ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv
 

 

 

Prot. Nr. 11/2004 Tiranë me 13 Janar 2004

Objekt: Pjesëmarrja në dhembjen e tragjedisë së datës 9 Janar 2004 në detin Jon

Deklaratë
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, në emër të Kishës Katolike që është në Shqipëri, dëshiron të shprehë pjesëmarrjen dhe afërsinë e të gjithë besimtarëve katolikë të Shqipërisë, në dhembjen e madhe që po përjeton vendi ynë, si rrjedhojë e tragjedisë së disa ditëve më parë në ujrat e detit Jon. Në të gjitha kishat tona janë kremtuar Meshë për shpirtrat e viktimave dhe në mënyra të ndryshme kemi shprehur dhe vazhdojmë të shprehim solidaritetin tonë për familjet e prekura nga kjo tragjedi.
Në takimet me disa nga familjet e viktimave kemi parë dhe mund të dëshmojmë dinjitetin, qëndresën dhe bujarinë e popullit tonë, por edhe varfërinë e tejskajshme që i ka përfshirë, e që po bëhet një burim i pashterrshëm tragjedish të këtij lloji. Ky moment i veçantë, sigurisht, nuk duhet të përdoret politikisht, por duhet të nxisë të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike dhe shtetërore, të reflektojnë dhe të angazhohen më shumë për të mirën e përbashkët.
“ S’ka paqe pa drejtësi”, këto fjalë të Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes me 1 janar 2003, shprehin rolin e madh që ka drejtësia për një rend shoqëror sa më të qetë dhe më të jetueshëm. Vënia para drejtësisë e përgjegjësve do të tregojë se jeta e njeriut është një vlerë e paprekshme dhe e padhunueshme, se ajo, jo vetëm nuk mund të vritet, por as nuk mund të shfrytëzohet për përfitime.
Si barinj dhe si besimtarë ne i kemi sytë të drejtuar tek Mbretëria qiellore, që shprehet me lutjen që ne themi çdo ditë, “Ardhtë Mbretëria jote…” o Zot! Por, në të njëjtën kohë, besojmë që kjo Mbretëri fillon këtu dhe tani, me ushtrimin e vlerave të paqes, të drejtësisë, të vëllazërisë dhe të solidaritetit. Kush më shumë se ata që drejtojnë vendin e ka për detyrë promovimin e këtyre vlerave universale!?
Gjithashtu, ne ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, i bëjmë thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të tjera të Europës dhe sidomos Shteteve fqinje, anëtare të BE-së, të lehtësojnë proçedurat për marrjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, si një e drejtë themelore e çdo njeriu.
Kisha Katolike në Shqipëri dëshiron të japë kontributin e saj maksimal për promovimin e dinjitetit të njeriut dhe do t’u gjendet pranë të gjithë njerëzve, sidomos më të varfërve, duke shpallur pa pushuar dashurinë dhe drejtësinë.
I lutemi Zotit për shpirtrat e të vdekurve në këtë tragjedi, për gjetjen sa më parë të të humburve dhe që t’u japë forcë familjeve të prekura për përballimin e dhembjes.
Për Konferencën Ipeshkvnore

+ Angelo MASSAFRA
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës
President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

 

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2008 <

webmaster