|
|
Ju dua të gjithëve në
Jezu Krishtin”
(1 Kor 16, 24)
Arqidioqeza e Shkodrës në mision
1. Me zemrën plot mirënjohje po të shkruaj, o vëlla
i dashur në Krishtin! Kam përfunduar Vizitën Baritore,
e cila e ka mbajtur dioqezën të angazhuar për më shumë
se një vit (2001-2002). I kam ndër sy fytyrat, fshatrat, kishat;
kam korrur shpresë, dhimbje e pritje; kam parë angazhimin dhe
gjallërinë e çdo bashkësie; kam dëgjuar edhe
atë që është larg fesë sonë. Takimet kanë
bërë që ta njohim më mirë njëri-tjetrin;
bashkëndarja ka qenë më e thellë; së bashku kemi
shpallur, në liturgji, mrekullitë që Zoti bën në
Kishën tonë. Tani të ftoj të përsëritësh
me mua:
“ Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!” (Ps 104, 1).
Po, lavdi buron i bollshëm, përpara dëshmisë së
fesë që kemi kremtuar.
2. Hiri i Hyjit ka vepruar në thellësi gjatë këtyre
viteve! Me të vërtetë Jezu Krishti Zot na ka bërë
trup të Tij dhe të gjithë jemi pjesëmarrës të
së vetmes ecje të jashtëzakonshme të Kishës,
që na bën të futemi gjithnjë e më thellë
në misterin i Krishtit Jezus.
Nuk mund të lë pa thënë se rruga nuk ka qenë
e sheshtë. Ka patur vështirësi si në fillim ashtu
edhe gjatë rrugës, por pikërisht për këtë,
larg qoftë kthimi prapa, shtohet mirënjohja ndaj Teje, o Hyj
i Gjithëpushtetshëm, që nuk lodhesh duke na thirrur në
shëlbim; dhe ndaj Teje, Kishë e dashur e Shkodrës, që
ke mirëpritur hirin, nuk ke patur frikë ta ruash thesarin e
fesë dhe ke dëshmuar sipas dhuratave të nxitura nga Shpirti.
Me të vërtetë Zoti është i madh dhe i mëshirshëm!
3. Me ty, o vëlla i shenjtë, i thur lavd Dhuruesit të
të gjitha dhuratave, dhe para Tij falënderoj, që po bashkëndaj
ecjen me ty. Është bukur të jetojmë të bashkuar
në Krishtin, të mbështetur në një fe të
vetme, të flaktë në bashkësi. Sërish mund t’i
“grahim në ujë të thellë” (krh. Lk 5,
4), plot me shpresë.
Prandaj, me zemër Bariu përsëris ende: “Ju dua të
gjithëve në Jezu Krishtin” (1 Kor 16, 24).
Ne i përkasim fuqisë tërheqëse të Ungjillit!
Secili prej nesh, çdo bashkësi, mbarë dioqeza, mish e
shpirt, jemi të Ungjillit!
Për këtë arsye, o vëlla “të grishur të
jemi shenjtër bashkë me të gjithë ata, që në
cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit”
(1 Kor 1, 2), tani e përgjithmonë të rizbulojmë lajmin
e mrekullueshëm të Ungjillit.
Të ftoj me forcë, meqë “Ungjilli është
fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson” (Rom
1, 16).
Vizita Baritore: vlerësime
4. Pas himnit të lavdit vjen reflektimi. Si Ipeshkëv i familjes
sate famullitare, m’i ke hapur dyert e mikpritjes: takimi ynë
ka qenë një takim feje. Tani, o vëlla, dua të të
bëj pjesëmarrës të reflektimeve që frymëzojnë
zemrën time. Pranoi në fe. Lejo që zemra e Ipeshkvit tënd
të trokasë në zemrën tënde.
5. Në ecjen e rritjes sipas Ungjillit, që frymëzon jetën
e krejt Kishës, Vizita Baritore e Ipeshkvit shpreh kujdesin e Bariut
për grigjën dhe tregon dukshëm bashkimin e popullit të
Hyjit.
Përfundimi me sukses i kësaj vizite është fryt i veprimit
të njëkohshëm të të gjithë protagonistëve
të jetës kishtare:
· të Shpirtit Shenjt para së gjithash. Atij i jemi besuar
që të na i hapë zemrat dhe mendjet për të dalluar
shenjat e pranisë dhe të planit të Hyjit në mesin
tonë;
· të bashkësive të krishtera: ato janë prehri
pjellor i Kishës nënë që na lind në fe. Në
to, të gjithë të pagëzuarit dhe të krezmuarit,
ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e tyre
vepruese në jetën kishtare sipas llojshmërisë së
thirrjeve. Besimtarë laikë, rregulltarë e rregulltare,
meshtarë, të gjithë janë të thirrur që me
veprimin e tyre të bashkëpunojnë në veprën e
ungjillëzimit;
· të Ipeshkvit: si pasardhës i apostujve ai është
dorëzani i njësisë së fesë. Në kujdesin
ndaj grigjës, Atij i është besuar mbarështimi i Fjalës;
Ai dërgon në mision dhe është zanafilla e bashkimit;
me sakramentet, së bashku me vëllezërit e tjerë meshtarë,
përhap plotësinë e shenjtërisë së Krishtit.
Nga kjo pjesëmarrje në meshtari dhe në punën apostolike
të Ipeshkvit, të gjithë meshtarët, si dioqezanë,
ashtu edhe rregulltarë, i shërbejnë të mirës
së krejt Kishës (krh. LG 28).
Mirëpritja vëllazërore, takimet e niveleve të ndryshme,
dialogu i sinqertë dhe ndërtimtar, dëgjimi i ndërsjellë
dhe reflektimi i përbashkët i kanë hapur rrugën një
përshquarje të kujdesshme, për një shpallje të
Ungjillit më në përputhje me nevojat e sotme të Kishës
sonë. Të gjithë, si Bari, i falënderoj përzemërsisht.
6. Çdo famullie apo zone baritore i kam kushtuar një kohë
të volitshme, normalisht disa ditë, duke u ndalur me qetësi
për të mirëpritur personat dhe sugjerimet që ata më
kanë paraqitur. Nuk kanë munguar as takimet me shkollat dhe
me institucionet e tjera.
Kam vënë re se si Zoti është duke na shoqëruar:
kam takuar bashkësi më të gjalla, në përkim me
Planin Baritor të dioqezës, të frymëzuara nga përkushtimi
i admirueshëm i meshtarëve, rregulltarëve, motrave dhe
operatorëve baritorë. Një vëmendje të veçantë
u kam kushtuar fëmijëve dhe të rinjve. Janë duke u
rritur gjithnjë e më shumë disa lëvizje kishtare,
ku prania e besimtarëve laikë është gjithnjë
e më e madhe. Shumë bashkësi, falë ndihmës së
Kishave simotra dhe bamirësve tani gëzojnë një Kishë
të hijshme si dhe struktura shoqëroro-baritore. Por kjo rritje
nuk ka qenë homogjene: sidomos në nivel strukturash, disa zona
duken të privilegjuara në krahasim me disa zona të tjera.
Për këtë arsye mbeten shumë nevoja shpirtërore
dhe materiale të cilave duhet t’u bëjmë ballë.
Përsa i përket dashurisë kam takuar gjeste të admirueshme
solidariteti dhe angazhimi në ndihmë të atij që është
më shumë në vështirësi: në veçanti
po përmend flinë e atyre që i janë kushtuar krejtësisht
ndihmesës së të sëmurëve dhe të jetimëve.
Ndërsa në botë fryjnë erëra lufte, falënderoj
Zotin për dëshminë e bashkekzistencës paqësore
mes katolikëve dhe vëllezërve shqiptarë të fesë
ortodokse dhe myslimane, gjithmonë kam bërë thirrje për
këtë stil jete dhe i lus të gjithë që të
mos harrojnë se problemet e mundshme mund të gjejnë zgjidhje
vetëm në dialog dhe respekt të ndërsjellë. Më
pas bekoj këmbënguljen, ndershmërinë dhe seriozitetin,
me të cilën shumë njerëz e jetojnë punën
e tyre me për të dhënë ndihmesën e vet në
ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, ku
të mos mbizotërojë më i forti dhe më i korruptuari.
Kjo është rruga në të cilën duam dhe duhet të
ecim, pasi është rruga e Ungjillit. Çdo besimtar është
i thirrur të japë ndihmesën e vet aty ku ndodhet dhe sipas
mundësive të kohës, të njohurive, të ekonomisë,
etj.
Porosi për të gjitha famullitë
7. “I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!”
(1 Kor 9, 16) me klithmën e zjarrtë të Palit shpreh njërën
prej detyrave të mia themelore si Ipeshkëv. Edhe mua më
ka bërë për vete Hyji dhe më ka vënë në
shërbim të Ungjillit. Kam marrë shërbesën për
t’i mësuar popullit fenë, të cilës duhet t’i
besojnë dhe të cilën duhet ta zbatojnë me praktikën
e jetës (krh LG 26). Duke u bërë shërbëtor i
të vetmes Fjalë që na shpëton, në përfundim
të Vizitës Baritore po t’i jap ty, o vëlla shumë
i dashur, dhe mbarë dioqezës këto porosi, që tashmë
i kam shprehur në të gjitha famullitë, që të
jenë ndihmë dhe orientim për të gjithë.
8. Në marrëdhënien mes Fjalës së Hyjit dhe Shpirtit
Shenjt vihet qendra e dinamikës shpëtimtare dhe e vetë
jetës kishtare. Në fakt, Fjala e Hyjit që gjendet në
Shkrimet e Shenjta është Jezusi i vdekur dhe i ngjallur. Pasi
është çliruar në prehrin e Kishës, për
virtyt të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kjo Fjalë e Hyjit
nxit dhe plazmon fenë e të krishterëve. Për këtë
arsye, kjo Fjalë e efektshme, është protagonistja e jetës
së Kishës, e misionit dhe e ungjillëzimit të saj.
Në fakt, kur ajo shpallet, meditohet, lutet dhe kremtohet, me fuqi
të Shpirtit Shenjt, nxit një kthim të ripërtërirë
dhe të vazhdueshëm. Edhe Ati i Shenjtë na këshillon
“të ushqehemi me Fjalën, për të qenë shërbëtorë
të Fjalës në angazhimin e ungjillëzimit: me siguri
kjo është një përparësi për Kishën
në fillim të mijëvjeçarit të ri” (Novo
Millennio Ineunte, 40). Pikërisht në kontekstin aktual shoqëror,
kaq shpesh të shënuar nga dhuna dhe padrejtësia, vetëm
dëgjimi i përvuajtë i Fjalës që shpëton
mund ta ndriçojë rrugën, ta ngjallë guximin dhe
ta rindezë hovin e zellit apostolik. Vetë jeta e të krishterëve
duhet të bëhet fjalë e Hyjit e mishëruar në botë
e në histori. Neve, na është besuar detyra që ta ruajmë
shpresën për botën mbarë duke thirrur emrin e Zotit
Jezus, emrin e vetëm në të cilin na është dhënë
shpëtimi.
9. Nga dëgjimi në kremtim. Dita e diel të jetohet si ditë
e posaçme e fesë. Në të, në fakt, bashkësia
e krishterë kremton ditën e Zotit të Ngjallur, dhuratën
e Shpirtit, Pashkën e vërtetë të javës. Kremtimi
eukaristik i së dielës, i bashkon çdo javë të
krishterët si familje e Hyjit, rreth tryezës së Fjalës
dhe të Bukës së jetës. Aty, bashkësia shpallet
dhe kultivohet vazhdimisht. Aty, mund të pranojmë fatin, drejt
të cilit jemi të orientuar së bashku me vëllezërit
dhe me motrat përkrah të cilëve jetojmë. Në këtë
mënyrë, kremtimi eukaristik në vetvete bëhet edukim
misionar i bashkësisë besimtare. Për këtë do
të doja të ngulja këmbë duke bërë të
miat fjalët e Atit të Shenjtë “pjesëmarrja në
Eukaristi të jetë me të vërtetë për çdo
të pagëzuar, zemra e së dielës, një angazhim
prej të cilit nuk mund të heqin dorë; kjo pjesëmarrje
të jetohet jo si shkarkim nga një rregull, por si nevojë
për një jetë të krishterë me të vërtetë
të vetëdijshme dhe koherente” (Novo Millennio Ineunte,
36). Prej këtu rrjedh detyra që mbarështuesit kremtues
ta edukojnë popullin për liturgji. Është e rëndësishme,
edhe pse shpesh në kushte të vështira dhe të përkohshme
të objekteve të kultit, që gjithçka të bëhet
sa më mirë, që liturgjia të jetë e hijshme, e
përgatitur me kujdes dhe jo e improvizuar, serioze, e thjeshtë
dhe e bukur, e aftë të tregojë mrekullitë e Besëlidhjes
së amshueshme të Hyjit me njerëzit.
10. Të dëgjosh dhe të kremtosh Fjalën do të
thotë të mirëpresësh Birin në praninë e
tij si Zot. Ne hyjmë “në Krishtin”, dhe Ai, me Atin,
përmes Shpirtit Shenjt, vendos banesën e vet në mesin tonë
(krh. Gjn 14, 23). Nga kjo Prani lind lutja që qëndron në
zemrën e misterit të marrëdhënies birnore me Hyjin,
në Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Ju ftoj të gjithëve
të rizbuloni artin e lutjes dhe ta rivendosni në qendër
të jetës suaj dhe të çdo veprimtarie. Është
një angazhim që i është besuar të gjitha bashkësive,
të gjithë të rriturve, të rinjve dhe fëmijëve.
Në mënyrë të veçantë dëshiroj të
bëhem i afërmi i të gjithë prindërve: me bekimin
e Ipeshkvit, Atit në fe, jini mësues të lutjes! Edukojini
fëmijët tuaj të luten, me shembull dhe me mësim, duajeni
lutjen! Gjatë përndjekjes komuniste shumë burra dhe gra,
duke rrezikuar edhe burgun, kanë marrë forcë dhe ngushëllim
nga lutja e Rruzares së Shenjtë: vazhdoftë të jetë
edhe sot e pranishme lutja në familjet tuaja, edhe sipas këshillës
së Atit të Shenjtë, Gjon Pali II, i cili në Letrën
e fundit Apostolike “Rosarium Virginis Mariae”, datë
16.10.2002, në fillim të 25 vjetorit të Pontifikatit, e
ka shpallur vitin shoqëror tetor 2002 – tetor 2003, vit të
Rruzares. Është në lutje që nga dëgjimi i Fjalës
kalojmë në zbulimin e një Pranie, dhe i hapemi një
dialogu që bëhet bashkim. Kështu, lutja e Rruzares së
Shenjtë nuk është thjesht përsëritja e disa formulave,
është një soditje që i bëhet jetës së
Jezusit të vdekur dhe të ngjallur bashkë me Marinë.
Syri ynë bëhet soditës: ne marrim pjesë në shikimin
me të cilin Hyji sheh krejt historinë, krijesat, ne. Atëherë
ne shohim që gjithçka është hir, gjithçka
është dhuratë e Hyjit.
Dioqezë e Shkodrës, kemi nevojë për soditës që
në jetën e përditshme të ngjallin shpresë, e
cila lind nga të qenit pjesëmarrës të zemrës
së Hyjit!
11. Pastaj është një detyrë që dita ditës
më duket gjithnjë e më e ngutshme: e gjithë bashkësia
e krishterë duhet të ndihmohet të pjekë një fe
të rritur. Nxënësi është ai që “di”
se kush është Jezusi dhe e di në fenë e Kishës.
Prandaj është në gjendje të kuptojë dhe t’u
përgjigjet, sipas së vërtetës, pyetjeve themelore
mbi Hyjin, mbi njeriun, mbi kuptimin e botës dhe të jetës.
Një fe e rritur ka forcën ta mendojë dhe ta lexojë
historinë, duke njësuar gjithçka në Krishtin.
Për këtë arsye, të gjithë, duhet ta ndiejnë
në vetën e parë përgjegjësinë për t’u
bërë “misionarë”. Në fakt, çdo
nxënës i Krishtit, duke mos përjashtuar askënd, është
i thirrur të jetë shpallje e gjallë e Ungjillit. Të
mësojmë t’i gjallërojmë me fe të gjitha
mjediset dhe vendet ku jetojmë! Të provojmë t’i ushqejmë
me fe të gjitha marrëdhëniet që endim çdo ditë!
Nuk bëhet fjalë të nisemi për vende të largëta;
secili të bëhet i afërmi i atij që ka pranë:
të fillojë ta përhapë fenë e Krishtit mes atyre
me të cilët ka lidhje profesionale apo pune, farefisnore apo
miqësore. Mes kolegësh, mes miqsh, mes familjarësh, mes
farefisit, gjithçka në ne duhet të shprehë një
dëshmi të gjallë, të bërë me vepra dhe me
fjalë. Të mos harrojmë fjalët profetike të Koncilit
II të Vatikanit: në larminë e pafund të gjendjeve
“shumë njerëz as nuk mund ta dëgjojnë Ungjillin,
as nuk mund ta njohin Krishtin veçse nëpërmjet laikëve
që janë afër tyre” (AG 21).
Për këtë arsye ju bëj thirrje të gjithëve
që të kultivoni një “përshpirtëri misioni”,
që ta bëjë më të fortë angazhimin dhe nevojën
për të futur, në shoqërinë tonë, një
vizion të krishterë të jetës. Bëhet fjalë
për një “kthim kulturor” të vazhdueshëm,
ku mbarë dioqeza dhe çdo bashkësi, nga më të
voglat tek më të mëdhatë, të mendojë se
si mund ta mishërojnë Ungjillin, të frymëzuara nga
Tradita autentike e Kishës dhe të hapura për të mirëpritur
gjithçka është me të vërtetë njerëzore.
Ungjillëzimi, në fakt, duhet të bashkëpërcaktohet
edhe në kuptimin kulturor. Prej këtu rrjedhin nevoja të
llojllojshme.
12. Duke patur parasysh moshat e ndryshme, shkon duke u shtuar dhe duke
u ripërtërirë angazhimi për një plan të
gjerë katekistik: çdo sakrament ka nevojë për një
kohë të përshtatshme përgatitjeje, që të
ndihmojë në krijimin e njësisë mes asaj që kremtohet
dhe dëshmisë së jetës. Askush nuk mund të pretendojë
të kërkojë një sakrament feje dhe në të
njëjtën kohë t’i mbyllet përkujdesit amënor,
me të cilën Kisha shoqëron. Në lidhje me këtë,
dëshiroj të theksoj kontributin e çmuar që mund
të japin edhe ata që kanë përfunduar studimet pranë
Institutit Katekistik. Falas dhe pa fituar asgjë nga pikëpamja
materiale, ata mund të vënë në shërbim të
të tjerëve atë që falas kanë marrë: dhuratën
e fesë dhe mundësinë për të thelluar nëpërmjet
studimit misterin e Krishtit dhe të Kishës. Meshtarët duhet
të jenë të vëmendshëm që të mund të
bëjnë një ndryshim të guximshëm perspektive dhe
brenda mundësive të tyre të orientojnë për një
ndjeshmëri me të vërtetë kishtare. Në veçanti:
a) Në lidhje me sakramentet e fillimit të jetës së
krishterë (Pagëzimi, Kungimi, Krezmimi): shumë të
rinj dhe të rritur nuk janë as të pagëzuar! Të
mendojmë së bashku për një itinerar katekumenal, i
cili mund t’i fusë në bashkësinë e krishterë.
Vetë fjala “fillim i jetës së krishterë”
tregon fillimin dhe hyrjen në një jetë të re, pikërisht
në atë të njeriut të ri në gjirin e Kishës.
Këtu duhet të angazhojmë energji më të mëdha,
pasi me guxim, mençuri dhe krijimtari, nëpërmjet një
reflektimi teologjiko-baritor të arrijmë të dallojmë
propozime konkrete dhe domethënëse në bashkësitë
tona, edhe nëpërmjet kontributit të çmueshëm
të lëvizjeve kishtare.
b) Në lidhje me Sakramentin e Kurorës së Martesës:
nuk mund të mos theksoj seriozitetin dhe rëndësinë
e normave që Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare ka miratuar: Sakramenti
i Kurorës së Martesës nuk mund të kremtohet pa marrë
më parë sakramentet e fillimit të jetës së krishterë,
pa një përgatitje të përshtatshme dhe pa respektimin
e të gjitha normave kanonike dhe liturgjike. Për më tepër
nuk mund ta lidhin Sakramentin e Kurorës së Martesës vajzat
e mitura, para se të mbushin moshën 18 vjeçe.
Prindërve dhe të gjithë të rriturve u kujtoj se vetë
natyra e martesës së krishterë është që
të jetë një thirrje, e cila i bën të martuarit
një bashkësi dashurie dhe besnikërie, që ka për
themel dhe model atë të Krishtit dhe të Kishës (krh.
Ef 5). Për këtë arsye, mos i fejoni vajzat pa pëlqimin
e tyre, kjo cenon në rrënjë dhurimin e lirë, të
hareshëm dhe total që të martuarit në mënyrë
të ndërsjellë janë të thirrur të shkëmbejnë
për gjithë jetën. Në mënyrë të veçantë
kujtohuni se një vajzë e mitur akoma nuk mund të marrë
përsipër përgjegjësinë e një zgjedhjeje
që do ta angazhojë për gjithë jetën. Në
fund, është koha të tejkalohet një mendësi, e
cila thotë se një vajzë njëzetvjeçare nuk është
më e përshtatshme për martesë duke e mbajtur si të
kaluar në moshë! Po shënoj këto pika, pasi për
fat të keq janë thellësisht të rrënjosura në
disa aspekte të traditës së popullit tonë: ata duhet
të ndreqen në dritën e Ungjillit.
Bekoji o Zot, familjet tona, qofshin ato bashkësi feje, shprese dhe
dashurie! Bekoji të gjithë të martuarit, që të
mund ta dëshmojnë me jetë sakramentin që kremtojnë
në fe!
13. Mbasi laikët kanë një mënyrë të vetën
për të marrë pjesë në misionin e Kishës
është e nevojshme që të jenë tërësisht
të formuar nga pikëpamja njerëzore, shpirtërore dhe
doktrinore sipas ndryshueshmërisë së moshave, të kushteve
dhe të prirjeve, duke mësuar të gjykojnë dhe të
veprojnë në dritën e fesë (krh. AA. 29). Mësimi
i Koncilit II të Vatikanit si asnjëherë është
mjaft aktual. Në mënyrë të veçantë tani
po mendoj për ju, të rinj të dioqezës së Shkodrës:
mos kini frikë të jetoni rrënjësinë e Ungjillit!
Mos e lini veten të gënjeheni prej premtimeve të lehta!
Kujdesuni që të formoni një ndërgjegje të drejtë
dhe një zemër të pandarë! Rrituni në Krishtin
si persona të fortë dhe të lirë, të aftë
për të mbartur peshën e përgjegjësive tuaja,
të pasur me ndjenja drejtësie dhe ndershmërie, të
aftë për maturi në gjykime e në sjellje. Së bashku
me Papën nuk ngurroj t’ju kërkoj “një zgjedhje
rrënjësore feje dhe jete, t’ju tregoj një detyrë
të mrekullueshme: atë që të bëheni: ‘rojtarë
të mëngjesit’ (krh. Is 21, 11-12) në këtë
agim të mijëvjeçarit të ri” (Novo Millennio
Ineunte, 9).
14. I shënuar nga dëshira e zjarrtë dhe nga dinamizmi
misionar po u drejtohem atyre zonave të dioqezës që vuajnë
nga mungesa e klerit, ku megjithë zellin dhe përkushtimin e
meshtarëve, të rregulltarëve dhe të rregulltareve,
jeta liturgjike pothuajse mungon apo është kaq sporadike sa
gati nuk lejon që bashkësia e krishterë të vazhdojë
një ecje të përbashkët rritjeje. Për këtë
arsye po ju besoj të gjithëve, në veçanti të
sëmurëve dhe atyre që vuajnë, angazhimin misionar
që të luten për thirrjet meshtarake dhe rregulltare në
tokën tonë shqiptare. Të bashkuar në Krishtin, dhuroni
vuajtjen tuaj që të rinjtë, të thirrur prej Zotit,
të mos ligështohen në dhurimin total të vetvetes Hyjit
dhe Kishës. Në të njëjtën kohë krejt dioqeza
duhet të ndihet e angazhuar në Baritoren e Thirrjeve, në
fakt “të gjithë pjesëtarët e Kishës, duke
mos përjashtuar askënd, kanë hirin dhe përgjegjësinë
që të kujdesen për thirrjet” (Pastores dabo Vobis,
41). O ju prindër, mos pengoni përgjigjen e lirë të
fëmijëve tuaj, lejojuni atyre, edhe vajzave, të mirëpresin
me bujari dhuratën e thirrjes për të ndjekur Zotin në
rrugën e meshtarisë mbarështuese apo të kushtimit
rregulltar. Si familje e krishterë krijoni kushte të favorshme
për lindjen e thirrjeve. E ju, vëllezër meshtarë,
rregulltarë e rregulltare, nxitni dhe tregoni, në të gjitha
rrethet e baritores së zakonshme, dimensionin e jetës si thirrje.
Gjeni kohë për t’i dëgjuar të rinjtë dhe
për t’i ndihmuar ata që të zbulojnë kuptimin
e ekzistencës së tyre brenda planit aq të gjerë dhe
të mrekullueshëm të Hyjit, edukojini të bëjnë
heshtje, të meditojnë, të luten. Angazhohuni sidomos që
të keni shumë momente takimi personal: drejtimi shpirtëror
dhe sakramenti i pajtimit le të jenë vendet e privilegjuara
dhe sekrete të përshquarjes shpirtërore dhe të verifikimit
të rritjes në ndjekjen e Krishtit.
15. Dashuria shpreh zemrën e gjallë të Kishës. Ajo
buron nga hiri, nga bashkimi me Hyjin Atë, Birin dhe Shpirtin Shenjt.
Ne marrim pjesë në jetën e Hyjit. Të duash Hyjin do
të thotë të duash në dashurinë me të cilën
ai do, do të thotë të hysh “në, me dhe për
Krishtin”, në vuajtjen njerëzore, në botën e
mëkatit, për të bashkëndarë me bashkësinë
e besimtarëve shpresën që nuk zhgënjen, dhe me njerëzimin,
padurimin “që edhe vetë krijesa të lirohet nga skllavërimi
i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë
dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8, 21). Të jetosh
dashurinë do të thotë të jetosh logjikën e Mishërimit.
Nevojat që na shqetësojmë janë të shumta, varfëri
të vjetra dhe të reja poshtërojnë dinjitetin njerëzor.
Tradita e krishterë e popullit tonë gjithmonë e ka lartësuar
zemrën e hapur si karakteristikë të identitetit të
vet, siç e thotë edhe shprehja: “Bukë, kripë
e zemër”. Kështu, me krenari mund të dëshmoj
se, edhe tani, në çdo bashkësi të krishterë
të dioqezës sonë, qoftë e madhe apo e vogël,
shumohen çdo ditë gjeste solidariteti dhe nxitjeje njerëzore,
të rrënjosura në kërkesat më të thella të
Ungjillit, nganjëherë në përvujtërinë e
fshehtësisë, herë të tjera në plane me rreze
të gjerë veprimi. Në këtë lumë pjellor dashurie
do të doja të privilegjoja këto përkujdesje:
a) Në një mendësi të prirur për të justifikuar,
madje deri në lavdërimin e hakmarrjes, dhurimi i faljes për
padrejtësitë e pësuara është shenjë rrezatuese
dashurie. Nganjëherë padrejtësitë apo dhuna e bëjnë
faljen gati-gati një gjest heroik. E pra, pikërisht në
soditjen e zemrës së shporuar të Krishtit nuk mund të
qëndrojmë veçse të hapur ndaj dhuratës së
mëshirës, për ta marrë e për ta dhënë.
Para së gjithash dëshiroj të falënderoj familjet,
të cilat nën shembullin e Jezu Krishtit, kanë falur dhe
janë pajtuar me familjet që kanë qenë në gjak
apo kanë patur ngatërresa. Përveç kësaj, e
ndiej të ngutshme nevojën për të falënderuar
dhe për t’u dhënë zemër, në emër të
të gjithëve dhe përzemërsisht, atyre personave, meshtarë
e besimtarë laikë, që i kushtohen detyrës shumë
delikate dhe të vështirë të pajtimit të familjeve,
të cilat janë të copëtuara nga zia, dhuna, ngatërresat.
Ju jeni pajtuesit, për të cilët Zoti i ruan lumturitë
e tij! (krh. Mt 5, 9).
Tepër, tepër – e them me dhimbjen e një ati –
janë familjet e mbyllura në shtëpi, të burgosura në
spiralen e urrejtjes hakmarrëse. Burra, të rinj dhe të
moshuar, madje edhe gra e fëmijë, janë të shtrënguar
të jetojnë me frikë. Çdo ditë vuajnë zgjedhën
e skllavërisë, meqë jetojnë me tmerrin e kanosjes
së vdekjes për ta dhe për të afërmit e tyre.
Jo vëllezër, Hyji nuk e do hakmarrjen: “Vallë, a
i kënaqem vdekjes së mëkatarit – është
fjala e Zotit Hyj – e jo që të kthehet nga sjellja e vet
e të jetojë? Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit”
(krh. Ez 18, 23.31). Pra, si mund të këputen vargonjtë
e vdekjes? Të japim të parët një dëshmi pajtimi!
Ftoj të gjithë familjet katolike dhe çdo ndërgjeje
të ndriçuar nga feja për një “Falje të
Përgjithshme”, për ta dhënë e për ta marrë.
Një falje çliruese, një falje për jetën, një
falje dashurie, një falje shprese, kjo është e vetmja rrugë
shpëtimi. Nderi ynë i vërtetë, në fakt, është
në gjakun e Birit të kryqëzuar, të derdhur për
faljen e mëkateve tona. Në Të edhe zemra jonë mund
të gjejë forcën për t’iu hapur faljes së
ndërsjellë. Askush të mos ju gënjejë më:
vetëm falja është rruga e jetës dhe burimi i paqes.
b) Nxis me një zell edhe më të madh kujdesin ndaj jetës
në të gjitha aspektet e saj: dështimi, hakmarrja, dhunimi
i të drejtave të të varfërit, dhuna ndaj grave dhe
fëmijëve, shfrytëzimi i personave, fitimet e papastra,
tregu i prostitucionit, janë mëkate të rënda të
shoqërisë në të cilën jetojmë dhe, nuk mund
të ndalemi vetëm tek dënimi i vendosur dhe më se i
drejtë! Bashkësia e krishterë me qëndrueshmëri
dhe besim duhet të zhvillojë një pedagogji me frymëmarrje
të gjerë që hap ndaj bukurisë së jetës,
zbulimit të ekzistencës si thirrje, kuptimit të vërtetë
të seksualitetit njerëzor, dhurimit të vetvetes, vizionit
të njeriut në tërësinë e tij. Një program,
pra, i aftë që të mposhtë marrëzinë dhe
banalitetin e një ekzistence jo të shpërblyer.
c) Dëshiroj të bëj edhe një thirrje të veçantë:
“Në emër të Dashurisë që është
Krishti, mos mbillni drogë!”. Miliona njerëz janë
bërë skllevër të tregut të saj djallëzor.
Edhe në dioqezën tonë janë duke u përhapur si
mbjellja ashtu edhe konsumi. Jetët e shkatërruara të shumë
të rinjve të mos jenë çmimi i një fitimi të
turpshëm që ndot duart tona. Ju përgjërohem dhe në
emër të Zotit tonë Jezus ju urdhëroj: “Askush
të mos bashkëpunojë në asnjë mënyrë
me shitësit e vdekjes!”.
d) Pastaj është një arsye e rëndë shkandulli
një mendësi e përhapur, që gjarpëron brenda shumë
rretheve të jetës shoqërore e politike të vendit duke
paralizuar në këtë mënyrë rritjen e saj. Në
fakt, tepër shumë është përhapur vjedhja dhe
korrupsioni. Dua të përsëris, edhe një herë,
që pasurimi i padrejtë dhe përvetësimi i paligjshëm
janë moralisht të papranueshëm dhe mbetet i pandryshueshëm
dënimi i Kishës në lidhje me këdo që është
fajtor. Detyra për të kthyer gjënë e vjedhur ose të
paktën vlerën e saj ekonomike, si dhe ndreqja e dëmit të
bërë është gjithmonë një detyrë e padiskutueshme
drejtësie!
e) Nuk është e drejtë që prindërit, shpesh të
moshuar, të braktisen nga të gjithë fëmijët për
faktin se këta të fundit duan të shkojnë jashtë
shteti. Tashmë, një gjë e tillë është bërë
një plagë shoqërore në rritje dhe, në një
të ardhme jo të largët, do të ketë rrjedhojat
e veta dramatike. Sigurisht, ata largohen me shpresën e një
të ardhmeje më të mirë dhe çdo prind këtë
dëshiron për fëmijën e vet. Po me çfarë
çmimi? Kush do t’i mbështesë zemrat e tyre të
moshuara të sprovuara nga dhimbja e largimit dhe nga mungesa e krijesave
të dashura? Të mos gënjejmë: një telefonatë
nuk mund ta mbushë zbrazëtirën e papërshkrueshme që
peshon në zemrat e të moshuarve të braktisur! Jo, nuk është
e drejtë që të gjithë fëmijët të ikin.
Është detyrë njerëzore dhe e krishterë që
dikush të qëndrojë me prindërit dhe të përkujdeset
në emër të vëllezërve e motrave të tjerë.
Në të njëjtën kohë është detyrë
njerëzore dhe e krishterë që fëmijët të
cilët ikin të kujdesen, edhe ekonomikisht, për atë
që merr përsipër të kujdeset për prindërit.
Ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur mes mijëra
vështirësish, janë kujdesur për ne, nuk mund të
mos ua kthejmë këtë dashuri. Ju përgjërohem:
mos i braktisni prindërit tuaj!
f) Varfëri të reja presin akoma përgjigje të përshtatshme:
si ta shtojmë interesin e të gjithëve për të
mirën e përbashkët? Varfëria dhe papunësia, ikja
në masë jashtë shteti, shuajnë në zemrën
e shumë njerëzve çdo shpresë për të ardhmen.
Shumë të rinj braktisin shkollën. Sidomos vajzat: janë
të pakta ato që ndjekin shkollën e mesme, shumë prej
tyre nuk arrijnë të përfundojnë as tetëvjeçaren.
Më lejoni t’ju bëj një thirrje ju o prindër:
bashkohuni për të shoqëruar vajzat në shkollë;
nuk mund të jetojmë gjithmonë nën peshën e frikës:
të bashkuar mund t’i mposhtim frikat dhe problemet e tjera!
Varfëri të tjera të reja në qytet shfaqen sidomos
në periferi ku masive është ardhja e atyre që zbresin
nga malet. U bëj një thirrje të fortë shkodranëve
që të mirëpresin banorët të cilët kanë
ardhur për të bërë një jetë më njerëzore
dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë;
ashtu edhe të ardhurve në qytet e në periferi që të
integrohen në të gjitha aspektet e jetës së qytetit.
A do të arrijë dashuria e krishterë t’u japë
përgjigje të përshtatshme këtyre problemeve që
sjellin vuajtje?
g) Menjëherë pas rënies së komunizmit, të shtyrë
nga urgjenca dhe nevoja, u derdhën mbi Shqipërinë ndihma
të shumëfishta. Edhe përkujdesja e Kishës së
Gjithmbarshme na u gjend afër në mënyrë të jashtëzakonshme,
si nëpërmjet shumë organizmave asistence të Vendeve
të ndryshme, ashtu edhe falë mijëra përkujdesjeve
të misionarëve. Por nuk kanë munguar keqkuptimet: në
mendësinë e përbashkët tepër shpesh Kisha është
barazuar me ndihmat ekonomike! Ashtu si shumë shpesh marrëdhëniet
me meshtarët dhe me motrat janë cenuar nga pretendime apo dëshira
për shpërblime materiale. Kjo ka sjellë dëme të
rënda dhe vonesa në një ungjillëzim autentik! Për
fat të keq një mendësi e këtillë vazhdon, në
shumë raste, ende sot. Ka ardhur koha që krejt bashkësia
e krishterë të bëjë një shqyrtim ndërgjegjeje
dhe një ndryshim rrënjësor mendimi mbi veprimin e baritores
dhe të dashurisë. Nuk mund të biem në një lloj
pasiviteti. Gjithmonë, në çdo epokë të historisë
sonë, edhe gjatë përndjekjeve më të egra, kurrë
nuk ka munguar mençuria e gjallë dhe bujaria vepruese e zemrës
shqiptare të ndriçuar nga feja. Duke bashkëndarë
jetën dhe burimet tona, përsa të varfra janë, do të
mund të fillojmë një rritje të qëndrueshme. Edhe
në Planin Baritor të dioqezës kisha zbërthyer parimin
“shqiptari të ndihmojë shqiptarin” (IV, 3), tani
në këtë perspektivë kërkoj që në të
gjitha famullitë Këshilli i Kishës të bëhet Këshill
Baritor. I drejtuar nga famullitari, në një përshpirtëri
bashkimi, të nxisë veprimtarinë baritore dhe të bëjë
që të gjithë të kujdesen për më të
varfrit e për më nevojtarët. Përveç kësaj
në çdo famulli të bëhet regjistrimi i popullsisë:
është shumë e rëndësishme të kemi të
dhëna reale që të mund të njohim edhe më mirë
e t’u bëjmë ballë situatave më të vështira,
në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë
për të moshuar, gra, vajza e fëmijë të braktisur.
16. Këto janë porositë që ia besoj zemrës sate
besimtare, o vëlla i dashur në Zotin, që në lutje
dhe në angazhim të mund të bëhen të tuat dhe
të mbarë dioqezës. Të mos na trembin vështirësitë:
ngushëllohemi prej shembullit të lënë nga shumë
dëshmitarë të fesë gjatë diktaturës komuniste:
hiri i besnikërisë ndaj Zotit, deri në martirizim, është
forcë dhe nxitje për jetën tonë kishtare. Duhet ta
ruajmë me xhelozi kujtimin dhe t’i lejojmë gjakut të
tyre ta bëjë pjellore Kishën tonë në një
qëllim të ripërtërirë imitimi. Në fakt,
ata na shtyjnë të ecim gjurmëve të tyre: kanë
mirëpritur shpalljen e Ungjillit, kanë luftuar luftën e
mirë, kanë përfunduar vrapimin, kanë ruajtur fenë.
Zoti, gjykatës i drejtë, do t’u dorëzojë atyre
kurorën e jetës. Ndërkohë, në bashkim me ne,
presin me dashuri Ardhjen e tij (krh. 2 Tim 4, 7-8). Në kujtimin
e shenjtërisë së Kishës, që i ka frymëzuar
martirët tanë, i kërkojmë të gjithë së
bashku Zotit të Ngjallur, që të fillojmë një
ecje të vërtetë kthimi. Në vazhdën e kësaj
dëshmie ta bëjmë tonën dëshirën e tyre të
zjarrtë për një shoqëri më të drejtë,
më vëllazërore, më në përkim me dëshirat
e Hyjit, të lirë nga frikat, kompromiset dhe hipokrizitë.
Atëherë, shpallja që është në zemër
të misionit, do të tingëllojë më qartas: shpallja
e mëshirës së Hyjit, e faljes së mëkateve, e
shpëtimit në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit, të kryqëzuar
dhe të ngjallur.
Data 10 nëntor 2002, ka qenë për të gjithë arsye
gëzimi dhe ngushëllimi, kur, pasi Selia e Shenjtë na dha
lejen, filluam Çështjen e Lumturimit apo të Shpalljes
së Martirizimit të grupit të parë të përbërë
nga 40 Shërbëtorë të Hyjit, pjesa më e madhe
e të cilëve gjatë përndjekjes së regjimit komunist
dëshmoi, deri në derdhjen e gjakut, besimin në Krishtin
Jezus. Është një ngjarje që na mbush me gëzim
dhe na nxit që të mbledhim dëshmitë për të
arritur sa më shpejt në një përfundim të mbarë
të të gjitha procedurave kanonike.
Një perspektivë e re për Dioqezën
17. Vallë si mund të jetë e efektshme shpallja e Ungjillit
nëse bashkësia e krishterë nuk mishëron dhe nuk shfaq
dhuratën e bashkimit? Dashuria, në fakt, është dhurata
më e madhe e Shpirtit në Kishë. Njeriu merr pjesë
në jetën hyjnore, pasi është bërë pjesëtar
i kësaj jete nga Shpirti Shenjt në dashurinë që bashkon
tre personat hyjnorë, dashuri që na është shfaqur
plotësisht në vdekjen e Jezusit në kryq. Ashtu si Personat
hyjnorë janë të bashkuar në dashuri, edhe në
Kishë, njerëzit janë të bashkuar njëri me tjetrin
nga e njëjta dashuri, nëpërmjet Shpirtit Shenjt që
bashkon dhe dërgon. Misioni dhe bashkimi janë të lidhura
ngushtë nëpërmjet dhuratës së hirit! Pra, bëhet
e nevojshme, ashtu si fton edhe Ati i Shenjtë: “përpara
se të programoni nisma konkrete, nxitni një përshpirtëri
bashkimi, duke e bërë të dalë si parim edukues në
të gjitha vendet ku plazmohet njeriu dhe i krishteri” (Novo
Millennio Ineunte, 43).
18. Bashkësitë tona të bëra të paluhatshme nga
Fjala që ndërton, janë më të thirrura se kurrë
për të qenë shenja njësimi dhe shkolla bashkimi, duke
i treguar në këtë mënyrë krejt njerëzimit
se “të gjithë ata që janë të Krishtit,
duke patur Shpirtin Shenjt, formojnë një Kishë të
vetme dhe janë të bashkuar mes tyre në Të” (LG
49). Çfarë dëshmie më të mirë na është
dhënë për të bërë! Çfarë misioni
më të lartë! Të jap zemër pra, o vëlla në
fe, “të bësh çmos ta ruash njësinë e
Shpirtit me anë të paqes që bashkon” (krh. Ef 4,
3). Në perspektivën e bashkimit të gjithë besimtarët,
famullitë, urdhrat rregulltarë, lëvizjet kishtare, institucionet
rregulltare të pranishme në dioqezë duhet ta verifikojnë
apo ta rimendojnë praninë dhe veprimin e tyre: “të
mos shpresojmë rrejshëm: pa këtë ecje shpirtërore,
pak do të shërbenin mjetet e jashtme të bashkimit. Do të
bëheshin pajisje pa shpirt, maska të bashkimit më tepër
se rrugë të saj të shprehjes dhe të rritjes”
(Novo Millennio Ineunte, 43).
19. I shtyrë nga këto reflektime kam vendosur të bëj
një ndarje administrative të dioqezës në katër
zona baritore. Kjo jo vetëm do të lejojë të realizohen
nisma ndërfamullitare më të efektshme dhe me frymëmarrje
të gjerë, por do të favorizojë bashkimin dhe bashkëpërgjegjësinë
e të gjithëve, besimtarë laikë, meshtarë, rregulltarë
e rregulltare. Nuk mund t’ia fshehim vetes, në fakt, tundimin
e një farë individualizmi baritor, i cili, edhe pse tregon në
persona të veçantë një bujari të admirueshme,
rrezikon një protagonizëm jo të matur dhe e mbyll famullinë,
institucionin apo lëvizjen kishtare ndaj nevojave më të
gjera të famullive të tjera, të dioqezës dhe të
krejt Kishës. Një kthim i guximshëm për të krijuar
bashkim, sjell madje bashkëpunimin, mbështetjen e ndërsjellë,
është nxitje dhe inkurajim për të gjithë besimtarët,
është përplotësim dhuratash, është bashkërenditje
e mençur, ka më shumë efektshmëri në veprim…
sa shumë avantazhe!
20. Është e mrekullueshme ta rimendosh sipas një bashkimi
bashkëpërgjegjës, atë që të kam paraqitur
në këtë letër: formimin dhe vlerësimin e laikëve
(katekistë, edukatorë, operatorë baritorë, animatorë
të liturgjisë dhe të dashurisë), baritoren familjare
dhe të kujdesit ndaj jetës, baritoren rinore dhe të universitarëve,
baritoren e thirrjeve, formimin e përhershëm të meshtarëve,
të rregulltarëve dhe të rregulltareve. Gjithçka
në një bashkim të thellë bëhet fitim, çdo
gjë humb nëse nuk drejtohet kah dashuria që është
Krishti!
Përfundim
21. Shpallje misionare dhe bashkim në Krishtin dhe në Kishë.
Kjo është ecja që kam përvijuar për dioqezën
dhe për ty, vëlla shtegtar dhe shok udhëtimi. Sipas Fjalës
së Zotit të grahim së bashkë në ujë të
thellë (krh. Lk 5, 4)! Përpara nesh është i njëjti
dhe i vetmi det: shenjtëria! Po, pritjet e Kishës sonë,
shpresat dhe dhimbjet, pasiguritë dhe vështirësitë,
dëshmia dhe gëzimi, gjithçka merr kuptimin dhe plotësinë
e vet në këtë udhëtim të mrekullueshëm dhe
të mistershëm që është shenjtëria! Ke marrë
pagëzimin, era e Shpirtit fryn duke i drejtuar “shtigjet e
tua nëpër ujëra të mëdha” (krh. Ps 77,
20). Më lejo të të marr për dore, të të
tregoj drejtimin, si bën ati i dhembshur me birin e vet të dëshirit.
Për të vërtetë kam dëshirë të madhe
të marr zemër, me ty dhe me të gjithë vëllezërit
në Krishtin, nëpërmjet fesë që e kemi të
përbashkët (krh. Rom 1, 11 – 13). Kështu “falë
jush unë vetë mësoj atë që në mesin tuaj
mësoj: meqë, po ua rrëfej në të vërtetë,
në më të shumtën e herëve dëgjoj bashkë
me ju atë që unë vetë them” (krh. Gregori i
Madh, Homeli mbi Ezekielin/2, Città Nuova, Roma 1993, Homelia II,
1, fq. 49). Ky është programi që na pret: të jemi
të shenjtë në Hyjin Atë, pasi jemi në Krishtin
dhe në ne banon Shpirti Shenjt! Mos iu tremb stuhive që duken
në horizont, mos iu frikëso territ të natës, mos ia
ngul sytë valëve kërcënuese. Shiko: Zoti po vjen!
“Zemër, jam unë, mos kini frikë!” (Mt 14, 27).
Nata ka shkuar në të sosur!
22. Nëna e Këshillit të Mirë,
Mbretëreshë e paqes,
Ndihma e të krishterëve,
Ylli i mëngjesit,
hapi zemrat ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt dhe gëzimit të
Ungjillit,
vendos në to himnin e mirënjohjes dhe të lavdërimit
të Atit
prej të cilit gjithçka vjen
dhe tek i cili gjithçka kthehet
në Krishtin Jezus. Amen!
Dhënë në Shkodër, më 21 nëntor 2002, me
rastin e festës së Kushtimit të Zojës.
+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës
Shtojcë
a) Ngritja e katër zonave baritore:
Zona 1: Shkodër (qytet) me tre famulli: Shën Shtjefën –
Katedrale, Arrë e Madhe dhe Shirokë.
Zona 2: (Jug – Perëndim): Famullitë e Bashkive: Rranxë
– Bushat, Berdic, Beltojë, Obot, Trush, Dajç- Bregu
i Bunës, Velipojë.
Zona 3: (Veri – Lindje): Famullitë e Bashkive: Rrethinë,
Gruemirë, Shllak.
Zona 4: (Jug – Lindje): Famullitë e Bashkive: Gur i Zi, Stajkë,
Koman.
b) Kjo Letër Baritore na përgatit për të kremtuar
vitin jubilar 2003, gjatë të cilit do të përkujtojmë:
· 300 vjetorin e Kuvendit të Arbërit.
· 25 vjetorin e Pontifikatit të Atit të Shenjtë.
· 10 vjetorin e ardhjes së Atit të Shenjtë.
· 10 vjetorin e Shugurimit të Ipeshkvijve të parë
mbas diktaturës komuniste.
· Lumturimin e Nënë Terezës.
· 10 vjetorin e Caritas Shqiptar.
titujt kryesorë
|
|