|
|
FJALIMI I ATIT TË SHENJTË
Salloni i Vladislavit në
Kështjellën e Pragës
E diel, 27 shtator 2009
Zotëri President,
Të nderuar Rektorë e
Profesorë,
Të dashur Studentë dhe
Miq,
Takimi i kësaj mbrëmjeje më jep
mundësinë e pëlqyeshme që të shfaq vlerësimin tim për rolin e
domosdoshëm që kryejnë në shoqëri universitetet dhe institutet e
studimeve akademike. Falënderoj studentin që me mirësjellje më
përshëndeti në emrin tuaj, anëtarët e korit universitar për
interpretimin e tyre shumë të mirë dhe Rektorin e nderuar të
Universitetit Karlo, Profesorin Vaclav Hampl, për fjalët e thella. Bota
akademike, duke mbështetur vlerat kulturore e shpirtërore të shoqërisë
dhe njëkohësisht duke u dhënë atyre ndihmesën e vet, kryen shërbimin e
vyeshëm të pasurimit të trashëgimisë intelektuale të kombit dhe të
përforcimit të themeleve të zhvillimit të saj të ardhshëm. Ndryshimet e
mëdha që njëzet vjet më parë e shndërruan shoqërinë çeke u shkaktuan, jo
në radhë të fundit, prej lëvizjeve të reformës që e patën zanafillën në
universitetet dhe në qarqet studentore. Ai kërkim i lirisë ka vazhduar
ta udhëheqë punën e studiuesve: diakonia e tyre ndaj të vërtetës është e
domosdoshme për mirëqenien e cilitdo komb.
Ai
që ju flet ka qenë profesor, i vëmendshëm ndaj të drejtës së lirisë
akademike dhe ndaj përgjegjësisë për përdorimin e përnjëmendtë të
arsyes, dhe tani është Papa që, në rolin e vet si Bari, njihet si zë me
autoritet për reflektimin etik të njerëzimit. Nëse është e vërtetë se
disa mendojnë se pyetjet e ngritura prej besimit, prej fesë dhe prej
etikës nuk kanë vend në fushën e arsyes publike, ky vizion nuk është
aspak i dukshëm. Liria që gjendet në bazën e ushtrimit të arsyes – në
universitet ashtu sikurse edhe në Kishë – ka një qëllim të saktë: ai
është i drejtuar nga kërkimi i lirisë, dhe si i tillë shpreh një përmasë
karakteristike të Krishterimit, që jo më kot ka çuar në lindjen e
universitetit. Në të vërtetë, etja për njohje e njeriut nxit çdo brez që
ta zgjerojë konceptin e arsyes dhe të marrë prej burimeve të fesë. Ka
qenë pikërisht trashëgimia e pasur e dijes klasike, e përvetësuar dhe e
vënë në shërbim të Ungjillit, ajo të cilën misionarët e parë të
krishterë e kanë sjellë në këto toka dhe e kanë vënë si themel të një
njësie shpirtërore e kulturore që vazhdon deri më sot. E njëjta bindje e
bëri paraardhësin tim, Papën Klementi VI, të themelonte në vitin 1347
këtë Universitet të njohur Karlo, që vazhdon t’i japë një ndihmesë të
rëndësishme botës më të gjerë akademike, fetare e kulturore europiane.
Autonomia e një universiteti, madje e çdo
institucioni shkollor, e gjen domethënien në aftësinë për t’u bërë
përgjegjës përballë të vërtetës. Pavarësisht prej kësaj, ajo autonomi
mund të bëhet e padobishme në mënyra të ndryshme. Tradita e madhe
formuese, e hapur ndaj transhendentes, që gjendet në zanafillën e
universiteteve në të gjithë Europën, është çrregulluar sistematikisht,
këtu në këtë tokë dhe gjetiu, prej ideologjisë kufizuese të
materializmit, prej pengimit të besimit dhe prej shtypjes së shpirtit
njerëzor. Megjithatë, në vitin 1989, bota ka qenë dëshmitare në mënyrë
dramatike për përmbysjen e një ideologjie totalitare të dështuar dhe për
triumfin e shpirtit njerëzor.
Dëshira për lirinë dhe të vërtetën është
pjesë e pacenueshme e njerëzimit tonë të përbashkët. Ajo nuk mund të
zhduket kurrë dhe, sikurse historia ka treguar, mund të mohohet vetëm
duke vënë në rrezik vetë njerëzimin. Pikërisht kësaj dëshire mundohen
t’i përgjigjen besimi fetar, artet e ndryshme, filozofia, teologjia dhe
disiplinat e tjera shkencore, secila me metodën e vet, si në planin e
një reflektimi të vëmendshëm si në atë të një praktike të mirë.
Të
nderuar Rektorë e Profesorë, së bashku me kërkimin tuaj është edhe një
aspekt i mëtejshëm thelbësor i misionit të universitetit në të cilin
jeni të angazhuar, domethënë përgjegjësia për t’i ndriçuar mendjet dhe
zemrat e të rinjve e të rejave të sotëm. Kjo detyrë e madhe me siguri
nuk është e re. Që prej kohëve të Platonit, arsimimi nuk përbëhet
thjesht në grumbullimin e njohjeve apo aftësive, por në një paideia, një
formim njerëzor në pasuritë e një tradite intelektuale që synon një jetë
të virtytshme. Nëse është e vërtetë se universitetet e mëdha, që në
mesjetë lindnin në gjithë Europën, prireshin me besim nga ideali i
sintezës së çdo dijeje, kjo ishte gjithnjë në shërbim të një humanitas-i
të vërtetë, pra të një përsosmërie të individit brenda njësisë së një
shoqërie të organizuar mirë. Në të njëjtën mënyrë sot: pasi kuptimi i
plotësisë dhe njësisë së të vërtetës po rizgjohet në të rinjtë, ata
ndiejnë kënaqësinë e zbulimit se pytja mbi atë që ata mund të njohin u
hap atyre horizontin e aventurës së madhe mbi atë se si duhet të jenë
dhe se çfarë duhet të bëjnë.
Duhet të rifitohet ideja e një formimi të
tërësishëm, të bazuar në njësinë e njohjes së rrënjosur në të vërtetën.
Kjo mund t’i kundërshtojë prirjes, kaq të dukshme në shoqërinë
bashkëkohëse, drejt fragmentarizimit të dijes. Me rritjen e madhe të
informacionit dhe teknologjisë lind edhe prirja për ta ndarë arsyen prej
kërkimit të të vërtetës. Por, arsyeja, kur ndahet prej orientimit
themelor njerëzor ndaj të vërtetës, fillon ta humbë drejtimin e vet. Ajo
arrin të shterrë ose nën dukjen e modestisë, kur kënaqemi me atë që
është krejt e pjesshme apo e përkohshme, ose nën dukjen e sigurisë, kur
imponon dorëzimin para kërkesave të atyre që, pa dallim, i japin një
vlerë të barabartë praktikisht gjithçkaje. Relativizmi që rrjedh prej
kësaj krijon një kamuflim, pas të cilit mund të fshihen kërcënime të
reja ndaj autonomisë së institucioneve akademike.
Nëse në njërën anë ka kaluar periudha e
ndërhyrjes që buronte prej totalitarizmit politik, nga ana tjetër, a
nuk është e vërtetë se shpesh sot në botë ushtrimi i arsyes dhe kërkimi
akademik janë të detyruar – në mënyrë të hollë dhe nganjëherë jo shumë
të hollë – të përkulen para presioneve të grupeve të interesit
ideologjik dhe para tërheqjes së objektivave materialë afatshkurtër apo
vetëm pragmatikë? Çfarë mund të ndodhë nëse kultura jonë e ndërton
vetveten vetëm mbi argumentet që janë në modë, pa referimin në një
traditë intelektuale historike të vërtetë, ose mbi bindjet që nxiten
duke bërë shumë zhurmë e që janë shumë të financuara? Çfarë mund të
ndodhë nëse, me ankthin për të ruajtur një shekullarizim rrënjësor,
arrin të ndahet prej rrënjëve që i japin jetë? Shoqëritë tona nuk do të
bëhen më të arsyeshme apo telorante apo elastike, por do të jenë më të
brishta dhe më pak përfshirëse, dhe do t’u duhet të lodhen gjithnjë e më
shumë për ta njohur atë që është e vërtetë, fisnike dhe e mirë.
Të dashur miq, dëshiroj t’ju nxis në
gjithçka që bëni për të përkrahur idealizimin dhe zemërgjerësinë e të
rinjve të sotëm, jo vetëm me programe studimi që i ndihmojnë të
shkëlqejnë, por edhe nëpërmjet përvojës së idealeve të bashkëndara dhe
të ndihmës së ndërsjellë në sipërmarrjen e madhe të mësimit. Aftësitë e
analizës dhe ato që kërkohen për të formuluar një hipotezë shkencore,
bashkë me artin e matur të shoshitjes, u japin një kundërhelm efikas
qëndrimeve të mbylljes në vetvete, të tërheqjes dhe madje edhe të
tjetërsimit që nganjëherë gjenden në shoqëritë tona të mirëqenies dhe që
mund të godasin sidomos të rinjtë.
Në këtë kontekst të një vizioni të
rëndësishëm humanistik të misionit të të vërtetës, do të doja të flisja
shkurtimisht për kapërcimin e asaj ndarjeje mes shkencës dhe besimit që
qe një shqetësim qendror i paraardhësit tim, Papës Gjon Pali II.
Ai,
sikurse e dini, ka nxitur një kuptim më të plotë të marrëdhënies mes
fesë dhe arsyes, të kuptuara si dy krahët me të cilët shpirti njerëzor
lartësohet në soditjen e të vërtetës (krh. Fides et ratio, Hyrje). Njëra
mbështet tjetrën dhe secila ka fushën e vet të veprimit (krh. ibid.,
17), pavarësisht se ka prej atyre që duan t’i ndajnë nga njëra-tjetra.
Ata që propozojnë këtë përjashtim pozitivist të hyjnores prej
universalitetit të arsyes, jo vetëm mohojnë atë që është njëra prej
bindjeve më të thella të besimtarëve, por arrijnë të kundërshtojnë edhe
atë dialog të kulturave që ata vetë e propozojnë. Një kuptim i arsyes
shurdhe ndaj hyjnores, që i përzë besimet në mbretërinë e subkulturave,
është i paaftë të hyjë në atë dialog të kulturave për të cilin bota jonë
ka një nevojë të ngutshme. Në fund, “besnikëria ndaj njeriut kërkon
besnikërinë ndaj të vërtetës që është e vetmja garanci e lirisë”
(Caritas in veritatis, 9). Ky besim në aftësinë njerëzore për të kërkuar
të vërtetën, për të gjetur të vërtetën dhe për të jetuar sipas të
vërtetës çoi edhe në themelimin e universiteteve të mëdha europiane.
Sigurisht, ne duhet ta ripohojmë këtë sot për t’i dhuruar botës
intelektuale guximin e nevojshëm për zhvillimin e një të ardhmeje me
mirëqenie të vërtetë, një të ardhmeje të denjë për njeriun.
Me këto reflektime, të dashur miq, i
formuloj në lutje urimet më të mira për punën tuaj angazhuese. Lutem që
ajo të jetë gjithmonë e frymëzuar dhe e drejtuar prej një dijeje
njerëzore që kërkon sinqerisht të vërtetën e cila na bën të lirë (krh.
8,28). Mbi ju dhe mbi familjet tuaja thërras bekimin e gëzimit dhe të
paqes së Hyjit.
titujt kryesorë
|
|