ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

NXITJE APOSTOLIKE  PAS-SINODALE

 

SAKRAMENTI I DASHURISË

(SACRAMENTUM CARITATIS)

 

E SHENJTËRISË SË TIJ

PAPA BENEDIKTI XVI

 

DREJTUAR IPESHKVIJVE,  KLERIT,

PERSONAVE TË KUSHTUAR

DHE BESIMTARËVE LAIKËVE

 

Nën kujdesin e

Arqipeshkvisë Shkodër - Pult

Janar 2009

 

Përktheu

 DOM PREN KOLA

 

Redaktorë

LORETA TOMA

ATË  LELLO  LANZILLI SJ

 

Faqosja dhe grafikat

LUIGJ MILA

 

© Copyright 2008

 

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE    

SHKODËR - PULT

 

Shtypur

 SHTYPSHKRONJA “VOLAJ”

Janar 2009

 

HYRJE

 

1. Sakrament i dashurisë1, Eukaristia e Shenjtë është dhurata e vetëflijimit të Jezu Krishtit, me të cilën Ai na zbulon dashurinë e pafund të Hyjit ndaj çdo njeriu. Në këtë Sakrament të mrekullueshëm shfaqet dashuria “më e madhe”, që e shtyn “të japë jetën e vet për miqtë e vet” (krh. Gjn 15, 13). Jezusi, në fakt, “i deshi të vetët... deri në pikën e fundit” (Gjn 13, 1). Me këtë shprehje ungjilltari fut gjestin e përvujtërisë së pafund që ka bërë Jezusi: para se të vdiste në kryq për ne, pasi vuri një peshqir përpara, ua lau këmbët nxënësve të vet. Në të njëjtën mënyrë, Jezusi në Sakramentin eukaristik vazhdon të na dojë edhe neve “deri në pikën e fundit”, deri në dhurimin e trupit dhe të gjakut të vet. Çfarë mahnitjeje duhet t’i ketë kapluar zemrat e apostujve përballë gjesteve dhe fjalëve të Zotit gjatë asaj Darke! Çfarë mrekullimi duhet të ngjallë edhe në zemrën tonë Misteri eukaristik!

Ushqimi i së vërtetës

2. Në sakramentin e altarit, Zoti i del përpara njeriut, të krijuar në përngjasim dhe në ngjashmëri të Hyjit (krh. Zan 1, 27), duke u bërë shoku i tij i udhëtimit. Në këtë Sakrament, në fakt, Zoti bëhet ushqim për njeriun e uritur për të vërtetën dhe lirinë. Meqenëse vetëm e vërteta mund të na bëjë me të vërtetë të lirë (krh. Gjn 8, 36), Krishti bëhet për ne ushqim i së Vërtetës. Duke e njohur në mënyrë të mprehtë realitetin njerëzor, Shën Augustini ka vënë në dukje se si njeriu vihet në lëvizje spontanisht, dhe jo me detyrim, kur ka të bëjë me diçka që e tërheq ose që ngjall dëshirën për këtë gjë. Kur, më pas, Ipeshkvi i shenjtë e pyet veten se çfarë mund ta lëvizte tani shpejt njeriun në brendinë e tij më të thellë, ai pohon: “Çfarë dëshiron zemra më shumë se të vërtetën?”2. Në fakt, çdo njeri mbart në vetvete dëshirën e pamposhtshme për të vërtetën, të fundit dhe përfundimtare. Për këtë arsye, Jezusi Zot, “Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14, 6), i drejtohet zemrës së etur të njeriut, që ndihet shtegtare dhe e munduar nga etja, zemrës që kërkon me gjithë shpirt burimin e jetës, zemrës që lyp të vërtetën. Jezu Krishti, në fakt, është e Vërteta bërë Person, që e tërheq drejt vetes së vet botën. “Jezusi është ylli polar i lirisë njerëzore; pa Të ajo e humb orientimin e vet, sepse pa njohjen e së vërtetës liria zvetënohet, ajo izolohet dhe kthehet në një veprim shterpë arbitrar. Me Të, e vërteta gjendet sërish”3. Në sakramentin e Eukaristisë Jezusi na tregon në veçanti të vërtetën e dashurisë, që është thelbi i vetë Hyjit. Është kjo e vërtetë ungjillore që ka të bëjë me çdo njeri dhe me krejt njeriun. Për këtë arsye Kisha, e cila në Eukaristi e gjen qendrën e vet jetësore, angazhohet pa pushim për t’u kumtuar të gjithëve, në rast të volitshëm  dhe në rast të pavolitshëm (krh. 2 Tim 4, 2) se Hyji është dashuri4. Pikërisht për arsye se Krishti është bërë për ne ushqim i të Vërtetës, Kisha i drejtohet njeriut, duke e ftuar atë që ta pranojë lirisht dhuratën e Hyjit.

Zhvillimi i ritit eukaristik

3. Duke shikuar historinë dymijëvjeçare të Kishës së Hyjit, udhëhequr nga veprimi i urtë i Shpirtit Shenjt, admirojmë, me mirënjohje, zhvillimin, të renditur në kohë, të formave rituale, me të cilat përkujtojmë ngjarjen e shpëtimit tonë. Nga format e llojllojshme të shekujve të parë, që ende rrezatojnë në ritet e Kishave të Vjetra të Lindjes, deri tek përhapja e ritit romak; nga udhëzimet e qarta të Koncilit të Trentit dhe të Mesharit të Shën Piut V deri tek ripërtëritja liturgjike e Koncilit II të Vatikanit: në çdo etapë të historisë së Kishës Kremtimi eukaristik, si burim dhe kulm i jetës dhe i misionit, lëshon dritë në ritin liturgjik me krejt begatinë e vet të larmishme. Asambleja XI e Përgjithshme e Zakonshme e Sinodit të Ipeshkvijve, mbajtur në Vatikan nga data 2 deri më 23 tetor 2005, për këtë histori, ka shprehur falënderimin e saj të thellë ndaj Hyjit, duke pranuar se ajo udhëhiqej nga Shpirti Shenjt. Në veçanti, Etërit sinodalë kanë konstatuar dhe ripohuar ndikimin e dobishëm, që reforma liturgjike e vënë në jetë duke nisur nga Koncili II i Vatikanit ka pasur në jetën e Kishës.5 Sinodi i Ipeshkvijve ka pasur mundësi ta vlerësojë mënyrën se si ajo është pranuar pas Asamblesë konciliare. Vlerësimet kanë qenë të shumta. Vështirësitë dhe disa keqpërdorime të vëna në dukje, është pohuar se nuk mund ta errësojnë mirësinë dhe vlefshmërinë e ripërtëritjes liturgjike, që në gjirin e vet fsheh shumë pasuri ende të pahulumtuara plotësisht. Konkretisht bëhet fjalë për leximin e ndryshimeve të bëra nga Koncili brenda njësisë, që karakterizon zhvillimin historik të vetë ritit, pa përdorur thyerje jonatyrore.6

Sinodi i Ipeshkvijve dhe Viti i Eukaristisë

4. Veç të tjerash është e nevojshme të theksojmë lidhjen mes Sinodit të kohëve të fundit të Ipeshkvijve mbi Eukaristinë dhe asaj që ka ndodhur vitet e fundit në jetën e Kishës. Pikësëpari duhet të kujtojmë Jubileun e madh të vitit 2000, me të cilin Paraardhësi im i dashur, Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II, e ka futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë të krishterë. Viti Jubilar padyshim është karakterizuar në kuptimin eukaristik. Përveç kësaj nuk mund të harrohet se Sinodi i Ipeshkvijve është paraprirë, dhe në njëfarë mënyrë edhe përgatitur, nga Viti i Eukaristisë, që me një largpamësi të madhe Gjoni Pali II e deshi për mbarë Kishën. Kjo periudhë, që filloi me Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik në Guadalajara në tetor të vitit 2004, u mbyll më 23 tetor 2005, në përfundim të Asamblesë XI Sinodale, me kanonizimin e pesë të Lumëve, të cilit ishin dalluar veçanërisht për devotshmërinë e tyre eukaristike: Ipeshkvi Józef Bilczewski, meshtarët Gaetano Catanoso, Zygmunt Gorazdowski e Alberto Hurtado Cruchaga dhe rregulltari kapuçin Fra Felice da Nicosia. Falë mësimeve të parashtruara nga Gjon Pali II në Letrën apostolike Mane Nobiscum Domine7 dhe propozimeve të çmueshme të Kongregatës për Kultin e Shenjtë dhe Disiplinën e Sakramenteve,8 dioqezat dhe organizata të ndryshme kishtare kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për ta rizgjuar dhe për ta rritur fenë eukaristike tek besimtarët, për ta rritur kujdesin ndaj kremtimeve dhe për ta nxitur adhurimin eukaristik, për të inkurajuar një solidaritet veprues, që duke u nisur nga Eukaristia të arrijë nevojtarët. Në fund, është e nevojshme të përmendim rëndësinë e Enciklikës së fundit të Paraardhësit tim të nderuar Ecclesia de Eucharistia,9 me të cilën na ka lënë një pikë referimi të sigurt magjisterial mbi doktrinën eukaristike dhe një dëshmi të fundit mbi vendin qendror që ky Sakrament hyjnor zinte në ekzistencën e tij.

Qëllimi i kësaj Nxitjeje

5. Kjo Nxitje apostolike pas-sinodale ka për qëllim të rimarrë pasurinë e shumëllojshme të reflektimeve dhe të propozimeve që janë bërë në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve – duke filluar nga Lineamenta e deri te Propositiones, duke kaluar nëpër Instrumentum Laboris, pastaj Relationes ante et post disceptationem, ndërhyrjet e Etërve sinodalë, të auditores dhe të delegatëve, vëllezërit tanë, për të shtjelluar disa vija themelore angazhimi, që synojnë të zgjojnë në Kishë një impuls dhe një zell të ri eukaristik. Duke qenë të vetëdijshëm për trashëgiminë doktrinore dhe disiplinore të grumbulluar përgjatë shekujve rreth këtij sakramenti,10 në këtë dokument dëshiroj mbi të gjitha të porosis, duke mirëpritur dëshirën e Etërve sinodalë,11 që populli i krishterë të thellojë marrëdhënien mes Misterit eukaristik, veprimit liturgjik dhe kultit të ri shpirtëror që rrjedh nga Eukaristia, si sakrament i dashurisë. Në këtë perspektivë dëshiroj ta paraqes këtë Nxitje në lidhje me Letrën time të parë Enciklike Deus caritas est, në të cilën kam folur disa herë për sakramentin e Eukaristisë, për të theksuar lidhjen e tij me dashurinë e krishterë, ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit: “Hyji i mishëruar na tërheq të gjithëve. Nga kjo vetëkuptohet se agape-ja është bërë tani edhe një emërtim i Eukaristisë: Në të agape-ja e Hyjit vjen te ne trupërisht për të vazhduar veprën e vet në ne dhe nëpërmjet nesh”.12

  

Pjesa e parë

 

EUKARISTIA, MISTER PËR T’U BESUAR

 

Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi (Gjn 6, 29).

Feja eukaristike e Kishës

6. “Misteri i fesë!”. Me këtë shprehje të shqiptuar menjëherë pas fjalëve të shugurimit, meshtari shpall misterin e kremtuar dhe shpreh mrekullimin e vet për shndërrimin substancial të bukës dhe të verës në trupin e në gjakun e Krishtit, një realitet që tejkalon çdo mundësi që njeriu ta kuptojë. Në të vërtetë, Eukaristia është në mënyrën më të lartë “mister i fesë”: “është përmbledhja dhe shuma e fesë sonë”.13 Feja e Kishës në thelb është një fe eukaristike dhe ushqehet në mënyrë të veçantë në tryezën e Eukaristisë. Feja dhe Sakramentet janë dy aspekte të jetës kishtare që plotësojnë njëri-tjetrin. E nxitur nga kumtimi i Fjalës së Hyjit, feja ushqehet dhe rritet në takimin e hirit me Zotin e ngjallur, takim ky që realizohet në Sakramente: “Feja shprehet në rit dhe riti e gjallëron dhe e forcon fenë”.14 Për këtë arsye, Sakramenti i altarit qëndron gjithmonë në qendër të jetës kishtare; “falë Eukaristisë Kisha rilind gjithnjë sërish!”.15 Sa më e gjallë të jetë feja eukaristike në Popullin e Hyjit, aq më e thellë është pjesëmarrja e tij në jetën kishtare duke iu bashkëngjitur në mënyrë të plotë dhe të bindur misionit që Krishti u ka besuar nxënësve të vet. Këtë e dëshmon vetë historia e Kishës. Çdo reformë e madhe në një mënyrë apo ndonjë tjetër është e lidhur me rizbulimin e fesë në praninë eukaristike të Zotit në mes të popullit të vet.

Trinia e Shenjtë dhe Eukaristia

Buka e zbritur prej qiellit

7. Realiteti i parë i fesë eukaristike është vetë misteri i Hyjit, që është dashuri trinitare. Në bisedën e Jezusit me Nikodemin, lidhur me këtë gjejmë një thënie ndriçuese: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të” (Gjn 3, 17-17). Këto fjalë tregojnë rrënjën më të thellë të hirit të Hyjit. Jezusi në Eukaristi nuk dhuron “diçka”, por vetveten; ai e dhuron trupin e vet dhe derdh gjakun e vet. Në këtë mënyrë ai dhuron tërësinë e ekzistencës së vet, duke zbuluar burimin zanafillor të kësaj dashurie. Ai është Biri i përjetshëm dhënë për ne nga Ati. Në Ungjill dëgjojmë përsëri Jezusin, që, pasi i dha të hajë turmës së njerëzve me anë të shumëzimit të bukëve dhe të peshqve, u thotë bashkëbiseduesve të vet, që e ndiqnin deri në sinagogën e Kafarnaumit: “Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën” (Gjn 6, 32-33), arrin ta identifikojë veten, mishin dhe gjakun e vet, me atë bukë: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do të jap është trupi im - për jetën e botës” (Gjn 6, 51). Në këtë mënyrë Jezusi zbulohet si buka e jetës, që Ati i amshuar ua dhuroi njerëzve.

Dhuratë falas e Trinisë së Shenjtë

8. Në Eukaristi zbulohet plani i dashurisë, që drejton krejt historinë e shpëtimit (krh. Ef 1, 10; 3, 8-11). Në të Deus Trinitas-i, që në vete është dashuri (krh. 1 Gjn 4, 7-8), përfshihet tërësisht me gjendjen tonë njerëzore. Në bukën dhe në verën, nën trajtat e të cilave Krishti na dhuron veten e vet, darkën e Pashkës (krh. Lk 22, 14-20; 1 Kor 11, 23-26), është krejt jeta hyjnore që na arrin dhe na jepet neve nën trajtën e Sakramentit. Hyji është bashkësia e përsosur e dashurisë mes Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt. Qysh në krijim njeriu është i thirrur të bashkëndajë në njëfarë mase frymën jetësore të Hyjit (krh. Zan 2, 7). Mirëpo, në Krishtin e vdekur e të ngjallur dhe në dërgimin e Shpirtit Shenjt, dhënë pa masë (krh. Gjn 3, 34), jemi bërë pjesëmarrës në intimitetin hyjnor të Hyjit16. Jezu Krishti, pra, që “nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë” (Heb 9, 14), në dhurimin eukaristik na komunikon vetë jetën hyjnore. Bëhet fjalë për një dhuratë absolutisht falas, që i përgjigjet vetëm premtimeve të Hyjit, të përmbushura përtej çdo mase. Kisha e mirëpret, e kremton dhe e adhuron këtë dhuratë në dëgjesën besnike. “Misteri i fesë” është mister i dashurisë trinitare, në të cilën jemi të thirrur prej hirit për të marrë pjesë në të. Prandaj edhe ne duhet të thërrasim së bashku me Augustinin: “Nëse sheh dashurinë, sheh Trininë”17.

 Eukaristia: Jezusi, Qengji i vërtetë i flijuar

Besëlidhja e re dhe e amshuar në gjakun e Qengjit

9. Misioni për të cilin Jezusi ka ardhur mes nesh, e arrin plotësinë e vet në Misterin e Pashkës. Nga lartësia e kryqit, nga i cili i tërheq të gjithë njerëzit tek vetja (krh. Gjn 12, 32), përpara se “të japë shpirt”, Ai thotë: “Gjithçka u krye!” (Gjn 19, 30). Në misterin e dëgjesës së tij deri në vdekje, deri në vdekjen në kryq (krh. Fil 2, 8), është realizuar Besëlidhja e re dhe e amshuar. Liria e Hyjit dhe liria e njeriut janë takuar përfundimisht në trupin e tij të kryqëzuar në një lidhje të pazgjidhshme, që vlen përgjithmonë. Edhe mëkati i njeriut është shlyer një herë e përgjithmonë nga Biri i Hyjit (krh. Heb 7, 27; 1 Gjn 2, 2; 4, 10). Siç kam pasur rast të pohoj edhe më parë, “në vdekjen e tij në kryq realizohet kthimi i Hyjit kundër vetes së vet, në të cilën ai dhuron vetveten për ta ringritur dhe për ta shpëtuar njeriun – dashuri, kjo, në formën e saj më rrënjësore”18. Në misterin e Pashkës realizohet me të vërtetë lirimi ynë nga e keqja dhe vdekja. Gjatë themelimit të Eukaristisë vetë Jezusi foli për “Besëlidhjen e re dhe të amshuar”, që u lidh në gjakun e derdhur prej tij (krh. Mt 26, 28; Mk 14, 24; Lk 22, 20). Ky qëllim i fundit i misionit të tij ishte shumë i qartë që në fillim të jetës së tij publike. Në fakt, kur në brigjet e lumit Jordan, Gjon Pagëzuesi e sheh Jezusin që po shkonte drejt tij, thërret: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!” (Gjn 1, 29). Është domethënëse që po kjo shprehje përdoret sa herë kremtojmë Meshën e shenjtë, në ftesën e meshtarit për t’u kunguar: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky i shlyen mëkatet e botës! Lum ata që janë të grishur në tryezën e Qengjit!”. Jezusi është Qengji i vërtetë pashkvnor, që e ka dhuruar me dëshirë vetveten si fli për ne, duke realizuar kështu Besëlidhjen e re dhe të amshuar. Eukaristia përmban në vetvete këtë risi rrënjësore, që na ripropozohet neve në çdo kremtim19.

Themelimi i Eukaristisë

10. Në këtë mënyrë jemi të prirur të reflektojmë mbi themelimin e Eukaristisë gjatë Darkës së Fundit. Ajo ndodhi në kontekstin e një darke rituale, që përbënte festën e përkujtimit të ngjarjes themeluese të popullit të Izraelit: lirimit nga robëria e Egjiptit. Kjo darkë rituale, e lidhur me flijimin e qengjave (krh. Dal 12, 1-28. 43-51) ishte përkujtim i të kaluarës, por, në të njëjtën kohë, edhe një përkujtim profetik, apo kumtimi i një lirimi të ardhshëm. Në fakt, populli kishte mësuar se ai lirim nuk kishte qenë përfundimtar, sepse historia e tij ende shënohej nga skllavëria dhe mëkati. Përkujtimi i këtij lirimi të lashtë i hapej në këtë mënyrë lutjes dhe pritjes së një shpëtimi më të thellë, më rrënjësor, më të gjithëmbarshëm dhe përfundimtar. Në këtë kontekst Jezusi e fut risinë e dhurimit të vet. Në lutjen e lavdërimit, Berakah, Jezusi e falënderon Atit jo vetëm për ngjarjet e mëdha të së kaluarës, por edhe për “lartësimin” e vet. Duke themeluar sakramentin e Eukaristisë, Jezusi hershon dhe përfshin Flinë e kryqit dhe ngadhënjimin e ngjalljes. Në të njëjtën kohë, Ai zbulohet si qengji i vërtetë i flijuar, i parashikuar në planin e Atit që nga krijimi i botës, siç lexojmë tek Letra e Parë e Shën Pjetrit (krh. 1, 18-20). Duke e vënë dhurimin e vet në këtë kontekst, Jezusi tregon domethënien shpëtuese të vdekjes e të ngjalljes së tij, mister që bëhet realitet ripërtërirës i historisë dhe i mbarë gjithësisë. Në fakt, themelimi i Eukaristisë tregon, se si ajo vdekje, në vetvete e dhunshme dhe absurde, në Jezusin është bërë akti më i madhërishëm i dashurisë dhe lirimi përfundimtar i njerëzimit nga e keqja.

Figura transit in veritatem

11. Në këtë mënyrë Jezusi e fut risinë (novum) e vet rrënjësore brenda darkës së lashtë flijuese hebraike. Ajo darkë për ne të krishterët nuk ka nevojë të përsëritet. Ashtu si me të drejtë thonë Etërit, “Figura transit in veritatem”: ajo që kumtonte realitetet e ardhshme tani i ka bërë vend vetë të vërtetës. Riti i lashtë është plotësuar dhe është tejkaluar përfundimisht nëpërmjet dhuratës së dashurisë të Birit të mishëruar të Hyjit. Ushqimi i të vërtetës, Krishti i flijuar për ne, dat figuris terminum20. Me urdhrin: “Bëni këtë në përkujtimin tim!” (Lk 22, 19; 1 Kor 11, 25) Ai na fton që t’i përgjigjemi dhuratës së tij dhe ta paraqesim atë sakramentalisht. Për këtë arsye, me këto fjalë, Zoti shpreh, si të thuash, pritjen që Kisha e tij, që ka dalë nga flija e tij, ta pranojë këtë dhuratë, duke zhvilluar formën liturgjike të Sakramentit nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. Përkujtimi i dhuratës së përsosur të tij, në fakt, nuk qëndron thjesht në përsëritjen e Darkës së Fundit, por pikërisht në Eukaristi, më saktë në risinë rrënjësore të kultit të krishterë. Kështu Jezusi na ka lënë detyrën që të hyjmë në “orën” e tij: “Eukaristia na tërheq në aktin dhurues të Jezusit. Ne nuk marrim vetëm në mënyrë statike Logos-in e mishëruar, por përfshihemi në dinamikën e dhurimit të tij”21. Ai “na tërheq brenda vetes së vet”22. Shndërrimi substancial i bukës dhe i verës në trupin e gjakun e tij fut në krijim parimin e një ndryshimi rrënjësor, si njëfarë “shpërbashkimi bërthamor”, për të përdorur një imazh të njohur për ne sot, që është futur në brendësinë më të thellë të qenies, një ndryshim ky i caktuar për të nxitur një proces shndërrimi të realitetit, qëllimi i fundit i të cilit është shndërrimi i mbarë botës, deri në atë gjendje ku Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë (krh. 1 Kor 15, 28).

Shpirti Shenjt dhe Eukaristia

Jezusi dhe Shpirti Shenjt

12. Me fjalën e vet, me bukën dhe me verën vetë Zoti na ka dhuruar përbërësit thelbësorë të kultit të ri. Kisha, nusja e tij, është e thirrur ta kremtojë çdo ditë gostinë eukaristike në përkujtim të Tij. Në këtë mënyrë ajo skalit flinë shëlbuese të dhëndrit të saj në historinë e njerëzve dhe e bën atë sakramentalisht të pranishme në të gjitha kulturat. Ky mister i madh festohet në forma liturgjike, të cilat Kisha, e udhëhequr nga Shpirti Shenjt, i zhvillon në kohë dhe hapësirë23. Në këtë kontekst është e rëndësishme që ta zgjojmë në veten tonë vetëdijen e rolit vendimtar që luan Shpirti Shenjt për zhvillimin e formës liturgjike dhe për thellimin e mistereve hyjnore. Parakliti (Shpirti Shenjt), dhurata e parë dhënë besimtarëve24. që ishte veprues qysh në krijim (krh. Zan 1, 2) është plotësisht i pranishëm në tërë ekzistencën e Fjalës së mishëruar: Jezu Krishti në të vërtetë u ngjiz nga Virgjëra Mari për virtyt të Shpirtit Shenjt (krh. Mt 1, 18; Lk 1, 35); në fillim të misionit të tij publik, në brigjet e lumit Jordanit, e sheh të zbresë mbi veten e vet në formën e një pëllumbi (krh. Mt 3, 16 dhe paralelet); në këtë Shpirt Ai vepron, flet dhe klith plot hare (krh. Lk 10, 21); dhe në Të Ai mund ta flijojë veten e vet si fli (krh. Heb 9, 14). Në të ashtuquajturat “fjalimet e lamtumirës”, që i ka shkruar Gjoni, Jezusi e vë në dukje lidhjen mes flijimit të jetës së vet në Misterin e Pashkës dhe dhurimit të Shpirtit Shenjt të Vetëve (krh. Gjn 16, 7). Si i ngjallur që i mbart në trupin e vet shenjat e vuajtjes, Ai mund ta përhapë Shpirtin me hukatjen e vet (krh. Gjn 20, 21), duke i bërë pjesëmarrës në vetë misionin e vet. Pastaj Shpirti do t’ua mësojë nxënësve të gjitha dhe do t’u kujtojë gjithçka u ka thënë Jezusi (krh. Gjn 14, 26), sepse si Shpirt i të Vërtetës (krh. Gjn 16, 13) i takon Atij t’i fusë nxënësit në krejt të Vërtetën (krh. Gjn 16, 13). Në Veprat e Apostujve Shpirti Shenjt zbret mbi apostujt, të cilët ishin të mbledhur në lutje së bashku me Marinë ditën e Rrëshajës (krh. 2, 1-4) dhe i gjallëron me misionin për t’ua shpallur të gjithë popujve Lajmin e Mirë. Për këtë arsye, për virtyt të Shpirtit Shenjt vetë Krishti është i pranishëm dhe veprues në Kishë, duke u nisur nga qendra e saj jetësore, që është Eukaristia.

Shpirti Shenjt dhe kremtimi eukaristik

13. Në këtë horizont kuptohet roli vendimtar i Shpirtit Shenjt në kremtimin eukaristik dhe veçanërisht lidhur me trans-substancimin. Një vetëdije të tillë mund ta gjejmë dhe tek Etërit e Kishës. Shën Çirili nga Jerusalemi në Katekezat e tij na kujton se ne “i lutemi Hyjit të mëshirshëm që ta dërgojë Shpirtin Shenjt mbi dhuratat e flisë, që i kemi përpara, me qëllim që ta shndërrojë bukën në trupin e Krishtit dhe verën në gjakun e Krishtit. Ajo që preket nga Shpirti Shenjt shenjtërohet dhe shndërrohet plotësisht”25. Dhe Shën Gjon Gojarti vë në dukje se meshtari e thërret Shpirtin Shenjt kur kremton flinë26: ashtu sikurse Elija, edhe shërbestari i Hyjit, - thotë ai - e thërret Shpirtin Shenjt me qëllim që “hiri, duke rënë mbi viktimën, të ndizen nëpërmjet tij shpirtrat e të gjithëve”27. Është më e rëndësishme se kurrë për jetën shpirtërore të besimtarëve një njohje më e mirë e pasurisë së anaforës: përveç fjalëve të Krishtit të thëna në Darkën e Fundit, ajo përmban edhe epiklezën, si lutje drejtuar Atit, që ta dërgojë dhuratën e Shpirtit Shenjt, me qëllim që buka dhe vera të bëhen trupi dhe gjaku i Jezu Krishtit dhe me qëllim që “mbarë bashkësia të bëhet gjithnjë e më tepër trupi i Krishtit”28. Shpirti, i thirrur nga kremtuesi mbi dhuratat e bukës dhe të verës, të vëna mbi altar, është po Ai që i bashkon besimtarët në “një trup të vetëm” dhe që i bën një fli shpirtërore që i pëlqen Atit29.

Eukaristia dhe Kisha

Eukaristia, parimi shkakor i Kishës

14. Nëpërmjet sakramentit eukaristik Jezusi i përfshin besimtarët në “orën” e vet; në këtë mënyrë Ai na tregon lidhjen që deshi të ekzistonte mes tij dhe nesh, mes personit të vet dhe Kishës. Në fakt, vetë Krishti në flinë e kryqit e ka lindur Kishën si nusen dhe trupin e vet. Etërit e Kishës kanë medituar gjatë për lidhjen mes zanafillës së Evës nga brinja e Adamit që flinte (krh. Zan 2, 21-23) dhe Evës së re, Kishës, nga kraharori i hapur i Krishtit, që kishte rënë në gjumin e vdekjes: nga kraharori i shporuar, tregon Gjoni, rrodhi gjak dhe ujë (krh. Gjn 19, 34), simbol i sakramenteve30. Një shikim soditës “në atëqë e shporuan” (Gjn 19, 37) na bën që të mendojmë për një lidhje shkakore mes flisë së Krishtit, Eukaristisë dhe Kishës. Kisha, në fakt, “jeton prej Eukaristisë”31. Meqenëse në të bëhet e pranishme flija shëlbuese e Krishtit, para së gjithash duhet të pranohet se “kemi një ndikim shkakor të Eukaristisë në vetë zanafillën e Kishës”32. Eukaristia është Krishti që na e dhuron veten neve, duke na krijuar gjithnjë e më shumë si trupin e vet. Për këtë arsye, në këtë ndikim rrethor mes e Eukaristisë, që ndërton Kishën, dhe vetë Kishës, që realizon Eukaristinë33, shkakësia e parë është ajo që është shprehur në formulën e parë: Kisha mund ta kremtojë dhe ta adhurojë misterin e Krishtit të pranishëm në Eukaristi pikërisht sepse vetë Krishti i është dhuruar i pari asaj në flinë e Kryqit. Mundësia e Kishës “për ta realizuar” Eukaristinë është e rrënjosur plotësisht në dhurimin e Krishtit. Edhe këtu zbulojmë një aspekt bindës të formulës së Gjonit: “Ai na deshi më parë” (krh. 1 Gjn 4, 19). Në këtë mënyrë edhe ne në çdo kremtim dëshmojmë parësinë e dhurimit të Krishtit. Ndikimi shkakor i Eukaristisë në zanafillën e Kishës zbulon përfundimisht përparësinë jo vetëm kronologjike, por edhe atë ontologjike të dashurisë së tij, me të cilën na “deshi më parë”. Ai është për amshim Ai që na do më parë.

