|
|
Plani baritor në
përfundim të Jubileut 2000
5 janar 2001
Pas hyrjes sime në Shkodër e ndieva për detyrë t’i
jepja dioqezës një plan baritor. Iu futa punës, edhe pse
mes shumë shqetësimeve, dhe më në fund më 5 janar
2001, edhe në përfundim të Jubileut të vitit 2000,
i ofrova dioqezës, madje ua dorëzova personalisht meshtarëve
dhe rregulltarëve, Planin baritor në të cilin, duke u nisur
nga fjalët e Psalmit: ‘Fjala jote është dritëz
për këmbët e mia’, bëra vijat që duhet
të udhëhiqnin punën tonë apostolike në tre vitet
e ardhshme.
Dritëz për këmbët e mia
Hyrje
Kisha e Gjithmbarshme, nën drejtimin e Shenjtërisë së
tij Gjoni Pali II, kremtoi solemnisht Jubileun e madh të Mishërimit
të Zotit, Jezu Krishtit, ngjarje që ndërroi drejtimin e
historisë, me ardhjen e Birit të Hyjit në mesin tonë:
‘duke u bërë i afërt’ për secilin njeri.
Kisha e Shkodrës, Kisha jonë vendore, duke kremtuar jubileun
e martirizimit dhe të besnikërisë së dëshmitarëve
të shumtë të fesë, përkujton dhjetëvjetorin
e lirisë së fesë, në përputhje me Jubileun e
Madh të vitit 2000.
Dy ngjarje me domethënie të madhe historike dhe shpirtërore,
të dyja janë shtytje për mbarë bashkësinë
kishtare të Shkodrës për një angazhim ripërtëritjeje
shpirtërore në bashkimin kishtar dhe në hovin e ri të
misionit për ungjillëzimin e ri.
Prandaj, Kisha e Shkodrës, në ecje dhe në bashkim me Kishën
e gjithmbarshme, si angazhim për Vitit Jubilar të kremtuar dhe
si përgjigje ndaj nxitjeve të vazhdueshme të Atit të
Shenjtë për Ungjillëzim e ri të Evropës, ka përpunuar
këtë ‘Projekt të Planit Baritor’.
Projekti është parashikuar të vihet në veprim në
një periudhë trevjeçare. Në rend të parë
dëshiron të tregojë qartë Fjalën e Hyjit, në
Shkrimin e Shenjtë, si pikë referimi parësore dhe të
vazhdueshme në çdo çast dhe në çdo nivel
të jetës personale, të baritores dioqezane dhe të
ecjes së përbashkët të Arqipeshkvisë së
Shkodrës, siç shpall Psalmi: ‘Fjala jote është
dritëz për këmbët e mia’ (Ps 119, 105a).
Plani është një mjet, i kërkuar prej shumë personave,
që paraqet:
- disa vija të frymëzimit baritor dhe udhëzime vepruese
të Kishës sonë në vitet e ardhshme, sigurisht, duke
vlerësuar atë që është bërë, por duke
patur parasysh atë që duhet bërë më tutje;
- disa orientime të përbashkëta, që, duke marrë
parasysh larminë e gjendjeve baritore, do të mund të na
ndihmojnë për të përkuar në një bashkim
gjithnjë e me të dukshëm.
- disa objektiva parësore, për t'u realizuar në vitet shoqërore
2001-2003.
Plani ndahet në:
I. PËRMASA SHPIRTËRORE
II. PËRMASA KISHTARO-DËSHMUESE
III. PËRMASA MISIONARE
IV. SEKTORËT BARITORË:
1. Baritorja e të rriturve dhe e familjes
2. Baritorja e të rinjve dhe e thirrjeve
3. Baritorja e dashamirësisë dhe e paqes
4. Formimi i katekistëve
5. Baritorja e emigrantëve
6. Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar
Jam i bindur se ‘Hiri i Jubileut’ do të vazhdojë
të sjellë frytet e veta në zemrën e të gjithë
të krishterëve, meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve
dhe kështu të gjithë ta fillojmë mijëvjeçarin
e tretë me shpirt të ripërtërirë dhe me hov me
të madh apostolik, jo vetëm në vijë me traditën
e gjatë dhe me begati të Kishës, por edhe në leximin
e kujdesshëm dhe profetik të realitetit.
Feja e krishterë në Shqipëri është ruajtur gjatë
ngjarjeve dramatike historike dhe tani ballafaqohet me kulturën e
shekullarizuar, që vërshon në shtëpitë tona,
duke pllakosur ndërgjegjet e të rriturve, të të rinjve
dhe të fëmijëve.
Ky plan baritor dioqezan, që me siguri, nuk është gjithëpërfshirës,
as përfundimtar, do të nxisë reflektime dhe propozime:
sigurisht do të jetë hyrje për takimet e ardhshme të
reflektimit mes Ipeshkvit, meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve,
laikëve për një ecje bashkëpërgjegjësie
kishtare, në parashikim të një Kuvendi Kishtar të
ardhshëm.
I. PËRMASA SHPIRTËRORE
Dioqeza angazhohet për të rithemeluar përmasën shpirtërore
të jetës së vet të krishterë, të besimtarëve
të veçantë dhe të mbarë bashkësisë,
si dhe të misionit si fryt i së njëjtës ecje jubilare
që e drejtoi në pragun e Mijëvjeçarit të ri
për të vlerësuar më shumë hirin e Jubileut. Themeli
është bashkë me bindjen e fortë se Ai që shpëton
është vetëm Jezusi Zot, Ai që dërgon është
Ati i mëshirshëm e Ai që forcon dhe vepron në Kishë
është Shpirti Shenjt.
Bashkësia dioqezane e Shkodrës, në përbërësit
e vet të shumëfishtë, ipeshkvij, meshtarë, të
kushtuar e të kushtuara, laikë dhe laike, angazhohet që
Fjala e Hyjit të jetë gjithmonë: “Dritëz për
këmbët tona, dritë për udhët tona” (Ps
119, 105).
Mjetet janë këto:
Për laikë: shih tek ‘Baritorja e të rriturve dhe
e të rinjve’.
Për meshtarë, rregulltarë e rregulltare:
- në nivelin personal: lutja, formimi i përhershëm, ripërtëritjet
shpirtërore;
- në nivelin e përbashkët dhe dioqezan: lutja, formimi
i përhershëm, ripërtëritjet shpirtërore mujore,
ushtrimet shpirtërore vjetore; azhurnim dhe studim i temave të
veçanta;
- për rregulltarët e rregulltaret: ruajtja dhe hovi i ri i karizmës
vetjake në kontekstin vendor; formim i novicëve dhe i noviceve,
i rregulltarëve të ri dhe i rregulltareve të reja.
II. PËRMASA KISHTARO-DËSHMITARE
Kisha jonë zotëron dhurata të shumëfishta në
pranitë e meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve me
prejardhje të ndryshme dhe me përvoja të ndryshme kishtare.
Kjo, padyshim është fryt i veprimit të Shpirtit Shenjt
në Kishën e tij.
Për këtë, ka rëndësi të madhe që Kisha
këtë begati të karizmave të ndryshme ta ruajë
duke i drejtuar nga njësimi për bashkimin e pjesëtarëve
të saj: “Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej
jush gjymtyrë e tija” (1Kor 12, 27).
Prandaj, do të angazhohemi me një përpjekje të vazhdueshme
bashkimi dhe komunikimi me organet baritore dioqezane përkatëse
për të vepruar të gjithë njëzëri në
dashuri vëllazërore dhe në bashkim kishtar për të
dëshmuar praninë e Mbretërisë qiellore, duke respektuar
dallimet kulturore e të prejardhjes, duke u angazhuar për të
inkulturuar mesazhin ungjillor.
Zbatimi i Koncilit II të Vatikanit, ashtu siç e dëshiron
dhe vazhdimisht e nxit Magjisteri Autentik i Papës Gjonit Palit II,
nga Kodi i të Drejtës Kanonike dhe nga Ipeshkvi dioqezan, do
të jetë ‘drejtuesja’ dhe ‘garancia’
e këtij bashkimi. Të gjitha këto ndihmojnë për
dëshmi më të besueshme dhe të efektshme të asaj
që besojmë dhe shpallim: “Nëse e doni njëri-tjetrin,
të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e
mi” (Gjn 13, 35).
Dashamirësia mes nesh është shërbimi më i mirë
që mund t’i bëjmë bashkësisë kishtare dhe
asaj shoqërore.
III. PËRMASA MISIONARE
Kisha Katolike në Shqipëri pas rënies së diktaturës
komuniste është e angazhuar në veprën e riungjillëzimit
të ri të bashkësive katolike vendore.
Duke pasur parasysh nevojat e mëdha, vështirësitë
e komunikimit dhe të lidhjes mes qyteteve dhe fshatrave, të
shpërndarjes dhe të pranisë së meshtarëve dhe
bashkësive rregulltare jo në përputhje me territorin e
dioqezës, kërkohet angazhim më i madh nga ana e të
gjitha subjekteve të angazhuara në baritoren e zakonshme të
‘nisemi drejt zonave të tjera’, që Arqipeshkvi do
t’i tregojë për shërbim të jashtëzakonshëm
baritor dhe periodik.
Zonat me përparësi janë malet dhe vetë fshatrat e
fushës në të cilat ende nuk është i pranishëm
shërbimi baritor i zakonshëm, për më tepër periferia
e Shkodrës.
Përmasa misionare është përbërësja e Kishës
dhe paraqet vetë misionin e saj në botë: “Shkoni
e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni
në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!”
(Mt 28, 19).
Vetë realiteti shoqëror shqiptar dhe historia e kohës së
fundit e shtypjes dhe e boshatisjes së vlerave njerëzore e fetare
kërkon rihapjen e Kishës sonë përpara ungjillëzimit
të parë, domethënë shpalljes së parë të
‘Lajmit të mirë’ edhe atij që nuk beson apo
atyre që nuk kanë fenë tonë.
Mirënjohës për dhuratat që kemi fituar në vitin
jubilar, dhe të vetëdijshëm se edhe neve na duhet t'u shpallim
të tjerëve ‘çka na ngjau udhës’ (khs.
Lk 24, 35) në jubileun tonë, duhet treguar se e kemi takuar
Jezu Krishtin, i cili ka ngrënë me ne dhe na i tha fjalët
e faljes dhe të jetës. Si Shën Pali: “Ne nuk predikojmë
vetveten, por Jezu Krishtin Zot” (2 Kor 4, 5a).
IV. SEKTORËT BARITORË
1. Baritorja e të rriturve dhe e familjes
Sipas shpirtit të ungjillëzimit të ri, Kisha e Shkodrës
dëshiron të kujdeset për të rriturit, meqenëse
kjo brezni përfshin ata që përcaktojnë ecuritë
shoqërore, ekonomike dhe kulturore të shoqërisë dhe
të Kishës.
Duke pasur parasysh faktin se këta të rritur në kohën
e shkuar ruajtën thesarin e fesë gjatë përndjekjeve
komuniste dhe me ta lidhet tejçimi i traditave të vjetra popullore
të krishtera, Kisha dëshiron t’u drejtohet atyre për
të ruajtur të kaluarën dhe traditën e saj e në
të njëjtën kohë t’u dhurojë freskinë
e Ungjillit përmes dinamikave dhe perspektivave të marrura nga
Koncili, duke bërë që të rizbulohet dhe të çmohet
vlera e Pagëzimit të shenjtë me angazhimet që sjell.
Për këtë Kisha angazhohet për të ofruar:
a. Katekeza biblike;
b. Mësim të magjisterit, sidomos të Doktrinës Sociale
të Kishës;
c. Propozim i ecjes në hyrje të njohjes së krishterë
për ata që dëshirojnë të pagëzohen;
d. Itinerare të përbashkëta të formimit të çifteve
të reja për sakramentin e martesës;
e. Ngritje e një zyreje dioqezane për baritoren e familjes;
f. Nxitjen dhe koordinimin e forcave laike në sektorët përkatës,
për një angazhim më të madh në ungjillëzimin
e ri.
2. Baritorja e të rinjve dhe e thirrjeve
A. Pasuria më e madhe e Shqipërisë është RINIA.
Shpeshherë ajo është objekt i shumë propozimeve ngashnjyese
nga ana e shoqërisë, grupeve dhe individëve, disa herë
është objekt i tensioneve shoqërore të cilat shumë
herë shndërrohen në trauma, ndjenja faji apo komplekse
inferioriteti.
Kisha, gjithmonë e kujdesshme për të rinjtë, dëshiron
të kujdeset gjithnjë e në mënyrë më organike
dhe drejtpërdrejt me anë të kujdesit baritor për të
rinjtë.
Për këtë dëshiron të nxisë:
a. Laboratore feje në vazhdimësi me Jubileun e të Rinjve;
b. Katekeza biblike;
c. Ripërtëritje shpirtërore në zona;
d. Baritoren e pajtimit dhe të përcjelljes shpirtërore.
B. Kisha dioqezane e Shkodrës ka privilegjin të ketë në
gjirin e saj SEMINARIN NDËRDIOQEZAN, e për më tepër
ruan traditën e thellë të krishterë që lindi
figura shembullore meshtarake dhe rregulltare.
E vetëdijshme se e gjithë kjo sjell edhe një përgjegjësi
morale dhe historike, por edhe pse dëshiron të bëjë
ungjillëzimin e ri të bashkësive të krishtera vendore,
ndien ngutin e një baritoreje serioze, të vazhdueshme dhe organike
për nxitjen e thirrjeve të reja. ‘Pellgu’ prej të
cilit dëshiron të nxjerrë, sigurisht është baritorja
rinore.
Për këtë angazhohet të nxisë:
1. Propozime konkrete dhe të drejtuara të rinjve për thirrjet
meshtarake e jetën rregulltare si dhe angazhim dëshmie e shërbimi
në botë;
2. Itinerare kërkimi të thirrjes duke i dhënë përparësi
rrëfimit dhe drejtimit shpirtëror;
3. Ditën botërore të lutjes për thirrje si dhe ditën
e seminarit ndërdioqezan dhe rastet e lutjeve periodike për
thirrjet;
4. Të nxisë grupin e ministrantëve në çdo bashkësi
famullitare, nën kujdesin e përgjegjësit baritor të
dioqezës.
C. PËR FËMIJËT DHE ADOLESHENTËT duhet angazhuar më
tepër në:
1. Katekizmin për rrëfimin dhe për kungimin e parë
(mosha e lejuar: Klasa e IV).
2. Katekizmin për krezmim (mosha e lejuar: Klasa e VIII).
3. Baritorja e dashamirësisë dhe e paqes
Realiteti i ndërlikuar shoqëror dhe kishtar në të
cilin jeton bashkësia jonë kërkon një organ koordinues
dhe frymëzues, për më tepër formimin e atyre operatorëve
që në mënyra të ndryshme janë të thirrur
të ballafaqohen me jetën shoqërore dhe me vështirësitë
e saj.
Caritas dioqezan propozohet të jetë organ baritor i kishave
vendore për frymëzimin e përmasës së dashamirësisë
së bashkësisë kishtare dhe mjet pranie e ungjillëzimi
në mjediset shoqërore si dhe në mjedisin e punës.
Mes shumë sfidave dhe përparësive, Kisha dëshiron
të japë pjesën që i përket problemit të
rëndë të konflikteve mes familjeve në gjak, për
integrimin e shtresave të lëna pas dore nga shoqëria si
romët dhe banuesit e ri të periferive të qytetit.
Vetëm një punë e kujdesshme dhe e përpiktë në
shpalljen dhe nxitjen njerëzore të plotë dhe integruese
do t’i ofrojë horizonte të reja bashkësisë civile
për të cilën jemi të thirrur të kujdesemi.
Tre parimet që duhet të frymëzojnë ndërhyrjet
e formim-frymëzimit për dashamirësi janë ata në
vijim:
a. shqiptari duhet të jetë i mëshirshëm me vëllain
e vet shqiptar;
b. shqiptari të ndihmojë shqiptarin;
c. shqiptari i varfër të ndihmojë shqiptarin më të
varfër se veten.
4. Formimi i Katekistëve
a. Formimi i katekistëve laikë për një ‘Kishë
mbarështimore’, dhe jo klerikale!
b. Vlerësimi i Institutit Katekistik Dioqezan.
5. Për emigrantët
Emigrimi ka dy aspekte: të brendshëm dhe të jashtëm.
Vepra e ungjillëzimit duhet të jetë qoftë në
dobi të të emigruarve, të atyre që zbresin nga malet
në fusha për një jetë më me dinjitet, dhe që
ndalen në periferitë e qyteteve dhe të fshatrave, qoftë
në dobi të atyre që janë jashtë shtetit.
6. Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar
Realiteti vendor ofron mundësi të mira për ekumenizëm
dhe dialog ndërfetar, falë edhe një tradite lokale bashkëjetese
tolerante dhe paqësore. Propozohet që t’u jepet hov realiteteve
ekzistuese duke themeluar një zyrë dioqezane për ekumenizëm
dhe dialog ndërfetar, gjithmonë në respekt të së
vërtetës në dashamirësi.
Kjo zyra do të nxisë momente formuese qoftë për laikët,
qoftë për klerin për një njohje më të mirë
të ortodoksisë dhe islamizmit në Shqipëri, si dhe
për një bashkëjetesë gjithnjë e më paqësore
e që respekton vlerat njerëzore.
Udhëzime programatike dhe objektiva:
1. Të formohen të krishterët në mënyrë
që të jenë ‘kripë e tokës’ dhe dëshmitarë
të vlerave ungjillore në familje, në punë, në
shkollë, në jetën shoqërore, në shërbimin
publik, në politikë, përmes një jete në përputhje
me fenë që shpallim.
2. Të rregullohet dhe të njësohet jeta dhe praktika sakramentore
me regjistrat përkatës dhe katekeza përkatëse përgatitore.
3. Të aktualizohen në të gjitha famullitë normat për
kremtim të denjë të Sakramentit të Martesës dhe
të organizohen kurse paramartesore.
4. Të aktivizohen gradualisht Këshillat Baritorë të
Famullive, sipas mënyrave të parashikuara nga e Drejta Kanonike.
5. Të përdoret gjuhë e thjeshtë dhe konkrete në
predikime, mundësisht edhe duke paraqitur jetën e shenjtërve.
6. Të rimerret tradita për të recituar apo kënduar
formulat katekistike përpara Meshës së Shenjtë të
të dielave.
7. Të këmbëngulet që gjatë Meshës mos të
këndojë vetëm kori, por mbarë bashkësia.
8. Të koordinohet dhe të forcohet angazhimi i të gjithëve
për shtypin dioqezan dhe për mjetet e komunikimit shoqëror.
Përfundim
Hapat e parë të kësaj ecjeje pas-jubilare i lë nën
kujdesin e Virgjërës Mari, Nënës së Këshillit
të Mirë, Virgjërës së Dëgjesës, asaj
që ‘i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto
ngjarje’ (Lk 2, 51).
Këto vija vepruese, këto pika referimi le të na ndihmojnë,
gjithmonë nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, në ecjen
e bashkësisë kishtare në fillimin e mijëvjeçarit
të tretë.
Dhënë në Shkodër më 05.01.2001
në përfundim të Vitit Jubilar
titujt kryesorë
|
|