|
|
Kryepeshkopata
Ortodokse e Nikozisë, e shtunë, 5 qershor 2010
Lumturia juaj,
Σε χαιρετώ με αδελφική αγάπη εν τω
Αναστημένω Κυρίω. Σε ευχαριστώ για την θερμή σου υποδοχή. [Ju përshëndes
me dashuri vëllazërore në Krishtin e Ngjallur dhe Ju falënderoj për
përshendetjen tuaj të sjellshme të mirëseardhjes].
E kujtoj me mirënjohje vizitën tuaj në
Romë tre vjet më parë, dhe gëzohem që sot takohemi përsëri në tokën tuaj
të dashur. Nëpërmjet jush përshëndes Sinodin e Shenjtë dhe të gjithë
Meshtarët, diakonët, murgjërit dhe murgjëreshat si dhe besimtarët laikë
të Kishës së Qipros.
Para së gjithash dëshiroj të shpreh
mirënjohjen time për mikpritjen që Kisha e Qipros i ka dhënë kaq
bujarisht Komisionit Ndërkombëar për Dialogun Teologjik me rastin e
takimit të vitit të kaluar në Pafos. Po ashtu jam mirënjohës për
mbështetjen që Kisha e Qipros, me qartësinë dhe hapjen e ndihmesave të
saj, i ka dhënë gjithmonë angazhimit të dialogut. Shpirti Shenjt e
udhëheqtë dhe e përforcoftë këtë nismë të madhe kishtare, që synon të
ribëjë bashkimin e plotë e të dukshëm mes Kishave të Lindjes e të
Perëndimit, një bashkim që duhet të jetohet në besnikëri ndaj Ungjillit
dhe ndaj traditës apostolike, në mënyrë që t’i vlerësojë traditat e
ligjshme të Lindjes e të Perëndimit, dhe që të jetë e hapur ndaj larmisë
së dhuratave nëpërmjet të cilave Shpirti ndërton Kishën në njësi, në
shenjtëri dhe në paqe.
Ky shpirt vëllazërie e bashkimi ka gjetur
shprehje edhe në ndihmesën zemërgjerë që Lumturia Juaj ka dërguar, në
emër të Kishës së Qipros, për ata që, vitin e kaluar, në Akuila, afër
Romës, kanë vuajtur për shkak të tërmetit, dhe nevojat e të cilëve i kam
përzemër. Në këtë shpirt, bashkohem me Ju, duke u lutur që të gjithë
banorët e Qipros, me ndihmën e Zotit, të gjejnë urtinë dhe forcën për të
punuar së bashku për një zgjidhje të drejtë të problemeve që duhen
zgjidhur ende, duke u angazhuar për paqen e pajtimin dhe duke ndërtuar
për brezat e ardhshëm një shoqëri që të dallohet për respektimin e të
drejtave të të gjithëve, përfshirë edhe të drejtat e patjetërsueshme për
lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e kultit.
Qiproja konsiderohet tradicionalisht si
pjesë e Tokës së Shenjtë, dhe situata e konfliktit të vazhdueshëm në
Lindjen e Mesme duhet të jetë një arsye reflektimi për të gjithë
besimtarët e krishterë. Askush nuk mund të mbetet mospërfillës ndaj
nevojës për t’u dhënë mbështetje në çdo mënyrë të mundshme të
krishterëve të asaj krahine të munduar, me qëllim që Kishat e saj të
lashta të mund të jetojnë në paqe e begati. Bashkësitë e krishtera të
Qipros gjetshin një fushë shumë të frytshme për bashkëpunimin ekumenik,
duke u lutur e duke punuar së bashku për paqen, pajtimin dhe
stabilitetin në tokat e bekuara prej pranisë tokësore të Princit të
Paqes.
Me këto ndjenja, Lumturia Juaj, ju
falënderoj edhe një herë për mirëseardhjen tuaj vëllazërore dhe dua t’ju
siguroj për lutjet e mia për Ju dhe për gjithë klerin e besimtarët e
Kishës së Qipros.
H χαρά και η ειρήνη του αναστημένου
Χριστού ας είναι πάντοτε μαζί σου. [Gëzimi i Zotit të ngjallur qoftë
gjithmonë me ju!].
titujt kryesorë
|
|