Eukaristia dhe  bashkësia kishtare

15. Eukaristia, pra, është pjesë përbërëse e ekzistencës dhe e veprimtarisë së Kishës. Për këtë arsye, lashtësia e krishterë trupin e lindur nga Virgjëra Mari, trupin eukaristik dhe trupin kishtar të Krishtit i emërtoi me të njëjtin term Corpus Christi34. Ky fakt i pranishëm fuqimisht në traditë na ndihmon që të kemi një vetëdije më të madhe rreth pandashmërisë së Krishtit dhe të Kishës. Jezusi Zot, duke e flijuar veten e vet për ne, ka paralajmëruar në mënyrë të efektshme në dhurimin e vet misterin e Kishës. Është domethënëse që Lutja II Eukaristike, duke thirrur Paraklitin, formulon në këtë mënyrë lutjen për njësinë e Kishës: “Bëj të marrim pjesë në Korpin dhe në Gjakun e Krishtit dhe të bëhemi një me anë të Shpirtit Shenjt”. Ky formulim na bën të qartë se res-i i Sakramentit eukaristik është njësia e besimtarëve në bashkësinë kishtare. Kështu Eukaristia paraqitet në rrënjën e Kishës si mister bashkësie35.

Mbi lidhjen mes Eukaristisë dhe bashkësisë na e pati tërhequr vëmendjen edhe Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II në enciklikën e vet Ecclesia de Eucharistia. Ai ka folur për përkujtimin e Krishtit si “paraqitja supreme sakramentale e bashkësisë në Kishë”36. Njësia e bashkësisë kishtare tregohet konkretisht në bashkësitë e krishtera dhe ripërtëritet në aktin eukaristik, i cili i bashkon dhe i dallon në kishat e veçanta, “in quibus et ex quibus una et unica Ecclesia catholica exsistit37. Pikërisht realiteti i të vetmes Eukaristi, që kremtohet në çdo Dioqezë rreth Ipeshkvit të saj, na ndihmon të kuptojmë se si vetë Kishat e veçanta ekzistojnë in dhe ex Ecclesia. Në fakt, “uniciteti dhe pandashmëria e Trupit eukaristik të Zotit përfshin unicitetin e Trupit të tij mistik, që është Kisha e vetme dhe e pandashme. Nga qendra eukaristike lind hapja e domosdoshme e çdo bashkësie kremtuese, e çdo kishe të veçantë: e tërhequr mes krahëve të hapur të Zotit, ajo futet në Trupit të tij, të vetëm dhe të pandashëm”38. Për këtë arsye, në kremtimin e Eukaristisë, çdo besimtar gjendet në Kishën e vet, domethënë në Kishën e Krishtit. Në këtë perspektivë eukaristike, të kuptuar siç duhet, bashkësia kishtare paraqitet si një realitet katolik për nga vetë natyra e vet39. Ta theksosh këtë rrënjë eukaristike të bashkësisë kishtare mund të kontribuojë në mënyrë të efektshme edhe në dialogun ekumenik me Kishat dhe bashkësitë kishtare, të cilat nuk janë në bashkësi të plotë me Selinë e Pjetrit. Në fakt, Eukaristia vendos objektivisht një lidhje të fortë njësie mes Kishës katolike dhe Kishave ortodokse, të cilat kanë ruajtur natyrën e vërtetë dhe të plotë të misterit të Eukaristisë. Në të njëjtën kohë, rëndësia që i jepet karakterit kishtar të Eukaristisë mund të bëhet një element i privilegjuar në dialog edhe me Bashkësitë që kanë dalë nga Reforma40.

Eukaristia dhe Sakramentet

Sakramentaliteti i Kishës

16. Koncili II i Vatikanit na ka kujtuar se “të gjitha Sakramentet, si edhe të gjitha shërbesat kishtare dhe të gjitha veprat apostolike, janë ngushtësisht të lidhura me Eukaristinë e shenjtë dhe të nënshtruara asaj. Në fakt, në Eukaristinë e shenjtë përmblidhet krejt e mira shpirtërore e Kishës, domethënë vetë Krishti, Pashka dhe buka e gjallë, që, nëpërmjet mishit të tij të gjallëruar nga Shpirti Shenjt dhe gjallërues, u jep jetë njerëzve, të cilët në këtë mënyrë ftohen dhe shtyhen që ta flijojnë së bashku me Të vetveten, punët e tyre dhe të gjitha gjërat e krijuara”41. Kjo marrëdhënie e ngushtë e Eukaristisë me të gjitha Sakramentet e tjera dhe me ekzistencën e krishterë kuptohet rrënjësisht kur soditet misteri i vetë Kishës si sakrament42. Në lidhje me këtë Koncili ka pohuar se “Kisha është, në Krishtin, në njëfarë mënyre sakramenti, domethënë shenja dhe vegla e bashkimin më intim me Hyjin dhe e njësisë së mbarë njerëzimit”43. Ajo, si “popull - siç thotë Shën Çipriani - i bashkuar nga njësia e Atit, e Birit dhe e Shpirtit Shenjt”44, është Sakrament i bashkësisë trinitare.

Fakti se Kisha është “sakrament i gjithëmbarshëm i shëlbimit”45 tregon se si “ekonomia” sakramentale ka përcaktuar këto kohët e fundit mënyrën në të cilën Krishti, Shpëtimtari i vetëm, nëpërmjet Shpirtit e arrin ekzistencën tonë në veçantinë e rrethanave të saj. Kisha merret dhe njëkohësisht shprehet në shtatë Sakramentet, me anë të cilëve hiri i Hyjit ndikon konkretisht në ekzistencën e besimtarëve, me qëllim që tërë jeta, e shëlbuar prej Krishtit, të bëhet kult që i pëlqen Hyjit. Në këtë perspektivë dëshiroj të theksoj disa elemente, të vëna në dukje prej Etërve të Sinodit, që mund të na ndihmojnë për ta kuptuar lidhjen e të gjithë sakramenteve me Misterin eukaristik.

 I. Eukaristia dhe hyrja e krishterë

Eukaristia, plotësia e hyrjes në jetën e krishterë

17. Nëse Eukaristia është me të vërtetë burim dhe kulm i jetës dhe i misionit të Kishës, nga kjo rrjedh para së gjithash se ecja e hyrjes së krishterë ka si pikë referimi mundësinë e marrjes së këtij Sakramenti. Në lidhje me këtë, siç thanë Etërit sinodal, duhet ta pyesim veten nëse në bashkësitë tona është perceptuar mjaftueshëm lidhja e ngushtë mes Pagëzimit, Krezmimit dhe Eukaristisë46. Në fakt, nuk duhet ta harrojmë kurrë se ne pagëzohemi dhe krezmohemi duke marrë parasysh Eukaristinë. Një gjë e tillë bashkëmbart angazhimin në praktikën baritore të një kuptimi më unitar të krejt itinerarit të hyrjes së krishterë. Sakramenti i Pagëzimit, me anë të të cilit jemi bërë sipas Krishtit47, jemi futur në Kishë dhe jemi bërë bij të Hyjit, përbën derën e të gjitha Sakramenteve të tjera. Me të ne bëhemi gjymtyrë të Trupit të vetëm të Krishtit (krh. 1 Kor 12, 13), popull meshtarak. Megjithatë, pjesëmarrja në Flinë eukaristike është ajo që përsos në ne atë që na është dhënë në Pagëzim. Edhe dhuratat e Shpirtit Shenjt jepen për ndërtimin e Trupit të Krishtit (krh. 1 Kor 12) dhe për një dëshmi më të madhe ungjillore në botë48. Për këtë arsye Eukaristia e shenjtë e çon në plotësi hyrjen në jetën e krishterë dhe vendoset si qendër e qëllim i krejt jetës sakramentale49.

Rendi i Sakramenteve të hyrjes në jetën e krishterë

18. Në lidhje me këtë është e nevojshme t’i kushtojmë vëmendje temës së rendit të Sakramenteve të hyrjes në jetën e krishterë. Në Kishë ka tradita të ndryshme. Kjo ndryshueshmëri shfaqet në zakonet kishtare të Lindjes50 dhe në vetë praktikën perëndimore lidhur me hyrjen në jetën e krishterë të të rriturve51, në krahasim me atë të fëmijëve52. Megjithatë këto diferencime nuk kanë ndonjë vlerë të mirëfilltë dogmatike, por kanë natyrë baritore. Konkretisht, është e nevojshme të verifikohet se cila praktikë faktikisht mund t’u ndihmojë më së miri besimtarëve për ta vënë në qendër sakramentin e Eukaristisë, si realitet drejt të cilit priret krejt hyrja në jetën e krishterë. Në një bashkëpunim të ngushtë me Dikasteret përkatëse të Selisë Romake Konferencat Ipeshkvnore duhet të verifikojnë efektshmërinë e itinerareve të sotme të hyrjes në jetën e krishterë, me qëllim që i krishteri nga veprimi edukativ i bashkësive tona të ndihmohet që të piqet gjithnjë e më shumë, duke arritur që të marrë në jetën e tij një stil autentikisht eukaristik, me qëllim që të bëhet i aftë për të dhënë arsyet e shpresës së vet në mënyrën e duhur për kohën tonë (krh. 1 Pjt 3, 15).

Hyrja në jetën e krishterë, bashkësia kishtare dhe familja

19. Gjithmonë duhet të kemi parasysh se krejt hyrja e krishterë është një ecje kthimi, që duhet të bëhet me ndihmën e Hyjit dhe duke iu referuar vazhdimisht bashkësisë kishtare, si kur është i rrituri që kërkon të hyjë në Kishë, sikurse ndodh në vendet e ungjillëzimit të parë dhe në shumë krahina të shekullarizuara, ashtu edhe kur prindërit kërkojnë Sakramentet për fëmijët e tyre. Në lidhje me këtë, dëshiroj t’i kushtoj vëmendje sidomos marrëdhënies mes hyrjes së krishterë dhe familjes. Në veprimtarinë baritore është shumë e rëndësishme që familja e krishterë të bëhet gjithmonë pjesë e këtij itinerari. Pagëzimi, Krezmimi dhe Kungimi i Parë janë momente vendimtare jo vetëm për individin që i merr, por edhe për krejt familjen, e cila duhet të mbështetet në detyrën e saj edukative nga bashkësia kishtare, në përbërësit e ndryshëm të saj53. Këtu do të doja të theksoja rëndësinë e Kungimit të Parë. Shumë besimtarëve kjo ditë u mbetet me të drejtë e ngulitur thellë në kujtesë si momenti i parë në të cilin, edhe pse vetëm në mënyrë fillestare, kanë perceptuar rëndësinë e takimit personal me Jezusin. Baritorja famullitare duhet ta vlerësojë si duhet këtë rast kaq domethënës.

II. Eukaristia dhe sakramenti i pajtimit

Lidhja e tyre e brendshme

20. Me të drejtë, Etërit sinodalë kanë pohuar se dashuria ndaj Eukaristisë bën të mundur që edhe sakramenti i Pajtimit të çmohet gjithnjë e më shumë54. Për shkak të kësaj lidhjeje mes këtyre sakramenteve, një katekezë autentike për sa i përket kuptimit të Eukaristisë s’mund të jetë e ndarë nga propozimi për një ecje pendestare (krh. 1 Kor 11, 27-29). Sigurisht, konstatojmë se në kohën tonë besimtarët gjenden të zhytur në një kulturë që priret ta fshijë ndjenjën e mëkatit55, duke mbështetur një qëndrim sipërfaqësor, që të bën të harrosh domosdoshmërinë e të qenit në hirin e Hyjit për t’iu afruar denjësisht kungimit sakramental56. Në realitet, humbja e vetëdijes së mëkatit sjell me vete gjithmonë edhe njëfarë cektësie në të kuptuarit e vetë dashurisë së Hyjit. Për besimtarët është me dobi të madhe që  sjellja ndër mend e atyre elementeve, që, brenda ritit të Meshës së shenjtë, shprehin qartë vetëdijen e mëkatit të tyre dhe, njëkohësisht, vetëdijen e mëshirës së Hyjit57. Gjithashtu, marrëdhënia mes Eukaristisë dhe Pajtimit na sjell ndër mend faktin se mëkati nuk është kurrë një realitet ekskluzivisht individual; mëkati sjell me vete edhe një lëndim brenda bashkësisë kishtare, në të cilën jemi futur falë Pagëzimit. Për këtë arsye, Pajtimi, siç thonin Etërit e Kishës, është laboriosus quidam baptismus58, duke theksuar në këtë mënyrë se rezultati i ecjes së kthimit është edhe përtëritja e bashkësisë së plotë kishtare, që shprehet në afrimin kah Eukaristia59.

Disa përkujdesje baritore

21. Sinodi ka kujtuar se është detyrë baritore e Ipeshkvit që të nxisë në Dioqezën e vet një rifitim të vendosur të pedagogjisë së kthimit, që lind nga Eukaristia dhe të inkurajojë rrëfimin e shpeshtë të besimtarëve. Të gjithë meshtarët duhet t’i kushtohen me zemërgjerësi, angazhim dhe kompetencë mbarështimit të sakramentit të Pajtimit60. Në lidhje me këtë gjë duhet pasur kujdes që rrëfyestoret në kishat tona të jenë në një vend të dukshëm dhe të shprehin domethënien e këtij Sakramenti. I lus Barinjtë ta mbikëqyrin me kujdes kremtimin e sakramentit të Pajtimit, duke kufizuar praktikën e faljes së përgjithshme vetëm për rastet e parashikuara61, meqë vetëm falja personale është forma e rregullt62. Përballë nevojës për të rizbuluar faljen sakramentale, në të gjitha Dioqezat duhet të jetë gjithmonë Pendesdhënësi63. Në fund, për një vetëdijësim të ri të marrëdhënies mes Eukaristisë dhe Pajtimit mund të jetë një ndihmë e çmueshme edhe një praktikë e balancuar dhe e thelluar e ndjesës, e fituar për vete apo për të vdekurit. Me këtë ndjesë merret “falja përpara Hyjit e dënimit kohor për mëkatet, të cilat - për sa i përket fajit - tashmë janë falur”64. Përdorimi i ndjesëve na ndihmon të kuptojmë se vetëm me forcat tona nuk do të ishim kurrë në gjendje ta ndreqnim të keqen që kemi bërë dhe se mëkatet e çdo individi i shkaktojnë dëm krejt bashkësisë; gjithashtu, praktika e ndjesës, që duke përfshirë përveç doktrinës së meritave të pafundme të Krishtit edhe atë të bashkësisë së shenjtërve, na thotë se “sa intimisht jemi të bashkuar në Krishtin me njëri-tjetrin dhe se sa jeta mbinatyrore e çdo individi mund të jetë në dobi të të tjerëve”65. Meqenëse kushtet për ta marrë ndjesën parashikojnë rrëfimin dhe kungimin sakramental, ushtrimi i saj mund t’i përkrahë efektivisht besimtarët në ecjen e kthimit dhe në zbulimin e qendërsisë së Eukaristisë në jetën e krishterë.

III. Eukaristia dhe Vajimi i të sëmurëve

22. Jezusi jo vetëm që i ka dërguar nxënësit e vet për t’i shëruar të sëmurët (krh. Mt 10, 8; Lk 9, 2; 10, 9), por për ta e themeloi edhe një sakrament të veçantë: Vajimin e të sëmurëve66. Letra e Jakobit na dëshmon praninë e këtij gjesti sakramental qysh në bashkësinë e parë të krishterë (krh. 4, 14-16). Nëse Eukaristia tregon se si vuajtja dhe vdekja e Krishtit janë shndërruar në dashuri, Vajimi i të sëmurëve, nga ana e vet, e bashkon atë që vuan me vetëflijimin e Krishtit për shpëtimin e të gjithëve, kështu që edhe ai, në misterin e bashkësisë së shenjtërve, mund të marrë pjesë në shëlbimin e botës. Marrëdhënia mes këtyre Sakramenteve shfaqet, përveç të tjerash, përballë përkeqësimit të sëmundjes: “Atyre që janë në prag të vdekjes, Kisha u ofron, përveç Vajimit të të sëmurëve, edhe Eukaristinë si kungim të tyre të fundit”67. Në kalimin tek Ati, kungimi me Trupin dhe me Gjakun e Krishtit shfaqet si farë e jetës së amshuar dhe për virtyt të ngjalljes: “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim, ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ngjall në ditën e fundit”. (Gjn 6, 54). Meqenëse Kungimi i Fundit ia hap pakëz të sëmurit plotësinë e misterit pashkvnor, është e nevojshme të sigurohet ushtrimi i tij.68 Vëmendja dhe kujdesi baritor ndaj të sëmurëve janë të mbushur natyrisht me një fitim shpirtëror për mbarë bashkësinë, duke ditur se çkado kemi bërë për më të voglin e kemi bërë për vetë Jezusin (krh. Mt 25, 40).

IV. Eukaristia dhe sakramenti i Urdhrit të Shenjtë

In persona Christi capitis

23. Lidhja e brendshme mes Eukaristisë dhe sakramentit të Shugurimit meshtarak del nga vetë fjalët e Jezusit në Çenakull: “Bëni këtë në përkujtimin tim!” (Lk 22, 19). Jezusi, në fakt, në prag të vdekjes së vet, e ka themeluar Eukaristinë dhe njëkohësisht edhe Meshtarinë e Besëlidhjes së Re. Ai është meshtar, viktimë dhe altar: ndërmjetësues mes Hyjit Atë dhe popullit (krh. Heb 5, 5-10), fli pajtuese (krh. 1 Gjn 2, 2; 4, 10), që e flijon veten e vet në altarin e kryqit. Askush nuk mund të thotë: “Ky është trupi im” dhe “Ky është kelku i Besëlidhjes së re, gjaku im”, përveçse në emër dhe në personin e Krishtit, Kryepriftit të vetëm të Besëlidhjes së re dhe të amshuar (krh. Heb 8-9). Sinodi i Ipeshkvijve edhe në asamble të tjera kishte trajtuar temën e Meshtarisë së shuguruar, qoftë për sa i përket identitetit të shërbesës69, qoftë për sa i përket formimit të kandidatëve70. Me këtë rast, në dritën e dialogut të bërë brenda Asamblesë së fundit sinodale, e kam për zemër të kujtoj edhe disa vlera që kanë të bëjnë me marrëdhënien mes Sakramentit eukaristik dhe Urdhrit të shenjtë. Së pari është e nevojshme të përsërisim se marrëdhënia mes Urdhrit të shenjtë dhe Eukaristisë bëhet e dukshme pikërisht në Meshë, udhëhequr nga Ipeshkvi ose nga presbiteri në personin e Krishtit krye.

Sipas doktrinës së Kishës shugurimi meshtarak është kusht i pashmangshëm për kremtimin e vlefshëm të Eukaristisë71. Në fakt, “në shërbesën kishtare të shërbestarit të shuguruar është vetë Krishti që është i pranishëm në Kishën e tij, meqë është Koka e Trupit të vet, Bariu i grigjës së vet, Kryeprifti i flisë shëlbuese”72. Natyrisht shërbestari i shuguruar “vepron edhe në emër të mbarë Kishës kur ia drejton Hyjit lutjen e Kishës dhe sidomos kur paraqet flinë eukaristike”73. Për këtë arsye, është e nevojshme që meshtarët të jenë të vetëdijshëm se krejt shërbesa e tyre nuk duhet të vërë në rend të parë ata vetë ose opinionet e tyre personale, por Jezu Krishtin. Çdo përpjekje për ta bërë veten protagonist të veprimit liturgjik kundërshton identitetin meshtarak. Meshtari është më shumë se kurrë shërbëtor dhe duhet të angazhohet vazhdimisht për të qenë shenjë, që, si vegël në duart e Krishtit, na çon tek Ai. Kjo shprehet sidomos në përvujtërinë me të cilën meshtari udhëheq veprimin liturgjik, duke iu bindur ritit, duke iu përgjigjur me shpirt dhe me zemër, duke shmangur gjithçka që mund të japë ndjesinë e një protagonizmi vetjak të pavend. Për këtë arsye e porosis klerin që të bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për shërbesën vetjake eukaristike si një shërbim të përvuajtë që i bëhet Krishtit dhe Kishës së tij. Meshtaria, siç thoshte Shën Augustini, është amoris officium74, është detyra e bariut të mirë, që jep jetën për delet e veta (krh. Gjn 10, 14-15).

Eukaristia dhe celibati meshtarak

24. Etërit sinodalë kanë dashur të theksojnë se meshtaria shërbestare, nëpërmjet Shugurimit, kërkon një bërje të plotë sipas Krishtit. Me gjithë respektin për praktikën e ndryshme dhe traditën lindore, është e nevojshme ta përforcojmë kuptimin e thellë të celibatit meshtarak, i cili me të drejtë konsiderohet si një begati e paçmueshme, përforcuar edhe nga praktika lindore për të zgjedhur kandidatët për Ipeshkëv vetëm mes meshtarëve që jetojnë në celibat dhe që celibati, që e jetojnë vullnetarisht shumë meshtarë, gëzon një respekt të madh. Pikërisht, në këtë zgjedhje të meshtarit, gjejnë një shprehje të veçantë përkushtimi që e bën të një trajte me Krishtin dhe dhurimi i vetvetes ekskluzivisht për mbretërinë e Hyjit75. Fakti se vetë Krishti, kryeprift i amshuar, e ka jetuar misionin e vet deri në flinë e kryqit në gjendjen e virgjërisë përbën pikën e referimit të sigurt për ta gjetur kuptimin e traditës së Kishës latine në këtë çështje. Për këtë arsye, nuk mjafton që ta kuptojmë celibatin meshtarak në terma thjesht funksionalë. Në realitet, ai paraqet një bërje të veçantë sipas stilin e jetës së vetë Krishtit. Një zgjedhje e tillë ka para së gjithash karakter martesor; është një njëjtësim me zemrën e Krishtit Dhëndër, që jep jetën për Nusen e vet. Në njësi me traditën e madhe kishtare, me Koncilin II të Vatikanit76 dhe me Etërit e Shenjtë paraardhës të mi77, përforcoj bukurinë dhe rëndësinë e një jete të jetuar në celibat si shenjë shprehëse e përkushtimit të plotë dhe ekskluziv Krishtit, Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit, dhe si pasojë ripohoj detyrueshmërinë e tij për traditën latine. Celibati meshtarak i jetuar me pjekuri, hare dhe përkujtim është një bekim shumë i madh për Kishën dhe për vetë shoqërinë.

Mungesa e meshtarëve dhe baritorja thirrore

25. Për sa i përket marrëdhënies mes sakramentit të Urdhrit dhe Eukaristisë, Sinodi është ndalur mbi situatën e vështirë, që krijohet në Dioqeza të ndryshme kur bëhet fjalë për mungesën e meshtarëve. Kjo nuk ndodh vetëm në disa zona të ungjillëzimit të parë, por edhe në shumë Vende me një traditë të gjatë të krishterë. Sigurisht që për zgjidhjen e problemit do të ndihmonte një shpërndarje e drejtë e klerit. Për këtë arsye ka nevojë për një sensibilizim kapilar. Ipeshkvijtë duhet t’i përfshijnë në nevojat baritore Institutet e Jetës së Kushtuar dhe realitetet e reja kishtare, duke respektuar karizmën e tyre individuale, si dhe duhet t’i nxisë të gjithë pjesëtarët e klerit për një gatishmëri më të madhe për t’i shërbyer Kishës aty ku ka nevojë, edhe nëse kjo gjë kërkon sakrificë78. Gjithashtu, në Sinod u diskutua edhe për përkujdesjet baritore që duhen ndërmarrë, me qëllim që të krijohen lehtësira, sidomos tek të rinjtë, për një hapje të brendshme ndaj thirrjes meshtarake. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet thjesht vetëm me anë të vendimeve pragmatike. Ipeshkvijtë, edhe pse të shtyrë nga shqetësime krejt të kuptueshme funksionale për shkak të mungesës së klerit, duhet të bëjnë një shoshitje të përshtatshme thirrore dhe të mos pranojnë në formimin specifik dhe në shugurim kandidatë secilët nuk zotërojnë karakteristikat e nevojshme për shërbesën meshtarake79. Një kler jo i formuar sa duhet, i pranuar në shugurim pa shoshitjen e duhur, me vështirësi do të mund të japë një dëshmi që është e përshtatshme për të zgjuar tek të tjerët dëshirën për t’iu përgjigjur me bujari thirrjes së Krishtit. Baritorja thirrore, në realitet, duhet të përfshijë krejt bashkësinë e krishterë në të gjitha fushat e saj80. Natyrisht, në këtë punë baritore kapilare përfshihet edhe sensibilizimi i familjeve, shpesh shpërfillëse, madje edhe kundërshtare ndaj hipotezës së thirrjes meshtarake. Ato duhet t’i hapen me bujari dhuratës së jetës dhe duhet t’i edukojnë fëmijët për të qenë të gatshëm ndaj vullnesës së Hyjit. Me një fjalë, duhet të kihet guxim që t’u propozohet të rinjve rrënjësia e ndjekjes së Krishtit, duke treguar bukurinë e kësaj jete.

Mirënjohje dhe shpresë

26. Në fund, është e nevojshme që të kemi më shumë fe dhe shpresë në nismën hyjnore. Edhe pse në disa rajone ka mungesë kleri, kurrë nuk duhet humbur shpresa se Krishti do të vazhdojë të frymëzojë njerëz, të cilët, duke lënë çdo punë tjetër, t’i kushtohen plotësisht kremtimit të mistereve të shenjta, predikimit të Ungjillit dhe shërbesës baritore. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen e mbarë Kishës ndaj të gjithë Ipeshkvijve dhe presbitërve, të cilët me përkushtim dhe angazhim besnik përmbushin misionin e tyre. Natyrisht, falënderimi i Kishës u drejtohet edhe diakonëve, të cilët e kanë marrë shugurimin “jo për të qenë meshtarë, por për të shërbyer”81. Siç ka porositur Asambleja sinodale, një falënderim të veçantë ua drejtoj presbitërve fidei donum, të cilët me kompetencë dhe përkushtim bujar e ndërtojnë bashkësinë duke i shpallur asaj Fjalën e Hyjit dhe duke thyer Bukën e jetës, pa i kursyer energjitë e veta në shërbim të misionit të Kishës82. Duhet ta falënderojmë Hyjit për meshtarët e shumtë, të cilët kanë duruar vuajtje deri në flijimin e jetës së tyre për t’i shërbyer Krishtit. Në ta zbulohet me anë të gjuhës së fakteve se çfarë do të thotë të jesh meshtar deri në pikën e fundit. Bëhet fjalë për dëshmi prekëse, të cilat mund të frymëzojnë shumë të rinj për ta ndjekur edhe ata Krishtin e për ta flijuar jetën e tyre për të tjerët, duke gjetur pikërisht kështu jetën e vërtetë.

 V. Eukaristia dhe Martesa

Eukaristia, sakrament martesor

27. Eukaristia, sakramenti i dashurisë, tregon një marrëdhënie të veçantë me dashurinë mes burrit dhe gruas, të bashkuar në martesë. Thellimi i kësaj lidhjeje është një nevojë tipike e kohës sonë83. Papa Gjon Pali II ka pasur shumë herë mundësinë ta pohojë karakterin martesor të Eukaristisë dhe marrëdhënien e veçantë të saj me sakramentin e Martesës: “Eukaristia është sakramenti i shëlbimit tonë. Ajo është sakramenti i Dhëndrit, i nuses”84. Për më tepër, “krejt jeta e krishterë mbart shenjën e dashurisë martesore të Krishtit dhe të Kishës. Edhe Pagëzimi, që të fut në popullin e Hyjit, është një mister martesor: është si të thuash larja dasmore, që i paraprin banketit të dasmës, Eukaristisë”85. Eukaristia e forcon në një mënyrë të pashtershme njësinë dhe dashurinë e pandashme të çdo Martese të krishterë. Në të, me fuqinë e sakramentit, lidhja bashkëshortore është e lidhur thelbësisht me njësinë eukaristike mes Krishtit dhëndër dhe Kishës nuse (krh. Ef 5, 31-32). Pëlqimi i ndërsjellë që burri dhe gruaja i japin njëri-tjetrin në Krishtin, dhe që i kthen në një bashkësi jete dhe dashurie, ka gjithashtu një përmasë eukaristike. Në fakt, në teologjinë e Shën Palit, dashuria martesore është një shenjë sakramentale e dashurisë së Krishtit ndaj Kishës së vet, një dashuri që e arrin kulmin e vet në Kryq, shprehje e “dasmës” së tij me njerëzimin dhe, në të njëjtën kohë, zanafillë dhe qendër e Eukaristisë. Për këtë arsye Kisha shfaq një afërsi të veçantë shpirtërore me të gjithë ata që e kanë themeluar familjen e tyre në sakramentin e Martesës86. Familja - kishë shtëpiake87 - është një vend parësor i jetës së Kishës, në mënyrë të veçantë për shkak të rolit vendimtar në lidhje me edukimin e krishterë të fëmijëve88. Në këtë kontekst Sinodi ka porositur edhe që të pranohet misioni i veçantë i gruas në familje dhe në shoqëri, një mision që duhet mbrojtur, ruajtur dhe nxitur89. Të qenit e saj grua dhe nënë përbën një realitet të pamohueshëm, që nuk duhet nënvleftësuar kurrë.

