|
|
THIRRJE
Drejtuar: -Z. Alfred Moisiut President i Republikës
- Z. Fatos Nanos – Kryeministër
- Z. S. Pëllumbit – Kryetar i Parlamentit
- Komunitetit Evropian
- Përfaqësuesve të Trupit Diplomatik
- Mediave Kombëtare dhe Ndërkombëtare
Lenda: Mungesa e energjisë elektrike
Në Veri kemi një situatë të vështirë
të përhapur të varfërisë së çdo lloji,
si papunësia, mungesa e strukturave themelore të jetesës
Sot fatkeqësisht kjo situatë është përkeqësuar.
Veçanërisht, preokupuese është mungesa e energjisë
elektrike, nga ora 8.30 deri me 17.30, dhe natën, e cila po e vë
në krizë bashkësinë civile sepse nuk lejon zhvillimin
e punëve më të rendomta.
Jemi në një situatë aq të keqe, sidomos në kohën
e fundit, nga 14 tetori 2003, e cila duhet të vlerësohet mirë
dhe që kërkon një zgjidhje konkrete.
Ne, Përfaqesuesit e besimeve në Shkodër ndjejmë detyrim
në ndërgjegje tonë për të ngritur zërin
në mbrojtje të personave që vuajnë nga kjo padrejtësie.
Në secilin besim fetarë janë të pranishme thirrje
dhe detyrimi për tu kujdesur për ata që pësojnë
më shumë pasojat negative të situatave të vështira
ose të padrejta.
Ndërsa ankohemi ndaj Autoritetëve Publikë të nivelit
vendor dhe shterëror për shkak të mungesës së
energjisë elektrike bëjmë thirrjen të gjithë
qytetarëve: që të paguajnë energjinë të
cilën e shpenzojmë,
Na lejoni, o Burra e Gra që na qeverisni, që t’Ju thërrasim
të gjithëve, që të merrni seriozisht për zemër
shtresat me të varfëra e Shkodrës dhe të Shqipërisë
së Veriut. Këto janë zonat më të braktisura d.m.th.
të lëna shumë pas dore, nga fillimi i demokracisë!
Si mund të këtë zhvillim ekonomik ose, si mund të
jetohet sot pa energji elektrike? Si mund të shërohen të
sëmurët, si mund të rriten fëmijët e posalindur?
Është e drejtë që qytetarët të paguajnë
energjinë e shpenzuar, por si ka mundësi të paguaj njeriu
që nuk ka kurrfarë të ardhurash as për të sigurar
bukë për vete dhe për fëmijë? Si mund të
paguaj energjinë njeriu që vdes sepse nuk ka të holla për
t’u kuruar në rastet e sëmundjes...?
Kemi rreth ¼ e popullsisë së Shkodrës që jeton
vetëm me ndihmë sociale, shumë të tjerë që
jetojnë vetëm nga pensioni, shumë të varfër në
periferinë e qytetit; dhe të mos harrojmë varfërinë
e fshatrave!
Nuk është e drejtë të ndëshkohen të gjithë
duke mos lëshuar energjinë elektrike për aq shumë
orë gjatë ditës. Si mund të vijnë investitorët
e huaj në këtë situatë? E pra Veriu i Shqipërisë
ka nevojë të madhe për investime!
Tashmë dihet se mungesa e energjisë elektrike paralizon ekonominë
prodhuese duke provokuar kështu mbylljen e ndermarrjeve të vogla
e të mëdha e në njërën anë, e në anën
tjetër nuk lejon hapjen e të rejave, për pasojë është
shtrirja e papunësisë si edhe ikja masive e të rinjve në
shetet tjera të Perëndimit, duke krijuar kështu një
hemoragji që nuk po ndalet dot!
Bëjmë thirrje secilit qytetar dhe gjithashtu secilit person
që ka detyrën për të qeverisur dhe administruar vendin,
në menyrë që gjithësecili të angazhohet sipas
rolit dhe detyrës që ka për të respektuar ligjn duke
kryer detyrat e tyre ndaj Shtetit dhe Institucioneve.
Në pritje të përgjigjes Ju përshëndesim.
Shkodër, 31/10/2003
PËRFAQËSUESIT E KOMUNITETEVE FETARE
titujt kryesorë
|
|