|
|
Auditorium i Notre
Dame of Jerusalem Center - Jerusalem
E hënë, 11 maj 2009
Të dashur Vëllezër
Ipeshkvij,
Të shquar Krerë
Religjiozë,
Të dashur Miq,
është një gëzim i madh për mua t’ju takoj sonte. Dua të falënderoj
Hirësinë e Tij Patriarkun Fouad Twal për fjalët e tij të ngrohta të
mikpritjes të shprehura në emër të gjithë të pranishmëve. Shkëmbej këto
ndjenja të ngrohta dhe ju përshëndes përzemërsisht të gjithëve ju, si
edhe pjesëtarët e grupeve dhe të organizatave që përfaqësoni.
«Zoti i tha Abrahamit,
“Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së
babës tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj”... Atëherë
Abrahami u nis... E mori Sarajën, gruan e vet...» (Zan 12,1-5). Hyrja
gati me dhunë e thirrjes së Hyjit, që shënon fillimet e historisë së
traditave të fesë tonë, u dëgjua në mes të jetës së zakonshme të
përdishme të njeriut. Dhe historia që pasoi u plazmua, jo në izolim, por
nëpërmjet takimit me kulturën egjiptiane, hitite, sumere, babilonase,
persiane dhe greke.
Feja jetohet gjithmonë
brenda një kulture. Historia e religjionit na tregon se një bashkësi
besimtarësh është gjithnjë e më shumë besnikëe ndaj Hyjit, duke marrë
nga kultura që takon dhe duke e plazmuar atë. Vetë kjo dinamikë ndeshet
tek besimtarët e të tri traditave të mëdha monoteiste: në harmoni me
zërin e Hyjit, si Abrahami, le t’i përgjigjemi edhe ne thirrjes së Tij
dhe le të nisemi duke kërkuar përmbushjen e premtimeve të Tij, duke u
përpjekur t’i bindemi vullnesës të Tij, duke përshkuar një rrugëtim në
kulturën tonë të veçantë.
Sot, rreth katër mijë
vjet pas Abrahamit, takimi i religjioneve me kulturën realizohet jo
vetëm në një plan gjeografik. Disa aspekte të globalizimit dhe në
veçanti bota e internetit kanë krijuar një kulturë të madhe virtuale
vlera e të cilin është aq e ndryshueshme sa edhe shfaqjet e tij të
panumërta. Padyshim është bërë shumë për të krijuar një afrim dhe një
bashkim në brendësi të familjes universale njerëzore. Megjithatë, në të
njëjtën kohë, përdorimi i pakufizuar i mjeteve nëpërmjet të cilëve
personat përdorin me lehtësi burimet e informacionit mund të bëhet
lehtësisht një mjet fragmentimi gjithnjë e më të madh: njësia e njohjes
prishet dhe aftësitë komplekse kritike, gjykimi dhe dallimi që mësohen
nga traditat akademike dhe etike nganjëherë shpërfillen ose lihen pas
dore.
Pyetja që pastaj lind
natyrshëm është se cili është kontributi që sjell religjioni në kulturat
e botës, me qëllim që t’i kundërvihet rënies së një globalizimi kaq të
shpejtë. Ndërsa shumë janë të gatshëm të vënë në dukje ndryshimet mes
religjioneve lehtësisht të dallueshme, si besimtarë ose persona
religjiozë ne jemi vënë përpara sfidës që të shpallim me qartësi atë që
kemi të përbashkët.
Hapi i parë i
Abrahamit në besim dhe hapat tonë drejt sinagogës, kishës, xhamisë ose
tempullit, hidhen në rrugën e historisë sonë të vetme, duke përgatitur
udhët, mund të themi, drejt Jerusalemit të përjetshëm (krh. Zb 21,23).
Në mënyrë të ngjashme çdo kulturë me kapacitetin e saj specifik për të
dhënë e për të marrë i jep shprehje natyrës së vetme njerëzore.
Megjithatë, ajo që është e vetë individit nuk mund të shprehet kurrë
plotësisht nëpërmjet kulturës së tij ose të saj, por e tejkalon në
kërkimin konstant të diçkaje të përtejshme. Nga kjo perspektivë, të
dashur Miq, ne shohim mundësinë e një bashkimi që nuk varet nga
uniformiteti. Ndërsa ndryshimet që analizojmë në dialogun ndër-religjioz
mund të duket nganjëherë si pengesa, megjithatë ato nuk kërkojnë të
errësojë kuptimin e përbashkët të drojes nderuese dhe të respektit për
universalen, për absoluten dhe për të vërtetën që i shtyn besimtarët
para së gjithash të krijojnë një marrëdhënie me njëri-tjetrin. Në të
vërtetë ekziston bindja e përbashkët që këto realitete transhendente e
kanë burimin e tyre tek i Gjithëpushtetshmi dhe mbajnë gjurmën e Tij -
Ai i Gjithëpushtetshëm që besimtarët lartësojnë njëri përballë tjetrit,
në organizatat tona, në shoqëritë tona dhe në botën tonë. Në këtë
mënyrë, jo vetëm që mund ta pasurojmë kulturën, por edhe ta plazmojmë
atë: jetë të jetuara në një besnikëri religjiozë dëshmojnë praninë
vërshuese të Hyjit dhe kështu formojnë një kulturë jo të përkufizuar nga
kufijtë e kohës apo të vendit, por thellësisht të plazmuara nga parimet
dhe nga veprimet që vijnë nga feja.
Besimi religjioz
supozon të vërtetën. Ai që beson është ai që kërkon të vërtetën dhe
jeton në bazë të saj. Edhe pse mjeti nëpërmjet të cilit ne kuptojmë
zbulimin dhe komunikimin e të vërtetës ndryshon pjesërisht nga njëri
religjion tek tjetri, nuk duhet të shkurajohemi në përpjekjet tona për
ta dëshmuar fuqinë e të vërtetës. Së bashku mund të shpallim se Hyji
ekziston dhe që mund të njihet, që toka është krijimi i Tij, që ne jemi
krijesat e Tij dhe që ai thërret çdo burrë e çdo grua në një stil jete
që respekton projektin e Tij për botën. Miq, nëse besojmë se kemi një
kriter gjykimi dhe shoshitjeje që është hyjnor në origjinën e tij dhe që
i adresohet mbarë njerëzimit, atëherë nuk mund të lodhemi së punuari që
kjo njohje të ndikojë në jetën civile. E vërteta duhet t’i ofrohet të
gjithëve; ajo i shërben të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Ajo hedh dritë
mbi themelin e moralit e të etikës dhe depërton arsyen me forcën për të
shkuar përtej kufijve të saj me qëllim shprehjen e aspiratave tona më të
thella të përbashkëta. Larg qoftë prej cenimit të tolerancës së
ndryshimeve ose të shumëllojshmërisë kulturore, e vërteta e bën të
mundur mirëkuptimin dhe e ruan të arsyeshëm, të ndershëm dhe të
verifikueshëm debatin publik dhe i hap rrugë paqes. Duke nxitur
vullnesën për të qenë të bindur ndaj së vërtetës, në fakt, zgjeron
konceptin tonë të arsyes dhe fushën e saj të veprimit dhe e bën të
mundur dialogun e mirëfilltë të kulturave dhe të religjioneve për të
cilën ka shumë nevojë sot.
Secili prej nesh këtu
i pranishëm e di, edhe pse sot zëri i Hyjit dëgjohet më pak i qartë dhe
vetë arsyeja në kaq situata të shumta është bërë e shurdhër ndaj
hynores. Megjithatë, ky “boshllëk” nuk është boshllëk heshtjeje.
Përkundrazi, është zhurma e pretendimeve egoiste, e premtimeve boshe dhe
e shpresave të rreme, që kaq shpesh pushtojnë hapësirën në të cilën Hyji
na kërkon. Pra, a mundemi të krijojmë hapësira, oaze paqeje dhe
reflektimi të thellë, në të cilat mund të dëgjohet përsëri zëri i Hyjit,
në të cilën e vërteta e Tij mund të zbulohet në brendësi të
universalitetit të arsyes, në të cilin çdo individ, pa dallim të vendit
ku jeton, të grupit etnik, të ngjyrimit politik, të besimit religjioz,
mund të respektohet si person, si një qenie njerëzore, si një i ngjashëm
me ne? Në një kohë ku mund të merret menjëherë informacioni dhe prirjeje
shoqërore që krijojnë një lloj monokulture, reflektimi i thellë që i
kundërvihet largimit të pranisë së Hyjit do ta forcojë arsyen, do ta
stimulojë dellin krijues, do ta lehtësojë vlerësimin kritik të zakoneve
kulturore dhe do ta mbështesë vlerën universale të besimit religjioz.
Miq të dashur,
institucionet dhe grupet që ju përfaqësoni angazhohen në dialogun
ndër-religjioz dhe në nxitjen e nismave kulturore në një shtrirje të
gjerë nivelesh. Nga institucionet akademike - dhe këtu dua të përmend
veçanërisht arritjet e Universitetit të Betlehemit – tek grupet e
prindërve në vështirësi, nga nismat nëpërmjet muzikës dhe arteve tek
shembulli guximtar i nënave dhe i etërve të zakonshëm, nga grupet e
dialogut tek organizatat krijuese, ju çdo ditë tregoni bindjen se detyra
juaj përpara Hyjit nuk shprehet vetëm në vendet e adhurimit, por edhe në
dashurinë dhe kujdesin për shoqërinë, për kulturën, për botën tonë dhe
për të gjithë ata që jetojnë në këtë tokë. Disa do të donin që ne të
besonim se ndryshimet tona janë domosdoshmërisht shkak ndarjeje dhe
maksimumi që mund të bëhet është të tolerohen. Disa mendojnë se goja
jonë thjeshtë duhet të mbyllet. Por ne e dimë se ndryshimet tona nuk
duhet të keqinterpretohen asnjëherë si një burim i pashmangshëm fërkimi
ose tensioni si mes nesh ashtu, edhe më gjerë, në shoqëri. Përkundrazi,
ato shprehin një mundësi të mirë për persona të religjioneve të ndryshme
që të jetojnë së bashku me respekt, nderim dhe vlerësim të thellë, duke
i dhënë guxim të ndërsjellë njëri-tjetrit në rrugët e Hyjit. Të shtyrë
nga i Gjithëpushtetshmi dhe të ndriçuar nga drita e të vërtetës së Tij,
uroj që ju të mund të vazhdoni të ecni me guxim, duke respektuar çdo gjë
që na ndan dhe duke nxitur çdo gjë që na bashkon si krijesa të bekuara
nga dëshira për t’i sjellë shpresë bashkësive tona dhe botës mbarë. Hyji
na udhëheqtë në këtë rrugë!
titujt kryesorë |
|