|
|
Kopshti
i Pallatit Presidencial të Nikozisë, e shtunë, 5 qershor 2010
Zotëri President,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,
jam mirënjohës që, në kontekstin e
udhëtimit tim apostolik në Qipro, kam mundësinë të takoj Autoritetet
politike dhe civile të Republikës, si dhe anëtarët e bashkësisë
diplomatike.
Falënderoj Presidentin Christofias për
fjalët e sjellshme të mirëseardhjes, që shprehu edhe në emrin tuaj, dhe
që me gjithë qejf i këmbej nëpërmjet urimit tim plot respekt për punën
tuaj të rëndësishme, duke kujtuar, në mënyrë të veçantë, rastin e lumtur
të pesëdhjetë vjetorit të Kushtetutës së Republikës.
Sapo kam vendosur një kurorë lulesh në
monumentin e të ndjerit Arqipeshkëv Makarios, Presidentit të parë të
Republikës së Qipros. Sikurse ai, secili prej jush në jetën e shërbimit
publik duhet të angazhohet për t’i shërbyer të mirës së të tjerëve në
shoqëri, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një
thirrje fisnike, të çmuar prej Kishës. Kur kryhet me besnikëri, shërbimi
publik na lejon të rritemi në dije, integralisht dhe me realizim
personal. Platoni, Aristoteli dhe stoikët i dhanë një rënddësi të madhe
këtij realizimi personal – eudemonia – si qëllim për çdo qenie
njerëzore, dhe panë në karakterin moral rrugën për ta arritur atë. Për
ta, dhe për filozofët e mëdhenj islamikë dhe të krishterë që kanë
ndjekur hapat e tyre, praktika e virtytit përbëhej në të vepruarit sipas
arsyes së drejtë, në ndjekjen e gjithçkaje që është e vërtetë, e mirë
dhe e bukur.
Në një perspektivë fetare, jemi anëtarë
të një familjeje të vetme njerëzore të krijuar prej Hyjit, dhe jemi të
thirrur të nxisim njësinë dhe të ndërtojmë një botë më të drejtë e
vëllazërore të bazuar në vlerat që zgjasin. Në masën në të cilën
përmbushim detyrën tonë, i shërbejmë dhe bashkohemi edhe me atë që është
e drejtë, mendjet tona bëhen më të hapura ndaj të vërtetave më të thella
dhe liria jonë forcohet në bashkimin e saj me atë që është e mirë.
Paraardhësi im, Papa Gjon Pali II, ka shkruar një herë se detyrimi moral
nuk duhet të shihet si një ligj që imponohet prej vetvetes nga jashtë
dhe që kërkon bindje, por si një shprehje e vetë dijes së Hyjit, së
cilës liria njerëzore i nënshtrohet me gatishmëri (krh. Veritatis
splendor, 41). Si qenie njerëzore, e gjejmë realizimin tonë të fundit
duke iu referuar atij Realiteti Absolut, reflektimi i të cilit gjen aq
shpesh përgjigje në ndërgjegjen tonë si ftesë e ngutshme për t’i
shërbyer të vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë.
Në nivel personal, si shërbyes publikë,
ju e njihni rëndësinë e të vërtetës, të integritetit dhe të respektit në
marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Marrëdhëniet personale janë shpesh
hapat e parë për të ndërtuar besimin dhe – në kohën e duhur – lidhjet e
qëndrueshme të miqësisë mes individëve, popujve dhe kombeve. Kjo është
një pjesë thelbësore e rolit tuaj, qoftë si politikë qoftë si diplomatë.
Në Vendet me situata politike delikate, një marrëdhënie e tillë
personale e ndershme dhe e hapur mund të jetë fillimi i një të mire më
të madhe për shoqëri dhe popuj të tërë. Më lejoni t’ju nxis, gjithë sa
jeni sot këtu të pranishëm, që të pranoni mundësitë që ju janë dhënë,
qoftë në nivel personal qoftë në nivel institucional, për të ndërtuar
këto marrëdhënie dhe, duke bërë kështu, për të nxitur të mirën më të
madhe të tërësisë së Kombeve, dhe të mirën e vërtetë të të gjithë atyre
që përfaqësoni.
Gjithashtu, filozofët e lashtë grekë na
mësojnë se të mirës së përbashkët i shërbehet pikërisht nëpërmjet
ndikimit të personave të pajisur me një vizion të qartë moral dhe me
guxim. Në këtë mënyrë, veprimet politike pastrohen prej interesave
egoiste apo prej presioneve të njëanshme dhe vendosen në një bazë më të
qëndrueshme. Veç kësaj, aspiratat e ligjshme të atyre që përfaqësojmë
mbrohen dhe nxiten. Drejtësia morale dhe respektimi i paanshëm i të
tjerëve dhe i mirëqenies së tyre janë thelbësore për të mirën e secilës
bashkësi, meqenëse ata krijojnë një klimë besimi në të cilën çdo
marrëdhënie njerëzore, fetare apo ekonomike, shoqërore dhe kulturore,
apo civile dhe politike, merr forcë dhe lëndë.
Por çfarë do të thotë në terme praktike
të respektosh dhe të nxitësh të vërtetën morale në botën e politikës dhe
të diplomacisë në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare? Si mundet kërkimi
i të vërtetës t’u sjellë një harmoni më të madhe krahinave të munduara
të tokës? Do të doja të sugjeroja se ekzistojnë tri rrugë.
Para së gjithash, nxitja e të vërtetës
morale do të thotë të veprosh në mënyrë të përgjegjshme në bazë të
njohjes së fakteve reale. Si diplomatë, e dini prej përvojës se kjo
njohje ju ndihmon të identifikoni padrejtësitë dhe ankesat, kështu që
mund të vlerësoni në mënyrë të painteres shqetësimet e atyre që janë të
përfshirë në një debat të caktuar. Kur palët arrijnë të ngrihen mbi
mënyrën e tyre të të shikuarit të ngjarjeve, fitojnë një vizion objektiv
dhe të tërësishëm. Ata që janë të thirrur të zgjidhin debate të tilla
janë në gjendje të marrin vendime të drejta dhe të nxisin një pajtim të
vërtetë në momentin në të cilin e gjejnë dhe e njohin të vërtetën e
plotë të një çështjeje specifike.
Një mënyrë e dytë për të nxitur të
vërtetën morale qëndron në destrukturimin e ideologjive politike që
përndryshe do të zinin vendin e të vërtetës. Përvojat tragjike të
shekullit XX kanë vënë në dukje panjerëzimin që buron prej asgjësimit të
të vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor. Edhe në ditët tona, jemi
dëshmitarë të përpjekjeve për të nxitur pseudovlera me pretekstin e
paqes, të zhvillimit dhe të të drejtave njerëzore. Në këtë kuptim, duke
folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e kam thirrur
vëmendjen mbi përpjekjet e disa mjediseve për të riinterpretuar
Deklaratën universale të të Drejtave të njeriut me qëllim që të kënaqen
interesa të veçanta, që do ta kishin dëmtuar unitaritetin e brendshëm të
Deklaratës dhe do ta kishin larguar atë prej qëllimeve të saj
zanafillore (krh. Fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara, 18 prill 2008).
Në rend të tretë, nxitja e të vërtetës
morale në jetën publike kërkon një përpjekje të vazhdueshme për ta
themeluar ligjin pozitiv mbi parimet etike të ligjit natyror. Dikur, të
referuarit në të konsiderohej si diçka e dukshme në vetvete, por vala e
pozitivizmit në doktrinën juridike bashkëkohore kërkon ripohimin e kësaj
aksiome të rëndësishme. Individët, bashkësitë dhe shtetet pa udhëheqjen
e të vërtetave morale objektive, do të bëheshin egoistë dhe pa skrupuj,
dhe bota do të ishte një vend i rrezikshëm për të jetuar në të. Nga ana
tjetër, duke respektuar të drejtat e personave dhe të popujve, mbrojmë
dhe nxisim dinjitetin njerëzor. Kur politikat që mbështesim vihen në
lëvizje në harmoni me ligjin natyror të njerëzimit tonë të përbashkët,
atëherë veprimet tona bëhen më të bazuara dhe çojnë në një atmosferë
mirëkuptimi, drejtësie dhe paqeje.
Zotëri President, të nderuar miq, me këto
konsiderata e ripohoj vlerësimin tim dhe atë të Kishës për shërbimin
tuaj të rëndësishëm ndaj shoqërisë dhe ndaj ndërtimit të një të ardhmeje
të sigurt për botën tonë. Mbi të gjithë ju thërras bekimet hyjnore të
urtisë, forcës dhe qëndresës në përmbushjen e detyrave tuaja.
Faleminderit.
titujt kryesorë
|
|