Eukaristia dhe uniciteti i martesës

28. Pikërisht në dritën e kësaj lidhjeje të brendshme mes martesës, familjes dhe Eukaristisë mund t’i shqyrtojmë disa probleme baritore. Lidhja besnike, e pandashme dhe ekskluzive që e bashkon Krishtin dhe Kishën, e që gjen shprehje sakramentale në Eukaristi, takohet me të vërtetën antropologjike zanafillore, sipas të cilit burri duhet të bashkohet në mënyrë përfundimtare me një grua të vetme dhe anasjellas (krh. Zan 2, 24; Mt 19, 5). Në këtë horizont mendimesh, Sinodi i Ipeshkvijve ka trajtuar temën e praktikës baritore në lidhje me ata që ndeshen me kumtimin e Ungjillit dhe që vijnë nga kultura ku praktikohet poligamia. Ata që ndodhen në një situatë të tillë dhe që i hapen fesë së krishterë duhet të ndihmohen për ta integruar projektin e tyre njerëzor në risinë rrënjësore të Krishtit. Gjatë katekumenatit, Krishti i arrin në gjendjen e tyre specifike dhe i thërret në të vërtetën e plotë të dashurisë duke kaluar nëpërmjet dorëheqjeve të domosdoshme, duke pasur parasysh bashkësinë e përsosur kishtare. Kisha i përcjell ata me një baritore plot me ëmbëlsi dhe njëkohësisht edhe me qëndrueshmëri90, para së gjithash duke u treguar atyre dritën që nga misteret e krishtera rrezatohet mbi natyrën dhe ndjenjat njerëzore.

Eukaristia dhe pazgjidhshmëria e martesës

29. Nëse Eukaristia e shpreh paprapësueshmërinë e dashurisë së Hyjit në Krishtin ndaj Kishës së tij, bëhet e kuptueshme pse ajo përfshin, në lidhje me sakramentin e Martesës, pazgjidhshmërinë, të cilën e dëshiron çdo dashuri e vërtetë91. Për këtë arsye është më shumë se e përligjur përkujdesja baritore, që Sinodi i ka kushtuar situatave të dhimbshme në të cilat gjenden jo pak besimtarë, të cilët, pasi kanë kremtuar sakramentin e Martesës, janë shkurorëzuar dhe kanë lidhur martesa të reja. Bëhet fjalë për një problem shumë delikat dhe të ndërlikuar baritor, një plagë e vërtetë e kontekstit të sotëm shoqëror, që po prek gjithnjë e më shumë edhe mjediset katolike. Barinjtë, për dashuri ndaj të vërtetës, janë të detyruar t’i shoshisin mirë situatat e ndryshme, për t’i ndihmuar shpirtërisht në mënyrat e duhura besimtarët e përfshirë92. Sinodi i Ipeshkvijve ka përforcuar praktikën e Kishës, të bazuar në Shkrimin e shenjtë (krh. Mk 10, 2-12), që të shkurorëzuarit e rimartuar të mos lejohen të marrin Sakramentet, sepse gjendja e tyre jetësore i kundërshton objektivisht bashkimit të dashurisë mes Krishtit dhe Kishës së tij, bashkim ky që gjen kuptim dhe realizohet në Eukaristi. Megjithatë, të shkurorëzuarit e rimartuar, me gjithë situatën e tyre, vazhdojnë t’i përkasin Kishës, e cila i ndjek me një vëmendje të veçantë, duke dëshiruar që ata të jetojnë, sa të jetë e mundur, një stil të krishterë jete me anë të pjesëmarrjes në Meshën e shenjtë, edhe pse pa marrë Kungimin, në dëgjimin e Fjalës së Hyjit, në Adhurimin eukaristik, në lutje, në pjesëmarrjen në jetën bashkësiore, në bisedën besimplotë me ndonjë meshtar ose udhëheqës shpirtëror, në përkushtimin e bamirësisë së jetuar, në veprat e pendesës, në angazhimin edukativ ndaj fëmijëve.

Aty ku lindin dyshime të ligjshme për vlefshmërinë e Martesës sakramentale, duhet të ndërmerret ajo që është e nevojshme për ta vërtetuar themelësinë e tyre. Pastaj është e nevojshme që të sigurojmë, duke respektuar plotësisht të drejtën kanonike93, praninë në territor të gjykatës kishtare, karakterin e tyre baritor, veprimtarinë e tyre korrekte dhe të shpejtë94. Është e nevojshme që në çdo Dioqezë të ketë një numër të mjaftueshëm personash të përgatitur për një funksionim të zellshme të gjykatave kishtare. Po ju kujtoj se “është fortësisht e detyrueshme që veprimin institucional të Kishës nëpër gjykata ta bëjmë gjithnjë e më të kuptueshëm për besimtarët”95. Mirëpo, është e nevojshme që përkujdesi baritor të mos kuptohet si të ishte në kundërshtim me të drejtën. Për më tepër, duhet të nisemi nga kushti paraprak se pika themelore të takimit mes të drejtës dhe baritores është dashuria për të vërtetën: kjo në fakt nuk është kurrë abstrakte, por “integrohet në itinerarin njerëzor dhe të krishterë të çdo besimtari”96. Në fund, aty ku nuk njihet pavlefshmëria e lidhjes martesore dhe ekzistojnë kushte objektive, që në fakt e bëjnë jetën e përbashkët me të vërtetë të pakthyeshme, Kisha i inkurajon këta besimtarë që të angazhohen për ta jetuar lidhjen e tyre në pajtim me kërkesat e ligjit të Hyjit, si miq, si vëlla e motër; në këtë mënyrë, duke marrë parasysh praktikën e provuar kishtare, mund të marrin pjesë përsëri në tryezën eukaristike. Me qëllim që të jetë i mundshëm dhe të bëhet i frytshëm një ecje e tillë, duhet të mbështetet nga ndihma e barinjve dhe nga nisma të përshtatshme kishtare, duke shmangur, në çdo rast, që të bekohen këto lidhje, me qëllim që ndër besimtarë të mos ketë përshtjellime lidhur me vlerën e Martesës97.

Duke marrë parasysh kompleksitetin e kontekstit kulturor, në të cilin jeton Kisha në shumë Vende, Sinodi, pastaj, ka porositur përkujdesjen maksimale baritore në formimin e kandidatëve për kurorëzim dhe në verifikimin paraprak të pikëpamjeve të tyre rreth detyrimeve prej të cilëve s’hiqet dorë për vlefshmërinë e sakramentit të Martesës. Një shoshitje serioze e kësaj gjëje mund të shmangë që impulse emotive ose arsye të cekëta t’i çojnë dy të rinjtë në marrjen e përgjegjësive, të cilat më vonë nuk mund t’i plotësojnë98. Tepër e madhe është e mira që Kisha dhe mbarë shoqëria presin nga martesa dhe nga familja që bazohet në të, për të mos u angazhuar deri në fund në këtë fushë baritore. Martesa dhe familja janë institucione që duhen nxitur dhe duhen mbrojtur nga çdo keqkuptim lidhur me të vërtetën e tyre, sepse çdo dëm që u bëhet atyre, në të vërtetë është një plagë që i shkaktohet bashkëjetesës njerëzore si të tillë.

Eukaristia dhe Eskatologjia

Eukaristia: dhuratë bërë njeriut në udhëtim

30. Nëse është e vërtetë se Sakramentet janë realitet që i përkasin Kishës shtegtuese në kohë99 drejt shfaqjes së plotë të fitores së Krishtit të ngjallur, është po aq e vërtetë se, sidomos në liturgjinë eukaristike, na jepet të parashijojmë plotësimin eskatologjik drejt të cilit çdo njeri dhe mbarë krijimi po shkon (krh. Rom 8, 19 e vijim). Njeriu është krijuar për lumturinë e vërtetë dhe të amshuar, të cilën mund ta japë vetëm dashuria e Hyjit. Por liria jonë e plagosur do të humbiste po të mos ishte e mundur të provonim qysh tash diçka nga përmbushja e ardhme. Përveç të tjerash, çdo njeri me qëllim që të mund të shkojë në drejtimin e duhur ka nevojë të drejtohet drejt cakut të fundit. Ky qëllim i fundit, në të vërtetë, është vetë Krishti Zot fitimtari mbi mëkatin dhe vdekjen, i cili bëhet i pranishëm në mënyrë të veçantë në Kremtimin eukaristik. Kështu, edhe pse ende “të huajt dhe shtegtarë” (1 Pjt 2, 11) në këtë botë, në fe tashmë marrim pjesë në plotësinë e jetës së ngjallur. Banketi eukaristik, duke zbuluar përmasën e tij fortësisht eskatologjike, i vjen në ndihmë lirisë sonë në ecje.

Banketi eskatologjik

31. Duke reflektuar mbi këtë mister, mund të themi se Jezusi me ardhjen e tij e lidh veten e vet me pritjen e pranishme në popullin e Izraelit, në mbarë njerëzimin dhe në fund në vetë krijimin. Me dhurimin e vetvetes, Ai e ka inauguruar objektivisht kohën eskatologjike. Krishti ka ardhur për ta bashkuar popullin e shpërndarë të Hyjit (krh. Gjn 11, 52), duke e shfaqur qartë qëllimin për ta mbledhur bashkësinë e besëlidhjes, për t’i përmbushur premtimet e Hyjit bërë Paraardhësve (krh. Jer 23, 3; 31, 10; Lk 1, 55.70). Me thirrjen e Dymbëdhjetë Apostujve, e cila duhet të lidhet me dymbëdhjetë fiset e Izraelit, dhe me mandatin që ua besoi atyre gjatë Darkës së Fundit, përpara mundimeve të tij shëlbuese, që ta kremtojnë përkujtimin e tij, Jezusi ka treguar se dëshiron t’ia kalojë mbarë bashkësisë së themeluar prej tij detyrën për të qenë, në histori, shenjë dhe vegël e bashkimit eskatologjik, që në Të ka filluar. Për këtë arsye, në çdo kremtim eukaristik realizohet sakramentalisht të bashkuarit eskatologjik të Popullit të Hyjit. Banketi eukaristik është për ne një hershim real i banketit përfundimtar, të paralajmëruar nga Profetët (krh. Is 25, 6-9) dhe të përshkruar në Besëlidhjen e Re si “Dasma e Qengjit” (krh. Zb 19, 7-9), e cila duhet të kremtohet në gëzimin e bashkësisë së shenjtërve100.

Lutja për të vdekurit

32. Kremtimi eukaristik, në të cilin kuptojmë vdekjen e Zotit, shpallim ngjalljen e tij, dhe presim ardhjen e tij, është pengu i lavdisë së ardhshme, në të cilën edhe trupat tanë do të lavdërohen. Duke kremtuar Përkujtimin e shpëtimit tonë përforcohet në ne shpresa për ngjalljen e mishit dhe për mundësinë për t’i takuar përsëri, faqe-faqas, ata që na kanë paraprirë në shenjën e fesë. Në këtë horizont, së bashku me Etërit sinodalë, do të doja t’ua kujtoja të gjithë besimtarëve rëndësinë e lutjes për të vdekurit, sidomos kremtimin e Meshëve për ta101, me qëllim që, të pastruar, të mund t’ia arrijnë pamjes lumturuese të Hyjit. Duke zbuluar përmasën eskatologjike të Eukaristisë, të kremtuar dhe të adhuruar, të ndihmohemi kështu në ecjen tonë dhe të ngushëllohemi me shpresën e lavdisë (krh. Rom 5, 2; Tit 2, 13).

Eukaristia dhe Virgjëra Mari

33. Nga marrëdhënia mes Eukaristisë dhe Sakramenteve të tjera e nga domethënia eskatologjike e Mistereve del në tërësinë e vet profili i ekzistencës së krishterë, që është e thirrur të jetë në çdo çast një kult shpirtëror, një dhurim i vetvetes që i pëlqen Hyjit. Dhe nëse është e vërtetë se ne të gjithë jemi ende në ecje drejt përmbushjes së plotë të shpresës sonë, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund ta pranojmë qysh tash me mirënjohje faktin se gjithçka na ka dhuruar Hyji, e ka gjetur realizimin e vet të përsosur në Virgjërën Mari, Nënën e Hyjit dhe Nënën tonë: Ngjitja e saj në qiell me trup dhe shpirt është për ne një shenjë e shpresës së sigurt, në kuptimin se ajo shenjë na tregon neve, shtegtarë në kohë, atë cak eskatologjik, të cilin qysh tash sakramenti i Eukaristisë na bën ta parashijojmë.

Në Shenjten Mari shohim të realizuar në mënyrë të përsosur edhe mënyrën sakramentale me të cilën Hyji e arrin dhe e përfshin krijesën njerëzore në nismën e tij shëlbuese. Që nga Lajmërimi e deri te Rrëshaja, Maria e Nazaretit shfaqet si personi, liria e të cilës është totalisht e gatshme për të bërë vullnesën e Zotit. Ngjizja e saj e Papërlyer zbulohet pikërisht në butësinë e pakushtëzuar ndaj Fjalës hyjnore. Feja e dëgjueshme është forma që jeta e saj merr në çdo çast përballë veprimit të Hyjit. Virgjër në dëgjim, ajo jeton në harmoni të plotë me vullnesën hyjnore; fjalët që i vijnë prej Hyjit i ruan në zemrën e saj dhe, duke i bashkuar ato si në një mozaik, mëson t’i kuptojë më thellë (krh. Lk 2, 19.51); Maria është Besimtarja e madhe, që, plot besim, vihet në duart e Zotit, duke e vënë veten në vullnesën e Tij102. Ky mister intensifikohet derisa arrin në përfshirjen e plotë në misionin shëlbues të Jezusit. Siç ka pohuar Koncili II i Vatikanit, “Virgjëra Mari përparoi në shtegtimin e fesë dhe e ruajti besnikërisht bashkimin e saj me Birin deri në kryq, ku, jo pa një plan hyjnor, qëndroi (krh. Gjn 19, 25), duke vuajtur thellësisht me të Njëlindurin e saj dhe duke u bashkuar me shpirt amënor me flinë e Tij, duke pranuar me dashuri flijimin e viktimës së atij që ajo lindi; dhe më në fund, vetë Jezu Krishti, duke vdekur në kryq, ia dha si nënë nxënësit me këto fjalë: Grua, ja, yt bir”103. Që nga Lajmërimi e deri te Kryqi, Maria është ajo që e pranoi Fjalën, e cila në të mishërohet dhe në fund fashitet në heshtjen e vdekjes. Është ajo, në fund të fundit, që merr në duart e veta trupin, tashmë të pajetë, të Atij që me të vërtetë i ka dashur të vetët “deri në pikën e fundit” (krh. Gjn 13, 1).

Për këtë arsye, sa herë që në Liturgjinë eukaristike marrim Trupin dhe Gjakun e Krishtit, i drejtohemi edhe Asaj që, duke bërë pjesë plotësisht, ka pranuar për mbarë Kishën flinë e Krishtit. Me të drejtë Etërit sinodalë kanë ripohuar se “Maria inauguron pjesëmarrjen e Kishës në flinë e Shëlbuesit”104. Ajo është e Papërlyera, e cila e pranon në mënyrë të pakushtëzuar dhuratën e Hyjit dhe, në këtë mënyrë, i bashkohet veprës së shpëtimit. Maria e Nazaretit, ikona e Kishës që lind, është modeli se si secili prej nesh është i thirrur për të pranuar dhuratën që Jezusi ka bërë me veten e vet në Eukaristi.

Pjesa e dytë

EUKARISTIA, NJË MISTER QË DUHET KREMTUAR

 

Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit,

por Ati im jua jep bukën prej qiellit,

atë të vërtetën (Gjn 6, 32).

 

Lex orandi dhe lex credendi

34. Sinodi i Ipeshkvijve ka reflektuar shumë mbi marrëdhënien e brendshme mes fesë eukaristike dhe kremtimit, duke vënë në dukje lidhjen mes lex orandi-t e lex credendi-t dhe duke theksuar përparësinë e veprimit liturgjik. Është e nevojshme që Eukaristia të jetohet si mister i fesë i kremtuar autentikisht, me vetëdijen e qartë se “intellectus fidei qysh në zanafillë është i lidhur me veprimin liturgjik të Kishës”105. Në këtë fushë reflektimi teologjik nuk mund ta lërë jashtë vëmendjes rendin sakramental të themeluar nga vetë Krishti. Nga ana tjetër, veprimi liturgjik nuk mund të konsiderohet kurrë në mënyrë të përgjithshme, pavarësisht nga misteri i fesë. Në fakt, burimi i fesë sonë dhe i liturgjisë eukaristike është e njëjta ngjarje: dhurata që Krishti ka bërë me Veten e Vet në Misterin pashkvnor.

 Bukuria dhe liturgjia

35. Lidhja mes misterit të besuar e të kremtuar tregohet në një mënyrë të veçantë në vlerën teologjike dhe liturgjike të bukurisë. Në fakt, liturgjia, sikurse edhe Zbulimi i krishterë, ka një lidhje të brendshme me bukurinë: Ajo është veritatis splendor. Në liturgji shndrit misteri pashkvnor me anë të cilit Krishti vetë na tërheq prej vetes dhe na thërret për bashkësi. Në Jezusin, siç kishte zakon të thoshte Shën Bonaventura, sodisim bukurinë dhe shkëlqimin e zanafillës106. Kjo karakteristikë së cilës i referohemi nuk është thjesht estetizëm, por një mënyrë me të cilën e vërteta e dashurisë së Hyjit në Krishtin vjen tek ne, na magjeps dhe na rrëmben, duke na bërë të dalim nga vetja jonë dhe duke na tërhiqur kështu drejt thirrjes sonë të vërtetë, që është dashuria107. Qysh në krijim Hyji e lë veten të shihet vagëllimthi në bukurinë dhe në harmoninë e kozmosit (krh. Ur 13, 5; Rom 1, 19-20). Pastaj, në Besëlidhjen e Vjetër gjejmë shumë shenja të shkëlqimit të fuqisë së Hyjit, i cili shfaqet me lavdinë e vet nëpërmjet mrekullive të bëra në mesin e popullit të zgjedhur (krh. Dal 14; 16, 10; 24, 12-18; Num 14, 20-23). Në Besëlidhjen e Re përmbushet përfundimisht kjo epifani bukurie në zbulimin e Hyjit në Jezu Krishtin108: Ai është shfaqja e plotë e lavdisë hyjnore. Në lavdërimin e Birit shkëlqen dhe komunikohet lavdia e Atit (krh. Gjn 1, 14; 8, 54; 12, 28; 17, 1). Megjithatë, kjo bukuri nuk është thjesht një harmoni formash; “më i pashmi ndër bijtë e njerëzve” (Ps 45 [44], 3) në mënyrë të mistershme është gjithashtu ai që “s’kishte bukuri as hijeshi, që të mund ta vërenim në të” (Is 53, 2). Jezu Krishti na tregon se si e vërteta e dashurisë di ta shndërrojë edhe misterin e errët të vdekjes në dritën rrezatuese të ngjalljes. Këtu shkëlqimi i lavdisë së Hyjit tejkalon çdo bukuri. Bukuria e vërtetë është dashuria e Hyjit, që na është zbuluar përfundimisht në Misterin pashkvnor.

Bukuria e liturgjisë është pjesë e këtij misteri; ajo është një shprehje shumë e lartë e lavdisë së Hyjit dhe përbën, në njëfarë kuptimi, një përkulje të Qiellit mbi tokë. Përkujtimi i flisë shëlbuese mbart në vetvete tiparet e asaj bukurie të Jezusit, për të cilat na kanë dëshmuar Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, kur Mjeshtri, rrugës për në Jerusalem, u shndërrua para tyre (krh. Mk 9, 2). Prandaj, bukuria nuk është një faktor zbukurues i veprimit liturgjik; ajo është për më tepër elementi përbërës i saj, meqë është veti e Hyjit vetë dhe e zbulimit të tij. E gjithë kjo duhet të na bëjë të vetëdijshëm për kujdesin që duhet të kemi, me qëllim që veprimi liturgjik të shkëlqejë sipas natyrës së tij.

Kremtimi eukaristik, një vepër e “Christus totus”-it

Christus totus in capite et in corpore

36. Subjekti i mirëfilltë i bukurisë së liturgjisë është Krishti i ngjallur dhe i lavdëruar në Shpirtin Shenjt, që përfshin Kishën në veprimin e saj109. Në këtë perspektivë është mjaft mbresëlënëse t’i rikujtojmë fjalët e Shën Augustinit, të cilat në një mënyrë efektive përshkruajnë këtë dinamikë të fesë që ka Eukaristia. Shenjti i madh nga Ipona, pikërisht duke iu referuar Misterit eukaristik, vë në dukje se si vetë Krishti na bën të ngjashëm me veten e vet: “Ajo bukë që ju shihni në altar, shenjtëruar me anë të fjalëve të Hyjit, është trupi i Krishtit. Kelku, ose më mirë ajo që përmban kelku, shenjtëruar me anë të fjalëve të Hyjit, është gjaku i Krishtit. Me këto [shenja] Krishti Zot ka dashur të na e besojë trupin e tij dhe gjakun e tij, që e ka derdhur për ne për faljen e mëkateve. Nëse ju i keni marrë mirë, ju vetë jeni ajo që keni marrë”110. Për këtë arsye, “jo vetëm jemi bërë të krishterë, por jemi bërë vetë Krishti”111. Prandaj, nga kjo mund ta sodisim veprimin e mistershëm të Hyjit, që sjell njësinë e thellë mes nesh dhe Jezusit Zot: “Në fakt, nuk duhet të besojmë se Krishti është në kokë pa qenë edhe në trup, Ai është i plotë në kokë dhe në trup”112.

Eukaristia dhe Krishti i ngjallur

37. Meqë liturgjia eukaristike në thelb është një actio Dei, e cila na përfshin në Krishtin nëpërmjet Shpirtit Shenjt, themeli i saj nuk është në dispozicion të arbitrimit tonë dhe nuk mund t’i bëhet shantazh nga moda e çastit. Edhe këtu vlen thënia e paluajtshme e Shën Palit: “Askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, e ai është Jezu Krishti” (1 Kor 3, 11). Dhe prapë është Apostulli i popujve që na siguron, në lidhje me Eukaristinë, se ai nuk na komunikon një doktrinë të vetën, por atë që edhe ai vetë ka marrë (krh. 1 Kor 11, 23). Kremtimi i Eukaristisë pikërisht nënkupton, në fakt, Traditën e gjallë. Kisha kremton Flinë eukaristike në dëgjesë ndaj urdhrit të Krishtit, duke u nisur nga përvoja e të Ngjallurit dhe nga dërgimi i Shpirtit Shenjt. Për këtë arsye, bashkësia e krishterë, qysh prej fillimit, mblidhet për fractio panis Ditën e Zotit. Dita kur Krishti është ngjallur nga të vdekurit, e Diela, është edhe dita e parë e javës, ditë kjo, në të cilën tradita e Besëlidhjes së Vjetër shihte fillimin e krijimit. Dita e krijimit tani është bërë dita e “krijimit të ri”, dita e lirimit tonë në të cilën përkujtojmë Krishtin e vdekur dhe të ngjallur113.

Ars celebrandi

38. Gjatë punimeve të Sinodit disa herë është porositur domosdoshmëria për të tejkaluar çdo ndarje të mundshme mes ars celebrandi-t, d.m.th. artit të kremtimit të drejtë, dhe pjesëmarrjes së plotë, aktive e të frytshme të të gjithë besimtarëve. Në fakt, mënyra e parë me të cilën favorizohet pjesëmarrja e Popullit të Hyjit në Ritin e shenjtë është kremtimi në mënyrë të përshtatshme i vetë Ritit. Ars celebrandi është kushti më i mirë për actuosa participatio114. Ars celebrandi buron nga dëgjesa besnike ndaj normave liturgjike në plotësinë e tyre, sepse është pikërisht kjo mënyrë e kremtimit që garanton tash dy mijë vjet jetën e fesë së të gjithë besimtarëve, të cilët janë të ftuar për ta jetuar kremtimin si Popull i Hyjit, meshtari mbretërore, komb i shenjtë (krh. 1 Pjt 2, 4-5, 9)115.

Ipeshkvi, mishërimi i liturgut

39. Nëse është e vërtetë se mbarë Populli i Hyjit merr pjesë në Liturgjinë eukaristike, megjithatë lidhur me ars celebrandi-n një detyrë e pashmangshme i takon atyre që kanë marrë sakramentin e Urdhrit të Shenjtë. Ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët - secili sipas gradës së vet - duhet ta konsiderojnë kremtimin si detyrë të vetën kryesore116. Kjo ka të bëjë posaçërisht me Ipeshkvin dioqezan: ai, në fakt, është “shpërndarësi kryesor i mistereve të Hyjit në Kishën e veçantë që i është besuar, ai është udhëheqësi, nxitësi dhe mbrojtësi i krejt jetës liturgjike”117. E gjithë kjo është vendimtare për jetën e Kishës së veçantë, jo vetëm për arsye se bashkësia me Ipeshkvin është kushti për vlefshmërinë e çdo kremtimi në territorin e tij, por edhe për arsye se vetë ai është mishërimi i liturgut në dioqezën e tij118. Është detyra e tij ta ruajë njësinë harmonike të kremtimit në Dioqezën e tij. Për këtë arsye, “është angazhim i Ipeshkvit të bëjë të mundur që meshtarët, diakonët dhe besimtarët ta kuptojnë gjithnjë e më thellë domethënien e mirëfilltë të riteve dhe të teksteve liturgjike e në këtë mënyrë të udhëzohen në kremtimin aktiv dhe të frytshëm të Eukaristisë”119. Në veçanti, nxis të bëhet çka është e nevojshme që kremtimet liturgjike të bëra nga Ipeshkvi në Kishën katedrale të zhvillohen duke respektuar plotësisht ars celebrandi-n, në mënyrë që ato të mund të konsiderohen si model për të gjitha kishat e shpërndara në territorin e tij120.

Respekti për librat liturgjikë dhe për pasurinë e shenjave

40. Duke theksuar rëndësinë e ars celebrandi-t, për pasojë bëhet e qartë edhe vlera e normave liturgjike121.  Ars celebrandi duhet ta nxisë ndjenjën për atë që është e shenjtë dhe të shërbehet me ato forma të jashtme, që edukojnë për ta pasur këtë ndjenjë, për shembull me harmoninë e ritit, me petkat liturgjike, me pajisjet dhe me vendin e shenjtë. Atje ku meshtarët dhe përgjegjësit e baritores liturgjike angazhohen për t’i bërë të njohur librat liturgjikë dhe normat përkatëse që janë në fuqi, duke nënvizuar pasuritë e mëdha të librave Ordinamento Generale del Messale Romano (Rendi i Përgjithshëm i Mesharit Romak) dhe Ordinamento delle Letture della Messa (Rendi i Leximeve të Meshës), kjo i sjell shumë përparësi kremtimit të Eukaristisë. Ndoshta e marrim si të dhënë se bashkësitë tona kishtare i njohin dhe i çmojnë drejt këto tekste, por shpeshherë nuk ndodh kështu. Në të vërtetë këto janë tekste që përmbajnë pasuri të çmueshme, që ruajnë dhe paraqesin fenë dhe ecjen e Popullit të Hyjit përgjatë dy mijë viteve të historisë së tij. Po aq e rëndësishme për një ars celebrandi të drejtë është respektimi i të gjitha formave të shprehjes që i parasheh liturgjia: fjala dhe këndimi, gjestet dhe heshtja, lëvizjet e trupit, ngjyrat liturgjike të veshjeve. Në fakt, liturgjia për natyrën e vet zotëron një shumëllojshmëri regjistrash komunikimi, të cilët i mundësojnë asaj të synojë përfshirjen e krejt qenies njerëzore. Thjeshtësia e gjesteve dhe kthjelltësia e shenjave të renditura dhe të parapara në momentin e duhur komunikojnë dhe përfshijnë më shumë, sesa artificialiteti i shtojcave të pavend. Respektimi dhe ndjekja e strukturës vetjake të ritit, ndërsa shprehin njohjen e karakterit të Eukaristisë si dhuratë, shfaqin vullnesën e meshtarit për ta pranuar me mirënjohje të dëgjueshme dhuratën e papërshkrueshme.

Arti në shërbim të kremtimit

41. Lidhja e thellë mes bukurisë dhe liturgjisë duhet të na bëjë që t’i konsiderojmë me kujdes të gjitha shprehjet artistike të cilat janë vënë në shërbim të kremtimit122. Një element i rëndësishëm i artit të shenjtë është natyrisht arkitektura e kishave123, në të cilat duhet të dalë në pah njësia e elementeve të veçanta të presbiterit - altari, kryqi, tabernakulli, amboni dhe karriga. Për këtë qëllim duhet të kihet parasysh se qëllimi i arkitekturës së shenjtë është t’i ofrojë Kishës që kremton sakramentet e fesë, në veçanti Eukaristinë, hapësirën më të përshtatshme për zhvillimin më të mirë të veprimit të saj liturgjik124. Në fakt, natyra e tempullit të krishterë të Zotit është përcaktuar nga vetë veprimi liturgjik, i cili nënkupton mbledhjen e besimtarëve (ecclesia), të cilët janë gurët e gjallë të tempullit (krh. 1 Pjt 2, 5).

Ky parim vlen për krejt artin e shenjtë, sidomos për pikturën dhe skulpturën, në të cilat ikonografia fetare duhet të orientohet sipas mistagogjisë sakramentale. Një njohje e thelluar e formave, që arti i shenjtë ka krijuar gjatë shekujve, mund t’i ndihmojë shumë ata që, ndaj arkitektëve dhe artistëve, kanë përgjegjësinë e porositjes së veprave artistike për veprimin liturgjik. Për këtë arsye, është e nevojshme që në formimin e seminaristëve e të meshtarëve të përfshihet, si një disiplinë e rëndësishme, historia e artit duke iu referuar në mënyrë të veçantë ndërtimeve të kultit në dritën e normave liturgjike. Si përfundim, është e domosdoshme, që, në gjithçka që ka të bëjë me Eukaristinë, të sundojë shija për të bukurën. Respekt dhe kujdes duhet të kihet edhe për veshjet, mobiljet, enët e shenjta, me qëllim që, të lidhur në mënyrë organike dhe të renditur mes tyre, të ushqejnë mrekullimin për misterin e Hyjit, të shfaqin njësinë e fesë dhe të përforcojnë përshpirtërinë125.

Këndimi liturgjik

42. Një vend të rëndësishëm në ars celebrandi zë këndimi liturgjik126. Me të drejtë pohon Shën Augustini në njërin prej predikimeve të tij të famshëm: “Njeriu i ri e di se cila është kënga e re. Këndimi është shprehje gëzimi dhe, nëse mendojmë edhe pak me më kujdes mbi këtë, shprehje dashurie”127. Populli i Hyjit, që është mbledhur për kremtim, i këndon lavdisë së Hyjit. Kisha, në historinë e vet dymijëvjeçare, ka krijuar, dhe vazhdon të krijojë, muzikë dhe këngë, që përbëjnë një pasuri feje dhe dashurie që nuk duhet të humbasë. Me të vërtetë në liturgji nuk mund të themi se një këngë është njëlloj me një tjetër. Për këtë qëllim, duhet të shmangen improvizimet ose futjet e disa llojeve muzikore që nuk respektojnë domethënien e liturgjisë. Në vetinë e saj si element liturgjik, këndimi duhet të përfshihet në vetë formën e kremtimit128. Si pasojë, gjithçka - në tekst, në melodi dhe në ekzekutim - duhet t’i përgjigjet domethënies së misterit të kremtuar, pjesëve të ritit dhe kohëve liturgjike129. Në fund, edhe pse duke i marrë parasysh orientimet dhe traditat e ndryshme të lavdërueshme, dëshiroj, siç është kërkuar nga Etërit sinodalë, që të vlerësohet si duhet këndimi gregorian130, sepse ky është këndimi i mirëfilltë i liturgjisë romake131.

Struktura e kremtimit eukaristik

43. Pasi i kam përmendur elementet mbajtëse të ars celebrandi-t, që dolën gjatë punimeve të Sinodit, do të doja të tërhiqja vëmendjen në mënyrë më specifike mbi disa pjesë të strukturës së Kremtimit eukaristik, që në kohën tonë kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë, për t’i qëndruar besnikë qëllimit themelor të ripërtëritjes liturgjike të nxitur nga Koncili II i Vatikanit, në vazhdimësi me krejt traditën e madhe kishtare.

Njësia e brendshme e veprimit liturgjik

44. Pikësëpari është e nevojshme të reflektojmë mbi njësinë e brendshme të ritit të Meshës së shenjtë. Duhet shmangur, si në katekezë, ashtu edhe në mënyrën e kremtimit, dhënia e një vizioni se kemi dy pjesë që janë vënë pranë njëra-tjetrës. Shërbesa e Fjalës dhe liturgjia eukaristike - përveç riteve të hyrjes dhe të përfundimit - janë “aq të lidhura me njëra-tjetrën sa ato formojnë një akt të vetëm të Meshës”132. Në fakt, ekziston një lidhje e brendshme mes Fjalës së Hyjit dhe Eukaristisë. Gjatë dëgjimit të Fjalës së Hyjit lind apo forcohet feja (krh. Rom 10, 17); në Eukaristi Fjala e mishëruar na dhurohet neve si ushqim shpirtëror133. Kështu “nga dy tryezat e Fjalës së Hyjit dhe të Trupit të Krishtit Kisha merr dhe u ofron besimtarëve Bukën e jetës”134. Për këtë arsye, gjithnjë duhet të kihet parasysh se Fjala e Hyjit, të cilën Kisha e lexon dhe e shpall në liturgji, na çon në Eukaristi si në qëllimin e saj bashkënatyror.

Shërbesa e Fjalës së Hyjit

45. Bashkë me Sinodin, kërkoj që liturgjia e Fjalës së Hyjit të përgatitet dhe të jetohet siç ka hije. Për këtë arsye, porosis nxehtësisht që në liturgji duhet t’i kushtohet kujdes shpalljes së Fjalës së Hyjit nga lexuesit e përgatitur mirë. Nuk duhet të harrojmë kurrë se “kur në Kishë lexohet Shkrimi i shenjtë, vetë Hyji i flet popullit të vet dhe Krishti, i pranishëm në Fjalën e tij, shpall Ungjillin”135. Nëse rrethanat e bëjnë të mundur, mund të mendohet për disa fjalë hyrëse, që t’i ndihmojnë besimtarët për t’u bërë më të vetëdijshëm. Fjala e Hyjit për t’u kuptuar mirë duhet të dëgjohet e të pranohet me shpirt kishtar dhe në vetëdijen e njësisë së saj me Sakramentin eukaristik. Në fakt, Fjala që shpallim dhe dëgjojmë është Fjala e mishëruar (krh. Gjn 1, 14) e ka një referim të brendshëm me personin e Krishtit dhe me mënyrën sakramentale të qëndrimit të tij. Krishti nuk flet në të kaluarën, por në të tashmen tonë, ashtu si Ai është i pranishëm në veprimin eukaristik. Në këtë horizont sakramental të zbulimit së krishterë136, njohja dhe studimi i Fjalës së Hyjit na ndihmojnë ta çmojmë, ta kremtojmë dhe ta jetojmë më mirë Eukaristinë. Edhe këtu zbulohet në krejt të vërtetën e saj thënia se “mosnjohja e Shkrimit është mosnjohje e Krishtit”137.

Për këtë qëllim, është e nevojshme që besimtarët të ndihmohen për të vlerësuar thesaret e Shkrimit të shenjtë të pranishme në Leksionar nëpërmjet nismave baritore, shërbesave të Fjalës dhe leximit shpirtëror (lectio divina). Gjithashtu, të mos harrohet nxitja e formave të lutjes të përçuara nga tradita: Liturgjia e Orëve, sidomos Mëngjesorja, Mbrëmësorja dhe Pasmbrëmësorja, dhe kremtimet e vigjiljes. Lutja e Psalmeve, leximet biblike dhe ato të traditave të mëdha të paraqitura nga Ufici hyjnor mund të na çojnë në një përvojë të thelluar të ngjarjes së Krishtit dhe të ekonomisë së shpëtimit, që nga ana e saj mund ta pasurojë kuptimin dhe pjesëmarrjen në Kremtimin eukaristik138.

Homelia

46. Në lidhje me rëndësinë e Fjalës së Hyjit ngrihet domosdoshmëria për ta përmirësuar cilësinë e homelisë. Ajo, në fakt “është pjesë e veprimit liturgjik”139; ka për detyrë të nxisë një kuptim më të thellë dhe më të efektshëm të Fjalës së Hyjit në jetën e besimtarëve. Për këtë arsye, meshtarët duhet “ta përgatisin homelinë me kujdes, duke u bazuar në njohjen e përshtatshme të Shkrimit të shenjtë”140. Duhet shmangur homeli të përgjithshme ose abstrakte. Në veçanti, u kërkoj meshtarëve që të bëjnë të mundur që homelia ta vërë Fjalën e Hyjit në një lidhje të tillë të ngushtë me kremtimin eukaristik141 e me jetën e bashkësisë, në mënyrë që Fjala e Hyjit realisht të jetë mbështetje dhe jetë për Kishën142. Për këtë arsye, le të kihet parasysh qëllimi kateketik dhe nxitës i homelisë. Duket me vend që, duke u nisur nga leksionari trevjeçar, t’u bëhen besimtarëve homeli të qëllueshme tematike, që, gjatë vitit liturgjik, trajtojnë temat e mëdha të fesë së krishterë, duke përdorur edhe atë që është propozuar autoritetshëm nga Magjisteri në katër “shtyllat” e Katekizmit të Kishës Katolike dhe në Përmbledjen e botuar më vonë: në Besojmën, në kremtimin e misterit të krishterë, në jetën në Krishtin dhe në lutjen e krishterë143.

Paraqitja e dhuratave

47. Etërit sinodalë kanë tërhequr vëmendjen edhe në paraqitjen e dhuratave. Nuk bëhet fjalë thjesht për njëfarë “intervali” mes liturgjisë së Fjalës dhe liturgjisë eukaristike. Kjo përveç të tjerash nuk do t’i përgjigjej kuptimit të një riti të përbërë nga dy pjesë. Në këtë veprim të përvujtë dhe të thjeshtë shfaqet, në realitet, një domethënie shumë e thellë: në bukën dhe në verën që çojmë në altar krejt krijimi është marrë nga Krishti Shëlbues për t’u shndërruar dhe t’iu paraqitur Atit144. Në këtë perspektivë çojmë në altar edhe të gjitha vuajtjet dhe dhembjen e botës, me sigurinë se gjithçka është e çmueshme në sytë e Hyjit. Me qëllim që ky gjest të përjetohet në domethënien e tij autentike, nuk ka nevojë të emfatizohet me ndërlikime të pavend. Ai mundëson vlerësimin e pjesëmarrjes zanafillore, që Hyji kërkon prej njeriut për të plotësuar veprën hyjnore në të dhe për t’i dhënë në këtë mënyrë një kuptim të plotë punës njerëzore: që me anë të Kremtimit eukaristik bashkohet me flinë shëlbuese të Krishtit.

Lutja eukaristike

48. Lutja eukaristike është një “moment qendror dhe kulmor i krejt kremtimit”145. Rëndësia e saj meriton të theksohet në mënyrë të përshtatshme. Lutjet e ndryshme eukaristike që përmban Meshari na janë përçuar nga Tradita e gjallë e Kishës dhe dallohen për një pasuri të pashtershme teologjike dhe shpirtërore. Besimtarët duhet të bëhen të aftë për t’i çmuar ato. Lidhur me këtë na ndihmon Ordinamento Generale del Messale Romano duke na kujtuar elementet themelore të çdo lutjeje eukaristike: falënderimi, shpallja, epikleza, tregimi i themelimit, shugurimi, anamneza, paraqitja e dhuratave, ndërmjetësimet dhe doksologjia përfundimtare146. Në veçanti përshpirtëria eukaristike dhe reflektimi teologjik ndriçohen nëse soditet njësia e thellë në anaforën mes thirrjes së Shpirtit Shenjt dhe tregimit të themelimit147, ku “realizohet flija që ka themeluar vetë Krishti në Darkën e Fundit”148. Në fakt, “Kisha kërkon me lutje të veçanta fuqinë e Shpirtit Shenjt, me qëllim që dhuratat e paraqitura nga njerëzit të shugurohen, domethënë të bëhen Trupi dhe Gjaku i Krishtit, dhe që viktima e panjollë, e cila merret në Kungim, të bëhet shëlbim për ata që marrin pjesë në të”149.

Shenja e paqes

49. Eukaristia është për natyrën e saj Sakramenti i paqes. Kjo përmasë e Misterit eukaristik gjen në Kremtimin liturgjik shprehjen e vet të veçantë në ritin e shkëmbimit të shenjës së paqes. Padyshim bëhet fjalë për një shenjë me një vlerë të madhe (krh. Gjn 14, 27). Në kohën tonë, kaq të ngarkuar me konflikte, ky gjest merr, edhe nga këndvështrimi i ndjeshmërisë së përgjithshme, një rëndësi të veçantë meqë Kisha e ndien gjithnjë e më shumë si detyrë t’i kërkojë Zotit dhuratën e paqes dhe të njësisë për veten e vet e për mbarë familjen njerëzore. Paqja me siguri është një dëshirë e zjarrtë dhe e pamposhtme e pranishme në zemrën e çdo individi. Kisha bëhet zëri i kërkimit të paqes dhe të pajtimit, që ngjitet nga shpirti i çdo njeriu vullnetmirë, duke ia drejtuar atij që është “Paqja jonë” (Ef 2, 14), dhe që mund të paqtojë popuj e persona, edhe aty ku dështojnë përpjekjet njerëzore. Nga e gjithë kjo kuptohet intensiteti me të cilin shpesh riti i paqes përjetohet në Kremtimin liturgjik. Për këtë qëllim, megjithatë, në Sinodin e  Ipeshkvijve është theksuar mundësia për ta moderuar këtë gjest, që mund të ekzagjerohet, duke nxitur përshtjellim në asamble tamam para Kungimit. Është mirë të kujtohet se vlera e madhe e gjestit nuk zvogëlohet aspak nëse bëhet me thjeshtësinë e nevojshme për të ruajtur një klimë që i ka hije kremtimit, për shembull duke ia dhënë paqen vetëm atyre që kemi afër150.

Ndarja dhe marrja e Eukaristisë

50. Një moment tjetër i kremtimit për të cilin është e nevojshme të flitet është ndarja dhe marrja e Kungimit të shenjtë. U kërkoj të gjithëve, posaçërisht meshtarëve dhe atyre që, të përgatitur si duhet, në rast nevoje reale, të autorizohen në shërbesën e ndarjes së Eukaristisë, të bëjnë gjithçka që gjesti në thjeshtësinë e tij të përkojë me vlerën e tij të takimit personal me Zotin Jezus në Sakrament. Për sa i përket dispozitave për praktikën korrekte mund të këshilloheni me dokumentet e botuara kohët e fundit151. Të gjitha bashkësitë e krishtera duhet t’u përmbahen besnikërisht normave në fuqi, duke parë në to shprehjen e fesë dhe të dashurisë që të gjithë duhet të kemi ndaj këtij Sakramenti sublim. Përveç kësaj, nuk duhet të lihet pas dore koha e çmueshme e falënderimit pas Kungimit: përveç këndimit të një kënge të përshtatshme, shumë e dobishme mund të jetë edhe qëndrimi në heshtje152.

Për sa i përket kësaj çështjeje, dua ta tërheq vëmendjen rreth një problemi baritor, të cilin e hasim shpeshherë në ditët e sotme. I referohem faktin se në disa rrethana, si për shembull në Meshët e shenjta të kremtuara me rastin e kurorëzimeve, të varrimeve ose të ngjarjeve të ngjashme, në kremtim janë të pranishëm përveç besimtarëve praktikues, edhe njerëz të tjerë, të cilët ndoshta nuk e kanë marrë Kungimin prej vitesh, ose ndoshta gjenden në një situatë jetësore që nuk lejon marrjen e Sakramenteve. Herë të tjera ndodh që të jenë të pranishëm persona të konfesioneve të tjera të krishtera ose madje edhe të feve tjera. Rrethana të ngjashme krijohen edhe në kisha ku shkojnë shumë vizitorë, veçanërisht në qytetet e mëdha të artit. Është e vetëkuptueshme nevoja për të gjetur në këtë rast mënyra të shkurtra dhe të efektshme për t’ia kujtuar të gjithëve kuptimin e kungimit sakramental dhe kushtet për marrjen e tij. Aty ku ka situata në të cilat nuk mund të jepet sqarimi i nevojshëm lidhur me rëndësinë e Eukaristisë, duhet peshuar mundësia e zëvendësimit të Kremtimit eukaristik me një Shërbesë të Fjalës së Hyjit153.

Lëshimi: “Ite, missa est”

51. Në fund, do të doja të ndalesha mbi atë që kanë thënë Etërit sinodalë lidhur me lëshimin në përfundim të Kremtimit eukaristik. Pas bekimit, diakoni ose meshtari e lëshon popullin me fjalët: “Ite, missa est”. Në këto fjalë mund të shohim lidhjen mes Meshës së kremtuar dhe misionit të krishterë në botë. Në lashtësi termi “missa” donte të thoshte thjesht “Lëshim”. Megjithatë, ajo ka marrë në përdorimin e krishterë një domethënie gjithnjë e më të thellë. Shprehja “missa” gjithnjë e më tepër kuptohet si “missio”, domethënë mision. Kjo përshëndetje shpreh në mënyrë sintetike natyrën misionare të Kishës. Për këtë arsye, është mirë që Populli i Hyjit të ndihmohet për ta thelluar këtë përmasë përbërëse të jetës kishtare, duke marrë shkas nga liturgjia. Në këtë perspektivë mund të jenë të dobishëm të pasurit e teksteve të aprovuara, për lutjen mbi popull dhe bekimin përfundimtar, tekste këto që e shprehin qartë këtë lidhje154.

 

Pjesëmarrja autentike (Actuosa participatio)

52. Koncili II i Vatikanit me të drejtë e ka paraqitur me një emfazë të veçantë pjesëmarrjen aktive, të plotë dhe të frytshme të krejt Popullit të Hyjit në Kremtimin eukaristik155. Me siguri, ripërtëritja e realizuar gjatë këtyre viteve ka lehtësuar përparime të konsiderueshme në drejtimin e dëshiruar nga Etërit konciliarë. Megjithatë nuk duhet ta fshehim faktin se nganjëherë është shfaqur ndonjë keqkuptim rreth kuptimit të kësaj pjesëmarrjeje. Për këtë arsye duhet të sqarohet se me këtë fjalë nuk dëshirojmë t’i referohemi thjesht një veprimtarie të jashtme gjatë kremtimit. Në realitet, pjesëmarrja aktive e dëshiruar nga Koncili duhet kuptuar në terma më thelbësorë, duke u nisur nga një vetëdije më e thellë e misterit që kremtohet dhe lidhjes së tij me jetën e përditshme. Është ende plotësisht e vlefshme porosia e Kushtetutës konciliare Sacrosanctum Concilium, e cila i nxit besimtarët të mos rrinë në liturgjinë eukaristike “si të huaj apo si shikues të heshtur”, por të marrin pjesë “në veprimin e shenjtë në mënyrë të vetëdijshme, të përshpirtshme dhe aktivisht”156, Koncili vazhdonte duke i zhvilluar më tej këto reflektime: besimtarët “të formuar nga Fjala e Hyjit, të ushqehen në tryezën e Trupit të Zotit; ta falënderojnë Hyjin; duke i paraqitur viktimën e panjollë, jo vetëm nëpërmjet duarve të meshtarit, por së bashku me të, të mësojnë të ofrojnë vetveten, dhe ditë pas dite, nëpërmjet Krishtit Ndërmjetësues të përsosen në njësinë me Hyjin dhe me njëri-tjetrin”157.

Pjesëmarrja dhe shërbesa meshtarake

53. Bukuria dhe harmonia e veprimit liturgjik gjejnë një shprehje domethënëse në rendin me të cilin secili është thirrur për të marrë pjesë aktivisht. Kjo sjell njohjen dhe pranimin e roleve të ndryshme hierarkike të përfshira në kremtim. Është e nevojshme të rikujtojmë se pjesëmarrja aktive në të nuk përkon detyrimisht me ushtrimin e një shërbese të veçantë. Para së gjithash, nuk është mirë për çështjen e pjesëmarrjes aktive të besimtarëve një rrëmujë, që do të shkaktohej nga pazotësia për të dalluar, në bashkësisë kishtare, detyrat e ndryshme që i përkasin secilit158. Në veçanti, është e domosdoshme që të ketë qartësi lidhur me detyrat specifike të meshtarit. Ai është në një mënyrë të pazëvendësueshme, sikurse konfirmon tradita e Kishës, ai që e udhëheq krejt Kremtimin eukaristik, nga përshëndetja e fillimit deri tek bekimi i fundit. Në bazë të Urdhrit të Shenjtë që ai ka marrë, meshtari përfaqëson Jezu Krishtin, Kreun e Kishës dhe, sipas mënyrës të tij përkatëse, edhe vetë Kishën159. Në fakt, çdo kremtim i Eukaristisë udhëhiqet nga Ipeshkvi, “ose vetë ai, ose nëpërmjet meshtarëve bashkëpunëtorë të tij”160. Ai ndihmohet nga diakoni, i cili në kremtim ka disa detyra specifike: të përgatisë altarin, t’i shërbejë meshtarit, të shpallë Ungjillin, në rast nevoje edhe të predikojë, t’u paraqesë besimtarëve qëllimet e lutjes të gjithëmbarshme, t’u shpërndajë besimtarëve Eukaristinë161. Të lidhura me këto detyra, që janë të lidhura me sakramentin e Urdhrit, qëndrojnë edhe shërbesa të tjera për shërbimin liturgjik, të ushtruara në mënyrë të lavdërueshme nga rregulltarë dhe laikë të përgatitur162.

Kremtimi eukaristik dhe inkulturimi

54. Në bazë të pohimeve themelore të Koncilit II të Vatikanit, disa herë është theksuar rëndësia e pjesëmarrjes aktive të besimtarëve në Flinë eukaristike. Për ta favorizuar këtë përfshirje mund t’i lihet hapësirë disa përshtatjeve me vend për kontekstet dhe kulturat e ndryshme163. Fakti se ka pasur disa keqpërdorime, nuk e turbullon qartësinë e këtij parimi, që duhet ruajtur sipas nevojave reale të Kishës, e cila jeton dhe kremton të njëjtin mister të Krishtit në situata të ndryshme kulturore. Zoti Jezus, në fakt, në misterin e Mishërimit, duke lindur nga një grua si njeri i përsosur (krh. Gal 4, 4), është vërë në lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm me pritjet e pranishme në Besëlidhjen e Vjetër, por edhe me shpresat e ushqyera nga të gjithë popujt. Me këtë Ai ka treguar se Hyji dëshiron të na arrijë në kontekstin tonë jetësor. Për këtë arsye, për një pjesëmarrje më efikase të besimtarëve në Misteret e shenjta është i dobishëm vazhdimi i procesit të inkulturimit në fushën e Kremtimit eukaristik, duke pasur parasysh mundësitë e përshtatjes të ofruara nga Ordinamento Generale del Messale Romano164, të interpretuara në dritën e kritereve të caktuara nga Udhëzimi i katërt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve Varietates legitimae të datës 25 janar 1994165 dhe nga direktivat e shprehura prej Papa Gjon Palit II në Nxitjen pas-sinodale Ecclesia in Africa, Ecclesia in America, Ecclesia in Asia, Ecclesia in Oceania dhe Ecclesia in Europa166. Për këtë qëllim i porosis Konferencat Ipeshkvnore që të veprojnë duke favorizuar ekuilibrin e duhur mes kritereve dhe direktivave tashmë të lëshuara dhe përshtatjeve të reja167, përherë në pajtim me Selinë Apostolike.

Kushtet personale për një “pjesëmarrje aktive”

55. Duke shqyrtuar temën actuosa participatio të besimtarëve në ritin e shenjtë, Etërit sinodalë kanë dalluar edhe kushtet personale, në të cilat duhet të jetë secili për një pjesëmarrje të frytshme168. Një prej tyre është sigurisht shpirti i kthimit të vazhdueshëm, i cili duhet ta karakterizojë jetën e të gjithë besimtarëve. Nuk mund të presim një pjesëmarrje aktive në liturgjinë eukaristike, nëse jemi të pranishëm vetëm sipërfaqësisht, pa e pyetur veten më parë për jetën tonë. Një gatishmëri e tillë e brendshme favorizohet, për shembull, nga përqendrimi dhe heshtja, së paku disa momente para fillimit të liturgjisë, agjërimi dhe, nëse është e nevojshme, Rrëfimi sakramental. Një zemër e pajtuar me Hyjin aftëson një pjesëmarrje të vërtetë. Në veçanti, duhet t’u rikujtojmë besimtarëve faktin se actuosa participatio në Misteret e shenjta nuk mund të realizohet në qoftë se njeriu nuk përpiqet njëkohësisht të marrë pjesë aktivisht në jetën kishtare në tërësinë e saj, gjë që kërkon edhe angazhim misionar për ta futur dashurinë e Krishtit brenda shoqërisë.

Padyshim, kemi një pjesëmarrje të plotë në Eukaristi atëherë kur edhe i afrohemi vetë personalisht altarit për të marrë Kungimin169. Megjithatë, duhet pasur kujdes që ky pohim korrekt të mos fusë tek besimtarët njëfarë automatizmi, sikur të kishin të drejtë ose madje edhe për detyrim të shkonim në gostinë eukaristike vetëm pse gjenden në kishë gjatë liturgjisë. Edhe nëse nuk është e mundur ta marrin kungimin sakramental, pjesëmarrja në Meshën e shenjtë mbetet e domosdoshme, e vlefshme, kuptimplote dhe e frytshme. Në këto rrethana është mirë kultivimi i dëshirës së bashkimit të plotë me Krishtin me praktikën, për shembull, të kungimit shpirtëror, të kujtuar nga Gjon Pali II170 dhe të porositur nga Shenjtër mësues të jetës shpirtërore171.

Pjesëmarrja e të krishterëve jokatolikë

56. Së bashku me temën e pjesëmarrjes duhet të flasim patjetër lidhur me të krishterët që u përkasin Kishave apo Bashkësive kishtare, që nuk janë në bashkësi të plotë me Kishën Katolike. Në këtë kontekst, duhet thënë se lidhja e brendshme ekzistuese mes Eukaristisë dhe njësisë së Kishës, nga njëra anë, na bën të dëshirojmë me zjarr ditën kur mund ta kremtojmë së bashku me të gjithë besimtarët në Krishtin Eukaristinë hyjnore dhe në këtë mënyrë ta shprehim njësinë e plotë që Krishti ka dashur për nxënësit e vet (krh. Gjn 17, 21). Nga ana tjetër, respekti që duhet të kemi për sakramentin e Trupit dhe të Gjakut të Krishtit na pengon ta kthejmë thjesht në një “mjet” që ta përdorim mbarë e mbrapsht për ta arritur pikërisht këtë njësi172. Eukaristia, në fakt, nuk shpreh vetëm bashkimin tonë personal me Jezu Krishtin, por përfshin edhe Communio-n e plotë me Kishën. Ky, pra, është motivi pse me dhimbje, por jo pa shpresë, u kërkojmë të krishterëve jokatolikë ta kuptojnë dhe ta respektojnë bindjen tonë që bazohet në Bibël e në Traditë. Ne mendojmë se Kungimi eukaristik dhe Communio-ja kishtare janë aq të lidhur me njëri-tjetrin, aq sa për të krishterët jokatolikë në përgjithësi është e pamundur ta marrin sakramentin e Kungimit, pa marrë pjesë në Communio. Edhe më i pakuptimtë do të ishte një bashkëkremtim i mirëfilltë me shërbestarë të Kishave apo Bashkësive të tjera kishtare, të cilat nuk janë në bashkësi të plotë me Kishën Katolike. Megjithatë mbetet e vlefshme që, duke marrë parasysh shpëtimin e amshuar, ekziston mundësia e pranimit të individëve të krishterë jokatolikë në Eukaristi, në sakramentin e Pendesës dhe në Vajimin e të sëmurëve. Mirëpo, kjo presupozon verifikimin e situatave të caktuara dhe të jashtëzakonshme, kushtet e të cilëve dallohen mjaft qartë173. Këto janë paraqitur mjaft qartë në Catechismo della Chiesa Cattolica174 dhe në Compendio-n175 e tij. Është detyrë e secilit t’u përmbahet besnikërisht atyre.

Pjesëmarrja me anë të mjeteve të komunikimit

57. Falë zhvillimit shumë të fuqishëm të mjeteve të komunikimit, në dhjetëvjeçarët e fundit fjala “pjesëmarrje” ka marrë një kuptim më të gjerë, sesa e ka pasur në të kaluarën. Ne të gjithë e pranojmë me kënaqësi se këto instrumente hapin mundësi të reja edhe për sa i i përket Kremtimit Eukaristik176. Nga operatorët baritorë në këtë sektor kjo kërkon një përgatitje specifike dhe ndjenjë të fortë përgjegjësie. Në fakt, Mesha e shenjtë e transmetuar me anë të televizionit në mënyrë të pashmangshme merr njëfarë karakteri ekzemplar. Për këtë arsye, jo vetëm që duhet pasur kujdes që kremtimi të realizohet në vende të denja dhe të përgatitura mirë, por duhet që ai t’i marrë parasysh edhe normat liturgjike.

Në fund, për sa ka të bëjë me vlerën e pjesëmarrjes në Meshën e shenjtë të mundësuar nga mjetet e komunikimit, ai që i shikon këto transmetime duhet të dijë se, në kushte normale, nuk e plotëson detyrimin e ditës së festës. Në fakt, gjuha e imazheve paraqet realitetin, por nuk e riprodhon atë në vetvete177. Nëse është për t’u lavdëruar që njerëzit e moshuar dhe të sëmurë marrin pjesë në Meshën e ditës së festës me anë të transmetimeve të radios dhe të televizionit, kjo nuk vlen në të njëjtën mënyrë edhe për ata, që, me anë të transmetimeve të tilla, do të dëshironin të shkarkoheshin nga të shkuarit në kishë për të marrë pjesë në Kremtimin eukaristik në asamblenë e Kishës së gjallë.

Pjesëmarrja aktive e të sëmurëve

58. Duke shqyrtuar gjendjen e atyre, të cilët nuk mund të shkojnë në vendet e kultit për shkak të sëmundjes dhe të moshës, do të doja të tërhiqja vëmendjen e krejt bashkësisë kishtare rreth nevojës baritore për t’i siguruar një ndihmë shpirtërore të sëmurëve, atyre që janë në shtëpitë e veta ose që gjenden në spital. Shumë herë në Sinodin e Ipeshkvijve u fol për gjendjen e tyre. Duhet të bëjmë të mundur që këta vëllezër dhe motra tona të mund t’i afrohen shpesh Kungimin sakramental. Duke përforcuar në këtë mënyrë lidhjen e tyre me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, mund të ndiejnë se jeta e tyre është e futur plotësisht në jetën dhe në misionin e Kishës me anë të ofertës së vuajtjeve të tyre në bashkim me flinë e Zotit tonë. Një vëmendje e veçantë duhet t’u rezervohet personave me aftësi të kufizuara; aty ku gjendja e tyre e lejon, bashkësia e krishterë duhet ta përkrahë pjesëmarrjen e tyre në vendin e kultit. Në lidhje me këtë, duhet të kujdesemi që të mënjanohen pengesat e mundshme arkitektonike, të cilat ua vështirësojnë qasjen personave me aftësi të kufizuara. Në fund, aq sa është e mundur, duhet t’u garantohet kungimi eukaristik edhe personave me aftësi të kufizuara mendore, të pagëzuar e të krezmuar: ata e marrin Eukaristinë edhe në fenë e familjes apo të bashkësisë që i shoqëron ata178.

Kujdesi për të burgosurit

59. Tradita shpirtërore e Kishës, duke u bazuar në fjalën e qartë të Krishtit (krh. Mt 25, 36), ka dalluar në vizitën e të burgosurve njërën prej veprave trupore të mëshirës. Ata që gjenden në këtë situatë kanë një nevojë të veçantë të vizitohen nga vetë Zoti në sakramentin e Eukaristisë. Përjetimi i afërsisë së bashkësisë kishtare, pjesëmarrja në Eukaristi dhe marrja e Kungimit të shenjtë në një periudhë kaq të veçantë dhe të dhembshme të jetës me siguri mund të kontribojë në cilësinë e ecjes së tyre të fesë dhe të favorizojë rehabilitimin e tyre të plotë shoqëror. Duke interpretuar dëshirat e shprehura në Asamblenë e Sinodit u kërkoj Dioqezave, që, brenda mundësive, të ketë një investim të përshtatshëm forcash në veprimtaritë baritore të orientuara për kujdesin shpirtëror të të burgosurve179.

Migrantët dhe pjesëmarrja në Eukaristi

60. Duke prekur problemin e atyre që për arsye të ndryshme janë të detyruar të lënë vendin e tyre, Sinodi ka shprehur një mirënjohje të veçantë ndaj atyre që janë të angazhuar në baritoren e migrantëve. Në këtë kontekst, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet emigrantëve, të cilët u përkasin Kishave katolike të Lindjes dhe për të cilët, ndarjes nga vendlindja e tyre i shtohet edhe vështirësia tjetër e mospjesëmarrjes në liturgjinë eukaristike sipas ritit të tyre. Për këtë arsye, aty ku është e mundur, të bëhet e mundur që të asistohen nga meshtarët e ritit të tyre. Sidoqoftë, u kërkoj Ipeshkvijve, t’i pranojnë në dashurinë e Krishtit këta vëllezër dhe motra. Takimi i besimtarëve të riteve të ndryshme mund të bëhet edhe rast për një pasurim të ndërsjellë. Veçanërisht, mendoj për dobinë që mund të dalë, sidomos për klerin, nga njohja e traditave të ndryshme180.

Bashkëkremtimet e mëdha

61. Asambleja e Sinodit është ndalur për të shqyrtuar cilësinë e pjesëmarrjes në kremtimet e mëdha, të cilat mbahen në raste të veçanta, dhe në të cilat janë të pranishëm, përveç një numri të madh besimtarësh, edhe shumë meshtarë bashkëkremtues181. Nga njëra anë, është e lehtë të pranohet rëndësia e këtyre momenteve, veçanërisht nëse Ipeshkvi i paraprin kremtimit i rrethuar me meshtarët dhe diakonët e vet. Nga ana tjetër, në këto rrethana mund të paraqiten probleme lidhur me shprehjen e ndjeshme të njësisë së presbiterit, veçanërisht në lutjen eukaristike, dhe lidhur me ndarjen e Kungimit të shenjtë. Duhet shmangur që këto bashkëkremtime të mëdha të shkaktojnë rrëmujë. Për këtë gjë të gjenden mjetet e përshtatshme për bashkërenditjen dhe përgatitjen e vendit të kultit në atë mënyrë që t’ua mundësojë meshtarëve dhe besimtarëve pjesëmarrjen e plotë dhe reale. Gjithsesi, duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për bashkëkremtime me karakter përjashtimor dhe të kufizuara në situata të jashtëzakonshme.

Gjuha latine

62. Mirëpo, këto pohime s’duhet ta zvogëlojnë vlerën e këtyre liturgjive të mëdha. Në këtë moment mendoj, në mënyrë të veçantë, për kremtimet që bëhen gjatë takimeve ndërkombëtare, sot gjithnjë e më të shpeshta. Ato duhet të vlerësohen në mënyrë të drejtë. Për ta shprehur më mirë njësinë dhe gjithëmbarshmërinë e Kishës, do të doja t’ju porosisja atë që ka propozuar Sinodi i Ipeshkvijve, në pajtim me direktivat e Koncilit II të Vatikanit182: është mirë që përveç leximeve, predikimit dhe lutjeve të besimtarëve kremtimi të mbahet në gjuhën latine; gjithashtu edhe lutjet më të njohura183 të traditës së Kishës të thuhen në latinisht dhe eventualisht disa pjesë të realizohen në koralin gregorian. Më në përgjithësi, kërkoj që meshtarët e ardhshëm, që nga koha e seminarit, duhet të përgatiten ta kuptojnë dhe ta kremtojnë Meshën e shenjtë në latinisht, si edhe të përdorin tekste latine dhe koralin gregorian; nuk duhet lënë jashtë edhe mundësia që edhe besimtarët të edukohen për të mësuar lutjet më të përgjithshme në gjuhën latine, si edhe të këndojnë disa pjesë të liturgjisë sipas stilit gregorian184.

Kremtimet eukaristike në grupe të vogla

63. Një situatë krejt tjetër është ajo që krijohet në disa rrethana baritore, në të cilat, pikërisht për një pjesëmarrje më të vetëdijshme, më aktive dhe më të frytshme, preferohen kremtimet në grupe të vogla. Me gjithë njohjen e vlerës edukative, të cilën e sjell me vete një zgjedhje e tillë, është e nevojshme të bëhet e qartë se këto kremtime duhet të harmonizohen me tërësinë e propozimit baritor të Dioqezës. Në fakt, këto përvoja do ta humbisnin karakterin e tyre pedagogjik, nëse përjetohen në antagonizëm apo si paralele të Kishës së veçantë. Për këtë qëllim, Sinodi ka shquar disa kritere, të cilëve duhet t’u përmbahemi të gjithë: grupet e vogla duhet të shërbejnë për të njësuar bashkësinë, e jo për ta ndarë atë në pjesë-pjesë; kjo duhet të vërtetohet në praktikën konkrete; këto grupe duhet të favorizojnë pjesëmarrjen e frytshme të krejt asamblesë dhe të ruajnë, për aq sa është e mundur, njësinë e jetën liturgjike të çdo familjeje185.

 Kremtimi i përjetuar brendësisht

 Katekeza mistagogjike

64. Tradita e madhe liturgjike e Kishës na mëson që, për një pjesëmarrje të frytshme, është e nevojshme që t’i përgjigjemi personalisht misterit të kremtuar, duke i dhuruar jetën tonë Hyjit, në bashkim me flinë e Krishtit për shpëtimin e mbarë botës. Për këtë arsye, Sinodi i Ipeshkvijve ka porositur të kujdesemi që tek besimtarët të kemi një pajtim të thellë të gjendjes së brendshme me gjestet dhe fjalët. Po të mungonte ky pajtim, kremtimet tona, sado të gjallëruar të ishin, do të rrezikonin të kalonin në ritualizëm. Për këtë arsye duhet nxitur një edukim në fenë eukaristike, i cili do t’i përgatiste besimtarët të jetonin personalisht atë që kremtohet. Përballë rëndësisë thelbësore të kësaj participatio personale dhe të vetëdijshme, cilët mund të ishin mjetet formative të përshtatshme? Etërit sinodalë njëzëri kanë treguar, në lidhje me këtë, rrugën e një katekeze me karakter mistagogjik, e cila bën që besimtarët të hyjnë gjithnjë e më mirë në misteret e kremtuara186. Në veçanti, për arsye të lidhjes mes ars celebrandi-t dhe actuosa participatio-s përpara të gjithash duhet pohuar se “katekeza më e mirë për Eukaristinë është vetë Eukaristia e kremtuar mirë”187. Për vetë natyrën e vet, në fakt, liturgjia ka një efektshmëri të vetën pedagogjike për t’i futur besimtarët në njohjen e misterit të kremtuar. Pikërisht për këtë, në traditën më të vjetër të Kishës, ecja formative e të krishterit, pa lënë pas dore një kuptim sistematik të përmbajtjeve të fesë, merrte gjithmonë një karakter përvojor ku përcaktues ishte takimi i gjallë dhe bindës me Krishtin e kumtuar nga dëshmitarë autentikë. Në këtë kuptim, ai që të fut në mistere është së pari dëshmitari. Ky takim natyrisht thellohet në katekezë dhe burimin dhe kulmin e vet e gjen në kremtimin e Eukaristisë. Nga kjo strukturë themeltare e përvojës së krishterë fillon të ndihet nevoja e një itinerari mistagogjik, i cili duhet të respektojë tre elemente:

a.       Është fjala para së gjithash për interpretimin e riteve në dritën e ngjarjeve shpëtimtare, në pajtim me traditën e gjallë të Kishës. Në fakt, kremtimi i Eukaristisë, në pasurinë e saj të pafund, i referohet vazhdimisht historisë së shpëtimit. Në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur mund ta kremtojmë vërtet qendrën që bashkon tërë realitetin (krh. Ef 1, 10). Që nga fillimi bashkësia e krishterë i ka lexuar ngjarjet e jetës së Jezusit, dhe posaçërisht ngjarjen e misterit pashkvnor, të lidhura me krejt udhën e përshkuar nga Besëlidhja e Vjetër.

 b. Katekeza mistagogjike duhet të shqetësohet, përveç kësaj, për futjen në kuptimin e shenjave, që përmbahen në rit. Kjo detyrë është urgjente veçanërisht në një kohë shumë të teknikizuar siç është koha jonë, në të cilën ekziston rreziku për të humbur aftësinë perceptuese në lidhje me shenjat dhe simbolet. Më shumë se të informojë, katekeza mistagogjike duhet të rizgjojë dhe të edukojë ndjeshmërinë e besimtarëve për gjuhën e shenjave dhe të gjesteve, të cilat, të bashkuara me fjalën, përbëjnë ritin.

c. Në fund, katekeza mistagogjike duhet të shqetësohet për ta nxjerrë në pah domethënien e riteve në lidhje me jetën e krishterë në të gjitha përmasat e saj, të punës e të angazhimeve, të mendimit e të afekteve, të veprimtarisë e të pushimit. Është pjesë e itinerarit mistagogjik vënia në dukje e lidhjes së mistereve të kremtuara në rit me përgjegjësinë misionare të besimtarëve. Në këtë kuptim, rezultati i pjekur i mistagogjisë është vetëdija se jeta jonë shndërrohet në mënyrë progresive nga Misteret e shenjta të kremtuara. Qëllimi i krejt edukimit të krishterë, përveç të tjerash, është formimi i besimtarit si “njeri i ri”, për një fe të pjekur, që ta bëjë të aftë për ta dëshmuar në mjedisin e vet shpresën e krishterë që e gjallëron.

Me qëllim që të mund ta kryejmë brenda bashkësive tona kishtare një detyrë të tillë edukative duhet të kemi formatorë të përgatitur siç duhet. Natyrisht krejt Populli i Hyjit duhet të ndihet i angazhuar në këtë formim. Çdo bashkësi e krishterë është e thirrur të jetë vend i futjes pedagogjike në misteret që i kremtojmë në fe. Lidhur me këtë, Etërit gjatë Sinodit kanë theksuar mundësinë e një përfshierjeje më të madhe të Bashkësive të jetës së kushtuar, të lëvizjeve dhe të grupimeve, të cilat, në bazë të karizmave të tyre, mund t’i japin një vrull të ri formimit të krishterë188. Edhe në kohën tonë Shpirti Shenjt nuk kursen dërgimin e dhuntive të tij për ta përkrahur misionin apostolik të Kishës, së cilës i takon ta përhapë fenë dhe ta edukojë deri në pjekjen e saj189.

Nderimi i Eukaristisë

65. Një sinjal bindës i efektshmërisë që katekeza eukaristike ka tek besimtarët është me siguri rritja në ta e ndjenjës së misterit të Hyjit të pranishëm ndër ne. Kjo mund të verifikohet nëpërmjet shfaqjeve specifike të nderimit të Eukaristisë, ku udha mistagogjike duhet t’i fusë besimtarët.190 Mendoj, në kuptimin e përgjithshëm, për rëndësinë e gjesteve dhe të qëndrimit trupor, si gjunjëzimi gjatë momenteve më të rëndësishme të lutjes eukaristike. Në përshtatje me dallueshmëritë legjitime të shenjave që praktikohen në kontekstin e kulturave të ndryshme, çdo njeri duhet ta jetojë dhe ta shprehë se ai gjendet në çdo kremtim përpara madhështisë së pafund të Hyjit, i cili vjen tek ne në mënyrë të përvujtë në shenjat sakramentale.

Adhurimi dhe përshpirtëria eukaristike

Marrëdhënia e brendshme mes kremtimit liturgjik dhe adhurimit

66. Njëri prej momenteve më intensive të Sinodit ishte atëherë kur kemi shkuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, bashkë me shumë besimtarë për adhurimin eukaristik. Me këtë gjest lutjeje, Asambleja e Ipeshkvijve ka dashur ta tërheqë vëmendjen, jo vetëm me fjalë, mbi rëndësinë e lidhjes së brendshme mes Kremtimit eukaristik dhe adhurimit. Në këtë aspekt kuptimplotë të fesë së Kishës gjendet njëri prej elementeve vendimtarë të ecjes kishtare, bërë pas ripërtëritjes liturgjike të nxitur nga Koncili II i Vatikanit. Gjatë hapave të parë të kësaj reforme, nganjëherë nuk u perceptua mjaft qartë lidhja e brendshme mes Meshës së shenjtë dhe adhurimit të të Shenjtërueshmit sakrament. Një kundërshtim atëherë i përhapur mori shkas, për shembull, nga vërejtja se Buka eukaristike nuk na është dhënë për ta soditur, por për ta ngrënë. Në të vërtetë, në dritën e përvojës kishtare të lutjes, kjo kundërshti doli se është tërësisht e pabazuar. Edhe Shën Augustini pati thënë: “nemo autem illam carnem manducat, nisi prius adoraverit; peccemus non adorando - Askush të mos e hajë këtë mish pa e adhuruar paraprakisht;… do të mëkatonim po të mos e adhuronim”191. Në Eukaristi, në fakt, Biri i Hyjit na del përpara dhe dëshiron të bashkohet me ne; adhurimi eukaristik nuk është gjë tjetër veçse zhvillimi natyror i Kremtimit eukaristik, i cili në vetvete është akti më i madh adhurues i Kishës192. Ta marrim Eukaristinë do të thotë ta adhurojmë atë që e marrim. Në këtë mënyrë dhe vetëm në këtë mënyrë bëhemi një me të dhe e parashijojmë paraprakisht, në njëfarë mënyre, bukurinë e liturgjisë qiellore. Akti i adhurimit jashtë Meshës së shenjtë e zgjat dhe e intensifikon atë që u bë në vetë Kremtimin liturgjik. Në fakt, “vetëm në adhurim mund të piqet pranimi i thellë dhe i vërtetë. Dhe pikërisht në këtë akt personal të takimit me Zotin piqet pastaj edhe misioni shoqëror, që përmbahet në Eukaristi e që dëshiron të thyejë jo vetëm pengesën mes Zotit dhe neve, por edhe, e para së gjithash të gjitha pengesat që na ndajnë nga njëri-tjetri”193.

Praktika e adhurimit eukaristik

67. Për këtë arsye, bashkë me Asamblenë sinodale, porosis nxehtësisht Barinjtë e Kishës dhe Popullin e Hyjit për praktikën e adhurimit eukaristik, si personal, ashtu edhe bashkësior194. Për këtë qëllim, do të jetë me dobi të madhe një katekezë e përshtatshme, në të cilën do t’u sqarohet besimtarëve rëndësia e këtij akti të kultit, i cili mundëson ta jetojmë më thellë dhe me më shumë fryt Kremtimin. Për sa është e mundur, pastaj, sidomos në qendrat më të populluara, të caktohen kisha ose vende lutjeje për t’i përdorur enkas për adhurimin e përhershëm. Përveç kësaj, porosis që në formimin katekistik, e posaçërisht në kurset përgatitore për Kungimin e parë, fëmijëve t’u flitet për kuptimin dhe bukurinë e të qëndruarit në shoqërinë e Jezusit, duke kultivuar mahnitjen për praninë e tij në Eukaristi.

Do të doja t’u shprehja këtu admirimin dhe përkrahjen time të gjithë Instituteve të Jetës së Kushtuar, anëtarët e të cilëve një pjesë të madhe të kohës së tyre ia kushtojnë adhurimit eukaristik. Në këtë mënyrë ata u ofrojnë të gjithëve shembullin e njerëzve, të cilët e lënë veten të plazmohen nga prania reale e Zotit. Po ashtu dëshiroj t’i inkurajoj ato shoqata të besimtarëve, ashtu si edhe Bashkëvëllazëritë, që e kanë marrë përsipër këtë praktikë si një angazhim të tyre të veçantë, duke u bërë kështu tharm soditjeje për mbarë Kishën dhe thirrje për qendërsinë e Krishtit në jetën e individit dhe të bashkësive.

Format e përshpirtërisë eukaristike

68. Marrëdhënia personale që çdo besimtar krijon me Jezusin, të pranishëm në Eukaristi, e orienton atë gjithmonë në tërësinë e bashkësisë kishtare, duke ushqyer në të vetëdijen e përkatësisë së tij në Trupin e Krishtit. Për këtë arsye, përveçse e ftoj çdo besimtar që të gjejë personalisht kohë për të qëndruar në lutje përpara Sakramentit të altarit, e konsideroj se është detyra ime t’i nxis famullitë dhe grupet e tjera kishtare që të krijojnë momente adhurimi bashkësior eukaristik. Është e natyrshme që të gjitha format tashmë ekzistuese të përshpirtërisë eukaristike e ruajnë vlerën e tyre. Po mendoj, për shembull, për procesionet eukaristike, sidomos për procesionin tradicional  Corpus Domini, për praktikën e përshpirtshme të lutjes Dyzetorëshe, për Kongreset eukaristike lokale, kombëtare e ndërkombëtare, dhe për nisma të tjera të ngjashme. Këto forma të përshpirtërisë, të përditësuara siç duhet dhe të përshtatura me rrethana të ndryshme, meritojnë të kultivohen edhe sot195.

Vendi i tabernakullit në kishë

69. Në lidhje me rëndësinë e ruajtjes eukaristike, të adhurimit e të nderimit të Sakramentit të Flisë së Krishtit, Sinodi i Ipeshkvijve e ka pyetur veten për sa i përket vendosjes së përshtatshme të tabernakullit në kishat tona196. Pozicioni i tij i saktë, në fakt, ndihmon në njohjen e pranisë reale të Krishtit në të Shenjtërueshmin Sakrament. Për këtë arsye është e nevojshme që vendi ku ruhen trajtat eukaristike të dallohet lehtësisht, edhe falë një llambe të përhershme, nga çdokush që hyn në kishë. Për këtë qëllim, duhet të merret parasysh arkitektura e ndërtesës së shenjtë: në kishat, në të cilat nuk ekziston kapela e të Shenjtërueshmit Sakrament dhe mbetet altari kryesor me tabernakullin, është e dobishme të shërbehemi me këtë strukturë për ruajtjen dhe adhurimin e Eukaristisë, duke shmangur vendosjen, përpara tij, të karriges së kremtuesit. Në kishat e reja është mirë që të planifikohet kapela e të Shenjtërueshmit në afërsi të presbiterit; aty ku kjo nuk është e mundur, parapëlqehet që tabernakulli të vendoset në presbiter, në një vend të ngritur, në qendër të zonës absidale, ose në një vend tjetër ku mund të shihet gjithashtu mirë. Masa të tilla kontribojnë që t’i jepet dinjitet tabernakullit, i cili gjithmonë duhet të rregullohet me vëmendje edhe nga ana artistike. Është e natyrshme që është e nevojshme që të merret parasysh gjithçka thotë Ordinamento Generale del Messale Romano lidhur me këtë temë197. Në çdo rast, gjykimi i fundit për këtë çështje i takon Ipeshkvit dioqezan.

Pjesa e tretë

 EUKARISTIA, NJË MISTER QË DUHET JETUAR

 “Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua

do të jetojë për mua (Gjn 6, 57).

 Forma eukaristike e jetës së krishterë

Kulti shpirtëror - logiké latreía (Rom 12, 1)

70. Zoti Jezus, i bërë për ne ushqim i të vërtetës dhe i dashurisë, duke folur për dhuratën e jetës së vet na siguron se “nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim” (Gjn 6, 51). Por, kjo “jetë e amshuar” fillon në ne qysh në këtë kohë nëpërmjet ndryshimit që dhurata eukaristike shkakton në ne: “Ai që më ha mua do të jetojë për mua” (Gjn 6, 57). Këto fjalë të Jezusit na bëjnë të kuptojmë se si misteri “i besuar” dhe “i kremtuar” zotëron në vetvete një dinamikë, e cila e bën atë parim të jetës së re dhe formë të ekzistencës së krishterë. Duke u bashkuar me Trupin e Gjakun e Jezu Krishtit, në fakt, bëhemi pjesëmarrës të jetës hyjnore në një mënyrë gjithnjë e më të rritur dhe të vetëdijshme. Edhe këtu vlen ajo që Shën Augustini, në Rrëfimet e veta, thotë për Logos-in e amshuar, ushqim i shpirtit: duke vënë në dukje karakterin paradoksal të këtij ushqimi, Doktori i shenjtë imagjinon sikur po i thotë: “Unë jam ushqimi i të mëdhenjve: rritu dhe do të më hash. Dhe nuk do të jem unë që do të asimilohem prej teje si ushqim për mishin tënd, por ti do të bëhesh i ngjashëm me mua”198. Në fakt, nuk është ushqimi eukaristik që shndërrohet në ne, por jemi ne ata që ndryshohemi prej tij në mënyrë të misterishme. Krishti na ushqen, duke na bashkuar me vetveten; “na tërheq kah vetja e vet”199.

Kremtimi i Eukaristisë shfaqet këtu me tërë forcën e vet si burim dhe kulm i jetës kishtare, meqë shpreh, në të njëjtën kohë, si origjinën, ashtu edhe përmbushjen e kultit të ri dhe përfundimtar, logiké latreía200. Fjalët e Shën Palit drejtuar Romakëve për këtë qëllim janë formulimi më sintetik se si Eukaristia e shndërron krejt jetën tonë në një kult shpirtëror, i cili i pëlqen Hyjit: “Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit - porsi kultin tuaj shpirtëror” (Rom 12, 1). Në këtë nxitje shfaqet imazhi i kultit të ri si dhuratë e plotë e personit në bashkim me mbarë Kishën. Këmbëngulja e Apostullit për flijimin e trupit tonë thekson konkretësinë njerëzore të një kulti që është gjithçka tjetër përpos jotrupor. Përsëri Shenjti i Iponës na kujton se “kjo është flija e të krishterëve, domethënë të qenit shumë dhe një trup i vetëm në Krishtin. Kisha e kremton këtë mister me Sakramentin e altarit, të cilin besimtarët e njohin mirë, dhe në të cilin asaj i tregohet qartë se në gjënë që ofrohet, është ajo vetë që po flijohet”201. Doktrina katolike, në fakt, pohon se Eukaristia, në cilësinë e saj si fli e Krishtit, është gjithashtu edhe fli e Kishës, dhe me këtë edhe fli e besimtarëve202. Këmbëngulja në fli (latinisht: sacrificium, që do të thotë “të shenjtërosh”) e paraqet këtu krejt dendësinë ekzistenciale të nënkuptuar në shndërrimin e realitetit tonë njerëzor të zënë (arritur) prej Krishtit (krh. Fil 3, 12).

Efektshmëria gjithëpërfshirëse e kultit eukaristik

71. Kulti i ri i krishterë rrok çdo aspekt të ekzistencës, duke e shndërruar atë: “Pra, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit” (1 Kor 10, 31). Në çdo akt të jetës së tij i krishteri është thirrur ta shprehë kultin e vërtetë ndaj Hyjit. Prej këtu merr formë natyra  thellësisht eukaristike e jetës së krishterë. Meqë përfshin realitetin njerëzor të besimtarit në konkretësinë e tij të përditshme, Eukaristia mundëson, ditë pas dite, shndërrimin progresiv të njeriut, i cili është i thirrur prej hirit që të jetë në përngjasim me Birin e Hyjit (krh. Rom 8, 29 e vijim.). Nuk ekziston asgjë autentikisht njerëzore - mendime dhe afekte, fjalë dhe vepra - që të mos gjejë në sakramentin e Eukaristisë formën e përshtatshme për t’u jetuar në plotësi. Këtu del në dritë krejt vlera antropologjike e risisë rrënjësore të sjellë nga Krishti me Eukaristinë: kulti ndaj Hyjit në jetën njerëzore nuk mund të kufizohet me një moment të veçantë apo privat, por ai për nga natyra e tij ka tendencë ta përshkojë çdo aspekt të realitetit të individit. Kulti që i pëlqen Hyjit bëhet kështu një mënyrë e re për t’i jetuar të gjitha rrethanat e ekzistencës, në të cilën çdo hollësi lartësohet, meqë jetohet brenda marrëdhënies me Krishtin dhe si fli kushtuar Hyjit. “Lavdia e Hyjit është njeriu i gjallë” (krh. 1 Kor 10, 31). Dhe jeta e njeriut është pamja e Hyjit”203.

“Iuxta dominicam viventes” - Të jetosh sipas të dielës

72. Kjo risi rrënjësore, që Eukaristia fut në jetën e njeriut i është zbuluar vetëdijes së krishterë qysh prej fillimit. Besimtarët menjëherë e kanë perceptuar ndikimin e thellë që ushtronte Kremtimi eukaristik në stilin e jetës së tyre. Shën Injaci i Antiokisë e shprehte këtë të vërtetë duke i cilësuar të krishterët si ata “që kanë arritur te shpresa e re”, dhe i paraqiste si ata që jetojnë “sipas të dielës” (iuxta dominicam viventes)204. Kjo formulë e martirit të madh nga Antiokia e vë qartësisht në dukje lidhjen mes realitetit eukaristik dhe ekzistencës së krishterë në përditshmërinë e saj. Zakoni karakteristik i të krishterëve për t’u mbledhur ditën e parë pas të shtunës për të kremtuar ngjalljen e Krishtit - sipas tregimit të Shën Justinit martir 205 - është edhe fakti që përcakton formën e jetës së ripërtërirë nga takimi me Krishtin. Formula e Shën Injacit - “Të jetosh sipas të dielës” - thekson edhe vlerën paradigmatike që kjo ditë e shenjtë zotëron për çdo ditë tjetër të javës. Ajo, në fakt, nuk dallohet thjesht në bazë të ndërprerjes së veprimtarive të zakonshme, si një lloj kllape brenda ritmit të zakonshëm të ditëve. Të krishterët e kanë përjetuar këtë ditë gjithmonë si ditën e parë të javës, sepse në të përkujtohet risia rrënjësore që ka sjellë Krishti. Për këtë arsye, e diela është ajo ditë, në të cilën i krishteri ripërtërin atë formë eukaristike të jetës së tij, sipas së cilës është i thirrur për të jetuar vazhdimisht. “Të jetosh sipas të dielës” do të thotë të jetosh me vetëdijen e lirimit të sjellë nga Krishti dhe ta zhvillosh ekzistencën vetjake si vetëflijim kushtuar Hyjit, me qëllim që fitorja e tij t’u shfaqet të gjithë njerëzve nëpërmjet një sjelljeje të ripërtërirë nga brenda.

Të jetuarit e normës së të dielës

73. Etërit sinodalë, të vetëdijshëm për këtë parim të ri jete që Eukaristia i dikton të krishterit, kanë përsëritur rëndësinë, për të gjithë besimtarët, e normës së të dielës si burim lirie autentike, me qëllim që çdo ditë të jetohet sipas asaj që kanë kremtuar në “ditën e Zotit”. Jeta e fesë, në fakt, është në rrezik kur nuk ndihet më dëshira për të marrë pjesë në Kremtimin eukaristik ku përkujtohet ngadhënjimi pashkvnor. Marrja pjesë në asamblenë liturgjike të së dielës, së bashku me të gjithë vëllezërit e motrat me të cilët formohet një trup i vetëm kërkohet nga ndërgjegjja e krishterë e në të njëjtën kohë formon ndërgjegjen e krishterë. Humbja e ndjenjës së të dielës si ditë e Zotit që duhet shenjtëruar është simptomë e humbjes së ndjenjës autentike të lirisë së krishterë, të lirisë së bijve të Hyjit206. Janë të çmueshme, në lidhje me këtë, shqyrtimet e bëra nga paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II, në Letrën apostolike Dies Domini207, lidhur me përmasat e ndryshme të së dielës për të krishterët: ajo është Dies Domini, duke iu referuar veprës së krijimit; ajo është Dies Christi, sepse është dita e krijimit të ri dhe e dhurimit të Shpirtit Shenjt që bën Zoti i ngjallur; ajo është Dies Ecclesiae si ditë në të cilën bashkësia e krishterë mblidhet së bashku për kremtim; ajo është Dies hominis si ditë gëzimi, pushimi dhe dashurie vëllazërore.

Një ditë e tillë, për këtë arsye, shfaqet si festa zanafillëse, në të cilën çdo besimtar, në mjedisin ku jeton, mund të bëhet kumtues dhe ruajtës i kuptimit të kohës. Nga kjo ditë, në fakt, buron kuptimi i krishterë i jetës dhe një mënyrë e re për ta jetuar kohën, marrëdhëniet, punën, jetën dhe vdekjen. Për këtë arsye, është mirë që ditën e Zotit realitetet kishtare të organizojnë, përveç Kremtimit eukaristik të së dielës, shfaqje tipike të bashkësisë së krishterë: takime miqësore, nisma për formimin në fe të fëmijëve, të të rinjve dhe të të rriturve, shtegtime, vepra bamirësie ndaj të afërmit dhe momente të ndryshme lutjeje. Për shkak të këtyre vlerave kaq të rëndësishme – meqë me të drejtë e shtuna mbrëma qysh prej Mbrëmësores së Parë i përket tashmë të Dielës dhe lejohet të përmbushet në të norma e të dielës - është e nevojshme të rikujtojmë se e diela në vetvete është ajo që meriton të shenjtërohet, me qëllim që ajo të mos bëhet një ditë “e zbrazur nga Hyji”208.

Kuptimi i pushimit dhe i punës

74. Në fund, në kohën tonë është shumë urgjente që të rikujtojmë se dita e Zotit është edhe dita e pushimit nga puna. Ne urojmë nga zemra që si e tillë të pranohet edhe nga shoqëria civile, kështu që të jetë e mundur që njerëzit të jenë të lirë nga veprimtaria profesionale, pa u penalizuar për këtë. Me të vërtetë, të krishterët, jo pa pasur lidhje me domethënien e të shtunës në traditën hebraike, kanë parë në ditën e Zotit edhe ditën e pushimit nga mundimet e përditshme. Kjo ka kuptimin e vet shumë të përcaktuar, sepse përbën një relativizim të punës, që adresohet kah njeriu: puna është për njeriun e jo njeriu për punën. Mund të dallohet lehtë se si kjo gjë e mbron vetë njeriun, që paraqitet kaq e emancipuar nga një formë e mundshme skllavërie. Ashtu siç kam mundur të theksoj, “puna merr një rëndësi parësore për realizimin e njeriut dhe për zhvillimin e shoqërisë, dhe për këtë arsye duhet që ajo të organizohet e të zhvillohet gjithmonë duke respektuar plotësisht dinjitetin njerëzor dhe në shërbim të së mirës së përbashkët. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që njeriu të mos e lërë veten të skllavërohet nga puna, që të mos e bëjë idhull atë, duke pretenduar se në të ka gjetur kuptimin e fundit dhe përfundimtar të jetës së vet”209. Në ditën kushtuar Hyjit njeriu kupton domethënien e jetës dhe të punës së tij210.

Asambleja e të dielës në mungesë të meshtarit

75. Duke zbuluar domethënien e Kremtimit të së dielës për jetën e të krishterit, lind vetvetiu problemi i atyre bashkësive të krishtera në të cilat mungon meshtari dhe ku, si pasojë, nuk është e mundur të kremtohet Mesha e shenjtë në Ditën e Zotit. Lidhur me këtë, duhet të themi se gjendemi para situatave shumë të ndryshme mes tyre. Sinodi ka porositur kryesisht besimtarët që të shkojnë në njërën prej kishave të Dioqezës ku është e garantuar prania e meshtarit, edhe në qoftë se kjo kërkon njëfarë sakrifice211. Atje ku, përkundrazi, largësitë e mëdha e bëjnë praktikisht të pamundur pjesëmarrjen në Eukaristinë e të dielës, është e rëndësishme që bashkësitë e krishtera megjithatë të takohen për ta lavdëruar Zotin dhe ta përkujtojnë Ditën kushtuar Atij. Mirëpo, kjo duhet të ndodhë në kontekstin e një mësimi përkatës për dallimin mes Meshës së shenjtë dhe asambleve të së dielës në pritje të meshtarit. Përkujdesja baritore e Kishës duhet të shprehet në këtë rast me vigjëlimin që liturgjia e Fjalës, e organizuar nën udhëheqjen e një diakoni ose të një përgjegjësi të bashkësisë, të cilit i është besuar kjo detyrë zyrtarisht nga autoriteti kompetent, të realizohet sipas një rituali specifik të përpunuar nga Konferencat ipeshkvnore dhe të aprovuara prej tyre për këtë qëllim212. Po ju kujtoj se u përket Ordinarëve ta japin lejen për ndarjen e kungimit në këto liturgji, duke vlerësuar me kujdes dobishmërinë e një zgjedhjeje të caktuar. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se asamble të tilla të mos shkaktojnë përshtjellim për sa i përket rolit qendror të meshtarit dhe përbërësit sakramental në jetën e Kishës. Rëndësia e rolit të laikëve, të cilët meritojnë me të drejtë të falënderohen për bujarinë e tyre në shërbim të bashkësive të krishtera, kurrë nuk duhet ta mbulojë shërbesën e pazëvendësueshme të meshtarëve për jetën e Kishës213. Për këtë arsye, të vigjëlohet me kujdes që asambletë në pritje të meshtarit të mos u japin rast organizimeve ekleziologjike, të cilat nuk janë në pajtim me të vërtetën e Ungjillit dhe me traditën e Kishës. Ato mund të jenë raste të privilegjuara për t’iu lutur Hyjit që të dërgojë meshtarë të shenjtë sipas zemrës së tij. Në këtë kontekst, është mbresëlënëse ajo që shkruante Papa Gjon Pali II në Letrën drejtuar meshtarëve të Enjten e Madhe të vitit 1979, duke kujtuar ato vende ku njerëzit, të privuar nga meshtarët për shkak të regjimit diktatorial, mblidheshin në një kishë apo shenjtërore, vinin në altar stolën e ruajtur dhe thoshin lutjet e liturgjisë eukaristike duke qëndruar në heshtje “në momentin e trans-substanciacionit”, si dëshmi të asaj që “ata me aq zjarr dëshironin t’i dëgjonin fjalët që vetëm buzët e një meshtari mund t’i shqiptojnë efektshmërisht”214. Pikërisht në këtë perspektivë, që konsiderohet si e mira e pakrahasueshme që rrjedh nga kremtimi i Flisë eukaristike, u kërkoj të gjithë meshtarëve një gatishmëri aktive dhe konkrete që t’i vizitojnë sa më shpesh të jetë e mundur bashkësitë që u janë besuar përkujdesjes së tyre baritore, me qëllim që të mos mbesin për një kohë të gjatë pa Sakramentin e dashurisë.

Një formë eukaristike e jetës së krishterë, përkatësia kishtare

76. Rëndësia e të dielës si Dies Ecclesiae na kujton lidhjen e brendshme mes fitores së Jezusit mbi të keqen e mbi vdekjen dhe përkatësinë tonë në Trupin kishtar. Çdo i krishterë, në fakt, Ditën e Zotit rigjen edhe përmasën bashkësiore të ekzistencës së vet të shëlbuar. Të marrësh pjesë në veprimin liturgjik, të kungohesh me Trupin dhe me Gjakun e Krishtit do të thotë në të njëjtën kohë ta bëjmë gjithnjë e më intime e gjithnjë e më të thellë përkatësinë tonë ndaj Atij që ka vdekur për ne (krh. 1 Kor 6, 19 e vijim, 7, 23). Me të vërtetë ai që ha prej Krishtit jeton për Të. Në lidhje me Misterin eukaristik kuptohet domethënia e thellë e communio sanctorum-it. Kungimi ka gjithmonë dhe në mënyrë të pandashme një shenjë horizontale e vertikale: bashkësi me Hyjin e bashkësi me vëllezërit dhe motrat. Këto dy përmasa takohen me njëra-tjetrën në mënyrë të mistershme në dhuratën eukaristike. “Aty ku shkatërrohet bashkësia me Hyjin, bashkësia me Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt, aty shkatërrohet edhe rrënja e burimi i bashkësisë ndër ne. Dhe aty ku nuk jetohet bashkësia ndër ne, edhe bashkësia me Hyjin trinitar nuk është e gjallë dhe e vërtetë”215. Për këtë arsye, të thirrur për të qenë gjymtyrë të Krishtit dhe pra, gjymtyrë të njëri-tjetrit (krh. 1 Kor 12, 27), ne formojmë një realitet që ontologjikisht bazohet në Pagëzim dhe që ushqehet nga Eukaristia, një realitet që kërkon të gjendet një përgjigje e dukshme në jetën e bashkësive tona. Forma eukaristike e jetës së krishterë është padyshim një formë kishtare dhe bashkësiore. Me anë të Dioqezës dhe famullive, si struktura themelore të Kishës në një territor të caktuar, çdo besimtar mund të bëjë një përvojë konkrete të përkatësisë së tij në Trupin e Krishtit. Shoqatat, lëvizjet kishtare dhe bashkësitë e reja - me gjallërinë e karizmave të tyre, të cilat i dhuron Shpirti Shenjt për kohën tonë - si edhe Institutet e jetës së kushtuar, kanë për detyrë ta japin kontributin e tyre të veçantë që të favorizojnë tek besimtarët perceptimin e të qenit të tyre Zotit (krh. Rom 14, 8). Fenomeni i shekullarizimit, që jo rastësisht përmban karakteristika të forta individualiste, ka efektet e tij të dëmshme para së gjithash tek personat që veçohen për shkak të një ndjenje të dobët përkatësie. Krishterimi, që nga fillimi i tij, përfshin gjithmonë një shoqëri, një rrjet lidhjesh që gjallërohen vazhdimisht nga dëgjimi i Fjalës, nga Kremtimi eukaristik dhe që frymëzohen nga Shpirti Shenjt.

Përshpirtëria dhe kultura eukaristike

77. Etërit sinodalë kanë pohuar në mënyrë kuptimplote se “besimtarët e krishterë kanë nevojë që t’i kuptojnë më thellë lidhjet mes Eukaristisë dhe jetës së përditshme. Përshpirtëria eukaristike nuk është vetëm pjesëmarrje në Meshë dhe devocion ndaj të Shenjtërueshmit Sakrament. Ajo rrok krejt jetën”.216 Kjo gjë merr për të gjithë ne sot një domethënie të veçantë. Duhet pranuar se njëri prej efekteve më serioze të shekullarizimit, që përmendëm pak më lart, qëndron në faktin se ai e ka shtyrë deri në kufijtë e ekzistencës fenë e krishterë, sikur ajo të ishte e panevojshme për sa i përket zhvillimit konkret të jetës së njerëzve. Dështimi i kësaj mënyre për të jetuar “sikur Hyji të mos ekzistonte” tani shihet prej të gjithëve. Sot ndihet nevoja e rizbulimit se Jezu Krishti nuk është thjesht një bindje private apo një doktrinë abstrakte, por një person real, hyrja e të cilit në histori është në gjendje ta ripërtërijë jetën e të gjithëve. Për këtë arsye Eukaristia si burim dhe kulm i jetës dhe i misionit të Kishës duhet të përkthehet në përshpirtëri, në jetë “sipas Shpirtit” (Rom 8, 4 e vijim; krh. Gal 5, 16, 25). Është domethënës fakti që Shën Pali, në pjesën e Letrës drejtuar Romakëve ku na fton ta jetojmë kultin e ri shpirtëror, na kujton gjithashtu edhe domosdoshmërinë e ndryshimit të mënyrës vetjake për të jetuar dhe për të menduar: “Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtëriteni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur” (Rom 12, 2). Në këtë mënyrë, Apostulli i popujve thekson lidhjen mes kultit të vërtetë shpirtëror dhe domosdoshmërisë së një mënyre të re për ta perceptuar ekzistencën dhe për ta jetuar jetën. Pjesë përbërëse e formës eukaristike të jetës së krishterë është ripërtëritja e mendësisë, “që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh” (Ef 4, 14).

Eukaristia dhe ungjillëzimi i kulturave

78. Nga ajo që u tha më lart del se Misteri eukaristik na vë në dialog me kulturat e ndryshme, por që në njëfarë mënyre i sfidon ato217. Duhet ta pranojmë karakterin ndërkulturor të këtij kulti të ri, të kësaj logiké latreía. Prania e Jezu Krishtit dhe dërgimi i Shpirtit Shenjt janë ngjarje, të cilat mund të ballafaqohen me çdo realitet kulturor, për ta fermentuar atë në mënyrë ungjillore. Kjo sjell me vete si pasojë angazhimin për ta nxitur me bindje ungjillëzimin e kulturave, me vetëdijen se Krishti është e vërteta e çdo njeriu dhe e krejt historisë së njerëzimit. Eukaristia bëhet kështu kriter i vlerësimit të krejt asaj çka i krishteri takon në shprehjet e ndryshme kulturore. Në këtë proces të rëndësishëm mund t’i ndiejmë më shumë se kurrë domethënëse fjalët e Shën Palit në Letrën e Parë drejtuar Selanikasve: “Çdo gjë shqyrtojini me kujdes: mbani të mirën!” (krh. 1 Sel 5, 21).

Eukaristia dhe besimtarët laikë

79. Në Krishtin, Krye i Kishës Trupi i Tij, të gjithë të krishterët janë “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e veta të madhërueshme” (krh. 1 Pjt 2, 9). Eukaristia, si mister që duhet jetuar, i ofrohet secilit prej nesh në atë gjendje që ai ndodhet, duke e bërë situatën e tij ekzistenciale vendin ku ai jeton çdo ditë risinë e krishterë. Nëse Flija eukaristike ushqen dhe rrit në ne atë që na është dhënë në Pagëzim me anë të të cilit të gjithë jemi të thirrur në shenjtëri218, atëherë kjo duhet të dalë në pah dhe të shfaqet pikërisht në ato situata dhe gjendje jetësore në të cilat gjendet çdo i krishterë. Ditë për ditë ne bëhemi kult që i pëlqen Hyjit, nëse e jetojmë jetën tonë si thirrje. Duke filluar nga mbledhja liturgjike, është vetë sakramenti i Eukaristisë ai që na angazhon në realitetin e përditshëm, me qëllim që gjithçka të bëhet në nder e lavd të Hyjit.

Dhe meqenëse bota është “ara” (Mt 13, 38), në të cilën Hyji i hedh fëmijët e vet si farë, të krishterët laikë, me fuqinë e Pagëzimit dhe të Krezmimit, e të forcuar me Eukaristi, janë të thirrur që risinë të cilën e solli Krishti ta jetojnë pikërisht brenda kushteve të zakonshme të jetesës219. Ata duhet të kultivojnë dëshirën që Eukaristia të ndikojë gjithnjë e më të thellë në ekzistencën e tyre të përditshme, duke i bërë dëshmitarë të identifikueshëm në fushën e tyre të punës e në mbarë shoqërinë220. Një inkurajim të veçantë ua drejtoj familjeve, që të frymëzohen e të marrin forcë nga ky Sakrament. Dashuria mes burrit dhe gruas, pranimi i jetës, detyra e edukimit paraqiten si fusha të privilegjuara në të cilat Eukaristia mund ta tregojë aftësinë e vet për ta shndërruar dhe për të çuar në plotësinë e kuptimit ekzistencën njerëzore221. Barinjtë nuk duhet ta lënë kurrë pas dore përkrahjen, edukimin dhe nxitjen e besimtarëve laikë për ta jetuar plotësisht thirrjen e tyre për shenjtëri brenda asaj bote që Hyji e deshi aq fort, aq sa flijoi Birin e vet, kështu që ai të bëhet shpëtimi i tyre (krh. Gjn 3, 16).

Eukaristia dhe përshpirtëria meshtarake

80. Forma eukaristike e jetës së krishterë shfaqet padyshim në një mënyrë të veçantë në gjendjen e jetës meshtarake. Përshpirtëria meshtarake është brendësisht eukaristike. Fara e një përshpirtërie të tillë gjendet në fjalët që Ipeshkvi shqipton në liturgjinë e Urdhrit të Shenjtë: “Merri dhuratat e popullit të shenjtë për Flinë eukaristike. Mendo për atë që do të bësh, imito atë që do të kremtosh, bëje jetën tënde sipas misterit të kryqit të Krishtit Zot”222. Për t’i dhënë jetës së vet një formë gjithnjë e më të përsosur eukaristike, meshtari, qysh në kohën e shkollimit dhe pastaj në vitet që pasojnë, duhet t’i lërë hapësirë të gjerë jetës shpirtërore223. Ai është i thirrur që të jetë vazhdimisht një kërkues autentik i Hyjit, edhe pse njëkohësisht duhet të mbetet afër brengave të njerëzve. Një jetë intensive shpirtërore do t’i mundësojë atij të hyjë më thellë në bashkësi me Zotin dhe do ta ndihmojë ta lërë veten të kaplohet nga dashuria e Hyjit, kështu që ai do të bëhet dëshmitar i tij edhe në rrethana të vështira dhe të errëta. Për këtë qëllim, bashkë me Etërit e Sinodit, u porosis meshtarëve “kremtimin e përditshëm të Meshës së shenjtë, edhe kur besimtarët nuk marrin pjesë”224. Kjo porosi pikësëpari qëndron në pajtim me vlerën objektivisht të pafund të çdo Kremtimi eukaristik; dhe veç kësaj e ka motivin në efektshmërinë e saj të veçantë shpirtërore, sepse, nëse përjetohet me vëmendje dhe me fe, Mesha e shenjtë është formuese në kuptimin më të plotë të fjalës, meqë nxit bërjen sipas Krishtit dhe forcon meshtarin në thirrjen e tij.

Eukaristia dhe jeta e kushtuar

81. Në kontekstin e lidhjes mes Eukaristisë dhe thirrjeve të ndryshme kishtare shquhet veçanërisht “dëshmia profetike e të kushtuarave dhe të të kushtuarve, që gjejnë në Kremtimin eukaristik dhe në adhurim forcën për ta ndjekur në mënyrë rrënjësore Krishtin e dëgjueshëm, të varfër e të dëlirë”225. Të kushtuarit dhe të kushtuarat, edhe pse bëjnë shumë shërbime në fushën e formimit njerëzor dhe të kujdesit për të varfrit, në arsim ose në kujdesin për të sëmurët, e dinë se qëllimi kryesor i jetës së tyre është “soditja e të vërtetave hyjnore dhe bashkimi konstant me Hyjin”226. Kontributi thelbësor që Kisha pret nga jeta e kushtuar është më shumë në rendin e të qenit, sesa të të bërit. Në këtë kontekst dua të kujtoj rëndësinë e dëshmisë virgjërore pikërisht në lidhje me misterin e Eukaristisë. Në fakt, përveç lidhjes me celibatin meshtarak, Misteri eukaristik shfaq një lidhje të brendshme me virgjërinë e kushtuar, meqë ajo është shprehje e përkushtimit ekskluziv të Kishës ndaj Krishtit, që ajo e pranon si Dhëndrin e saj me besnikëri rrënjësore dhe të frytshme227. Në Eukaristi virgjëria e kushtuar frymëzohet dhe ushqehet për përkushtimin e saj total ndaj Krishtit. Nga Eukaristia, gjithashtu, ajo merr ngushëllim dhe nxitje për të qenë, edhe në kohën tonë, shenjë e dashurisë falas dhe të frytshme që Hyji ka për njerëzimin. Në fund, nëpërmjet dëshmisë së saj të veçantë, jeta e kushtuar bëhet objektivisht shenjë dhe parathënie e asaj “dasme të Qengjit” (Zb 19, 7.9), në të cilën është vënë qëllimi i krejt historisë së shpëtimit. Në këtë kuptim ajo përbën një shenjë të efektshme për atë horizont eskatologjik, për të cilin ka nevojë çdo njeri, që të mund t’i orientojë zgjedhjet dhe vendimet e tij jetësore.

Eukaristia dhe shndërrimi moral

82. Duke zbuluar bukurinë e formës eukaristike të jetës së krishterë arrijmë të mendojmë për energjitë morale, të cilat kjo formë i aktivizon për mbështetjen e lirisë autentike të bijve të Hyjit. Me këtë dua të rimarr një tematikë, e cila ka dalë në Sinod dhe e cila ka të bëjë me lidhjen mes formës eukaristike të jetës dhe shndërrimit moral. Papa Gjon Pali II kishte pohuar se jeta morale «ka vlerën e një “kulti shpirtëror”» (Rom 12, 1; krh. Fil 3, 3), të cilin e ushqen burimi i pashtershëm i shenjtërisë dhe i lavdërimit të Hyjit, që janë Sakramentet, veçanërisht Eukaristia: në fakt, duke marrë pjesë në Flinë e Kryqit, i krishteri komunikon me dashurinë e dhurimit të Krishtit dhe është aftësuar e angazhuar për ta jetuar këtë dashuri në të gjitha qëndrimet dhe sjelljet e saj të jetës”228. Në përfundim, «në vetë “kultin”, në kungimin eukaristik përmbahet të qenit i dashur nga dikush tjetër dhe dashuria që duhet përcjellë. Një Eukaristi, e cila nuk kthehet në një dashuri konkretisht të praktikuar është e fragmentuar në vetvete»229.

Ky rikujtim i vlerës morale të kultit shpirtëror nuk duhet interpretuar në kuptimin moralistik. Para së gjithash, është zbulimi fatlum i dinamikës së dashurisë në zemrën e atij që e pranon dhuratën e Zotit, që i dorëzohet plotësisht Atij dhe që gjen lirinë e vërtetë. Shndërrimi moral, i përfshirë në kultin e ri të themeluar nga Krishti, është një kërkim i brendshëm dhe një dëshirë e zemrës për t’iu përgjigjur dashurisë së Zotit me krejt ekzistencën vetjake, duke qenë i vetëdijshëm për brishtësinë e vet. Ajo për çfarë po flasim pasqyrohet shumë mirë në tregimin e Ungjillit lidhur me Zakeun (krh. Lk 19, 1-10). Pasi e mikpriti Jezusin në shtëpinë e vet, tagrambledhësi e sheh veten plotësisht të shndërruar: vendos t’u japë të varfërve gjysmën e pasurisë së vet dhe t’u kthejë katërfishin atyre që i ka vjedhur. Tensioni moral që lind nga mikpritja e Jezusit në jetën tonë buron nga mirënjohja se kemi përjetuar afërsinë e pamerituar të Zotit.

Koherenca eukaristike

83. Është e rëndësishme të theksoj atë që Etërit sinodalë kanë cilësuar si koherencë eukaristike, për të cilën ekzistenca jonë është thirrur objektivisht. Kulti që i pëlqen Hyjit, në fakt, nuk është kurrë vetëm një akt privat, pa pasoja në marrëdhëniet tona shoqërore: ai kërkon dëshminë publike të fesë. Kjo vlen natyrisht për të gjithë të pagëzuarit, por u diktohet me një urgjencë të veçantë atyre, që, për shkak të pozicionit të tyre shoqëror apo politik, duhet të marrin vendime lidhur me vlera themelore, siç është respektimi dhe mbrojtja e jetës njerëzore, duke filluar nga ngjizja deri tek vdekja natyrore, familja që bazohet në martesën mes burrit dhe gruas, liria e edukimit të fëmijëve dhe nxitja e të mirës së përbashkët në të gjitha format e saj230. Këto vlera janë të panegociueshme. Për këtë arsye, politikanët dhe ligjvënësit katolikë, të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre të madhe shoqërore, duhet të ndihen të interpeluar në mënyrë të veçantë nga ndërgjegjja e tyre, e formuar si duhet, që të propozojnë dhe të përkrahin ligje që frymëzohen nga vlerat e bazuara në natyrën njerëzore231. Prandaj, kjo gjë ka një lidhje objektive me Eukaristinë (krh. 1 Kor 1, 27-29). Ipeshkvijtë duhet t’i kujtojnë vazhdimisht këto vlera; kjo është pjesë e përgjegjësisë së tyre ndaj grigjës që u është besuar atyre232.

Eukaristia, një mister që duhet kumtuar

Eukaristia dhe misioni

84. Në homelinë e Kremtimit eukaristik me të cilin i kam dhënë fill në mënyrë solemne shërbesës sime në Katedrën e Pjetrit, kam thënë: “Nuk ka gjë më të bukur, sesa të arrihesh, të befasuar nga Ungjilli, prej Krishtit. Nuk ka gjë më të bukur, sesa ta njohësh Atë dhe t’ua komunikosh të tjerëve miqësinë me Të”233. Ky pohim merr një intensitet edhe më të madh kur mendojmë për Misterin eukaristik. Në fakt, nuk mund ta mbajmë për vete dashurinë që e kremtojmë në Sakrament. Nga natyra e saj ajo kërkon t’u komunikohet të gjithëve. Ajo për të cilën bota ka nevojë është dashuria e Hyjit, takimi me Krishtin dhe besimi në Të. Për këtë arsye, Eukaristia nuk është vetëm burim dhe kulm i jetës së Kishës; është edhe misioni i saj: “Një Kishë autentikisht eukaristike është një Kishë misionare”234. Edhe ne duhet të mund t’u themi me bindje vëllezërve dhe motrave tona: “Çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne!” (1 Gjn 1, 3). Me të vërtetë nuk ka asgjë më të bukur, sesa ta takojmë dhe t’ua komunikojmë Krishtin të gjithëve! Përveç të tjerash, vetë themelimi i Eukaristisë hershon atë që përbën zemrën e misionit të Krishtit: Ai është i dërguari i Atit për shëlbimin e botës (krh. Gjn 3, 16-17; Rom 8, 32). Darkën e Fundit Jezusi ua beson nxënësve të vet Sakramentin që e bën të pranishme flinë e vetësakrifikimit të tij, në dëgjesë ndaj Atit për shpëtimin e të gjithë neve. Nuk mund t’i afrohemi tryezës eukaristike pa e lënë veten të tërhiqemi nga lëvizja e misionit, e cila, duke nisur nga Zemra e Hyjit, synon t’i arrijë të gjithë njerëzit. Për këtë arsye, tensioni misionar është pjesë përbërëse e formës eukaristike të jetës së krishterë.

Eukaristia dhe dëshmia

85. Misioni i parë dhe themelor që na jepet nga Misteret e shenjta që i kremtojmë është dhënia e dëshmisë me vetë jetën tonë. Mrekullimi për dhuratën që Hyji na ka dhënë në Krishtin i jep jetës sonë një dinamizëm të ri duke u angazhuar për të qenë dëshmitarë të dashurisë së tij. Ne bëhemi dëshmitarë kur, me anë të veprimeve, të fjalëve dhe të ekzistencës sonë, një Tjetër shfaqet dhe komunikon. Mund të themi se dëshmia është mjeti me të cilin e vërteta e dashurisë së Hyjit e arrin njeriun në histori, duke e ftuar që ta pranojë lirisht këtë risi rrënjësore. Në dëshmi Hyji i nënshtrohet, mund të themi, rrezikut të lirisë së njeriut. Vetë Jezusi është dëshmitari besnik dhe i besueshëm (krh. Zb 1, 5; 3, 14); Ai ka ardhur për të dëshmuar të vërtetën (krh. Gjn 18, 37). Në këtë kontekst reflektimesh do të dëshiroja të rimerrja një koncept të dashur për të krishterët e parë, por që na godet edhe ne, të krishterët e sotëm: dëshmia deri në vetëflijim, deri në martirizim, në historinë e Kishës është konsideruar gjithmonë si kulmi i kultit të ri shpirtëror: “Kushtojeni veten fli” (krh. Rom 12, 1). Le të mendojmë, për shembull, për tregimin e martirizimit të Shën Polikarpit nga Smirna, nxënës i Shën Gjonit: krejt ngjarja dramatike është përshkruar si liturgji, madje si një bërje-Eukaristi e vetë martirit235. Le të mendojmë gjithashtu për vetëdijen eukaristike që Injaci i Antiokisë shpreh lidhur me martirizimin e vet: ai e quan veten si “gruri i Hyjit” dhe dëshiron të bëhet në martirizim “bukë e pastër e Krishtit”236. I krishteri që e jep jetën e vet në martirizim hyn në bashkësi të plotë me Pashkën e Jezu Krishtit dhe në këtë mënyrë bëhet Eukaristi bashkë me vetë Atë. Edhe sot në Kishë nuk mungojnë martirët, në të cilët shfaqet dashuria e Hyjit në mënyrën më supreme. Edhe kur nuk na kërkohet prova e martirizimit, megjithatë, e dimë se kulti që i pëlqen Hyjit e kërkon me ngulm intimisht këtë gatishmëri237 dhe realizimin e saj e gjen në dëshminë e gëzuar dhe të bindur, para botës, të një jete koherente të krishterë në fushat ku Zoti na thërret për ta kumtuar atë.

Krishti Jezus, Shpëtimtari i vetëm

86. Theksimi i lidhjes së brendshme mes Eukaristisë dhe misionit na bën ta zbulojmë edhe përmbajtjen e fundit të kumtimit tonë. Sa më e gjallë të jetë dashuria ndaj Eukaristisë në zemrën e popullit të krishterë, aq më e qartë bëhet detyra e misionit: të mbartim dhe t’ua çojmë Krishtin të tjerëve. Jo vetëm një ide ose një etikë që frymëzohet prej Tij, por vetë dhuratën e Personit të tij. Kush nuk ia komunikon të vërtetën e Dashurisë vëllait nuk ka dhënë ende sa duhet. Kështu, Eukaristia si sakrament i shpëtimit tonë na thërret detyrimisht në unicitetin e Krishtit dhe të shpëtimit të realizuar prej Tij me çmimin e gjakut të tij. Për këtë arsye, nga Misteri eukaristik, të besuar dhe të kremtuar, lind kërkesa për t’i edukuar në mënyrë konstante të gjithë për angazhimin misionar, qendra e të cilit është kumtimi i Jezusit, Shpëtimtar i vetëm238. Kjo do të pengojë reduktimin thjesht sociologjik të veprës vendimtare të nxitjes njerëzore gjithmonë të përfshirë në çdo proces autentik ungjillëzimi.

Liria e kultit

87. Në këtë kontekst, dëshiroj të shpreh atë që kanë thënë Etërit gjatë Asamblesë sinodale lidhur me vështirësitë e mëdha, të cilat kanë të bëjnë me misionin e atyre bashkësive të krishtera, të cilat jetojnë në situata të pakicës ose të cilave madje u hiqet liria e fesë239. Me të vërtetë duhet ta falënderojmë Zotin për të gjithë ata Ipeshkvij, meshtarë, të kushtuar dhe laikë, të cilët flijohen për kumtimin e Ungjillit dhe e jetojnë fenë e tyre duke vënë në rrezik jetën e tyre. Nuk janë të pakta rajonet në botë ku vetëm shkuarja në Kishë përbën një dëshmi heroike, që ia nënshtron jetën e atij personi mënjanimit dhe dhunës. Edhe në këtë rast dëshiroj të konfirmoj solidaritetin e mbarë Kishës me ata që vuajnë nga mungesa e lirisë së kultit. Siç dihet, atje ku nuk ka liri feje mungon në fund të fundit liria më e rëndësishme, sepse në fe njeriu shpreh vendimin e brendshëm lidhur me kuptimin e mirëfilltë të ekzistencës së tij. Të lutemi, për këtë arsye, që të zgjerohen hapësirat e lirisë së fesë në të gjitha Shtetet, me qëllim që të krishterët, ashtu si edhe anëtarët e feve të tjera, të mund t’i jetojnë lirisht bindjet e tyre, personalisht dhe në bashkësi.

Eukaristia, një mister që duhet t’i ofrohet botës

Eukaristia, buka e thyer për jetën e botës

88. “Buka që unë do të jap është korpi im, për jetën e botës” (Gjn 6, 51). Me këto fjalë Zoti zbulon kuptimin e vërtetë të dhurimit të jetës së tij për të gjithë njerëzit. Ato na tregojnë edhe mëshirën e thellë që Ai ka për çdo individ. Në fakt, shumë herë Ungjijtë flasin për ndjenjat e Jezusit ndaj njerëzve, posaçërisht ndaj të sëmurëve dhe mëkatarëve (krh. Mt 20, 34; Mk 6, 34; Lk 19, 41). Me anë të një ndjenje thellësisht njerëzore ai shpreh qëllimin shpëtimtar të Hyjit për çdo njeri, me qëllim që të arrijë jetën e vërtetë. Çdo Kremtim eukaristik aktualizon sakramentalisht dhurimin e jetës së vet që Jezusi bëri në Kryq  për ne dhe për mbarë botën. Në të njëjtë kohë, në Eukaristi Jezusi na bën dëshmitarë të dhembshurisë së Hyjit me çdo vëlla dhe motër. Kështu rreth Misterit eukaristik lind shërbimi i bamirësisë ndaj të afërmit, që “qëndron në faktin se unë e dua, në Hyjin dhe me Hyjin, edhe personin që nuk më pëlqen ose që as nuk e njoh fare. Kjo është e mundur vetëm duke u nisur nga takimi intim me Hyjin, një takim që është bërë bashkësi vullnese sa arrin të prekë edhe ndjenjën. Atëherë mësoj ta shikoj këtë person jo më vetëm me sytë dhe ndjenjat e mia, por sipas perspektivës së Jezu Krishtit”240. Në këtë mënyrë njoh, në personat që afroj, vëllezër dhe motra për të cilët Zoti ka dhënë jetën e vet duke i dashur “deri në pikën e fundit” (Gjn 13, 1). Si pasojë, bashkësitë tona, kur kremtojnë Eukaristinë, duhet të bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme se flija e Krishtit është për të gjithë dhe që Eukaristia, për këtë arsye, e shtyn çdo besimtar të krishterë të bëhet “bukë e thyer” për të tjerët dhe, pra, të angazhohet për një botë më të drejtë dhe më vëllazërore. Duke menduar për shumëzimin e bukëve dhe të peshqve, duhet të pranojmë se Jezusi ende sot vazhdon t’i nxisë nxënësit e vet për t’u angazhuar personalisht: “Jepuni ju të hanë” (Mt 14, 16). Thirrja e çdonjërit prej nesh është përnjëmend ajo që, bashkë me Jezusin, të bëhemi bukë e thyer për jetën e botës.

Pasojat shoqërore të misterit eukaristik

89. Bashkimi me Krishtin që realizohet në Sakrament na aftëson edhe për një risi marrëdhëniesh shoqërore: «“Mistika” e sakramentit ka një karakter shoqëror». Në fakt, «bashkimi me Krishtin është njëkohësisht bashkim me të gjithë njerëzit e tjerë, të cilëve Ai ua dhuron vetveten. Unë nuk mund ta kem Krishtin vetëm për veten time; mund t’i përkas Atij vetëm në bashkim me të gjithë ata që janë bërë ose që do të bëhen të tij”»241. Në këtë kontekst është e nevojshme ta shprehim qartë marrëdhënien mes Misterit eukaristik dhe angazhimit shoqëror. Eukaristia është sakrament i bashkësisë mes vëllezërve e motrave, që janë të gatshëm të pajtohen në Krishtin, në atë që prej hebrenjve dhe paganëve ka bërë një popull të vetëm, duke e rrëzuar murin e armiqësisë që i ndante ata (krh. Ef 2, 14). Vetëm ky tension i vazhdueshëm për t’u pajtuar bën të mundur të kungohemi denjësisht me Trupin dhe me Gjakun e Krishtit (krh. Mt 5, 23-24)242. Me anë të përkujtimit të flisë së tij, Ai forcon bashkësinë mes vëllezërve e motrave dhe, në veçanti, i shtyn ata që janë në konflikt ta përshpejtojnë pajtimin e tyre duke iu hapur dialogut dhe angazhimit për drejtësi. Është jashtë çdo dyshimi që restaurimi i drejtësisë, pajtimi dhe falja janë kushte për krijimin e një paqeje të vërtetë243. Nga kjo vetëdije lind vullneti për t’i shndërruar edhe strukturat e padrejta, për të rivendosur respektimin e dinjitetit të njeriut, krijuar në përngjasim dhe në shëmbëlltyrë të Hyjit. Në zhvillimin konkret të kësaj përgjegjësie Eukaristia bëhet në jetë ajo çka shpreh në kremtim. Siç kam pasur rast të pohoj, nuk është detyrë e Kishës të marrë në dorë betejën politike për të realizuar një shoqëri sa më të drejtë; megjithatë, ajo nuk mund dhe as nuk duhet të mbetet jashtë luftës për drejtësi. Kisha “duhet të përfshihet në të nëpërmjet argumentimit racional dhe duhet t’i zgjojë forcat shpirtërore, pa të cilat drejtësia, që shpesh kërkon edhe heqje dorë nga diçka, nuk mund të realizohet dhe nuk mund të përparojë”244.

Në perspektivën e përgjegjësisë shoqërore të të gjithë të krishterëve Etërit sinodalë kanë kujtuar se flija e Krishtit është mister lirimi, që na interpelon dhe na provokon vazhdimisht. Për këtë arsye, ua drejtoj një thirrje të gjithë besimtarëve për të qenë punëtorë të paqes dhe të drejtësisë: “Kush merr pjesë në Eukaristi, në fakt, duhet të angazhohet ta ndërtojë paqen në botën tonë të shënuar nga aq shumë dhunë e luftë, dhe sot në mënyrë të veçantë, nga terrorizmi, korrupsioni ekonomik dhe shfrytëzimi seksual”245. Të gjitha këto janë probleme të cilat nga ana e tyre krijojnë fenomene të tjera poshtëruese që janë tejet shqetësuese. Ne e dimë se këto situata nuk mund të trajtohen në mënyrë sipërfaqësore. Pikërisht në bazë të Misterit që kremtojmë, duhet të padisim situatat që janë në kontrast me dinjitetin e njeriut, për të cilin Krishti e ka derdhur gjakun e vet, duke pohuar kështu vlerën e lartë të çdo personi.

Ushqimi i të vërtetës dhe varfëria e njeriut

90. Përballë disa proceseve të globalizimit, të cilët jo rrallë tejet mase e rrisin në botë dallimin mes vendeve të pasura dhe të varfra, nuk mund të rrimë pa vepruar. Duhet ta padisim atë që prish pasuritë e tokës, duke shkaktuar kështu pabarazi, që klithin drejt qiellit (krh. Jak 5, 4). Për shembull, është e pamundur të heshtim përballë “pamjeve tronditëse të kampeve të mëdha të mërgimtarëve apo të refugjatëve, të cilët - në vende të ndryshme të botës – të mbledhur në kushte rrethanore, për t’i ikur një fati më të keq, por të cilëve u mungon gjithçka. A nuk janë vallë, këta qenie njerëzore, vëllezërit dhe motrat tona? A nuk kanë ardhur në botë fëmijët e tyre me të njëjtat shpresa legjitime të lumturisë si të gjithë të tjerët?”246. Zoti Jezus, Buka e jetës së amshuar, na nxit dhe na bën të kujdesshëm ndaj situatave të mjerimit ku ndodhet ende një pjesë e madhe e njerëzimit: janë situata shkaku i të cilave nënkupton shpeshherë përgjegjësi të qarta dhe shqetësuese të njerëzve. Në fakt, “në bazë të të dhënave statistikore në dispozicion mund të pohohet se më pak se gjysma e shumave jashtëzakonisht të mëdha që përcaktohen në botë për armatim, do të ishte më se e mjaftueshme për të hequr përfundimisht nga varfëria ushtrinë e pafund të të varfërve. Ndërgjegjja njerëzore interpelohet për një gjë të tillë. Popujve, të cilët jetojnë nën kufirin e varfërisë, më shumë për shkak të situatave që varen nga marrëdhëniet ndërkombëtare politike, ekonomike dhe kulturore, sesa për shkak të rrethanave të pakontrollueshme, angazhimi ynë i përbashkët për të vërtetën mund dhe duhet t’u japë një shpresë të re”247.

Ushqimi i të vërtetës na shtyn t’i padisim situatat e padenja për njeriun, në të cilat njerëzit vdesin për arsye të mungesës së ushqimit për shkak të padrejtësisë dhe të shfrytëzimit, dhe na jep një forcë e guxim të ri për të punuar papushim për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Që prej fillimit, të krishterët janë përpjekur t’i bashkëndajnë të mirat e tyre (krh. Vap 4, 32) dhe t’i ndihmojnë të varfrit (krh. Rom 15, 26). Lëmosha që mblidhet në asambletë liturgjike përbën një kujtim të gjallë të këtij fakti, por edhe një domosdoshmëri shumë aktuale. Institucionet kishtare të bamirësisë, veçanërisht Caritas-i, në nivele të ndryshme, zhvillojnë shërbimin e vyer duke ndihmuar njerëzit në nevojë, sidomos më të varfrit. Duke u frymëzuar nga Eukaristia, që është sakramenti i dashurisë, ato bëhen shprehje e tyre konkrete; për këtë arsye, meritojnë çdo lëvdatë dhe inkurajim për angazhimin e tyre solidar në botë.

Doktrina shoqërore e Kishës

91. Misteri i Eukaristisë na aftëson dhe na shtyn të angazhohemi me guxim në strukturat e kësaj bote  për të çuar aty atë risi marrëdhëniesh, që ka në dhuratën e Hyjit burimin e vet të pashtershëm. Lutja, që përsërisim në çdo Meshë të shenjtë: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot”, na detyron të bëjmë sa është e mundur, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, shtetërore dhe private, me qëllim që në botë të ndërpritet ose së paku të zvogëlohet skandali i urisë dhe i nënushqyerjes prej të cilave vuajnë shumë miliona njerëz, sidomos në Vendet në zhvillim. Në veçanti i krishteri laik, i formuar në shkollën e Eukaristisë, është i thirrur ta marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësinë e tij politike dhe shoqërore. Me qëllim që ai të mund t’i ushtrojë si duhet detyrat e tij duhet të përgatitet me anë të një edukimi konkret për dashuri dhe drejtësi. Për këtë qëllim, siç është kërkuar nga Sinodi, është e nevojshme që në Dioqezat e në bashkësitë e krishtera të bëhet e njohur dhe të përkrahet doktrina shoqërore e Kishës248. Në këtë pasuri të vyer, që vjen nga tradita më e vjetër kishtare, gjejmë elementet që orientojnë me urti të thellë sjelljen e të krishterëve përballë çështjeve shoqërore që s’presin. Kjo doktrinë, e pjekur gjatë krejt historisë së Kishës, karakterizohet për realizmin dhe ekuilibrin e saj, duke ndihmuar kështu në shmangien e kompromiseve mashtruese apo utopive boshe.

Shenjtërimi i botës dhe ruajtja e krijimit

92. Në fund, për të zhvilluar një përshpirtëri të thellë eukaristike, që është në gjendje ta ndikojë në mënyrë domethënëse edhe në indin shoqëror, është e nevojshme që populli i krishterë, që falënderon me anë të Eukaristisë, të jetë i vetëdijshëm që ta bëjë atë në emër të mbarë krijimit, duke aspiruar kështu shenjtërimin e botës dhe duke punuar në mënyrë intensive për këtë qëllim249. Vetë Eukaristia hedh një dritë të fortë mbi historinë njerëzore dhe mbi mbarë kozmosin. Në këtë perspektivë sakramentale mësojmë, ditë për ditë, se çdo ngjarje kishtare zotëron karakterin e një shenje, me anë të së cilës Hyji e komunikon vetveten dhe na interpelon. Në këtë mënyrë, forma eukaristike e jetës mund të favorizojë një ndryshim të vërtetë mendësie në mënyrën se si e lexojmë historinë dhe botën. Vetë liturgjia na edukon për të gjitha këto, kur, gjatë paraqitjes së dhuratave, meshtari i drejton Hyjit një lutje bekimi dhe kërkese lidhur me bukën dhe verën, “fryt i tokës”, “i hardhisë” dhe “i duarve tona”. Me këto fjalë, përveçse përfshin në këtë paraqitje dhuratash krejt veprimtarinë dhe mundin e njeriut, riti na shtyn ta konsiderojmë tokën si krijim të Hyjit, që prodhon për ne gjërat që shërbejnë për ushqyerjen tonë. Ai nuk është një realitet neutral, thjesht materie për t’u përdorur në mënyrë të padiferencuar sipas instinktit njerëzor. Ai për më tepër e ka vendin e vet brenda planit të mirë të Hyjit, me anë të të cilit të gjithë jemi thirrur për të qenë bij dhe bija në të vetmin Birin e Hyjit, Jezu Krishtin (krh. Ef 1, 4-12). Brengat e arsyeshme për shkak të gjendjes ekologjike, në të cilën gjendet krijimi në shumë pjesë të botës, gjejnë ngushëllim në perspektivën e shpresës së krishterë, që na angazhon të punojmë me përgjegjësi për ruajtjen e krijimit250. Në fakt, në lidhjen mes Eukaristisë dhe kozmosit zbulojmë njësinë e planit të Hyjit dhe udhëzohemi ta kuptojmë lidhjen e thellë mes krijimit dhe “krijimit të ri”, që ka filluar në ngjalljen e Krishtit, Adamit të ri. Në të ne marrim pjesë qysh tash falë Pagëzimit (krh. Kol 1, 12 e vijim), dhe kështu, jetës sonë të krishterë, të ushqyer prej Eukaristisë, i hapet perspektiva e botës së re, e qiellit të ri dhe e tokës së re, ku Jerusalemi i ri, prej Hyjit, zbret prej qiellit “i stolisur porsi nusja e përgatitur për burrin e vet” (Zb 21, 2).

Dobia e një Përmbledhjeje eukaristike

93. Në fund të këtyre reflektimeve, me anë të të cilëve kam dashur të ndalem në orientimet që kanë dalë nga Sinodi, dëshiroj ta pranoj edhe kërkesën që Etërit kanë parashtruar për ta ndihmuar popullin e krishterë për të besuar, për të kremtuar dhe për ta jetuar sa më mirë Misterin eukaristik. Nën përkujdesjen e Dikastereve kompetente do të botohet një Përmbledhje, që do të mbledhë tekste nga Katekizmi i Kishës Katolike, lutje, shtjellime të Lutjeve Eukaristike nga Meshari dhe gjithçka që do të jetë e dobishme për një kuptim, kremtim dhe adhurim të saktë të Sakramentit të altarit251. Uroj që ky mjet ndihmës të kontribojë që kujtimi i Pashkës së Zotit të bëhet çdo ditë e më shumë burim dhe kulm i jetës dhe i misionit të Kishës. Një gjë e tillë do ta nxisë çdo besimtar që ta bëjë jetën e vet një kult të vërtetë shpirtëror.

 

PËRFUNDIM

 94. Të dashur vëllezër dhe motra, Eukaristia përbën zanafillën e çdo forme shenjtërie dhe çdonjëri prej nesh është i thirrur në plotësinë e jetës në Shpirtin Shenjt. Sa shenjtër e kanë bërë jetën e vet të besueshme falë devotshmërisë së tyre eukaristike! Prej Shën Injacit të Antiokisë deri tek Shën Augustini, prej Shën Antonit Abat deri tek Shën Benedikti, prej Shën Françeskut të Asizit deri tek Shën Tomë Akuini, prej Shenjtes Klarë të Asizit deri tek Shenjtja Katerinë nga Siena, prej Shën Paskual Bajlonit deri tek Shën Pier Gjuljan Eumardi, prej Shën Alfons Maria de’Liguorit deri tek i Lumi Sharl de Fuko, prej Shën Gjon Maria Vianejit deri te Shën Tereza nga Lisjë, prej Shën Piut nga Pietrelçina deri tek e Lumja Tereza nga Kalkuta, prej të Lumit Pjergjorgjo Frasati deri tek i Lumi Ivan Mertz, thjesht sa për të paraqitur vetëm disa nga emrat e shumtë, shenjtëria gjithmonë e ka gjetur qendrën e vet në Sakramentin e Eukaristisë.

Për këtë arsye është e nevojshme që në Kishë ky Mister tejet i shenjtë të besohet me të vërtetë, të kremtohet me devocion dhe të jetohet intensivisht. Dhurimi i vetvetes që Jezusi bën në Sakramentin përkujtim të mundimeve të veta vërteton se suksesi i jetës sonë qëndron në pjesëmarrjen tonë në jetën trinitare, që në Të na jepet në mënyrë përfundimtare dhe efektive. Kremtimi dhe adhurimi i Eukaristisë mundësojnë që t’i afrohemi më shumë dashurisë së Hyjit dhe të bëhemi pjesë e këtij bashkimi me Zotin e dashur. Ofrimi i jetës sonë, bashkësia me krejt bashkësinë e besimtarëve dhe solidariteti me çdo njeri janë aspekte të pashmangshme të “logiké latreía”-së, të kultit shpirtëror, të shenjtë dhe që i pëlqen Hyjit (krh. Rom 12, 1), në të cilin krejt realiteti ynë konkret njerëzor shndërrohet në lavdi të Hyjit. Për këtë arsye i ftoj të gjithë barinjtë që t’i kushtojnë vëmendjen më të madhe nxitjes së një përshpirtërie autentikisht të krishterë eukaristike. Meshtarët, diakonët dhe të gjithë ata që ushtrojnë një detyrë eukaristike, të mund të marrin gjithmonë nga këto shërbime, të bëra me kujdes dhe përgatitje të përhershme, forcë dhe shtytje për ecjen e tyre personale dhe bashkësiore të shenjtërimit. Nxis të gjithë laikët, familjet në veçanti, për të gjetur vazhdimisht në Sakramentin e dashurisë së Krishtit, energjinë për shndërrimin e jetës së tyre në një shenjë autentike të pranisë së Zotit të ngjallur. U kërkoj të gjithë të kushtuarve që të tregojnë me jetën e tyre eukaristike shkëlqimin dhe bukurinë e përkatësisë totale Krishtit.

 95. Në fillim të shekullit të katërt kulti i krishterë ishte ende i ndaluar nga autoritetet perandorake. Disa të krishterë nga Afrika Veriore, të cilët e ndienin veten të angazhuar në kremtimin e Ditës së Zotit, e kundërshtuan këtë ndalim. U martirizuan ndërsa deklaronin se për ata ishte e pamundur të jetonin pa Eukaristinë, ushqimin e Zotit: Sine dominico non possumus252. Këta martirë nga Abitena, në bashkim me shumë Shenjtër dhe të Lumë që e kanë bërë Eukaristinë qendrën e jetës së tyre, ndërmjetësofshin për ne dhe na mësofshin besnikërinë ndaj takimit me Krishtin e ngjallur. Edhe ne nuk mund të jetojmë pa marrë pjesë në Sakramentin e shpëtimit tonë dhe dëshirojmë të jemi iuxta dominicam viventes, domethënë të përkthejmë në jetë atë që marrim Ditën e Zotit. Në fakt, kjo ditë është dita e lirimit tonë përfundimtar. A është për t’u çuditur nëse dëshirojmë që çdo ditë të jetohet sipas risisë së futur nga Krishti me misterin e Eukaristisë?

 96. Shenjta Mari, Virgjëra e papërlyer, arka e Besëlidhjes së re dhe të amshuar, na shoqëroftë në këtë ecje drejt Zotit që po vjen. Në Të gjejmë të realizuar thelbin e Kishës në mënyrën më të përsosur. Kisha sheh në Marinë, “Gruan eukaristike” - siç e ka quajtur Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II253 - ikonën e vet më të arrirë dhe e sodit si model të pazëvendësueshëm të jetës eukaristike. Për këtë arsye, duke u përgatitur për të mikpritur në altar “verum Corpus natum de Maria Virgine”, meshtari, në emër të asamblesë liturgjike, pohon me fjalët e kanonit: “E lavdërojmë Marinë, Nënën gjithmonë virgjër të Zotit dhe Hyjit tonë Jezu Krishtit”254. Emri i saj i shenjtë thirret dhe nderohet edhe në kanonet e traditave lindore të krishtera. Besimtarët, nga ana e tyre, “ia porosisin Marisë, Nënës së Kishës, ekzistencën e punën e tyre. Duke u përpjekur që të kenë ndjenjat që kishte Maria, ata e ndihmojnë mbarë bashkësinë për të jetuar në flijim të gjallë, që i pëlqen Hyjit”255. Ajo është tota pulchra, Krejt e bukura, sepse në Të shndrit shkëlqimi i lavdisë së Hyjit. Bukuria e liturgjisë qiellore, që duhet të pasqyrohet edhe në asambletë tona, gjen në Të një pasqyrë besnike. Prej saj duhet të mësojmë të bëhemi vetë ne persona eukaristikë dhe kishtarë, që edhe ne të mundemi, sipas fjalëve të Shën Palit, të paraqitemi “të papërlyer” përpara Zotit, ashtu sikur se Ai na ka dashur qysh prej fillimit (krh. Kol 1, 21; Ef 1, 4)256.

 97. Për ndërmjetësi të së Lumes Virgjërës Mari, Shpirti Shenjt e ndeztë të njëjtin zjarr që provuan nxënësit e Emausit (krh. Lk 24, 13-35) dhe e ripërtëriftë në jetën tonë mahnitjen eukaristike për shkëlqimin dhe bukurinë që shndrisin në ritin liturgjik, shenjë e efekshme e po asaj bukurie të pafund të misterit të shenjtë të Hyjit. Këta nxënës u ngritën dhe u kthyen me ngut në Jerusalem për ta ndarë gëzimin me vëllezërit e motrat e tyre në fe. Në fakt, gëzimi i vërtetë qëndron në njohjen dhe në pranimin se Zoti rri mes nesh, është shok besnik i udhëtimit tonë. Eukaristia na bën të zbulojmë se Krishti, i vdekur dhe i ngjallur, paraqitet si bashkëkohësi ynë në misterin e Kishës, që është Trupi i Tij. Ne jemi bërë dëshmitarë të këtij misteri dashurie. Le t’i urojmë njëri-tjetrit që të shkojmë plot gëzim dhe mrekullim në takimin me Eukaristinë e shenjtë, për ta provuar dhe për t’ua kumtuar të tjerëve të vërtetën e fjalës me të cilën Jezusi është ndarë prej nxënësve të vet: “Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë - deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 20).

 

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 22 shkurt 2007, festa e Selisë së Shën Pjetrit Apostull, viti i dytë i Pontifikatit tim.

PAPA BENEDIKTI XVI

 

 

 

SHËNIME

 

1 Krh. Tomë Akuini, Summa Theologiae III, q. 73, a. 3.

2 Shën Augustini, In Iohannis Evangelium Tractatus, 26.5: PL 35, 1609.

3 Krh. Benedikti XVI, Discorso ai partecipanti all’Assemblea Plenaria della Congregazione per la Dottrina della fede (10 qershor 2006): AAS 98 (2006), 255.

4 Krh. Benedikti XVI, Discorso ai Membri del Consiglio Ordinario della Segreteria Generale del Sinodo dei Vescovi (1 qershor 2006): L’Osservatore Romano, 2 qershor 2006, fq. 5.

5 Krh. Propositio 2.

6 Këtu po i referohem domosdoshmërisë së një hermeneutike të vazhdimësisë edhe lidhur me një lexim të drejtë të zhvillimit liturgjik pas Koncilit II të Vatikanit: Krh. Benedikti XVI, Discorso alla Curia Romana (22 dhjetor 2005): AAS 98 (2006), 44-45.

7 Krh. AAS 97 (2005), 337-352.

8 Krh. Anno dell’Eucaristia: suggerimenti e proposte (15 tetor 2004): L’Osservatore Romano, 15 tetor 2004, Suplement.

9 Krh. AAS 95 (2003), 433-475. Përveç kësaj le të kujtojmë edhe Udhëzimin e Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve Redemptionis Sacramentum (25 mars 2004): AAS 96 (2004), 549-601, që është bërë me dëshirën e shprehur nga Gjon Pali II.

10 Po paraqesim këtu vetëm shkrimet kryesore: Koncili Ekumenik i Trentit, Doctrina et canones de ss. Missae sacrificio, DS 1738-1759; Luani XIII, Letra enciklike Mirae caritatis (28 maj 1902): ASS (1903), 115-136; Piu XII, Letra enciklike Mediator Dei (20 nëntor 1947): AAS 39 (1947), 521-595; Pali VI, Letra enciklike Mysterium fidei (3 shtator 1965): AAS 57 (1965), 753-774; Gjon Pali II, Letra enciklike Ecclesia de Eucharistia (17 prill 2003): AAS 95 (2003), 433-475; Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Udhëzimi Eucharisticum mysterium (25 maj 1967): AAS 59 (1967), 539-573; Udhëzimi Liturgiam authenticam (28 mars 2001): AAS 93 (2001), 685-726.

11 Krh. Propositio 1.

12 Nr. 14: AAS 98 (2006), 229.

13 Catechismo della Chiesa Cattolica, 1327.

14 Propositio 16.

15 Benedikti XVI, Omelia in occasione dell’insediamento sulla Cattedra Romana (7 maj 2005): AAS 97 (2005), 752.

16 Krh. Propositio 4.

17 De Trinitate, VIII, 8, 12: CCL 50, 287.

18 Letra enciklike Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 12: AAS 98 (2006), 228.

19 Krh. Propositio 3.

20 Breviari Romak, Himni për solemnimin me rastin e festës së Korpit e të Gjakut të Krishtit.

21 Benedikti XVI, Letra enciklike Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 13: AAS 98 (2006), 228.

22 Krh. Benedikti XVI, Omelia sulla Spianata di Marienfeld (21 gusht 2005): AAS 97 (2005), 891-892.

23 Krh. Propositio 3.

24 Krh. Meshari Romak, Lutja IV Eukaristike.

25 Catechesis XXIII, 7: PG 33, 1114 e vijim.

26 Krh. Sul Sacerdozio, VI, 4: PG 48, 681.

27 Po aty, III, 4: PG 48, 642.

28 Propositio 22.

29 Krh. Propositio 42: “Ky takim eukaristik realizohet në Shpirtin Shenjt, i cili na shndërron dhe na shenjtëron. Ai zgjon tek nxënësi vullnetin vendimtar që t’ua kumtojë të tjerëve, me guxim, gjithçka që ka dëgjuar dhe që ka përjetuar, për t’i çuar edhe ata në të njëjtin takim me Krishtin. Në këtë mënyrë, nxënësi, i dërguar prej Kishës, i hapet një misioni të pakufi”.

30 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 3; p.sh. të shihet Gjon Gojarti, Catechesis 3, 13-19; SC 50, 174-177.

31 Gjon Pali II, Letra enciklike Ecclesia de Eucharistia (17 prill 2003), 1: AAS 95 (2003), 433.

32 Po aty, 21: AAS 95 (2003), 447.

33 Krh. Gjon Pali II, Enciklika Redemptor hominis (4 mars 1979), 20: AAS 71 (1979), 309-316; Letra apostolike Dominicae Cenae (24 shkurt 1980), 4: AAS 72 (1980), 119-121.

34 Krh. Propositio 5.

35 Krh. Tomë Akuini, Summa Theologiae, III, q. 80, a. 4.

36 Nr. 38: AAS 95 (2003), 458.

37 Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 23.

38 Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra lidhur me disa aspekte të Kishës të kuptuar si bashkësi Communionis Notio (28 maj 1992), 11: AAS 85 (1993), 844-845.

39 Propositio 5: “Termi ‘katolik’ shpreh gjithëmbarshmërinë që rrjedh nga njësia, që Eukaristia, e kremtuar në çdo Kishë, favorizon dhe ndërton. Kishat e veçanta në Kishën e gjithëmbarshme kështu, në Eukaristi, kanë për detyrë ta bëjnë të dukshme njësinë dhe ndryshueshmërinë e tyre. Kjo lidhje e dashurisë vëllazërore bën të rrezatojë anembanë bashkësia trinitare. Koncilet dhe sinodët shprehin në histori këtë aspekt vëllazëror të Kishës”.

40 Krh. po aty.

41 Dekreti për shërbesën dhe jetën e meshtarëve Presbyterorum Ordinis, 5.

42 Krh. Propositio 14.

43 Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 1.

44 De Orat. Dom., 23: PL 4, 553.

45 Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 48; krh. edhe po aty, 9.

46 Krh. Propositio 13.

47 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 7.

48 Krh. Po aty, 11; Koncili II i Vatikanit, Dekreti për veprimtarinë misionare të Kishës Ad gentes, 9, 13.

49 Krh. Gjon Pali II, Letra apostolike Dominicae Cenae (24 shkurt 1980), 7: AAS 72 (1980), 124-127; Koncili II i Vatikanit, Dekreti për shërbesën dhe jetën e meshtarëve Presbyterorum Ordinis, 5.

50 Krh. Codice dei Canoni delle Chiese, kan. 710.

51 Krh. Riti i hyrjes në jetën e krishterë të të rriturve, Hyrje e përgjithshme, nr. 34-36.

52 Krh. Riti i Pagëzimit të fëmijëve, Hyrje, nr. 18-19.

53 Krh. Propositio 15.

54 Krh. Propositio 7; Gjon Pali II, Letra enciklike Ecclesia de Eucharistie (17 prill 2003), 36: AAS 95 (2003), 457-458.

55 Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Reconciliatio et Paenitentia (2 dhjetor 1984), 18: AAS 77 (1985), 224-228.

56 Krh. Catechismo della Chiesa Cattolica, 1385.

57 Le të mendojmë këtu për Confiteor-in ose për fjalët e meshtarit dhe të asamblesë përpara marrjes së kungimit: “O Zot, unë nuk jam i denjë që ti të qëndrosh nën pullazin tim, por thuaje një fjalë të vetme dhe shpirti im do të shërohet”. Nuk është pa domethënie që liturgjia edhe për meshtarin parasheh disa lutje shumë të bukura, të cilat i kemi trashëguar nga tradita, që i referohen nevojës për të qenë të falur, si për shembull ajo që thuhet nën zë, para se t’i ftojë besimtarët për kungim: “Përmes Korpit dhe Gjakut tënd më liro prej të gjitha mëkateve dhe të gjitha të këqijave. Më ndihmo t’i zbatoj besnikërisht urdhërimet e tua, dhe mos më lejo të ndahem kurrë prej teje”.

58 Krh. Shën Gjoni nga Damasku, Sulla retta fede, IV, 9: PG 94, 1124C; Shën Gregori i Nisës, Discorso 39, 17: PG 36, 356A; Koncili Ekum. i Trentit, Doctrina de sacramento paenitentiae, kap. 2: DS 1672.

59 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen Gentium; 11; Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Reconciliatio et Paenitentia (2 dhjetor 1984), 30: AAS 77 (1985), 256-257.

60 Krh. Propositio 7.

61 Krh. Gjon Pali II, Motu proprio Misericordia Dei (7 prill 2002): AAS 94 (2002), 452-459.

62 Së bashku me Etërit sinodalë dua të kujtoj se kremtimet josakramentale të pendesës, të cilat paraqiten në ritualin e sakramentit të Pajtimit, mund të jenë të dobishme për ta shtuar shpirtin e kthimit dhe të bashkësisë në bashkësitë e krishtera, duke i përgatitur kështu zemrat për kremtimin e këtij sakramenti: krh. Propositio 7.

63 Krh. Kodeksi i të drejtës kanonike, kan. 508.

64 Pali VI, Kushtetuta apostolike Indulgentiarum doctrina (1 janar 1967), Normae, nr. 1: AAS 59 (1967), 21.

65 Po aty, 9: AAS 59 (1967), 18-19.

66 Krh. Catechismo della Chiesa Cattolica, 1499-1531.

67 Po aty, 1524.

68 Krh. Propositio 44.

69 Krh. Sinodi i Ipeshkvijve, Asambleja II e Përgjithshme, Dokumenti mbi shërbesën e meshtarëve Ultimis temporibus (30 tetor 1971): AAS 63 (1971), 898-942.

70 Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Pastores dabo vobis (25 mars 1992), 42-69: AAS 84 (1992), 729-778.

71 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 10; Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra për disa çështje lidhur me shërbestarin e Eukaristisë Sacerdotium ministeriale (6 gusht 1983): AAS 75 (1983), 1001-1009.

72 Catechismo della Chiesa Cattolica, 1548.

73 Krh. Po aty, 1552.

74 Krh. In Iohannis Evangelium Tractatus 123, 5: PL 35, 1967.

75 Krh. Propositio 11.

76 Krh. Dekreti për shërbesën dhe jetën e meshtarëve Presbyterorum Ordinis, 16.

77 Krh. Gjoni XXIII, Letra enciklike Sacerdotii nostri primordia (1 gusht 1959): AAS 51 (1959), 545-579; Pali VI, Letra enciklike Sacerdotalis coelibatus (24 qershor 1967): AAS 59 (1967), 657-697; Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Pastores dabo vobis (25 mars 1992), 29: AAS 84 (1992), 703-705; Benedikti XVI, Discorso alla Curia Romana (22 dhjetor 2006): L’Osservatore Romano 23 dhjetor 2006, fq. 6.

78 Krh. Propositio 11.

79 Krh. Koncili II i Vatikanit, Dekreti për formimin meshtarak Optatam totius, 6; Kodeksi i të drejtës kanonike, kan. 241, §1 dhe can. 1029; Codice dei Canoni delle Chiese Orientali, kan. 342, §1 dhe kan. 758; Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Pastores dabo vobis (25 mars 1992) 11.34.50: AAS 84 (1992), 673-675; 712-714; 746-748; Kongregata për Klerin, Udhëzues për shërbesën dhe jetën e meshtarëve Dives Ecclesiae (31 mars 1994), 58: LEV, 1994, S. fq. 56-58; Kongregata për edukimin katolik, Udhëzimi mbi kriteret e shoshitjes thirrore të personave me tendenca homoseksuale lidhur me pranimin e tyre në Seminar dhe për marrjen e Urdhrit të Shenjtë (4 nëntor 2005): AAS 97 (2005), 1007-1013.

80 Krh. Propositio 12; Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Pastores dabo vobis (25 mars 1992) 41: AAS 84 (1992), 726-729.

81 Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 29.

82 Krh. Propositio 38.

83 Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Familiaris consortio (22 nëntor 1981), 57: AAS 74 (1982), 149-150.

84 Letra apostolike Mulieris dignitatem (15 gusht 1988), 26: AAS 80 (1988), 1715-1716.

85 Catechismo della Chiesa Cattolica, 1617.

86 Krh. Propositio 8.

87 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 11.

88 Krh. Propositio 8.

89 Krh. Gjon Pali II, Letra apostolike Mulieris dignitatem (15 gusht 1988): AAS 80 (1988), 1653-1729; Kongregata për Doktrinën e fesë, Letra drejtuar Ipeshkvijve të Kishës katolike lidhur me bashkëpunimin mes burrit dhe gruas në Kishë e në botë (31 maj 2004): AAS 96 (2004), 671-687.

90 Krh. Propositio 9.

91 Krh. Catechismo della Chiesa Cattolica, 1640.

92 Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Familiaris consortio (22 nëntor 1981), 84: AAS 74 (1982), 184-186; Kongregata për Doktrinën e Fesë, Letra drejtuar Ipeshkvijve të Kishës Katolike për marrjen e kungimit prej besimtarëve të shkurorëzuar të rimartuar Annus Internationalis Familiae (14 shtator 1994): AAS 86 (1994), 974-979.

93 Krh. Këshilli Papnor për Tekstet legjislative, Udhëzimi mbi normat që duhen zbatuar në Gjykatat kishtare për çështjet martesore Dignitatis connubii (25 janar 2005), Qyteti i Vatikanit 2005.

94 Krh. Propositio 40.

95 Benedikti XVI, Discorso al Tribunale della Rota Romana in occasione dell’inaugurazione dell’anno giudiziario (28 janar 2006): AAS 98 (2006), 138.

96 Krh. Propositio 40.

97 Krh. Po aty.

98 Krh. Po aty.

99 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 48.

100 Krh. Propositio 3.

101 Këtu dua të kujtoj fjalët plot shpresë dhe ngushëllim, që i gjejmë në Lutjen II eukaristike: “Le të bie ndër mend edhe për vëllezërit e motrat tona, të cilët pushuan me shpresë të ngjalljes, edhe për të gjithë ata që vdiqën në mëshirën tënde: pranoji edhe ata në dritën e fytyrës sate.

102 Krh. Benedikti XVI, Omelia (8 dhjetor 2005): AAS 98 (2006), 15-16.

103 Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 58.

104 Propositio 4.

105 Relatio post disceptationem, 4: L’Osservatore Romano (14 tetor 2005), fq. 5.

106 Krh. Sermo 1, 7; 11, 10; 22, 7; 29, 76: Sermones dominicales ad fidem codicum nunc denuo editi, Grottaferrata 1977, fq. 135, 209 e vijim, 292 e vijim, 337; Benedikti XVI, Messaggio ai Movimenti Ecclesiali e alle Nuove Comunità (22 maj 2006): AAS 98 (2006), 463.

107 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta apostolike mbi Kishën në botën bashkëkohore Gaudium et spes, 22.

108 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin hyjnor Dei Verbum, 2, 4.

109 Krh. Propositio 33.

110 Sermo 227, 1: PL 38, 1099.

111 Shën Augustini, In Iohannis Evangelium Tractatus, 21, 8: PL 35, 1568.

112 Po aty, 28, 1: PL 35, 1622.

113 Krh. Propositio 30. Edhe Mesha e shenjtë, të cilën Kisha e kremton gjatë javës, dhe në të cilën besimtarët janë të thirrur për të marrë pjesë, e gjen formën e vet të mirëfilltë në ditën e Zotit, ditën e ngjalljes së Krishtit: Propositio 43.

114 Krh. Propositio 2.

115 Krh. Propositio 25.

116 Krh. Propositio 19. Propositio 25 specifikon: “Një veprim autentik liturgjik shpreh shenjtërinë e Misterit eukaristik. Kjo do të duhej të shkëlqente në fjalët dhe në veprimet e meshtarit kremtues, ndërkohë që ai ndërmjetëson pranë Atit si me besimtarët, ashtu edhe për ta”.

117 Ordinamento Generale del Messale Romano, 22; Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 41; Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Udhëzimi Redemptionis Sacramentum (25 mars 2004), 19-25: AAS 96 (2004), 555-557.

118 Krh. Koncili II i Vatikanit, Dekreti mbi detyrën e Ipeshkvijve në Kishë Christus Dominus, 14; Kushtetuta mbi Liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 41.

119 Ordinamento Generale del Messale Romano, 22.

120 Krh. Po aty.

121 Krh. Propositio 25.

122 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium 112-130.

123 Krh. Propositio 27.

124 Krh. Po aty.

125 Për gjithçka që ka të bëjë me këto aspekte duhet t’u përmbahemi besnikërisht asaj që është shënuar në Ordinamento Generale del Messale Romano, 319-351.

126 Krh. Ordinamento Generale del Messale Romano, 39-41; Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 112-118.

127 Sermo 34, 1: PL 38, 210.

128 Krh. Propositio 25: “Si të gjitha shprehjet artistike, edhe këndimi duhet të harmonizohet thellësisht me liturgjinë, të marrë pjesë efektshmërisht në qëllimin e saj, d.m.th. ai duhet të shprehë fenë, lutjen, mahnitjen, dashurinë ndaj Jezusit të pranishëm në Eukaristi”.

129 Krh. Propositio 29.

130 Krh. Propositio 36.

131 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 116; Ordinamento Generale del Messale Romano, 41.

132 Ordinamento Generale del Messale Romano, 28; krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetura mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 56; Kongregata e Shenjtë e Riteve, Udhëzimi Eucharisticum Mysterium (25 maj 1967), 3: AAS 57 (1967), 540-543.

133 Krh. Propositio 18.

134 Po aty.

135 Ordinamento Generale del Messale Romano, 29.

136 Krh. Gjon Pali II, Letra enciklike Fides et Ratio (14 shtator 1998), 13: AAS 91 (1999), 15-16.

137 Shën Jeronimi, Comm. in Is., Prol.: PL 24, 17; Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin hyjnor Dei Verbum, 25.

138 Krh. Propositio 31.

139 Ordinamento Generale del Messale Romano, 29; krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 7, 33, 52.

140 Propositio 19.

141 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 52.

142 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Zbulimin hyjnor Dei Verbum, 21.

143 Për këtë qëllim Sinodi ka nxitur hartimin e mjeteve ndihmëse baritore, të bazuara mbi leksionarin trevjeçar, që ndihmojnë në lidhjen në mënyrë të brendshme të shpalljes së leximeve të parapara nga doktrina e fesë: krh. Propositio 19.

144 Krh. Propositio 20.

145 Ordinamento Generale del Messale Romano, 78.

146 Krh. Po aty, 78-79.

147 Krh. Propositio 22.

148 Ordinamento Generale del Messale Romano, 79d.

149 Po aty, 79c.

150 Duke pasur parasysh zakonet e vjetra e të nderuara dhe dëshirat e shprehura nga Etërit sinodalë, u kam kërkuar Dikastereve përkatëse që ta studiojnë mundësinë që ta zhvendosin shenjën e paqes në një moment tjetër, si për shembull para paraqitjes së dhuratave në altar. Një zgjedhje e tillë, përveç të tjerash, me siguri do të ishte ngjallte një referim domethënës me këshillimin e Zotit mbi nevojën e pajtimit para paraqitjes së çdo dhurate Hyjit (krh. Mt 5, 23 e vijim); krh. Propositio 23.

151 Krh. Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Udhëzimi Redemptionis Sacramentum (25 mars 2004), 80-96: AAS 96 (2004), 574-577.

152 Krh. Propositio 34.

153 Krh. Propositio 35.

154 Krh. Propositio 24.

155 Krh. Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 14-20; 30 e vijim; 48 e vijim; Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Udhëzimi Redemptionis Sacramentum (25 mars 2004), 36-42: AAS 96 (2004), 561-564.

156 Nr. 48.

157 Po aty.

158 Krh. Kongregata për Klerin dhe Dikasteret e tjera të Selisë Romake, Udhëzimi lidhur me disa çështje për bashkëpunimin e laikëve në shërbesën e meshtarëve Ecclesiae de mysterio (15 gusht 1997): AAS 89 (1997), 852-877.

159 Krh. Propositio 33.

160 Ordinamento Generale del Messale Romano, 92.

161 Krh. Po aty, 94.

162 Krh. Koncili II i Vatikanit, Dekreti mbi apostullimin e laikëve Apostolicam actuositatem, 24; Ordinamento Generale del Messale Romano, nr. 95-111; Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Udhëzimi Redemptionis Sacramentum (25 mars 2004), 43-47: AAS 96 (2004), 564-566; Propositio 33: “Këto shërbesa duhet të futen në përdorim sipas një mandati specifik dhe sipas kërkesave reale të bashkësisë kremtuese. Personat e ngarkuar me këto shërbime liturgjike laikale duhet të zgjedhen me kujdes, të përgatiten mirë dhe të shoqërohen me një formim të përhershëm. Emërtimi i tyre duhet bërë me kohë të kufizuar. Ata duhet të pranohen nga bashkësia dhe duhet të marrin prej saj një vlerësim mirënjohës”.

163 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 37-42.

164 Krh. 386-399.

165 AAS 87 (1995), 288-314.

166 Nxitja apostolike pas-sinodale Ecclesia in Africa (14 shtator 1995), 55-71: AAS 88 (1996), 34-47; Nxitja apostolike pas-sinodale Ecclesia in America (22 janar 1999), 16, 40, 64, 70-72: ASS 91 (1999), 752-753; 775-776; 799: 805-809; Nxitja apostolike pas-sinodale Ecclesia in Asia (6 nëntor 1999), 21 e vijim: AAS 92 (2000), 482-487; Nxitja apostolike pas-sinodale Ecclesia in Oceania (22 nëntor 2001), 16: AAS 94 (2002), 382-384; Nxitja apostolike pas-sinodale Ecclesia in Europa (28 qershor 2003), 58-60: AAS 95 (2003), 685-686.

167 Krh. Propositio 26.

168 Krh. Propositio 35; Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 11.

169 Krh. Catechismo della Chiesa Cattolica, 1388; Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 55.

170 Krh. Enciklika Ecclesia de Eucharistia (17 prill 2003), 34: AAS 95 (2003), 456.

171 Mes tyre për shembull Tomë Akuini, Summa Theologiae, III, q. 80, a. 1, 2; Shenjta Terezë e Jezusit, Cammino di perfezione, kap. 35. Kjo doktrinë është konfirmuar nga Koncili i Trentit: sek. XIII, kap. VIII.

172 Krh. Gjon Pali II, Letra enciklike Ut unum sint (25 maj 1995), 8: AAS: 87 (1995), 925-926.

173 Krh. Propositio 41; Koncili II i Vatikanit, Dekreti mbi Ekumenizmin Unitatis redintegratio, 8, 15; Gjon Pali II, Letra enciklike Ut unum sint (25 maj 1995), 46: AAS 87 (1995), 948; Letra enciklike Ecclesia de Eucharistia (17 prill 2003), 45-46: AAS 95 (2003), 463-464; Kodeksi i të Drejtës kanonike, kan. 844 § 3-4; Kodeksi juridik i Kishave të Lindjes, can. 671 § 3-4; Këshilli Papnor për Njësinë e të Krishterëve, Directoire pour l’application des Principes et des Normes sur l’ecuménisme (25 mars 1993), 125, 129-131: AAS 85 (1993), 1087, 1088-1089.

174 Krh. nr. 1398-1401.

175 Krh. nr. 293.

176 Krh. Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore, Udhëzimi baritor mbi Komunikimin Shoqëror me rastin e njëzetvjetorit të “Communio et Progressio” Aetatis novae (22 shkurt 1992): AAS 84 (1992), 447-468.

177 Krh. Propositio 29.

178 Krh. Propositio 44.

179 Krh. Propositio 48.

180 Një njohje e tillë mund të arrihet edhe nëpërmjet nismave të dobishme gjatë viteve të formimit të kandidatëve për meshtari në seminar: Krh. Propositio 45.

181 Krh. Propositio 37.

182 Krh. Kushtetuta mbi liturgjinë e shenjtë Sacrosanctum Concilium, 36 dhe 54.

183 Krh. Propositio 36.

184 Krh. Po aty.

185 Krh. Propositio 32.

186 Krh. Propositio 14.

187 Propositio 19.

188 Krh. Propositio 14.

189 Krh. Benedikti XVI, Omelia ai primi Vespri di Pentecoste (3 qershor 2006): AAS 98 (2006), 509.

190 Krh. Propositio 34.

191 Enarrationes in Psalmos 98, 9: CCL XXXIX, 1385; krh. Benedikti XVI, Discorso alla Curia Romana (22 dhjetor 2005): AAS 98 (2006), 44-45

192 Krh. Propositio 6.

193 Benedikti XVI, Discorso alla Curia Romana (22 dhjetor 2005): AAS 98 (2006), 45.

194 Krh. Propositio 6; Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, Direttorio su pietà popolare e liturgia (17 dhjetor 2001) nr. 164-165, Qyteti i Vatikanit 2002, fq. 137. 139; Kongregata e Shenjtë e Riteve, Udhëzimi Eucharisticum Mysterium (25 maj 1967): AAS 57 (1967), 539-573.

195 Krh. Relatio post disceptationem, 11; L’Osservatore Romano, 14 tetor 2005, fq. 5.

196 Krh. Propositio 28.

197 Krh. nr. 314.

198 VII, 10, 16: PL 32, 742.

199 Benedikti XVI, Omelia sulla Spianata di Marienfeld, (21 gusht 2005): AAS 97 (2005), 892; krh. Omelia nella Veglia di Pentecoste (3 qershor 2006): AAS 98 (2006), 505.

200 Krh. Relatio post disceptationem, 6, 47: L’Osservatore Romano, 14 tetor 2005, fq. 5-6; Propositio 43.

201 De civitate Dei, X, 6: Pl 41, 284.

202 Krh. Catechismo della Chiesa Cattolica, 1368.

203 Krh. Shën Ireneu, Adv. Haer., IV, 20, 7: PG 7, 1037.

204 Epistola ai Magnesiani, 9, 1: PG 5, 670.

205 Krh. I Apologia, 67, 1-6; 66: PG 6 430, fq. 427. 430.

206 Krh. Propositio 30.

207 Krh. AAS 90 (1998), 713-766.

208 Propositio 30.

209 Omelia (19 mars 2006): AAS 98 (2006), 324.

210 Me vend shënon lidhur me këtë Përmbledhja e doktrinës shoqërore të Kishës, 258: “Njeriut, të lidhur për nevojën për punë, pushimi i hap perspektivën e një lirie më të plotë, atë të së Shtunës së përjetshme (krh. Heb 4, 910). Pushimi i mundëson njeriut t’i rikujtojë dhe t’i rijetojë veprat e Hyjit, nga Krijimi deri tek Shëlbimi, t’i pranojë ato si vepër e Tij (krh. Heb 2, 10), ta falënderojë Atë për jetën e për jetesën e vet, autori i të cilave ai është”.

211 Krh. Propositio 10.

212 Krh. Po aty.

213 Krh. Benedikti XVI, Discorso ai Vescovi della Conferenza episcopale del Canada – Quebec in visita ad limina Apostolorum (11 maj 2006): L’Osservatore Romano, 12 maj 2006, fq. 6.

214 Nr. 10: AAS 71 (1979), 414-415.

215 Benedikti XVI, Udienza generale del 29 marzo 2006: L’Osservatore , 30 mars 2006, fq. 4.

216 Propositio 39.

217 Krh. Relatio post disceptationem, 30: L’Osservatore Romano, 14 tetor 2005, fq. 6.

218 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 39-42.

219 Krh. Gjoni Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Christifideles laici (30 dhjetor 1988), 14, 16: AAS 81 (1989), 409-413; 416-418.

220 Krh. Propositio 39.

221 Krh. Po aty.

222 Pontificale Romano. Ordinazione del Vescovo, dei Presbiteri e dei Diaconi, Riti i shugurimit të meshtarit, nr. 150.

223 Krh. Gjoni Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Pastores dabo vobis (25 mars 1992), 19-33; 70-81: AAS 84 (1992), 686-712; 778-800.

224 Propositio 38.

225 Propositio 39. Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Vita consecrata (25 mars 1996), 95: AAS 88 (1996), 470-471.

226 Kodeksi i së drejtës kanonike, kan. 663, § 1.

227 Krh. Gjon Pali II, Nxitja apostolike pas-sinodale Vita consecrata (25 mars 1996), 34: AAS 88 (1996), 407-408.

228 Letra enciklike Veritatis splendor (6 gusht 1993), 107: AAS 85 (1993), 1216-1217.

229 Benedikti XVI, Letra enciklike Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 14: AAS 98 (2006), 229.

230 Krh. Gjon Pali II, Letra enciklike Evangelium vitae (25 mars 1995): AAS 87 (1995), 401-522; Benedikti XVI, Discorso alla Pontificia Accademia per la vita (27 shkurt 2006): AAS 98 (2006), 264-265.

231 Krh. Kongregata për Doktrinën e Fesë, Nota dottrinale circa alcune questioni riguardanti l’impegno e il comportamento dei cattolici nella vita politica (24 tetor 2002): AAS 95 (2004), 359-370.

232 Krh. Propositio 46.

233 AAS 97 (2005), 711.

234 Propositio 42.

235 Krh. Il martirio di Policarpo, XV, 1: PG 5, 1039. 1042.

236 Shën Injaci i Antiokisë, Ai Romani, IV, 1: PG 5, 690.

237 Krh. Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta dogmatike mbi Kishën Lumen gentium, 42.

238 Krh. Propositio 42; Krh. edhe Kongregata për Doktrinën e Fesë, Dich. sull‘unicità e l‘universalità salvifica di Gesù Cristo e della Chiesa Dominus Iesus (6 gusht 2000), 13-15: AAS 92 (2000), 754-755.

239 Krh. Propositio 42.

240 Benedikti XVI, Letra enciklike Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 18: AAS 98 (2006), 232.

241 Po aty, nr. 14.

242 Jo pa përmallim gjatë Asamblesë sinodale kemi dëgjuar dëshmi shumë domethënëse mbi efektshmërinë e sakramentit në veprën e pajtimit. Lidhur me këtë në Propositio 49 pohohet: “Falë Kremtimeve eukaristike, popuj që gjendeshin në konflikt kanë pasur mundësi të mblidhen rreth Fjalës së Hyjit, ta dëgjojnë kumtimin e saj profetik të pajtimit me anë të faljes falas, ta marrin hirin e kthimit, që mundëson pjesëmarrjen me të njëjtën bukë dhe me të njëjtin kelk”.

243 Krh. Propositio 48.

244 Benedikti XVI, Letra enciklike Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 28: AAS 98 (2006), 239.

245 Propositio 48.

246 Benedikti XVI, Discorso al Corpo Diplomatico accreditato presso la Santa Sede (9 janar 2006): AAS 98 (2006), 127.

247 Po aty.

248 Krh. Propositio 48. Për këtë qëllim është veçanërisht i dobishëm Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës.

249 Krh. Propositio 43.

250 Krh. Propositio 47.

251 Krh. Propositio 17.

252 Krh. Martyrium Saturnini, Dativi et aliorum plurimorum, 7, 9, 10: PL 8, 707, 709-710.

253 Krh. Gjon Pali II, Letra enciklike Ecclesia de Eucharistia (17 prill 2003), 53: AAS 95 (2003), 469.

254 Lutja I Eukaristike (Kanoni Romak).

255 Propositio 50.

256 Krh. Benedikti XVI, Omelia (8 dhjetor 2005): AAS 98 (2006), 15.

 

 

 

titujt kryesore

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster