|
|
Udhëtimi
ajror i Papë, e premte, 4 qershor 2010
Atë Lombardi:
Shenjtëri, ju falënderojmë që jeni me ne, si në çdo udhëtim, dhe që na
drejtoni fjalën tuaj për ta orientuar vëmendjen tonë këto ditë, që do të
jenë kaq të dendura. Natyrisht, mjerisht, pyetja e parë është e detyruar
prej rrethanës që dje na ka goditur aq dhimbshëm, vrasja e Imzot
Padovese-s, dhe që ka qenë për Ju rast i një dhimbjeje shumë të thellë.
Pra, në emër të të gjithë kolegëve, doja t’ju kërkoja që të na thoni
ndonjë fjalë mbi atë se si e keni pritur këtë lajm dhe se si e jetoni
fillimin e udhëtimit në Qipro në këtë atmosferë.
Papa:
Natyrisht, më vjen thellësisht keq për vdekjen e Imzot Padovese-s, që
edhe ka ndihmuar shumë për përgatitjen e Sinodit; ka bashkëpunuar dhe do
të kishte qenë një element i çmueshëm në këtë Sinod. Le t’ia porosisim
shpirtin e tij mirësisë së Zotit. Megjithatë, kjo hije nuk ka aspak të
bëjë me vetë temat dhe me realitetin e udhëtimit, sepse nuk duhet t’ia
atribuojmë Turqisë apo turqve këtë fakt. Është një gjë mbi të cilën kemi
pak informacione. E sigurt është se nuk bëhet fjalë për një vrasje
politike apo fetare; bëhet fjalë për një gjë personale. Presim ende të
gjitha shpjegimet, por nuk duam tani ta përziejmë këtë situatë tragjike
me dialogun me Islamin dhe me të gjitha problemet e udhëtimit tonë.
Është një rast veçmas, që na trishton, por që nuk duhet ta errësojë në
asnjë mënyrë dialogun, në të gjitha kuptimet, i cili do të jetë tema dhe
qëllimi i këtij udhëtimi.
Atë
Lombardi: Qiproja
është një tokë e ndarë. Shenjtëri, Ju nuk do të shkoni në pjesën veriore
të zënë prej turqve. A keni një porosi për banorët e asaj krahine? Dhe
si mendoni se do të ndihmojë vizita Juaj për ta zhdukur largësinë mes
pjesës greke dhe asaj turke, për të ecur drejt një zgjidhjeje
bashkëjetese paqësore, në respekt të lirisë fetare, të pasurisë
shpirtërore dhe kulturore të bashkësive të ndryshme?
Papa:
Ky udhëtim në Qipro, në shumë kuptime është një vazhdim i udhëtimit të
vitit të kaluar në Tokën e Shenjtë, si edhe i udhëtimit në Maltë këtë
vit. Udhëtimi në Tokën e Shenjtë kishte tri pjesë: Jordania, Izraeli dhe
Territoret palestineze. Për të trija bëhet fjalë për një udhëtim
baritor, fetar; nuk ishte një udhëtim politik apo turistik. Tema
themelore ishte paqja e Krishtit, që duhet të jetë paqe universale në
botë. Pra, tema ishte: nga njëra anë, shpallja e fesë sonë, dëshmia e
fesë, shtegtimi në ato vende që dëshmojnë jetën e Krishtit dhe krejt
historinë e shenjtë; nga ana tjetër, përgjegjësia e përbashkët e të
gjithë atyre që besojnë në një Hyj krijues të qiellit e të tokës, në një
Hyj në shëmbëlltyrë të të cilit jemi krijuar. Malta dhe Qiproja shtojnë
ende me forcë temën e Shën Palit, besimtarit të madh, ungjillëzuesit, si
dhe të shën Barnabës, që është qipriot dhe që ia ka hapur derën misionit
tw Shën Palit. Pra, dëshmia e fesë sonë për të vetmin Hyj, dialogu dhe
paqja janë temat. Paqja në një kuptim shumë të thellë: nuk është një
shtesë politike e veprimtarisë tonë fetare, por paqja është një fjalë e
zemrës së fesë, gjendet në zemrën e mësimit të Shën Palit; le të
mendojmë për Letrën drejtuar Efesianëve, ku thotë se Krishti ka sjellë
paqen, ka shkatërruar dyert e armiqësisë. Ky mbetet një mandat i
përhershëm, kështu nuk vij me një porosi politike, por me një porosi
fetare, që duhet t’i përgatisë më shumë shpirtrat për të gjetur hapjen
ndaj paqes. Këto nuk janë gjëra që vijnë nga sot nesër, por është shumë
e rëndësishme jo vetëm që të bëjmë hapat e nevojshwm politike, por
sidomos edhe t’i përgatisim shpirtrat për të qenë të aftë të bëjnë hapat
e nevojshëm politikë, për të krijuar atë hapje të brendshme për paqen,
që, në fund të fundit, vjen prej fesë në Hyjin dhe prej bindjes se jemi
të gjithë bij të Hyjit dhe vëllezër e motra mes nesh.
Atë
Lombardi:
Faleminderit, Shenjtëri. Pyetja e tanishme është shumë në vazhdimësi me
të parën, por unë po e bëj atë gjithsesi, në mënyrë që, nëse Ju
dëshironi të shtoni ndonjë gjë, të mund ta bëni këtë. Ju shkoni në
Lindjen e Mesme pak ditë pasi që sulmi izraelian ndaj flotës qw ndodhej
përpara Gazës i ka shtuar tensione të mëtejshme procesit të vështirë të
paqes. Si mendoni se Selia e Shenjtë, Vatikani, mund të ndihmojë për t’u
kapërcyer ky moment i vështirë për Lindjen e Mesme?
Papa:
Do të thoja se ne ndihmojmë sidomos në mënyrë fetare. Mund të ndihmojmë
edhe me këshilla politike e strategjike, por puna thelbësore e Vatikanit
është gjithmonë ajo fetare, që prek zemrën. Me të gjitha këto episode që
jetojmë, ekziston gjithnjë rreziku që të humbasë durimi, që të thuhet
“tani mjaft”, dhe të mos dëshirohet më që të kërkohet paqja. Njerëzve që
i thonin: nuk ka kuptim që unë tani të shkoj në rrëfim dhe në zgjidhje,
sepse pasnesër jam i sigurt se do të bie në të njëjtat mëkate,
Famullitari i Arsit u përgjigjej: nuk ka gjë, Zoti me dashje e harron se
ti pasnesër do të bësh të njëjtat mëkate, të fal tani plotësisht, do të
jetë zemërgjerë, dhe do të vazhdojë të të ndihmojë, të vijë drejt teje.
Kështu, duhet të imitojmë Hyjin, durimin e tij. Pas të gjitha rasteve të
dhunës, të mos e humbasim durimin, të mos e humbasim guximin, të mos e
humbasim zemërgjerësinë për të rifilluar; ta krijojmë këtë gatishmëri të
zemrës për të rifilluar sërish nga e para, me sigurinë se mund të
shkojmë përpara, se mund ta arrijmë paqen, se zgjidhja nuk është te
dhuna, por te durimi i të mirës. Krijimi i kësaj gatishmërie më duket
puna kryesore që Vatikani, organet e tij dhe Papa mund të bëjnë.
Atë
Lombardi:
Faleminderit! Le të kalojmë në një temë tjetër, në atë të ekumenizmit.
Shenjtëri, dialogu me Ortodoksët ka bërë shumë hapa përpara nga
këndvështrimi kulturor, shpirtëror dhe i jetës. Me rastin e Koncertit të
fundit që ju është ofruar nga Patriarku i Moskës është ndier një sintoni
e thellë mes ortodoksëve dhe katolikëve përballë sfidave që i kanë dalë
përballë krishterimit në Evropë prej shekullarizimit. Por cili është
vlerësimi Juaj mbi dialogun, edhe nga këndvështrimi më teologjik?
Papa:
Para së gjithash do të doja të theksoja këto përparime të mëdha që kemi
bërë në dëshminë e përbashkët të vlerave të krishtera në botën e
shekullarizuar. Ky nuk është vetëm një koalicion – le të themi – moral,
politik, por është vërtet një gjë thellësisht feje, sepse vlerat
themelore për të cilat jetojmë në këtë botë të shekullarizuar nuk janë
moralizma, por janë fizionomia themelore e fesë së krishterë. Kur jemi
të aftë që së bashku të dëshmojmë këto vlera, të angazhohemi në dialog,
në diskutimin e kësaj bote, në dëshminë për t’i jetuar këto vlera,
atëherë kemi dhënë një dëshmi themelore njësie shumë të thellë të fesë.
Natyrisht, ka shumë probleme teologjike, por edhe këtu elementet e
njësisë janë të forta. Do të doja të tregoja tre elemente që na lidhin,
që na shohin gjithnjë e më afër, na bëjnë të jemi gjithnjë e më afër. I
pari: Shkrimi, Bibla nuk është një libër i rënë prej qiellit, që tani
është dhe secili e merr, por është një libër i formuar në popullin e
Hyjit dhe jeton në këtë subjekt të përbashkët të popullit të Hyjit, dhe
vetëm këtu mbetet gjithnjë i pranishëm e real, pra Bibla nuk është e
izolueshme, por gjendet në lidhjen e traditës dhe Kishës. Kjo vetëdije
është themelore dhe i përket themelit të Ortodoksisë e të Katolicizmit
dhe na jep një rrugë të përbashkët. Si element i dytë, themi është:
tradita, që na interpreton, që na hap derën e Shkrimit, ka edhe një
formë institucionale, të shenjtë, sakramentale të dëshiruar prej Zotit,
pra episkopati; ka një formë personale, pra kolegji i ipeshkvijve është
njëkohësisht dëshmitar dhe prani e kësaj tradite. Dhe pika e tretë: e
ashtuquajtura regula fidei, pra dëshmimi i fesë i përpunuar në Koncilet
e hershme është shuma e asaj që gjendet në Shkrimin e shenjtë dhe hap
“derën” e interpretimit. Pastaj ka elemente të tjera: liturgjia,
dashuria e përbashkët për Zojën e Bekuar na lidhin thellësisht dhe
gjithnjë e më shumë bëhet edhe e qartë për ne se janë themelore në jetën
e krishterë. Duhet të jemi më të vetëdijshëm dhe t’i thellojmë edhe
hollësitë, por më duket se edhe nëse kulturat e ndryshme, situatat e
ndryshme i kanë shtuar keqkuptimet dhe vështirësitë, po rritemi në
vetëdijen e thelbësores dhe të njësisë së thelbësores. Do të doja të
shtoja se, natyrisht, nuk është diskutimi teologjik ai që krijon në
vetvete njësinë; është një përmasë e rëndësishme, por e gjithë jeta e
krishterë, njohja, përvoja e vëllazërisë, të mësuarit, pavarësisht prej
përvojës së të kaluarës, e kësaj vëllazërie të përbashkët, janë procese
që kërkojnë edhe një durim të madh. Por më duket se jemi duke mësuar
pikërisht durimin, ashtu si dhe dashurinë, dhe me të gjitha përmasat e
dialogut teologjik ecim përpara, duke ia lënë Zotit atë se kur do të na
dhurojë njësinë e përsosur.
Atë
Lombardi: Dhe
tani një pyetje e fundit. Njëri prej qëllimeve të këtij udhëtimi është
dorëzimi i dokumentit të punës së Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e
Mesme. Cilat janë pritjet dhe shpresat Tuaja kryesore për këtë Sinod,
për bashkësitë e krishtera si dhe për besimtarët e besimeve të tjera në
këtë krahinë?
Papa:
Pika e parë e rëndësishme është se disa Ipeshkvij, Krerë të Kishave, të
shihen këtu, sepse kemi shumë Kisha – Rite të ndryshme të shpërndarë në
Vende të ndryshme, në situata të ndryshme – dhe ata shpesh duken të
izoluar, shpesh kanë edhe informacione të pakta për njëri-tjetrin; të
shihen me njëri-tjetrin, të takohen, dhe kështu të vetëdijesohen për
njëri-tjetrin, për problemet, për ndryshimet dhe situatat e përbashkëta,
të formojnë së bashku një gjykim mbi situatën, mbi ecjen që duhet marrë.
Ky bashkim konkret i dialogut dhe i jetës është një pikë e parë. E dyta
është edhe dukshmëria e këtyre Kishave, pra, që të shihet në botë se ka
një krishterim të madh e të hershëm në Lindjen e Mesme, që shpesh nuk
gjendet para syve tanë, dhe që kjo dukshmëri të na ndihmojë edhe t’u
jemi atyre afër, ta thellojmë njohjen tonë të ndërsjellë, të mësojmë
prej njëri-tjetrit, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, dhe të ndihmojmë kështu
edhe të krishterët e Lindjes së Mesme që të mos e humbasin shpresën, të
qëndrojnë, edhe pse situatat mund të jenë të vështira. Kështu – pika e
tretë – në dialogun mes tyre hapen edhe ndaj dialogut me të krishterët e
tjerë ortodoksë, armenë, e të tjerë, dhe rritet një vetëdije e
përbashkët për përgjegjësinë e krishterë si dhe një aftësi e përbashkët
për dialog me vëllezërit muslimanë, që janë vëllezër, pavarësisht prej
ndryshimeve; dhe më duket se kështu vjen edhe nxitja, pavarësisht prej
të gjitha problemeve, për të vazhduar, me një vizion të përbashkët,
dialogun me ta. Të gjitha përpjekjet për një bashkëjetesë gjithnjë e më
të frytshme e vëllazërore janë shumë të rëndësishme. Pra ky është një
takim i brendshëm i krishterimit katolik të Lindjes së Mesme në Ritet e
ndryshme, por është një takim edhe hapjeje, aftësie të rinovuar për
dialog, për guxim dhe për shpresë për të ardhmen.
Atë
Lombardi:
Faleminderit, Shenjtëri, për këtë panoramikë të gjerë dhe faleminderit
në veçanti për vizionin kaq pozitiv dhe nxitës që na keni dhënë edhe për
qëllimet e këtij udhëtimi; dhe ne Ju bëjmë me të vërtetë urimet që
udhëtimi të kryhet në këtë atmosferë dhe më këto rezultate, dhe të
mundohemi të bashkëpunojmë edhe me një informacion të mirë për këtë
qëllim. Faleminderit, Shenjtëri, dhe udhëtim të mbarë!
titujt kryesorë
|
|