ArqipeshkviaFamulliteInstitutet rregulltareZyra per martiretCaritasShtypi dioqezanFshati i paqesArkiv

TAKIMI EKUMENIK

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË

Salla e Fronit e Arqipeshkvisë së Pragës

E diel, 27 shtator 2009

 

 

 

 

Zotërinj Kardinalë,

Shkëlqesi,

vëllezër e motra në Krishtin,

falënderoj Zotin e Gjithëpushtetshëm për mundësinë që më jepet t’ju takoj ju, që jeni përfaqësuesit e bashkësive të ndryshme të Krishtera të këtij vendi. Falënderoj Doktor Černý-n, President i Këshillit Ekumenik të Kishave në Republikën Çeke, për fjalët e sjellshme të mirëseardhjes që më drejtoi në emrin tuaj.

Të dashur miq, Europa vazhdon të jetë e nënshtruar ndryshimeve të shumta. Është e vështirë të besojmë se kanë kaluar vetëm dy dekada që kur rënia e regjimeve të mëparshme i ka dhënë fillesë një tranzicioni të vështirë por prodhues drejt strukturave politike më pjesëmarrëse. Në këtë periudhë, të krishterët janë mbledhur së bashku me njerëz të tjerë vullnetmirë për të ndihmuar në rindërtimin e një rendi politik të drejtë, dhe sot vazhdojnë të angazhohen në dialog për të hapur rrugë të reja drejt kuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit për paqen dhe përparimin e të mirës së përbashkët.

Pavarësisht prej kësaj, janë duke dalë në pah, në forma të reja, përpjekje që synojnë ta frenojnë ndikimin e krishterimit në jetën publike, nganjëherë me pretekstin se mësimet e tij janë të dëmshme për të mirën e shoqërisë. Kjo dukuri na kërkon që të ndalemi e të reflektojmë. Sikurse kam sugjeruar në Enciklikën time mbi shpresën e krishterë, ndarja artificiale e Ungjillit prej jetës intelektuale e publike duhet të na bëjë të angazhohemi në një “autokritikë të ndërjellë të epokës moderne” dhe në një “autokritike të krishterimit modern”, veçanërisht në lidhje me shpresën që ato mund t’i japin njerëzimit (krh. Spe salvi, 22). Mund të pyesim: çfarë ka për t’i thënë sot Ungjillit Republikës Çeke dhe më në përgjithësi gjithë Europës, në një periudhë të karakterizuar prej lulëzimit të vizioneve të ndryshme të botës?

Krishterimi ka shumë për të ofruar në planin praktik e moral, sepse Ungjilli nuk resht kurrë së frymëzuari burrat e gratë për t’u vënë në shërbim të vëllezërve e motrave të tyre. Pak kush mund ta kundërshtojë këtë. Megjithatë, ata që e ngulisin vështrimin e tyre në Jezusin e Nazaretit me sytë e fesë, e dinë se Hyji jep një realitet më të thellë e po ashtu të pandashëm prej “ekonomisë” së dashurisë vepruese në këtë botë (krh. Caritas in veritate, 2): Ai jep shëlbimin.

Termi shëlbim është plot me domethënie, megjithatë shpreh diçka themelore e universale të dëshirës njerëzore për lumturi e plotësi. Ai nënkupton dëshirën e zjarrtë për pajtim e bashkim që vetvetiu buron në thellësitë e shpirtit njerëzor. Është e vërteta qendrore e Ungjillit dhe objektivi nga i cili është e drejtuar çdo përpjekje e ungjillëzimit dhe e kujdesit baritor. Dhe është kriteri në të cilët të krishterët fokalizohen vazhdimisht, në angazhimin e tyre për t’i shëruar plagët e përçarjeve të të kaluarës. Me këtë qëllim – sikurse Dr. Černý ka vënë në dukje – Selia e Shenjtë ka organizuar një Kuvend ndërkombëtar në vitin 1999 mbi Jan Husin për të lehtësuar analizën e historisë komplekse e të travajuar fetare në këtë komb dhe më në përgjithësi në Europë (krh. Gjon Pali II, Fjalimi në Kuvendin Ndërkombëtar mbi Jan Husin, 1999). Lutem që këto nisma ekumenike të sjellin fryte jo vetëm për ta vazhduar ecjen e bashkimit të të krishterëve, por për të mirën e tërë shoqërisë europiane.

Fitojmë besim duke e ditur se shpallja nga ana e Kishës e shëlbimit në Jezu krishtin është gjithmonë e hershme dhe gjithmonë e re, e mbushur me urtinë e të kaluarës dhe me shpreën për të ardhmen. Kur Europa vihet në dëgjim të historisë së krishterimit, dëgjon vetë historinë e saj. Nocionet e saj të drejtësisë, lirisë dhe përgjegjësisë shoqërore, së bashku me institucionet kulturore e juridike të caktuara për t’i mbrojtur këto ide dhe për t’ua përçuar breznive të ardhshme, janë të plazmuara prej trashëgimisë së saj të krishterë. në të vërtetë, kujtesa e të kaluarës i frymëzon aspiratat e saj për të ardhmen.

Në të vërtetë, kjo shpjegon se përse të krishterët frymëzohen prej shembullit të figurave sikurse shën Adalberti dhe shenjtja Anjeze e Bohemisë. Angazhimi i tyre për përhapjen e Ungjillit qe i motivuar prej bindjes se të krishterët nuk duhet të mbyllen në vetvete, duke pasur frikë prej botës, por duhet ta bashkëndajnë me besim thesarin e të vërtetës që u është besuar. Në të njëjtën mënyrë edhe të krishterët e sotëm, duke iu hapur situatës aktuale e duke pranuar gjithçka që është e mirë në shoqërinë, duhet të kenë guximin që të ftojnë burra e gra në kthimin rrënjësor që buron prej takimit me Krishtin e që çon në një jetë të re hiri.

Prej këtij këndvështrimi kuptojmë më qartë se përse të krishterët e kanë për detyrë të bashkohen me të tjerët për t’i kujtuar Europës rrënjët e saj. Jo sepse këto rrënjë janë tharë me kohë. Përkundrazi! Për faktin se ato vazhdojnë – më mënyrë të lehtë por në të njëjtën kohë edhe të frytshme – t’i japin Kontinentit mbështetjen shpirtërore e morale që lejon të vendoset një dialog domethënës me personat e kulturave dhe besimeve të tjera. Pikërisht sepse Ungjilli nuk është ideologji, nuk pretendon t’i bllokojë pas skemave të ngurta realitetet socio politike që zhvillohen. Por, ai i tejkalon ngjarjet e kësaj bote dhe hedh një dritë të re mbi dinjitetin e personit njerëzor në çdo epokë. Të dashur miq, le t’i kërkojmë Hyjit që të ngjallë në ne një shpirt guximi për t’i bashkëndarë të vërtetat shëlbimprurëse të amshuara që kanë lejuar, dhe vazhdojnë të lejojnë, përparimin shoqëror e kulturor të këtij Kontinenti.

Shëlbimi i kryer prej Jezusit me mundimet, vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e tij në qiell jo vetëm na shndërron ne që besojmë në të, por edhe na nxit ta bashkëndajmë këtë Lajm të Mirë me të tjerët. Aftësia jonë për t’u frymëzuar prej të vërtetës së mësuar prej Jezu Krishtit, e ndriçuar prej dhuratave të Shpirtit të njohjes, urtisë dhe dijes (krh. Is 11,1-2; Dal 35,31) le të na nxisë që të punojmë me guxim në dobi të njësisë që Ai dëshiron për të gjithë bijtë e vet të rilindur në Pagëzim, dhe madje për tërë gjininë njerëzore.

Me këto ndjenja, dhe me dashuri vëllazërore për ju dhe për anëtarët e bashkësive tuaja përkatëse, jua shpreh falënderimin tim të thellë ju dhe ju besoj Hyjit të Gjithëpushtetshëm, që është kështjella jonë, strehimi ynë dhe çlirimtari ynë (krh. Ps 144,2). Amen!

 

titujt kryesorë

 
 
> Kisha Katolike Shkoder 2009 <

webmaster