ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

BENEDIKTI XVI - AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Shenjtja Zhana d’Ark

 

 

 

Salla Pali VI

E mërkurë, 26 janar 2011

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

 

sot do të doja t’ju flisja për Zhanën d’Ark, një e re shenjte e fundit të Mesjetës, e vdekur në moshën 19 vjeçare, në vitin 1431. Kjo shenjte franceze, e cituar disa herë në Katekizmin e Kishës Katolike, është veçanërisht afër shenjtes Katerinë nga Siena, pajtore e Italisë dhe e Europës, për të cilën kam folur në një katekezë të kohëve të fundit. Në të vërtetë, janë dy femra të reja të popullit, laike dhe të kushtuara në virgjëri; dy mistike të angazhuara, jo në kuvend, por në mes të realiteteve më dramatike të Kishës dhe të botës së kohës së tyre. Ndoshta janë figurat më karakteristike të atyre “grave të forta” që, në fund të Mesjetës, sollën pa frikë dritën e madhe të Ungjillit në ngjarjet komplekse të historisë. Mund t’i krahasojmë me gratë e shenjta që qëndruan në Kalvar, afër Jezusit të kryqëzuar dhe me Marinë, Nënën e tij, ndërsa Apostujt kishin ikur dhe vetë Pjetri e kishte mohuar tri herë. Kisha, në atë periudhë, jetonte krizën e thellë të shkizmës së madhe të Perëndimit, që zgjati gati 40 vjet. Kur Katerina nga Siena vdes, në vitin 1380, ka një Papë dhe një Antipapë; kur Zhana lind, në vitin 1412, ka një Papë dhe dy Antipapë. Përveç kësaj përçarjeje brenda Kishës, kishte edhe luftëra të vazhdueshme vëllavrasëse mes popujve të krishterë të Europës, ndër të cilat më dramatikja qe e pafundmja “Luftë e njëqind vjetëve” mes Francës dhe Anglisë.

 

Zhana d’Ark nuk dinte as të lexonte e as të shkruante, por mund të njihet në thellësinë e shpirtit të saj falë dy burimeve me vlerë të jashtëzakonshme historike: dy Proceset që kanë lidhje me të. I pari, Procesi i Dënimit (PCon), përmban transkriptimin e marrjeve në pytje të gjata e të shumta të Zhanës gjatë muajve të fundit të jetës së saj (shkurt-maj 1431), dhe sjell vetë fjalët e Shenjtës. I dyti, Procesi i Pavlefshmërisë së Dënimit (PNul), apo i “reabilitimit”, përmban deponimet e rreth 120 dëshmitarëve okularë të të gjitha periudhave të jetës së saj (krh. Procès de Condamnation de Jeanne d’Arc, vëll. 3 dhe Procès en Nullité de la Condamnation de Jeanne d’Arc, vëll. 5, bot. Klincksieck, Paris 1960-1989).

 

Zhana lind në Domremy, një fshat i vogël i vendosur në kufirin mes Francës dhe Lorenës. Prindërit e saj janë fshatarë të kamur, të njohur prej të gjithëve si të krishterë shumë të mirë. Prej tyre merr një edukim të mirë fetar, me një ndikim të ndjeshëm të përshpirtërisë së Emrit të Jezusit, të mësuar nga shën Bernardini nga Siena dhe të përhapur në Europë prej françeskanëve. Me Emrin e Jezusit bashkohet gjithmonë Emri i Marisë dhe kështu, në sfondin e fetarisë popullore, përshpirtëria e Zhanës është thellësisht kristocentrike dhe mariane. Prej fëmijnërisë ajo tregon një dashuri të madhe dhe dhëmshuri ndaj më të varfërve, të sëmurëve dhe të gjithë të vuajturve, në kontekstin dramatik të luftës.

 

Prej vetë fjalëve të saj dimë se jeta fetare e Zhanës piqet si përvojë mistike duke nisur nga mosha 13-vjeçare (PCon, I, fq. 47-48). Nëpërmjet “zërit” të kryeengjëllit Mëhill, Zhana ndihet e thirrur prej Zotit për ta intensifikuar jetën e vet të krishterë si dhe për t’u angazhuar personalisht për çlirimin e popullit të vet. Përgjigjja e saj e menjëhershme, “po”-ja e saj, është kushti i virgjërisë, me një angazhim të ri në jetën sakramentale dhe në lutje: pjesëmarrja e përditshme në Meshë, Rrëfimi dhe Kungimi i shpeshtë, momentet e gjata të lutjes së heshtur para të Kryqëzuarit apo para figurës së Zojës së Bekuar. Dhembshuria dhe angazhimi i fshatares franceze përballë vuajtjes së popullit të vet bëhen më të mëdhenj prej marrëdhënies së saj mistike me Hyjin. Njëri prej aspekteve më origjinale të shenjtërisë së kësaj të reje është pikërisht lidhja mes përvojës mistike dhe misionit politik. Pas viteve të jetës së fshehur dhe të pjekurimit të brendshëm vijon dyvjeçari i shkurtër, por intensiv, i jetës së saj publike: një vit veprimi dhe një vit mundimi.

 

Në fillim të vitit 1429, Zhana fillon veprën e saj të lirimit. Dëshmitë e shumta na e tregojnë këtë grua të re vetëm 17 vjeçare si një person shumë të fortë e të vendosur, të aftë për t’i bindur burrat e pasigurtë e të shkurajuar. Duke i kapërcyer të gjitha pengesat, takon Delfinin e Francës, Mbretin e ardhshëm Karli VII, që në Poitiers ia nënshtron një shqyrtimi nga ana e disa teologëve të Universitetit. Gjykimi i tyre është pozitiv: në të nuk shohin asgjë të keqe, vetëm një të krishterë të mirë.

 

Më 22 mars 1429, Zhana dikton një letër të rëndësishme drejtuar Mbretit të Anglisë dhe njerëzve të tij që rrethojnë qytetin e Orleansit (Ibid., fq. 221-222). Ai i saji është një propozim i vërtetë paqeje në drejtësi mes dy popujve të krishterë, në dritën e emrave të Jezusit dhe Marisë, por nuk pranohet, dhe Zhana duhet të angazhohet në luftën për çlirimin e qytetit, që ndodh më 8 maj. Momenti tjetër kulminant i veprimit të saj politik është kurorëzimi i Mbretit Karli VII në Reims, më 17 korrik 1429. Për një vit të tërë, Zhana jeton me ushtarët, duke kryer mes tyre një mision të vërtetë ungjillëzimi. Janë të shumta dëshmitë e tyre në lidhje me mirësinë e saj, me guximin e saj dhe me pastërtinë e saj të jashtëzakonshme. Të gjithë e quajnë dhe ajo vetë e përkufizon vetveten “pulzella”, pra virgjëra.

 

Mundimi i Zhanës fillon më 23 maj 1430, kur bie robëreshë në duart e armiqve të saj. Më 23 dhjetor e çojnë në qytetin e Rouenit. Aty zhvillohet Procesi i Dënimit i gjatë e dramatik, që fillon në shkurt 1431 dhe përfundon më 30 maj me djegien në turrën e druve. Është një proces i madh dhe solemn, i udhëhequr nga dy gjykatës kishtarë, ipeshkvi Pierre Cauchon dhe inkuizitori Jean le Maistre, por në të vërtetë është krejtësisht i udhëhequr nga një grup i dendur teologësh të Universitetit të famshëm të Parisit, që marrin pjesë në proces si këshilltarë. Janë klerikë francezë, që pasi kanë bërë një zgjedhje politike të kundërt me atë të Zhanës, kanë a priori një gjykim negativ mbi personin e saj dhe misionin e saj. Ky proces është një faqe tronditëse e historisë së shenjtërisë si edhe një faqe indriçuese mbi misterin e Kishës, që, sipas fjalëve të Koncilit II të Vatikanit, është “në të njëjtën kohë e shenjtë dhe gjithmonë nevojtare për pastrim” (LG, 8). Është takimi dramatik mes kësaj Shenjtëreshe dhe gjykatësve të saj, që janë klerikë. Prej tyre Zhana akuzohet e gjykohet, deri sa të dënohet si heretike dhe të dënohet me vdekjen e tmerrshme në turrën e druve. Në ndryshim prej shenjtërve teologë që kishin ndriçuar Universitetin e Parisit, si shën Bonaventura, shën Toma i Akuinit dhe i lumi Duns Skot, për të cilët kam folur në disa katekeza, këta gjykatës janë teologë të cilëve u mungojnë dashuria dhe përvujtëria për të parë në këtë të re veprimin e Hyjit. Të vijnë në mend fjalët e Jezusit sipas të cilave misteret e Hyjit u zbulohen atyre që kanë zemrën e të vegjëlve, ndërsa mbeten të fshehura para të diturve që nuk e kanë përvujtërinë (krh. Lk 10,21). Kështu, gjykatësit e Zhanës janë rrënjësisht të paaftë për ta kuptuar atë, për të parë bukurinë e shpirtit të saj: nuk e dinin se po dënonin një Shenjte.

 

Apelimi i Zhanës në gjykimin e Papës, më 24 maj, nuk pranohet prej trupit gjykues. Mëngjesin e 30 majit merr për herë të fundit Kungimin e shenjtë në burg, dhe menjëherë e çojnë për ta ndëshkuar në sheshin e tregut të vjetër. I kërkon njërit prej dëshmitarëve që të mbajnë para turrës së druve një kryq procesioni. Kështu vdes duke vështruar Jezusin e Kryqëzuar dhe duke thënë disa herë e me zë të lartë Emrin e Jezusit (PNul, I, fq. 457; krh. Katekizmi i Kishës Katolike, 435). Rreth 25 vjet më vonë, Procesi i Pavlefshmërisë, i hapur nën autoritetin e Papës Kalisti III, mbyllet me një vendim solemn që e deklaron të pavlefshëm dënimin (7 korrik 1456; PNul, II, fq. 604-610). Ky proces i gjatë, që mblodhi deponimet e dëshmitarëve dhe gjykimet e shumë teologëve, të gjithë në favor të Zhanës, nxjerr në dritë pafajësinë dhe besnikërinë e saj të plotë ndaj Kishës. Zhana d’Ark do të kanonizohet pastaj nga Benedikti XV, në vitin 1920.

 

Të dashur vëllezër e motra, Emri i Jezusit, i thirrur prej Shenjtes tonë deri në çastet e fundit të jetës së saj tokësore, ishte si frymëmarrja e vazhdueshme e shpirtit të saj, si rrahja e zemrës së saj, qendra e gjithë jetës së saj. “Misteri i dashurisë i Zhanës d’Ark”, që e kishte mahnitur aq shumë poetin Charles Péguy, është kjo dashuri e plotë e Jezusit, dhe e të afërmit në Jezusin dhe për Jezusin. Kjo Shenjte kishte kuptuar se Dashuria përqafon gjithë realitetin e Hyjit e të njeriut, të qiellit e të tokës, të Kishës e të botës. Jezusi është gjithmonë në vendin e parë në jetën e saj, sipas shprehjes së saj të bukur: “Zoti ynë i shërbyer i pari” (PCon, I, fq. 288; krh. Katekizmi i Kishës Katolike, 223). Ta duash atë do të thotë t’i bindesh gjithmonë vullnetit të tij. Ajo pohon me besim dhe lëshim të plotë: “I besohem Hyjit tim Krijues, e dua me gjithë zemrën time” (ibid., fq. 337). Me kushtin e virgjërisë, Zhana ia kushton në mënyrë ekskluzive gjithë personin e vet të vetmes Dashuri të Jezusit: është “premtimi i saj i bërë Zotit Tonë për ta ruajtur mirë virgjërinë e trupit e të shpirtit” (ibid., fq. 149-150). Virgjëria e shpirtit është gjendja e hirit, vlera më e lartë, për të më e çmueshmja në jetë: është një dhuratë e Hyjit që duhet marrë e ruajtur me përvujtëri e besim. Njëri prej teksteve më të njohur të Procesit të parë i përket pikërisht kësaj: “Kur e pyetën nëse dinte se ishte në hirin e Hyjit, ajo përgjigjet: Nëse nuk jam, Hyji dashtë të më vërë në të; nëse jam, Hyji dashtë të më ruajë në të” (ibid., fq. 62; krh. Katekizmi i Kishës Katolike, 2005).

 

Shenjtja jonë e jeton lutjen në formën e një dialogu të vazhdueshëm me Zotin, që e ndriçon edhe dialogun e saj me gjykatësit dhe i jep paqe e siguri. Ajo lutet me besim: “O Hyj tejet i ëmbël, në nder të Mundimeve tuaja të shenjta, ju kërkoj, nëse më doni, që të më zbuloni se si duhet t’u përgjigjem këtyre njerëzve të Kishës” (ibid., fq. 252). Jezusi soditet prej Zhanës si “Mbreti i Qiellit dhe i Tokës”. Kështu, në flamurin e saj, Zhana bëri që t’i pikturonin figurën e “Zotit tonë që mban botën” (ibid., fq. 172): ikona e misionit të saj politik. Çlirimi i popullit të saj është një vepër drejtësie njerëzore, të cilën Zhana e kryen në dashuri, për dashuri të Jezusit. Shembulli i saj është një shembull i bukur shenjtërie për laikët e angazhuar në jetën politike, sidomos në situatat më të vështira. Feja është drita që udhëheq çdo zgjedhje, sikurse do të dëshmojë, një shekull më vonë, një tjetër shenjt i madh, anglezi Tomas More. Në Jezusin, Zhana sodit edhe gjithë realitetin e Kishës, “Kishën ngadhënjyese” të Qiellit, ashtu si edhe “Kishën militante” të tokës. Sipas fjalëve të saj, “Zoti ynë dhe Kisha janë një gjë e vetme” (ibid., fq. 166). Ky pohim, i cituar në Katekizmin e Kishës Katolike (nr. 795), ka një karakter me të vërtetë heroik në kontekstin e Procesit të Dënimit, përballë gjykatësve të saj, njerëz të Kishës, që e përndjekën dhe e dënuan. Në Dashurinë e Jezusit, Zhana gjen forcën për ta dashur Kishën deri në fund, edhe në momentin e dënimit.

 

Më pëlqen të kujtoj se si shenjtja Zhana d’Ark ka pasur një ndikim të madh te një Shenjte e re e epokës moderne: Tereza e Jezusit Foshnje. Në një jetë krejtësisht të ndryshme, të kaluar në klauzurë, karmelitania e Lësiesë ndihej shumë afër Zhanës, duke jetuar në zemër të Kishës dhe duke marrë pjesë në vuajtjet e Krishtit për shëlbimin e botës. Kisha i ka bashkuar ato si Pajtore të Francës, pas Virgjërës Mari. Shenjtja Terezë kishte shprehur dëshirën e vet për të vdekur si Zhana, duke thënë Emrin e Jezusit (Dorëshkrim B, 3r), dhe ishte e frymëzuar prej të njëjtës dashuri të madhe ndaj Jezusit dhe të afërmit, të jetuar në virgjërinë e kushtuar Zotit.

 

Të dashur vëllezër e motra, me dëshminë e vet të shkëlqyer, shenjtja Zhana d’Ark na fton në një masë të lartë të jetës së krishterë: ta bëjmë lutjen fillin përçues të ditëve tona; të kemi besim të plotë në kryerjen e vullnetit të Hyjit, cilido qoftë ai; të jetojmë dashurinë pa favoritizma, pa kufij dhe, sikurse ajo, duke marrë prej Dashurisë së Jezusit një dashuri të thellë për Kishën. Faleminderit.

 

tituj kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder <

webmaster