begati më të madhe të mirash, qoftë të jashtme e trupore qoftë shpirtërore, i ka marrë me qëllimin që t’i përdorë për përsosjen e vet, dhe në të njëjtën kohë si mbarështues i provanisë hyjnore në dobi të të tjerëve: «Prandaj kush ka zgjuarsi, të ruhet që të mos heshtë; kush ka begati gjërash, të ruhet prej të qenët tepër dorështrënguar në ushtrimin e bamirësisë; kush ka një art për të jetuar, t’ia përçojë të afërmit përdorimin dhe dobinë e tij» (17).

 

d) dobitë e varfërisë

 

20. Pastaj, Kisha u mëson të varfërve se para Hyjit nuk është gjë e turpshme as varfëria as detyrimi për të jetuar prej punës. Jezu Krishti e përforcoi këtë të vërtetë me shembullin e Tij ndërsa, për shëlbimin e njerëzve, «duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër» (18), dhe duke qenë Biri i Hyjit, dhe Hyj edhe vetë, dëshiroi të shfaqej e të mendohej se ishte biri i një zdrukthëtari, madje pranoi ta kalonte pjesën më të madhe të jetës së Tij duke punuar: «Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë» (19). Duke soditur hyjninë e këtij shembulli, kuptohet më lehtë se dinjiteti i vërtetë dhe madhështia e njeriut janë krejt morale, domethënë të vendosura në virtytin; se virtyti është pasuri e përbashkët, e cila mund të arrihet nga të mëdhenjtë dhe nga të vegjëlit, nga të pasurit dhe nga proletarët; se vetëm veprave të virtytshme, në këdo që të gjenden, u rezervohet çmimi i lumturisë së amshuar. Edhe më: për të mjerët duket se Hyji ka një parapëlqim të veçantë, pasi Jezu Krishti të varfërit i quan të lumë: «Lumë skamnorët në shpirt» (20); me dashuri i fton të gjithë ata që janë të shtypur prej peshës së mundimeve, të shkojnë te Ai për t’u ngushëlluar: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh» (21); i përqafon me një gjest dashurie shumë të veçantë të dobëtit dhe të përndjekurit. Këto të vërteta janë shumë të frytshme për ta ulur krenarinë e fatlumëve dhe për t’i larguar të mjerët prej ligështisë; për të frymëzuar mëshirë në njërën palë e modesti në palën tjetër. Kështu largësitë, aq të dashura për krenarinë, shkurtohen; as nuk është e vështirë të arrihet që dy klasat, duke i shtrënguar dorën njëra-tjetrës, të merren vesh mes tyre në mënyrë miqësore.

 

e) vëllazëria e krishterë

 

21. Por ato, duke iu bindur ligjit ungjillor, nuk do të kënaqen thjesht me miqësi, por do të duan t’i japin njëra-tjetrës një përqafim dashurie vëllazërore. Pasi do ta dinë e do ta ndiejnë se të gjithë njerëzit e kanë zanafillën prej Hyjit, Atit të përbashkët; se të gjithë janë të drejtuar kah Hyji, qëllimi më i lartë, i cili është i vetmi që mund t’i bëjë përsosmërisht të lumtur njerëzit dhe engjëjt; se të gjithë janë shpërblyer njësoj prej Jezu Krishtit dhe janë thirrur në dinjitetin e bijësisë hyjnore, në mënyrë që jo vetëm mes tyre, por edhe me Krishtin Zot, të parëlindurin ndër shumë vëllezër, janë të bashkuar me lidhjen e një vëllazërie të shenjtë. Do ta dinë e do ta ndiejnë se të mirat e natyrës dhe të hirit janë pasuri e përbashkët e gjinisë njerëzore dhe se askujt, pa e merituar një gjendje të tillë, nuk do t’i hiqet trashëgimia e të mirave qiellore: sepse «E nëse jemi fëmijë – atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin» (22). Ja idealja e të drejtave dhe e detyrave që përmbahet në Ungjill. Po të mbizotëronte ajo në botë, a nuk do të reshtte menjëherë çdo grindje dhe a nuk do të kthehej paqja?

 

4 - Mjetet pozitive

 

a) përhapja e doktrinës së krishterë

 

22. Përveç kësaj, Kisha, e pakënaqur duke treguar vetëm zgjidhjen, e zbaton ajo vetë me dorën e saj amnore. Kjo ndodh pasi ka qëllim të edukojë e të formojë njerëzit me këto rregulla, duke bërë që ujërat e shëndetshme të doktrinës së saj të rrjedhin gjerësisht dhe nëpërmjet ipeshkvijve e klerit të ujisin gjithë tokën. Njëkohësisht mundohet të depërtojë në shpirtra e të bindë vullnetet, që ta lënë veten të udhëhiqen prej urdhërimeve hyjnore. Dhe në këtë art, që ka një rëndësi kryesore, pasi prej tij varet çdo dobi, vetëm Kisha ka frytshmëri të vërtetë. Në fakt, mjetet që përdor për t’i nxitur shpirtrat i janë dhënë për këtë qëllim prej Jezu Krishtit dhe kanë në vetvete virtyt hyjnor; kështu që vetëm ato mund të depërtojnë në thelbin e zemrave dhe të bëjnë që njerëzit t’i binden zërit të detyrës, t’i frenojnë pasionet, ta duan me dashuri supreme e të veçantë Hyjin dhe të afërmin, dhe t’i shembin me guxim të gjitha pengesat që përshkojnë ecjen e virtytit.

 

b) përtëritja e shoqërisë

 

Për sa i përket kësaj mjafton të përmenden kalimthi shembujt e hershëm. Po kujtojmë fakte dhe gjëra për të cilat nuk ka asnjë dyshim: domethënë se me anë të krishterimit u shndërrua fund e krye shoqëria; se ky shndërrim qe një përparim i vërtetë i gjinisë njerëzore, madje një ngjallje prej vdekjes për nga jeta morale, dhe një përsosje e paparë ndonjëherë në të kaluarën dhe as e shpresueshme për të ardhmen; dhe së fundi, se Jezu Krishti është fillimi dhe caku i këtyre të mirave, të cilat, pasi burojnë prej Tij, Atij duhet t’i referohen. Pasi bota, nëpërmjet dritës ungjillore, njohu misterin e madh të mishërimit të Fjalës dhe të shpërblimit njerëzor, jeta e Jezu Krishtit Hyj e njeri u zbraz në shoqërinë civile e cila u mbush me fenë, rregullat e ligjet e Tij. Prandaj, nëse për të këqijat e botës ka një ilaç, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse kthimi në jetën e në doket e krishtera. Është një parim solemn, se për të riformuar një shoqëri në rënie është e nevojshme që ajo të çohet përsëri në parimet që i kanë dhënë ekzistencën. Përsosmëria e çdo shoqërie gjendet në përpjekjen për të arritur qëllimin e saj: në mënyrë që parimi krijues i lëvizjeve dhe i veprimeve shoqërore të jetë po ai që ka krijuar lidhjen. Pra, devijimi prej qëllimit të parë është prishje; kthimi në të është shpëtim. Dhe kjo është e vërtetë qoftë për tërë shoqërinë civile qoftë për klasën punëtore, e cila është pjesa e saj më e madhe.

 

c) bamirësia e Kishës

 

23. Dhe të mos mendojmë se përkujdesjet e Kishës janë të drejtuara në mënyrë të plotë e të vetme nga shpëtimi i shpirtrave sa të lërë pas dore atë që i përket jetës morale e tokësore. Ajo dëshiron dhe vepron që sidomos proletarët të dalin prej gjendjes së tyre të mjerë dhe të përmirësojnë kushtet e jetës. Dhe e bën këtë para së gjithash jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke u kujtuar e duke u mësuar të gjithë njerëzve virtytin. Doket e krishtera, kur janë vërtet të tilla, ndihmojnë edhe ata vetvetiu në begatinë tokësore, sepse tërheqin bekimet e Hyjit, parim e burim i çdo të mire; i vënë një fre lakmisë së sendeve dhe etjes së qejfeve, fatkeqësi të vërteta që e bëjnë njeriun të mjerë në vetë begatinë e çdo gjëje («Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi» - (23)); të kënaqur me një jetë të thjeshtë, e zëvendësojnë mangësinë e pasurive me kursimin, larg prej veseve, që konsumojnë jo vetëm pasuritë e vogla por edhe ato të mëdhatë dhe i shkatërrojnë edhe pasuritë më të begata.

 

24. Por ka edhe më shumë: Kisha jep ndihmesën e vet drejtpërdrejt për të mirën e proletarëve duke krijuar e nxitur atë që mund të ndihmojë për lehtësimin e tyre, dhe në këtë është dalluar aq shumë sa të marrë admirimin dhe lavdërimet edhe të vetë armiqve të saj. Në zemrën e të krishterëve të parë dashuria vëllazërore ishte aq e fuqishme sa më të pasurit shumë shpesh hiqnin dorë prej pasurisë së vet për t’i ndihmuar të tjerët; aq sa «askush prej sish nuk ishte skamnor» (24). Diakonëve, urdhër i themeluar qëllimisht për këtë, u ishte besuar prej apostujve detyra për të ushtruar bamirësinë e përditshme dhe Pali apostull, megjithëse i ngarkuar prej përkujdesjes së të gjitha Kishave, nuk ngurronte të ndërmerrte udhëtime të mundimshme për t’u dhënë me dorën e vet të krishterëve të varfër lëmoshat e mbledhura prej tij. Tertuliani i quan «visare të bamirësisë» dhuratat që bëheshin në mënyrë spontane prej besimtarëve të secilit tubim, sepse «ishin të destinuara për të ndihmuar e për të varrosur të mjerët, për t’u ardhur në ndihmë jetimëve të varfër të të dyja gjinive, të moshuarve dhe të mbijetuarve në anijethyerje» (25). Prej aty pak nga pak u formua pasuria, që Kisha e ruajti gjithmonë me kujdes të madh si pasuri e njerëzve të varfër. Këta të fundit madje, me ndihma të reja e të përcaktuara, u liruan madje edhe prej turpit të të lypurit. Kështu që, si nënë e përbashkët e të varfërve dhe e të pasurve, duke frymëzuar e duke nxitur kudo heroizmin e dashurisë, Kisha krijoi shoqata fetare dhe institute të tjera bamirëse, që nuk lanë gati asnjë lloj mjerimi pa ndihmë e mbështetje. Shumë njerëz sot, sikurse kanë bërë edhe paganët, e qortojnë Kishën edhe për këtë bamirësi të mrekullueshme, dhe kanë menduar ta zëvendësojnë atë me bamirësinë ligjore. Por nuk ka nismë njerëzore që të mund ta zëvendësojë dashurinë e krishterë, krejt e kushtuar të mirës së tjetrit. Dhe ajo nuk mund të jetë gjë tjetër veçse virtyt i Kishës, sepse është virtyt që buron vetëm prej zemrës tejet të shenjtë të Jezu Krishtit: dhe ai që largohet prej Kishës, largohet prej Jezu Krishtit.

 

B) Vepra e Shtetit

 

25. Por nuk ka dyshim se, për ta zgjidhur çështjen punëtore, kërkohen edhe mjetet njerëzore. Të gjithë ata që janë të interesuar duhet të ndihmojnë secili nga ana e vet: dhe kjo sipas shembullit të atij rendi provanor që e drejton botën; pasi zakonisht shihet se çdo rezultat i mirë prodhohet prej bashkëpunimit të harmonishëm të të gjitha shkaqeve prej të cilave ajo varet. Prandaj të shohim se cili duhet të jetë kontributi i Shtetit. Ne flasim për Shtetin jo ashtu si është i përbërë apo si funksionon në këtë apo në atë komb, por në konceptin e tij të vërtetë, siç del prej parimeve të arsyes së drejtë, në harmoni të përsosur me doktrinat katolike, sikurse vetë ne e paraqitëm në enciklikën mbi Kushtetutën e krishterë të Shteteve.

 

1 - E drejta e Shtetit për ndërhyrjen

 

26. Pra, qeveritarët duhet që në rend të parë të ndihmojnë për këtë në mënyrë të përgjithshme me gjithë kompleksin e ligjeve dhe të institucioneve politike, duke e rregulluar e administruar Shtetin në mënyrë që të arrihet natyrshëm begatia publike e private. Në të vërtetë kjo është detyra e kujdesit civil dhe detyra e drejtuesve të popujve. Tani, mirëqenia e kombeve rrjedh veçanërisht prej dokeve të mira, prej rregullit të mirë të familjes, prej mbajtjes së fesë e të drejtësisë, prej detyrimeve të moderuara dhe prej ndarjes së paanshme të taksave publike, prej përparimit të industrive dhe të tregtisë, prej lulëzimit të bujqësisë dhe prej gjërave të tjera të tilla, të cilat, sa më shumë të jenë të nxitura, aq më të lumtur i bëjnë popujt. Edhe vetëm nëpër këtë rrugë Shteti pra mund të ndihmojë shumë si në mirëqenien e klasave të tjera ashtu edhe në atë të proletarëve; dhe këtë me të drejtën e tij të plotë dhe pa dhënë për të dyshuar për ndërhyrje të papërshtatshme; meqenëse kujdesi për të mirën e përbashkët është detyrë dhe kompetencë e Shtetit. Dhe sa më e madhe të jetë shuma e fitimeve të arritura prej këtij kujdesi të përgjithshëm, aq më e vogël do të jetë nevoja për të gjetur rrugë të tjera për shpëtimin e punëtorëve.

 

a) për të mirën e përbashkët

 

27. Por duhet të merret parasysh edhe një gjë që i përket më nga afër kësaj çështjeje: se Shteti është një njësi e harmonishme që përqafon pa dallim klasat e ulta dhe klasat e larta. Proletarët, as më shumë e as më pak se të pasurit, janë nënshtetas prej drejtës natyrore, anëtarë të vërtetë e të gjallë, prej të cilëve, nëpërmjet familjeve, përbëhet trupi social: për të mos thënë se janë pjesa më e madhe e tij. Tani, duke qenë absurde kujdesi vetëm për një pjesë të shtetasve dhe lënia pas dore e pjesës tjetër, është detyrë e madhe e Shtetit të kujdeset siç duhet për mirëqenien e punëtorëve; duke mos e bërë këtë, shkelet drejtësia, e cila do që secilit t’i jepet ajo që i takon. Prandaj urtësisht shën Toma thotë: «Ashtu si një pjesë e vetme bashkë me të tërën bëjnë në një farë mënyre një gjë të vetme, po ashtu edhe ajo që është e të tërës në një farë mënyre është edhe e një pjese» (26). Prandaj mes detyrave të shumta e të rënda të qeveritarëve që kujdesen për të mirën publike, vendin e parë e zë përkujdesja në të njëjtën mënyrë për çdo rend shtetasish, duke zbatuar me një paanshmëri të pathyeshme drejtësinë e ashtuquajtur shpërndarëse.

 

b) për të mirën e punëtorëve

 

Megjithëse të gjithë shtetasit, pa asnjë përjashtim, duhet të bashkëpunojnë në mirëqenien e përbashkët që pastaj natyrisht kthehet në dobi të individëve, gjithsesi bashkëpunimi nuk mund të jetë as i barabartë as i njëjti në të gjithë. Sado të ndryshojnë e të rindryshojnë format e qeverisjes, do të ekzistojë gjithmonë ajo larmi dhe pabarazi kushtesh pa të cilat nuk mund të ekzistojë e as nuk mund të konceptohet shoqëria njerëzore. Do të ketë gjithmonë ministra publikë, ligjvënës, gjykatës, pra njerëz të tillë që e qeverisin kombin në paqe dhe e mbrojnë atë në luftë; dhe është e lehtë të kuptohet se ata, duke qenë shkaku më i afërm dhe më i frytshëm i të mirës së përbashkët, formojnë pjesën kryesore të kombit. Nuk mund të bashkëpunojnë në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat detyra artizanët; megjithatë, edhe ata ndihmojnë në këtë fuqimisht me shërbimin e tyre, megjithëse në mënyrë të tërthortë. Sigurisht, e mira sociale, meqenëse, në arritjen e saj, duhet të jetë një e mirë përsosëse e shtetasve si njerëz, duhet mbështetur kryesisht në virtytin. Po ashtu, në çdo shoqëri të rregulluar mirë duhet të gjendet një begati e mjaftueshme e të mirave trupore, «përdorimi i të cilave është i nevojshëm për ushtrimin e virtytit» (27). Tani, për t’i pasur këto të mira ka një rëndësi e një frytshmëri shumë të madhe vepra dhe arti i proletarëve, qoftë nëse punojnë në bujqësi qoftë nëse punojnë në ofiçina. Shumë e madhe, themi, sepse mund të pohohet me të vërtetë se puna e punëtorëve është ajo që formon pasurinë kombëtare. Prandaj është e drejtë që qeveria të interesohet për punëtorin, duke bërë që ai të marrë pjesë në një farë mase në atë pasuri që vetë ai prodhon, kështu që të ketë ushqim, veshje dhe një lloj jetese më pak të vështirë. Pra, duhet të favorizohet në maksimum ajo që në ndonjë mënyrë mund të përmirësojë gjendjen e tij, të sigurt se ky kujdes, në vend që të dëmtojë dikë, do t’u vlejë të gjithëve, meqenëse është në interesin e gjithmbarshëm që të mos mbeten në mjerim ata prej të cilëve vijnë fitime kaq të mëdha.

 

2 - Normat dhe kufijtë e të drejtës për ndërhyrje

 

28. Nuk është e drejtë, siç thamë, që shtetasi dhe familja të përvetësohen prej Shtetit; ndërsa është e drejtë që t’i lihet njërit dhe tjetrës aq pavarësi për të vepruar sa është e mundur, pa prekur të mirën e përbashkët dhe të drejtat e të tjerëve. Megjithatë, qeveritarët duhet ta mbrojnë shoqërinë dhe gjymtyrët e saj. Shoqërinë, sepse mbrojtja e saj i është besuar prej natyrës pushtetit më të lartë, aq sa shëndeti publik nuk është vetëm ligj suprem, por arsyeja e vetme dhe e plotë e autoritetit publik; pastaj gjymtyrët, sepse filozofia dhe ungjilli janë të një mendimi kur mësojnë se qeveria është themeluar prej natyrës jo në dobi të qeveritarëve, por në dobi të të qeverisurve. Dhe meqë pushteti politik vjen prej Hyjit dhe është një farë pjesëmarrjeje në sovranitetin hyjnor, duhet të administrohet sipas shembullit të tij, që me kujdes atëror kujdeset jo më pak për krijesat e veçanta se sa për tërë gjithësinë. Nëse pra shoqërisë apo ndonjë gjymtyre të saj i është bërë apo e kërcënon ndonjë dëm që nuk mund të ndreqet në një mënyrë tjetër apo të pengohet, bëhet e nevojshme ndërhyrja e Shtetit.

 

29. Kështu, i intereson të mirës private ashtu si edhe asaj publike që të mbahet rendi dhe qetësia publike; që familja të jetë e rregulluar sipas ligjit të Hyjit dhe parimeve të natyrës; që të respektohet e të praktikohet feja; që të lulëzojnë doket publike e private; që të zbatohet në mënyrë të padhunueshme drejtësia; që një klasë shtetasish të mos e shtypë tjetrën; që shtetasit të rriten të shëndetshëm e të fortë, duke qenë të aftë ta nderojnë e ta mbrojnë atdheun, nëse duhet. Prandaj, nëse për shkak të kryengritjeve apo të grevave mendohet se mund të ndodhin trazira publike, nëse mes proletarëve janë turbulluar thelbësisht marrëdhëniet natyrore të familjes, nëse feja nuk respektohet në punëtorin, duke ia mohuar mundësinë dhe kohën e mjaftueshme të kryejë detyrimet që ka, nëse prej përzierjes së gjinisë dhe nxitjeve të tjera nga e keqja, integriteti i dokeve rrezikon në ofiçina, nëse klasa punëtore shtypet me pesha të padrejta prej pronarëve apo poshtërohet prej fakteve që janë kundër personalitetit e dinjitetit njerëzor; nëse me punën e tepruar apo të papërshtatshme për gjininë e moshën, i bëhet dëm shëndetit të punëtorëve; në këto raste, brenda kufijve të caktuar, duhet përdorur forca dhe autoriteti i ligjeve. Dhe këto qëllime janë përcaktuar prej vetë çështjes që kërkon ndërhyrjen e Shtetit; dhe kjo do të thotë se ligjet nuk duhet të shkojnë përtej asaj që kërkon ndreqja e të këqijave apo largimi i rrezikut. Të drejtat duhet të mbrohen siç duhet në këdo që i ka dhe pushteti publik duhet t’i sigurojë secilit të drejtat e veta, duke i penguar apo duke i ndëshkuar thyerjet. Gjithashtu, në mbrojtjen e arsyeve të privatëve, duhet të kihet një vëmendje e veçantë ndaj të dobtëve dhe të varfërve. Klasa e të pasurve, e fortë në vetvete, ka më pak nevojë për mbrojtjen publike; shtresat e ulëta, të cilave u mungon mbështetja, kanë një nevojë të veçantë që ta gjejnë atë në mbështetjen e Shtetit. Prandaj punëtorëve, që hyjnë në numrin e të dobtëve dhe të nevojtarëve, Shteti duhet t’ua kushtojë para të gjithëve kujdesin dhe masat e veta.

 

3 - Rastet e veçanta të ndërhyrjes

 

a) mbrojtja e pronës private

 

30. Por duhet t’i përmendim shprehimisht disa veçanti që kanë më shumë rëndësi. Kryesorja në mënyrë absolute është kjo: qeveritë duhet të sigurojnë pronën private nëpërmjet ligjeve të urta. Sot sidomos, në një zjarr kaq të madh të lakmive të shfrenuara, duhet që popullsitë të mbahen nën fre; sepse, nëse drejtësia u lejon atyre të punojnë për të përmirësuar kushtet e tyre, as drejtësia, as e mira publike nuk lejojnë që të dëmtohet gjëja e tjetrit dhe që të pushtohet gjëja e tjetrit me pretekstin e  një farë barazie. Sigurisht, pjesa më e madhe e punëtorëve do të donte ta përmirësonte gjendjen e vet ndershmërisht, pa u bërë padrejtësi të tjerëve; megjithatë, nuk janë të pakët ata që, të mbushur me thënie të rreme e plot dëshirë për gjëra të reja, mundohen me çdo kusht të nxisin rrëmuja dhe t’i shtyjnë të tjerët në dhunë. Pra, duhet të ndërhyjë autoriteti i Shtetit dhe, pasi të frenohen turbulluesit, t’i ruajë punëtorët e mirë prej rrezikut të joshjes dhe pronarët e ligjshëm prej rrezikut të shpronësimit.

 

b) mbrojtja e punës

 

1) kundër grevës

 

31. Puna tepër e gjatë dhe e rëndë dhe rroga e gjykuar si e pamjaftueshme jo rrallë u japin punëtorëve arsye për grevë. Këtë çrregullim të rëndë e të shpeshtë duhet që Shteti ta ndreqë, sepse këto greva nuk u bëjnë dëm vetëm pronarëve dhe vetë punëtorëve, por edhe tregtisë e interesave të përbashkëta dhe, prej dhunave e kryengritjeve të cilave zakonisht u japin rast, shpesh vënë në rrezik qetësinë publike. Pastaj, ilaçi më i frytshëm dhe i dobishëm qëndron në parandalimin e së keqes me autoritetin e ligjit dhe në pengimin e shpërthimit, duke i zhdukur në kohë shkaqet prej të cilave parashikohet se mund të lindë konflikti mes punëtorëve e pronarëve.

 

2) kushtet e punës

 

32. Gjithashtu, Shteti duhet të mbrojë te punëtori shumë gjëra, dhe para së gjithash të mirat e shpirtit. Jeta këtu në tokë, megjithëse është e mirë dhe e dëshirueshme, nuk është qëllimi për të cilin ne jemi krijuar, por rrugë dhe mjet për ta përsosur jetën e shpirtit me njohjen e së vërtetës dhe me praktikimin e së mirës. Shpirti është ai që mban të gdhendur në vete shëmbëlltyrën dhe përngjasimin hyjnor, dhe në të cilin qëndron ajo epërsi me anë të së cilës njeriut iu dha të zotërojë krijesat më të ulëta dhe t’i bëjë t’i shërbejnë dobisë së tij të gjitha tokat e detërat. «Mbusheni tokën dhe sundojeni atë! Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë!» (28). Në këtë të gjithë njerëzit janë të barabartë, as nuk ekzistojnë ndryshime mes të pasurve e të varfërve, pronarëve e shërbëtorëve, monarkëve e shtetasve, sepse «Të gjithë kanë vetëm një Zot» (29). Askujt nuk i lejohet të cenojë, pa qenë dënuar, dinjitetin e njeriut, të cilin vetë Hyji e trajton me nderim të madh, as t’ia presë rrugën drejt asaj përsosjeje që është caktuar për arritjen e jetës së amshuar. Madje as me zgjedhjen e tij të lirë njeriu nuk mund të heqë dorë prej të qenët i trajtuar sipas natyrës së tij dhe të pranojë skllavërinë e shpirtit, sepse nuk bëhet fjalë për të drejta, ushtrimi i të cilave është i lirë, por për detyra ndaj Hyjit absolutisht të padhunueshme. Prej këtu rrjedh nevoja e pushimit në ditë feste. Me këtë emër nuk kuptohet të ndenjurit në dembeli për më shumë kohë, dhe shumë më pak një mosveprim i plotë që dëshirohet prej shumë njerëzve, i cili është nxitës vesesh dhe jep rast për shkapërderdhje, por një pushim që feja e bën të shenjtë. I bashkuar me fenë, pushimi e largon njeriun prej punëve dhe veprimtarive të zakonshme të jetës së përditshme për ta kthyer në mendimin e të mirave qiellore dhe në kultin që i detyrohet Madhërisë hyjnore. Kjo është kryesisht natyra, ky është qëllimi i pushimit në ditë festash, që Hyji me ligj të veçantë ia urdhëroi njeriut në Besëlidhjen e Vjetër, duke i thënë: «Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë» (30) dhe që ai vetë e mësoi faktikisht, kur ditën e shtatë, pasi krijoi njeriun, pushoi prej veprave të krijimit: «Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë» (31).

33. Për sa i përket mbrojtjes së të mirave tokësore dhe të jashtme, para së gjithash është e detyrueshme të nxirret punëtori i mjerë prej mizorisë së spekulatorëve të pangopshëm, që për fitim shpërdorojnë paturpësisht personat sikur të ishin gjëra. Nuk është e drejtë dhe as njerëzore që të kërkohet prej njeriut aq punë sa prej mundimit t’i mpihet mendja e t’i rraskapitet trupi. Ashtu si natyra e tij, edhe veprimtaria e njeriut është e kufizuar dhe e caktuar brenda kufijve të vendosur mirë, përtej të cilëve nuk mund të shkojë. Ushtrimi dhe përdorimi e mprehin, por me kusht që herë pas here të ndërpritet, për t’i dhënë vend pushimit. Pra, puna nuk duhet të zgjatet më shumë se sa e lejojnë forcat. Caktimi i sasisë së pushimit varet prej cilësisë së punës, prej rrethanave të kohës e të vendit, prej vetë fizikut dhe shëndetit të punëtorëve. Për shembull, puna e minatorëve që nxjerrin prej tokës gurë, hekur, bakër dhe lëndë të tjera të fshehura në nëndhe, duke qenë më e rëndë dhe e dëmshme për shëndetin, duhet të shpërblehet me një kohëzgjatje më të shkurtër. Veç kësaj, duhet të mbahen parasysh stinët, sepse jo rrallë, një punë që durohet lehtë në një stinë, në një stinë tjetër është krejtësisht e padurueshme apo e tillë që durohet me vështirësi. Së fundi, një punë e përpjesëtuar për një burrë të gjatë e të fortë, nuk është e arsyeshme që t’i caktohet një gruaje apo një fëmije. Madje, për sa u përket fëmijëve, të bëhet kujdes për të mos i pranuar në ofiçina para se mosha t’ua ketë zhvilluar mjaftueshëm forcat fizike, intelektuale e morale. Forcat, që në fëmijëri çelin të ngjashme me barin në lulëzim, një lëvizje e parakohshme i prish, dhe atëherë bëhet i pamundur vetë edukimi i fëmijëve. Kështu disa lloje pune nuk u përshtaten grave, që për nga natyra janë bërë për punët shtëpiake, të cilat e mbrojnë së tepërmi ndershmërinë e gjinisë së dobët, dhe kanë një ndërlidhje të natyrshme me edukimin e fëmijëve dhe mirëqenien e shtëpisë. Në përgjithësi të mbahet ky rregull, që sasia e pushimit të nevojshëm për punëtorin duhet të jetë në përpjesëtim me sasinë e forcave të harxhuara në punë, sepse forcat e harxhuara me përdorimin duhet të rifitohen me pushim. Në çdo marrëveshje të firmosur mes pronarëve e punëtorëve ekziston gjithmonë kushti ose i shprehur ose i nënkuptuar i njërit dhe tjetrit pushim; një marrëveshje e kundërt do të ishte e pamoralshme, duke mos qenë e lejueshme për askënd që të kërkojë apo të lejojë cenimin e detyrave që e lidhin me Hyjin dhe me vetveten.

 

3) çështja e rrogës

 

34. Po prekim tani një pikë shumë të rëndësishme, dhe që duhet të kuptohet mirë për të mos rënë në njërin prej skajeve të kundërta. Sasinë e rrogës, thuhet, e përcakton miratimi i lirë i palëve: kështu që pronari, kur e paguan rrogën, bën pjesën e vet, dhe nuk duket se ka borxh gjë tjetër. Bëhet padrejtësi vetëm kur ose pronari nuk e paguan tërë rrogën ose punëtori nuk e bën gjithë punën e caktuar me marrëveshje; dhe vetëm në mbrojtje të këtyre të drejtave, e jo për arsye të tjera, është e lejueshme ndërhyrja e Shtetit. Një njohës i drejtë i gjërave nuk mund ta pranojë as lehtë as tërësisht këtë arsyetim; sepse ai nuk e sheh këtë gjë në çdo aspekt; mungojnë disa konsiderata shumë të rëndësishme. Puna është veprimtaria njerëzore që ka për qëllim të fitojë atë që nevojitet për të jetuar dhe sidomos për vetëruajtjen: «Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën» (32). Puna e njeriut pra ka dy veti që i janë damkosur prej natyrës, domethënë të jetë personale, sepse forca aktive është e lidhur me personin, dhe krejtësisht e atij që e ushtron dhe për dobinë e të cilit është dhënë; pastaj të jetë e nevojshme, sepse fryti i punës është i nevojshëm për njeriun që të mbajë jetën, mbajtje që është një detyrë e papërjashtueshme e caktuar prej natyrës. Tani, nëse shohim vetëm aspektin e personalitetit, nuk ka dyshim se punëtori mund të merret vesh për një rrogë më të ulët se rroga e duhur, sepse, meqenëse ai e kryen vullnetarisht veprën e vet, nëse do, mund të kënaqet me një rrogë të ulët ose të heqë dorë krejtësisht prej saj. Shumë e ndryshme është kjo gjë nëse me personalitet merret parasysh edhe nevoja: dy gjëra logjikisht të dalluara nga njëra-tjetra, por realisht të pandashme. Në të vërtetë, ruajtja në jetë është një detyrë të cilës askush nuk mund t’i shmanget pa faj. Prej këtu lind, si pasojë e nevojshme, e drejta për të siguruar mjetet e jetesës, që në njerëzit e varfër kufizohen në rrogën e punës së tyre. Punëtori dhe pronari atëherë ta formojnë me miratim të përbashkët marrëveshjen dhe në mënyrë nominale sasinë e shpërblimit; por gjithmonë aty ndërhyn një element drejtësie natyrore, që qëndron para dhe mbi vullnetin e lirë të kontraktuesve, dhe është se sasia e shpërblimit nuk duhet të jetë më e ulët se ajo e nevojshme për jetesën e punëtorit, jetesë e thjeshtë, kuptohet, dhe me zakone të ndershme. Nëse ky, i detyruar prej nevojës apo prej druajtjes së më të keqes, pranon marrëveshje më të rënda, të cilat, pasi janë imponuar prej pronarit apo prej ndërmarrësit, dashur pa dashur duhet të pranohen, është e qartë se pëson një dhunë, kundër të cilës drejtësia proteston. Në fund të fundit, në këto gjëra dhe në të tjera të ngjashme, siç janë orari i punës, masat që duhet të merren për të garantuar në ofiçina jetën e punëtorit, me qëllim që autoriteti të mos ndërhyjë pa nevojë, sidomos në një larmi kaq të madhe gjërash, kohësh dhe vendesh, do të jetë më e përshtatshme t’u rezervohet vendimi kolegjiumeve për të cilat do të flasim më tej, ose të përdoren mjete të tjera që, sipas drejtësisë, t’i shpëtojnë arsyet e punëtorëve, duke u kufizuar Shteti vetëm të shtojë, kur rasti e kërkon, mbrojtjen dhe mbështetjen.

 

c) edukimi në kursim

 

35. Kur punëtori merr një rrogë të mjaftueshme për të mbajtur vetveten dhe familjen e tij në njëfarë mirëqenieje, nëse ai është i urtë, natyrisht do të mendojë për të kursyer dhe, duke iu përgjigjur nxitjes së vetë natyrës, do të bëjë që prej shpenzimeve të teprojë një pjesë që ta përdorë në blerjen e ndonjë prone të vogël. Sepse kemi treguar se padhunueshmëria e të drejtës së pronësisë është e domosdoshme për zgjidhjen praktike dhe të frytshme të çështjes punëtore. Prandaj ligjet duhet ta favorizojnë këtë të drejtë dhe të bëjnë që të rritet sa më shumë të jetë e mundur numri i pronarëve. Prej këtu do të vinin fitime të mëdha dhe në rend të parë një ndarje më e drejtë e pasurisë kombëtare. Revolucioni ka prodhuar ndarjen e shoqërisë në dy kasta, mes të cilave ka hapur një humnerë. Nga njëra anë një palë e stërfuqishme sepse është e stërpasur, e cila, duke pasur në dorë çdo lloj prodhimi e tregtie, i shfrytëzon për vete burimet e pasurisë, dhe ushtron një ndikim të madh edhe në administrimin e Shtetit. Nga ana tjetër një shumicë e mjerë dhe e dobët, me shpirtin e acaruar dhe e gatshme gjithmonë për trazira. Tani, nëse në këtë shumicë nxitet zelli me shpresën se mund të blejnë prona të qëndrueshme, njëra klasë do t’i afrohet pak nga pak tjetrës, duke shmangur largësinë e pafundme mes varfërisë më të madhe dhe pasurisë më të madhe. Përveç kësaj, prej tokës do të nxirret një begati prodhimesh shumë më e madhe. Kur njerëzit e dinë se punojnë për veten, punojnë me më shumë gatishmëri e zjarr, madje fillojnë ta duan arën e kultivuar me dorën e tyre, prej së cilës presin për vete dhe për familjen e tyre jo vetëm ushqimet por njëfarë mirëqenieje. Dhe është e lehtë të kuptohet se si kjo gatishmëri vlen shumë për ta rritur prodhimin e tokës dhe pasurinë e kombit. Do të rrjedhë edhe një dobi  e tretë, që është lidhja me vendlindjen; në të vërtetë, nuk do të ndërrohej atdheu me një vend të huaj, nëse ai do t’u krijonte mundësinë për të jetuar mirë bijve të vet. Të vërehet ndër të tjera se këto dobi varen prej këtij kushti, që prona private të mos rëndohet prej taksave të tepërta. Meqenëse e drejta e pronës private rrjedh jo nga një ligj njerëzor por nga ai natyror, Shteti nuk mund ta asgjësojë, por vetëm ta zbusë përdorimin e tij dhe ta harmonizojë me të mirën e përbashkët. Është një padrejtësi dhe diçka çnjerëzore të kërkohet prej privatëve më shumë se duhet me pretekstin e taksave.

 

C) Vepra e shoqatave

 

1 - Nevoja për bashkëpunimin e të gjithëve

 

36. Së fundi, për të zgjidhur çështjen punëtore mund të ndihmojnë shumë kapitalistët dhe vetë punëtorët me institucionet e caktuara për t’u dhënë ndihmat e përshtatshme nevojtarëve dhe për t’i afruar e bashkuar dy klasat mes tyre. Të tilla janë shoqëritë e ndihmës së ndërsjellë; sigurimet e shumta private të caktuara për t’u kujdesur për punëtorin, për të vejën, për bijtë jetimë, në rastet e fatkeqësive të papritura, të invaliditetit, apo të një aksidenti tjetër njerëzor; patronazhet për fëmijët e të dy gjinive, për rininë dhe për të rriturit. Megjithatë vendin e parë e mbajnë korporatat e arteve dhe zanateve që në kompleksin e tyre përmbajnë gati të gjitha institucionet e tjera. Shumë të dukshme qenë për paraardhësit tanë dobitë e këtyre korporatave, dhe jo vetëm në dobi të artizanit, por siç e vërtetojnë dokumentet e shumtë, në nderim dhe përsosje të vetë arteve. Përparimet e kulturës, zakonet e reja dhe nevojat e rritura të jetës kërkojnë që këto korporata t’u përshtaten kushteve aktuale. Me kënaqësi shohim të formohen kudo shoqata të këtij lloji, qoftë vetëm punëtorësh, qoftë të përziera të punëtorëve e pronarëve, dhe është e dëshirueshme që të rriten në numër e në veprimtari. Megjithëse kemi folur shumë herë për këtë, na pëlqen t’i kthehemi përsëri për të treguar dobinë e tyre, ligjshmërinë, formën e organizimit të tyre dhe veprimin e tyre.

 

2 - E drejta për shoqatë është natyrore

 

37. Ndjenja e dobësisë së vet e shtyn njeriun të dëshirojë që ta bashkojë veprën e vet me atë të të tjerëve. Shkrimi shenjt thotë: «Më mirë janë dy së bashku se njëri vetëm; sepse më mirë paguhen për punën e vet, sepse, kur rrëzohet njëri, e ngrit tjetri. Mjerë i vetmi! Kur të rrëzohet s’do të ketë kush ta çojë!» (33). Dhe gjetiu: «Vëllai i ndihmuar nga vëllai është më i fortë se kalaja» (34). Instinkti i kësaj prirjeje të natyrshme e nxit, sikurse ndaj shoqërisë civile, po ashtu edhe drejt shoqërive të tjera të veçanta, sigurisht të vogla dhe jo të përsosura, por sidoqoftë shoqëri të vërteta. Mes këtyre të fundit dhe asaj ka një ndryshueshmëri shumë të madhe prej ndryshimit të qëllimeve të tyre të afërme. Qëllimi i shoqërisë civile është i gjithmbarshëm, sepse është ai që i përket të mirës së përbashkët, në të cilën të gjithë shtetasit kanë të drejtë në përpjesëtimin e duhur. Prandaj quhet «publike; për të njerëzit vihen në komunikim të ndërsjellë me qëllim që të formojnë një Shtet» (35). Përkundrazi, shoqëritë e tjera që lindin në gjirin e saj quhen dhe janë «private», sepse kanë për qëllim dobinë private të anëtarëve të tyre. «Shoqëria private është ajo që formohet për të kryer punë private, si në rastin kur dy apo tre bashkohen për qëllim tregtie» (36).

 

38. Kështu, megjithëse këto shoqata private ekzistojnë brenda Shtetit dhe janë si shumë pjesë të tij, në përgjithësi, dhe duke folur në mënyrë absolute, Shteti nuk mund ta pengojë formimin e tyre. Meqenëse të drejtën për t’u bashkuar në shoqëri njeriu e ka prej natyrës, dhe të drejtat natyrore Shteti duhet t’i mbrojë, jo t’i shkatërrojë. Duke i ndaluar këto shoqata, ai do të binte në kundërshtim me vetveten, sepse zanafilla e shoqërisë civile, ashtu si edhe e shoqërive të tjera, qëndron pikërisht në socialitetin natyror të njeriut. Megjithatë ka raste që e bëjnë të ligjshëm dhe të detyrueshëm ndalimin e tyre. Kur shoqëritë e veçanta i caktojnë vetes një qëllim haptazi në kundërshtim me ndershmërinë, me drejtësinë, me sigurinë e shoqërisë civile, ligjshmërisht Shteti u kundërvihet, ose duke ndaluar që të formohen ose duke i shuar nëse janë të formuara; por është e nevojshme që në këtë të ecet me maturinë më të madhe që të mos shkelen të drejtat e shtetasve, dhe të mos bëhet e keqja nën pretekstin e të mirës publike. Meqenëse ligjet nuk të detyrojnë veçse si ligje në përputhje me arsyen e drejtë, dhe prandaj në përputhje me ligjin e amshuar të Hyjit (37).

 

39. Dhe këtu mendimi ynë shkon te shoqatat, kolegjiumet dhe urdhrat fetarë të shumë llojeve të cilëve u jep jetë autoriteti i Kishës dhe përshpirtëria e besimtarëve; dhe sa të dobishëm janë ata për gjininë njerëzore, këtë e vërteton historia edhe në ditët tona. Këto shoqata, nëse i vlerësojmë vetëm në dritën e arsyes, duke pasur një qëllim të ndershëm, janë me të drejtë natyre qartazi të ligjshme. Pastaj, për sa i përket fesë, janë të nënshtruara vetëm autoritetit të Kishës. Pra, Shteti nuk mund t’i japë vetes asnjë kompetencë mbi to, as të kërkojë për vete administrimin e tyre; por ka për detyrë t’i respektojë, t’i ruajë dhe, nëse duhet, t’i mbrojë. Por sa ndryshe veprohet, sidomos në kohët tona! Në shumë vende dhe në shumë mënyra Shteti i ka shkelur të drejtat e këtyre bashkësive, duke ua nënshtruar ligjeve civile apo duke ua hequr atyre personalitetin juridik apo duke ua vjedhur të mirat e tyre. Të mira në të cilat Kisha kishte të drejtën e vet, si secili prej anëtarëve, dhe njësoj si ata që i kishin caktuar për një qëllim të veçantë, ashtu edhe ata për dobinë e ngushëllimin e të cilëve ishin caktuar. Pra nuk mund të mos i dënojmë këto vjedhje kaq të padrejta e të dëmshme, aq më tepër që shohim të ndalohen shoqëri katolike, të qeta e shumë të dobishme, në të njëjtën kohë që shpallet me zë të lartë e drejta për të bërë shoqatë; ndërsa në realitet kjo e drejtë u jepet gjerësisht njerëzve që haptazi komplotojnë në dëm të fesë e të Shtetit.

 

40. Disa shoqata shumë të ndryshme, të përbëra veçanërisht prej punëtorëve, sot janë duke u shtuar gjithnjë e më tepër. Nuk është këtu vendi të kërkojmë zanafillën, qëllimin, zhvillimin e shumë prej tyre. Megjithatë, është një mendim i përgjithshëm, i vërtetuar me shumë shenja prove, se në më të shumtën e rasteve janë të drejtuara nga krerë të fshehtë me organizim të kundërt me shpirtin e krishterë dhe me të mirën publike; këta me monopolin e veprimtarive i detyrojnë ata që nuk pranojnë të bashkohen me veprën e tyre ta paguajnë shtrenjtë këtë mospranim. Në këtë gjendje të gjërave, punëtorët e krishterë kanë vetëm dy rrugë: ose të regjistrohen në shoqatë të rrezikshme për fenë, ose të formojnë të vetat dhe duke i bashkuar forcat e tyre për t’iu larguar me guxim një shtypjeje të tillë të padrejtë dhe të patolerueshme. Tani, a mund të ngurrojë mbi zgjedhjen e kësaj të dytës ai që nuk dëshiron ta vërë në rrezik të mirën më të madhe të njeriut?

 

3 - Të favorizohen kongreset katolike

 

41. Shumë të denjë për lavdërim janë shumë prej katolikëve që, pasi i kanë njohur kërkesat e kohëve, bëjnë çdo përpjekje për t’i përmirësuar ndershmërisht kushtet e punëtorëve. Dhe, pasi marrin në dorë çështjen e tyre, mendojnë se si ta rrisin mirëqenien individuale dhe familjare; se si t’i rregullojnë, sipas paanësisë, marrëdhëniet mes punëtorëve e pronarëve; se si t’i mbajnë të gjallë e thellësisht të rrënjosur te njëra palë e te tjetra ndjenjën e detyrës dhe zbatimin e normave ungjillore; norma që, duke e larguar shpirtin prej çdo lloj teprimi, e drejtojnë kah maturia dhe, mes larmisë më të madhe të njerëzve dhe të gjërave, mbajnë harmoninë në jetën civile. Shohim se për këtë qëllim shpesh mbahen kongrese, ku njerëz të urtë i komunikojnë idetë njëri-tjetrit, bashkojnë forcat, këshillohen në lidhje me mjetet më të mira. Të tjerë përpiqen t’i bashkojnë në shoqëri, në mënyrë të përshtatshme, klasat e ndryshme punëtore; i ndihmojnë me këshilla e me mjete dhe u sigurojnë atyre një punë të ndershme e të frytshme. Guxim e mbrojtje për këtë japin ipeshkvijtë, dhe nën varësinë e tyre shumë prej njërit e tjetrit kler punojnë me zell për të mirën shpirtërore të të bashkuarve në shoqëri. Së fundi, nuk mungojnë katolikët në gjendje të mirë ekonomike që, duke u bashkuar me çështjen e punëtorëve, nuk kursejnë shpenzime për të themeluar e përhapur gjerësisht shoqata që e ndihmojnë punëtorin jo vetëm për të plotësuar nevojat e së tashmes me punën e tij, por edhe për të siguruar për të ardhmen një pushim të nderuar e të qetë. Dobitë që  përpjekjet e shumta dhe kaq të mëdha i kanë sjellë të mirës publike, janë kaq të njohura sa nuk ka nevojë të flasim për to. Prej këtu nxjerrim arsye që të shpresojmë për të ardhmen, me kusht që këto shoqëri të lulëzojnë gjithnjë e më tepër, dhe të jenë të organizuara me urti. Shteti duhet t’i mbrojë këto shoqata të ligjshme të shtetasve; por të mos ndërhyjë në brendësinë e organizimit e të disiplinës së tyre, sepse lëvizja jetësore lind nga një parim i brendshëm dhe shtytjet e jashtme ia marrin frymën lehtë.

 

4 - Autonomia dhe disiplina e shoqatave

 

42. Ky organizim dhe kjo disiplinë e mençur janë absolutisht të nevojshëm që të ketë njësi veprimi dhe orientimi. Prandaj, nëse shtetasit kanë, sikurse e kanë faktikisht, të drejtën e lirë për t’u bashkuar në shoqëri, duhet të kenë gjithashtu të drejtë të barabartë të zgjedhin për shoqëritë e tyre atë rend që e gjykojnë më të përshtatshëm për qëllimin e tyre. Se cili duhet të jetë ai në pjesët e tij të veçanta, nuk besojmë se mund të përcaktohet me rregulla të sigurta dhe të sakta, pasi duhet të përcaktohet prej karakterit të secilit popull, prej përvojës e zakonit, prej sasisë dhe prodhimtarisë së punëve, prej zhvillimit tregtar, ashtu si edhe prej rrethanave të tjera, të cilat maturia duhet t’i mbajë parasysh. Në thelb, mund të caktohet si rregull i përgjithshëm dhe i vazhdueshëm që shoqatat e punëtorëve duhet të organizohen dhe të drejtohen në mënyrë që të japin mjetet më të përshtatshme e më të frytshme për arritjen e qëllimit të tyre, i cili qëndron në këtë, që secili prej anëtarëve të arrijë shtimin më të madh që është e mundur të mirëqenies fizike, ekonomike, morale. Pastaj, është e qartë se është mirë të synohet, si qëllim i veçantë, përsosja fetare e morale, dhe se nga kjo përsosje duhet të drejtohet e gjithë disiplina shoqërore. Përndryshe këto shoqata degjenerojnë lehtë në një natyrë tjetër dhe nuk mbahen më të larta se ato në të cilat feja nuk merret aspak parasysh. Në fund të fundit, çfarë do t’i vlente punëtorit nëse ka gjetur në shoqëri mundësinë për të jetuar mirë, nëse shpirti i tij, për mungesë të ushqimit të duhur, rrezikon të vdesë? «Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën?» (38). Kjo, sipas mësimit të Jezu Krishtit, është veçoria që e dallon të krishterin prej paganit: «Këto gjëra i kërkojnë paganët… Kërkoni, pra, më së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë!» (39). Pra, meqenëse e marrim prej Hyjit zanafillën, një hapësirë e madhe t’i jepet mësimit fetar, që secili t’i njohë detyrat e veta ndaj Hyjit; të dijë mirë se çfarë duhet të besojë, të shpresojë e të bëjë për t’u shëlbuar; dhe të jetë i mbrojtur mirë kundër gabimeve të vazhdueshme dhe joshjeve shkatërruese. Punëtori duhet të nxitet në kultin e Hyjit dhe në dashurinë për përshpirtërinë, dhe sidomos për mbajtjen e ditëve të festës. Të mësojë ta nderojë e ta dojë Kishën, nënën e përbashkët të të gjithëve, ashtu si edhe t’u bindet normave të saj dhe të frekuentojë sakramentet, mjetet hyjnore të shfajësimit dhe të shenjtërisë.

 

5 - Të drejtat dhe detyrat e pjesëmarrësve në shoqata

 

43. Kur themeli i statuteve shoqërore mbështetet në fenë, është e hapur rruga për t’i rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella të anëtarëve për qetësinë e bashkëjetesës së tyre dhe të mirëqenies së tyre ekonomike. Detyrat duhet të ndahen në mënyrë të përshtatshme për interesat e përbashkëta dhe me një harmoni të tillë që ndryshueshmëria të mos e dëmtojë njësinë. Është shumë e rëndësishme që këto detyra të ndahen me mençuri dhe të përcaktohen qartë, që asnjë prej anëtarëve të mos mbetet i fyer. Të mirat e përbashkëta të shoqërisë duhet të administrohen me ndershmëri, kështu që ndihmat t’i ndahen secilit sipas nevojave; dhe të drejtat e detyrat e pronarëve të jenë në harmoni me të drejtat e detyrat e punëtorëve. Pastaj, kur njëra palë apo tjetra mendon se është cenuar, është e dëshirueshme që të gjejnë në të njëjtën shoqatë njerëz të drejtë e kompetentë, gjykimit të të cilëve, në bazë të statuteve, duhet t’i nënshtrohen. Duhet gjithashtu të bëhet kujdes që punëtorit të mos i mungojë kurrë puna, dhe të ketë fonde të gatshme për t’i ardhur në ndihmë secilit, jo vetëm në krizat e papritura të industrisë, por edhe në rastet e sëmundjes, të pleqërisë, të fatkeqësisë. Kur këto statute pranohen vullnetarisht, është bërë tashmë kujdes në mënyrë të mjaftueshme ndaj mirëqenies materiale e morale të klasave më të ulëta; dhe shoqata katolike do të mund të ushtrojnë një ndikim jo të vogël në begatinë e vetë shoqërisë civile. Nga e kaluara, me urtësi mund të parashikojmë të ardhmen. Brezat njerëzorë ndjekin njëri-tjetrin, por faqet e historisë së tyre ngjasojnë shumë, sepse ngjarjet janë të drejtuara prej asaj Provanie supreme e cila i çon e i orienton të gjitha ngjarjet njerëzore drejt atij qëllimi që ajo vendosi në krijimin e familjes njerëzore. Në fillimet e Kishës paganët e vlerësonin si turp të jetuarit me lëmoshë apo me punë, siç bënte pjesa më e madhe e të krishterëve. Derisa, të varfër e të dobët, arritën të tërhiqnin simpatinë e të pasurve dhe mbrojtjen e të fuqishëmve. Ishte bukur t’i shihje aktivë, punëtorë, paqësorë, të drejtë, të mbajtur si shembull, dhe veçanërisht plot dashuri. Para këtij spektakli jete dhe sjelljeje u zhduk çdo paragjykim, heshti përgojimi i keqdashësve dhe gënjeshtrat e një bestytnie të vjetër ia lanë vendin të vërtetës së krishterë.

 

6 - Çështjet punëtore të zgjidhura prej shoqatave

 

44. Po përpëlitet në ditët tona çështja punëtore, zgjidhja e mirë apo e keqe e së cilës i intereson së tepërmi Shtetit. Punëtorët e krishterë do ta zgjidhin mirë, nëse janë të bashkuar në shoqata, dhe të drejtuar me maturi, do të ndjekin po atë rrugë që, për dobinë e vetë atyre dhe të shoqërisë, ndoqën paraardhësit e tyre. Pasi, megjithëse te njerëzit është aq e vrullshme forca e paragjykimeve dhe e pasioneve, prapëseprapë, nëse mbrapshtia e vullnetit nuk e ka shuar në ta ndjenjën e ndershmërisë, nuk mund të mos provojnë një ndjenjë mirëdashëse ndaj punëtorëve kur shohin se janë aktivë, të matur, të gatshëm ta vënë ndershmërinë mbi fitimin dhe vetëdijen e detyrës para çdo gjëje tjetër. Pastaj do të rrjedhë një dobi tjetër: do të ngjallë shpresën dhe pendimin te ata punëtorë të cilëve u mungon ose feja ose sjellja e mirë sipas fesë. Në më të shumtën e rasteve, këta të shkretë e kuptojnë mirë se janë gënjyer prej shpresave të rreme dhe prej iluzioneve të kota. Ndiejnë se prej pronarëve lakmues trajtohen në mënyrë shumë çnjerëzore dhe pothuajse nuk vlerësohen më shumë se ajo që prodhojnë duke punuar; në shoqërinë, në të cilën gjenden të ngecur, në vend të dashurisë dhe ndjenjës së vëllazërimit, mbretërojnë mosmarrëveshjet civile, shoqe të pandashme të varfërisë krenare e pa besim. Të shkatërruar në trup e në shpirt, shumë prej tyre do të donin ta hiqnin zgjedhën e një skllavërie të tillë të përbuzshme; por nuk guxojnë për respekt njerëzor apo prej frikës së mjerimit. Tani, të gjithë atyre mund t’u vlejnë shumë shoqatat katolike, nëse duke ua lehtësuar atyre rrugën, do t’i ftojnë, megjithëse mund të jenë ngurrues, në gjirin e tyre, dhe pasi të ndërrojnë gjykim, do t’u japin atyre mbrojtje e ndihmë.

 

 

PËRFUNDIM

 

Dashuria, mbretëresha e virtyteve shoqërore

 

45. Ja, Vëllezër të Nderuar, kush dhe në çfarë mënyre duhet të bashkëpunojë, duke vepruar për zgjidhjen e një problemi kaq të vështirë. Secili të bëjë pjesën që i takon dhe të mos vonojë, sepse vonesa mund ta bëjë më të vështirë shërimin e një të keqeje tashmë kaq të rëndë. Qeveritë duhet të punojnë me ligje të mira e masa të urta; kapitalistët dhe pronarët duhet të kenë gjithmonë parasysh detyrat e tyre; proletarët, që janë të interesuar drejtpërdrejt, në kufijtë e të drejtës, të bëjnë gjithçka që munden; dhe meqenëse siç thamë në fillim, ilaçi i vërtetë dhe rrënjësor nuk mund të vijë përveçse nga feja, të binden të gjithë për nevojën që t’i kthehen jetës së krishterë, pa të cilën vetë argumentet e vlerësuara si më të frytshmet, do të shihet se janë të pamjaftueshme për ta zgjidhur problemin. Për sa i përket Kishës, ajo nuk do të lërë që të mungojë kurrë dhe në asnjë mënyrë vepra e vet, e cila do të jetë më e frytshme sa më e lirë të jetë, dhe për këtë duhet të binden sidomos ata që kanë për detyrë të kujdesen për të mirën e popujve. Mbarështuesit e Shenjtërores të kushtojnë gjithë forcën e shpirtit dhe zemërgjerësinë e zellit; dhe të udhëhequr prej autoritetit e shembullit tuaj, të Nderuar Vëllezër, të mos lodhen së mësuari të gjitha klasave të shoqërisë parimet e Ungjillit; t’i angazhojnë energjitë e tyre në shëlbim të popujve dhe sidomos të ushqejnë në vete dhe të ndezin në të tjerët, në të mëdhenjtë e në të vegjlit, dashurinë, zonjën dhe mbretëreshën e të gjitha virtyteve. Shëlbimi i dëshiruar duhet të jetë kryesisht fryt i një zbrazjeje të dashurisë; jemi duke folur për atë dashuri të krishterë që përmbledh në vete gjithë Ungjillin dhe që gjithmonë e gatshme të flijohet për tjetrin, është ilaçi më i mirë kundër krenarisë dhe egoizmit të shekullit. Edhe shën Pali e ka përvijuar atë me këto fjalë: «Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme… nuk kërkon interesin e vet… shpreson gjithçka, duron gjithçka» (40). Duke dëshiruar për ju të mirat qiellore dhe si shenjë e dashamirësisë Sonë, secilit prej jush, të Nderuar Vëllezër, klerit tuaj dhe popullit tuaj, me dashuri të madhe në Zotin i japim bekimin apostolik.

 

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 15 maj 1891, viti XIV i Pontifikatit Tonë.

Papa Leoni XIII

 

 

 

CITIME

 

(1)           Krh. Sh. Toma i Akuinit, I-I,

                q. 95, a. 4.

(2)           Lp 5, 21

(3)           Zan 1, 28

(4)           Sh. Toma, II-II, Q. X, a. 12

(5)           Zan 3, 17

(6)           Jk 5, 4

(7)           2 Tim 2, 12

(8)           2 Kor 4, 17

(9)           krh. Mt 19, 23-24

(10)         krh. Lk 4, 24-25

(11)         II-II, Q. LXVI, a. 2

(12)         II-II, Q. LXV, a. 2

(13)         II-II, Q. XXXII, a. 6

(14)         Lk 11, 41

(15)         Vap 20, 35

(16)         Mt 25, 40

(17)         Sh. Gregori i Madh, In Evang Hom.l,    IX, nr. 7

(18)         2 Kor 8, 9

(19)         Mk 6, 3

(20)         Mt 5, 3

(21)         Mt 11, 28

(22)         Rom 8, 17

(23)         1 Tim 6, 10

(24)         Vap 4, 34

(25)         Apol. II, XXXIX

(26)         II-II, Q. LXI, a. 1 deri në 2

(27)         Sh. Toma, De reg. Princip., I, c. XVI

(28)         Zan 1, 28

(29)         Rom 10, 12

(30)         Dal 20, 8

(31)         Zan 2, 2

(32)         Zan 3, 19

(33)         Ksh 4, 9-10

(34)         Fu 18, 19

(35)         Sh. Toma, Contra impugn. Dei cultum  et relig., kap. II

(36)         Id.

(37)         Sh. Toma, Summ. Theol., I-II, Quaest XIII, a. 3

(38)         Mt 16, 26

(39)         Mt 6, 32-33

(40)         1 Kor 13, 4-7

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster