ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

Takim me Kreret Religjioze Muslimane, Trupin Diplomatik

dhe Rektoret e Universitetit te Jordanise

 

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI

 

Xhamia al-Hussein bin-Talal - Aman

E shtunë, 9 maj 2009

 

 

 

Lartmadhëri,

Shkëlqësi,

Të nderuar Zonja e Zotërinj,

    është një gëzim i madh për mua t’ju takoj këtë mëngjes në këtë mjedis të mrekullueshëm. Dua të falënderoj Princin Ghazi Bin Muhammed Bin Talal për fjalët e tij të ngrohta të mirëseardhjes. Nismat e shumta të Madhërisë Suaj për të nxitur dialogun dhe shkëmbimin ndër-fetar dhe ndër-kulturor vlerësohen nga qytetarët e Mbretërisë Hashemite dhe respektohen gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Jam në dijeni se përpjekje të tilla mbështeten në mënyrë aktive nga anëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore, ashtu si edhe nga Qeveria dhe gjejnë një jehonë të gjerë në nismat e shumta të bashkëpunimit mes jordanezëve. Për të gjitha këtë dua të shpreh admirimin tim të sinqertë.

 Vende kulti, si kjo xhami e mrekullushme Al-Hussein Bin Talal në emër të Mbretit të ndierë, ngrihen si gurë të çmuar mbi sipërfaqen e tokës. Nga lashtësia deri në kohët moderne, nga e shkëlqyeshmja deri tek më e thjeshta, të gjithë i referohen hyjnores, të vetmit Transhendent, të Gjithëpushtetshmit. Dhe gjatë shekujve këto tempuj kanë tërhequr burra e gra në brendësi të hapësirave të tyre të shenjta për të bërë një pushim, për t’u lutur dhe për ta ndjerë praninë e të Gjithëpushtetshmit, ashtu si edhe për të njohur se ne të gjithë jemi krijesat e Tij.

 Për këtë arsye nuk mund të mos jemi të shqetësuar për faktin se sot, me një këmbëngulje gjithnjë e më të madhe, disa mendojnë se religjioni dështon në pretendimin e saj se është, për vetë natyrën e vet, ndërtuese e njësisë dhe e harmonisë, një shprehje e vëllazërisë mes njerëzve dhe me Hyjin. Në fakt, disa argumentojnë se religjioni është një shkak ndarjeje në botën tonë; dhe për këtë arsye themi se sa më pak vëmendje t’i kushtohet religjionit në sferën publike, aq më mirë është. Sigurisht, kontrasti i tensioneve dhe i ndarjeve midis pasuesve të traditave të ndryshme religjioze, për fat të keq, nuk mund të mohohet. Megjithatë, a mos nuk është shpesh manipulimi ideologjik i religjionit, nganjëherë për arsye politike, katalizatori i vërtetë i tensioneve dhe i ndarjeve dhe jo rrallë herë edhe i dhunës në shoqëri? Përpara një situate të tillë, ku kundërshtarët e religjionit kërkojnë jo vetëm t’ia ulin zërin, por ta zëvendësojnë atë me zërin e tyre, nevoja që besimtarët të jenë besnikë ndaj parimeve të tyre dhe ndaj besimeve të tyre është ndier në mënyrë të mprehtë. Myslimanët dhe të Krishterët, pikërisht për shkak të peshës së historisë sonë të përbashkët, kaq shumë të shënuar nga keqkuptimet, duhet të angazhohen sot për të qenë të identifikuar dhe të njohur si adhurues të Hyjit besnikë në lutje, me dëshirën për të jetuar sipas urdhërimeve të të Gjithëpushtetshmit, zemërdhembshur dhe të dhembshur, koherentë në dhënien e dëshmisë për gjithçka që është e drejtë dhe e mirë, gjithmonë të vetëdijshëm për origjinën dhe dinjitetin e përbashkët të çdo personi njerëzor, që qëndron në majën e planit krijues të Hyjit për botën dhe për historinë.

 Vendimi i edukatorëve jordanezë dhe i lidërve religjiozë e civilë për të bërë të mundur që fytyra publike e religjionit të fesë të pasqyrojë natyrën e saj të vërtetë është e denjë të përgëzohet. Shembulli i individëve dhe i bashkësive, së bashku me kurset dhe programet, tregojnë kontributin ndërtues të religjionit në sektorët edukues, kulturorë, social dhe në sektorët e tjerë bamirës së shoqërisë suaj civile. Edhe unë kam pasur mundësi të konstatoj personalisht diçka të këtij shpirti. Dje kam pasur mundësi të vihem në dijeni për veprën e shquar edukative dhe rehabilituese të Qendrës Zoja Jonë e Paqes, ku të Krishterë dhe Myslimanë janë duke shndërruar jetët e familjeve të tëra, duke i ndihmuar në mënyrë që fëmijët e tyre të papunë të mund të kenë vendin që u takon në shoqëri. Në mëngjes kam bekuar gurin e parë të Universitetit të Madabës, ku të rinjtë myslimanë dhe të krishterë, njëri përkrah tjetrit, do të përfitojnë të mirat e një arsimimi të lartë, që do t’i ndihmojë ata të kontribuojnë si duhet në zhvillimin social dhe ekonomik të Kombit të tyre. Të lavdërueshme janë edhe nismat e shumta për dialogun ndër-religjioz të mbajtura nga Familja Mbretërore dhe nga bashkësia diplomatike, ndonjëherë të ndërmarra në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Dialogun Ndër-religjioz. Këto përfshijnë punën e vazhdueshme të Instituteve Mbretërore për studimet Ndër-religjioze dhe për Mendimin Islamik, l’Amman Message të vitit 2004, l’Amman Interfaith Message të vitit 2005, dhe letrën e fundit Common Word, që i bënte jehonë një teme të ngjashme me atë që kam trajtuar unë në Enciklikën time të parë: lidhjen e pathyeshme mes dashurisë së Hyjit dhe dashurisë për tjetrin, ashtu si edhe kontradiktën themelore të përdorimit, në emër të Hyjit, të dhunës apo të përjashtimit (krh. Deus caritas est, 16).

 Me siguri këto nisma të çojnë në një njohje më të mirë të ndërsjellë dhe nxisin një respekt në rritje si për atë që kemi të përbashkët, ashtu edhe për atë që e kuptojmë në mënyrë të ndryshme. Prandaj, këto nisma duhet t’i shtyjnë të Krishterët dhe Myslimanët ta thellojnë edhe më shumë marrëdhënien thelbësore mes Hyjit dhe botës së Tij, kështu që, së bashku, të mund të punojmë në mënyrë që shoqëria të harmonizohet me rendin hyjnor. Në lidhje me këtë, bashkëpunimi i realizuar këtu në Jordani jep një shembull inkurajues dhe shtytës për rajonin, madje në të vërtetë për krejt botën, për kontributin pozitiv dhe krijues që religjioni i jep dhe duhet t’i japë shoqërisë civile.

 Miq të nderuar, dëshiroj të kujtoj një detyrë për të cilën kam folur në raste të ndryshme dhe që besoj vendosshmërisht që të Krishterët dhe Myslimanët të mund ta marrin përsipër, veçanërisht nëpërmjet kontributit të tyre në mësimdhënie dhe në kërkimet shkencore, ashtu si edhe në shërbimin e tyre ndaj shoqërisë. Një detyrë e tillë përbën një sfidë për të kultivuar për të mirën, në kontekstin e fesë dhe të së vërtetës, potencialin e mundshëm të arsyes njerëzore. Në fakt, të krishterët, e përshkruajnë Hyjin, mes shumë mënyrave të tjera, si Arsye krijuese, që drejton dhe udhëheq botën. Dhe Hyji na pajis me aftësinë që të marrim pjesë në këtë Arsye dhe kështu të veprojmë në përputhje me atë që është e mirë. Myslimanët adhurojnë Hyjin, Krijuesin e Qiellit dhe të Tokës, që i ka folur njerëzimit. Dhe si besimtarë në Hyjin e vetëm, e dimë se arsyeja njerëzore është në vetvete një dhuratë e Hyjit dhe ngrihet në një shkallë më të lartë kur ndriçohet nga drita e të vërtetës së Hyjit. Në të vërtetë, kur arsyeja njerëzore përvujtërisht pranon të pastrohet nga besimi nuk është dobësuar aspak, përkundrazi, është forcuar për t’i rezistuar mendjemadhësisë për të shkuar përtej kufijve të vet. Në këtë mënyrë, arsyeja njerëzore forcohet në angazhimin për të vazhduar qëllimin e saj fisnik për t’i shërbyer njerëzimit, duke shprehur kështu aspiratat tona të përbashkëta më intime, duke zgjeruar, më shumë sesa ta manipulojë apo ta ngushtojë, debatin publik. Prandaj pranimi i vërtetë i religjionit, jo vetëm që nuk i ngushton mendjet tona, por i hap ato ndaj mirëkuptimit njerëzor. Kjo e mbron shoqëritë civile nga teprimi i një egoje të pafrenueshme, që priret ta absolutizojë të fundmen dhe ta errësojë të pafundmen; bën që liria të ushtrohet në sinergji me të vërtetën, dhe pasuron kulturën me njohjen e asaj që i përket çdo gjëje që është e vërtetë, e mirë dhe e bukur.

 Një mirëkuptim i tillë i arsyes, që e shtyn mendjen njerëzore përtej vetvetes në kërkimin e Absolutit, hedh një sfidë: përmban një kuptim si të shpresës, ashtu edhe të kujdesit. Së bashku, të Krishterë dhe Myslimanë janë të shtyrë të kërkojnë gjthçka që është e drejtë dhe e ndershme. Jemi të angazhuar t’i tejkalojmë interesat tona të veçanta dhe t’i inkurajojmë të tjerët, veçanërisht administratorët dhe drejtuesit shoqërorë, të bëjmë të njëjtën gjë me qëllim që të shijojnë kënaqësinë e thellë që vjen nga shërbimi i të mirës së përbashkët, edhe pse mund t’u duhet të paguajnë personalisht. Na thuhet që pikërisht sepse dinjiteti ynë njerëzor i jep fillesë të drejtave njerëzore universale, ato vlejnë njëlloj për çdo burrë e grua, pa dallime grupesh religjioze, sociale apo etnike të cilave u përkasin. Në këtë aspekt, duhet të dallojmë se e drejta e lirisë religjioze shkon përtej çështjes së kultit dhe përfshin të drejtën, sidomos për pakicat, për shanse të barabarta në tregun e punës dhe në sferat e tjera të jetës shoqërore.

 Këtë mëngjes para se t’ju lë, dua të thekson në mënyrë të veçantë praninë mes nesh të Hirësisë së Tij Emmanuel III Delly, Patriark i Bagdatit, që unë e përshëndes ngrohtësisht. Prania e tij na kujton qytetarët e Irakut fqinj, shumë prej të cilëve kanë gjetur mikpritje këtu në Jordani. Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur paqen dhe pajtimin, së bashku me ato të udhëheqësve vendorë, duhet të vazhdojnë me qëllim që të sjellin fryte në jetën e irakenëve. Shpreh vlerësimin tim për të gjithë ata që mbështesin përpjekjet e bëra për të thelluar besimin dhe për të rimëkëmbur institucionet dhe infrastrukturën thelbësore për mirëqenien e asaj shoqërie. Edhe një herë, u kërkoj me këmbëngulje diplomatëve dhe bashkësisë ndërkombëtare të përfaqësuar nga ata, ashtu si edhe udhëheqësve politikë dhe religjiozë vendorë, të bëjnë gjithçka është e mundur për t’i siguruar bashkësisë të lashtë të krishterë të asaj toke fisnike të drejtën themelore të bashkëjetesës paqësore mes bashkëqytetarëve të saj.

 Miq të nderuar, besoj se ndjenjat e shprehura nga unë sot të na lënë me një shpresë të përtërirë për të ardhmen. Dashuria dhe detyra para të Gjithëpushtetshmit nuk tregohen vetëm në kult, por edhe në dashurinë dhe në shqetësimin për fëmijët e për të rinjtë, familjet tuaja, për të gjithë qytetarët e Jordanisë. Për ta lodheni dhe janë ata që ju motivojnë që të vini në qendër të institucioneve, të ligjeve dhe të funksioneve të shoqërisë të mirën e çdo personi njerëzor. Uroj që arsyeja, e fisnikëruar dhe e përvujtëruar nga madhështia e të vërtetës së Hyjit, të vazhdojë t’i jap formë jetëve dhe institucioneve të këtij Kombi, me qëllim që familjet të mund të lulëzojnë dhe të gjithë të mund të jetojnë në paqe, duke kontribuar dhe në të njëjtën kohë duke u ushqyer me atë kulturë që e bashkon këtë Mbretëri të madhe!

Faleminderit!

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster